ATV

Author: K.B.

  • Afër 2400 gjoba trafiku për 24 orë, policia njofton për disa të arrestuar e dhjetëra aksidente

    Afër 2400 gjoba trafiku për 24 orë, policia njofton për disa të arrestuar e dhjetëra aksidente

    Policia e Kosovës, ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë shqiptuar 2395 gjoba trafiku.

    Në raport shtohet edhe se gjatë kësaj kohe janë raportuar 39 aksidente me dëme materiale, dhe, 22 me të lënduar.

    Po ashtu shtohet se janë arrestuar 17 persona, ku, 9 janë dërguar në mbajtje.

  • Raportohet se Halil Thaçi i VV-së po intervistohet në Prokurorinë Speciale

    Raportohet se Halil Thaçi i VV-së po intervistohet në Prokurorinë Speciale

    Kryetari i Obiliqit, Halil Thaçi është parë të mërkurën duke hyrë në objektin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

    Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, raportohet se është duke u intervistuar nga ana e prokurorit special.

    Në një video të publikuar nga VOX Kosova, Thaçi është parë duke hyrë në objektin e organit që heton dyshimet për veprat penale që ndërlidhen me krimin dhe korrupsionin.

    Deri më tash nuk janë bërë të ditura arsyet e këtij intervistimi, derisa Klankosova.tv ka tentuar të marrë një përgjigje nga Prokuroria Speciale, por nga zyra për media ende nuk janë deklaruar lidhur me rastin.

  • BQE nis testimin e euros digjitale, synon ta prezantojë në vitin 2029

    BQE nis testimin e euros digjitale, synon ta prezantojë në vitin 2029

    Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka përzgjedhur 36 ofrues të shërbimeve të pagesave për të testuar euron digjitale në një program pilot që do të nisë në gjysmën e dytë të vitit 2027.

    Në testim do të marrin pjesë banka dhe kompani të njohura të pagesave, si Deutsche Bank, UniCredit, Revolut, Adyen dhe Stripe.

    Anëtari i Bordit Ekzekutiv të BQE-së, Piero Cipollone, tha se interesimi i madh i sektorit privat tregon gatishmërinë për të avancuar projektin dhe për të forcuar sistemin evropian të pagesave, raporton Euronews, transmeton Sinjali.

    Megjithatë, euroja digjitale nuk mund të hidhet në përdorim pa miratimin e legjislacionit nga Parlamenti Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së. Sipas planit aktual, miratimi pritet në vitin 2027, ndërsa përdorimi publik mund të nisë në vitin 2029.

    BQE thekson se euroja digjitale nuk do ta zëvendësojë paranë fizike, por do të jetë një alternativë shtesë për pagesa. Ajo do të jetë pa pagesë për qytetarët, nuk do të gjenerojë interes dhe do të ketë kufizime në shumën që mund të mbahet.

    Presidentja e BQE-së, Christine Lagarde, tha se projekti synon gjithashtu të zvogëlojë varësinë e Evropës nga rrjetet ndërkombëtare të pagesave dhe të forcojë sovranitetin ekonomik të BE-së.

  • U amnistuan nga krimet, sot lënë burgun 72 të dënuar në Shqipëri

    U amnistuan nga krimet, sot lënë burgun 72 të dënuar në Shqipëri

    Këtë të mërkurë nga institucioni i vuajtjes së dënimit të Drenovës lënë qelitë e këtij burgu 60 persona të dënuar për vepra penale të ndryshme ndërkohë që nga burgu i grave në Posjkë do të lënë qelitë 12 të dënuara.

    Në pritje të daljes së tyre, janë familjare të shumtë të cilët ndihen të lumtur që ribashkohen me të afërmit e tyre të cilët kanë qenë në këto dy institucione të vuajtjes së dënimit deri ditën e sotme dhe kanë përfituar nga amnistia, raporton euronews.

    “Kam djalin. Thonë që djalit tim i gjetën drogë, ndërkohë që në shtëpi nuk i gjetën asgjë. Nuk e kam fare mirë nga ana shëndetësore. Djali im ka tre vjet që me arrestin në shtëpi. Jam shumë e lumtur që do të dalë, por është i sëmurë”, u shpreh nëna e një prej të burgosurve, i cili pritet të dalë sot nga burgu.

  • Zejnullah Gashi merr sot detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit

    Zejnullah Gashi merr sot detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit

    Kryeprokurori i ri i Shtetit, Zejnulla Gashi, sot do ta pranojnë detyrën e re nga ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, ka njoftuar zyra e këtij institucioni.

