ATV

Author: K.B.

  • Bajrami i ankohet Sorensenit për deklaratën e ministres serbe: Ajo e foli zëshëm atë që e mendon Vuçiq

    Bajrami i ankohet Sorensenit për deklaratën e ministres serbe: Ajo e foli zëshëm atë që e mendon Vuçiq

    Ambasadori i Kosovës në Bruksel dhe kreu i ekipit negociator, Agron Bajrami, tha se e ka ngritur për diskutim me emisarin e BE-së, Peter Sorensen, deklaratën e ministres serbe për spastrim etnik.

    Bajrami shkroi se ajo e ka thënë zëshëm atë që e mendon presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

    “Unë kam adresuar zyrtarisht me emisarin Sorensen deklaratën alarmuese të një ministre serbe që mbështet hapur spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë. Ministrja serbe tha atë që mendon Presidenti serb- ajo thjesht nuk duhej ta kishte thënë me zë të lartë, ndërsa ai tani përpiqet të kontrollojë dëmet”, shkroi Bajrami.

    “Deklarata dhe sjellje të tilla nga zyrtarët serbë përfaqësojnë një shkelje të qartë të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2023, preambula e së cilës i angazhon Palët të “kapërcejnë trashëgiminë e së kaluarës” dhe njeh se “paprekshmëria e kufijve dhe respekti për integritetin dhe sovranitetin territorial… janë një kusht themelor për paqen”.”

    “Kjo retorikë dëmton seriozisht dialogun, besimin dhe normalizimin e BE-së bazuar në njohjen dhe respektin reciprok. Distancimi i Serbisë është thjesht premtime boshe – jo pendim i sinqertë apo refuzim i krimeve të epokës së Millosheviqit. Kosova mbetet e përkushtuar ndaj procesit, por vetëm nëse parimet e tij themelore mbështeten vazhdimisht. Çfarë vlere ka të flasësh për zbatim kur Serbia vazhdon të shkelë Marrëveshjet me fjalë dhe vepra?”, shtoi ambasadori Agron Bajrami.

  • ShBA ndryshon rregullat e vizave për studentët e huaj dhe gazetarët

    ShBA ndryshon rregullat e vizave për studentët e huaj dhe gazetarët

    Administrata e presidentit Donald Trump ka ndërmarrë një tjetër hap për të ashpërsuar politikën e emigracionit, duke kufizuar kohëzgjatjen e vizave për studentët e huaj, pjesëmarrësit në programet e shkëmbimit kulturor dhe gazetarët e huaj.

    Sipas një rregulloreje të re përfundimtare të publikuar nga Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare (DHS), vizat F për studentët ndërkombëtarë, vizat J për programet e shkëmbimit kulturor dhe vizat I për gazetarët nuk do të jenë më të vlefshme për gjithë kohëzgjatjen e studimeve apo punësimit në ShBA, por do të kenë një afat të caktuar.

    Rregullorja do të hyjë në fuqi 60 ditë pas publikimit në Regjistrin Federal, me kusht që të kalojë procesin e shqyrtimit në Kongres.

    Masa është pjesë e politikës më të gjerë të administratës Trump për forcimin e kontrollit ndaj emigracionit, e nisur pas rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025.

    Sipas autoriteteve amerikane, ndryshimet synojnë të rrisin mbikëqyrjen ndaj vizitorëve të huaj që qëndrojnë në ShBA.

    Sipas rregullores së re, vizat për studentët dhe pjesëmarrësit në programe shkëmbimi do të kenë një afat maksimal prej katër vitesh.

    Ndërsa vizat për gazetarët e huaj, të cilat deri më tani mund të zgjasnin për disa vite, do të kufizohen në 240 ditë, ose 90 ditë për shtetasit kinezë, shkruan Reuters.

    Megjithatë, mbajtësit e këtyre vizave do të kenë mundësinë të aplikojnë për zgjatjen e qëndrimit.

    DHS argumenton se vendimi vjen si pasojë e rritjes së ndjeshme të numrit të vizitorëve.

    Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2024 u regjistruan mbi 1.8 milionë hyrje me viza studentore, një rritje prej më shumë se 11% krahasuar me një vit më parë.

