ATV

Author: K.B.

  • I riu ‘fluturon’ me ‘Audi’ në Leposaviq, ndëshkohet me 300 euro

    I riu ‘fluturon’ me ‘Audi’ në Leposaviq, ndëshkohet me 300 euro

    Një shofer në Leposaviq është ndëshkuar me 300 euro, tri pikë negative dhe ndalim i drejtimit të mjetit për tre muaj.

    Sipas policisë, shoferi 27-vjeçar, dyshohet se me veturën Audi Q5 me targa të huaja, voziti me shpejtësi prej 117 km/h, në një zonë ku kufizimi i lejuar është 60 km/h.

    “Rreth orës 09:05, njësia rajonale e trafikut rrugor Mitrovicë Veri, në rrugën magjistrale Leposaviq–Mitrovicë, përkatësisht në fshatin Serbovc, ka ndaluar një automjet të tipit Audi Q5 me targa të huaja. Gjatë kontrollit, është konstatuar se shoferi M.H. (1999) po drejtonte automjetin me shpejtësi prej 117 km/h, në një zonë ku kufizimi i lejuar është 60 km/h. Shpejtësia është matur me radar mobil”, thuhet në njoftim.

    Zyrtarët policorë të Drejtorisë Rajonale të Policisë Mitrovicë Veri, gjatë periudhës janar–qershor 2026, kanë shqiptuar gjithsej 8,718 tiketa trafiku.

  • Rasti i helmimit në Han të Elezit, QKMF atje Janë paraqitur edhe 9 raste të reja, gjendja e tyre stabile

    Rasti i helmimit në Han të Elezit, QKMF atje Janë paraqitur edhe 9 raste të reja, gjendja e tyre stabile

    Një rast i rëndë ka ndodhur në Han të Elezit, ku dhjetëra persona dyshohet se janë helmuar nga konsumimi i ushqimit fast-food.

    Siç ka bërë të ditur për T7, Bashkim Hazizi nga QKMF atje, vetëm nga ora 12, deri tani, janë paraqitur 9 raste të reja.

    ‘‘Nga ora 12:00 deri më tani kanë ardhur edhe 9 raste të reja, me simptoma si të vjella, barkqitje etj. Megjithatë, gjendja e tyre është stabile. Disa po marrin terapi ambulatore, ndërsa disa të tjerë janë liruar për në shtëpi me terapi përcjellëse. Për momentin, trajtimi është ofruar me kohë dhe menaxhimi i rasteve po shkon mirë. Besoj se nuk do të ketë raste të reja. Zakonisht, gjatë stinës së verës pritet të ketë fluks pacientësh me simptoma të ngjashme dhe ne, si staf, gjithmonë përgatitemi për raste të tilla’’, ka thënë ai.

  • Pejë, një gruaje nga Zvicra ‘i zhduken’ mbi 90 mijë franga nga valixhja

    Pejë, një gruaje nga Zvicra ‘i zhduken’ mbi 90 mijë franga nga valixhja

    Një rast i vjedhjes me dëm të konsiderueshëm është duke u hetuar nga Policia dhe Prokuroria në Pejë, pasi një 27-vjeçare ka raportuar se i janë vjedhur 94 mijë franga zvicerane nga valixhja e saj.

    Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi në një prononcim për Telegrafin ka thënë se institucionet janë duke punuar intensivisht për të ndriçuar të gjitha rrethanat e ngjarjes.

    “Në lidhje me rastin në fjalë, me t’u raportuar rasti janë ndërmarrë disa veprime në koordinim të plotë mes prokurorëve të shtetit dhe hetimeve rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë. Aktualisht jemi duke punuar intensivisht në mënyrë që të zbardhen të gjitha rrethanat e rastit”, ka deklaruar Nikçi.

  • Tregu Mobil rikthehet në tri sheshe të Kryeqytetit

    Tregu Mobil rikthehet në tri sheshe të Kryeqytetit

    Drejtoresha e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Kryeqytet, Jeta Rafuna, ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në nisjen e Tregut Mobil, një iniciativë që synon të afrojë prodhimet vendore me qytetarët dhe të krijojë mundësi më të mira për promovimin dhe shitjen e produkteve të fermerëve.

    Përmes një postimi në Facebook, Rafuna njoftoi se aktivitetin e ka vizituar së bashku me nënkryetarin e Kryeqytetit, Florian Dushi.

