ATV

Author: K.B.

  • Meta paditet në SHBA, dyshohet se përdori Al për të larguar nga puna punëtorët me probleme shëndetësore

    Meta paditet në SHBA, dyshohet se përdori Al për të larguar nga puna punëtorët me probleme shëndetësore

    Një grup prej 26 ish-punonjësish të Meta Platforms ka ngritur një padi në një gjykatë federale në Oakland, Kaliforni, duke akuzuar kompaninë se ka përdorur softuer të mbështetur nga Al për të identifikuar në mënyrë disproorcionale punonjësit me aftësi të kufizuara ose ata që kishin marrë leje mjekësore gjatë procesit të pushimeve masive nga puna.

    Sipas padisë, Meta është mbështetur në tregues si produktiviteti dhe përdorimi i mjeteve të Al për të vlerësuar performancën e punonjësve, duke vendosur në disavantazh ata që kishin munguar nga puna për shkak të problemeve shëndetësore.

    Në fillim të këtij viti, Meta njoftoi se do të shkurtonte rreth 10% të fuqisë së saj globale të punës, ose afro 8 mijë vende pune, me valën e parë të largimeve që nisi në muajin maj dhe me shkurtime të tjera të planifikuara më vonë.

    Paditësit, të cilët kanë zgjedhur të mbeten anonim, pretendojnë se kompania ka shkelur ligjet federale dhe ato shtetërore që ndalojnë diskriminimin ose hakmarrjen ndaj punonjësve me aftësi të kufizuara, grave shtatzëna apo personave që marrin leje mjekësore.

    Ata vijnë nga gjashtë shtete amerikane, përfshirë Kaliforninë dhe New Yorkun, si edhe nga Distrikti i Kolumbias.

    Nga ana tjetër, Meta i ka hedhur poshtë akuzat. Një zëdhënës i kompanisë deklaroi se pretendimet janë të pabazuara.

    “Vendimet për menaxhimin e fuqisë punëtore dhe organizimin e kompanisë janë marrë dhe vazhdojnë të merren nga njerëzit, jo nga Al”, tha zëdhënësi.

    Çështja pritet të shqyrtohet në gjykatë, ndërsa mund të ngrejë pikëpyetje të reja mbi përdorimin e Al në vendimmarrjen për menaxhimin e burimeve njerëzore.

  • Nisma për shkarkimin e Abdixhikut, dorëzohen nënshkrimet për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm të LDK-së

    Nisma për shkarkimin e Abdixhikut, dorëzohen nënshkrimet për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm të LDK-së

    Delegatët e LDK-së, i kanë dorëzuar sot në zyrën qendrore të partisë nënshkrimet e nevojshme për thirrjen Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë për shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku.

    Iniciativa për shkarkimin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhikut, ka nisur nga figura brenda këtij subjekti që janë të pakënaqura me rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit.

    Nëshkrimet janë dorëzuar në zyret e partisë nga Armend Zemaj dhe Florian Dushi.

    Nisma pason pakënaqësitë e shprehura pas zgjedhjeve të 7 qershorit, çka ka çuar edhe në përplasjet e hapura brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Kërkesat publike për dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku, janë shoqëruar me replika mes figurave drejtuese të partisë.

    Degët e LDK-së në Pejë, Lipjan dhe Dega e Dytë në Prishtinë, dega në Rahovec, kanë kërkuar publikisht dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku, duke vlerësuar se rezultati zgjedhor kërkon përgjegjësi politike dhe reflektim të thellë në nivel qendror.

    Ata kanë kërkuar që përgjegjësia për rezultatin zgjedhor të bartet nga udhëheqja e partisë.

  • Garda Revolucionare e Iranit kërcënon me mbylljen e rrugëve të tjera të eksportit të energjisë

    Garda Revolucionare e Iranit kërcënon me mbylljen e rrugëve të tjera të eksportit të energjisë

    Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) ka kërcënuar se do të ndalojë rrugë të tjera të eksportit të energjisë nga Lindja e Mesme, si kundërpërgjigje ndaj rivendosjes së bllokadës detare nga ushtria amerikane ndaj anijeve që udhëtojnë drejt dhe nga portet iraniane.

    “SHBA-të duhet të presin mbylljen e rrugëve të tjera të eksportit të naftës dhe gazit që u shërbejnë interesave të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj”, tha të mërkurën IRGC-ja, një ditë pasi bllokada rifilloi.

    “Eksporti i naftës dhe gazit të rajonit do të jetë ose për të gjithë ose për askënd”, shtoi ajo.