    Po ashtu, gjatë vitit fiskal 2024, Shtetet e Bashkuara lëshuan viza për më shumë se 500 mijë pjesëmarrës në programe shkëmbimi dhe 37.300 gazetarë të huaj.

    Departamenti i Sigurisë Kombëtare thekson se rritja e numrit të këtyre vizitorëve e ka bërë më të vështirë monitorimin dhe mbikëqyrjen e tyre gjatë qëndrimit në ShBA.

    Sipas institucionit, janë evidentuar edhe raste të studentëve dhe pjesëmarrësve në programe shkëmbimi që kanë qëndruar në vend për dekada të tëra me të njëjtin status.

    Sipas rregullores së re, personat që dëshirojnë të qëndrojnë në SHBA edhe pas përfundimit të afatit të vizës do të duhet të aplikojnë pranë DHS për zgjatjen e saj ose të dalin nga territori amerikan dhe të rikthehen me një leje të re hyrjeje.

  • Mali i Zi heq regjimin pa viza për rusët

    Mali i Zi heq regjimin pa viza për rusët

    Mali i Zi ka vendosur t’i japë fund regjimit të udhëtimit pa viza për qytetarët e Rusisë, duke bërë që nga 1 tetori shtetasit rusë të kenë nevojë për vizë për të hyrë në këtë vend.

    Sipas medias malazeze DAN, përveç Rusisë, vendimi prek edhe qytetarët e Bjellorusisë dhe Perusë, të cilët gjithashtu nuk do të mund të udhëtojnë më pa viza drejt Malit të Zi.

    Me këtë vendim përfundon një periudhë gati 18-vjeçare e lëvizjes pa viza mes Rusisë dhe Malit të Zi, një regjim që ka lehtësuar ndjeshëm ardhjen e turistëve rusë dhe ka bërë që Mali i Zi të jetë një nga destinacionet më të frekuentuara nga vizitorët nga Rusia në Ballkan.

    Ndryshimi vjen në kuadër të përpjekjeve të Malit të Zi për të harmonizuar politikën e tij të vizave me standardet e Bashkimit Evropian, si pjesë e procesit të integrimit evropian të vendit.

    Për vite me radhë, turistët rusë kanë përbërë një pjesë të rëndësishme të sektorit turistik malazez, veçanërisht gjatë sezonit veror. Heqja e regjimit pa viza pritet të ndikojë në mënyrën e udhëtimit të qytetarëve rusë, të cilët tani do të duhet të përmbushin procedura shtesë për marrjen e vizave.

    Vendimi gjithashtu shënon mbylljen e një prej kanaleve më të lehta të hyrjes së turistëve rusë në Evropë, pasi Mali i Zi për një kohë të gjatë ka qenë një nga destinacionet ku ata mund të udhëtonin me më pak kufizime.

  • Leonora Jakupi kujton babanë dëshmor: Sa mall kam për ty, krenaria jonë

    Leonora Jakupi kujton babanë dëshmor: Sa mall kam për ty, krenaria jonë

    ëngëtarja e njohur, Leonora Jakupi, ka prekur ndjekësit me disa postime emocionale në rrjetet sociale, në përkujtim të babait të saj, dëshmorit Qazim Jakupi, në 28-vjetorin e rënies së tij.

    Artistja publikoi fillimisht një fotografi të vjetër familjare, të cilën e shoqëroi me fjalët: “Sa mall kam për ty, Engjëlli im bab”.

    Në një tjetër postim, Leonora ndau një fotografi të babait të saj me uniformë, krahas së cilës shkroi: “Ditët e vitet kalojnë e ti vazhdon të mbetesh i freskët në kujtimet e mia”.

    “Dora jote akoma përkëdhel flokun tim nga lart! Ti, heroi im, të qoftë i lehtë dheu i Kosovës”, theksoi ndër tjerash.

    Artistja nga Drenica publikoi edhe një foto nga varri i babait, të stolisur me lule të bardha, ku shkroi: “Sot 28 vite pa ty bab, ti mburrja dhe krenaria jonë”.

    Jakupi nuk e ka fshehur asnjëherë krenarinë për babanë e saj, dëshmorin, duke e kujtuar çdo vit me mesazhe prekëse.