    “Pranim-dorëzimi i detyrës do të bëhen në objektin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Rr. Luan Haradinaj, Prishtinë”, thuhet në njoftim.

    Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dje ka dekretuar Gashin, duke ia përshkruar edhe rolin që ai duhet ta ketë.

    “Beteja kundër krimit të organizuar, korrupsionit, ndjekja e kriminelëve të luftës, dhunuesve dhe krimit të çfarëdo forme duhet të marrin përgjigje të prerë nga organi i akuzës”, ka shkruar dje Haxhiu./Express/

  • Ishte publikuar videoja e rrahjes ndaj të miturit në Mitrovicë, i dyshuari dërgohet në mbajtje

    Ishte publikuar videoja e rrahjes ndaj të miturit në Mitrovicë, i dyshuari dërgohet në mbajtje

    Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës në Mitrovicën e Jugut, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Sulm”.

    Sipas njoftimit të policisë, hetuesit e Stacionit Policor Jugu në Mitrovicë, pas zhvillimit të veprimeve intensive hetimore, kanë arritur të identifikojnë dhe arrestojnë të dyshuarin.

    Arrestimi është bërë mbi bazën e dyshimeve të arsyeshme, pasi në rrjetet sociale ishte publikuar një video-incizim ku i dyshuari shihet duke sulmuar një viktimë të moshës së mitur.

    “Hetuesit policorë të Stacionit Policor Jugu në Mitrovicë, pas veprimeve intensive hetimore, kanë identifikuar dhe arrestuar një person të dyshuar për veprën penale Sulm. Arrestimi i të dyshuarit është realizuar mbi bazën e dyshimeve të arsyeshme, pasi në rrjetet sociale ishte publikuar një video-incizim në të cilin i dyshuari shihet duke sulmuar një viktimë të moshës së mitur. Pas intervistimit dhe përfundimit të procedurave të nevojshme policore, me aktvendim të prokurorit të shtetit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet në njoftim.

  • Ushtria amerikane do të tërhiqet plotësisht nga Iraku deri në fund të shtatorit

    Ushtria amerikane do të tërhiqet plotësisht nga Iraku deri në fund të shtatorit

    Ushtria amerikane do të tërhiqet plotësisht nga Iraku deri në fund të shtatorit të këtij viti. Vendimi u konfirmua nga kryeministri i ri irakian Ali Zaidi gjatë një takimi me presidentin e SHBA-së Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

    Me këtë takim, të dy udhëheqësit konfirmuan zyrtarisht planin e shpallur më parë për tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku, i cili është negociuar intensivisht gjatë viteve të fundit, raporton agjencia DPA.

    Kryeministri i ri irakian Zaidi, një ish-biznesmen pa përvojë të mëparshme politike, i cili mori detyrën në fund të prillit, mbërriti në Uashington në krye të një delegacioni të zyrtarëve të lartë. Tema e vizitës së tij të parë diplomatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ishte vetëm një çështje ushtarake, por edhe nënshkrimi i një sërë memorandumesh mirëkuptimi që lidhen me sektorin e naftës dhe gazit.

    Trump foli për bashkëpunimin e ardhshëm ekonomik midis dy vendeve.

    “Iraku ka një potencial të madh falë naftës së tij. Ne do të bëjmë shumë biznes, do të krijojmë vende pune për të dy vendet dhe do të importojmë sasi të mëdha nafte nga ajo zonë”, tha ai, pa dhënë detaje të mëtejshme.

    Në muajt e fundit, Shtetet e Bashkuara e kanë ulur ndjeshëm numrin e ushtarëve të tyre në Irak, i cili më parë arrinte në rreth 2,500 ushtarë. Në janar, forcat amerikane u larguan nga baza strategjikisht e rëndësishme Ain al-Asad, duke ia dorëzuar kontrollin forcave irakiane të sigurisë.

    Aktualisht, njësitë e mbetura amerikane janë të vendosura në Erbil në veri të vendit, në një bazë pranë aeroportit në Bagdad, si dhe në Zonën e Gjelbër të ruajtur rëndë në qendër të kryeqytetit.

    Megjithatë, procesi i tërheqjes po zhvillohet së bashku me një sfidë të madhe për qeverinë irakiane – çarmatimin e formacioneve të fuqishme paraushtarake që kanë mbështetjen e Iranit dhe ndikim të rëndësishëm ushtarak dhe politik në shoqërinë irakiane.

    Qeveria Zaidi u ka caktuar këtyre grupeve një afat deri më 30 shtator për të dorëzuar armët.

