ATV

Author: K.B.

  • Shqipëria mirëpret vendimin e KE’së për heqjen e plotë të masave ndaj Kosovës, Hoxha: Ky hap ishte vonuar

    Shqipëria mirëpret vendimin e KE’së për heqjen e plotë të masave ndaj Kosovës, Hoxha: Ky hap ishte vonuar

    Kryediplomati shqiptar, Ferit Hoxha, tha se Shqipëria mirëpret vendimin e Komisionit Europian për heqjen e plotë të masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

    Hoxha që tha se ndodhi “më në fund” ky vendim, kritikoi për vonesë BE’në.

    “Ky hap ishte vonuar prej kohësh dhe konfirmon përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave europiane, sundimit të ligjit dhe bashkëpunimit konstruktiv rajonal”.

    Megjithatë, Hoxha tha se vendimi “i hap rrugën për qasje të plotë dhe të papenguar në fondet e BE-së, ndihmën dhe bashkëpunimin e përgjithshëm”.

    “Ai ndihmon në rindërtimin e besimit dhe forcon besueshmërinë e procesit të integrimit europian. Avancimi i rrugës europiane të Kosovës — përfshirë shqyrtimin pa vonesë të aplikimit të saj për statusin e vendit kandidat në BE — do të kontribuojë për një rajon më të qëndrueshëm dhe më të sigurt. Ai gjithashtu do të rikonfirmojë dhe forcojë perspektivën evropiane të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”, shkroi ai.

    BE kishte ndëshkuar Kosovën për shkak të tensioneve që shpërthyen në veri të vendit me vendosjen e kryetarëve shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe.

  • Bastisjet në ARBK, Prokuroria jep detaje

    Bastisjet në ARBK, Prokuroria jep detaje

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, në orët e hershme të mëngjesit të ditës së sotme, ka realizuar një aksion.

    Gjatë këtij aksioni janë kryer bastisje në Agjencinë e Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), institucion që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprave penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe veprën penale ‘’Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve’’, sipas nenit 391 të KPRK-së.

    Aksioni është ende në zhvillim e sipër, ndërsa Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore në funksion të zbardhjes së plotë të rastit.

    Gazeta Insajderi ka marrë vesh se në stacionin policor janë shoqëruar tre persona. Në mesin e tyre, sipas burimeve, është shoqëruar edhe ushtruesja e detyrës së kryeshefes së ARBK’së Igballe Rexha- Jashari.

    Dyshimet e para janë për shkak të ndryshimit të aksioneve të pronësisë së një biznesi.

    Policia ka bastisur zyret e ARBK’së, duke mos lejuar punëtorët të futen në objekt.

  • Hamza: I pikëlluar thellë nga tragjedia në Austri, ngushëllime të sinqerta për familjet

    Hamza: I pikëlluar thellë nga tragjedia në Austri, ngushëllime të sinqerta për familjet

    Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, është shprehur i pikëlluar më tragjedinë në Vjenë, ku kanë humbur jetën tre punëtorë kosovarë në vendin e tyre të punës.

    Ai u ka shprehur ngushëllimet me të sinqerta familjeve të viktimave.

    “I pikëlluar thellë nga tragjedia në Austri, ku humbën jetën disa persona, mes tyre tre të rinj nga Kosova. Ngushëllime të sinqerta për familjet dhe të afërmit e tyre. Në këto momente të vështira, me mendje e zemër jemi pranë tyre”, ka shkruar Hamza në profilin e tij në Facebook.

  • Alarm për sëmundje infektive te gjedhët në Lubishtë – Ministria e Bujqësisë jep detaje për masat

    Alarm për sëmundje infektive te gjedhët në Lubishtë – Ministria e Bujqësisë jep detaje për masat

    Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës ka njoftuar njofton lidhur me menaxhimin e rasteve të sëmundjeve infektive te gjedhët, konkretisht Bruceloza dhe Tuberkulozi.

