ATV

Author: K.B.

  • Jashari takon Strasser, flasin për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet FSK-së dhe Ajovës

    Jashari takon Strasser, flasin për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet FSK-së dhe Ajovës

    Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari, priti sot në takim Rreshter Majorin Komandues të Gardës Nacionale të Ajovës, Mattheë T. Strasser.

    Sipas njoftimit zyrtar, në takim u diskutua për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet FSK-së dhe Gardës Nacionale të Ajovës, me fokus të veçantë në zhvillimin dhe avancimin e trupës së nënoficerëve.

    Jashari vlerësoi kontributin e partnerëve amerikanë, e posaçërisht të Gardës Nacionale të Ajovës, në ndërtimin e një strukture të fortë dhe profesionale të nënoficerëve brenda FSK-së.

    Nga ana tjetër, Strasser vlerësoi lart lidershipin e Jasharit në mbështetje të zhvillimit të karrierës ushtarake për të gjithë personelin e FSK-së, e në veçanti për mbështetjen e dhënë korit të nënoficerëve të FSK-së, duke theksuar rëndësinë dhe përkushtimin për zhvillimin e nënoficerëve si shtylla kryesore e FSK-së.

    “Në fund të takimit, Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, e dekoroi Rreshter Majorin e Komandës Strasser me medaljen ‘Shërbim Vetëmohues’ për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

  • Chopin Piano Fest Prishtina 2026 nis më 7 maj me edicionin e 16-të

    Chopin Piano Fest Prishtina 2026 nis më 7 maj me edicionin e 16-të

    Organizatorët e Chopin Piano Fest Prishtina kanë prezantuar programin e edicionit të 16-të të festivalit, i cili do të mbahet nga 7 maji deri më 10 qershor 2026 në Prishtina.

    Ky festival tradicional i muzikës klasike pritet të sjellë një seri koncertesh dhe aktivitetesh kulturore, duke mbledhur pianistë dhe artistë të njohur në një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore në vend.

    Organizatorët kanë ftuar publikun dhe dashamirësit e muzikës klasike që të bëhen pjesë e këtij edicioni, i cili premton performanca të veçanta me piano dhe një program të pasur artistik.

  • Pranvera Hyseni fiton çmim prestigjioz në astronomi planetare në SHBA

    Pranvera Hyseni fiton çmim prestigjioz në astronomi planetare në SHBA

    Astronomja e njohur kosovare, Pranvera Hyseni, është shpërblyer me çmimin “Stephen E. Dwornik” në fushën e astronomisë planetare, një nga vlerësimet më të rëndësishme për studiuesit e rinj në këtë disiplinë.

    Ky çmim jepet nga Shoqata Amerikane e Gjeologjisë për prezantimin më të mirë nga një student doktorature, në kuadër të Konferencës së Shkencave Planetare dhe Hënore, e mbajtur në Teksas, SHBA.

    Në këtë konferencë morën pjesë mbi 2000 studiues dhe ekspertë nga e gjithë bota, çka e bën këtë çmim një arritje të jashtëzakonshme.

    Ky sukses përfaqëson një moment të rëndësishëm jo vetëm për karrierën e saj shkencore, por edhe për promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare të shkencës.

  • Izraeli thotë se e ka vrarë ministrin e Inteligjencës së Iranit, kush është Esmail Khatib?

    Izraeli thotë se e ka vrarë ministrin e Inteligjencës së Iranit, kush është Esmail Khatib?

    Ministri izraelit i mbrojtjes, Israel Katz, ka thënë se ministri i Inteligjencës i Iranit, Esmail Khatib, u vra në një sulm gjatë natës.

    “Në këtë ditë, priten befasi të rëndësishme në të gjitha fushat që do të përshkallëzojnë luftën që po zhvillojmë kundër Iranit dhe Hezbollahut në Liban”, tha Katz gjatë një takimi me zyrtarët ushtarakë, sipas mediave izraelite.

    “Intensiteti i sulmeve në Iran po rritet. Ministri iranian i inteligjencës Khatib u eliminua gjithashtu gjatë natës”.

