ATV

Author: K.B.

  • “Momir Pantiqin e kam pa në kodër”, dëshmitari rrëfen si u plaçkitën, maltretuan dhe u dëbuan nga shtëpitë e tyre

    “Momir Pantiqin e kam pa në kodër”, dëshmitari rrëfen si u plaçkitën, maltretuan dhe u dëbuan nga shtëpitë e tyre

    Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj dy të akuzuarve për krime lufte, Momir Pantiq dhe Zharko Zariq, është dëgjuar dëshmitari i Prokurorisë, Avdi Rexhaj, i cili rrëfeu ditën kur u larguan nga shtëpitë e tyre, ndërsa rrugës kishte parë të akuzuarin Pantiq.

    Dëshmitari Rexhaj dekalroi se të gjithë të dëbuarit nga shtëpitë e tyre, që ishin nga fshatra të ndyshme të asaj zone, ishin në kolonë me traktorë, ndërsa aty në qëndër të fshatit Staradran kishe parë të akuzuarin Pantiq, i cili sipas tij i drejtonte se nga të merrnin rrugë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Atë ditë që kemi dalë prej shtëpive, në kodër të Staradranit, një traktor para meje, këtë Momir Pantiqin e kam pa në kodër, me sheshir”, tha Rexhaj.

    Më 7 maj 1999, dëshmitari Rexhaj theksoi se ishin nxjerrë nga shtëpitë e tyre, ishin plaçkitur, maltretuar dhe dëbuar në drejtime të ndryshme. Tha se me vete, në traktor kishte 20 anëtarë të familjës, që ishin nisur në drejtim të Kukësit.

    Paraprakisht, të gjithë ishin mbledhur tek “Livadhi i Grabovcëve”, ku ishin të rrethuar nga forca të mëdha policore të armatosura.

    “Unë kam komuniku me një polic, ma ka qitë hartën që kemi me shku në këtë drejtim edhe keni me shku për Shqipëri”, tha Rexhaj.

    I pyetur nga prokurori special Armend Zenelaj lidhur me të akuzuarin Pantiq, dëshmitari para trupit gjykues deklaroi se atë e njihte si inspektor të sigurimit shtetëror.

    “Po, një periudhë ka qenë inspektor i sigurimit shtetëror, pastaj është emëru si kryeshef i Policisë të Komunës së Istogut”, tha Rexhaj.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 1 shtator 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ish-kryeshef i stacionit policor në Istog, Momir Pantiq dhe ish-polici Zharko Zariq, ngarkohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”.

    Sipas aktakuzës, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, më datën 19 maj 1999 në fshatin Dubravë, saktësisht në burgun e Dubravës pas bombardimeve të NATO-s ku si pasojë kishin mbetur të vrarë 3 të burgosur shqiptarë, Pantiq si kryeshef i stacionit policor bashkë me forcat policore serbe kishin shkuar për të marrë kontrollin e situatës dhe pasi pushuan bombardimet në përbërje edhe të gardianëve kanë hyrë në dhomat e të burgosurve dhe kanë ushtruar dhunë sistematike, duke i rrahur në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, vetëm për faktin se ishin shqiptarë.

    Në aktakuzë thuhet se bombardimet e NATO-s kanë vazhduar edhe më 21 maj, ku mbetën të vrarë 18 të burgosur shqiptarë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur. Ndërsa, një ditë pas në mëngjes gardianët, të burgosurit, serbë të armatosur bashkë me forcat policore dhe Njësitë Speciale të cilët gjendeshin nën komandën e Stacionit Policor në Istog, fillimisht i kanë mbledhur të burgosurit shqiptarë në fushën e sportit dhe më pas, siç thuhet në aktakuzë filluan të gjuajnë me armë zjarri të llojeve të ndryshme, kurse nga mbrapa murit të burgut kanë gjuajtur me bomba në drejtim të burgosurve shqiptarë.

