ATV

Author: K.B.

  • Nëna dhe djali i mitur rrihen mes vete në Prishtinë, shoqërohen në polici

    Nëna dhe djali i mitur rrihen mes vete në Prishtinë, shoqërohen në polici

    Një grua dhe djali Iisaj i mitur janë shoqëruar në policinë e Prishtinës pasi në shtëpi kishin ushtruar dhunë ndaj njëri-tjetrit.

    Kështu ka njoftuar policia përmes raportit 24 orë, ku ndër të tjera bëhët e ditur se të dy më pas janë liruar.

    “Prishtinë 17.03.2026 – 14:30. Në stacion policor janë shoqëruar dy të dyshuarit nëna me djalin e mitur për shkak se në shtëpi kishin ushtruar dhunë ndaj njëri tjetrit. Në konsultim me prokurorin, pas intervistimit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt”, tha policia.

  • Para festës së Bajramit rriten çmimet, një kilogram arra kushton 10 euro

    Para festës së Bajramit rriten çmimet, një kilogram arra kushton 10 euro

    Kur jemi vetëm edhe dy ditë larg nga festa e Fitër Bajramit, tregtarët nuk u kursyen që të rrisin edhe çmimin e arrave, që konsiderohet një nga përbërësit kryesor në bakllavën, që tradicionalisht gatuhet për festën, raporton Ekonomia Online.

    Në tregun e Prishtinës, një kilogram arra po shihet deri në 10 euro, e ku qytetarët për Ekonomia Online kanë thënë se rritja e çmimeve në produktet bazë është e papërballueshme.

    Kadri Krasniqi, qytetar shprehet se çmimet nuk do të ulen asnjëherë dhe se personat që nuk kanë të ardhura e kanë të vështirë mbijetesën.

    “Çmimi i ushqimeve ka shkuar shumë lart, ka dikush që s’mund t’i dal në skaj fare, s’ka të ardhura, s’ka pension edhe s’ka asgjë. SubhanAllah, veç koha e vështirë ka ardh boll, dikush ka hyp në hava, dikush ka ra poshtë, e qysh do të bëhet çka do të mbarohet, këto nuk e dimë çka është hiç. O vallahin kur të vdesim se sa të jemi gjallë nuk mendoj që bien poshtë, një sen që shkon përpjetë, shtir o me ra teposhtë”, tha Krasniqi.

    Gjithashtu edhe Anita Pakashtica pohon se me pagat që janë në vend është e vështirë e përballueshme kostoja e jetesës.

    “Shumë shtrenjtë, krejt është shtrenjtë, çkado me ble, dikah për ramazan i kanë ulë do çmime, ama nëpër vende tjera jo, shumë janë shtrenjtë. E përballueshme me zor, që ski qare. Duhet me u liru çmimet, qysh me jetu njerëzit, s’kanë qysh me jetu, rrogat e vogla pensionet e vogla, veç Albin Kurti na e rriti pak pensionin”, tha Pakashtica.

    Një qytetar tjetër pohon se faji i rritjes së çmimeve është Qeveria e Kosovës.

    “Po normal, ka hyp nafta, hypin të gjitha senet. Jo more pensionerët po vdesin, s’po kemi pare për barna, jo për këto lëvizin çdo orë, merren vesh mes veti, hipin artikujt deficitar, çmimet pa kontroll. Kush me i liru, hala kanë me i shtrenjtu. Dihet kush është, mos të themi, Qeveria”, tha qytetari.

  • Ambasada në Austri konfirmon edhe identitetin e viktimës së tretë nga Kosova

    Ambasada në Austri konfirmon edhe identitetin e viktimës së tretë nga Kosova

    Ambasada e Kosovës në Austri ka bërë të ditur se, sipas konfirmimeve të fundit, edhe viktima e tretë nga katër personat që humbën jetën në një aksident tragjik është shtetas i Kosovës.

    Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për qytetarin Istref Zekaj.

