ATV

Author: K.B.

  • “U kry”, Përparim Rama: Lëshohet për qarkullim rruga “Fehmi Lladrovci”

    “U kry”, Përparim Rama: Lëshohet për qarkullim rruga “Fehmi Lladrovci”

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se kanë përfunduar punimet në rrugën ‘Fehmi Lladrovci”.

    Për disa ditë një pjesë e rrugës ishte e mbyllur për shkak të punimeve.

    “U kry Lëshohet për qarkullim rruga “Fehmi Lladrovci”, ka shkruar Rama.

  • Kusari: Ata që po e kërkojnë shkarkimin e Abdixhikut, po përpiqen ta pengojnë finalizimin e marrëveshjes LVV-LDK

    Kusari: Ata që po e kërkojnë shkarkimin e Abdixhikut, po përpiqen ta pengojnë finalizimin e marrëveshjes LVV-LDK

    Ministrja në detyrë e Tregtisë, Mimoza Kusari, ka thënë se zhvillimet e brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës e komplikojnë rrjedhën e diskutimeve për finalizimin e marrëveshjes për formimin e institucioneve.

    Në një intervistë të xhiruar gjatë ditës për emisionin “Konfront”, Kusari ka theksuar se grupi brenda LDK-së që po kërkon shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku, po përpiqet ta pengojë finalizimin e marrëveshjes mes dy subjekteve, LVV-LDK.

    “Ashtu e thotë logjika (se zhvillimet e brendshme në LDK çojnë më larg prej një marrëveshje për presidentin), nuk është që kam informata se cili është orientimi i grupimit tjetër që e duan tërheqjen e Abdixhikut. Por duket se kjo e shtynë, e komplikon situatën në diskutim sepse në shumicën e rasteve përfaqësues të LDK-së që kanë kërkuar dorëheqjen kanë qenë ata që kanë kundërshtuar bashkëpunimin me VV-në. Këto dyja po shihen si të ndërlidhura përkundër që argumentimi është rezultati i zgjedhjeve. Shihet qartë se përpjekja është për të mos u lënë për tu arritur një finalizim i një marrëveshje të përbashkët mes dy subjekteve”, ka thënë Kusari.

    KOHA gjatë ditës ka raportuar se të premten LVV-ja dhe LDK-ja kishin arritur marrëveshje në parim për të bashkëqeverisur. Pas publikimit të këtij lajmi, Abdixhiku në Facebook ka deklaruar se për shkak të nismës për shkarkimin e tij tërhiqet nga diskutimet me LVV-në për formimin e institucioneve. /Koha.net

  • Vuçiq nga Kievi e quan të pamenduar deklaraten e ministres serbe: S’është politikë e imja as e Qeverisë së Serbisë

    Vuçiq nga Kievi e quan të pamenduar deklaraten e ministres serbe: S’është politikë e imja as e Qeverisë së Serbisë

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 15 korrik se deklarata e ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snezhana Paunoviq, nuk pasqyron as vullnetin e tij dhe as atë të Qeverisë serbe, duke theksuar se politika e shtetit është dialogu dhe kurrë spastrimi etnik.

    “Ishte një deklaratë e pamenduar dhe e papërgjegjshme. Nuk duhet të dilet në publik me deklarata të tilla dhe kjo nuk është politika ime, as politika e Qeverisë së Serbisë. Është detyra jonë ta themi këtë qartë”, u tha Vuçiq gazetarëve në Kiev, ku po merr pjesë në Samitin Evropa Juglindore-Ukraina.

    Paunoviq, në një intervistë për televizionin serb Kurir, tha, mes tjerash, se po të kishte qenë në vendin e Sllobodan Millosheviqit – ish-presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë, i akuzuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës – “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën” në vitin 1998.

    Duke folur për jetën në Kosovë dhe largimin e saj nga Peja gjatë luftës, ajo tha se “nuk do t’i kishte likuiduar shqiptarët ashtu siç ata po përpiqen ta pastrojnë etnikisht Kosovën, por në atë mënyrë që secili që ndihej më pak qytetar i Republikës Federale të Jugosllavisë, të largohej dhe të shkonte në shtetin e vet amë”.