    Gjatë fundjavës, IRGC-ja kishte njoftuar mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës, para luftës, kalonte rreth një e pesta e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë.

    Arabia Saudite, eksportuesi më i madh i naftës bruto në botë, ka ridrejtuar pjesën më të madhe të eksporteve të saj drejt Detit të Kuq. Megjithatë, prania e rebelëve Huthi, të mbështetur nga Irani, pranë Ngushticës Bab al-Mandab në hyrjen jugore të Detit të Kuq, rrit rrezikun për ndërprerje të mëtejshme të furnizimit global me energji nëse grupi tenton të synojë anijet në atë zonë.

    Bllokada detare e ushtrisë amerikane ndaj anijeve që shkojnë dhe vijnë nga portet iraniane ka rifilluar në orën 16:00 sipas kohës lindore të martën, sipas njoftimit të Komandës Qendrore të SHBA-së në platformën X.

    SHBA-ja kishte zbatuar më herët një bllokadë ndaj porteve iraniane gjatë luftës për rreth dy muaj, nga prilli deri në qershor. Operacionet për zbatimin e masave ishin shtrirë nga Lindja e Mesme deri në Oqeanin Indian, mijëra kilometra larg.

  • Komandanti i FSK-së pret në takim lamtumirës atashetë e ShBA-së

    Komandanti i FSK-së pret në takim lamtumirës atashetë e ShBA-së

    Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, priti sot në takim lamtumirës atasheun e mbrojtjes së ShBA-së Kolonelin Ashley J. Berg të cilin e falënderoi për angazhimin e tij në ngritjen e bashkëpunimit bilateral në mes të FSK-së dhe ushtrisë së ShBA-së, si dhe vlerësoi lartë angazhimin e tij në ofrimin e mbështetjes së SHBA-së në ngritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së drejt arritjes së kapaciteteve të plota operacionale.

    Po ashtu më herët Gjeneral Jashari ka pritur në takim lamtumirës edhe atasheun ushtarak të ShBA-së, Nënkolonelin Jonathan Shaw të cilin e ka falënderuar për angazhimin e tij në ngritjen profesionale dhe avancimin e kapaciteteve të FSK-së.

    “Më pas GLT Jashari u ka ndarë medaljen “shërbim vetëmohues” të dy atasheve për kontributin e dhënë dhe angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm në mbështetje të FSK-së gjatë shërbimit si atashe të SHBA-së në Republikën e Kosovës. Në fund të takimit, GLT Jashari uroj atashetë e ri të SHBA-së për pranimin e detyrave me të cilët do të vazhdoj bashkëpunimi profesional me interes të ndërsjellë”, thuhet në njoftim.

  • Mbetet në fuqi dënimi me 16 vjet burg për vrasësin e Martin Canit

    Mbetet në fuqi dënimi me 16 vjet burg për vrasësin e Martin Canit

    Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës, duke dënuar me 16 vite burg Mario Përlleshajn për vrasjen e të miturit Martin Cani.

    Përlleshaj u shpall fajtor për veprat penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” ndaj Martin Canit dhe “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, mbetur në tentativë” ndaj Luis Meçes, i cili mbeti i plagosur, raporton Euronews.al.

    Për vrasjen e Martin Canit, Gjykata e Tiranës kishte caktuar dënimin me 12 vite burg, ndërsa për tentativën e vrasjes së Luis Meçes vendosi 10 vite burg. Pas bashkimit të dënimeve, Mario Përlleshaj u dënua përfundimisht me 16 vite heqje lirie, vendim që tashmë është lënë në fuqi edhe nga Apeli.

    Pas vendimit të Gjykatës së Apelit, babai i Martin Canit, Engjëll Cani, u shpreh se ishte dhënë një lloj drejtësie, por familja kishte kërkuar një dënim më të rëndë.

    “Është dhënë një lloj drejtësie, por ne kërkonim më shumë”, tha ai.
    Ngjarja e rëndë ndodhi më 18 nëntor 2024, pas një konflikti mes të miturve që kishte nisur në shkollën 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë. Konflikti përfundoi me vrasjen e Martin Canit dhe plagosjen e Luis Meçes.

  • Malajzia do të deportojë çdo izraelit të gjetur në vend, thotë kryeministri i këtij vendi

    Malajzia do të deportojë çdo izraelit të gjetur në vend, thotë kryeministri i këtij vendi

    Kryeministri i Malajzisë, Anwar Ibrahim, tha të mërkurën se çdo shtetas izraelit i gjetur në vend do të deportohet menjëherë, ndërsa autoritetet hetojnë akuzat se një izraelit ishte i përfshirë në operacionet e një komuniteti privat banimi në shtetin jugor të Johorit.

