ATV

Author: K.B.

  • Bjellorusia stërvit emigrantë për të luftuar rojet kufitare të Evropës

    Bjellorusia stërvit emigrantë për të luftuar rojet kufitare të Evropës

    Shefi i inteligjencës së Letonisë ka zbuluar se Bjellorusia po stërvit migrantët në luftime përpara se t’i detyrojë ata të kalojnë kufijtë e Bashkimit Evropian.

    Normunds Mežviets, kreu i shërbimit të sigurisë shtetërore VDD të Letonisë, i bëri këto pretendime në një intervistë me The Telegraph.

    Ai tha se migrantët po përgatiten për përballje të dhunshme me rojet kufitare përpara se të shtyhen në Poloni dhe shtetet baltike, transmeton Telegrafi.

    Dhjetëra mijëra kanë kaluar në BE vitet e fundit, në atë që zyrtarët perëndimorë e përshkruajnë si pjesë të fushatës së përshkallëzuar të luftës hibride të Moskës.

    Duke folur nga një bunker në selinë e agjencisë së tij, Mežviets tha se taktikat bjelloruse dhe ruse janë bërë gjithnjë e më agresive.

    “Mbaj mend vitet e para, ishin mjaft, mjaft të qeta, por vitin e fundit po bëhet më agresive”, tha ai.

    Zyrtarët bjellorusë kanë zhvilluar gjithashtu mënyra të reja për të manipuluar migrantët përpara se t’i dërgojnë në kufi.

    Një taktikë, e përshkruar nga Mežviets si një “operacion informacioni”, përfshin shfaqjen e pamjeve të fabrikuara për migrantët, të dizajnuara për të ndezur tensionet.

    Videot portretizojnë viktima të supozuara të “rojeve të këqija dhe të dhunshme kufitare që i rrahin, i torturojnë dhe i nxjerrin jashtë”, tha ai.

    Megjithatë, analistët e identifikuan shpejt materialin si të rremë.

    “Ato po tregojnë plagët e tyre dhe, pa qenë një ekspert i madh në këtë fushë, mund të them se nuk janë plagë të vërteta”, shtoi Mežviets.

    Kur u pyet nëse inteligjenca artificiale është përdorur për të krijuar lëndimet, ai tha se ishte “thjesht një sajesë e dobët dhe mjaft e thjeshtë”.

    Por zyrtarët thonë se tani po shfaqet një kërcënim më serioz.

    “Kemi pasur disa informacione se po i trajnojnë ata [të jenë më të dhunshëm]”, tha Mežviets.

    Ai nuk pranoi të jepte detaje të mëtejshme, por konfirmoi se Bjellorusia ka ndërtuar infrastrukturë përgjatë kufirit, duke përfshirë vende magazinimi, akomodim dhe së fundmi kampe ku emigrantëve u jepet trajnim luftarak.

    Autoritetet polake i kanë thënë gjithashtu gazetës se janë ndërtuar tunele nëntokësore përgjatë pjesëve të kufirit lindor të BE-së, për të ndihmuar kalimet.

    “Ende nuk kemi parë tunele siç kanë parë miqtë tanë polakë, por që nga fillimi kemi parë një grumbullim masiv të autoriteteve bjelloruse dhe KGB-së bjelloruse dhe rojeve kufitare që promovojnë hapur këtë migrim të paligjshëm”, tha z. Mežviets.

    Përballja i paraprin pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia, i cili shpesh shihet si fillimi i fushatës së saj hibride kundër NATO-s.

    Duke reflektuar mbi taktikat që përdoren, Mežviets tha: “E kuptoj se si mund të kryhen operacione të tilla. Nëse më duhet ta bëj ndonjëherë, do të jem më i përgatitur për të”.

  • Shtrëngimi i duarve u shndërrua në një konflikt verbal: Rudiger ‘sulmoi’ Guardiolën

    Shtrëngimi i duarve u shndërrua në një konflikt verbal: Rudiger ‘sulmoi’ Guardiolën

    Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola ka pasur një situatë të pakëndshme pas ndeshjes me mbrojtësin e Real Madridit, Antonio Rudiger, pavarësisht se ai i përgëzoi të gjithë lojtarët e klubit spanjoll për fitoren.

    Lojtarët e Manchester Cityt janë eliminuar nga beteja për një nga katër trofetë për të cilët luftonin këtë sezon, pasi u eliminuan nga Liga e Kampionëve.

    ‘Qytetarët’ u eliminuan nga gara elitare nga Real Madridi, i cili fitoi me rezultat të përgjithshëm 5-1, dhe pas ndeshjes në Etihad mbrëmë, u pa një skenë interesante.