    “Sot, së bashku me nënkryetarin e Kryeqytetit Florian Dushi, vizituam nisjen e Tregut Mobil, një iniciativë që e afron prodhimin vendor me qytetarët dhe u krijon bujqve tanë mundësi më të mira për promovimin dhe shitjen e produkteve të tyre”, ka shkruar ajo.

    Rafuna theksoi se Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të vazhdojë mbështetjen për fermerët dhe prodhuesit vendorë.

    “Si Drejtori e Bujqësisë, do të vazhdojmë të punojmë për krijimin e kushteve sa më të mira për fermerët dhe prodhuesit vendorë, sepse besojmë se një bujqësi e fortë është themel i një Kryeqyteti të zhvilluar”, është shprehur ajo.

    Drejtoresha u bëri thirrje qytetarëve që ta vizitojnë Tregun Mobil dhe të mbështesin prodhuesit vendorë përmes blerjes së produkteve të tyre.

    “Ftoj të gjithë qytetarët ta vizitojnë Tregun Mobil, të zgjedhin produkte të freskëta vendore dhe përmes çdo blerjeje, të mbështesin punën e palodhshme të bujqve tanë. Së bashku, forcojmë bujqësinë vendore dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kryeqytetit”, ka përfunduar Rafuna.

  • Deklarata e ministres serbe, Kearns: Turp, s’mund të harrohet ajo që ndodhi në Kosovë

    Deklarata e ministres serbe, Kearns: Turp, s’mund të harrohet ajo që ndodhi në Kosovë

    Deputetja britanike, Alicia Kearns i ka quajtur të turpshme deklaratat e ministres serbe, Snezhana Paunoviq për spastrim etnik në Kosovë.

    Ajo ka thënë se njerëzit që sot janë në të tridhjetat i kujtojnë mizoritë që forcat e Millosheviqit i kryen ndaj tyre dhe familjeve të tyre.

    “Asnjë përpjekje për t’i arsyetuar, apo edhe më keq, për t’i lavdëruar këto krime nuk mund ta bëjë botën të harrojë atë që ndodhi në Kosovë. Mos harroni kurrë”, ka shkruar Kearns në X.

    Këto komente ajo i ka bërë duke shpërdarë lajmin se Bashkimi Europian e ka dënuar deklaratën e ministres serbe, e cila tha se “po të ishte në vend të i Sllobodan Millosheviqit, në vitin 1998, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën”.

    Kjo deklaratë e Paunoviq ka nxitur reagime të shumta edhe në Kosovë dhe në shumë kryeqendra tjera evropiane.

  • Gjini: Oferta gjashtëpikëshe e Aleancës garanton zhvillim, stabilitet dhe siguri për Kosovën

    Gjini: Oferta gjashtëpikëshe e Aleancës garanton zhvillim, stabilitet dhe siguri për Kosovën

    Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka pritur në zyrat e partisë drejtoreshën e Institutit Kombëtar Demokratik (NDI) në Kosovë, ambasadoren Nancy Soderberg, me të cilën ka diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet Aleancës dhe NDI-së, si dhe për zhvillimet aktuale politike në vend.

    Gjini bëri të ditur se gjatë takimit u riafirmua gatishmëria e Aleancës për të kontribuar në formimin sa më të shpejtë të institucioneve qendrore, përmes ofertës gjashtëpikëshe të partisë.

    “Shprehëm gatishmërinë e Aleancës për të kontribuar në formimin sa më të shpejtë të institucioneve qendrore përmes ofertës sonë gjashtëpikëshe, e cila i garanton Kosovës zhvillim, stabilitet dhe siguri kombëtare”, ka theksuar Gjini.

    Ai po ashtu vlerësoi bashkëpunimin e kahershëm me NDI-në, duke nënvizuar se kjo organizatë ka qenë një partnere e rëndësishme në programet për fuqizimin e grave dhe të rinjve në politikë.

    Në fund të takimit, Gjini e falënderoi ambasadoren Soderberg për mbështetjen e vazhdueshme të NDI-së ndaj proceseve demokratike në Kosovë, duke shprehur besimin se bashkëpunimi ndërmjet Aleancës dhe NDI-së do të vazhdojë të forcohet edhe në të ardhmen.