    Anwar tha se autoritetet përkatëse po hetojnë pretendimet dhe se qeveria nuk do të bëjë kompromis nëse ato do të rezultonin të vërteta, raportoi e përditshmja në gjuhën angleze Free Malaysia Today.

    “Nëse gjejmë ndonjë izraelit, do ta deportojmë menjëherë sepse nuk e njohim Izraelin”, tha ai, shkruajnë mediat e huaja.

    Malajzia nuk e njeh Izraelin

    Mbajtësve të pasaportave izraelite në përgjithësi u ndalohet të hyjnë në Malajzi pa miratimin e posaçëm të qeverisë sepse vendi nuk e njeh Izraelin.

    Ministria e Brendshme nisi një hetim pasi qeveria e shtetit të Johorit bëri thirrje për një hetim federal mbi akuzat që përfshijnë Network School, një komunitet startup-esh me seli në Johor.

    Veçmas, Departamenti i Imigracionit tha se të gjithë 266 të huajt e inspektuar në një komunitet ndërkombëtar në Forest City kishin dokumente të vlefshme imigracioni.

    Forest City është një zhvillim i madh me përdorim të përzier i ndërtuar në ishuj artificialë në Johor pranë kufirit të Singaporit.

    I njohur si një qendër ndërkombëtare banimi, ai ka tërhequr një komunitet të konsiderueshëm të huajsh dhe është vënë periodikisht nën shqyrtim për çështje të imigracionit dhe rregulloreve.

  • Helmimi masiv në Han të Elezit, Policia: Janë trajtuar rreth 80 persona, është njoftuar IKShPK

    Helmimi masiv në Han të Elezit, Policia: Janë trajtuar rreth 80 persona, është njoftuar IKShPK

    Rreth 80 persona dyshohet se janë helmuar nga konsumimi i ushqimit fast-food në Han të Elezit.

    Sipas burimeve të Klankosova.tv brenda QKMF-së së këtij qyteti, rreth 80 persona kanë kërkuar trajtim mjekësor për shkak të helmimit nga ushqimi.

    Ushqimet nga të cilat dyshohet se janë helmuar janë picat dhe sendviqët.

    Lajmin për klankosova.tv e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli. I njëjti tha se nga 13 korriku deri më 15, janë trajtuar rreth 80 persona me simptoma të diarresë dhe vjelljes.

    “Ju njoftojmë se, sipas të dhënave të pranuara nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Han të Elezit, nga data 13.07.2026 deri më 15.07.2026, janë trajtuar rreth 80 persona me simptoma të diarresë dhe vjelljes. Lidhur me këtë situatë janë njoftuar edhe institucionet përkatëse, përfshirë Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), të cilat janë duke e trajtuar rastin. Këto janë informacionet e pranuara nga QKMF në Han të Elezit. Ndërkohë, ju njoftojmë se në policinë rajonale të Ferizajt, deri në këtë moment, nuk është raportuar asnjë rast lidhur me këtë çështje”, tha Veseli.

  • Ish-ministri gjerman Roth për deklaratën e ministres serbe për Kosovën: Si mendohet të futet në BE një vend në këtë mënyrë?

    Ish-ministri gjerman Roth për deklaratën e ministres serbe për Kosovën: Si mendohet të futet në BE një vend në këtë mënyrë?

    Ish-ministri gjerman, Michael Roth, ka reaguar ndaj deklaratës së ministres serbe, Snezana Paunovic, e cila ka thënë se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën” qysh në vitin 1998, shkruan Express.

    Roth ka thëën se është e trishtueshëm dhe frustruese një deklaratë e tillë.

    “Një ministër serb fantazon hapur për “spastrimin etnik” të Kosovës. Dhe pothuajse nuk ka asnjë kundërshtim në politikë apo në shoqëri. Si është e mundur që një vend të anëtarësohet në BE në këtë mënyrë? Urrejtja dhe nacionalizmi nuk ndërtojnë partneritet. Kjo është thjesht e trishtueshme dhe frustruese”, ka shkruar ai.

  • Nesër varroset Gent Maksutaj, 20-vjeçari nga Kosova që u vra në Suedi

    Nesër varroset Gent Maksutaj, 20-vjeçari nga Kosova që u vra në Suedi

    Nesër do t’i jepet lamtumira e fundit Gent Maksutajt, 20-vjeçarit me prejardhje nga Kosova, i cili u vra më 5 korrik në Suedi në rrethana tragjike.

