ATV

Author: K.B.

  • Momenti kur Izraeli bën rrafsh me tokë ndërtesën në Bejrut

    Momenti kur Izraeli bën rrafsh me tokë ndërtesën në Bejrut

    Ushtria izraelite ka shkatërruar një ndërtesë në qendër të Bejrutit në Liban gjatë serisë së re të bombardimeve në këtë shtet.

    Izraeli ka nisur një fushatë të re ajrore ndaj grupit militant të Hezbollahut pas sulmeve me raketa që grupi kreu në drejtim të territorit izraelit.

    Ushtria izraelite kishte paralajmëruar banorët e ndërtesës që të evakuoheshin para se ta bënte rrafsh me tokë gjatë një sulmi të martën mbrëma.

  • Si ta largoni djersitjen e tepërt?

    Si ta largoni djersitjen e tepërt?

    Djersitja është një ndër problemet më të zakonshme, por edhe më shqetësuese për shumë njerëz, sidomos kur shfaqet në zonën e nënsqetullave dhe ndikon drejtpërdrejt në jetën sociale.

    Shenjat e djersës në rroba shpesh krijojnë siklet dhe pasiguri, duke e bërë këtë çështje më shumë sesa thjesht fizike.

    Mjekët shpjegojnë se djersitja është një proces natyral i trupit për të rregulluar temperaturën, sidomos gjatë aktivitetit fizik ose në situata emocionale.

    Megjithatë, tek disa persona ky funksion është më i theksuar, duke u kthyer në një problem të vërtetë që prek cilësinë e jetës.

    Aktualisht ekzistojnë disa trajtime që synojnë reduktimin e aktivitetit të gjëndrave të djersës, përfshirë kremra, xhel dhe sprej për përdorim lokal. Megjithatë, në raste më të theksuara, këto metoda japin rezultate të kufizuara dhe mund të shoqërohen me efekte anësore, ndaj rekomandohet përdorimi i tyre vetëm pas konsultimit me një specialist.

    Një ndër metodat më moderne që po përdoret sot është trajtimi me botoks, i cili ndihmon në kontrollin e djersitjes së tepërt, veçanërisht në zonën e nënsqetullave, duke ofruar një zgjidhje më afatgjatë për këtë problem.

  • Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për kapjen e një personi, dyshohet për grabitje

    Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për kapjen e një personi, dyshohet për grabitje

    Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një personi, që dyshohet për veprën penale “grabitje”, raporton Gazeta Sinjali.

    Në faqen zyrtare të policisë në Facebook, është publikuar fortografia e tij, ku kërkohet informacion për të mundësuar kapjen e tij.

    “Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e tij, ju lusim të kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192 ose përmes emailit: [email protected].”, thuhet në kërkesën e PK-së.

  • Spektakli i Ligës së Kampionëve vazhdon sonte me katër super ndeshje

    Spektakli i Ligës së Kampionëve vazhdon sonte me katër super ndeshje

    Mbrëmja e sotme sjell përballje shumë të forta në fazën e 1/8-ës së finales në Ligën e Kampionëve, ku disa skuadra kërkojnë përmbysje, ndërsa të tjera janë me një këmbë në çerekfinale.

    Përballja në “Camp Nou” nis nga rezultati 1-1 i ndeshjes së parë. Barcelona është favorite falë formës së mirë në shtëpi, ku nuk ka humbur në 12 ndeshje, ndërsa Newcastle synon surprizën e madhe. Ndeshje shumë e hapur, por me avantazh të lehtë për Barcelonën.

    Bayern është shumë pranë kualifikimit pas fitores 6-1 në ndeshjen e parë. Gjermanët janë favoritë absolutë edhe sonte, pavarësisht disa mungesave. Pritet ndeshje me gola, por kualifikimi duket i mbyllur.
    Liverpool duhet të përmbysë humbjen 1-0 nga ndeshja e parë. Anglezët luajnë në “Anfield”, por forma e paqëndrueshme i vendos në presion, derisa Galatasaray vjen me besim, por Liverpool mbetet i rrezikshëm në shtëpi.

    Tottenham ka probleme me formën dhe mungesa, kurse Atletico është shumë pranë çerekfinales, ku ka epërsi të madhe 5-2 nga ndeshja e parë dhe është favorit për të fituar edhe në Londër.