    Ai shtoi se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, kishte autorizuar ushtrinë “të vriste çdo zyrtar të lartë iranian… pa pasur nevojë për miratim shtesë”.

    Kjo vjen një ditë pasi Irani konfirmoi vdekjen e shefit të sigurisë, Ali Larijani, si dhe komandantit të forcës Basij, Gholamreza Soleimani, raporton The Guardian, transmeton Gazeta Express.

    Nuk pati asnjë koment deri më tani nga Irani mbi vrasjen e raportuar të Khatib.

    Kush ishte Khatib?

    Esmail Khatib u emërua ministër i inteligjencës së Iranit nga ish-presidenti i ndjerë, Ebrahim Raisi, në vitin 2021.

    Ai studioi jurisprudencë islame nën drejtimin e shumë klerikëve të lartë, përfshirë udhëheqësin e ndjerë suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.

    Ai ka mbajtur poste të larta në ministrinë e inteligjencës dhe në Zyrën e Udhëheqësit Suprem.

    Ai u sanksionua nga Thesari Amerikan për rolin e tij si kreu i Ministrisë së Inteligjencës së Iranit “për përfshirje në aktivitete kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj” në vitin 2022.

    Raportohet se Khatib iu bashkua Trupave të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në vitin 1980, menjëherë pas Revolucionit Islamik të vitit 1979.

  • Qalaj e konfirmon se është propozuar nga PDK për anëtar në KQZ

    Qalaj e konfirmon se është propozuar nga PDK për anëtar në KQZ

    Ish-deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj është propozuar për anëtar në Komisionin Qendror Zgjedhor nga radhët e kësaj partie.

    Këtë e ka konfirmuar vetë Qalaj.

    “Po jam propozuar”, ka thënë shkurt Qalaj.

    Përveç Qalajt, edhe emri i Ilir Gashit është dërguar në presidencë për anëtar të PDK-së në KQZ.

    Sipas raportimeve, LDK e ka propozuar Sami Hamtin, kurse AAK Muharrem Nitajn.

    Lëvizja Vetëvendosje besohet se do të vazhdoj me Alban Krasniqin dhe do të propozoj dy emra tjerë të rinj./eo

  • Rasti i rëndë i fëmijës 5-vjeçar, KOMF: Rast i njohur për institucionet, dështim në mbrojtjen e fëmijëve

    Rasti i rëndë i fëmijës 5-vjeçar, KOMF: Rast i njohur për institucionet, dështim në mbrojtjen e fëmijëve

    Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me rastin e rëndë të fëmijës 5 vjeçar nga Komuna e Lipjanit, i cili është dërguar në QKUK në gjendje kritike shëndetësore dhe psikologjike, si pasojë e dyshimeve për neglizhencë dhe keqtrajtim ekstrem nga prindërit.

    KOMF thekson se sipas të dhënave të institucioneve, kjo familje ishte rast i njohur për institucionet prej katër vitesh.

    “Ky rast, edhe një herë, shfaq dështimin e institucioneve në mbrojtjen e fëmijëve dhe ngrit shqetësime serioze për funksionimin dhe reagimin në kohë të mekanizmave institucionalë për mbrojtjen e tyre.

    Shteti ka obligim ligjor të jetë mburoja e parë e fëmijës kur familja dështon. KOMF kërkon hetim të plotë institucional, duke përfshirë hetimin e gjithë zinxhirit të institucioneve të përfshira në rast dhe marrjen e masave të menjëhershme në përputhje me të gjeturat, duke siguruar llogaridhënie dhe përgjegjësi institucionale”, thuhet në reagim.

    KOMF thekson tutje se ky rast ri konfirmon nevojën urgjente për reforma rrënjësore dhe investime të menjëhershme në sistemin e mbrojtjes sociale.

    “KOMF kërkon fuqizimin e kapaciteteve përmes rritjes së numrit të punonjësve socialë dhe profileve të tjera profesionale në Qendrat për Punë Sociale, në mënyrë që asnjë rast të mos mbetet pa trajtimin e duhur.