    Ministria ka bërë me dije se rasti i parë i konfirmuar është identifikuar më 3 mars 2026, tek një fermer në fshatin Lubishtë, Komuna e Vitisë.

    “Në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe udhëzimin administrativ përkatës, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV) është duke vepruar brenda afateve ligjore të përcaktuara për ndërmarrjen e masave përkatëse, përfshirë edhe procesin e asgjësimit të kafshëve të infektuara”, thuhet në njoftim.

    Sipas dispozitave ligjore, eliminimi i kafshëve të konfirmuara me këto sëmundje realizohet brenda një afati deri në 30 ditë nga data e konfirmimit. Në këtë kuadër, të gjitha veprimet institucionale janë duke u zhvilluar në përputhje të plotë me këtë afat kohor, duke garantuar menaxhim të kontrolluar dhe të sigurt të situatës.

    Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës (AUV), mbeten të përkushtuara në zbatimin e plotë të masave ligjore dhe profesionale për parandalimin dhe kontrollin e këtyre sëmundjeve, si dhe mbeten të përkushtuara në ruajtjen e shëndetit publik dhe garantimin e sigurisë ushqimore në vend.

    “Njëkohësisht, u bëjmë thirrje të gjithë fermerëve dhe qytetarëve që të bashkëpunojnë me autoritetet kompetente dhe të raportojnë çdo dyshim për raste të ngjashme”.

  • I caktohet një muaj paraburgim të dyshuarit për vrasjen e rëndë në Gjakovë

    I caktohet një muaj paraburgim të dyshuarit për vrasjen e rëndë në Gjakovë

    Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit N.Z., i dyshuar për vrasjen e rëndë në Gjakovë.

    I dyshuari akuzohet për veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    “Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore, duke i caktuar masën e paraburgimit një (1) muaj të pandehurit N.Z.”, thuhet në njoftim.

    Sipas Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 16 mars rreth orës 05:20, në një lokal në rrugën “Vëllezërit Frashëri” në Gjakovë, pas një mosmarrëveshjeje mes palëve.

    “I pandehuri me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin R.B., duke vënë në rrezik edhe jetën e personave të tjerë që kanë qenë prezent në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftim.

    Si pasojë e të shtënave me armë zjarri, viktima ka ndërruar jetë në afërsi të vendit të ngjarjes, ndërsa një person tjetër ka mbetur i plagosur dhe është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë.

    “Si pasojë e të shtënave, i dëmtuari E.M. pëson lëndime trupore dhe dërgohet për trajtim mjekësor, ndërsa i pandehuri largohet nga vendi i ngjarjes”, thuhet më tej.

    Gjyqtari i procedurës paraprake, Samedin Cena, pas mbajtjes së seancës dëgjimore ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit.

    “Janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit”, thuhet në vendim.

    Me këtë vendim, i pandehuri do të qëndrojë në paraburgim për një muaj, nga data 16 mars deri më 16 prill 2026.

  • “Viktimat shpesh harrohen”, Dua Lipa kritikon mënyrën se si u raportua për dosjet Epstein

    “Viktimat shpesh harrohen”, Dua Lipa kritikon mënyrën se si u raportua për dosjet Epstein

    Ylli i muzikës pop, Dua Lipa, ka kritikuar diskursin rreth dosjeve të Epstein, duke thënë se gjuha e përdorur e zhvendos fokusin larg viktimave.

    Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa tha se sheh si mungesë konsiderate për viktimat e përmendura në dosjet e Epstein, shumë prej të cilëve ishin të mitur.

    Në episodin e fundit të podkastit të saj të klubit të librit Service 95, Lipa ngriti temën e shkelësit të dënuar seksual Jeffrey Epstein ndërsa fliste me të ftuarën e saj, autoren Roxane Gay.

    Ajo tha: “Mënyra se si janë raportuar krimet dhe gjuha që është përdorur, u ka bërë një shërbim të keq të gjitha viktimave.”