    Të gjitha ndeshjet do të zhvillohen sonte më 18 mars 2026, me fillim nga ora 21:00, përveç ndeshjes Barcelona vs Newcastle United, që nis nga 18:45.

  • U.D. drejtorja dhe dy zyrtare të tjera të ARBK-së shoqërohen në Polici, aksioni vazhdon

    U.D. drejtorja dhe dy zyrtare të tjera të ARBK-së shoqërohen në Polici, aksioni vazhdon

    Tri zyrtare të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, përfshirë ushtruesen e detyrës së drejtores, janë shoqëruar në Polici, ndërsa aksioni në ARBK po vazhdon.

    Gazeta Express mëson se janë shoqëruar në Polici: U.D. drejtorja e ARBK-së, Igballe Rexha Jashari, U. D Drejtore e ARBK, zyrtarja për procesimin e të dhënave, Albin Isufi dhe aprovuesja e lëndëve në këtë agjenci, Florije Lecaj.

    Aksioni që nisi që në orët e hershme të mëngjesit po zhvillohet me urdhër të Gjykatës Themelore të Prishtinës, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe “rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve”.

    Prokuroria Themelore e Prishtinës tha se “gjatë këtij aksioni janë kryer bastisje në Agjencinë e Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), institucion që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë”.

    “Aksioni është ende në zhvillim e sipër, ndërsa Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore në funksion të zbardhjes së plotë të rastit”, tha Prokuroria më herët në një komunikatë për media.

  • Zyrtar i lartë i inteligjencës izraelite: Kaos në regjimin iranian pas vrasjeve të fundit, situata pritet të përkeqësohet

    Zyrtar i lartë i inteligjencës izraelite: Kaos në regjimin iranian pas vrasjeve të fundit, situata pritet të përkeqësohet

    Izraeli beson se fushata e tij e vazhdueshme e vrasjeve të synuara ndaj zyrtarëve të lartë iranianë dhe figurave ushtarake po shkakton “kaos” në udhëheqjen e regjimit iranian dhe pret destabilizim të mëtejshëm pas eliminimit të figurës së lartë të regjimit Ali Larijani dhe komandantëve të lartë të Basij të martën, sipas një zyrtari të lartë të inteligjencës izraelite.

    “Regjimi është goditur me një forcë gjashtë deri në dhjetë herë më të madhe sesa në operacionin Rising Lion”, i tha zyrtari CNN-it, duke iu referuar luftës 12-ditore ndaj Iranit në qershor 2025. “Ata po përpiqen të formojnë politika, të marrin vendime dhe të japin urdhra midis niveleve ushtarake dhe politike. Ne shohim kaos dhe situata pritet të përkeqësohet së shpejti”.

    Forcat izraelite e shënjestruan Larijanin pasi ai u pa në publik të premten e kaluar duke ecur nëpër qendrën e Teheranit. Sipas zyrtarit, “Sa herë që ata vendosin të shfaqen në publik, është një avantazh i madh për ne”. Ai shtoi: “Ideja bazë është t’i bëjmë ata të kuptojnë se nuk kanë asnjë vend të sigurt”.

    Një tjetër zyrtar i lartë ushtarak izraelit i tha CNN-it më herët këtë javë se fushata ka kaluar përtej objektivave të udhëheqjes së lartë.

    “Pasi kemi eliminuar udhëheqjen kryesore dhe atë dytësore, tani po vrasim komandantë kompanish në nivel taktik dhe për ta është shumë e vështirë të operojnë”, i tha CNN-it zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, gjeneral brigade Effie Defrin. “Ne po i gjuajmë gjeneralët 24 orë në ditë, pa ndërprerje, kështu që është e vështirë për ta të funksionojnë”.

  • Rruga Kullë – Rozhajë e pakalueshme shkaku i borës

    Rruga Kullë – Rozhajë e pakalueshme shkaku i borës

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se rruga për në pikëkalimin kufitar Kullë-Rozhajë dhe asnasjelltas, është e pakalueshme për të gjitha llojet e automjeteve.

    Sipas QKMK, kjo ka ndodhur shkaku i borës.

