ATV

Author: K.B.

  • Rritet sërish çmimi i naftës, MINT publikon çmimet e reja të derivateve në Kosovë

    Rritet sërish çmimi i naftës, MINT publikon çmimet e reja të derivateve në Kosovë

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Industrisë ka publikuar çmimet e derivateve për 24 orët e ardhshme.

    Sipas MINT, çmimi për një litër naftë sot është 1 euro e 60 centë, më shtrenjtë se dje, ndërsa benzina 1 euro e 43 centë.

    Gasi do të shitet me çmim 0.60 euro për litër.

    Çmimet hyjnë në fuqi nga ora 10:00.

  • Zhduket një e mitur në Viti dhe një burrë në Gjakovë

    Zhduket një e mitur në Viti dhe një burrë në Gjakovë

    Dy persona janë raportuar të zhdukur në 24 orët e kaluara.

    Një vajzë e mitur është raportuar e zhdukur në Viti.

    “Ankuesi mashkull kosovar, ka njoftuar se vajza e tij e mitur, ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet për vendndodhjen e saj”, thuhet në raportin policor.

    Ndërkohë një burrë është raportuar i zhdukur në Gjakovë.

    “Ankuesja ka njoftuar se bashkëshorti i saj ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet për vendndodhjen e tij”, thuhet në raportin e Policisë.

    Të dyja rastet janë nën hetime.

  • Vushtrri: Dy vetura digjen në oborrin e një shtëpie, policia nis hetimet

    Vushtrri: Dy vetura digjen në oborrin e një shtëpie, policia nis hetimet

    Një person ka raportuar në polici se gjatë ditës së djeshme, në fshatin Begaj të Vushtrrisë, dy vetura janë përfshirë nga zjarri.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, veturat me targa vendore ishin të parkuara para shtëpisë së ankuesit kur kanë marrë flakë.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore dhe zjarrfikësit.

    “Në konsultim me prokurorin është iniciuar rasti dhe vazhdon të hetohet”, thotë PK.

  • Kaq shitet nafta në Kosovë, Shqipëri, Serbi, Mal të Zi e Maqedoni

    Kaq shitet nafta në Kosovë, Shqipëri, Serbi, Mal të Zi e Maqedoni

    Çmimet e naftës janë rritur sërish ditët e fundit në bursat ndërkombëtare, të nxitura nga përshkallëzimi i tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit dhe frika për ndërprerje të furnizimeve përmes Ngushticës së Hormuzit, sipas Reuters.

    Treguesi referencë Brent u ngjit pranë 85 dollarëve për fuçi, ndërsa nafta amerikane WTI rreth 80 dollarëve, nivelet më të larta në afro një muaj. Tregjet reaguan pas rikthimit të bllokadës amerikane ndaj anijeve iraniane dhe sulmeve të reja në rajon.

    Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga pikat më të rëndësishme të transportit botëror të energjisë, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e flukseve globale të naftës.

    Çdo pengesë në këtë korridor mund të kufizojë ofertën dhe të rrisë kostot e transportit dhe të sigurimit. Presione shtesë kanë ardhur edhe nga sulmet ukrainase ndaj rafinerive dhe mjeteve të transportit rus, të cilat kanë kufizuar eksportet e karburanteve.

    Çmimet ndërkombëtare të naftës së përpunuar, veçanërisht të dieselit, janë rritur më fort se ato të naftës bruto, duke u reflektuar më shpejt në çmimet me shumicë dhe më pas në pikat e shitjes me pakicë.

    Shtrenjtimi i naftës në bursa është reflektuar dhe në vendet e rajonit

    Në Shqipëri, nafta u rrit në 196-198 lekë për litër, duke e kaluar lehtë kufirin e 2 eurove. Operatorët pohuan se kjo lëvizje lidhet me shtrenjtimin e treguesit Platts, që ka arritur në 1203 dollarë për ton, ditën e djeshme, (treguesi CIF, përfshirë sigurimin e transportin), sipas të dhënave nga Doganat, nga 952 euro, që ishte në 30 qershor.

    Kësaj kosto i shtohet dhe një premio prej 30 dollarësh. Niveli më i lartë i treguesit Platts, që nga fillimi i i luftës u arrit në prill, në 1600 dollarë.

    Shqipëria vijon të ketë çmimin e naftës më të lartin në rajon, që sipas operatorëve lidhet me ngarkesën e lartë fiskale, ku gjysma e çmimi është taksa. Në Shqipëri, elementi që shton më shumë barrën fiskale është taksa e qarkullimit prej 27 lekë për litër.

    Akciza është fikse, 39.4 lekë për litër dhe 3 lekë është taksa e karbonit. Mbi këto llogaritet TVSH-ja, që është 20% mbi çmimin final (përfshirë taksat e tjera), ndryshe nga rajoni që TVSH nuk e ngarkon mbi taksat e tjera. Në vendet e tjera të rajonit, taksat përbëjnë rreth një të tretën e çmimit.