    Edhe këtë herë, fjalët e saj emocionuan ndjekësit, të cilët i shprehën mbështetje dhe respekt për kujtimin e tij.

  • Policia konfirmon vdekjen e gruas që ra nga ndërtesa në Podujevë – nisin hetimet për sqarimin e rastit

    Policia konfirmon vdekjen e gruas që ra nga ndërtesa në Podujevë – nisin hetimet për sqarimin e rastit

    Një grua ka vdekur në Podujevë si pasojë e rënies nga një ndërtesë.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, i cili tha se vdekja e viktimës u konfirmua në vendngjarje.

    “Sot rreth orës 14:00, kemi pranuar informatën se në rrugën “Ilir Konushevci” në Podujevë, një person ka rënë nga një lartësi (objekt). Viktima nuk ka arritur të përballojë plagët dhe ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”.

    Pllana tha se policia në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë duke zhvilluar hetimet lidhur me sqarimin e rrethanave të rastit.

  • Vdes pjesëtari i Policisë së Kosovës Shefkat Llutfiu

    Vdes pjesëtari i Policisë së Kosovës Shefkat Llutfiu

    Sindikata e Policisë së Kosovës ka njoftuar për vdekjen e policit, Shefkat Llutfiu.

    Njoftimi i plotë:

    Telegram ngushëllimi!

    Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të zyrtarit policor Shefkat Llutfiu.

    Në emër të Sindikatës së Policisë së Kosovës, shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, kolegëve dhe miqve të të ndjerit. Kujtimi dhe kontributi i tij në shërbim të qytetarëve do të mbeten gjithmonë të respektuara.

    Qoftë i përjetshëm kujtimi për të.

  • Ukraina me kryeministër të ri

    Ukraina me kryeministër të ri

    Parlamenti i Ukrainës (Verhovna Rada) ka konfirmuar emërimin e Serhii Koretskyi, si kryeministrin e ri të vendit. Për zgjedhjen e tij votuan 289 deputetë.

    Koretskyi vjen në krye të qeverisë nga posti i drejtorit ekzekutiv të kompanisë shtetërore të energjisë Naftogaz, ndërsa më parë drejtoi edhe Ukrnafta, prodhuesin më të madh të naftës në Ukrainë.

    Ai nuk ka ndërtuar karrierë politike, por ka më shumë se dy dekada përvojë në sektorin privat, shkruajnë mediat.

    Presidenti Volodymyr Zelensky ka bërë të ditur se prioritetet e qeverisë së re do të jenë përgatitja për dimrin e ardhshëm, mbrojtja e infrastrukturës energjetike, stabilizimi i ekonomisë dhe menaxhimi më efikas i ndihmës ndërkombëtare.

    Para deputetëve, Koretskyi tha se qeveria do të përqendrohet në furnizimin e plotë të forcave të armatosura, forcimin e industrisë ushtarake, mbështetjen e qytetarëve dhe sistemit social, veçanërisht për banorët pranë vijës së frontit.

    Ai theksoi se përgatitja për sezonin e ngrohjes dhe ruajtja e stabilitetit ekonomik do të jenë ndër detyrat kryesore, krahas thellimit të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe zbatimit të programeve të strehimit.

    Në fund të vitit 2022, ai mori drejtimin e Ukrnafta dhe Ukrtatnafta, duke i kthyer kompanitë nga humbjet shumëvjeçare në fitime rekord, me rritje të prodhimit dhe modernizim të aseteve.

    Në vitin 2025 ai u emërua në krye të Naftogaz, ku rriti rezervat e gazit në mbi 13 miliardë metra kub dhe siguroi miliarda euro financim nga institucionet financiare ndërkombëtare, megjithëse planet për rritjen e prodhimit u penguan nga sulmet ruse.

    Tashmë, sfida më e madhe për kryeministrin e ri do të jetë të dëshmojë se mund ta zbatojë përvojën e tij menaxheriale në drejtimin e Ukrainës gjatë kohës së luftës, duke siguruar njëkohësisht mbështetje politike dhe bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

  • Deklarata e Paunoviqit, eurodeputeti çek kërkon përjashtimin e Serbisë nga negociatat me BE-në

    Deklarata e Paunoviqit, eurodeputeti çek kërkon përjashtimin e Serbisë nga negociatat me BE-në

    Eurodeputeti çek, Tomáš Zdechovský, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministres serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, duke e cilësuar atë si të papranueshme dhe duke kërkuar pasoja në procesin e integrimit evropian të Serbisë.