    Konkretisht, trajneri i Cityt, Pep Guardiola, i përshëndeti lojtarët në fushë, buzëqeshi pavarësisht humbjes, dhe kur arriti te Antonio Rudiger, gjermani e tronditi.

    Rudiger padyshim kishte diçka që e shqetësonte Guardiola gjatë ndeshjes, dhe për shkak të kësaj, ai kishte diçka për t’i thënë atij gjatë këtij takimi.

    Buzëqeshja u zhduk shpejt nga fytyra e Guardiolës, kur ai e kuptoi se Rudiger ishte serioz, dhe më pas lojtarët e tjerë i ndanë së bashku me trajnerin e Real Madridit, Alvaro Arbeloa.

    Guardiola u largua me qetësi nga vendi i konfliktit, ndërsa Rudiger vazhdoi t’i ankohej nga larg, dhe më pas spanjolli i dërgoi një puthje.

  • Kurti për tragjedinë në Austri: Jemi të tronditur, Qeveria është në kontakt me Ambasadën në Vjenë

    Kurti për tragjedinë në Austri: Jemi të tronditur, Qeveria është në kontakt me Ambasadën në Vjenë

    Kryeministri Albin Kurti u shpreh i tronditur thellësisht me lajmin për vdekjen e disa personave si pasojë e një aksidenti në një punishte ndërtimi në Vjenë të Austrisë, ndër të cilët tre shqiptarë nga Kosova.

    “Na ka tronditur thellësisht lajmi për vdekjen tragjike të disa personave në Austri. Sipas informacioneve zyrtare nga Ambasada jonë atje, tre prej tyre janë identifikuar si qytetarë të Republikës së Kosovës”, shkroi ai në një postim në Facebook.

    Kurti u shprehu ngushëllime familjeve të viktimave.

    “Në këto momente të rënda, shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e viktimave dhe të gjithë ata që janë prekur nga kjo humbje e madhe”.

    Kryeministri tha se është në “komunikim të ngushtë” me Ambasadën e Kosovës në Vjenë.

    “Qeveria e Republikës së Kosovës është në komunikim të ngushtë me Ambasadën tonë në Vjenë për të ofruar gjithë mbështetjen e nevojshme”.

    Sipas njoftimit të Ambasadës, aksidenti ka ndodhur në distriktin Alsergrund, gjatë punimeve ndërtimore, kur një pjesë e konstruksionit është shembur, duke lënë punëtorët të bllokuar nën rrënoja.

  • Rasti i Gjestit me pronarin e “Onima”, producenti Bini Diez: Para se të nënshkruani kontratën, mendoni mirë çka po pranoni

    Rasti i Gjestit me pronarin e “Onima”, producenti Bini Diez: Para se të nënshkruani kontratën, mendoni mirë çka po pranoni

    Pas arrestimit të Gjestit dhe reagimit të pronarit të kompanisë muzikore, “Onima”, Erkand Shabani, kanë pasuar edhe shumë reagime të tjera.

    Së fundmi në lidhje me këtë çështje ka folur edhe producenti nga Ferizaj, Shkumbin Nebihu i njohur si Bini Diez.

    I njëjti thekson se para se të nënshkruhet një kontratë, duhet analizuar e pajtuar me kushtet që i ofron dhe se të dy palët duhet me qenë korrekt.

    Shton gjithashtu se kjo nuk është hera e parë që ka probleme të tilla, e që ka shumë që nuk janë bërë publike.

    Postimi i plotë i Bini Diez (pa ndërhyrje):

    “Kontrata nuk është formalitet – është obligim.

    Para se me nënshkru, mendo mirë çka po pranon, sepse kur vendos nenshkrimin përgjegjësia është e jotja.

    Nuk mbrohet vetëm me fjalë, por me dokument.

    Por njëkohësisht, edhe kontraktuesi ka detyrim me respektu çdo pikë të marrëveshjes ,korrektësia duhet me qenë në dy anët.

    Vlen për të gjithë pa dallim, nuk është hera e par qe po ndodhin probleme, perndryshe kemi SHUME probleme qe nuk jan publike”.

  • Aksident në rrugën Podujevë-Prishtinë, humb jetën një person

    Aksident në rrugën Podujevë-Prishtinë, humb jetën një person

    Një aksident me fatalitet ka ndodhur sot në rrugën Podujevë-Prishtinë.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti.

