ATV

Author: K.B.

  • Osmani: Sonte jam me Anglinë, Argjentina e eliminoi padrejtësisht Zvicrën

    Osmani: Sonte jam me Anglinë, Argjentina e eliminoi padrejtësisht Zvicrën

    Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se sonte do të bëjë tifo për kombëtaren e Anglisë në futboll, e cila përballet në gjysmëfinalen e Kupës së Botës me Argjentinën.

    Ajo tha se eliminimi i Zvicrës nga Argjentina e ka bërë ta ndryshojë preferencën e saj.

    “Aty definitivisht jam me Anglinë. Po ta shohim edhe aty. Deri vonë kam qenë me Amerikën edhe me Zvicrën për arsye që dihen sepse gjithmonë jam me Amerikën. Edhe e dyta për shkak të Granit Xhakës në Zvicër. Gjithmonë e kemi përkrahur ekipin e Zvicrës e tash fatkeqësisht pas eleminimit të padrejtë të Zvicrës tash e dimë sigurt që me Argjentinën s’jemi. Kështu që ndoshta diku mes Francës edhe Anglisë, të dyjat kanë një futboll të jashtëzakonshëm, të pastër”, tha Osmani.

    Ajo tha se futbollin e ka ndjekur që nga fëmijëria dhe se Kampionatin Botëror po e shijon së bashku me familjen.

    “Unë e kam përcjell prej kur kam qenë shumë e vogël çdo kampionat edhe botëror edhe evropian edhe kësaj radhe. Jemi kënaqur tash edhe bashkë me vajzat e mia edhe me bashkëshortin edhe atyre po ju intereson shumë futbolli vajzave të mia, kështu që çdo ndeshje e kqyrim bashkë edhe sonte kesh tu e kqyr në sa ora duhet me u nis për shpejt që me u siguru që nuk mungoj. Definitivisht për mua Ronaldo. Thash nuk ia fali që e kanë eliminuar Granit Xhakën se e ka merituar Zvicra me ec përpara”, tha Osmani.

  • Deputeti Ilir Kërçeli i bën thirrje Shqipërisë ta shpallë non grata ministren serbe

    Deputeti Ilir Kërçeli i bën thirrje Shqipërisë ta shpallë non grata ministren serbe

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, ka reaguar lidhur me deklaratat e fundit të një ministreje të Qeverisë së Serbisë, duke bërë thirrje që edhe Republika e Shqipërisë të marrë masa ndaj saj.

    Në një paraqitje në Euronews Albania, Kërçeli tha se deklarata e ministres serbe nuk përbën surprizë dhe se qëndrime të tilla nuk konsiderohen ekskluzive nga ana e tij.

    “Ne nuk befasohemi dhe as nuk e konsiderojmë si ekskluzivitet deklaratën e ministres së Serbisë”, deklaroi ai.

    Deputeti i LVV-së i bëri thirrje Qeverisë së Shqipërisë që ta shpallë ministren serbe person të padëshiruar, duke argumentuar se deklaratat e saj janë të papranueshme.

    “Me këtë rast, i bëj thirrje Republikës së Shqipërisë, përkatësisht Qeverisë së Shqipërisë, që ta shpallë atë person të padëshiruar”, u shpreh Kërçeli.

  • Rreth 80 persona dyshohet se u helmuan nga ushqimi në një piceri në Han të Elezit

    Rreth 80 persona dyshohet se u helmuan nga ushqimi në një piceri në Han të Elezit

    Rreth 80 persona dyshohet se janë helmuar pas konsumimit të ushqimit në një piceri në Han të Elezit.

    Sipas informacioneve jozyrtare, qytetarë të shumtë kanë kërkuar trajtim mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Han të Elezit, me simptoma që dyshohet se lidhen me helmimin nga ushqimi.

    Ndërkohë, një qytetar nga Hani i Elezit ka pretenduar se është helmuar pas konsumimit të ushqimit në një piceri në këtë qytet.

    Ai ka thënë se nuk është i vetmi i prekur dhe se, sipas tij, edhe shumë persona të tjerë janë helmuar pasi kanë konsumuar ushqim në të njëjtin lokal.

    Qytetari ka bërë të ditur se fotografia e publikuar nga ai është realizuar në QKMF-në e Hanit të Elezit, ku ka kërkuar ndihmë mjekësore.

  • Prestigjiozja ‘The Guardian’ i kushton vëmendje deklaratës së Dua Lipës për protestat kundër projektit miliardësh në Shqipëri

    Prestigjiozja ‘The Guardian’ i kushton vëmendje deklaratës së Dua Lipës për protestat kundër projektit miliardësh në Shqipëri

    Gazeta prestigjioze britanike, The Guardian, i ka kushtuar një artikull reagimit të këngëtares me origjinë shqiptare, Dua Lipa, ndaj protestave kundër projektit të resortit turistik të mbështetur nga investitorë të lidhur me familjen Trump në Shqipëri.

