ATV

Author: K.B.

  • Deputetja e VV’së i mban gjallë tensionet, godet Osmanin, PDK’në dhe LDK’në

    Deputetja e VV’së i mban gjallë tensionet, godet Osmanin, PDK’në dhe LDK’në

    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu, në një shkrim në profilin e saj ua ka bërë një përmbledhje qëndrimeve të partive politike dhe presidentes Vjosa Osmani rreth çështjes së votave dhe pozitës së shefit të shtetit.

    Ajo ka thënë se Vjosa Osmani po i kërkon 30 nënshkrime bashkë me 57 votat e Lëvizjes Vetëvendosje.

    Ofertën e PDK-së, ajo e ka interpretuar si një urdhër në formë kërkese, derisa LDK-ja sipas saj po thonë se janë institucionalistë.

    “Qëndrimet deri në këto momente:

    Vjosa: I dua 30 nënshkrime, por vetëm bashkë me 57 vota.

    PDK: I duam disa nënshkrime dhe 66 vota, me kandidatët tanë, por emrat nuk ua tregojmë. Oferta jonë është urdhër në formë kërkese.

    LDK: Ne jemi institucionalistë!”, ka shkruar ajo.

  • Krasniqi tregon skenarin se si opozita mund ta ndalë bllokadën që po e përgatitë Kurti

    Krasniqi tregon skenarin se si opozita mund ta ndalë bllokadën që po e përgatitë Kurti

    Analisti politik Albert Krasniqi ka treguar skenarin se si opozita mund ta ndalë bllokadën e radhës që po e përgatitë Albin Kurti.

    Ai ka bërë me dije se partitë opozitare e kanë një mundësi te vetme për ta ndalur Kurtin.

    Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se opozita duhet që formalisht ta propozojë një kandidat për president për të nisur procedurën e zgjedhjes së presidentit.

    “Opozita e ka vetëm edhe sot një mundësi të fundit për ta parandaluar bllokadën e radhës që po përgatitet nga Kurti, përmes krijimit të kushteve për zgjedhje të jashtëzakonshme. Kjo mund të arrihet duke nominuar një kandidat të dytë për President, krahas Konjufcës tashmë të propozuar, dhe duke qëndruar në sallë vetëm gjatë raundit të parë të votimit, për t’u larguar në raundet pasuese. Thirrja e një seance të jashtëzakonshme për këtë proces mund të bëhet me 40 nënshkrime”, ka shkruar ai.

    Sipas tij, në këtë mënyrë do të aktivizohej rrjedha e afatit kushtetues prej 60 ditesh dhe do ta hapte rrugën për zgjedhje të reja.

    “Në këtë mënyrë aktivizohet rrjedhja e afatit kushtetues prej 60 ditësh për zgjedhjen e Presidentit. Nëse brenda këtij afati Presidenti nuk zgjidhet, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme. Në të kundërtën, duke filluar nga nesër vendi rrezikon të hyjë në një cikël të ri bllokade institucionale, përmes manovrave procedurale dhe lojës me Gjykatën Kushtetuese, ku koha e zgjedhjeve do të diktohet nga momenti politik më i përshtatshëm për LVV-në”, ka shkruar Krasniqi.

  • Pasi u shkarkua, Spiropali: Më vjen keq që largimin tim e paralajmëroi Sali Berisha dhe jo ndonjë tjetër

    Pasi u shkarkua, Spiropali: Më vjen keq që largimin tim e paralajmëroi Sali Berisha dhe jo ndonjë tjetër

    Elisa Spiropali ish-Ministrja e Jashtme e Shqipërisë e cila u shkarkuar të enjten e kaluar në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së kur ministrat kishin zyrtarisht raportimin, ka folur në Kuvendin e Shqipërisë ditën e sotme.

    Spiropali ka thënë gjatë fjalës së saj ishte habitur se si e dinte më para kryedemokrati Sali Berisha që ajo s’do ishte me ministre.

    “Unë nuk flas vetëm anglisht, por edhe gjuhë tjetër të huaj. Por më mirë se shqipen nuk flas asnjë gjuhë. Edhe flas shqip, flas troç dhe flas sic duhet me Shqipërinë dhe për Shqipërinë. Çdo detyrë këtu në Kuvend është nder i madh. E vetmja gjë për të cilën më vjen keq është që largimin e paralajmëroi Sali Berisha dhe jo ndonjë tjetër. Vetëm për këtë jam e habitur që i doli fjala dhe për asgjë tjetër”, tha Spiropali.

