ATV

Author: K.B.

  • Irani vendos “mburoja të kaltra” gjatë bombardimeve SHBA-Izrael

    Irani vendos “mburoja të kaltra” gjatë bombardimeve SHBA-Izrael

    Një sërë mburojash kaltërebardh të vendosura mbi ndërtesa në gjithë Iranin synojnë ta dërgojnë një mesazh për planifikuesit e sulmeve amerikane dhe izraelite.

    Fotografi të simbolit të vendosur mbi çati dhe pranë vendeve të trashëgimisë kulturore u shpërndanë nga mediat shtetërore iraniane më 10 mars, së bashku me raportet se “më shumë se 120 muze dhe disa ndërtesa historike” në gjithë Iranin janë shënjuar me këtë emblemë.

    I njohur zyrtarisht si “Mburoja e Kaltër”, shefi i trashëgimisë kulturore të Iranit, Mohsen Tousi, u tha mediave iraniane se simboli ishte vendosur “për t’i mbrojtur pasuritë e vlefshme kulturore dhe historike”.

    Emblema e mburojës së kaltër u krijua gjatë Konventës së Hagës të vitit 1954 për të mbrojtur pronën kulturore gjatë konflikteve. Simboli synon të tregojë një objekt të trashëgimisë në të njëjtën mënyrë siç simboli i kryqit të kuq tregon një objekt humanitar.

    Simboli i mburojës nuk arriti kurrë të përhapej si ai i kryqit të kuq, por në vitin 1996 u themelua organizata Blue Shield për të promovuar idealet e ruajtjes së trashëgimisë gjatë luftës që simbolizon emblema e vitit 1954.

    Peter Stone është president i organizatës Blue Shield. Ai i tha Radion Evropa e Lirë se përdorimi i simbolit në Iran është “shumë pozitiv”, por theksoi se organizata e tij nuk ka kontroll mbi përdorimin e kësaj embleme.

    Përveç kësaj, nuk ekziston asnjë mekanizëm për të verifikuar nëse objektiva të ligjshme ushtarake iraniane po shënohen me këtë simbol.

    “Në luftën moderne, realisht është ushtrim mjaft i kotë të vendosësh një emblemë të madhe mbi çatinë e një muzeu”, thotë Stone, duke shtuar se shumë ushtri moderne kanë listat e tyre sekrete për vendet që nuk duhen goditur.

    Megjithatë, ai thotë se një shënim kaq i qartë i vendeve të trashëgimisë “shton një shtresë shtesë të përgjegjësisë për këdo që sulmon, që ta marrë seriozisht këtë emblemë dhe mbrojtjen e saj”.

    Nëse vendoset në një vend kulturor legjitim pa përdorim ushtarak, eksperti britanik i trashëgimisë thotë se emblema mund të ketë edhe peshë ligjore, pasi “mbrojtja e saj vjen nga Konventa e Hagës e vitit 1954”, të cilën e kanë ratifikuar edhe Izraeli dhe SHBA-ja.

    Në konflikte të mëparshme, përfshirë gjatë pushtimit amerikan të Irakut në vitin 2003, emblema e mburojës së kaltër është përdorur, shpesh e pikturuar mbi çati në përmasa të mëdha që të jetë e dukshme për pilotët e avionëve dhe dronëve.

    Disa ndërtesa që mbanin emblemën u dëmtuan gjatë konfliktit, ndërsa të tjera jo. Stone thotë se ka qenë e pamundur të dihet ndikimi i mirëfilltë i simbolit, pasi vendimmarrja për objektivat ndodh pas një muri të fshehtësisë ushtarake.

    Pas konfliktit, thotë Stone, përdorimi i drejtë i simbolit të mburojës mund të shtojë “një provë shtesë” për ndjekjen penale të atyre që sulmojnë pa ndonjë domosdoshmëri ushtarake.

    Stone pranon se koncepti i së drejtës ndërkombëtare mbi të cilin bazohet mburoja e kaltër sot është në një gjendje të brishtë, por ai thotë: “duhet ta mbajmë gjallë”, sepse në të kundërt “askush nuk do të mbahet përgjegjës”. /REL

  • Sorensen pas tri javësh kthehet në Prishtinë, nesër në mëngjes takon Kurtin, flasin edhe për media

    Sorensen pas tri javësh kthehet në Prishtinë, nesër në mëngjes takon Kurtin, flasin edhe për media

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, mëngjesin e nesërm do të pres në takim përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbis, Peter Sorensen.