    Kjo deklaratë nxiti reagime të shumta dhe Kosova, më 14 korrik, e shpalli atë person të padëshiruar, duke ia ndaluar përgjithmonë hyrjen ose kalimin transit nëpër territorin e vendit.

    Nga Qeveria në detyrë e Kosovës i kanë thënë më herët Radios Evropa e Lirë se “problemi qëndron se shteti i Serbisë nuk ka bërë asnjëherë asnjë lloj distancimi nga politika e Millosheviqit”.

    “Është mirë që të gjithë – përveçse ta dënojnë këtë gjuhë – ta kenë edhe në mendje kur flasin me Serbinë për integrimin, reformat dhe fondet, si dhe ta kuptojmë që këto nuk janë thjesht deklarime, por aspirata nga të cilat shteti zyrtar i Serbisë nuk ka hequr dorë”, thanë nga ekzekutivi kosovar.

    Udhëheqësit e atëhershëm shtetërorë dhe forcat e sigurisë së Republikës Federale të Jugosllavisë u dënuan nga Tribunali i Hagës për dëbimin me dhunë të qindra mijëra civilëve shqiptarë nga Kosova, në periudhën mars-qershor të vitit 1999.

    Gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999, u vranë më shumë se 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën. Më shumë se 1.500 persona, shumica prej tyre shqiptarë, vazhdojnë të jenë ende të zhdukur./REL

  • Mbyllet përkohësisht për qarkullim rruga “Bajram Bahtiri” në Prishtinë

    Mbyllet përkohësisht për qarkullim rruga “Bajram Bahtiri” në Prishtinë

    Në kuadër të projektit “Ndërtimi i rrugës Bajram Bahtiri – Faza II”, është mbyllur përkohësisht për qarkullim rruga “Bajram Bahtiri”.

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar se periudha e mbylljes fillon nga 20 korriku dhe mbaron më 11 gusht.

    “Lusim qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik për mirëkuptim dhe i ftojmë të shfrytëzojnë rrugë alternative gjatë kësaj periudhe. Faleminderit për mirëkuptimin!”, thuhet në njoftim.

  • Vdes në moshë të re Petrit Kallaba nga Kamenica

    Vdes në moshë të re Petrit Kallaba nga Kamenica

    Sot është ndarë nga jeta Petrit Kallaba, në moshën 38-vjeçare, duke lënë në pikëllim familjen, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën.

    Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur babai i tij Xhevdet Kallaba përmes një njoftimi mortor, ku thuhet:

    “Në orën 14:38 ndërroi jetë i dashuri ynë, Petrit Xhevdet Kallaba. Për ecurinë e varrimit pason njoftimi më vonë. Ngushëllime për të gjithë! Shpirti i tij u prehtë në parajsë!”

    Petrit Kallaba ishte i njohur për aktivitetet e shumta që zhvillonte dhe për angazhimin e tij në komunitet. Ai gjithashtu njihej si një sportist i dalluar, duke lënë gjurmë me përkushtimin dhe energjinë e tij.

    Ndarja e tij e parakohshme ka prekur shumë familjarë, miq dhe bashkëpunëtorë, të cilët po shprehin ngushëllimet dhe dhimbjen për humbjen e tij.

    Ngushëllimet më të sinqerta familjes Kallaba. Qoftë i përjetshëm kujtimi për Petrit Kallabën dhe shpirti i tij u prehtë në paqe.

  • Gjermania rrit ndjeshëm taksën mbi duhanin, një paketë pritet të shkojë 12 euro

    Gjermania rrit ndjeshëm taksën mbi duhanin, një paketë pritet të shkojë 12 euro

    Qeveria gjermane planifikon të rrisë taksën mbi produktet e duhanit më shumë sesa ishte parashikuar fillimisht, si pjesë e masave për mbrojtjen e shëndetit publik dhe rritjen e të ardhurave në buxhetin federal.

    Sipas një propozimi të Ministrisë së Financave, të cilin e ka siguruar Rrjeti Editorial Gjerman, çmimi i një pakete me 20 cigare pritet të arrijë në gati 12 euro deri në vitin 2030, rreth 40 cent më shumë se parashikimi i mëparshëm.