    Në një bisedë me akademiken dhe shkrimtaren shqiptare, Lea Ypi, në ‘podcast’-in e saj ‘Service95 Book Club’, Lipa e cilësoi lëvizjen qytetare kundër projektit si ‘frymëzuese’, duke vlerësuar angazhimin e njerëzve për mbrojtjen e mjedisit.

    Këngëtarja u shpreh se shqetësimi kryesor lidhet me mënyrën se si u ndryshuan ligjet për të lejuar ndërtime në zona të ndjeshme natyrore pa një konsultim të gjerë publik.

    Sipas saj, transparenca dhe mbrojtja e mjedisit janë çështje që duhet të merren seriozisht.

    Projekti në fjalë parashikon zhvillimin e një resorti luksoz në ishullin e Sazanit dhe ndërtimin e mijëra vilave në zonën e Zvërnecit, territore që konsiderohen zona me rëndësi të veçantë natyrore për ekosistemet dhe biodiversitetin.

    The Guardian thekson se projekti, me vlerë rreth 1.6 miliardë euro, mbështetet nga investitorë të udhëhequr nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump dhe bashkëshortja e tij Ivanka Trump.

    Ndërkohë, qeveria shqiptare e ka cilësuar investimin si një mundësi të madhe ekonomike për vendin.

    Reagimi i artistes u mirëprit nga organizatat mjedisore dhe aktivistët, të cilët e konsideruan deklaratën e saj një mbështetje të rëndësishme, veçanërisht për të rinjtë shqiptarë që e shohin këngëtaren si një figurë frymëzuese.

    Pamje nga Zvërneci

    Sipas The Guardian, protestat në Tiranë kanë hyrë në javën e gjashtë, ndërsa kundërshtarët e projektit kërkojnë më shumë transparencë dhe mbrojtje të zonave natyrore.

    Organizatorët e projektit, nga ana tjetër, kanë deklaruar se synojnë një zhvillim të përgjegjshëm, krijimin e vendeve të punës dhe vlerë afatgjatë për komunitetet lokale.

  • Vjen për herë të parë në Sunny Hill – Kush është PAWSA, një nga emrat më të kërkuar të muzikës elektronike

    Vjen për herë të parë në Sunny Hill – Kush është PAWSA, një nga emrat më të kërkuar të muzikës elektronike

    DJ i njohur britanik PAWSA (emri i vërtetë David Esekhile) do të jetë një nga emrat kryesorë që do të performojë për herë të parë në Sunny Hill Festival këtë verë, duke sjellë në Prishtinë një prej stileve më të kërkuara të muzikës elektronike në botë.

    I lindur dhe rritur në Londër, PAWSA është një nga figurat më të respektuara të skenës ‘minimal tech house’, i njohur për tingujt e tij karakteristikë me ritme të fuqishme, elemente të muzikës së vjetër ‘house’ dhe energji të vazhdueshme që dominon pistat e kërcimit.

    Ai është bashkëthemelues i label-it shumë të suksesshëm “Solid Grooves Records”, së bashku me Michael Bibi, një platformë që është shndërruar në një nga emrat më me ndikim në muzikën ‘house dhe techno’ në botë.

    PAWSA është gjithashtu i njohur për projekte të veçanta dhe bashkëpunime që kanë tërhequr vëmendjen e skenës globale elektronike.

    Me hite të fuqishme si “Dirty Cash (Money Talks)” dhe “PICK UP THE PHONE”, si dhe përfshirjen në projekte të ndryshme anonime dhe bashkëpunime, ai konsiderohet sot si një nga producentët më kreativë dhe më të kërkuar në industrinë e muzikës elektronike.

    Sunny Hill Festival tashmë është vendosur si një nga festivalet më të mëdha dhe më të rëndësishme në rajon, duke sjellë çdo vit emrat më të mëdhenj të muzikës botërore dhe duke krijuar një atmosferë unike për mijëra fansa nga e gjithë bota.

    Edicioni i sivjetmë do të mbahet më 31 korrik, 1 dhe 2 gusht në Bërnicë, duke e shndërruar Prishtinën në një nga qendrat kryesore të muzikës verore në Evropë.

    Me një ‘line-up’ gjithnjë e më të fortë dhe artistë të kalibrit botëror si PAWSA, Sunny Hill vazhdon të rrisë standardet e festivaleve në rajon dhe të tërheqë vëmendje ndërkombëtare.