    Në njoftimin për media, bëhet e ditur se takimi do të zhvillohet nga ora 08:30.

    Po ashtu, zyra e kryeministrit në komunikatë bën të ditur edhe se, pas takimit do të ketë deklarim për media.

    ”Agjenda e Kryeministrit të Republikës së Kosovës e datës 14.3.2026

    1.Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë–Serbi, z. Peter Sørensen.

    Pas takimit do të ketë deklarim për media.

    VENDI: Ndërtesa e Qeverisë

    KOHA: 08:30”, thuhet nga ZKM.

  • Kërkohet paraburgim ndaj 5 personave për bixhoz

    Kërkohet paraburgim ndaj 5 personave për bixhoz

    Departamenti i Përgjithshëm i Prokurorisë Themelore në Gjakovë ka nisur hetimet ndaj të pandehurve me inicialet E.B., A.B., N.H., J.M., dhe Z.P., si dhe ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore Gjakovë – Dega në Malishevë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

    Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se nga koha e papërcaktuar e deri më datë 12.03.2026, rreth orës 21:00 në Malishevë, saktësisht në lokalin e afarist “D…”, “i pandehuri E.B., në cilësinë e pronarit të lojërave, duke vepruar në bashkëkryerje edhe me të pandehurit A.B., N.H., J.M., dhe Z.P., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, organizojnë dhe marrin pjesë në organizimin e lojërave të fatit, të cilat janë të ndaluara me Ligjin Nr.06/L-155 për ndalimin e lojërave të fatit, në atë mënyrë që të njëjtit në mënyrë të kundërligjshme dhe të fshehtë në lokalin afarist e përdorin për lojëra të fatit”.

    “Pas urdhrit për kontrollimin e lokalit nga zyrtarët policorë, të pandehurit kanë tentuar të arratisen duke kërcyer nga një dritare e objektit, por janë ndaluar nga policia. Gjatë kontrollit janë gjetur pesë aparate të lojërave të fatit në funksion, ku në aparatin nr. 3 (Kajot) janë gjetur 20 €, në aparatin nr. 4 (Apex) 150 €, dhe në aparatin nr. 5 (Kajot) 70 €. Po ashtu, në çantën e pronarit E.B., janë gjetur 2,000 €, të gjitha të sekuestruar nga ana e zyrtarëve policorë”, u tha në njoftimin e Prokurorisë.

    Me këto veprime, Prokuroria thotë se të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.

    Të pandehurit që nga data 12 mars 2026, me vendim të Prokurorit të Shtetit, gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprën penale të lartcekur.

  • Tahiri i përgjigjet Kurtit: Fal fusnotës jemi në rrugën zyrtare të integrimit, ajo hiqet kur vijnë 5 njohjet, ti s’e solle asnjë

    Tahiri i përgjigjet Kurtit: Fal fusnotës jemi në rrugën zyrtare të integrimit, ajo hiqet kur vijnë 5 njohjet, ti s’e solle asnjë

    Ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, ka reaguar lidhur me deklaratën e kryeministrit Albin Kurti, i cili sot ka thënë se “pranvera pritet ta shkrijë fusnotën”, duke i dërguar atij ‘’një porosi’’.

    Tahiri, në ‘’porosinë’’ e saj drejtuar Kurtit, ka thënë se Kosova ka hyr në rrugën për integrim në Bashkimin Evropian falë fusnotës, ndërsa kryeministri, ka thënë ajo, e ‘’ka lënë Kosovën të izoluar’’.

    Tahiri ka thënë edhe se fusnota do të hiqet kur Kosova të njihet nga pesë vendet e BE’së, njohje të cilat ka thënë ajo, Kurti s’i solli.