    “Vazhdoj të mendoj për të gjitha historitë që flasin për vajzat e mitura dhe festat seksuale, në vend që të shkruaj për viktimat që ishin fëmijë të trafikuar. Është sikur gjithçka të mbulohet me një lloj veli për të mbrojtur – nuk e di kë, ndoshta lexuesin – ose të përpiqesh të maskosh atë që po ndodh”, tha Lipa.

  • Nis seanca në rastin “Banjska”, pritet të japë mbrojtjen i akuzuari Maksimoviq

    Nis seanca në rastin “Banjska”, pritet të japë mbrojtjen i akuzuari Maksimoviq

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, po mbahet seanca e radhës ndaj të tre akuzuarve lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq,.

    Në këtë seancë pritet të japë mbrojtjen i akuzuari Maksimoviq, ndërkaq dy të akuzuarit tjerë Toliq dhe Spasojeviq ishin mbrojtur në heshtje seancën e kaluar, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Gjykata Themelore në Prishtinë pas propozimit të prokurorit special Naim Abazi që gjykimi të vazhhdojë në mungesë, i ishte drejtuar Gjykatës Supreme për të kërkuar opinion nëse në rastin “Banjska” mund të aplikohet gjykimi në mungesë. Por, Supremja, pas shqyrtimit të kërkesës “për dhënie të mendimit juridik përkitazi me nenin 303 par.7 të Kodit Procedurës Penale në rastin “Banjska”, kishte sqaruar se nuk jep mendime juridike për dilemat që ka shkalla e parë gjatë procedimit të rastit.

    Kështu, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim, me të cilin ka refuzuar propozimin që gjykimi për 42 të akuzuarit tjerë (41 persona fizikë dhe një person juridik) të akuzuar për sulmin terrorist në “Banjskë” të vazhdojë në mungesë. Gjykata po ashtu kishte bërë të ditur që për këta të pandehur është lëshuar letërreshtim ndërkombëtar dhe pritet ndalimi dhe ekstradimi i tyre për zhvillimin e procedurës ndaj tyre.

    Seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të tre akuzuarve në rastin “Banjska”: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, u mbajt më 17 prill 2025, në të cilën tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm. Ndërsa, prokurori special Naim Abazi, mbrojtja e të akuzuarve dhe pala e dëmtuar, kanë dhënë fjalën hyrëse.

    Edhe në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 9 tetor 2024, tre të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm.

    Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me aktvendimin e 6 dhjetorit 2024, i kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet ndaj provave, të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve të lartpëmendur kundër aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

    Kurse, Gjykata e Apelit më 13 mars 2025 njoftoi se ka marrë vendim, me të cilin e ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilën u konfirmua aktakuza ndaj të akuzuarve në rastin “Bajska”.

    Deri tani, të arrestuar dhe nën masën e paraburgimit për këtë rast janë: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, për të cilët është veçuar procedura penale.

    Aktakuza e Prokurorisë Speciale ngarkon 44 persona fizikë dhe një person juridik “RAD D.O.O”. Listës së të akuzuarve i prin Milan Radoiçiq.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile. Aktakuzën e plotë mund ta gjeni: KËTU.

    Në Bajsnkë të Zveçanit, në orët e hershme të 24 shtatorit 2023, ishte vrarë rreshteri Afrim Bunjaku si dhe ishin plagosur dy të tjerë. Pastaj, të vrarë kishin mbetur edhe tre sulmues, kurse të tjerët ishin larguar pasi ishin strehuar për disa orë në Manastirin e Bajnskës. Milan Radoiçiq e kishte marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin terrorist.

  • “U shemb betoni” – çka dihet për rastin tragjik në Vjenë ku mbetën të vdekur tre shtetas kosovarë

    “U shemb betoni” – çka dihet për rastin tragjik në Vjenë ku mbetën të vdekur tre shtetas kosovarë

    Tre shtetas kosovarë kanë humbur jetën si pasojë e shembjes së betonit në një kantier ndërtimi në Vjenë pasditen e së martës.

