ATV

Author: K.B.

  • “Reverie Quartet” dhe Besa Llugiqi sonte me koncert në Oslo

    “Reverie Quartet” dhe Besa Llugiqi sonte me koncert në Oslo

    “ Reverie Quartet” i përbërë me anëtarë të Filharmonisë së Kosovës dhe sopranon Besa Llugiqi, sonte do të mbajnë koncert në ora 18:00, në ambientet e Oslo Konserthus (Lille Sal), me një program nga mjeshtërit e muzikës klasike dhe perlave të muzikës shqiptare.

    Kjo mbrëmje e veçantë koncertale, mbahet në shënim të 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

    Koncerti është organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Norvegji, në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës.

  • Në kuadër të Epopesë së UÇK-së, ora e parë mësimore sot i kushtohet luftës çlirimtare

    Në kuadër të Epopesë së UÇK-së, ora e parë mësimore sot i kushtohet luftës çlirimtare

    Ora e parë mësimore në shkollat fillore dhe ato të mesme në Kosovë nuk do të fillojë si zakonisht.

    Pasi, kjo orë e parë do t’i kushtohet luftës çlirimtare të familjes Jashari.

    Sot njëherësh, nis shënimi i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërkaq manifestimet në nderim të luftës çlirimtare dhe familjes Jashari do të mbahen më 5, 6 dhe 7 mars.

    Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) shënon një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Kosovës.

  • FSK rreshton kuadratet në Kazermën “Adem Jashari” për nder të Epopesë së UÇK-së

    FSK rreshton kuadratet në Kazermën “Adem Jashari” për nder të Epopesë së UÇK-së

    Me rastin e shënimit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës do të organizojë ceremoninë e rreshtimit të kuadrateve të saj në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

    Sipas njoftimit të FSK-së në Facebook, ceremonia zyrtare do të mbahet duke filluar nga ora 12:00.

    “Me rastin e shënimit të Epopesë së UÇK-së, Forca e Sigurisë së Kosovës do të rreshtojë kuadratet e saj, në ceremoninë zyrtare që do të mbahet të enjten me 5 Mars 2026 në ora 12:00 në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë. Manifestimi do të jetë i hapur për të gjithë qytetarët si dhe të pranishëm do të jenë krerët më të lartë shtetërorë dhe mysafirë të ftuar”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

  • 28-vjetori i Epopesë së UÇK-së, mblidhen Qeveria e Kuvendi me seanca solemne

    28-vjetori i Epopesë së UÇK-së, mblidhen Qeveria e Kuvendi me seanca solemne

    Për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të mbahet mbledhja solemne e Qeverisë së Kosovës.

    Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se kjo mbledhje do të mbahet me fillim nga ora 09:00.

    Në njoftim thuhet gjithashtu se nga ora 12:00, kryeministri Albin Kurti do të marrë pjesë në ceremoninë e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

    Po ashtu, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka konfirmuar para disa ditësh se sot do të mbahet seancë solemne në nder të 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.

    Seanca do të nisë nga ora 10:00, tha Haxhiu pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

    “Së pari u dakorduam që ta mbajmë seancën solemne me rastin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së. Kjo seancë do të mbahet më 5 mars, nga ora 10:00 dhe, përveç krerëve të shtetit, do të flasin edhe përfaqësues nga grupet parlamentare”, tha mes tjerash Haxhiu.

  • Sot afati i fundit për zgjedhjen e presidentit, Konjufca i vetmi i propozuar

    Sot afati i fundit për zgjedhjen e presidentit, Konjufca i vetmi i propozuar

    Sot përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës.

    Deri në këtë moment është propozuar vetëm një kandidat për këtë post, deputeti Glauk Konjufca.

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar një ditë më parë se kandidatura e Konjufcës është dorëzuar me nënshkrimet e 30 deputetëve nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nga grupi multietnik.