    Gjithmonë, duke iu referuar aktakuzës, forcat policore serbe të Stacionit Policor në Istog, nën udhëheqjen e Pantiqit po ashtu, kidnapuan një civil shqiptar me pseudonimin “A1”, të cilin e dhunuan seksualisht. Përveç viktimës “A1”, në aktakuzë përshkruhet dhunimi i një viktime tjetër- “B1”. Dy të pandehurit, po ashtu akuzohen për vrasje të disa familjeve në Komunën e Istogut.

  • Ligji për të huajt, Lista Serbe ankohet te shefi i UNMIK-ut

    Ligji për të huajt, Lista Serbe ankohet te shefi i UNMIK-ut

    Lista Serbe i është ankuar shefit të ri të UNMIK në Kosovë, Peter Due, për atë që e cilëson si përkeqësim të situatës së sigurisë dhe pozitës së serbëve në Kosovë.

    Një delegacion i kësaj partie, i udhëhequr nga kryetari Zlatan Elek, zhvilloi një takim me kreun e UNMIK-ut, gjatë të cilit, sipas njoftimit të Listës Serbe, u diskutua për ‘sfidat me të cilat përballet komuniteti serb’.

    Sipas kësaj partie, përfaqësuesit e saj e njoftuan shefin e UNMIK-ut për problemet që, siç thonë ata, i hasin serbët në baza ditore.

    Në takim thuhet se u ngrit edhe çështja e paralajmërimeve për zbatimin e ligjit për të huajt dhe atij për automjetet, për të cilat përfaqësuesit e kësaj partie thanë se duhet të jenë “alarm për të gjithë përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare”.

    “Nëse një qasje e tillë vazhdon, ekziston rreziku real që të rrezikohet edhe më tej mbijetesa e popullit serb në Kosovë, të dëbohen mijëra bashkëkombës tanë dhe të rrezikohen institucionet vitale”, citohet të kenë thënë përfaqësuesit e Listës Serbe.

  • Kurti nga kazerma “Adem Jashari”: Populli e ka UÇK-në e UÇK-ja e ka epopenë e saj

    Kurti nga kazerma “Adem Jashari”: Populli e ka UÇK-në e UÇK-ja e ka epopenë e saj

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Epopeja e UÇK-së përfaqëson një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë moderne të Kosovës, gjatë ceremonisë së shënimit të Epopesë së UÇK-së, që po mbahet në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

    Kurti tha se populli e ka UÇK-në e UÇK-ja e ka epopenë e saj.

    “Në historinë moderne të Kosovës, Epopeja e UÇK-së paraqet traditën përmes së cilës i referohemi ngjarjes më totale dhe përcaktuese në rrugën e betejave të shqiptarëve për liri në Kosovë përgjatë shekullit XX-të. Populli e ka UÇK-në e UÇK-ja e ka epopenë e saj, e cila është ngritur përreth rezistencës së armatosur dhe sakrificës së familjes Jashari më 5, 6 dhe 7 mars 1998, si një ngjarje shembullore e fuqisë së qëndresës të dalë nga guximi dhe gatishmëria për të sakrifikuar gjithçka për liri”, tha Kurti.

  • Osmani: FSK-ja është trashëgimtare e UÇK-së

    Osmani: FSK-ja është trashëgimtare e UÇK-së

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Forca e Sigurisë së Kosovës është trashëgimtare e UÇK-së.

    Osmani foli nga Kazerma “Adem Jashari” në Prishtinë, ku po shënohet 28-vjetori i Epopesë së UÇK-së, dhe ku u zhvillua edhe rreshtimi i kuadrateve të FSK-së.

    Osmani tha se ceremonia është një akt nderimi për sakrificën që solli lirinë e Kosovës.

