ATV

Author: K.B.

  • Konfirmohet nga MSh-ja: Te pacientët në rastin e “Sach Pizza” u gjet Salmonella

    Konfirmohet nga MSh-ja: Te pacientët në rastin e “Sach Pizza” u gjet Salmonella

    Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar se në mostrat e marra nga pacientët që dyshohet se u helmuan pas konsumimit të ushqimit në “Sach Pizza” është identifikuar bakteri Salmonella, ndërsa në mostrate të marra më pas nga ambientet e restoranteve nuk është gjetur prania e këtij bakteri.

    “Në mostrat e pacientëve është konfirmuar bakteria Salmonella Enteritidis. Mostrat e ushqimit dhe strishot e ambientit kanë rezultuar negative”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

    Megjithatë, MSH thekson se mungesa e Salmonellës në mostrat e ushqimit të marra gjatë kontrollit nuk e përjashton mundësinë që burimi i infeksionit të ketë qenë ushqimi i kontaminuar më herët.

    “Mungesa e Salmonellës në mostra në momentin e kontrollit nuk e përjashton mundësinë që burimi i infeksionit të ketë qenë ushqimi i kontaminuar më herët. Të dhënat epidemiologjike tregojnë lidhje të fortë me këtë operator”, thuhet në përgjigjen për Insajderin.

    Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës deri më 14 korrik janë identifikuar 74 raste helmimi të lidhura epidemiologjikisht me konsumimin e ushqimit në disa pika të “Sach Pizza’s”.

    Nga këto raste, 29 pacientë janë hospitalizuar, ndërsa 45 janë trajtuar në mënyrë ambulatore. Pacientët kanë shfaqur simptoma si barkqitje, të vjella, ethe, temperaturë dhe plogështi.

    Nga ana tjetër, Sach Pizza ka kundërshtuar pretendimet se ushqimi i saj ka qenë i kontaminuar. Në një deklaratë për media, kompania ka bërë të ditur se në mostrat ushqimore të analizuara nga institucionet kompetente nuk është identifikuar Salmonella.

    Ky rast është duke u hetuar nga Prokuroria dhe Policia.

  • Kryeziu: Shtyrja e seancës konstituive është qesharake dhe e papërgjegjshme

    Kryeziu: Shtyrja e seancës konstituive është qesharake dhe e papërgjegjshme

    Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka thënë se mosthirrja e seancës konstituive të Kuvendit dhe arsyetimi i presidentes në detyrë, Albulena Haxhiu, se partive politike duhet t’u lihet edhe më shumë kohë për negociata është sa qesharak, aq edhe i papërgjegjshëm ndaj qytetarëve.

    “Për më tepër, partitë kanë pasur kohë sa të duash për të negociuar dhe mund të vazhdojnë të negociojnë edhe pas konstituimit të Kuvendit. Nuk mund të mbahet peng përmbushja e një detyrimi kushtetues me arsyetimin se duhen edhe më shumë bisedime. Ndërkohë, vendi vazhdon, prej afro dy vitesh, të funksionojë me institucione në detyrë dhe me zgjidhje të improvizuara. Nëse gati dy vjet, së bashku me tri palë zgjedhje të mbajtura, nuk po mjaftojnë për të arritur qoftë edhe një marrëveshje minimale, sa kohë tjetër u duhet? Dhe me çfarë arsyetimi?”, ka shkruar ai në “Facebook”.

    Kryeziu ka thënë se po aq e papërgjegjshme është edhe qasja e partive opozitare. “Deri më tani, ato nuk kanë bërë asnjë kërkesë publike dhe asnjë veprim konkret për konstituimin sa më të shpejtë të Kuvendit. Kjo situatë, së bashku me paaftësinë për të tejkaluar interesat partiake dhe individuale, po e normalizon një perceptim, se kjo klasë politike, këta akterë aktual, nuk kanë as kapacitetin dhe as përgjegjësinë për të ndërtuar, funksionalizuar dhe mirëmbajtur institucionet e një shteti demokratik. Shkalla e zhvillimit demokratik nuk matet vetëm me organizimin e zgjedhjeve, por edhe me aftësinë për ta shndërruar vullnetin e qytetarëve në institucione funksionale, efektive dhe llogaridhënëse”, ka thënë Kryeziu.