    Zdechovský tha se ishte i tronditur nga ajo që dëgjoi nga ministrja serbe, duke theksuar se retorika e saj është e papajtueshme me vlerat mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian.

    “Isha plotësisht i shokuar nga ajo që dëgjova nga ministrja e Serbisë. Nuk ishte vetëm tronditje, por diçka krejtësisht e papranueshme. Nëse kjo grua është vërtet ministre, ne duhet ta nxjerrim Serbinë nga negociatat”, deklaroi eurodeputeti çek.

    Ai e krahasoi deklaratën e Paunoviqit me relativizimin e krimeve naziste pas Luftës së Dytë Botërore.

    “Është sikur dikush, pasi viziton Aushvicin pas Luftës së Dytë Botërore, të thotë se Hitleri ishte zgjidhja më e mirë për çështjen hebraike. Kjo është plotësisht e papranueshme”, u shpreh Zdechovský.

    Sipas tij, Bashkimi Evropian duhet të japë një mesazh të qartë se askush që përdor një retorikë të tillë nuk mund të bëhet pjesë e bllokut evropian.

    “Duhet të dërgojmë një mesazh të qartë: askush me këtë lloj retorike nuk do t’i bashkohet Bashkimit Evropian”, theksoi ai.

    Deklaratat e Zdechovskýt vijnë pas reagimeve të shumta ndërkombëtare ndaj ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila është kritikuar gjerësisht për deklaratat e saj lidhur me Kosovën, të cilat janë cilësuar si nacionaliste dhe nxitëse.

  • ​Kamberi: Deklaratat e ministres serbe kanë krijuar frikë dhe pasiguri te shqiptarët në Luginë të Preshevës

    ​Kamberi: Deklaratat e ministres serbe kanë krijuar frikë dhe pasiguri te shqiptarët në Luginë të Preshevës

    Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka deklaruar se qëndrimet e ministres serbe Snezhana Paunoviq kanë shkaktuar shqetësim dhe ndjenjë pasigurie te shqiptarët në Luginën e Preshevës.

    Më 12 korrik 2026, gjatë një interviste të dhënë medias serbe “Kurir”, në cilësinë e ministres në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviq ka deklaruar: “Po të isha unë Sllobodan Millosheviq do ta kisha bërë spastrimin etnik të Kosovës në vitin 1998.”

    Sipas Kamberit, edhe pse Paunoviq nuk ka kompetenca për të ndërmarrë veprime në Kosovë, deklaratat e saj kanë ndikim të drejtpërdrejtë te komuniteti shqiptar në Luginë, veçanërisht sa i përket ndjenjës së sigurisë dhe qetësisë.

    Kamberi ka theksuar se pozita institucionale e ministres, e cila mbulon fusha që lidhen me administratën publike dhe regjistrat qytetarë e zgjedhorë, rrit shqetësimet te shqiptarët në Luginën e Preshevës. Ai ka paralajmëruar se çdo politikë që mund të ndikojë në statusin e qytetarëve apo në përbërjen demografike të zonës do të shihej si kërcënim serioz.