  • Pushim historik në finalen e Botërorit: FIFA pritet të zgjasë pauzën e pjesës së parë në 25 minuta

    Pushim historik në finalen e Botërorit: FIFA pritet të zgjasë pauzën e pjesës së parë në 25 minuta

    Finalja e Kupës së Botës pritet të sjellë një ndryshim të pazakontë, pasi pushimi mes dy pjesëve mund të zgjasë deri në 25 minuta për shkak të spektaklit muzikor të planifikuar, në stilin e finales së Super Bowl.

    Sipas raportimeve, pauza në finalen e Botërorit që do të zhvillohet të dielën në stadiumin “New York New Jersey” mund të zgjasë nga 20 deri në 25 minuta.

    Arsyeja kryesore është organizimi i një shfaqjeje të madhe muzikore 11-minutëshe, ku pritet të jenë pjesë disa nga emrat më të mëdhenj të skenës botërore.

    Mes artistëve kryesorë të përfolur për këtë spektakël janë Madonna, Shakira dhe grupi i njohur koreano-jugor i K-pop-it, BTS.

    Burime pranë FIFA-s kanë bërë të ditur se opsioni kryesor është që pushimi të zgjasë rreth 20 minuta, ndërsa një tjetër mundësi është që pas 15 minutave të zakonshme të zhvillohet programi muzikor i planifikuar.

    Sipas rregullave të futbollit të përcaktuara nga Bordi Ndërkombëtar i Shoqatave të Futbollit (IFAB), lojtarët kanë të drejtë për një pushim maksimal prej 15 minutash mes dy pjesëve të një ndeshjeje.

    Megjithatë, FIFA ka aplikuar një format të ngjashëm edhe më herët. Në finalen e Kupës së Botës për Klube të vitit të kaluar, e zhvilluar gjithashtu në New Jersey, pushimi zgjati gjithsej 24 minuta për shkak të programit muzikor, ku performuan artistë si Coldplay, J Balvin, Doja Cat, Tems dhe Emmanuel Kelly.

    Edhe finalja e këtij Botërori do të shoqërohet me një spektakël madhështor.

    Në program janë përfshirë edhe Justin Bieber, Burna Boy, Gustavo Dudamel dhe kori PS22, ndërsa pjesë e organizimit është edhe grupi Coldplay. Shfaqja është konceptuar dhe prodhuar nga lideri i Coldplay, Chris Martin.

    Zgjatja e pushimit do të nënkuptonte një shkelje të rregullave standarde të futbollit nga vetë FIFA, pasi ligjet e lojës përcaktojnë qartë se intervali mes dy pjesëve nuk duhet të kalojë 15 minuta.

    Finalja e Kupës së Botës do të nisë në orën 15:00 sipas kohës lokale, ose 21:00 sipas kohës së Evropës Qendrore, ndërsa ceremonia para ndeshjes do të fillojë rreth një orë e gjysmë më herët.

    Në ceremoninë hapëse pritet të marrin pjesë emra të njohur si Tom Cruise, Laura Pausini, Nicole Scherzinger, Robbie Williams dhe ylli i internetit IShowSpeed, ndërsa himni kombëtar amerikan do të interpretohet nga Jennifer Hudson.

    Spanja siguroi një vend në finale pasi mposhti Francën me rezultatin 2-0 në gjysmëfinale të zhvilluar në Dallas.

    “La Roja” do të përballet për trofeun e kampionit të botës me fituesin e duelit tjetër gjysmëfinal mes Anglisë dhe Argjentinës.

  • Halil Thaçi pas intervistimit në Prokurorinë Speciale, pretendon se po shantazhohet e kërcënohet

    Halil Thaçi pas intervistimit në Prokurorinë Speciale, pretendon se po shantazhohet e kërcënohet

    Kryetari i Komunës së Obiliqit, ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi, është deklaruar për media pasi që u intervistua nga Prokuroria Speciale.

    Thaçi, në deklarimin e tij, ka thënë se, çdo gjë që do të di ati, do t’i përgjigjet prokurorit.

    Kryetari i Obiliqit, u pyet edhe për çështjen e vijën e shpronësimit në Shipitullë, ku ndër tjerash, Thaçi tha se ai, nuk ka rënë pre e ‘’shantazheve’’.

    ‘’Unë nga këtu i bëj thirrje qytetarëve të mi, që do të më kenë gjithmonë gardian për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Po si dëshmitar më pyeten për çdo gjë, dhe unë për çka do që unë do të di do t’i përgjigjem prokurorit. Pika e parë, të prokurori kam tregu që vetë Kallxo.com për tre muaj me ka thirre në telefon, vetë pronarja e Kallxo.com ka kërkuar takim që mos të publikohet video, sigurisht edhe ti e din këtë, sigurisht që po i kam të bazune, dhe nuk kam ra pre e shantazheve të mediave, kurrë asnjëherë nuk do të shantazhohem e as nuk do të kërcënohem, unë do të jem gardian i të drejtave të qytetarëve të mi’’, ka thënë Thaçi.