  • Manaj: Po verifikohen nënshkrimet, ka urgjencë për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të LDK-së

    Manaj: Po verifikohen nënshkrimet, ka urgjencë për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të LDK-së

    Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shkëmb Manaj, ka deklaruar se takimi që po mbahet në selinë e partisë është një takim i brendshëm, ndërsa procesi i verifikimit të nënshkrimeve për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm ende është në zhvillim, raporton Ekonomia Online.

    “Është takim i brendshëm. Është çështje e vendimit tash deri sa të verifikohen (nënshkrimet)”, tha Manaj.

    I pyetur nëse ekziston urgjencë për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të LDK-së, për shkak të situatës politike në vend dhe zhvillimeve brenda partisë, Manaj u përgjigj shkurt: “Po”, tha ai.

  • Ministria e Sportit dhe Rinisë ndan afro 400 mijë euro për bileta aeroplani

    Ministria e Sportit dhe Rinisë ndan afro 400 mijë euro për bileta aeroplani

    Ministria e Sportit dhe Rinisë ka dhënë kontratën për ofrimin e shërbimeve të transportit ajror, përkatësisht furnizimin me avio-bileta për nevojat e udhëtimeve zyrtare të stafit të saj, në vlerë prej 399,741.26 euro.

    Sipas njoftimit për dhënie të kontratës, operatori ekonomik fitues është “AS TRAVEL CLUB SH.P.K.”, ndërsa kontrata është paraparë të nënshkruhet të enjtën.

    Kontrata është realizuar përmes një procedure të hapur, me kriter për përzgjedhje çmimin më të ulët, ndërsa në garë kanë marrë pjesë dy operatorë ekonomikë.

    Bëhet fjalë për një marrëveshje kornizë 36-mujore, e cila synon të sigurojë furnizimin me bileta avioni për udhëtimet zyrtare të Ministrisë. Në dokument thuhet se relacionet e udhëtimeve nuk mund të përcaktohen paraprakisht, pasi ato varen nga nevojat institucionale.

    Vlera e kontratës prej 399,741.26 euro është e afërt me vlerën e parashikuar të prokurimit, e cila ishte 400 mijë euro.

  • Deklarata e ministres serbe, Balla nga Kuvendi: Reagimi i qeverisë shqiptare ishte në kohë

    Deklarata e ministres serbe, Balla nga Kuvendi: Reagimi i qeverisë shqiptare ishte në kohë

    Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, sërish e ka dënuar deklaratën e ministres serbe, Snezhana Paunoviq, duke e cilësuar atë si të turpshme dhe të papranueshme.

    Paunoviq, në një intervistë, ishte shprehur se nëse do të ishte në vend të Sllobodan Millosheviçit, do ta kishte “pastruar etnikisht” Kosovën në vitin 1998.

    Balla që për këtë deklaratë kishte reaguar ditë më parë, kurse të enjten ka folur edhe në foltoren e Kuvendit të Shqipërisë.

    Ai ka thënë se qeveria shqiptare ka reaguar në kohë dhe se Shqipëria nuk tallet me çështjet kombëtare.

    “Një deklaratë jo vetëm e papërgjegjshme, por indinjuese, e rëndë. Reagimi i qeverisë shqiptare ka qenë në kohë. Ne nuk tallemi me çështjet kombëtare dhe me qëndrimin e mbajtur në nivelin e qeverisë nga ministri i Jashtëm dhe në nivel politik.”, ka thënë Balla.
    Ai ka thënë se deklarata e ministres serbe është dënuar edhe nga autoritetet politike dhe përfaqësuesit me të cilët komunikojnë në Komisionin Evropian në të gjitha nivelet.

    “Shqipëria, kur reagon, reagon bashkë me aleatët e vet.”, ka thënë Balla.
    Ai ka thënë se Edi Rama mbetet i vetëm kryeministër që çështjen e Kosovës e ka ngritur edhe në mes të Beogradit.