    Varrimi i të ndjerit do të bëhet në varrezat e fshatit Banjë, në orën 16:00.

    Sipas dyshimeve fillestare, i riu është privuar nga jeta aksidentalisht gjatë një përleshjeje mes bandave kriminale.

    Për këtë rast të rëndë kanë raportuar edhe mediat suedeze, të cilat kanë publikuar detaje të reja lidhur me ngjarjen dhe hetimet që po zhvillohen.

    Sipas Policisë suedeze, i dyshuari për të shtënat dyshohet se pas ngjarjes ka udhëtuar me tren drejt Stokholmit, ku më vonë është arrestuar gjatë mbrëmjes ose natës.

    Si dyshohet se ndodhi ngjarja

    Të shtënat kanë ndodhur në zonën Kvarngärdet në Uppsala.

    Rreth orës 21:00 të së dielës, policia ka marrë një alarm për të shtëna me armë zjarri në këtë zonë. Menjëherë është ndërmarrë një operacion i madh policor, ku janë angazhuar disa patrulla, ndërsa zona është rrethuar plotësisht.

    Në vendngjarje janë parë edhe dy autoambulanca.

    Fillimisht, autoritetet nuk kanë dhënë shumë detaje për rastin, por më vonë është konfirmuar se një burrë në të njëzetat ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit.

    Familjarët e viktimës janë njoftuar për ngjarjen e rëndë.

    Hetimi: Rasti cilësohet si vrasje e rëndë

    Policia suedeze e ka cilësuar rastin si vrasje dhe po vazhdon hetimet për të zbardhur rrethanat e sakta të ngjarjes.

    Viktima është gjetur jashtë, ndërsa ende po hetohet vendi i saktë ku kanë ndodhur të shtënat.

    “Ne kemi vendosur kordonë sigurie dhe po kërkojmë gjurmë që mund ta ndihmojnë hetimin. Po intervistojmë dëshmitarë dhe po kontrollojmë kamerat e sigurisë, si ato tona ashtu edhe private”, ka deklaruar zëdhënësi i policisë, Pelle Vamstad.

    Nuk përjashtohet lidhja me krimin e organizuar

    Në këtë fazë të hetimeve, policia nuk ka konfirmuar nëse ngjarja lidhet me krimin e organizuar, por ka theksuar se kjo mbetet një nga pistat kryesore që po shqyrtohet.

    Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar. /Sinjali

  • Tha se u intervistua si dëshmitar, Prokuroria përgënjeshtron Halil Thaçin: U mor në pyetje si i pandehur

    Tha se u intervistua si dëshmitar, Prokuroria përgënjeshtron Halil Thaçin: U mor në pyetje si i pandehur

    Sot, Prokuroria Speciale e Kosovës, ka intervistuar kryetarin e komunës së Obiliqit, Halil Thaçin, rreth hetimeve që ky institucion po i bën lidhur me shpronësimet në fshatin Shipitullë.

    Për këtë, janë deklaruar edhe Thaçi edhe Prokuroria Speciale, ani pse, me deklarime të ndryshme sa i përket intervistimit.

    Thaçi, ishte i pari që iu drejtua mediave, kur ndër tjerash, pasi u pyet se në çfarë cilësie u intervistua, tha se, ai u morr në pyetje në cilësinë e dëshmitarit.

    “Po, si dëshmitar, ata natyrisht që më pyetën për çdo gjë dhe unë, për çka do që di, do t’i përgjigjem prokurorit. Më kanë përfshirë në çështjen e shpronësimeve në fshatin Shipitullë. Unë jam shumë i kënaqur që Prokuroria ka filluar të merret me këtë çështje dhe i bëj thirrje Prokurorisë që ta hetojë deri në fund. Po ashtu, i kam bërë thirrje edhe nga Kuvendi që të hetohet çdo keqpërdorim i mundshëm në ato pjesë”, tha mes tjerash kryetari i Obiliqit.

    Megjithatë, ndryshe u deklarua Prokuroria. Nga këta të fundit për Gazetën Express, thanë se Thaçi u mor në pyetje në cilësinë e të pandehurit.

    ‘’Mund të konfrimojmë se H.Th., është intervistuar nga Prokuroria Speciale në cilësinë e të pandehurit, në kuadër të procedurave hetimore që kjo prokurori është duke i zhvilluar në një rast që ka të bëjë me shpronësimet në fshatin Shipitullë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Ushtrim ndikimi”, kanë thënë nga Prokuroria për Express.