    Ambasada njofton se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet austriake, si dhe me familjarët e viktimave, me qëllim që të ofrojë mbështetjen e nevojshme dhe të koordinojë procedurat përkatëse.

    Në këtë periudhë të vështirë, Ambasada ka shprehur edhe njëherë ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave, duke premtuar se do të vazhdojë të informojë publikun për çdo zhvillim të mëtejshëm lidhur me rastin.

  • Mbi 83 mijë nënshkrime për peticionin e OVL-UÇK-së, Gucati: E ka nënshkruar edhe një serb

    Mbi 83 mijë nënshkrime për peticionin e OVL-UÇK-së, Gucati: E ka nënshkruar edhe një serb

    Mbi 83 mijë nënshkrime janë mbledhur deri më tani në kuadër të Peticionit Kombëtar të inicuar nga Ogranizatat e Veteranëve të Luftës që do t’i drejtohet Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

    Kështu ka bërë të ditur kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, në një intervistë për Ekonomia Online, i cili ka treguar se peticioni është nënshkruar edhe nga një pjesëtar i komunitetit serb.

    Ai tha se procesi i mbledhjes së nënshkrimeve po ecën mirë dhe se afati përfundon në fund të muajit prill.

    “Deri më tash asht tu shku mirë, unë kam dëshirë hala ma mirë me shku, po mirë tu shku. Në bazë të informacionit që kemi, vetëm në Kosovë jemi mbi 83,000 nënshkrime deri në këto momente, do të thotë për nja afat tre javore, nëse s’gaboj aty dikun. Pa llogarit Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, po edhe diasporën. Në mënyrën online janë mbi 26,300, nëse s’gaboj. Në Shqipëri s’kam marr hala informacionet se ku ka shku. Duhet t’i falënderoj qytetarët e Shqipërisë edhe ata që po na ndihmojnë shumë atje. Kështu që po duket një interesim i madh, na kemi afat edhe një muj, do të thotë deri kah fundi i mujit prill. Në fund, kah fundi i mujit prill ne përgatitemi domethënë do t’i nisim për në Hagë, apo për ata që na i dërgojnë në dhomat speciale”, tha ai.

    Gucati theksoi se motivi i peticionit është të dëshmohet mbështetja qytetare për ish-krerët e UÇK-së dhe të kundërshtohet narrativa, siç tha ai, se ata nuk gëzojnë mbështetje.

    “Motivi është, kuptohet, edhe protestat kanë pas një motiv gjithmonë, me tregu realitetin. Gjykatës Speciale që qytetarët shqiptarë janë në mbështetje të UÇK-së, do të thotë janë në mbështetje të krerëve të shtetit, të krerëve të UÇK-së dhe jo ashtu qysh ka thënë në atë kohë Xhek Smithi edhe të tjerët që nuk kanë mbështetje nga qytetarët, apo edhe vetë Trandafilova. Motivi është ky që është një motiv që me tregu një realitet, me dal në shesh një e vërtetë, që krerët e UÇK-së nuk kanë bo krime lufte dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka qenë organizatë kriminale, po ka qenë organizatë çlirimtare e vendit, e kombit. Protestat dalin 50 mijë, 60 mijë, mund të dalin 100 mijë, 200 mijë, po kur t’i çosh atje afër gjysmë milioni nënshkrime, apo mbi gjysmë milionin, apo të llogarisim ma shumë nënshkrime në Hagë, do të thotë atëherë dihet numri që edhe vetë gjyqtarët do të merren, do ta kontrollojnë këtë pjesë. Ky duhet të verifikohet me nënshkrimet atje, që ata vetë do të binden që me siguri paska pas mbështetje të madhe edhe pjesëtarët e luftës, edhe njerëzit që kanë udhëheq këtë vend. Dhe ky është një që e bëjmë, nënshkrimi është i fundit, ne i bëmë gjashtë protesta ju e dini, dy aksione tash edhe nënshkrimi. Do të thotë mirë jemi tu shku. I falënderoj gjithë qytetarët të cilët po gjejnë kohë edhe po përgjigjen, po nënshkruajnë, po shkojnë nëpër organizata”, tha ai.