    “Në cilësinë e kryetares së Kuvendit kam pranuar vetëm një kandidaturë për president, e cila është propozuar nga 30 deputetë nënshkrues. Sipas dokumentacionit, një pjesë e deputetëve nga Grupi Parlamentar i VV-së dhe disa deputetë nga grupi multietnik kanë nominuar Glauk Konjufcën”, deklaroi Haxhiu në konferencë për media.

    Ajo theksoi se procesi i votimit nuk mund të nisë pa u plotësuar kushti themelor për të pasur së paku dy kandidatë të mbështetur me nënshkrimet e nevojshme.

    “Derisa nuk kemi të paktën dy kandidatë që kanë siguruar mbështetjen e kërkuar, nuk mund të thërras seancë për zgjedhjen e presidentit”, shtoi ajo.

    Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, kjo çështje rregullohet nga Neni 86. Në pikën 2 të këtij neni thuhet se:

    “Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë përpara përfundimit të mandatit të presidentit aktual”.

  • E enjte me vranësira e riga të dobëta shiu

    E enjte me vranësira e riga të dobëta shiu

    Për sot parashihet mot kryesisht i vranët me intervale të shkurtra me diell.

    Siç ka njoftuar Instituti Hidrometerologjik, vranësirat vende-vende mund të sjellin riga të dobëta shiu.

    Temperaturat minimale do të lëvizin nga 1°C deri në 4°C, ndërsa maksimalet e ditës pritet të arrijnë ndërmjet 12°C dhe 15°C.

    Do të fryjë erë nga verilindja me shpejtësi 1–8 m/s.

  • 33 nënshkrimet e Nagavcit dhe terreni i pashkelur i Haxhiut, Cakolli i drejtohet me ironi dy zyrtareve nga VV

    33 nënshkrimet e Nagavcit dhe terreni i pashkelur i Haxhiut, Cakolli i drejtohet me ironi dy zyrtareve nga VV

    Learta Hollaj nga presidenca ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka përkrahur presidenten Vjosa Osmani.

    Pas kësaj, ka reaguar zëdhënësi i Qeverisë Arlind Manxhuka që ka thënë se LVV ia jep Osmanit 33 nënshkrime për të garuar.

    Por, më parë shefja e Grupit Parlamentar të LVV, Arbërie Nagavci, tha se kanë vetëm një kandidat për President, për këtë nuk mund të thërrasin seancë për President.

    E kështu Eugen Cakolli nga KDI, pyeti se nëse i kanë 33 nënshkrime pse nuk i japin një kandidati tjetër që të mundësojnë seancën.

    “Nëse qenkan duke “nejtë” edhe 33 nënshkrime të gatshme diku – që po pretendohet se i paska refuzuar dikush – pse nuk po i jepen ndonjë kandidati tjetër, që të paktën të iniciohet procedura dhe të mos hyjmë në atë “terrenin e pashkelur” kushtetues? Mos është ky i fundit më shumë qëllimi sesa rreziku i krejt situatës së tanishme?”, ka shkruar Cakolli në Facebook.

  • Sllovakia i ndërpret furnizimin me energji Ukrainës

    Sllovakia i ndërpret furnizimin me energji Ukrainës

    Qeveria sllovake ka udhëzuar operatorin shtetëror të rrjetit elektrik të ndërpresë kontratën e furnizimit me energji për Ukrainën. Sipas kryeministrit Robert Fico, ky hap vjen pasi Kievi, sipas tij, po dëmton interesat kombëtare ekonomike të Sllovakisë duke ndaluar tranzitin e naftës ruse.

    “Kjo kontratë po ndërpritet përfundimisht. Që nga momenti kur e njoftuam javën e kaluar, asgjë nuk ka shkuar drejt Ukrainës sa i përket furnizimeve emergjente. Kontrata përkatëse ndërmjet SEPS dhe kompanisë ukrainase për furnizim me energji elektrike do të anulohet”.