    “Ju njoftojmë se rruga PKK Kullë – Rozhajë dhe anasjelltas (në pjesën e Malit të Zi) është e pa kalueshme për të gjitha llojet e automjeteve për shkak të borës. Për informata shtesë kontaktoni QKMK në numrat 045198000, 045198606 dhe pa pagesë 080050095”, thuhet në njoftim.

  • Të gjithë votuan për Kim Jong Un, diktatori fiton zgjedhjet me 99.93%, por rrjeti feston për 0.07% që e refuzuan

    Të gjithë votuan për Kim Jong Un, diktatori fiton zgjedhjet me 99.93%, por rrjeti feston për 0.07% që e refuzuan

    Me një përqindje pothuajse absolute, regjimi i Koresë së Veriut njoftoi një tjetër “fitore” elektorale, me partinë në pushtet të Kim Jong-un që fitoi… 99.93% të votave në zgjedhjet për Asamblenë Supreme Popullore (SPA).

    Sipas shifrave zyrtare të raportuara nga agjencia shtetërore KCNA, pjesëmarrja arriti një shifër mbresëlënëse prej 99.99%, ku qytetarëve u kërkohet në thelb të miratojnë ose refuzojnë një kandidat të vetëm për çdo rreth, të propozuar nga Partia e Punëtorëve.

    U zgjodhën gjithsej 687 anëtarë të parlamentit, në një proces që karakterizohet ndërkombëtarisht si formal dhe pa konkurrencë të vërtetë politike.

    Vetë Kim Jong-un nuk mori pjesë si kandidat, por konsiderohet e sigurt se ai do të riemërohet në pozicionin e Kryetarit të Komisionit të Çështjeve Shtetërore, të cilin e ka mbajtur që nga viti 2016, duke forcuar më tej kontrollin e tij mbi vendin.

    Udhëheqësi i Koresë së Veriut u pa duke votuar në një minierë qymyri në rajonin Chonchong, nga ku ai gjithashtu dha një mesazh të shkurtër, duke përsëritur angazhimin e tij për një vend “më pak të prapambetur”.

    Roli i motrës së tij është forcuar

    Me rëndësi të veçantë është forcimi i pozicionit të motrës së udhëheqësit, Kim Yo-jong, e cila u promovua në një rol të lartë në Komitetin Qendror të partisë.

    Analistët vlerësojnë se 38-vjeçarja konsiderohet si një kandidate kryesore për trashëgim, të paktën në një nivel kalimtar, derisa vajza e Kim-it, Kim Ju-e, të jetë gati të marrë pushtetin.

    Festë në “X” për rezultatin e zgjedhjeve

    Disa orë pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve, komentet me një atmosferë të fortë ironike përmbytën mediat sociale, veçanërisht platformën “X”.

    Shumë përdorues u përqendruan te 0.07% që dyshohet se nuk e mbështesnin regjimin, duke postuar karakteristikisht frazën “Gjeni 0.07%”, duke e shndërruar këtë element të veçantë në një temë diskutimi virale.

  • Këta janë emrat e propozuar nga LVV, PDK, LDK dhe AAK për anëtarë të KQZ-së

    Këta janë emrat e propozuar nga LVV, PDK, LDK dhe AAK për anëtarë të KQZ-së

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë dorëzuar te Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, propozimet për anëtarë të tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

    Periskopi ka mësuar emrat e ri të propozuar për anëtarë të KQZ’së.

    Ndonëse sipas Kushtetutës i takojnë vetëm dy ulëse në KQZ, partia e kryeministrit Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, i ka dorëzuar te Osmani tre emra të ndryshëm për anëtarë në këtë institucion.

    Sipas burimeve nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Alban Krasniqi, Violeta Salihu dhe Njazi Isaku – janë emrat e propozuar nga kjo parti për përbërjen e re të KQZ-së.

    Partia e dytë në vend, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka propozuar dy emra për përfaqësues në KQZ. Nga PDK kanë treguar se Rashit Qalaj dhe Ilir Gashi janë propozimet e tyre.

    Dy partitë tjera, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë propozuar emrat e njejtë, nga mandati i kaluar: Sami Hamitin dhe Muharrem Nitajn.

    Sipas Kushtetutës së Kosovës, përbërja e KQZ-së duhet të ketë 11 anëtarë, 6 prej të cilëve përfaqësojnë grupet parlamentare shqiptare dhe 4 anëtarë nga radhët e komuniteteve. Kryesuesi i KQZ-së duhet të vijë nga radhët e sistemit gjyqësor.