  • Dorëzimi i nënshkrimeve për Kuvendin e partisë, Hoti: Askush nuk është mbi LDK-në dhe anëtarësinë e saj

    Dorëzimi i nënshkrimeve për Kuvendin e partisë, Hoti: Askush nuk është mbi LDK-në dhe anëtarësinë e saj

    Pasi sot janë dorëzuar nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka reaguar deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti.

    Hoti përmes një positmi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se forca e LDK-së është vullneti i anëtarësisë, jo ambicia e individëve.

    Sipas tij, askush nuk është mbi LDK-në dhe anëtarësinë e saj.

    “Forca e LDK-së është vullneti i anëtarësisë, jo ambicia e individëve. Askush nuk është mbi LDK-në dhe anëtarësinë e saj”, ka shkruar Hoti.

  • GLPS u bën thirrje partive: Jepni fund bllokadës institucionale

    GLPS u bën thirrje partive: Jepni fund bllokadës institucionale

    Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka bërë thirrje ndaj të gjitha partive politike parlamentare që të marrin përgjegjësinë kushtetuese dhe politike për tejkalimin e bllokadës institucionale, duke vlerësuar se kriza që ka zgjatur për gati dy vjet po dëmton funksionimin demokratik të vendit dhe interesin e qytetarëve.

    Në një reagim publik, GLPS thekson se Kosova nuk mund të vazhdojë të mbahet peng nga interesat partiake.

    “GLPS u bën thirrje të gjithë spektrit politik që të marrë përgjegjësinë kushtetuese dhe politike për tejkalimin e bllokadës institucionale, duke vendosur interesin shtetëror dhe atë të qytetarëve mbi interesat partiake. Për gati dy vite, qytetarët e Kosovës po përballen me pasoja direkte të një sistemi politik të paaftë për të prodhuar stabilitet institucional”, thuhet në reagim.

    Sipas GLPS-së, përgjegjësia kryesore politike për tejkalimin e situatës i takon subjektit fitues të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje, por përgjegjësi mbajnë edhe partitë e tjera parlamentare.

    “Lëvizja Vetëvendosje, si subjekt fitues i zgjedhjeve, nuk mund të kufizohet vetëm në pretendimin e legjitimitetit elektoral, por ka obligim politik dhe kushtetues që në mënyrë proaktive të ndërmarrë hapa për tejkalimin e krizës. Në të njëjtën kohë, edhe partitë e tjera parlamentare kanë po aq detyrim kushtetues dhe përgjegjësi politike në tejkalimin e bllokadës institucionale”, thuhet më tej.

    GLPS u ka bërë thirrje partive që pa vonesë të konstituojnë Kuvendin dhe të formojnë Qeverinë, ndërsa kërkon edhe nisjen e dialogut për zgjedhjen e Presidentit, në mënyrë që të shmanget një krizë e re institucionale.

    Organizata vlerëson se bllokada ka ndikuar negativisht në procesin legjislativ, reformat në administratë, drejtësi, ekonomi, energji, shëndetësi dhe arsim, si dhe në klimën ekonomike dhe investimet.

    Po ashtu, GLPS thekson se kriza ka cenuar edhe pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe ka ndikuar në zbatimin e Agjendës së Reformave në kuadër të Planit të Rritjes.

    “Kosova tashmë ka humbur miliona euro nga ky proces, në mënyrë të pakthyeshme si pasojë e mosimplementimit të masave që u kaloi afati me 30 qershor 2026”, thuhet në reagim.

    Në fund, GLPS thekson se vendi ka nevojë për institucione funksionale dhe bashkëpunim politik, duke u bërë thirrje partive të ndërpresin logjikën e bllokimit.

    “Kosova nuk ka nevojë për një krizë tjetër, por për institucione funksionale, bashkëpunim politik dhe vizion të përbashkët për të ardhmen. Konsensusi politik nuk duhet të perceptohet si dobësi politike, por si shprehje e pjekurisë demokratike dhe e përgjegjësisë ndaj qytetarëve”, përfundon reagimi i GLPS-së.

  • Qeveria mban mbledhje elektronike, merr disa vendime – ZKM jep detaje

    Qeveria mban mbledhje elektronike, merr disa vendime – ZKM jep detaje

    Qeveria në detyrë e vendit, ka mbajtur një mbledhje elektronike, ku ka marrë disa vendime.