    Ai bëri të ditur se nënshkrimet po mblidhen edhe derë më derë nëpër fshatra, nga aktivistët e degëve të OVL-UÇK-së.

    “Ne kemi bërë një iniciativë krejt tjetër. Iniciativa jonë është nëpër fshatra jemi tu punu shumë, njerëzit që shkojnë nga degët e Kosovës, kanë marrë iniciativë, kanë dalë, janë nëpër sheshe, po pjesa dërrmuese është do të dalin me makina, ka tre-katër vetë dalin nëpër fshat dhe punojnë nëpër fshatrat e ndryshme, çdo derë për derë tu mbledh nënshkrime, shtëpi për shtëpi”, tha ai.

    Gucati u bëri thirrje qytetarëve që të nënshkruajnë peticionin, duke theksuar se procedura online zgjat vetëm një minutë.

    “Thirrja ime është për qytetarët, ju baj apel gjithë qytetarëve, mos hezitoni t’ja kushtoni një minutë kohë nënshkrimit. Online e keni shumë ma shpejt me apliku apo me nënshkru, edhe kështu e keni një minutë punë e keni. Kisha ba thirrje gjithë qytetarët e Kosovës, edhe gjithë qytetarët shqiptarë që ta nënshkruajnë, mos të hezitojnë. Unë du ta falënderoj edhe universitetet tona të vendit të Kosovës, edhe në Shqipëri, edhe në Maqedoni. Njerëzit e universitetit që janë tu punu shumë këto ditë, edhe ata janë mbledh, edhe të gjithë, të tjerët, po edhe liderët tonë këtu që i kemi në Kosovë, si Ramush Haradinajn ju e dini, Bedri Hamza, të gjithë, të gjithë”, tha ai.

    Ai bëri të ditur se peticioni është nënshkruar edhe nga një pjesëtar i komunitetit serb, i cili, sipas tij, ka shprehur gatishmëri për të dëshmuar në Hagë.

    “Po jua them me sinqeritetin ma të madh, kemi nga komuniteti serb. Po do ta bëj publike ma vonë, kur ta marr listën nga një komunë ku do ta shihni edhe emrin që kanë nënshkru. Një pjesëtar i një komunitetit tjetër ka nënshkru për peticionin edhe ka thënë: ‘Unë, thotë, nëse m’thirr gjykata apo kisha pas dëshirë me m’thirrë, me shku me dëshmu, me thënë çoni njerëzit që janë të pafajshëm, krime ka bo Serbia. Është i komunitetit serb. Bashkë komuniteti serb është. Është me emër e mbiemër, krejt është që ka nënshkru në peticion edhe ka bo thirrje në komunën e Klinës, kjo është e vërtetë që do të thotë duhet me bo edhe me shkru peticionin të gjithë. Kështu që për ne është një sukses i madh që po shohim tu i vetëdijësu njerëzit, duke pas parasysh që Kosova asht e vendit të gjithëve. Në Kosovë kanë të drejtë të gjithë. Jo kriminelët kuptohet, jo njerëzit që kanë bo krime në Kosovë, po ata të cilët s’kanë bo krime në Kosovë, ata të cilët ja dojnë të mirën vendit. Është Kosova e mund t’jetojnë të gjithë”, tha ai.

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka nisur Peticioni Kombëtar drejtuar Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë me 25 shkurt.

  • Një dron vërehet duke fluturuar mbi burgun e Gjilanit

    Një dron vërehet duke fluturuar mbi burgun e Gjilanit

    Një gardian i burgut të hënën ka vërejtur një dron duke fluturuar mbi burgun e Gjilanit dhe më pas është larguar.

    Në raportin 24-orësh të mërkurën, Policia ka bërë të ditur se ka hapur rast në drejtim të veprës penale “fotografim, incizim i paautorizuar”.

    “Njësitë policore ka dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke u marrë me rastin”, thuhet në njoftim.