    Sipas ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, presidentja Osmani ka afat 5 ditë, deri në fillim të javës së ardhshme, për të miratuar këto propozime ose jo.

  • I akuzuari për Banjskën arsyetohet se uniformën e kishte dhuratë, për gjueti

    I akuzuari për Banjskën arsyetohet se uniformën e kishte dhuratë, për gjueti

    Dushan Maksimoviq, një prej tre të akuzuarve lidhur me sulmin terrorist të Banjskës më 24 shtator 2023, është pyetur në seancë sot për një fotografi me uniforma.

    Për këtë ai ka thënë se ajo është uniformë e gjuetisë.

    “Këtë uniformë e kam marrë që ta shfrytëzoj për gjueti dhe nuk e kam ditur dhe nuk e kam pasur idenë çfarë fotografish do të përdorin në këtë procedurë”, ka thënë ai duke komentuar një fotografi që ka thënë se është e vitit 2022.

    Maksimoviq ka thënë se është gjuetar aktiv.

    “Po kjo është një nga kartelet e anëtarësisë dhe është nga viti 2022. Me gjueti kam nisur të merrem para kohës së koronavirusit”, ka shtuar ai.

    Për fotografinë e shfaqur, Maksimoviq ka thënë se “ka dashur ta provonte uniformën, siç provohen të gjitha gjërat që i blejmë”.

    “Fotografa është e datës 13 dhjetor 2022, kjo është 250 ditë para ngjarjes në Banjskë. Ajo uniformë nuk është as e ngjashme me ato të përdorura gjatë sulmit në Banjskë”, ka thënë ai. “E kam marrë dhuratë. Kam dashur ta blej, mirëpo shoku i cili merret me paintball i cili e ka pasur këtë uniformë nuk deshi të më marrë para dhe ma dhuroi”.

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po mbahet seanca e radhës ndaj të tre akuzuarve lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq. Sot Maksimoviq do të japë fjalën mbrojtëse. Dy të tjerët ishin mbrojtur në heshtje në seancën e kaluar.

    Krahas Toliqit, Spasojeviqit dhe Maksimoviqit, për sulmin terrorist në Banjskë akuzohen edhe 42 persona.

    Prokuroria Speciale e Kosovës, përveç tjerash, i ngarkon të akuzuarit në rastin Banjska me vepra terroriste dhe vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.

    Prokurori i rastit, Naim Abazi, më herët ka deklaruar se të akuzuarit kanë pasur role të ndryshme brenda grupit kriminal, nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste, deri te financimi dhe pastrimi i parave.

    Në aktakuzë thuhet se ky grup, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”.

    Si lider i këtij grupi është identifikuar Millan Radoiçiq, për të cilin thuhet se ka luajtur një rol të rëndësishëm në koordinimin e sulmit dhe aktivitetet kriminale.

    Radoiçiq gjendet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar për lidhjet me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin.

    Në Kosovë, ai gjithashtu lidhet me vrasjen e një politikani opozitar serb, si dhe me frikësimin e dëshmitarëve në një proces gjyqësor për disa ndërtime ilegale.

    Në aktakuzë, Prokuroria përmend 34 dosje me prova, në mesin e të cilave ka video-incizime, analiza të pajisjeve elektronike, përgjigje të ndryshme nga Luksemburgu, Bosnje e Hercegovina, bankat dhe institucione të ndryshme, deklarata të dëshmitarëve etj.

    Autoritetet e Kosovës e cilësojnë sulmin në Banjskë si akt terrorist dhe akuzojnë Serbinë se qëndron pas tij.

    Nga ana tjetër, Serbia ka mohuar çdo përfshirje në sulmin në Banjskë, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar se për Beogradin ky sulm nuk është terrorist, por se po hetohet.

    Bashkësia ndërkombëtare e ka dënuar ashpër sulmin në Banjskë dhe ka kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

    Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi për ngritjen e aktakuzës më 11 shtator, gati një vit pas sulmit në Banjskë.

    Në këtë fshat në veri të Kosovës, një grup i armatosur serbësh sulmoi policinë e Kosovës më 24 shtator, 2023, duke vrarë policin Afrim Bunjaku. Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.