    Çmimi më i ulët në vend i pas nivelit të luftës ishte 176 lekë, nga data 17 qershor, (vendimi i fundit i Bordit të Transparencës) deri në fillim të korrikut, për tu rritur më pas disa herë, deri sa u afrua sërish kufirit të 200 lekëve, niveli më i lartë nga 20 maji.

    Sipas formulës së Bordit të Transparencës, që u mbyll në 19 qershor, nëse llogaritet çmimi i naftës me pakicë, me treguesit CIF të ditës së djeshme, ai rezulton në 198 lekë/litër (shiko tabelën), ndërsa me FOB (free on board) duhet të ishte 5 lekë më lirë.

    Në Serbi, çmimi i naftës është rreth 1.82-1.87 euro për litër dhe i benzinës 1.66 euro për litër. Sipas korrespondentes së Monitor, qeveria ka rikthyer masat mbështetëse, pas shtrenjtimit të karburantit në bura.

    “Masat parashikojnë që çmimi i një litri eurodiesel të mos kalojë tavanin prej 220 dinarësh, ose rreth 1.87 euro për litër, deri të premten, më 17 korrik. Ndërkohë, çmimi i benzinës Europremium BMB do të jetë 196 dinarë, ose rreth 1.67 euro për litër.

    Qeveria e Serbisë ndryshoi së fundmi vendimin për ndalimin e përkohshëm të eksportit të naftës dhe nënprodukteve të saj, duke e zgjatur këtë masë deri më 31 korrik. Për shkak të rritjes së re të çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare, Ministria e Financave njoftoi se do të ulë më tej akcizat mbi karburantet.

    Ministria bëri të ditur se, krahas uljes ekzistuese prej 5%, nga 13 korriku po zbatohet edhe një reduktim shtesë, duke e çuar uljen totale të akcizës në 10%”. Kjo masë ka bërë që çmimet e karburanteve në Serbi të mos shënojnë rritje gjatë valës së fundit të shtrenjtimit.

    Në Maqedoninë e Veriut, nafta kushton 1.42 euro për litër, ndërsa benzina tregtohet nga 1.41 deri në 1.44 euro për litër. Sipas korrespondentes së Monitor, këtë javë, çmimi i naftës u rrit me 0.10 euro për litër. Maqedonia e Veriut nuk ka më përjashtime nga TVSH-ja apo ulje të akcizës.

    Në Mal të ZI, çmimi i naftës arriti në 1.58 euro për litër deri në 1.68 euro për litër gjatë ditës së djeshme, me naftën referencë, “Eurosuper” që tregtohej me 1.64 euro për litër. Çmimet janë rritur me 0.02-0.09 euro për litër.

    Nga 3 qershori, qeveria riktheu masën e plotë të akcizës prej 44 centësh për eurodieselin, ndërsa për dy llojet e benzinës e rriti akcizën në 95% të nivelit të plotë, ose në 52.15 cent për litër, nga 54.9 cent për litër që është niveli i plotë. Çmimet llogariten çdo javë nga Ministria përkatëse.

    Në Bosnjë Hercegovinë, çmimi i naftës ditën e djeshme ishte 2.74 marka ose 1.4 euro. Qeveria e Bosnjës nuk i ka miratuar akoma masat për të ulur taksat e karburantit.

    Në Kosovë, Ministria e Industrisë publikon përditë çmimet maksimale të lejuara për derivatet e naftës. sipas vendimit të djeshëm, për naftën, niveli është 1.56 euro/litër dhe për benzinën 1.4 euro për litër. Çmimet e naftës janë rritur ditët e fundit me 12 cent, teksa në 9 korrik ishte 1.44 euro.

    Shqipëria zbatoi më pak masa mbështetëse në rajon

    Qeveria shqiptare riaktivizoi Bordin e Transparencës në 26 mars, për ta mbyllur më pas në 19 qershor. Ndërsa u justifikua se misioni i saj kishte përfunduar pas uljes së çmimeve në bursa, një arsye më e fortë lidhej me një shkresën drejtuar Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë të Financave dhe kryeministrit Edi Rama, ku kompanitë më të mëdha importuese thonë se pasi kërkesat për rishikimin e metodologjisë së çmimit dhe marzheve bruto nuk janë marrë parasysh, ata kanë parashtruar qëndrimin e tyre, duke marrë në konsideratë deri dërgimin e çështjes në Gjykatë.