    Sipas kryeministrit irakian, pas asaj date këto grupe të armatosura nuk do të kenë më “të drejtën për të ekzistuar”. Analistët e konsiderojnë këtë veprim si sfidën më të madhe të sigurisë për qeverinë e re, duke pasur parasysh se milicitë më me ndikim pro-iraniane kanë thënë tashmë se nuk kanë ndërmend të bien dakord për çarmatimin.

    Nëse trupat amerikane tërhiqen plotësisht deri në fund të shtatorit, një nga kapitujt më kompleksë në historinë moderne ushtarake të SHBA-së do të mbyllet. Marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Bagdadit në dy dekadat e fundit kanë kaluar nëpër faza të shumta dramatike.

    Pas pushtimit ushtarak në vitin 2003 dhe përmbysjes së regjimit të Sadam Huseinit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës në një moment kishin më shumë se 160,000 trupa të vendosura në Irak.

    Tërheqja e parë “e plotë” ndodhi në fund të vitit 2011, kur vetëm një numër i vogël diplomatësh dhe këshilltarësh ushtarakë mbetën në vend.

    Megjithatë, situata e sigurisë ndryshoi në mënyrë drastike në vitin 2014. Paqëndrueshmëria dhe boshllëku i sigurisë u shfrytëzuan nga organizata terroriste Shteti Islamik (ISIS), e cila pushtoi pjesë të mëdha të Irakut dhe Sirisë fqinje.

    SHBA-të më pas udhëhoqën një koalicion ndërkombëtar dhe kthyen trupat në Irak për ta mposhtur organizatën ushtarakisht.

    Edhe pse ISIS tani është i mundur territorialisht dhe vepron përmes qelizave të fshehura që herë pas here kryejnë sulme guerile, prania e ushtrisë amerikane është zgjatur pjesërisht për shkak të tensioneve në rritje me Iranin.

  • Mediumi hungarez: Peter Magyar mund t’i shkaktojë një tjetër humbje Aleksandar Vuçiqit

    Mediumi hungarez: Peter Magyar mund t’i shkaktojë një tjetër humbje Aleksandar Vuçiqit

    Gazeta hungareze Nepszava shkruan se zhvillimet rreth Trupit Rregullator për Media Elektronike (REM) në Serbi mund t’i sjellin një goditje të re presidentit serb Aleksandar Vuçiq, ndërsa përmend edhe ndikimin e politikës hungareze në betejën për kontrollin e medias.

    Sipas gazetës, presioni i Bashkimit Evropian për funksionalizimin e REM-it ka detyruar autoritetet në Beograd të ndërmarrin hapa, por qeveria serbe nuk ka treguar gatishmëri reale për të garantuar një funksionim të pavarur të këtij institucioni.

    Pas një bllokade të gjatë dhe dorëheqjeve të disa anëtarëve të pavarur, disa prej tyre kanë vendosur të rikthehen në Këshillin e REM-it, duke e bërë sërish të mundur funksionimin e tij.

    Nepszava vlerëson se ky zhvillim mund të ndikojë në balancën e forcave në skenën mediatike serbe, veçanërisht nëse anëtari i nëntë i REM-it do të zgjidhet nga një figurë që nuk i bindet linjës së pushtetit në Beograd.

    Gazeta thekson se një rol të rëndësishëm në këtë proces mund të ketë Peter Magyar, lideri i opozitës hungareze, i cili sipas saj mund të ndikojë në ndryshimin e raporteve politike edhe në Serbi.

    Sipas analizës, zgjedhja e anëtarit të ardhshëm të REM-it mund të bëhet vendimtare, pasi një kandidat i afërt me qasjet e Magyarit do të mund të dobësonte ndikimin politik të aleatëve të Viktor Orbanit dhe të ndryshonte situatën në fushën e medias në Serbi.

    Gazeta gjithashtu kritikon gjendjen e mediave serbe, duke theksuar se një pjesë e madhe e tyre janë kthyer në mjete për përplasje politike dhe personale, ndërsa REM për vite me radhë ka funksionuar në mënyrë joefikase.

  • Skandali në familjen mbretërore norvegjeze, djali i Princeshës së Kurorës lirohet nga burgu

    Skandali në familjen mbretërore norvegjeze, djali i Princeshës së Kurorës lirohet nga burgu

    Djali i Princeshës së Kurorës Mette-Marit të Norvegjisë, Marius Borg Hoiby, është liruar nga burgu dhe është në arrest shtëpiak, ndërsa apelon dënimin e tij për përdhunim dhe akuza të tjera.