    Burgu i Gjilanit gjendet në fshatin Pasjak të Novobërdës.

  • Gaxherri: Kurti mund të funksionojë vetëm nëpërmjet krizave

    Gaxherri: Kurti mund të funksionojë vetëm nëpërmjet krizave

    Ish-deputetja Besa Gaxherri e ka kritikuar Qeverinë nën kryesimin e Albin Kurtit, duke thënë se ky i fundit mund të funksionojë vetëm duke prodhuar kriza institucionale.

    Gaxherri ka theksuar se Qeveria Kurti është më e dëmshmja ndonjëherë dhe se Vetëvendosja e ka keqmenaxhuar situatën prej kur e ka marrë mandatin e parë.

    “Për mua është risi mënyra e krizave dhe funksionimit të shtetit në këtë formë çfarë ndodh nga fillimi që ka filluar Vetëvendosja. E dimë se Kurti funksionon dhe mund të funksionojë vetëm përmes krizave, ashtu ka funksionuar edhe në opozitë, ashtu funksionon edhe tash në qeverisje, edhe kur i ka 51%, Kurti gjithmonë duhet të krijojë kriza për të funksionuar”, ka thënë ajo në Konfront.

  • Vazhdon gjykimi për sulmin terrorist në Banjskë

    Vazhdon gjykimi për sulmin terrorist në Banjskë

    Në Gjykatën Themelore të Prishtinës do të mbahet sot seancë gjyqësore lidhur me sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit.

    Para trupit gjykues do të paraqiten Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, të cilët përballen me akuza të rënda për përfshirje në ngjarjet e 24 shtatorit 2023, në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit.

    Gjatë këtij sulmi, mbeti i vrarë rreshteri hero Afrim Bunjaku, ndërsa disa zyrtarë të tjerë policorë u plagosën.

    Seanca gjyqësore është paraparë të nisë me fillim nga ora 09:30.

  • Ish‑anëtari i GUXO: Gërvalla e Peci kërcënuan deputetët që të mos e votojnë Osmanin për presidente

    Ish‑anëtari i GUXO: Gërvalla e Peci kërcënuan deputetët që të mos e votojnë Osmanin për presidente

    I sh‑anëtari i kryesisë së degës së GUXO‑s në Pejë, Ruzhdi Blakaj, ka bërë deklarata të forta kundër udhëheqësve të partisë dhe dy figurave kryesore të saj, Donika Gërvalla dhe Faton Peci, për mungesën e mbështetjes që Vjosa Osmani të rizgjidhet Presidente e Kosovës.

    Blakaj, në “Debat Plus” në Dukagjin, u shpreh se sipas tij Gërvalla dhe Peci kanë ushtruar presion dhe kërcënime ndaj deputetëve që të mos e mbështesin Osmanin në garë.

    “Janë pak persona që nuk e deshtën Vjosa Osmanin, mendoj që Donika Gërvalla bashkë me Faton Pecin i kanë kërcënuar deputetët deri në atë që e ka quajtur edhe manipuluese Presideten dhe i kanë kërcenuar se nëse futet në garë Glauku bashkë me Presidentën nuk guxoni ta votoni Vjosën. Unë edhe atëherë kam treguar që këta nuk janë kryetarë të GUXO-s dhe se këta kanë kaluar në Vetëvendosje”, deklaroi Blakaj në Debat Plus.

    Blakaj, mes tjerash, thotë se partia GUXO sipas tij është përdorur si mjet për të mbledhur vota dhe jo si një subjekt politik.

    “Një fakt shumë i thjeshë është se si mundet një kryetar i GUXO-s për krytar të Mitrovicës kur as emërin e partisë nuk e ka përmend ai ka kandiduar me Vetëvendosje dhe jo me GUXO. GUXO moti përdoret si mjet për të mbledhur vota dhe jo më shumë. Shumë pak person nuk e duan Vjosën ndër ta janë Gërvalla dhe Peci e edhe kryeministri, Albin Kurti”, u shpreh Blakaj.