    Ankesa kryesore lidhej me metodologjinë, ku qeveria merrte për bazë çmimin e blerjes së naftës “Platts FOB”, (Free on Board, që nuk merr në konsideratë transportin dhe sigurimin) e miratuar në vitin 2022, dhe nuk reflektonte faktin që nga që nga viti 2024, kompanitë e tregtimit ndërkombëtar nuk operojnë më mbi bazën e kontratave FOB, por mbi bazën e kontratave CIF, që përfshin transport e sigurim dhe që e rrisin edhe me 45-50 dollarë për ton çmimin e blerjes.

    Në mars, kur çmimet në bursa u rritën ndjeshëm, qeveria shqiptare ishte ndër vendet e rajonit që zbatoi më pak masa për të amortizuar shtrenjtimin e karburanteve. Kriza e importuar nga Lindja e Mesme i detyroi qeveritë e Ballkanit Perëndimor të veprojnë shpejt me ulje taksash, reduktim akcizash dhe kufizim marzhesh për të frenuar valën e re të shtrenjtimit.

    Shqipëria mbeti sërish përjashtimi, me reagim të vonuar dhe me një masë fiskale të kufizuar, dhe pa ndikim real te çmimet. Ndërkohë, vende si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia arritën ta mbajnë naftën deri në 40 lekë për litër më lirë se Shqipëria, duke tërhequr edhe furnizimin nga përtej kufirit.

    Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi nisën zbatimin për uljen e TVSH dhe akcizës rreth 22 ditë pas nisjes së luftës, mbajtën për tregun e pakicës çmime nafte deri 40 eurocent apo rreth 40 lekë më lirë, sesa Shqipëria, duke nxitur edhe një herë valën “e emigrimit” të furnizimit të naftës.

    Në raport me këto shtete Shqipëria mori vetëm një masë fiskale të kufizuar, siç ishte ulja e akcizës te karburantet me 20% nëse çmimi i naftës kalonte vlerën e 220 lekëve për litër me pakicë dhe për benzinën masa zbatohet nëse çmimi kalon 200 lekë për litër.

  • MINT njofton për punime në autostradën “Ibrahim Rugova”

    MINT njofton për punime në autostradën “Ibrahim Rugova”

    Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se po vazhdojnë punimet për rehabilitimin e skarpateve në autostradën “Ibrahim Rugova”.

    Sipas ministrisë, punimet janë duke u zhvilluar sipas planit, me qëllim të rritjes së sigurisë në komunikacion dhe mbrojtjes së infrastrukturës rrugore.

    “Punimet për rehabilitimin e skarpateve po vazhdojnë sipas planit, me qëllim të rritjes së sigurisë në komunikacion dhe mbrojtjes së infrastrukturës rrugore”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

  • Lëvizje më të shtuara në kufijtë e Kosovës, kjo është gjendja në pikat kufitare

    Lëvizje më të shtuara në kufijtë e Kosovës, kjo është gjendja në pikat kufitare

    Qarkullimi në pikat kufitare të Kosovës po zhvillohet pa probleme të mëdha edhe këtë mëngjes. Sipas të dhënave të fundit, pritjet për hyrje dhe dalje variojnë nga 3 deri në 5 minuta në shumicën e pikave kufitare.

    Një shtim i lehtë i kolonave është vërejtur në Dheun e Bardhë dhe Muçibabë, megjithatë situata mbetet normale dhe nuk raportohet për vonesa të gjata.

    Në pikat e tjera kufitare, qarkullimi vazhdon të jetë i rregullt, me pritje minimale dhe pa kolona të konsiderueshme

    Derisa pritet edhe shtimi i kolonave në ditët në vijim.

  • Këto vende do mbesin pa rrymë nesër

    Këto vende do mbesin pa rrymë nesër

    KEDS ka njoftuar për punimet që do të realizohen në rrjet dhe për pasojë ndërprerjen e rrymës në disa zona të vendit.

    Gjilan

    1. Nga TS 110/10 kV Gjilani 5 do të ndërpritet:
    Dalja 10 kV J10 Bresalci (kodi: 63000010) nga ora 11:00 deri 14:00
    Vendet: Bresalci, Koretishta, Poneshi, Parallova, Vërbica e Zhegovcit, Kishna Polja, Sllakovci, Zhegovci
    Arsyeja: Testimi i sistemit SCADA në stabilimentin Dardania.

    Mitrovicë

    1. Nga NS 110/10 kV Vushtrria 2 do të ndërpritet:
    Dalja 10 kV J08 Qytet e Fshatra (kodi: 73000003) nga ora 10:00 deri 12:30
    Vendet: rr. Gj. Kastrioti, rr. Avni Rrustemi, rr. Ganimete Tërbeshi, Sllatinë, Gj. K. Skënderbeu, Dobërllukë
    Arsyeja: Kalimi i furnizimit nga linja ajrore e LP-it në linjën kabllore tokësore.