    Postimi:

    Nje porosi per Albin Kurtin: Kosova hyri ne rrugen zyrtare per integrimin ne BE fale fusnotes dhe fale lidershipit tone qe nuk e lame Kosoven te izoluar, ndersa ti e ke lene Kosoven te izoluar madje as ne Keshillin e Evropes nuk arrite ta antaresosh, ndersa ne lidershipi i asaj kohe e afruam te dera, ti e la Kosoven te dera qe sa vite.. Madje dje i kerkove Marta Kos-t statusin e kandidatit per Kosoven ne BE, por nuk i tregove popullit se kjo kerkese behet vec pse kemi fusnote. Po ashtu nuk i tregove popullit se fusnota shkrihet kur e njohin Kosoven pese vendet e BE-se qe ende nuk e njohin, ashtu sic kam deklaruar une si kryenegociatore kur u arrijte kjo marreveshje ne Dialogun e Brukselit.

    Sa vjet je ne pushtet asnje njohje nga keto pese vende nuk ia solle Kosoves. A je pyetur ndonjehere pse kaq e dobet dhe e paafte ishte diplomacia nen qeverisjen tende? Per te gjithe qytetaret qe jane te interesuar me shume ne kete teme dhe gjithe temat e Dialogut te Brukselit se shpejti do te kene rastin ta lexojne librin tim per Dialogun e Brukselit 2011-2017, te bazuar ne fakte e argumente duke qene se i gjithe procesi negociator mes Kosoves dhe Serbise jane ne liber dhe te gjitha marreveshjet…

  • Gjashtë vjet më parë u shënua rasti i parë me Covid-19 në Kosovë

    Gjashtë vjet më parë u shënua rasti i parë me Covid-19 në Kosovë

    Sot shënohen gjashtë vjet nga konfirmimi i rasteve të para me COVID-19 në Kosovë.

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, në një njoftim, tha se nga data 13 mars 2020 deri më 13 mars 2026, në Kosovë janë testuar mbi 2 milionë mostra për SARS-CoV-2, janë konfirmuar 276,300 raste pozitive, ndërsa janë regjistruar 3,238 humbje jete.

    “Ndonëse u gjetëm para një shkaktari të panjohur për ne dhe për tërë botën, ne treguam shembull që dha rezultat në vend dhe u shqua e u njoh nga bota. Koordinimi, shkëmbimi i informatave në kohë reale dhe vendimmarrja e përbashkët, dëshmuan se bashkëpunimi ndërinstitucional është forca më e madhe në kohë sfidash. Sot, sistemi i shëndetit publik është më i përgatitur për të identifikuar, monitoruar dhe reaguar ndaj sfidave të ngjashme të shëndetit publik”, thuhet në njoftimin e IKShPK-së.

  • Ftesa e Kurtit për takim, PDK: Të pritet vendimi i Gjykatës, mbesim të hapur për komunikim

    Ftesa e Kurtit për takim, PDK: Të pritet vendimi i Gjykatës, mbesim të hapur për komunikim

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha sot se do t’i ftojë në takim liderët e partive opozitare për të biseduar në lidhje me zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

    Për këtë ftesë është deklaruar Partia Demokratike e Kosovës, e cila tha se e falënderon kryeministrin Albin Kurti për ftesën dhe tha se mbetet e hapur për komunikim dhe dialog politik sa herë që kjo i shërben stabilitetit institucional dhe interesit të vendit.

    Megjithatë, në rrethanat aktuale, duke pasur parasysh se Gjykata Kushtetuese ka vendosur Masë të Përkohshme që pezullon procesin e zgjedhjes së Presidentit dhe çdo veprim të mëtejshëm të Kuvendit në këtë drejtim, PDK tha se vlerëson se “është e domosdoshme të pritet vendimi përfundimtar i Gjykatës, i cili pritet deri më 31 mars dhe që do të qartësojë hapat e mëtejmë institucionalë”.

    Partia Demokratike e Kosovës tha se beson se respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe i procedurave institucionale është “mënyra më e përgjegjshme për të garantuar stabilitet politik dhe institucional në vend”.

  • Trupi i pajetë i një të riu shqiptar gjendet në dhomën e në një resorti të njohur luksoz me pesë yje në Itali

    Trupi i pajetë i një të riu shqiptar gjendet në dhomën e në një resorti të njohur luksoz me pesë yje në Itali

    Trupi i pajetë i një të riu shqiptar u gjet dy ditë më parë brenda një dhome, në një resort të njohur luksoz me pesë yje në Gargnano, në liqenin Garda të Italisë.