    Ahmeti ka bërë të ditur se aksidenti ka ndodhur rreth orës 07:00 ku ka qenë e përfshirë një motoçikletë.

    “Si pasojë e aksidentit ngasësi i motoçikletës nuk ka arritur të përballoj plagët, dhe i njëjti ka vdekur. Vdekja e viktimës (mashkull) është konstatuar nga ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, ka bërë të ditur Ahmeti.

    Ajo ka shtuar se me rastin po merret njësiti i trafikut rajonal.

  • Kuba thotë se është e gatshme për luftë me SHBA-në

    Kuba thotë se është e gatshme për luftë me SHBA-në

    Kuba ka shprehur gatishmëri për t’u përballur me çdo kërcënim të mundshëm nga jashtë, në një moment kur tensionet politike janë rritur ndjeshëm.

    Presidenti kuban, Miguel Díaz-Canel, deklaroi përmes platformës X se çdo agresion i huaj do të përballet me një rezistencë të fortë dhe të pathyeshme nga populli i Kubës.

    Ai theksoi se vendi mbetet i vendosur për të mbrojtur sovranitetin dhe pavarësinë e tij, pavarësisht presioneve ndërkombëtare.

    Këto deklarata vijnë pasi presidenti amerikan, Donald Trump u shpreh se mund të ketë “nderin” të marrë kontrollin mbi Kubën, një koment që ka nxitur reagime të ashpra dhe shqetësim në arenën ndërkombëtare.

    Situata në Kubë është bërë edhe më e vështirë për shkak të zhvillimeve në Amerikën Latine. Pas dobësimit dhe rënies së ndikimit të liderit venezuelas, Nicolas Maduro, Kuba ka mbetur pa furnizimin e rëndësishëm me naftë nga Venezuela, që për vite me radhë ka qenë një shtyllë kyçe për ekonominë e ishullit.

    Si pasojë, vendi është përballur me ndërprerje të gjata të energjisë elektrike, mungesa të furnizimeve bazë dhe përkeqësim të kushteve të jetesës. Kjo ka çuar në një krizë humanitare që konsiderohet ndër më të rëndat në dekadat e fundit, duke rritur pakënaqësinë sociale dhe presionin ndaj autoriteteve.

    Në këtë kontekst të brishtë ekonomik dhe politik, deklaratat për përballje të mundshme ushtarake vetëm sa e shtojnë tensionin, ndërsa e ardhmja e Kubës mbetet e pasigurt mes sfidave të brendshme dhe presioneve të jashtme.

    Kuba pa energji dhe në errësirë totale, Trump: Mund ta marr ishullin kur të dua

  • Kanabisi nuk është trajtim efektiv për ankthin dhe shëndetin mendor

    Kanabisi nuk është trajtim efektiv për ankthin dhe shëndetin mendor

    Një analizë e madhe ndërkombëtare ka nxjerr në përfundimin se kanabisi nuk është zgjidhje efektive për shumë probleme të shëndetit mendor, pavarësisht përdorimit në rritje nga pacientët, ka shkruar The Guardian.

    Studiues nga universitete në Australi dhe Britani analizuan 54 studime me mbi 2,400 pjesëmarrës dhe gjetën “shumë pak prova për efektivitetin e tij” në trajtimin e çrregullimeve si ankthi, anoreksia, çrregullimet psikotike, PTSD (stresi posttraumatik) dhe varësia nga opioidet.

    “Nuk u gjetën efekte të rëndësishme në trajtimin e këtyre gjendjeve”, thuhet në raportin e studimit të publikuar në The Lancet Psychiatry.

    Po ashtu, nuk ka pothuajse fare prova që kanabisi ndihmon në depresion, ndërsa për çrregullime të tjera si ADHD (çrregullime me hiperkativitet dhe mungesë të vëmendjes) apo bipolariteti, provat janë të pamjaftueshme.

    “Përdorimi rutinë i kanabinoideve për çrregullime mendore aktualisht rrallë justifikohet”, kanë theksuar studiuesit në raport.

    Megjithatë, disa prova tregojnë se produktet me bazë kanabisi mund të ndihmojnë në raste të caktuara, si përmirësimi i gjumit, ulja e simptomave të sindromës Tourette apo ndihma në disa varësi.

    “Përfitimet terapeutike të kanabisit janë shumë të kufizuara, ndërsa efektet anësore janë të shpeshta… shumë njerëz po mashtrohen ta përdorin për problemet e tyre”, ka thënë profesori Robin Murray nga King’s Collage London.

    Nga ana tjetër, përfaqësues të industrisë kundërshtojnë këto përfundime.