    “Sa i përket Edi Ramës, është i vetmi kryeministër i këtij vendi i cili çështjen e Kosovës e ka ngritur në mes të Beogradit, duke deklaruar se Kosova është shtet i pavarur dhe se Shqipëria mbështet fuqimisht pavarësinë dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe BE”, është shprehur Balla.

  • Rreth 68 milionë euro të zotuara për Kosovën nga Zvicra, Kurti falënderon ambasadorin Sprecher

    Rreth 68 milionë euro të zotuara për Kosovën nga Zvicra, Kurti falënderon ambasadorin Sprecher

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim lamtumirës ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Jurg Sprecher, me rastin e përfundimit të mandatit të tij në Republikën e Kosovës.

    Kurti ka falënderuar ambasadorin zviceran për bashkëpunimin dhe kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.

    “E falënderova për bashkëpunimin e afërt dhe kontributin e çmuar në kultivimin e marrëdhënieve të shkëlqyeshme dhe forcimin e partneritetit ndërmjet dy shteteve”, ka shkruar Kurti.

    Kryeministri theksoi se Zvicra ka qenë një nga mbështetëset më të mëdha të Kosovës që nga periudha e çlirimit, pavarësisë dhe zhvillimit institucional të vendit.

    “Zvicra mbetet një nga mbështetëset më të mëdha të Kosovës nga çlirimi, pavarësia e deri te zhvillimi dhe forcimi i institucioneve të Republikës sonë”, u shpreh Kurti.

    Ai ka vlerësuar gjithashtu rolin e diasporës kosovare në Zvicër, duke e cilësuar atë si një urë të rëndësishme lidhëse mes dy vendeve.

    Sipas Kurtit, bashkëpunimi ekonomik dhe shkëmbimet tregtare mes Kosovës dhe Zvicrës pritet të marrin një hov të ri pas ratifikimit të marrëveshjes për tregti të lirë në kuadër të EFTA-s.

    “Mërgata jonë e dashur është themel i lidhjes së fortë mes dy shteteve tona, që gradualisht dhe vazhdimisht po rrisin bashkëpunimin ekonomik dhe shkëmbimet tregtare”, ka deklaruar ai.

    Në takim, Kurti ka përmendur edhe kontributin e Zvicrës në kuadër të misionit të KFOR-it dhe programit të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).

    Ai bëri të ditur se për periudhën 2026-2029 janë zotuar më shumë se 64 milionë franga zvicerane (CHF) apo rreth 68 milionë euro për Kosovën, pas 88 milionë CHF të ndara për periudhën 2022-2025.

  • Vdekja e punëtorit të KEK-ut pas lëndimeve në punë, QKUK: S’arriti t’u mbijetojë plagëve

    Vdekja e punëtorit të KEK-ut pas lëndimeve në punë, QKUK: S’arriti t’u mbijetojë plagëve

    Nga Qendra Klinike dhe Univeristare e Kosovës kanë dhënë detaje lidhur me punëtorin e KEK-ut, Milazim Binaku, i cili ka vdekur si pasojë e lëndimeve që kishte marrë në vendin e punës.

    Që nga lëndimi i rëndë i tij, para rreth një jave, ai ka qenë duke u mjekuar në kujdesin intensiv të QKUK-së.

    Por, nga kjo klinikë kanë thënë për Klankosova.tv se pacienti nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe se ka vdekur gjatë natës së mbrëmshme.

    “Po fatkeqësisht pacienti që ju i referoheni nuk ka arrit t’u mbijetojë plagëve dhe i njëjti gjatë natës ka ndërruar jetë”, ka thënë për Klankosova.tv, shefi i Mjekimit Intensiv Qendror, Shaqir Uka.

    Për vdekjen e tij, ka njoftuar edhe Sindikata e KEK-ut.

    “Njoftojmë të gjithë punëtorët e KEK-ut se, një javë pas lëndimit që pësoi në vendin e punës, u nda nga jeta shoku, kolegu dhe bashkëpunëtori ynë i nderuar, Milazim Binaku. Në këto çaste të rënda, shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes Binaku, të afërmve, miqve dhe të gjithë bashkëpunëtorëve të tij. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të dhe u prehtë në paqe.”, thuhet në njoftimin e sindikatës.