    Është jetike që institucionet të zhvillojnë programe të mirëfillta për fuqizimin e familjeve në krizë dhe të ofrojnë shërbime sociale e familjare që parandalojnë eskalimin e rasteve të tilla përpara se të jetë tepër vonë”, thuhet ndër të tjera në reagim.

    KOMF u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të mos qëndrojnë indiferentë, pasi mbrojtja e fëmijëve është përgjegjësi kolektive.

    “Çdo dyshim për dhunë, neglizhencë apo keqtrajtim sipas legjislacionit në fuqi duhet të raportohet menjëherë tek Policia e Kosovës apo Qendra për Punë Sociale. Raportimi në kohë, mund të jetë kufiri i vetëm që ndan jetën nga vdekja për një fëmijë në rrezik”, thuhet në reagim.

  • Tahiri i AAK-së: Qeveri e stërmbushur me të emëruar politikë, ministri fiktive dhe pa program

    Tahiri i AAK-së: Qeveri e stërmbushur me të emëruar politikë, ministri fiktive dhe pa program

    Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri kritikoi sot Qeverinë Kurti, duke thënë se është stërmbushur me të emëruar politikë, ministri fiktive dhe pa program.

    Tahiri theksoi se në vend të një qeverie funksionale dhe të orientuar drejt rezultateve, po shohim një sistem të ndërtuar për rehati politike, pa vizion të qartë dhe pa program konkret.

    Postimin e tij i plotë:

    Sot, prezantova analizën e Kabinetit me 21 anëtarë dhe 453 staf politik, një strukturë që në vend të efikasitetit reflekton një zgjerim të tepruar të emërimeve politike. Rregullorja e re synonte rregull dhe qartësi, por në praktikë kemi mbi 200 këshilltarë politikë dhe dhjetëra këshilltarë të jashtëm, ndërsa administrata profesionale mbetet në rol dytësor.

    Kryeministri me buxhet të shtetit/pare të popullit, me deri në 24 këshilltarë, zëvendëskryeministrat deri në 11 secili, ministrat deri në 7, dhe së paku 2 zëvendësministra për çdo ministri pa ndarje të qartë përgjegjësish – një model që prodhon më shumë poste sesa rezultate.

    Në krahasim me rajonin dhe vendet e Bashkimit Evropian, kjo strukturë është dukshëm më e madhe dhe më e kushtueshme, me rreth 26 staf për ministër, shumë mbi mesataren evropiane. Në vend të një qeverie funksionale dhe të orientuar drejt rezultateve, po shohim një sistem të ndërtuar për rehati politike, pa vizion të qartë dhe pa program konkret.

  • Vdes në moshën 27-vjeçare influencerja e famshme turke, Aysegul Eraslan

    Vdes në moshën 27-vjeçare influencerja e famshme turke, Aysegul Eraslan

    Influencerja e famshme turke, Aysegul Eraslan, u gjet e vdekur në shtëpinë e saj të premten në moshën 27-vjeçare.

    Familjarët e saj shkuan në banesë pasi nuk mundën ta kontaktonin dhe, kur askush nuk u përgjigj, njoftuan policinë.

    Oficerët e gjetën trupin e saj dhe ajo u shpall e vdekur në vendngjarje.

    Raportohet se Eraslan sapo ishte kthyer nga një udhëtim jashtë vendit, ndërsa një mik i saj aktor kishte shkuar për ta vizituar shkurtimisht dhe kishte ikur pak para ngjarjes.

    Sipas mediave lokale, autoritetet besojnë se Eraslan ishte kthyer në shtëpi pas një udhëtimi në Egjipt.

    Aktori Sunay Kurtulus kishte hyrë në apartamentin e saj rreth një orë para vdekjes për një vizitë të shkurtër dhe më pas kishte dalë.

    Në një deklaratë në Instagram, avokatët e Kurtulusit bënë të ditur se policia e kishte marrë në pyetje, por vetëm si pjesë të hetimeve.

    Ata shtuan se Kurtulus ka dhënë të gjitha deklaratat e nevojshme që nga fillimi i procesit dhe se nuk ishte në vendngjarje në momentin e ngjarjes.

    Avokatët gjithashtu shprehën trishtimin e tyre për humbjen e Eraslan duke i dhënë ngushëllime familjes, të afërmve dhe të dashurve të saj.