    “Provat nga praktika reale tregojnë se kanabisi mjekësor ul simptomat e ankthit dhe PTSD-së dhe studimi nuk pasqyron si duhet përdorimin klinik”, ka thënë Mike Morgan-Giles, shef ekzekutiv i Cannabis Industry Council

    Ekspertë të tjerë kërkojnë kujdes më të madh.

    Profesori Owen Bowden-Jones nga Royal College of Psychiatrists ka thënë se studimi është mjaft i qartë.

    “Ky studim tregon qartë se përfitimet e kanabisit si ilaç mund të jenë ekzagjeruar. Pacientët duhet të kenë informacion të saktë dhe transparent për të marrë vendime duke qenë të informuar”, ka thënë ai. /Përktheu: Koha/.

  • Arrestohet personi që goditi për vdekje profesorin në Skenderaj

    Arrestohet personi që goditi për vdekje profesorin në Skenderaj

    Një aksident tragjik me fatalitet ka ndodhur mbrëmjen e së martës në Skenderaj, ku si pasojë e goditjes nga një veturë ka humbur jetën profesori Miftar Lushtaku.

    Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00 në rrugën “Skënderbeu”, ku sipas raportit të Policisë së Kosovës, një këmbësor mashkull kosovar është goditur nga një automjet, duke pësuar lëndime fatale.

    Policia ka bërë të ditur se drejtuesi i veturës, i dyshuar mashkull kosovar, është arrestuar menjëherë pas rastit.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që me veturë nga pakujdesia ka goditur për vdekje këmbësorin mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente për të sqaruar plotësisht rrethanat e aksidentit tragjik.

    Raportohet se këmbësori që u godit për vdekje në Skënderaj ishte profesor nga kjo komunë

  • Gruaja në skandalin me ‘Kiss Cam’ thotë se ish-shefi i saj e ka gënjyer: Nuk kemi më asnjë marrëdhënie

    Gruaja në skandalin me ‘Kiss Cam’ thotë se ish-shefi i saj e ka gënjyer: Nuk kemi më asnjë marrëdhënie

    Kristin Cabot ka folur në një intervistë me Oprah Winfrey për skandalin viral që ndodhi gjatë një koncerti të “Coldplay”, ku ajo u pa në “Kiss Cam” në krahët e ish-shefit të saj, Andy Byron.

    Momenti u bë viral pasi Chris Martin bëri shaka se mund të kishin një aferë.

    Cabot tha se ajo dhe Byron nuk kanë më asnjë kontakt dhe se e ndërpreu komunikimin me të në vjeshtë, sepse mendon që ai nuk ishte i sinqertë dhe nuk ishte personi që pretendonte të ishte.

    Ajo la të kuptohet se disa gjëra që ai i kishte thënë për jetën e tij personale nuk ishin të vërteta.

    Në kohën e incidentit, të dy ishin të martuar, por Cabot tha se besonte se Byron ishte i ndarë nga gruaja e tij.

    Ajo theksoi se kontakti fizik në koncert ishte i pari mes tyre dhe nuk kishin pasur marrëdhënie seksuale.

    Pas skandalit, të dy u larguan nga kompania ku punonin, por Cabot u përball me kritika shumë më të ashpra, përfshirë sulme personale dhe kërcënime.

    U shpreh se është trajtuar ndryshe nga Byron, i cili ka qëndruar në heshtje dhe madje ka marrë oferta pune, ndërsa ajo është ndjerë e detyruar të dalë publikisht dhe të shpjegojë situatën.

    Cabot pranoi se kishte bërë një gabim, por mendon se reagimi publik ndaj saj ishte i tepruar dhe i padrejtë.

  • Burri nga Peja raporton gruan e tij në polici se vazhdimisht rrah fëmijën e tyre, dërgon video e mesazhe

    Burri nga Peja raporton gruan e tij në polici se vazhdimisht rrah fëmijën e tyre, dërgon video e mesazhe

    Një person ka raportuar se bashkëshortja e tij që një kohë të gjatë është duke ushtruar dhunë fizike ndaj fëmijës së tyre.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të martën rreth orës 10:00, në Pejë.

    Tutje bëhet e ditur se si dëshmi lidhur me rastin ankuesi ka proceduar video incizime dhe mesazhe.

    “Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se bashkëshortja e tij që një kohë të gjatë është duke ushtruar dhunë fizike ndaj fëmijës së tyre. Si dëshmi lidhur me rastin ankuesi ka proceduar video incizime dhe mesazhe. E dyshuara është intervistuar, pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.