    Gjatë mbledhjes është miratuar vendimi për emërimin e Ragmi Dalipit, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit; Miratuar vendimi përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish-shoqërore, të menaxhuara dhe të administruara nga AKP-ja, të cilat janë të nevojshme për realizimin e projekteve të mëposhtme të Komunës së Gjakovës; dhe, Administrimi i objektit të ish-“Bankos”-it për nevoja të administratës së Komunës së Gjakovës, Zona Gjakovë-Qytet,

    Komunikata:

    Mbledhja e 28-të e Qeverisë

    Prishtinë, 15 korrik 2026

    Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, mbrëmë ka mbajtur mbledhje elektronike, në të cilën ka:

    Miratuar vendimin për emërimin e z. Ragmi Dalipi, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit.

    Miratuar vendimin përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish-shoqërore, të menaxhuara dhe të administruara nga AKP-ja, të cilat janë të nevojshme për realizimin e projekteve të mëposhtme të Komunës së Gjakovës:

    Administrimi i objektit të ish-“Bankos”-it për nevoja të administratës së Komunës së Gjakovës, Zona Gjakovë-Qytet, dhe

    Ndërtimi i Fushës së Futbollit dhe hapësirave rekreative për fshatin Trakaniq dhe fshatrat rreth zonës Trakaniq, Zona Kadastrale Trakaniq.

    Miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 11\08 të datës 03.04.2026 për emërimin e Komisionit për shqyrtimin dhe vendosjen e zyrtarizimit të gjendjes faktike dhe mospërputhjeve me Regjistrin e të Drejtave të Pronës së Paluajtshme, sipas të cilit znj. Ervina Gashi, nga Zyra e Kryeministrit, zëvendësuese e anëtarit, zëvendësohet nga znj. Besnike Mehmeti, nga Zyra e Kryeministrit, zëvendësuese e anëtarit.

  • Nga nxehtësia te stuhitë e forta: Moti i paqëndrueshëm përfshin Evropën dhe Ballkanin

    Nga nxehtësia te stuhitë e forta: Moti i paqëndrueshëm përfshin Evropën dhe Ballkanin

    Masa shumë të nxehta ajrore me origjinë nga Afrika veriore kanë goditur shumë pjesë të Evropës këtë verë, veçanërisht Francën, pjesë të Gjermanisë, Zvicrën, Italinë, ndërsa më pak Ballkanin dhe viset tona.

    Kohëve të fundit po vërejmë një tendencë të Atlantikut për të sjellë ajër pak më të freskët në territorin e Evropës, por kjo prirje mund të shoqërohet me stuhi të fuqishme shiu dhe breshëri, siç ndodhi dje në veri të Gjermanisë dhe në disa pjesë të tjera të Evropës.

    Sot atmosfera do të destabilizohet fuqishëm edhe në Francë, ku në shumë zona do të krijohen sisteme të fuqishme stuhish që lëvizin me shpejtësi dhe prodhojnë energji të madhe, duke sjellë erëra të fuqishme kalimtare, breshër të madh dhe mundësi edhe për tornado.

    Atmosferë mjaft të paqëndrueshme do të kemi edhe në shumë pjesë të Italisë veriore, në jug të Gjermanisë dhe në Zvicër. Më pas, kjo masë ajrore mjaft e paqëndrueshme do të fillojë të ndikojë edhe në Slloveni, Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi, e deri në pjesë të Kosovës, veriut të Shqipërisë dhe pjesë të Maqedonisë së Veriut, raporton meteoballkan.

    Pra, as ne nuk do të jemi imunë ndaj këtyre zhvillimeve konvektive, edhe pse në viset tona ato mund të jenë më pak të fuqishme. Megjithatë, në raste të tilla atmosfera mund të na surprizojë me ndonjë shtrëngatë të madhe lokale.

    Stuhi superqelizore mund të krijohen në pjesë të Francës dhe Zvicrës, më pas në pjesë të Italisë veriore dhe Sllovenisë. Në ditët e ardhshme pritet destabilizim mjaft i fuqishëm edhe në shumë zona të Gjermanisë, ndërsa në jug atmosfera do të jetë gjithnjë e më e paqëndrueshme deri në Serbi, me potencial për stuhi superqelizore edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë e Serbi gjatë fundjavës.