ATV

Author: K.B.

  • Ndryshon moti, shi dhe borë në pesë ditët e ardhshme

    Ndryshon moti, shi dhe borë në pesë ditët e ardhshme

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se gjatë javës së ardhshme priten ndryshime të motit.

    Në njoftim thuhet se nga dita e martë parashihen reshje, ku në viset malore dhe në lartësi më të mëdha do të ketë reshje bore, ndërsa në viset e ulëta priten kryesisht reshje shiu, të cilat herë-herë mund të përzihen edhe me borë.

    Sipas IHMK-së, temperaturat minimale do të zbresin në vlera të lehta negative, ndërsa temperaturat maksimale pritet të arrijnë deri rreth 16 gradë Celsius.

    “Sa i përket kushteve agrometeorologjike, ato në përgjithësi do të jenë të favorshme për aktivitetet bujqësore. Bujqve u rekomandohet që gjatë ditës së hënë të shfrytëzojnë kushtet e mira të motit për shpërndarjen e plehut artificial në kulturat bujqësore dhe për kryerjen e punëve të tjera të nevojshme në parcela. Në ditët në vijim, për shkak të reshjeve dhe uljes së temperaturave, aktivitetet në fushë mund të jenë më të kufizuara”, thuhet në njoftim.

    Njoftimi i plotë:

    E hënë

    Moti i vranët dhe me intervale me diell.

    Temperaturat minimale:-2 deri 1°C

    Temperaturat maksimale: 13- 16°C

    Era: Do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes me shpejtësi 1-8m/s

    E martë

    Mot i vranët dhe me reshje shiu e bore.

    Temperaturat minimale: 0 deri 3°C

    Temperaturat maksimale: 9-12°C

    Era: nga veriperendimi me shpejtësi 1-9m/s

    E mërkurë

    Moti kryeisht i vranët

    Temperaturat minimale: 1 deri 3°C

    Temperaturat maksimale: 10-13°C

    Era: kryesisht nga veriperëndimi me shpejtësi 1-5m/s.

    E enjte

    Mot I vranët dhe me interval me diell.

    Temperaturat minimale:1 deri 3°C

    Temperaturat maksimale: 10 deri 13°C

    Era: nga veriperendimi 1-6m/s.

    E premte

    Mot i vranët dhe me intervale me diell.

    Temperaturat minimale: -1 deri 1°C

    Tmperaturat maksimale: 9 deri 12°C

    Era: nga drejtimi i verilindja 1-5m/s.

  • Rama jep detaje: Prishtina ka përcaktuar lokacionin zyrtar për deponimin e mbeturinave inerte

    Rama jep detaje: Prishtina ka përcaktuar lokacionin zyrtar për deponimin e mbeturinave inerte

    Kryetari Përparim Rama, njofton se kryeqyteti ka përcaktuar lokacionin zyrtar për deponimin e mbeturinave inerte, ”(ndërtimore) dhe mbeturinave vëllimore (mobilje, inventar shtëpiak, etj.).

    Ky lokacion është në dispozicion për qytetarët dhe bizneset që kanë nevojë të largojnë mbeturina të kësaj natyre, thotë ai.

    ‘Për dërgimin e mbeturinave në këtë pikë: Qytetarët duhet të kontraktojnë ndërmarrjen publike KRM Pastrimi ose ndërmarrjen Gjelbër 📞 +383 800 40004”, shkruan ai.

    Postimi i plotë:

    NJOFTIM PËR QYTETARËT!

    Kryeqyteti ka përcaktuar lokacionin zyrtar për deponimin e mbeturinave inerte (ndërtimore) dhe mbeturinave vëllimore (mobilje, inventar shtëpiak, etj.).

    Ky lokacion është në dispozicion për qytetarët dhe bizneset që kanë nevojë të largojnë mbeturina të kësaj natyre.

    📍 Lokacioni i deponisë:
    https://maps.app.goo.gl/eYosamJWRL9rMte19?g_st=iwb në rrugën Qëndresa.