  • Kurti i ftohtë ndaj Osmanit, nuk e përshëndet në Kuvend – Konjufca e Haxhiu ia zgjatën dorën

    Kurti i ftohtë ndaj Osmanit, nuk e përshëndet në Kuvend – Konjufca e Haxhiu ia zgjatën dorën

    Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për përvjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), kryeministri Albin Kurti nuk e përshëndeti presidenten Vjosa Osmani, ndryshe nga bashkëpartiakët e tij, Glauk Konjufca dhe Albulena Haxhiu, të cilët iu afruan ulëses së Osmanit për t’ia zgjatur dorën.

    Ky moment ndodh pas tensioneve të fundit mes Osmanit dhe Kurtit për çështjen e presidentit.

    Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar kandidaturën e Glauk Konjufcës për president, duke lënë Osmanin jashtë procesit, pavarësisht ambicieve të saj për të marrë një mandat të dytë në krye të shtetit.

    Mbrëmë gjithashtu pati replika mes anëtarëve të kabinetit të Osmanit dhe përfaqësuesve të LVV-së, duke theksuar tensionet në marrëdhëniet mes dy institucioneve më të larta të vendit.

    Ky zhvillim thekson përplasjet brenda skenës politike të Kosovës, ndërsa vendi përgatitet për procesin e zgjedhjes së presidentit.

  • Abdixhiku: Adem Jashari bëri hapin e parë në një rrugë që nuk e shihte askush

    Abdixhiku: Adem Jashari bëri hapin e parë në një rrugë që nuk e shihte askush

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka folur në seancën solemne që po mbahet për nder të 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, duke kujtuar sakrificën e familjes Jashari në Prekaz.

    Abdixhiku tha se rënia e familjes Jashari në altarin e lirisë ishte jo vetëm një sakrificë historike, por edhe një thirrje kombëtare për vazhdimin e rrugës drejt lirisë.

    “28 vjet më parë, mes thirrjeve monumentale të brezave nëpër histori, në këtë familje shqiptare, në familjen Jashari, Adem Jashari, Hamëz Jashari, Shaban Jashari dhe 56 anëtarë të tjerë të familjes, të afërm dhe bashkëluftëtarë, ranë në altarin e lirisë, duke dhënë vendin jo vetëm në histori të sakrificës, por edhe një thirrje nacionale për përmbushjen e një rrugëtimi që s’mund të ndalej më.

    “Ademi jo vetëm për nga emri, si përshkrim i një udhëzimi të marrë nga Zoti, por edhe nga akti është njeriu i parë, i pari që bëri hapin në një rrugë që nuk e shihte askush. Ndonëse kur flasim për Ademin, pra për të parin, shpesh ndalemi te momenti i tij i fundit, te beteja, te rrëfimi e te sakrifica, duhet të kujtojmë se figura e tij si pasqyrë e popullit të tij nuk fillon aty nga fundi.

    “Përkundrazi, njerëzit që bëhen figura të historisë nuk lindin në çastin e fundit të jetës së tyre, ata formohen gjatë, në heshtje, në jetën e zakonshme të përditshme”, tha mes tjerash i pari i LDK-së.

  • Për të shmangur zgjedhjet, avokati Koci kërkon nënshkrimet për kandidat të dytë për President

    Për të shmangur zgjedhjet, avokati Koci kërkon nënshkrimet për kandidat të dytë për President

    Avokati Arianit Koci po do t’i hyjë garës për President të vendit.

    Përmes një postimi në Facebook, ai ka kërkuar 30 nënshkrime që të hyjë në garën për të parin e shtetit, por vetëm si kundër-kandidat i Glauk Konjufcës.

    Këtë, ai tha se po e bën që vendi të mos hyjë përsëri në cikël zgjedhjesh dhe bllokadash institucionale.

    “Për ta formalizuar kandidimin duhen 30 nënshkrime deputetësh. Prandaj, i ftoj deputetët, qoftë të pozitës apo të opozitës, të m’i japin nënshkrimet sot, në mënyrë që të plotësohet kushti i dy kandidatëve për zgjedhjen e Presidentit”.

    “Me vetëdije dhe vullnet të plotë po e bëj këtë hap, edhe pse e di se mund të më dëmtojë personalisht. Megjithatë, kjo është një iniciativë që vendi të mos hyjë përsëri në cikël zgjedhjesh dhe bllokadash institucionale. Interesi i vendit tim është mbi mua”, shkroi Koci në postimin e tij.

    Ai shtoi se është i vetëdijshëm që nuk ka gjasa, “por, për të shmangur zgjedhje të reja dhe bllokimin e institucioneve, po ofrohem si kundërkandidat i Glauk Konjufcës”.