    “Zonja Paunoviq duke mos pasur as kompetencën më të vogël me bë diçka në Kosovë. Por deklarata e saj drejtpërdrejt reflekton mbi ndjenjat, mbi sigurinë, mbi qetësinë e shqiptarëve këtu në Luginë të Preshevës. Sepse nëse ambicia e saj është të shpërngulë dy milionë shqiptarë të Kosovës, ajo si ministre e pushtetit lokal, e cila mbikëqyr regjistrat zgjedhorë, e cila statusin e qytetarëve e mbikëqyr atje në ministrinë e saj, e ka më lehtë politikën e saj të spastrimit etnik ta zbatojë në Luginë të Preshevës… Po sigurisht që kur vjen nga një ministre, përgjegjëse për shumë të drejtat qytetare, nga një qeveri e cila hesht, nga presidenti i cili mundohet të relativizojë deklaratën e saj dhe nga kryetari i Partisë Socialiste që njëkohësisht është edhe zëvendëskryeministër edhe ministër i Punëve të Brendshme, vendi për frikë është i realshëm. Prandaj edhe, edhe shqetësimet edhe te unë edhe te Luginës së Preshevës dhe te shqiptarët këtu… Është deklaratë që nxit shqetësime, por ne nuk do të dorëzohemi para çfarëdo kërcënimi që mund të vijë nga Beogradi, qoftë ai i vërtetë apo imagjinar. Sepse kërcënimet e saj ndaj Kosovës janë vetëm imagjinare, Luginën e Preshevës ka kompetenca për të bërë veprime antinjerëzore, anticivilizuese, dhe që mund të çojnë në zvogëlimin e numrit të shqiptarëve. Por kjo nuk do të thotë se ne, pavarësisht deklaratave që vijnë nga Beogradi, do të dorëzohemi. Beteja jonë politike vazhdon, beteja jonë për të drejta ka me vazhdu, e do të duhet të jemi edhe më të ashpër edhe më këmbëngulës në kërkesat e tona që janë të drejta dhe që janë në mënyrë absolute konform atyre parimeve që e përbëjnë fundamentin e Bashkimit Evropian”, thotë ai.

    Ai tha se pavarësisht deklaratave të presidentit serb Aleksandër Vuçiq për distancim nga qëndrimet e Paunoviçit, përpjekjet për relativizimin e tyre tregojnë, sipas tij, se një pjesë e establishmentit politik serb nuk është shkëputur plotësisht nga trashëgimia politike e viteve ’90.

    “Tregon një mendësi të pandryshuar, një mendësi që i vjen keq që Millosheviqi nuk e kryejti punën, prandaj edhe është ndërruar. Jo një mendësi e cila nuk e ka përllogaritur gjithë ato që kanë kaluar, gjithë ato që janë zhvilluar dhe dëmin që vetë Serbia e ka pasur nga ato luftëra të përgjakshme, nuk e sheh se gabimi ka qenë fatal në radhë të parë për serbët. Por kjo flet se qeveria e Serbisë, aktualisht, edhe pse kemi zëra edhe nga presidenti dhe nga kryeministri të cilët distancohen në një formë nga deklarata e zonjës Paunoviq, duke tentuar ta relativizojnë deklaratën e saj, dëshmojnë se ata nuk janë larguar nga mendësia e Millosheviqit. Në fakt edhe Vuçiq, edhe Daçiq, janë bijtë politikë të liderëve si Millosheviqi dhe Shesheli dhe nuk mund të pritet diçka më konkrete nga një establishment i tillë që në Serbi për vite me radhë po e mohon politikën gjenocidale që ky shtet e ka bërë në vitet ’90, duke e relativizuar krimet, duke mohuar gjenocidin në Srebrenicë, duke mohuar të gjitha krimet që janë kryer në Kosovë dhe duke tentuar që t’i baraspeshojnë të gjitha ato luftëra që kanë ndodhur, me fajin e dhe të tjerëve, jo vetëm të Serbisë”, shton ai.

    Kamberi bën të ditur se veçse ka nisur procedurat për shkarkimin e ministres serbe Snezhana Paunoviq.

    Ai deklaron se po synon mbledhjen e mbështetjes nga deputetë opozitarë të partive pro-evropiane, të cilët do t’i bashkoheshin kërkesës së grupit të tij parlamentar për largimin e ministres nga qeveria.

    Sipas tij, vendimi për shkarkimin e Paunoviçit nuk varet vetëm nga procedura parlamentare, por edhe nga vlerësimi politik i presidentit serb Aleksandar Vuçiq për dëmin që mund t’i shkaktojë qeverisë qëndrimi i saj në detyrë.

    Kamberi ka thënë se një faktor i rëndësishëm do të jetë edhe reagimi i Bashkimit Evropian, duke kërkuar që qëndrimi i BE-së të jetë më konkret dhe jo vetëm në formë deklaratash.