    ℹ️ Për dërgimin e mbeturinave në këtë pikë:
    • Qytetarët duhet të kontraktojnë ndërmarrjen publike KRM 📞Pastrimi +38380077123 ose ndërmarrjen Gjelbër 📞 +383 800 40004

    🚫 Çdo automjet që bart mbeturina të çfarëdo lloji dhe nuk ka kontratë me NPL “Gjelbër” do të gjobitet dhe mund t’i konfiskohet automjeti.

    ⚠️ Hedhja e këtyre mbeturinave në Kryeqytet është e ndaluar! ❌

    Inspeksioni Komunal dhe Policia e Kryeqytetit janë të angazhuar me të gjitha kapacitetet për të luftuar hedhjen ilegale të mbeturinave në hapësirat publike.

    Masat ndëshkuese për shkelësit përfshijnë:
    ❌gjoba
    ❌konfiskim të automjeteve që përdoren për transportimin dhe hedhjen ilegale të mbeturinave

    🤝 Bashkëpunimi i qytetarëve është shumë i rëndësishëm.

    Nëse shihni qytetarë ose biznese që hedhin materiale ndërtimore, sanitari, mobilje, goma, xhama apo çfarëdo mbeturinash të natyrës vëllimore dhe ndërtimore në Kryeqytet, ju lutemi ta lajmëroni Policinë ose Inspekcionin e Komunës në 📞 038 220985

  • Protestë e pazakontë me tortë për të ironizuar vonesat 7-vjeçare të rrugës Gjakovë–Dollc

    Protestë e pazakontë me tortë për të ironizuar vonesat 7-vjeçare të rrugës Gjakovë–Dollc

    Në rrugën Gjakovë–Dollc, një aksion simbolik i pazakontë tërhoqi vëmendjen e qytetarëve të dielën.

    Protestuesi Ideal Zhaveli vendosi një tortë pranë punimeve të rrugës, me mbishkrimin “Urime 7 vjet”, duke ironizuar zvarritjen e gjatë të projektit që ende nuk ka përfunduar.

    Krahas tortës, ai kishte vendosur edhe një balonë me numrin 7 në një tabelë komunikacioni, si simbol i shtatë vjetëve që nga nisja e ndërtimit të kësaj rruge, e cila lidh qytetin e Gjakovës me zonën e Dollcit dhe shërben si segment i rëndësishëm i qarkullimit drejt Prishtinës.

    Projekti ishte paralajmëruar se do të përfundonte në vitin 2024, por edhe në mars të vitit 2026 punimet vazhdojnë dhe fundi i tyre ende nuk duket. Përmes këtij aksioni simbolik, Zhaveli synoi të rikthejë në vëmendje vonesat dhe pakënaqësinë e qytetarëve për gjendjen e rrugës.

    KosovaPress kontaktoi me Ideal Zhavelin dhe sipas tij gjatë viteve ka pasur disa reagime dhe premtime nga institucionet lidhur me përfundimin e rrugës Gjakovë–Dollc, por afatet e paralajmëruara nuk janë realizuar. Ai tha se fillimisht ishte premtuar përfundimi i projektit në vitin 2024, më pas ishte përmendur edhe viti 2025, ndërsa tashmë jemi në vitin 2026 dhe punimet ende nuk kanë përfunduar.

    “Sot bëhen 7 vjet prej kur ka filluar ndërtimi i rrugës Gjakovë–Dollc, apo pjesa që përdoret për rrugën Gjakovë–Prishtinë. Nëse e shohim gjendjen e sotme, ajo është në një gjendje të tmerrshme dhe nuk mund t’i bësh as 5 kilometra pa hasur dëmtime rrugore, madje dëmtime shumë serioze. Rruga nuk ka arritur të përfundojë, pavarësisht se në momentin kur është prerë shiriti është thënë se do të përfundonte për 5 vjet, ndërsa tani janë bërë 7 vjet dhe ende nuk ka përfunduar, madje as nuk i shihet fundi momentalisht”, u shpreh Zhaveli.

    Ai bëri të ditur se aksioni i fundit është pjesë e një serie reagimesh simbolike që ka organizuar në vitet e fundit, duke theksuar se këtë vit është hera e tretë që ndërmerr një iniciativë të tillë, kryesisht në mënyrë individuale.