    Sipas Kocit, me këtë raport të forcave, “nuk besoj se edhe pas zgjedhjeve të reja do të ketë ndonjë rezultat që do ta ndryshojë esencialisht gjendjen”.

    Avokati tha se nuk e ka kontaktuar askënd për t’ia kërkuar votën dhe tha se as që do ta thërrasë.

    “Këtë hap po e bëj si një qytetar që nuk dëshiron ta shohë vendin e tij keq”, deklaroi avokati Arianit Koci.

  • Selimi: Kushdo që tenton të rishkruajë historinë në gjykata, përgjigja është – ne të gjithë jemi Jasharë

    Selimi: Kushdo që tenton të rishkruajë historinë në gjykata, përgjigja është – ne të gjithë jemi Jasharë

    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi në seancën solemne për Epopenë e UÇK-së, tha se Prekazi dhe Jasharët i dhanë leksion botës se sa e shtrenjtë është liria dhe sakrifica për të.

    Gjatë fjalës së saj para deputetëve, ajo theksoi se lufta çlirimtare e Kosovës duhet të mbrohet si vlerë, sidomos kur sulmohet pastërtia e saj.

    “Në historinë tonë të lavdishme, 5 marsi dhe Epopeja e UÇK-së janë pikëtakimi ynë ku bashkohemi dhe reflektojmë mbi unitetin dhe vetëdijen kombëtare. Kjo datë mbledh njerëzit e mirë dhe patriotë, pa dallime. Shembulli i sakrificës dhe heroizmit të Adem Jashari, i familjes Jashari dhe i luftëtarëve të UÇK-së, na bën të jemi të vetëdijshëm se sa i shtrenjtë është atdheu dhe si duhet t’i dalim zot çdoherë kur ka nevojë për ne. Prekazi dhe Jasharët i dhanë leksion botës se sa e shtrenjtë është liria dhe sa e madhe është sakrifica për të. Familja Jashari është shembull për të gjithë njerëzimin”, tha Selimi.

    “Kujtimi për dëshmorët na mban të freskët dhe na bën të paluhatur në rrugën e duhur për të ecur përpara. 5, 6 dhe 7 marsi nuk i takojnë vetëm të kaluarës sonë, Epopeja e UÇK-së është edhe e sotmja, e cila na rrëfen të ardhmen tonë të dinjitetshme. Prandaj, lufta e lavdishme çlirimtare ka nevojë të mbrohet si vlerë, sidomos kur sulmohet pastërtia e saj, kur sulmohet lufta e drejtë dhe rrjedhjet e saj, edhe kur tentohet të rishkruhet historia jonë e lavdishme”, shtoi ajo.

    Në fund, deputetja Selimi pati dy fjalë edhe për ata që tentojnë ta rishkruajnë historinë e UÇK-së në salla gjyqi, atje ku po gjykohen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tash e pesë vjet.

    “Kushdo që tenton ta rishkruajë historinë e UÇK-së dhe të Adem Jasharit, duke e trajtuar nëpër salla gjyqi, përgjigja jonë është, ne të gjithë jemi UÇK, ne të gjithë jemi Jasharët”.

  • Hamza: Prekazi u bë altar i lirisë, ndërsa familja Jashari simbol i qëndresës së një populli

    Hamza: Prekazi u bë altar i lirisë, ndërsa familja Jashari simbol i qëndresës së një populli

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përfaqëson një nga momentet më të rëndësishme të historisë së Kosovës dhe simbolizon sakrificën e familjes Jashari për lirinë e vendit.

    Në seancën solemne të Epopesë së UÇK-së, Hamza tha se janë mbledhur jo vetëm për të kujtuar një ngjarje historike, por për të nderuar një moment që, sipas tij, i dha drejtim historisë së Kosovës.

    “Sot jemi mbledhur në këtë sallë jo vetëm për të kujtuar një ngjarje historike, por për të nderuar një moment që i dha historisë sonë Epopejën e UÇK-së dhe rënien heroike të familjes Jashari në Prekaz”, ka deklaruar Hamza.

    Ai theksoi se më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 një familje shqiptare vendosi të qëndrojë në pragun e shtëpisë së saj përballë një ushtrie të tërë pushtuese.

    “Sidoqoftë, ato tri ditë nuk janë vetëm një betejë në kalendarin e historisë sonë. Ato janë një mësim i përhershëm për vetë kuptimin e lirisë, sepse ka momente kur historia nuk shkruhet nga numrat, nga fuqia ushtarake apo nga kalkulimet politike, por nga vendimet morale të njerëzve që refuzojnë të nënshtrohen”, u shpreh Hamza.

    Sipas tij, pikërisht në ato tri ditë të marsit historia mori një formë tjetër.