    2. Në TS 110/10 kV Vushtrria 2
    Nga dalja 10 kV Qytet e Fshatra do të ndërpritet TS-i:
    TS 10/0.4 kV Kazerma 2 (kodi: 73000003003) nga ora 10:00 deri 15:30
    Vendet: rr. Gj. Kastrioti, rr. Avni Rrustemi, rr. Ganimete Tërbeshi, Sllatinë, Gj. K. Skënderbeu, Dobërllukë
    Arsyeja: Kalimi i furnizimit nga linja ajrore e LP-it në linjën kabllore tokësore.

    Pejë

    1. Nga TS Klina 10 kV do të ndërpritet:
    Dalja 10 kV Volljaku (kodi: 52000102) nga ora 08:00 deri 13:00
    Vendet: Guri i Zi, Mirusha, Separacion Boksit, Lagj. Nora, Lagj. Foniqi
    Arsyeja: Pastrim i trasesë.

  • Ismet Beqiri kërkon publikisht largimin e Abdixhikut: Kur i humb zgjedhjet Kryetari lëshon rrugë

    Ismet Beqiri kërkon publikisht largimin e Abdixhikut: Kur i humb zgjedhjet Kryetari lëshon rrugë

    Ismet Beqiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka reaguar për zhvillimet në parti.

    Ai ka thënë se LDK-ja duhet të shkojë në zgjedhje në të gjitha nivelet e saj, duke kërkuar largimin e Lumir Abdixhikut.

    Beqiri tha se ka qenë tradite që kryetari të marrë përgjegjësi për rezultatin.

    “Është krijuar një standard në LDK, kur i humb zgjedhjet Kryetari lëshon rrugë si përgjegjësi kryesor e pastaj edhe të tjerët. LDK duhet të shkoj në zgjedhje të reja në të gjitha nivelet. LDK nuk është pronë private. LDK është e qytetarëve të Kosovës, e anëtarëve të saj; është aset kombëtar”, ka thënë ndër tjerash Beqiri.

    Përndryshe, kryetari LDK-së Lumir Abdixhiku pas deponimit të nënshkrimeve nga disa delegatë për kuvend të ri zgjedhor, ka thënë se ka autorizuar sekretariatin të fillojë përgatitjet për një Kuvend të tillë.

  • BE emëron shef të ri të EULEX-it ish-zyrtarin e lartë të UNMIK-ut

    BE emëron shef të ri të EULEX-it ish-zyrtarin e lartë të UNMIK-ut

    Këshilli Evropian emëroi portugezin Antero Lopes shef të Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë – EULEX.

    Ai u emërua për mandat fillestar prej 10 muajsh, duke filluar më 10 gusht 2026. Ai do të pasojë italianin Giovanni Pietro Barbano.

    “Lopes është një zyrtar i lartë ndërkombëtar portugez i specializuar në diplomaci, sundim të ligjit dhe qeverisje të sektorit të sigurisë me më shumë se katër dekada përvojë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, duke përfshirë mbi 25 vjet me OKB-në. Detyrat e tij përfshijnë Forcën Mbrojtëse të OKB-së në Kroaci dhe Bosnjë dhe Hercegovinë (UNPROFOR) dhe për gjashtë vjet Misionin e Administratës së Përkohshme të OKB-së në Kosovë (UNMIK), duke sjellë përvojë të gjerë në udhëheqjen strategjike, menaxhimin e krizave dhe angazhimin me qeveritë dhe partnerët ndërkombëtarë”, thuhet në njoftim.

  • Paralajmeron Hasani: Ka me u kallë Kosova nëse dënohen krerët e UÇK-së

    Paralajmeron Hasani: Ka me u kallë Kosova nëse dënohen krerët e UÇK-së

    Ish-deputeti, Nait Hasani, ka thënë që “Kosova do të digjet” nëse ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të dënohen në Hagë.

    Sipas Hasanit, nëse dënohet lufta e UÇK-së, atëherë i bie që po dënohet edhe vetë shteti i Kosovës.

    “Pritshmëritë e mia janë: lirimi i tyre më 16 shtator. Ata duhet të lirohen. Në të kundërtën, në Kosovë nuk ka qetësi, as s’ka me pasë qetësi. Nuk lejohet asnjë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të dënohet”, ka thënë Hasani në DPT Te Fidani në Klan Kosova.

    “Nuk ka me pasë qetësi. Le ta dinë edhe ndërkombëtarët, le ta dinë edhe gjykata, edhe të tjerët. Ka me u kallë Kosova nëse ata dënohen atje”.

    “Na cenohet liria jonë, shteti ynë, lufta jonë, gjaku i dëshmorëve, dëshmorët, të gjithëve na cenohen me vendimin negativ që merret atje. Prandaj, të dënohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dënohet shteti i Kosovës”