    “Janë aksione simbolike personale që i kam parë të nevojshme dhe të arsyeshme për të reaguar në këto forma ironike, për shkak se është shumë ironike që një rrugë me më pak se 30 kilometra të zgjasë 7 vite dhe ende të mos përfundojë”, tha Zhaveli.

    Ideal Zhaveli tha se gjatë përpjekjeve për të siguruar dokumente dhe informacione nga institucionet përgjegjëse, komunikimi me institucionet ka qenë i kufizuar.

    Sipas tij, fillimisht nga Ministria e Infrastrukturës i ishte premtuar se dokumentet do të dërgoheshin, por më pas ishte marrë një vendim që ato të mos bëhen publike për shkak të proceseve gjyqësore me një ose disa kompani të përfshira në projekt.

    Ai shtoi se sipas informacioneve që kanë marrë, pritet që të hapen kontrata dhe tenderë të rinj për këtë rrugë.

    Zhaveli paralajmëroi se reagimet mund të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, duke përfshirë edhe profesionistë nga fusha të ndryshme. Ai theksoi se aksioni i së dielës nuk do të jetë i fundit dhe se priten edhe forma të tjera reagimi publik nëse nuk ka zhvillime konkrete në përfundimin e projektit.

  • Zotëria i Parë ftohet nga Melania Trump në Shtëpinë e Bardhë për Samitin FFT

    Zotëria i Parë ftohet nga Melania Trump në Shtëpinë e Bardhë për Samitin FFT

    Me ftesën e Zonjës së Parë të SHBA-ve, Melania Trump, në kuadër të nismës së saj Fostering the Future Together (FFT), Zotëria i Parë i Republikës së Kosovës, Prindon Sadriu, do të marrë pjesë në takimin inaugurues të Koalicionit Botëror të FFT i cili do të mbahet në Shtëpinë e Bardhë dhe në Departamentin amerikan të Shtetit, më 24 dhe 25 mars.

    “Pjesëmarrja e Kosovës në këtë koalicion krijon mundësi të jashtëzakonshme që nxënësit dhe fëmijët tanë të përfitojnë nga projektet, programet dhe inovacionet e kompanive më të njohura amerikane të teknologjisë, përfshirë platforma të avancuara digjitale, inteligjencë artificiale dhe mjete të reja edukative që mbështesin zhvillimin, kreativitetin dhe sigurinë online të tyre, gjithnjë duke vendosur në fokus mbrojtjen dhe mirëqenien e të rinjve dhe fëmijëve”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

    Me iniciativë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, Kosova iu bashkua kësaj nisme ndër shtetet e para në botë, duke dëshmuar përkushtimin për t’u siguruar fëmijëve mbrojtje në epokën e mundësive më të avancuara të botës digjitale.

  • Mbi 44 mijë vetura u importuan më 2025 në Kosovë

    Mbi 44 mijë vetura u importuan më 2025 në Kosovë

    Veturat vazhdojnë të mbeten mallrat më të importuara në Kosovë, çdo vit.

    Madje, me rritje të vazhdueshme e të madhe.

    Me vlerën prej rreth 651 milionë euro, në vitin 2025, janë importuar mbi 16 përqind më shumë vetura se më 2024.

    Bazuar në të dhënat zyrtare të Open Data – Dogana e Kosovës, të analizuara dhe përpunuara nga platforma online AutoNet, në vitin 2025 janë importuar 44,207 vetura, në raport me 37, 954 të sjellura në vitin paraprak.

    Ndërkohë, mbetet shumë e lartë edhe përqindja e veturave të përdorura, kryesisht për shkak të çmimeve më të përballueshme .

    Në këtë rast, 90%, apo 39,877 janë vetura të tilla ndërsa vetëm 10% janë vetura të reja.

    Ndërkohë, Analiza e tregut tregon se veturat me motor dizel vazhdojnë të dominojnë tregun e importeve në Kosovë gjatë vitit 2025, të cilat bashkë me ato benzin mbeten me afro 80 përqind të veturave të importuara:

    Kjo, derisa pjesëmarrja e veturave elektrike dhe PHEV-ve mbetet shumë e ulët, duke reflektuar mungesën e politikave stimuluese dhe infrastrukturës adekuate për këtë segment.