    Të martën, u raportua se djali 29-vjeçar i Princeshës së Kurorës Norvegjeze do të transferohet nga burgu, duke u nisur për në arrest shtëpiak me monitorim elektronik për katër javët e ardhshme, ndërsa ai apelon dënimin e tij.

    Mediat norvegjeze shkruajnë se Marius do të qëndrojë në një shtëpi pranë Skaugum, rezidenca mbretërore e nënës dhe njerkut të tij, Princit të Kurorës Haakon, në Asker.

    Marius është djali i Mette-Marit nga një marrëdhënie para martesës së saj në vitin 2001 me Princin e Kurorës Haakon, trashëgimtar i fronit norvegjez, dhe Marius nuk mban një rol mbretëror aktiv.

    Marius ka qenë në paraburgim që nga fillimi i shkurtit, kur u arrestua me akuzat për sulm të dyshuar, shkelje të një urdhri kufizues dhe kërcënim të një personi tjetër me thikë, disa ditë para fillimit të një gjyqi të madh ku ai përballej me 38 akuza për abuzim dhe sulm të dyshuar seksual.

  • Kush është Snezhana Paunoviq, ministrja serbe që u shpall “persona non grata” nga Kosova?

    Kush është Snezhana Paunoviq, ministrja serbe që u shpall “persona non grata” nga Kosova?

    Kosova e ka shpallur “persona non grata” zyrtaren e lartë shtetërore të Serbisë.

    Snezhana Paunoviqit, ministre e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Kosova ia ka ndaluar në mënyrë të përhershme hyrjen dhe kalimin tranzit nëpër territorin e Republikës së Kosovës.

    Vendimi është marrë pasi Paunoviq deklaroi se, “po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit, do ta spastronte etnikisht Kosovën në vitin 1998”.

    Ironikisht, këtë deklaratë ajo e bëri për median serbe “Kurir”, në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, në Bosnjë e Hercegovinë.

    Kjo deklaratë nxiti reagime të ashpra në Kosovë, si nga politikanët, ashtu edhe nga institucionet, të cilat kundërshtuan gjuhën dhe qasjen e saj. Reagime të ashpra pati edhe nga Bashkimi Evropian dhe komisionerja për Zgjerim, Marta Kos.

    Por, kush është Snezhana Paunoviq?

    E lindur në Pejë të Kosovës, sipas të dhënave zyrtare të ministrisë që udhëheq në Serbi, ajo është ekonomiste e diplomuar.

    Që nga viti 1992 është anëtare e Partisë Socialiste të Serbisë, e njohur si partia e Sllobodan Millosheviqit, personit përgjegjës për masakrat dhe luftërat në Ballkan. Kjo parti tani udhëhiqet nga Ivica Daçiq.

    Ajo ka mbajtur pozita të rëndësishme në këtë parti. Në dy mandate, Paunoviq mbajti pozitën e nënkryetares së Asamblesë Kombëtare të Republikës së Serbisë dhe të shefes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste të Serbisë (SPS).

    Që nga viti 2017, ajo është anëtare e Kryesisë së SPS-së, ndërsa nga viti 2024 mban pozitën e nënkryetares së Partisë Socialiste të Serbisë.

    Në dhjetor të vitit 2021, ajo kishte vizituar edhe komunën e Shtërpcës, së bashku me disa deputete të tjera nga Serbia, ku ishin takuar me kryetarin e kësaj komune, i cili vjen nga Lista Serbe.

    “Kështu njihet se sa shumë Lista Serbe i përket Republikës së Serbisë dhe se si institucionalisht, në këtë rast si Parlamenti i Serbisë, është krenare për këta njerëz që bëjnë një punë identike vetëm në një nivel pak më të ulët, shumë më të vështirë se ne në Parlamentin tonë, dhe mendoj se kjo mbështetje e ndërsjellë është pafundësisht e rëndësishme”, kishte deklaruar mes tjerash Paunoviq.

    Tani, ajo është shpallur “persona non grata” nga Kosova.

    Por, kjo nuk është hera e parë që zyrtarët serbë përdorin gjuhë fyese dhe linçuese ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe atyre në Luginën e Preshevës.

    Vite më parë, ish-ministri serb me qasje proruse, Aleksandar Vulin, i kishte quajtur shqiptarët “šiptari” në një emision televiziv, duke deklaruar se “bandat nga Kosova po vjedhin pyjet dhe po qëllojnë mbi policinë serbe”.