  • Parlamenti i El Salvadorit miraton dënime me burgim të përjetshëm për vrasësit, përdhunuesit dhe terroristët

    Parlamenti i El Salvadorit miraton dënime me burgim të përjetshëm për vrasësit, përdhunuesit dhe terroristët

    Parlamenti i El Salvadorit ka miratuar rishikimin e tretë të kushtetutës, i cili tani lejon dënime me burgim të përjetshëm për krime të rënda si vrasja, përdhunimi dhe terrorizmi, duke përmbushur një kërkesë të Presidentit Nayib Bukele

    Ndryshimi kushtetues shënon një reformë të rëndësishme të sistemit penal të vendit të Amerikës Qendrore, duke forcuar kuadrin për shtypjen e krimit, si pjesë e “luftës” së qeverisë kundër bandave.

    Rishikimi hoqi në mënyrë të qartë ndalimin kushtetues për vendosjen e “dënimeve me burgim të përjetshëm”, duke hapur rrugën për dënime më të ashpra për kategori specifike krimesh.

    Dispozita e re synon konkretisht “vrasësit, përdhunuesit dhe terroristët”, siç kërkoi Presidenti Nayib Bukele.

    Vendimi u miratua me shumicë të madhe, me 59 nga 60 anëtarë të parlamentit që votuan në favor të rishikimit.

    Njoftimi u bë nga presidenti i Delegacionit Kombëtar të El Salvadorit, Ernesto Castro.

    Deri dje, dënimi më i rëndë i parashikuar nga sistemi ligjor i Salvadorit ishte burgimi deri në 60 vjet.

    Rregullorja e re kushtetuese e ndryshon rrënjësisht këtë kuadër, duke lejuar tani vendosjen e burgimit të përjetshëm për krimet më të rënda.

  • Vrasja në Gjakovë: Pse e prishën miqësinë vrasësi e viktima?

    Vrasja në Gjakovë: Pse e prishën miqësinë vrasësi e viktima?

    Lokali “My Place” punoi të hënën prej mesnate deri në mëngjes me disa njerëz brenda.

    E pronari i tij, Nexhdet Zymberaj qëndroi me mysafirët deri në 5:20 kur edhe në ato moment i erdhi dikush i paftuar, raporton Klan Kosova.

    Ish-miku Rasim Binakaj me të cilin kishte prishur miqësinë që një kohë për shkak të disa borxheve për të cilat e ka kërcënuar, i erdhi përsëri në derë.

    Pas fjalosjes nuk arritën marrëveshje kështu 52 vjeçi i dyshuar mori armën dhe zbriti shkallëve për ta qëlluar. Por plumbi kapi gabimisht Edi Mehmetin që ishte aty me vëllanë.

    Babai i 29-vjecarit të plagosur thotë se i biri nuk dinte çka po ndodh pavarësisht se njihej me të dyshuarin.

    I plagosuri ka deklaruar se nuk e njeh viktimën. Edhe pse viktima Binakaj u përpoq të shpëtonte duke ikur jashtë lokalit Zymberaj shkrepi plumba në të duke e lënë të vdekur.

    Vëllai i viktimës Rasim Binakaj i tha Klanit se nuk e dinte që kishte probleme me të dyshuarin.

    Siç mëson Klani, familja e të dyshuarit është fshehur deri në momentin e varrimit të viktimës. E një person që njeh familjen Zymberaj tha se i dyshuari ka qenë i kërcënuar vazhdimisht. Bile kishte dërguar edhe klerik fetar për t’u pajtuar.

    Zymberaj është ndaluar në polici për 48 orë. I njëjti ka dorëzuar edhe armën e llojit TT.

    I dyshuari ishte vetëdorëzuar në polici pas arratisjes 14-orëshe. Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar paraburgim prej 30 ditësh për veprën penale “vrasje e rëndë”.

    Ndërsa varrimi i viktimës bëhet të mërkurën në ora 14:00 në Devë të Gjakovës.