    Viktima, 32-vjeçar, kishte qenë në dhomë për disa orë kur u gjet, kurse shkaqet, dinamika dhe rrethanat mbeten ende të mbuluara nga misteri.

    Identiteti i tij nuk u publikua, ndërsa paraprakisht si pistë deklarohet ose vdekja natyrale, ose një akt ekstrem si vetëflijimi.

    Alarmi u dha në orët e para të pasdites të së mërkurës, më 11 mars, pak para orës 15:00.

    Disa punonjës nga stafi i institucionit, të pamundur për të kontaktuar mysafirin dhe pasi trokitën në derë disa herë pa marrë përgjigje, vendosën të kontrollonin situatën duke hyrë në dhomë.

    Zbulimi dramatik u bë brenda dhomës. Pasi telefonuan numrin e urgjencës, një makinë mjekësore u dërgua në vendngjarje, por nuk kishte asgjë më shumë që mund të bëhej për të riun: stafi mjekësor mundi vetëm ta shpallte të vdekur.

    Sipas hetimeve fillestare, 32-vjeçari kishte mbërritur i vetëm në brigjet e liqenit Garda, duke mbërritur në vendpushim me makinë. Ai kishte qëndruar në vendpushim për afërsisht një ditë.

    Karabinierët gjithashtu mbërritën në vendngjarje dhe filluan një hetim për të përcaktuar rrethanat e vdekjes. Gjetjet fillestare kanë përjashtuar përfshirjen e personave të tjerë: nuk u gjetën shenja dhune në trup, informon media italiane.

    Në dhomë, thuhet se u gjetën disa pako ilaçesh bosh pranë shtratit. Hetuesit po shqyrtojnë mundësinë e një akti ekstrem, si vetëvrasja e mundshme, megjithëse hetimet e mëtejshme do të sqarojnë saktësisht se çfarë ka ndodhur./panorama/

  • Deputeti i PDK-së i reagon Kurtit për “shkrirjen e fusnotës”: U ke dhënë autonomi komunave serbe, ku janë njohjet

    Deputeti i PDK-së i reagon Kurtit për “shkrirjen e fusnotës”: U ke dhënë autonomi komunave serbe, ku janë njohjet

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti se “pranvera pritet ta shkrijë fusnotën”, duke thënë se është ironike të flitet për këtë temë derisa, sipas tij, mungojnë rezultatet konkrete në diplomaci dhe integrime ndërkombëtare.

    Në një postim në Facebook, Behrami ka parashtruar disa pyetje për qeverinë.

    Ai ka pyetur se ku janë njohjet nga Greqia, Sllovakia, Spanja, Rumania dhe Qiproja, për të cilat, sipas tij, ishte nënshkruar marrëveshja e vitit 2023, e cila parashihte autonomi speciale për komunat me shumicë serbe dhe eksterritorialitet për Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë.

    Behrami ka përmendur edhe procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, duke thënë se për këtë çështje ishte marrë vendimi për t’i dhënë tokë Manastiri i Deçanit, duke e lidhur këtë me emrin e ministrit Nenad Rashiq.

    Postimi i plotë:

    Është ironike të dëgjosh sot moralizime për “shkrirjen e fusnotës si fjollë bore”, kur :

    1. Albin, ku është njohja nga Greqia, Sllovakia, Spanja, Rumania dhe Qiproja?

    Për këto njohje u nënshkrua marrëveshja e vitit 2023 duke u dhënë autonomi speciale komunave serbe dhe duke pranuar eksterritorialitet për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë.

    Ku është rezultati?

    2. Ku është anëtarësimi në Këshillin e Evropës, për të cilin, për hatër të Nenad Rashiqit, u dorëzua toka e Manastirit të Deçanit?

    3. Pse u pranua nga Kurti dhe Besnik Bislimi që, në kuadër të liberalizimit të vizave, Bashkimi Evropian të njohë me bekimin e tyre përdorimin e pasaportave serbe ilegale të lëshuara për serbët e Kosovës, pasaporta të cilat në vetvete e paraqesin Kosovën si pjesë të Serbisë!?

    4. Me këto vendime, me rikthimin faktik të logjikës së Rezolutës 1244 në draft statutin e samoupravljanje dhe me formulimin anti-Kosovë në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2023 se “pa cenuar pikëpamjet e ndryshme të palëve mbi çështje themelore, përfshirë çështjet e statusit”, Albin Kurti në thelb ka përmbushur pikërisht atë që iu kërkua gjatë gjithë procesit.