  • Policia në Rajonin e Ferizajt shqipton 252 gjoba brenda 24 orëve

    Policia në Rajonin e Ferizajt shqipton 252 gjoba brenda 24 orëve

    Policia Rajonale e Ferizajt ka intensifikuar aktivitetet në terren me qëllim rritjen e sigurisë në komunikacion dhe parandalimin e aksidenteve rrugore.

    Sipas njoftimit të Policisë, gjatë 24 orëve të fundit në rajonin e Ferizajt janë raportuar gjithsej gjashtë aksidente trafiku, prej të cilave katër kanë përfunduar me persona të lënduar, ku gjashtë persona kanë pësuar lëndime, ndërsa dy aksidente janë regjistruar vetëm me dëme materiale.

    Gjatë kësaj periudhe, njësitet policore kanë shqiptuar gjithsej 252 gjoba për kundërvajtje të ndryshme në trafik.

    Policia Rajonale e Ferizajt ka apeluar te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të automjeteve.

    “Respektimi i rregullave të trafikut dhe kujdesi gjatë ngasjes janë faktorë kyç për parandalimin e aksidenteve dhe ngritjen e sigurisë në rrugë”, thuhet në apelimin e Policisë.

  • Në Mitrovicën e Jugut realizohet murali i Statujës së Lirisë për 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së

    Në Mitrovicën e Jugut realizohet murali i Statujës së Lirisë për 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së

    Përfaqësues të Seksionit për Diplomaci Publike të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë kanë marrë pjesë në përfundimin e muralit artistik kushtuar Statujës së Lirisë në Mitrovicën e Jugut.

    Sipas njoftimit, murali është relizuar në kuadër të shënimit #Freedom250, që përkujton 250-vjetori i pavarësisë së SHBA-së.

    Murali është realizuar në bashkëpunim me organizatën “Futja Ngjyrë”, e njohur për projektet e artit urban në hapësirat publike.

    Sipas Ambasadës Amerikane, ky projekt synon që të promovojë vlerat e lirisë, bashkëpunimin më komunitetin lokal duke shënuar njëkohësisht jubileun historik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Murali tashmë i është shtuar hapësirës publike në Mitrovicën e Jugut si simbol i miqësisë dhe partneritetit ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

  • Themelohet Kolegjiumi për Siguri dhe Emergjencë i AKK-së, Fushtica zgjidhet kryetar

    Themelohet Kolegjiumi për Siguri dhe Emergjencë i AKK-së, Fushtica zgjidhet kryetar

    Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Kosovë, ka themeluar Kolegjiumin për Siguri dhe Emergjencë, një mekanizëm i ri që synon forcimin e bashkëpunimit ndërkomunal dhe avancimin e kapaciteteve lokale në fushën e menaxhimit të emergjencave.

    Sipas njoftimit të AKK-së, kolegjiumi është krijuar për të shërbyer si platformë profesionale për koordinim institucional, shkëmbim të përvojave dhe promovim të praktikave më të mira në mbrojtjen civile dhe menaxhimin e situatave emergjente.

    Në takimin themelues u vlerësua se krijimi i këtij mekanizmi përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërmjet komunave dhe adresimit të sfidave të përbashkëta në fushën e sigurisë dhe emergjencave.

    Iniciativa për themelimin e Kolegjiumit u prezantua nga drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, i cili theksoi rëndësinë e krijimit të një strukture profesionale që do të mundësojë koordinim dhe shkëmbim të praktikave ndërmjet komunave.

    Gjatë prezantimit u theksua se komunat po përballen me sfida gjithnjë e më komplekse që lidhen me fatkeqësitë natyrore, ndryshimet klimatike dhe sigurinë publike, ndërsa forcimi i sistemeve lokale të menaxhimit të emergjencave konsiderohet një element kyç i qeverisjes moderne lokale.

    Në takim u diskutuan edhe prioritetet e komunave, duke përfshirë përmirësimin e koordinimit ndërinstitucional, hartimin e planeve të emergjencave, ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe krijimin e mekanizmave më efektivë për reagim ndaj situatave emergjente.

    Po ashtu, u zgjodh edhe udhëheqja e Kolegjiumit. Lulzim Fushtica, drejtor i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, u zgjodh kryesues i Kolegjiumit, ndërsa Fitore Behrami, drejtoreshë e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Mitrovicës së Jugut, u zgjodh zëvendëskryesuese.

    Sipas AKK-së, Kolegjiumi për Siguri dhe Emergjencë do të funksionojë si platformë për koordinim ndërmjet komunave, shkëmbim të njohurive dhe përvojave profesionale, si dhe hartimin e rekomandimeve që synojnë përmirësimin e menaxhimit të emergjencave dhe forcimin e rolit të pushtetit lokal në mbrojtjen e qytetarëve.