    “Prekazi nuk ishte vetëm një fshat, ai u bë një altar i lirisë, ndërsa familja Jashari u bë simbol i qëndresës së një populli të tërë”, theksoi ai.

    Hamza shtoi se ngjarjet e marsit 1998 duhet të kujtohen në tërësinë e tyre, duke rikujtuar se forcat serbe kishin ndërmarrë disa herë sulme ndaj familjes Jashari para se të ndodhte rrethimi i fundit.

    “Brenda pak viteve forcat serbe kishin sulmuar tri herë këtë familje. Dy herët e para u zmbrapsën, sepse në atë kullë nuk qëndronte thjesht një familje, por një vullnet i pathyeshëm për çlirim. Herën e tretë, në mars të vitit 1998, regjimi serb vendosi të përdorte gjithë makinerinë ushtarake”, tha ai.

    Sipas Hamzës, rrethimi i Prekazit zgjati tri ditë dhe u shndërrua në simbol të rezistencës.

    “Tri ditë rezistencë dhe heroizëm. Tri ditë kur burra, gra dhe fëmijë luftuan për lirinë e Kosovës”, ka deklaruar Hamza.

    Hamza po ashtu tha se : “Adem Jashari kishte thënë ‘Vetëm nje vdekje e kemi në këtë jetë dhe një fjalë të mirë në grykë të pushkës’. Në këto pak fjalë përmblidhet e tërë filozofia e asaj që ndodhi në ato tri ditë”, tha ndër të tjera Hamza.

  • Osmani u përshëndet me Bedri Hamzën e Ramush Haradinajn para nisjes së seancës

    Osmani u përshëndet me Bedri Hamzën e Ramush Haradinajn para nisjes së seancës

    Liderët opozitarë, Bedri Hamza i PDK-së e Ramush Haradinaj i AAK-së, u përshëndetën me presidenten Vjosa Osmani në seancën e sotme solemne për shënimin e Epopesë së UÇK-së.

    Por, njëjtë s’veproi edhe kryeministri Albin Kurti, i cili para pak ditësh pati një takim me Osmanin, nga i cili dolën të papajtuar lidhur me çështjen e presidentit – post për të cilin Osmani shprehu ambicie për ta vazhduar sërish.

    Këto raporte mes figurave politike të vendit u panë me vëmendje të shtuar në seancën e sotme për shkak të situatës aktuale politike rreth zgjedhjes së Presidentit për të cilin duhet konsensus mes partive parlamentare.

  • Epopeja e UÇK-së, Kurti: Në Prekaz, historia u shkrua me zjarr e gjak

    Epopeja e UÇK-së, Kurti: Në Prekaz, historia u shkrua me zjarr e gjak

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti në seancën e Kuvendit të Kosovës me rastin e Epopesë së UÇK-së tha se në ato ditë të përballjes së familjes Jashari në Prekaz me aparatin e shtypjes, historia u shkrua me zjarr e gjak.

    Kurti para deputetëve të Kuvendit dhe të pranishmeve tjerë tha se Epopeja e UÇK-së u bë thirrje për mobilizim, bashkim dhe artikulim të qartë të synimit për liri e mëvetësi.

    “Në ato ditë të përbllajes së vullnetit për liri me aparatin e shtypjes në Prekaz historia u shkrua me zjarr e gjak. Toka u bë altar i lirisë e një familje u bë simbol kombëtar. Figura e kryekomandantit Adem Jashari e lidhur pazgjidhshmërisht me fatin e familjes dhe bashkëluftëtarëve të tij u bë personifikim i vendosmërisë për të mos e pranuar nënshtrimin”, tha ai.

    Kurti tutje theksoi se kjo sakrificë u përjetësua në vetëdijen e kujtesën tonë kolektive, se liria paguhet shtrenjtë dhe se është vlerë e panegociueshme dhe e drejtë e patjetërsueshme.

    “Epopeja e UÇK-së u bë thirrje për mobilizim, bashkim dhe artikulim të qartë të synimit tonë për liri dhe mëvetësi”, tha ai.

    Kryeministri Kurti tha se qëndresa e familjes Jashari dhe të gjithë atyre që u rreshtuan krah tyre e pas tyre në udhën e çlirimit përbëjnë një trashëgimi të thellë politike, kulturore e kombëtare prej së cilës buron liria e Kosovës.

    “Krismat e pushkës në Prekaz u përhapën larg deri te ndërgjegja e diplomacisë ndërkombëtare. Ato krisma zgjuan mbarë kombin dhe shumëfishuan radhët e UÇK-së, duke shndërruar rezistencën në lëvizje të pandalshme për liri”, tha Kurti.