    Ndryshe, 60-vjeçari ishte lënduar rëndë, pasi ishte goditur në kokë nga një mjet i fortë, teksa ishte duke punuar në Kosovamont, në kuadër të Korporatës Energjetike të Kosovës.

  • Ngrihet aktakuzë ndaj një personi për nxitje të urrejtjes mes grupeve fetare në Facebook

    Ngrihet aktakuzë ndaj një personi për nxitje të urrejtjes mes grupeve fetare në Facebook

    Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit I.K. për veprën penale “Nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.

    Sipas aktakuzës, më 16 prill 2026, i pandehuri, përmes rrjetit social Facebook, dyshohet se me dashje ka ndërmarrë veprime me qëllim të nxitjes dhe përhapjes publike të urrejtjes dhe mosdurimit ndërmjet grupeve fetare.

    “Aktakuza pretendon se i pandehuri i I.K., përmes veprimeve të tij inkriminuese, ka përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve fetare, duke cenuar bashkëjetesën ndërfetare në Republikën e Kosovës dhe duke rrezikuar rendin dhe qetësinë publike”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    Çështja penale do të shqyrtohet nga Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila do të vendosë lidhur me akuzat e ngritura.

  • Komuna e Kamenicës ndan 13 pako “Baby Box” për familjet me foshnja të porsalindura

    Komuna e Kamenicës ndan 13 pako “Baby Box” për familjet me foshnja të porsalindura

    Komuna e Kamenicës ka vazhduar mbështetjen për familjet me foshnja të porsalindura, duke shpërndarë 13 pako “Baby Box” me vlerë të përgjithshme prej 4,452.50 euro.

    Sipas njoftimit të komunës, pakot janë ndarë nga nënkryetarja e Komunës, Arta Bajralija, në kuadër të programit të mbështetjes për familjet dhe të porsalindurit.

    Komuna bëri të ditur se secila pako përmban produkte cilësore dhe të nevojshme për nënën dhe foshnjën, të mjaftueshme për përdorim deri në moshën njëvjeçare të fëmijës.

    Gjatë ceremonisë së shpërndarjes, Bajralija uroi familjet për lindjen e 13 foshnjeve të të dy gjinive, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes institucionale në këtë periudhë.

    “Komuna mbetet e përkushtuar në mbështetjen e familjeve dhe mirëqenien e fëmijëve, duke vazhduar iniciativa që kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve”, ka deklaruar nënkryetarja Bajralija.

    Sipas Komunës së Kamenicës, iniciativa “Baby Box” synon të lehtësojë kujdesin për foshnjat në vitin e parë të jetës dhe të ofrojë mbështetje konkrete për familjet në fazat e para pas lindjes së fëmijës.

  • Doli me Golf 3 nga shtëpia dhe s’u kthye më, raportohet i zhdukur një 55 vjeçar nga Gjakova

    Doli me Golf 3 nga shtëpia dhe s’u kthye më, raportohet i zhdukur një 55 vjeçar nga Gjakova

    Një 55-vjeçar nga Gjakova është raportuar i zhdukur, ndërsa familjarët kanë kërkuar ndihmën e qytetarëve për të siguruar informacione që mund të çojnë në gjetjen e tij.

    Bëhet e ditur se Shani Krasniqi është larguar nga shtëpia dje rreth orës 09:00, me një veturë të tipit Golf 3, me ngjyrë të kaltër, dhe nuk është kthyer më.

    Sipas familjarëve, ai është larguar pa telefon, dokumente personale dhe para.

    Rasti është paraqitur në Policinë e Gjakovës, e cila ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për lokalizimin e personit të zhdukur dhe zbardhjen e rrethanave të rastit.

    Familja u ka bërë apel qytetarëve që kanë ndonjë informacion për vendndodhjen e Shani Krasniqit që të lajmërojnë Policinë e Kosovës ose familjarët./Syritv/