    Rritja e taksave do të zbatohet gradualisht çdo vit dhe nuk do të prekë vetëm cigaret, por edhe duhanin me mbështjellje, duhanin e pipës, purot dhe produktet alternative si lëngjet për cigaret elektronike. Për këto të fundit, pjesa e taksës do të rritet me një cent për mililitër çdo vit.

    Sipas qeverisë, masa synon jo vetëm të mbulojë deficitin buxhetor, por edhe të ulë numrin e duhanpirësve, veçanërisht mes të rinjve. Autoritetet vlerësojnë se rritja e taksave do t’i sjellë buxhetit shtetëror rreth 756 milionë euro të ardhura shtesë në vitin 2027, ndërsa deri në vitin 2030 këto të ardhura pritet të kalojnë 3.5 miliardë euro në vit.

  • Edhe një komunë në Mal të Zi shqyrton anulimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës

    Edhe një komunë në Mal të Zi shqyrton anulimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës

    Një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Pljevljës, në Mal të Zi, është caktuar për 21 korrik, ku këshilltarët do të shqyrtojnë një propozim-deklaratë që kërkon anulimin e vendimit të Malit të Zi për njohjen e Kosovës.

    Nismën për mbajtjen e seancës e kanë paraqitur këshilltarët e koalicionit “Për të ardhmen e Pljevljës”, pjesë e të cilit janë Partia Popullore Demokratike (DNP) dhe Demokracia e Re Serbe (NSD). Sipas të dhënave të publikuara, iniciativën deri tani e kanë mbështetur 19 këshilltarë të parlamentit lokal.

    Në propozimin e deklaratës thuhet se, nëse miratohet, Kuvendi Komunal i Pljevljës do të shprehë qëndrimin se nuk e pranon vendimin e Qeverisë së Malit të Zi të vitit 2008 për njohjen e Kosovës si shtet të pavarur, shkruan rtcg.me.

    Kujtojmë se edhe Kuvendi i Komunës së Zetës të Malit të Zi ka miratuar një deklaratë me të cilën është shfuqizuar vendimi për njohjen e Kosovës.

    Ndryshe, njohja e Kosovës është vendim i shtetit të Malit të Zi, i marrë nga Qeveria e Malit të Zi në vitin 2008.

    Një kuvend komunal nuk ka kompetencë ligjore ta anulojë ose ndryshojë këtë vendim.

    Deklarata do të ishte kryesisht një qëndrim politik lokal dhe një mesazh ndaj qeverisë qendrore në Podgoricë.

  • Haxhiu e konfirmon se s’do ta thërrasë së shpejti seancën konstituive: Partive duhet t’i lihet kohë për Presidentin

    Haxhiu e konfirmon se s’do ta thërrasë së shpejti seancën konstituive: Partive duhet t’i lihet kohë për Presidentin

    Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, do të thërrasë seancën konstituive brenda afateve kushtetuese, por jo së shpejti.

    Në një përgjigje të zyrës së saj për RTV21 u përmend afati i fundit se deri kur ligjërisht ka të drejtë të thërrasë këtë seancë për të konstituar Kuvendin e më pas krijimin e institucioneve tjera.

    “Kushtetuta përcakton që seanca konstituive e Kuvendit thirret nga Presidenti/ta brenda 30 ditësh nga shpallja zyrtare e rezultateve të zgjedhjeve. Në rastin konkret, ky afat përfundon më 7 gusht”, tha Presidenca.

    Më pas aty thuhet se u.d. presidentja Haxhiu e ka parë më të arsyeshme që t’ju jep më shumë kohë partive politike për marrëveshje për të zgjedhur Presidentin meqenëse afati për këtë nis menjëherë me konstituimin e Kuvendit.

    “Duke pasur parasysh që afati për zgjedhjen e Presidentit është 60 ditë dhe fillon nga dita e konstituimit të Kuvendit, U.D. Presidentja Haxhiu vlerëson se partive politike duhet t’u lihet koha dhe hapësira e nevojshme për bisedime dhe për arritjen e marrëveshjes që i duhet vendit për zgjedhjen e presidentit. U.D. Presidentja po vepron brenda kompetencave dhe afateve kushtetuese, duke synuar që Kuvendi i ri të konstituohet me një perspektivë reale për krijimin e institucioneve dhe për shmangien e një bllokade tjetër”. thuhet në përgjigje.