    Pajtim Bajrami, Asllan Musliu e Istref Zekaj, janë tre nga katër viktimat e rastit tragjik që tronditi kryeqytetin austriak.

    Aksidenti thuhet se ka ndodhur rreth orës 14:30 gjatë punimeve në një objekt banimi.

    “Gjatë punimeve të ndërtimit, skelet dhe pjesët e kallëpeve, si dhe sasi të mëdha betoni janë shembur”, ka thënë zëdhënësi për media i brigades së zjarrfikësve në Vjen.

    Siç kanë rrëfyer dëshmitarët në vendin e ngjarjes, shembja e betonit i ka zënë në tokë pesë punëtorë.

    Përkundër reagimit të shpejtë të urgjencës dhe qytetarëve të pranishëm, vetëm njëri nga pesë punëtorët ka arritur të shpëtohet.

    Ai është një 45-vjeçar dhe thuhet se ka pësuar lëndime të rënda në kokë.

    Vdekjen e shtetasve kosovarë e kishte konfirmuar mbrëmë Ambasada e Kosovës në Austri. Fillimisht ishte konfirmuar vdekja vetëm e dy shtetasve, ndërsa më vonë kishin njoftuar edhe për viktimën e tretë.

  • Haxhiu pas tragjedisë në Vjenë: Dhimbje e madhe, qëndrojmë pranë familjeve

    Haxhiu pas tragjedisë në Vjenë: Dhimbje e madhe, qëndrojmë pranë familjeve

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu është shprehur e tronditur pas lajmit për vdekjen tragjike të Pajtim Bajramit, Asllan Musliut dhe Istref Zekajt në një kantier ndërtimi në Vjenë.

    Ajo u shprehi ngushëllime familjarëve të viktimave, ndërsa shtoi se humbja e jetëve të bashkëkombasve në vendin e punës është dhimbje që prek të gjithë.

    “Lajmi për vdekjen tragjike të Pajtim Bajramit, Asllan Musliut dhe Istref Zekajt në një kantier ndërtimi në Vjenë më tronditi thellë. Humbja e jetëve të bashkëkombasve tanë në vendin e punës është një dhimbje që na prek të gjithëve. Në këto çaste të vështira, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet dhe të afërmit e tyre. Ndajmë dhimbjen me ta dhe qëndrojmë pranë tyre në këtë humbje të madhe”, ka shkruar kryeparlamentarja në Facebook.

  • Ambasada e Kosovës në Abu Dhabi paralajmëron qytetarët: Mos fotografoni pamje nga incidentet me raketa apo dronë, dënoheni rëndë

    Ambasada e Kosovës në Abu Dhabi paralajmëron qytetarët: Mos fotografoni pamje nga incidentet me raketa apo dronë, dënoheni rëndë

    Ambasada e Republikës së Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, ka dal me një njoftim të ri për qytetarët e Kosovës që ndodhen atje.

    Përmes një postimi në Facebook, nga kjo Ambasadë ka thënë se në përputhje me legjislacionin dhe rregullat e brendshme në fuqi në vendi pritës, ndalohet rreptësisht fotografimi, incizimi apo shpërndarja e pamjeve dhe informacioneve nga vendet ku ndodhin incidente të lidhura me raketa apo dronë, si dhe publikimi i vendndodhjeve të këtyre incidenteve në rrjete sociale apo platforma të tjera.

    “Autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe zbatojnë masa të rrepta ligjore ndaj çdo shkeljeje, përfshirë:

    *gjoba të larta financiare,

    *dënime me burg,

    *konfiskim të pajisjeve elektronike,

    *si dhe deportim të shoqëruar me ndalim të rikthimit në vend”, thuhet në njoftim.

    Ambasada u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të respektojnë me përpikëri ligjet dhe rregullat në fuqi dhe të kontribuojnë në ruajtjen e sigurisë dhe rendit publik në vendin ku jetojnë dhe veprojnë.