    “Në këtë tokë të shenjtëruar nga sakrifica që u ngrit mbi gjakun e dëshmorëve dhe që mban emrin e pavdekshëm të komandantit Adem Jashari, jemi mbledhur sot për një akt nderimi që e tejkalon kohën. Në këtë manifestim madhështor për Epopesë e UÇK-së dhe Ditën e kazermës ‘Adem Jashari’, ne rikujtojmë çmimin e lirisë dhe betimin që u bë që ne sot të jetojmë të lirë dhe me dinjitet. Është përkujtim i përjetshëm i një figure që është bërë simbol i përjetësisë kombëtare, komandantit legjendar Adem Jashari dhe i gjithë familjes Jashari. Ata nuk zgjodhën rrugën e lehtë, por zgjodhën sakrificën dhe përjetësinë”, tha Osmani.

    Ajo njëherësh tha se në Prekaz, Adem Jashari dhe familja e tij e shndërruan shtëpinë në kështjellë rezistence, ndërsa gjakun e tyre në vulë të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

    “Familja Jashari është altar i lirisë kombëtare dhe krenari e çdo shqiptari”, tha presidentja Osmani.

  • VV propozoi Konjufcën, Abdixhiku: Presidenti duhet të jetë figurë konsensuale, jo kandidat me librezë partiake

    VV propozoi Konjufcën, Abdixhiku: Presidenti duhet të jetë figurë konsensuale, jo kandidat me librezë partiake

    Kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku, ka folur lidhur me propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje që Glauk Konjufca të jetë kandidat për president të vendit.

    Abdixhiku tha se procesi për zgjedhjen e presidentit nuk ka qenë i dakorduar në këtë formë dhe se LDK-ja ka kërkuar një kandidat konsensual, e jo një figurë partiake.

    “Ky nuk është proces me të cilin jemi marrë vesh. Kemi thënë që nuk duhet të ketë imponime dhe nuk duhet të ketë kandidatë me librezë partiake. Është thënë që duhet të ketë kandidat konsensual, por kjo nuk duket si konsensus. Gara nuk jep zgjidhje, por vetëm zgjedhje. Presidenti nuk është çështje e një gare partiake dhe as çështje e 61 votave, por e unitetit nacional brenda Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Abdixhiku për Klan Kosova.

    Sa i përket mundësisë së mbajtjes së seancës për zgjedhjen e presidentit sot, Abdixhiku tha se LDK-ja nuk ka marrë asnjë ftesë.

    “Ne nuk kemi marrë ftesë për seancë dhe përderisa nuk kemi marrë ftesë, nuk mund të supozojmë nëse do të ketë apo jo një të tillë”, tha mes tjerash ai.

  • Lirohet për qarkullim magjistralja Pejë – Prishtinë

    Lirohet për qarkullim magjistralja Pejë – Prishtinë

    Pas punimeve në urën e Dollcit njjë ditëshe, magjistralja Pejë – Prishtinë është liruar për qarkullim.

    Kjo rrugë është bllokuar paraditen e së mërkurës.

    Ministria e Infrastrukturës pati kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik për shqetësimet e mundshme gjatë kësaj periudhe.

  • Presidentja Osmani parakalon para ushtarëve të FSK-së

    Presidentja Osmani parakalon para ushtarëve të FSK-së

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka parakaluar para ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Aty pas pak do bëhet rreshtimi i kuadrateve të FSK-së në Kazermën “Adem Jashari”.

    Në ceremoni janë të pranishëm po ashtu kryetarë komunash, përfaqësues diplomatikë, ministra dhe deputetë.

    Gjithashtu, pjesë e aktivitetit janë edhe familjet e dëshmorëve, përfshirë familjen e Adem Jashari.

  • Gjashtë persona të plagosur nga mbetjet e një droni që ra në Abu Dhabi

    Gjashtë persona të plagosur nga mbetjet e një droni që ra në Abu Dhabi

    Mbetjet e një droni të rrëzuar plagosën gjashtë persona në Abu Dhabi të enjten. Kështu u tha nga zyra e medias e Emirateve të Bashkuara Arabe.