    Kosova mbajti tri palë zgjedhje në më pak se një vit e gjysmë dhe kjo përiudhë u konsiderua e humbur për vendin.

    Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kishte pritur certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve për të nisur negociata me partitë e tjera për çështjen e Presidentit. Rezultatet preliminare nga KQZ kishin qenë publike më herët.

  • AUV nis kontrolle emergjente pas dyshimeve për helmime në Prishtinë dhe Han të Elezit

    AUV nis kontrolle emergjente pas dyshimeve për helmime në Prishtinë dhe Han të Elezit

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka intensifikuar kontrollet zyrtare pas rasteve të raportuara për dyshime të helmimit të qytetarëve në Prishtinë dhe Han të Elezit.

    Sipas AUV-së, inspektorët veterinarë kanë zhvilluar kontrolle të jashtëzakonshme në lokacionet ku janë raportuar rastet, me qëllim identifikimin e shkaktarit të mundshëm dhe mbrojtjen e shëndetit publik.

    Gjatë inspektimeve janë kontrolluar kushtet higjieno-sanitare, procedurat e vetëkontrollit të operatorëve ushqimorë, dokumentacioni, gjurmueshmëria e produkteve dhe lëndëve të para. Po ashtu, janë marrë mostra zyrtare për analiza laboratorike mikrobiologjike.

    Në rastin e Prishtinës, AUV ka marrë mostra të sosit të bardhë, qumështit dhe vezëve, ndërsa në Han të Elezit është marrë mostër e majonezës nga objekti i shërbimit ushqimor.

    Mostrat janë dërguar për analiza në Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë, ndërsa mostra e vezëve është dërguar në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës. Rezultatet e analizave ende nuk janë bërë publike.

    AUV ka bërë të ditur se pas përfundimit të analizave dhe vlerësimit të të gjitha provave të mbledhura gjatë kontrolleve zyrtare, do të përpilojë raportin përfundimtar dhe do ta informojë opinionin publik për rezultatet.

    Në rast se konstatohen shkelje të legjislacionit ose rrezik për shëndetin e konsumatorëve, institucioni ka paralajmëruar ndërmarrjen e masave administrative dhe ligjore ndaj operatorëve përgjegjës.

    Agjencia ka rikujtuar se operatorët e biznesit ushqimor kanë përgjegjësi ligjore për sigurinë e produkteve që vendosin në treg, për zbatimin e sistemeve të vetëkontrollit, ruajtjen e temperaturave të përcaktuara dhe respektimin e zinxhirit të ftohjes.

    AUV u ka bërë thirrje edhe qytetarëve që gjatë blerjes së produkteve ushqimore të kontrollojnë etiketimin, afatet e përdorimit dhe kushtet e ruajtjes, veçanërisht gjatë periudhës së temperaturave të larta.

    Kontrollet e intensifikuara, sipas AUV-së, do të vazhdojnë në të gjithë territorin e Kosovës.

  • Abdixhiku: Do nisin përgatitjet për Kuvendin e LDK-së – momentalisht do të ndërpres angazhimet për formimin e institucioneve

    Abdixhiku: Do nisin përgatitjet për Kuvendin e LDK-së – momentalisht do të ndërpres angazhimet për formimin e institucioneve

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se pas verifikimit të nënshkrimeve që kërkojnë të mbahet Kuvendin Komunal, ka vendosur që të mbahet Kuvendi i LDK-së.

    “Kam autorizuar sekretariatin e përgjithshëm që të nis menjëherë procedurat për mbajtjen e këtij Kuvendi, pas verifikimit të nënshkrimeve do të caktohet data dhe vendi i mbajtjes së Kuvendit”, ka thënë ai.

    Abdixhiku tha se për shkak të këtyre zhvillimeve nuk mund të angazhohet tutje për formimin e institucioneve.