    Përveç veturave për pasagjerë, gjatë vitit 2025 janë importuar edhe automjete për transport mallrash. Edhe në këtë segment vërehet dominim i automjeteve të përdorura, me 98%, çka pasqyron orientimin e bizneseve drejt zgjidhjeve më ekonomike për flotat e tyre.

    Screenshot

  • Martohen Princi Leka II dhe Blerta Celibashi, kremtimi u bë në një ceremoni private

    Martohen Princi Leka II dhe Blerta Celibashi, kremtimi u bë në një ceremoni private

    Princi Leka II, është martuar me Blerta Celibashin, ka njoftuar përmes një komunikate zyrtare Oborri Mbretëror Shqiptar.

    Sipas njoftimit, martesa u kremtua në një ceremoni private, duke ruajtur karakterin e saj intim dhe solemn.

    Fotografia zyrtare e publikuar me këtë rast, u tha se u realizua në Kështjellën Apponyi në Sllovaki.

    “Përzgjedhja e këtij mjedisi historik, rezidencë e familjes fisnike të Lartmadhërisë së Saj Mbretëreshës Geraldinë, u bë për të nderuar trashëgiminë e saj të çmuar dhe origjinën hungareze, e cila mbetet një pjesë e pandarë e historisë së Familjes Mbretërore Shqiptare”, thuhet në njoftim.

    Oborri Mbretëror njoftoi gjithashtu se “pas martesës, Princeshë Blerta do të mbajë mbiemrin e familjes Zogu dhe titullin Princeshë e Shqiptarëve”.

    “Familja Mbretërore e ndan këtë lajm të gëzueshëm me kombin shqiptar dhe me miqtë e saj anembanë botës”, thuhet në fund të njoftimit.

  • Rama: Kurrë s’kam dashur të ndërhyjë në politikën e Kosovës, më është dukur qesharake kur kanë tentuar të ndërhyjnë në Shqipëri

    Rama: Kurrë s’kam dashur të ndërhyjë në politikën e Kosovës, më është dukur qesharake kur kanë tentuar të ndërhyjnë në Shqipëri

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thnë se nuk ka asnjë pozicion në politikën kosovare.

    Ai ka thënë se i është duhur shumë qesharake që është provuar të ndërhyhet në Shqipëri nga politikanë kosovarë.

    Këtë ai e tha në episodin e 10-të të sezonit të gjashtë të podkastit “Flasim” me profesor Arjan Gjonçaj.

    “Unë s’kam fare pozicion atje në Kosovë. Unë s’kam dashur kurrë të ndërhyj në punët e tyre. Më është dukur qesharake kur kanë tentuar të ndërhyjnë këtu. Po tani sikur s’po e bëjnë më se e morën mësimin. Pjesa tjetër pastaj është nevojë për të qenë të drejtë dhe për të qenë vetja”, ka thënë Rama.

  • Milanoviq e çuan të çmendur deklaratën e Vuçiqit se Kroacia, Kosova e Shqipëria po planifikojnë sulm ndaj Serbisë

    Milanoviq e çuan të çmendur deklaratën e Vuçiqit se Kroacia, Kosova e Shqipëria po planifikojnë sulm ndaj Serbisë

    Presidenti kroat Zoran Milanoviq tha sot se është i shqetësuar për armatosjen e Serbisë me armë sulmuese, por shtoi se Kroacia është anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

    “Fakti është se Kina u shiti diçka. Pse po e bën Serbia këtë? Deri në një farë mase, e kuptoj që ata duan të kenë një mbrojtje të fortë, por ata gjithashtu po furnizohen me armë sulmuese”, u tha Milanoviq gazetarëve në Zagreb në lidhje me armatosjen e Serbisë me raketa kineze.

    Ai tha se blerja e armëve është një vendim sovran i Serbisë, por se nuk i është e qartë se çfarë dëshiron të arrijë vendi me këto armë.