    Prandaj, sot po e shohim këtë strategji: për t’i ikur dialogut në Uashington, për të cilin ai është informuar mirë, Albin Kurti ka nevojë për krizë politike. Krizë, zgjedhje të reja, bllokim të zgjedhjes së presidentit, çdo skenar që e mban vendin në tension institucional.

    Qëllimi është i qartë: të qeveriset pa kontroll real parlamentar dhe pa dhënë llogari për vendimet që po merren.

    Ndërkohë, Besnik Bislimi, pasi ndërtoi rrjetin e tij të kontrollit në sektorin energjetik, synon hapin tjetër: fondin sovran. Ky është modeli që po tentohet të ndërtohet: një version i kopjuar keq i sistemit të Orbanit.

    Populizmi ka një afat skadence. Kur rezultatet mungojnë, mbetet vetëm propaganda. Dhe kur propaganda konsumohet, mbetet vetëm një gjë: të hedhësh gurë mbi veten dhe ta shesësh si betejë politike.

    Gjithçka mund të zbehet me kalimin e kohës. Por, marrëveshjet pro-Beogradit që i ka pranuar Albin Kurti, të negociuara nga Besnik Bislimi dhe të ndërmjetësuara nga Miroslav Lajčák, nuk zhbëhen vetë. Për to duhet betejë politike, pikërisht aty ku ti ke frikë të shkosh dhe ku je person non grata.

  • Presidentja takon ambasadorin italian, theksojnë marrëdhëniet e shkëlqyeshme

    Presidentja takon ambasadorin italian, theksojnë marrëdhëniet e shkëlqyeshme

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim ambasadorin e Italisë, Maurizio Antonini.

    Aty u fol për zhvillimet politike në vend së fundmi, si dhe për marëdhëniet midis dy shteteve.

    “Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, si dhe për aspekte të ndryshme të bashkëpunimit bilateral ndërmjet Kosovës dhe Italisë”, thuhet në komunikatën e presidencës.

    “Presidentja Osmani theksoi marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy shteteve dhe shprehu mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë në të gjitha fazat kyçe të shtetndërtimit dhe të forcimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës”.

  • Çertifikohen dy qenë policorë

    Çertifikohen dy qenë policorë

    Në Kampin e Njësive Speciale në Vrellë, u mbajt ceremonia e certifikimit të dy qenve policorë, një nga Policia e Kosovës dhe një nga Policia e Shqipërisë, të siguruar si donacion nga Ambasada e Francës.
    Procesi i trajnimit (SAMBI – trajnim për qen shumë qëllimesh) ka zgjatur 16 javë, ndërsa certifikimi përfundimtar është realizuar në periudhën 09–12 mars 2026, nën mbikëqyrjen e instruktorëve nga Qendra e Trajnimit në Gramat, Francë, me përkrahjen e OSBE-së.

    Në këtë ceremoni, morën pjesë zyrtarë të lartë vendorë dhe ndërkombëtarë nga OSBE, përfaqësues të Ambasadës së Francës dhe instruktorë nga Franca, zyrtarë të OSBE-së nga Shqipëria, përfaqësues të Departamentit të Burimeve Njerëzore dhe Departamentit të Shërbimeve Mbështetëse të Policisë së Kosovës, si dhe eprorë dhe staf i Njësisë Policore me Qenë Policor (K9).

    Gjatë ceremonisë u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Kosovës, Ambasadës së Francës dhe OSBE-së, për ngritjen e kapaciteteve profesionale të Njësisë K9, përmes mbështetjes në infrastrukturë, trajnimit dhe donacioneve të qenve policorë. Ky bashkëpunim kontribuon në forcimin e kapaciteteve për luftimin e krimit, veçanërisht në zbulimin e drogës, kartëmonedhave të falsifikuara, armëve, municionit dhe materialeve polimerike, si dhe në avancimin e bashkëpunimit rajonal në luftimin e krimit ndërkufitar.

    Ceremonia u përmbyll me falënderime nga Policia e Kosovës dhe me zotimin për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, në funksion të zhvillimit të mëtejmë të kapaciteteve të Njësisë K9.