    Aysegul ishte bërë shumë e njohur në Instagram, ku kishte mbi 360 mijë ndjekës, veçanërisht pas pjesëmarrjes së saj në emisionin e modës turke “Iste Benim Stilim” (që përkthehet “Ky është stili im”).

    Ajo kishte fituar popullaritet për stilin dhe karizmën në program, por fatkeqësisht jeta e saj u ndërpre në mënyrë tragjike.

    Hetimet mbi vdekjen e saj janë ende në zhvillim.

  • Vihet gurthemeli i Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë, Kurti e quan çast historik

    Vihet gurthemeli i Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë, Kurti e quan çast historik

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, së bashku me drejtues të Federatës së Xhudos së Kosovës dhe ministrin e Rinisë e Sportit,Blerim Gashani, morën pjesë në ceremoninë e vënies së gurthemelit të Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë.

    Kjo ngjarje shënon një moment të rëndësishëm për zhvillimin e sportit të xhudos në vend, duke reflektuar përkushtimin institucional për avancimin e infrastrukturës sportive dhe mbështetjen e talenteve të reja. Ndërtimi i kësaj qendre përfaqëson një hap konkret drejt krijimit të kushteve bashkëkohore për sportistët, duke mundësuar përgatitje më cilësore, zhvillim profesional dhe rritje të kapaciteteve konkurruese në nivel ndërkombëtar.

    Qendra Nacionale e Xhudos do të shërbejë si një hapësirë moderne dhe funksionale për përgatitjen e sportistëve elitarë dhe të rinj, duke kontribuar drejtpërdrejt në kultivimin e talenteve të reja dhe në vazhdimin e traditës së sukseseve që Kosova ka arritur në këtë sport. Ky investim dëshmon përkushtimin e institucioneve për të mbështetur sportin si një ndër shtyllat kryesore të zhvillimit shoqëror dhe përfaqësimit dinjitoz të vendit në arenën ndërkombëtare.

    Në këtë ceremoni morën pjesë edhe Ministri në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, Zëvendësministrja e Sportit dhe Rinisë, Daulina Osmani, Presidenti i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, trajneri i mirënjohur Driton Kuka, si dhe kampionët Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi dhe Akil Gjakova.

  • Samsung ndërpret prodhimin e Galaxy Z TriFold në Korenë e Jugut

    Samsung ndërpret prodhimin e Galaxy Z TriFold në Korenë e Jugut

    Sipas një raporti të ri nga Koreja e Jugut, vendi i origjinës së Samsung, telefoni i parë inteligjent i kompanisë me palosje të dyfishtë, Galaxy Z TriFold, do të ndërpritet rreth tre muaj pas lansimit.

    Samsung thuhet se do të ndërpresë shitjet vendase të pajisjes më 17 mars.

    Kompania ka qenë e njohur për shitjen e telefonit disa herë, pasi e ka prodhuar vetëm në sasi tepër të vogla. Vetëm disa njësi kanë qenë në dispozicion, të cilat u shitën menjëherë.

    Raporti shton se shitjet do të vazhdojnë në SHBA, ku Galaxy Z TriFold u bë i disponueshëm më vonë se në Kore, por vetëm “derisa të shitet vëllimi aktual i prodhimit”.

    Meqenëse supozohet se vëllimi i prodhimit nuk është i lartë, ata që janë në SHBA dhe duan një TriFold duhet ta blejnë tani, para se Samsung ta ndërpresë zyrtarisht edhe aty.

    “Të thuash se ky ka qenë një lansim mjaft i çuditshëm do të ishte një nënvlerësim. Është pothuajse sikur Samsung ka shitur një seri prototipi prodhimi, dhe asgjë më shumë – sasitë e vogla të stokut tregojnë këtë, ashtu si edhe ndërprerja pas vetëm tre muajsh,” shkruhet në raport.

    Autorët e raportit shpresojnë se do të vijë një version i ardhshëm, Galaxy Z TriFold 2, që do të ndihet më shumë si një produkt i mirëfilltë dhe më pak si një prototip.