    “Autoritetet në Emiratin e Abu Dhabit iu përgjigjën një incidenti që përfshinte rënien e pjesëve të një droni në dy vende në zonën ICAD 2, pasi forcat e mbrojtjes ajrore e kapën me sukses dronin. Incidenti rezultoi në gjashtë lëndime të lehta deri të moderuara të shtetasve të Pakistanit dhe Nepalit”, tha zyra e medias e Abu Dhabit në një deklaratë.

  • Shefi i NATO-s: Irani është afër të bëhet kërcënim për Evropën

    Shefi i NATO-s: Irani është afër të bëhet kërcënim për Evropën

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka paralajmëruar se Irani është “afër” të shndërrohet në një kërcënim për Evropën.

    Në deklaratat e tij, Rutte theksoi rëndësinë që Irani të mos ketë mundësi të përbëjë rrezik për sigurinë e vendeve evropiane. Ai gjithashtu shprehu mbështetje për veprimet e presidentit amerikan Donald Trump për shkatërrimin e aftësive bërthamore dhe raketore të Teheranit.

    Sipas shefit të NATO-s, është thelbësore që komuniteti ndërkombëtar të sigurojë që Irani të mos zhvillojë kapacitete që mund të kërcënojnë rajonin dhe Evropën në të ardhmen.

  • Fillon monitorimi i çmimit të karburantit në Kosovë

    Fillon monitorimi i çmimit të karburantit në Kosovë

    Autoriteti i Konkurrencës i Kosovës ka njoftuar se ka filluar monitorimin e tregut të karburanteve në Kosovë, duke përfshirë tregtimin me shumicë dhe pakicë, me fokus të veçantë tek çmimet e naftës dhe benzinës në pikat e shitjes.

    Në njoftimi, thuhet se të gjitha ndërmarrjet që ushtrojnë veprimtari në tregtimin e karburanteve janë aktualisht nën monitorim.

    Sipas tyre, përmes këtij procesi synohet të sigurohet mbrojtje nga marrëveshjet e ndaluara, abuzimi me pozitën dominuese dhe praktikat e bashkërenduara ndërmjet ndërmarrjeve që operojnë në këtë treg.

    “Rikujtojmë se çdo marrëveshje, bashkërendim apo veprim i njëanshëm ndërmjet bizneseve, që ka për qëllim ose efekt rritjen artificiale të çmimeve, ndarjen e tregut apo kufizimin e konkurrencës, përbën shkelje të rëndë të ligjit dhe është subjekt i sanksioneve ligjore”, thuhet në njoftimin në Facebook, transmeton Klankosova.tv.

    Autoriteti thekson se në praktikë çmimet e karburanteve në tregjet ndërkombëtare përditësohen vazhdimisht, duke reflektuar faktorë të ndryshëm si oferta dhe kërkesa, kostot e përpunimit dhe zhvillimet ekonomike e gjeopolitike. Për këtë arsye, pritet që edhe luhatjet e çmimeve në tregun vendor të reflektojnë ndryshimet në tregjet ndërkombëtare, duke u bazuar në parimet e transparencës dhe funksionimit të rregullt të tregut.

    Autoriteti u bën thirrje bizneseve që:

    të veprojnë në përputhje me parimet e konkurrencës së lirë dhe të ndershme;
    të shmangin çdo formë të bashkërendimit të çmimeve me operatorë të tjerë;
    të tregojnë përgjegjësi sociale ndaj qytetarëve dhe konsumatorëve, veçanërisht në këtë periudhë të zhvillimeve ekonomike dhe gjeopolitike.
    “Autoriteti i Konkurrencës thekson se ky proces monitorimi po zhvillohet në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me MINT-in, ATK-në, Doganën dhe mekanizmat e tjerë përgjegjës për zbatimin e ligjit, me qëllim të sigurimit të respektimit të plotë të legjislacionit në fuqi, si dhe të vendimeve dhe rregulloreve të përcaktuara nga institucionet relevante në Republikën e Kosovës”.