    Fico lëshoi një paralajmërim të fortë drejtuar presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke bërë të qartë se durimi i vendit të tij ka arritur kufirin.

    “ Ky është hapi i parë dhe do të shqyrtojmë se çfarë do të ndodhë më pas. Presidenti Zelensky do të na shtyjë aq fort, sa do të bashkohemi me Hungarinë në bllokimin e huasë prej 90 miliardë eurosh. Vazhdoni, President Zelensky, testoni durimin tonë. Ne e kuptojmë se keni një punë të vështirë, por nuk do të dëmtoni interesat ekonomike kombëtare të Sllovakisë”.

    Nga ana tjetër, Ukraina pretendon se ndërprerja ka ardhur si pasojë e dëmtimeve nga sulmet dhe se riparimet kërkojnë kohë.

  • Hollaj i reagon Nagavcit, i thotë se Kurti i ofroi Osmanit që të bëhet kundërkandidate sa për numër dhe për ta fajësuar opozitën

    Hollaj i reagon Nagavcit, i thotë se Kurti i ofroi Osmanit që të bëhet kundërkandidate sa për numër dhe për ta fajësuar opozitën

    Learta Hollaj nga presidenca, i thotë shefes së GP-së së VV-së, Arbërie Nagavci, që “nëse dikujt i thoni eja veç sa për formalitet bëhu kundërkandidate e z. Glauk Konjufca, pra veç sa për numër, në mënyrë që pastaj të mund ta fajësojmë së bashku opozitën për shkuarje në zgjedhje, a ka më turp?“.

    Ajo thotë se Osmanit nuk i ka ofruar VV asnjë votë për t’u rizgjedhur “por i keni kërkuar që të bëhet formalitet e numër në mënyrë që sot të dilni me manipulime të tilla”, thotë Hollaj.

    “Ne nuk i trajtojmë institucionet e shtetit ashtu!”, është shprehur ajo.

    Reagimi i saj i plotë:

    Zonja Arbërie Nagavci,

    Besohet se përvoja juaj parlamentare dhe politike është e mjaftueshme për ta trajtuar këtë çështje me seriozitetin që kërkon pesha kushtetuese dhe interesi qytetar e shtetëror. Kjo nuk është çështje e thjeshtë e aritmetikës procedurale apo administrative, por temë që prek thelbin e përgjegjësisë institucionale dhe respektimin e rendit kushtetues.

    Prandaj, qasja duhet të reflektojë maturi politike dhe ndjeshmëri ndaj interesit publik, përtej kalkulimeve të ulëta.

    Nëse dikujt i thoni eja veç sa për formalitet bëhu kundërkandidate e z. Glauk Konjufca, pra veç sa për numër, në mënyrë që pastaj të mund ta fajësojmë së bashku opozitën për shkuarje në zgjedhje, a ka më turp? Pra Presidentes nuk i keni ofruar asnjë votë për t’u rizgjedhur por i keni kërkuar që të bëhet formalitet e numër në mënyrë që sot të dilni me manipulime të tilla.

    Ne nuk i trajtojmë institucionet e shtetit ashtu!

  • Deputetja e VV’së e sfidon Osmanin, i thotë të shkojë në Kuvend të matet me Konjufcën

    Deputetja e VV’së e sfidon Osmanin, i thotë të shkojë në Kuvend të matet me Konjufcën

    Arbëreshë Kryeziu Hyseni, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, është kyçur në debatin për nënshkrimet që VV thotë se ia ofruan Osmanit për të kandiduar për presidente, ndërsa stafi i kësaj të fundit e mohoi ofrimin e tyre.

    Në një postim në FB-në e saj, deputetja shkruan:

    Nëse Vjosa Osmani beson se gëzon më shumë mbështetje se Glauk Konjufca, ne jemi të gatshëm t’ia japim nënshkrimet që të kandidojë dhe ta testojë këtë mbështetje.

    Është Kuvendi ai që vendos dhe aty matet vullneti.