    “Kjo gjithashtu më shqetëson, por nga ana tjetër, Kroacia është në NATO dhe BE. Serbia është një vend i izoluar, i rrethuar nga anëtarë të NATO-s. Serbia nuk është e pasur, nuk do të them se është e varfër, por Kroacia është edhe më pak e varfër. Nuk ka financa nga ana e tyre dhe është pak sikur po kërkojnë rrugën e tyre”, tha Milanoviq.

    Presidenti kroat vlerësoi se Serbia “shpenzon shumë, me një dinamikë dhe rend që nuk është shumë i qartë në buxhetin e tyre”, ka raportuar RTCG, transmeton Gazeta Express.

    “Zoti na ruajt nga vijnë të gjitha ato fonde dhe nëse janë paguar të gjitha. Fakti është se Kina u shiti diçka. Ata gjithashtu blenë disa sisteme lufte elektronike nga Rusia, të cilat janë të klasit të parë dhe do të ishin problem për ushtrinë amerikane”, shtoi Milanović.

    Ai gjithashtu vlerësoi se Presidenti serb Aleksandar Vuçiç po bënte deklarata të pazakonta dhe shtoi se më parë kishte paralajmëruar se çdo memorandum midis Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës për bashkëpunim në fushën ushtarake i nënshkruar nga ministri dhe që nuk përfaqëson një marrëveshje ndërkombëtare nuk është një aleancë ushtarake.

    “Dhe ja ku është, dy ditë më parë, duke folur fjalë për fjalë për planin e Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë për të sulmuar Serbinë. Ai është një njeri mjaft interesant. Si, me çfarë, pse duhet të sulmojmë të parët. Ne nuk kemi ushtri për këtë. Atëherë mund të më besoni fjalën time, në fund të fundit, unë vendos për këtë si komandant i përgjithshëm. Ju po më akuzoni se po planifikoj ndonjë sulm mashtrues ndaj Serbisë. Kjo nuk është mirë për t’u dëgjuar, përveçse është budallallëk”, tha Milanović.

  • Hoxhaj: Kur bota përballet me sfida të mëdha, Qeveria e Kosovës po luan me shtetin

    Hoxhaj: Kur bota përballet me sfida të mëdha, Qeveria e Kosovës po luan me shtetin

    Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj është shprehur se Kosova po shndërrohet nga një vend me më pak rend në një vend pa rend fare, siç tha ai, duke rrezikuar të kaplohet nga kaosi dhe anarkia.

    Hoxhaj përmes një postimi në Facebook tha se kur bota përballet me sfida të mëdha, sipas tij, Qeveria e Kosovës po luan me shtetin.

    “Nëse dikush ka menduar se rënia në kaos nuk ndodh menjëherë, e ka pasur gabim. Vitin e kaluar e mbyllëm pa një Kuvend me funksion të plotë dhe pa një Qeveri me mandat demokratik. Pas dy javësh rrezikojmë të mbetemi edhe pa një President legjitim. Periudha kur pas zgjedhjeve ndërtoheshin shpejt institucionet tashmë i përket historisë. Kosova po shndërrohet nga një vend me më pak rend në një vend pa rend fare, duke rrezikuar të kaplohet nga kaosi dhe anarkia”.

    “Në një moment kur bota përballet me sfida të mëdha që përcaktojnë fatin e kombeve, qeveria e Kosovës po luan me shtetin, duke sakrifikuar interesin kombëtar për ego të vogla politike dhe ambicie personale. Kjo nuk është më thjesht krizë politike, por një rrëshqitje e rrezikshme që po e dobëson Kosovën nga brenda dhe jashtë”, tha ai.

    Hoxhaj shkroi gjithashtu se nëse kjo rrugë vazhdon, Kosova rrezikon të mbetet jashtë skenës ndërkombëtare.

    “Historia nuk fal kur një komb humb shansin për të ecur përpara. Nëse kjo rrugë vazhdon, Kosova rrezikon të mbetet jashtë skenës ndërkombëtare, të humbasë vëmendjen e aleatëve dhe mundësitë strategjike për zhvillim dhe integrim. Një shtet nuk mund të mbijetojë pa institucione funksionale, pa rend politik dhe pa besim tek aleatët e tij”, ka shkruar Hoxhaj.