    “ Po mund të ndodhë, mund të ndodhë shkarkimi. Unë kam nisur procedurën. Shpresoj sot shumë të arrijmë të mbledhim një numër të konsiderueshëm të nënshkrimeve të deputetëve opozitarë të partive pro-evropiane, të cilët i bashkëngjiten kërkesës së grupit tim parlamentar për shkarkimin e saj. Por, a do ta shkarkojnë apo jo, varet nga vlerësimi që Vuçiq do ta bëjë te çfarë dëmi dhe sa dëm mund t’i sjellë qëndrimi i saj edhe më gjatë në qeveri. Pra, thjesht ajo varet nga një vlerësim që Vuçiq do të duhet ta ketë, dhe nga reagimet, në radhë të parë, të Bashkimit Evropian që duhet të vijnë. A do të jenë ato reagime si të herave të kaluara, kur zonja Bërnabiq pat deklaruar se shqiptarët janë njerëz që kanë zbritur nga mali, pati disa reagime të vakëta por jo një reagim konkret, a do të jetë reagimi i BE-së me një deklaratë, siç ju thashë dje, apo do të ketë edhe kërkesa konkrete për shkarkimin e saj…Unë pres që Bashkimi Evropian të luftojë për fundamentet që e ndërtojnë këtë. E kjo është në radhë të parë, gjykimi i ashpër dhe intoleranca zero ndaj politikave që promovojnë spastrimin etnik, krimet e luftës, glorifikojnë kriminelët e luftës, që glorifikojnë krimet e luftës dhe që mohojnë gjenocidin dhe ato krime që janë kryer”, thekson Kamberi.

    Ai thotë se skenën politike serbe ka pak figura që mbajnë qëndrime të ndryshme nga ato të ministres Snezhana Paunoviq.

    Sipas Kamberit, një pjesë e opozitës parlamentare serbe, veçanërisht ajo që kundërshton integrimin në Bashkimin Evropian dhe favorizon afrim më të madh me Rusinë, ka qasje të ngjashme me pushtetin aktual sa i përket trajtimit të së kaluarës së luftës dhe krimeve të viteve ’90.

    Kamberi ka thënë se deklaratat e Paunoviqit nuk kanë qenë thjesht reagime emocionale, por, sipas tij, kanë shprehur hapur një bindje që ekziston te një pjesë e politikës serbe.

    “mjerisht, në politikë pak ka njerëz në Serbi që mendojnë ndryshe nga zonja Paunoviq. Një pjesë e opozitës, e cila është parlamentare, e cila është kundër integrimeve në BE, është për bashkëpunim me Rusinë, është e ngjashme me atë që pushteti promovon për vite, që e thashë te mohimi i krimeve të luftës. Dhe zonja Paunoviq nuk ka folur me emocione, ajo ka folur ndoshta me sinqeritetin më të madh për atë çfarë mendon ajo dhe një pjesë e madhe e kësaj qeverie aktuale dhe e qeverive të ndryshme që Serbia ka pasur ndër vite”, përfundon ai.

  • Aksion i përbashkët me autoritetet amerikane, arrestohet në Prizren i dyshuari për krim kibernetik

    Aksion i përbashkët me autoritetet amerikane, arrestohet në Prizren i dyshuari për krim kibernetik

    Një person është arrestuar në rajonin e Prizrenit nën dyshimin se ka siguruar në mënyrë të paautorizuar të dhëna të kartelave bankare dhe informacione personale të shtetasve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat më pas i ka publikuar në platforma online për keqpërdorim.

    Sipas një komunikate të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, aksioni është zhvilluar nga Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike, në koordinim me Prokurorinë Speciale dhe me urdhër të Gjykatës.

    Autoritetet bëjnë të ditur se hetimi është realizuar në bashkëpunim me autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Sipas dyshimeve, i arrestuari, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, ka siguruar në mënyrë të paautorizuar të dhëna të kartelave bankare dhe të dhëna personale, kryesisht të shtetasve amerikanë, të cilat më pas i ka vënë në dispozicion për keqpërdorim duke i publikuar në platforma të caktuara online.

    Gjatë kontrollit në një lokacion në rajonin e Prizrenit janë sekuestruar prova relevante që lidhen me rastin.

    Me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet janë duke vazhduar. Policia dhe Prokuroria kanë bërë të ditur se veprimet e mëtejshme do të ndërmerren në koordinim me autoritetet amerikane.