  • Rregulla të forta për plazhet e shqiptare, gjoba deri në 4 mijë euro në rastet kur prishet kontrata

    Rregulla të forta për plazhet e shqiptare, gjoba deri në 4 mijë euro në rastet kur prishet kontrata

    Qeveria shqiptare ka hedhur një hap të ri në formalizimin dhe rritjen e standardeve të turizmit elitar në vend.

    Përmes Vendimit të Këshillit të Ministrave të miratuar së fundmi, i cili me botimin në Fletoren Zyrtare ka hyrë në fuqi zyrtarisht, është zbardhur modeli tip i marrëveshjes që do të lidhet mes Agjencisë Kombëtare të Bregdetit (AKB) dhe investitorëve strategjikë për përdorimin e brigjeve të deteve, liqeneve apo lumenjve si stacione plazhi.

    Ky dokument i ri ligjor vendos një standard të panjohur më parë për menaxhimin e hapësirave publike nga subjektet private, duke u fokusuar fort te siguria e pushuesve, mbrojtja e mjedisit dhe garantimi i të ardhurave për pushtetin lokal.

    Të ardhurat shkojnë për Bashkitë

    Ndonëse kontrata nënshkruhet me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit, përfituesit financiarë të këtyre marrëveshjeve do të jenë drejtpërdrejt Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore (Bashkitë) ku ndodhet investimi.

    Sipas vendimit, pagesa vjetore e tarifës do të përllogaritet bazuar në tarifat e miratuara nga Këshilli Bashkiak dhe do të fillojë të vilet në momentin që hoteli apo resorti vihet në funksion. Për të shmangur zhvlerësimin, kjo tarifë do të indeksohet çdo vit bazuar në normën e inflacionit të shpallur nga INSTAT. Investitorët kanë afat 30 ditë për të shlyer faturën çdo muaj tetor; në të kundërt, ata do të përballen me kamatëvonesa dhe rrezikojnë prishjen e kontratës.

    Standarde të larta sigurie

    Një nga pikat që bie në sy dhe rigoroze të VKM-së së re është Shtojca 1, e cila përcakton standardet e Kullës së Vrojtimit dhe Kutisë së Ndihmës së Shpejtë. Investitorët strategjikë nuk mund të mjaftohen më me një roje plazhi të thjeshtë.

    Ata detyrohen të punësojnë vrojtues të certifikuar gjatë gjithë sezonit dhe të pajisin stacionin me mjete shpëtimi profesionale, përfshirë barela pluskuese, bovë “bayëatch” dhe dylbi. Për më tepër, kutia e ndihmës mjekësore kërkohet të jetë në nivelin e një mini-reanimacioni, duke përfshirë detyrimisht: bombola oksigjeni, pajisje reanimimi për frymëmarrjen, si dhe ampula adrenaline për rastet e shokut anafilaktik.

    Gjobat dhe prishja e kontratës

    Për çdo shkelje të kushteve, qeveria ka parashikuar penalitete të rrepta financiare, të cilat do të derdhen 100% në Buxhetin e Shtetit. Disa nga gjobat kryesore përfshijnë:

    400,000 Lekë (≈ 4,160 €) për përsëritjen e mungesës së vrojtuesit të plazhit (200,000 Lekë ≈ 2,080 € për herën e parë).

    200,000 Lekë (≈ 2,080 €) për moszbatimin e kushteve të sigurisë, higjienës, apo për ndotjen e mjedisit.

    150,000 Lekë (≈ 1,560 €) nëse subjekti ushtron veprimtari jashtë sipërfaqes së përcaktuar në kontratë.

    Nëse investitori dështon të paguajë tarifat ose heq dorë nga investimi strategjik, AKB ka të drejtë të zgjidhë marrëveshjen. Në këtë rast, subjekti detyrohet ta kthejë plazhin në gjendjen fillestare me shpenzimet e veta dhe shteti nuk merr përsipër asnjë kompensim financiar për investimet e kryera në infrastrukturën e plazhit./RTSH