ATV

Author: K.B.

  • Aplikacioni i Interex: Zbritje e Oferta çdo ditë!

    Aplikacioni i Interex: Zbritje e Oferta çdo ditë!

    Interex, si një nga marketet lidere në Kosovë, ka ndërtuar prej kohësh një përvojë blerjeje që kombinon cilësinë, çmimet konkurruese dhe ofertat e vazhdueshme për konsumatorët. Një pjesë e rëndësishme e kësaj përvoje është edhe aplikacioni i Interex, i cili u ofron klientëve një mënyrë më të thjeshtë dhe më praktike për të përfituar nga çdo blerje, me zbritje dhe ofertat më të reja!

    Për të gjithë ata që regjistrohen për herë të parë, aplikacioni sjell një përfitim të menjëhershëm: -5% zbritje ekstra në blerjen e parë.

    Përdoruesit e aplikacionit kanë qasje në oferta ekskluzive, të disponueshme vetëm përmes aplikacionit. Kjo do të thotë më shumë mundësi kursimi në produktet që i përdorni çdo ditë, pa pasur nevojë të kërkoni gjatë.

    Gjithashtu, aplikacioni përmban fletushkën digjitale, e cila është gjithmonë aktive dhe e përditësuar me të gjitha ofertat aktuale në marketet Interex.

    Shkarko aplikacionin Interex dhe përfito më shumë çdo ditë.

    (linku per app store: https://apps.apple.com/us/app/interex/id6449186688)

    (linku per play store: https://play.google.com/store/apps/details?id=com.kubit.interex&hl=en)

  • Haradinaj reagon për tragjedinë në Vjenë: I trishtë lajmi për vdekjen tragjike të tre qytetarëve të Kosovës

    Haradinaj reagon për tragjedinë në Vjenë: I trishtë lajmi për vdekjen tragjike të tre qytetarëve të Kosovës

    Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka quajtur të trishtë lajmin për humbjen tragjike të tre qytetarëve të Kosovës në vendin e tyre të punës në Vjenë të Austrisë

    “Në këto momente të rënda, ndajmë dhimbjen me familjet e viktimave dhe me të gjithë ata që i njohën”, ka shkruar ai në Facebook.

    Postimi i tij i plotë:

    I trishtë lajmi për vdekjen tragjike të tre qytetarëve të Kosovës në vendin e tyre të punës në Vjenë të Austrisë.

    Në këto momente të rënda, ndajmë dhimbjen me familjet e viktimave dhe me të gjithë ata që i njohën.

    Zoti ua lehtësoftë dhimbjen!

  • QIPS: Mosfunksionimi i sistemit të shëndetit mendor një nga faktorët për rastin e 5-vjeçarit në Lipjan

    QIPS: Mosfunksionimi i sistemit të shëndetit mendor një nga faktorët për rastin e 5-vjeçarit në Lipjan

    Qendra për Informim dhe Përmirësim Social (QIPS) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me rastin e keqtrajtimit të 5-vjeçarit nga Lipjani, i cili po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), duke vlerësuar se mosfunksionimi i sistemit të shëndetit mendor ka qenë një nga faktorët kryesorë që çuan në këtë rast.

    Sipas reagimit të QIPS-it, rreth katër vjet më parë fëmijët e kësaj familjeje ishin larguar përkohësisht nga Qendra për Punë Sociale, pas raportimeve për kushte të rënda jetese dhe neglizhencë, të lidhura me probleme të shëndetit mendor të nënës. Në atë kohë, ajo ishte trajtuar në Klinikën Psikiatrike në Prishtinë, ndërsa më pas fëmijët ishin kthyer në familje.

    Megjithatë, sipas QIPS-it, familja ka mbetur pa mbështetje dhe pa monitorim të vazhdueshëm nga shërbimet e shëndetit mendor gjatë viteve në vijim, çka sipas tyre ka rritur rrezikun për situata të rënda.

    Organizata thekson se, në praktikë, sistemi nuk arrin të ofrojë mbështetjen e nevojshme në komunitet pas trajtimit spitalor, për shkak të mungesës së resurseve dhe mbështetjes institucionale për qendrat e shëndetit mendor e për këtë e ka drejtuar gishtin te Ministria e Shëndetësisë.

    “Në parim, pasi që të lirohet individi nga klinika e psikiatrisë duhet të referohet si rast në Qendrën e Shëndetit Mendor (QShM) më të afërt (në këtë rast QShM të Prishtinës) për mbështetje të mëtutjeshme në komunitet dhe me vizita të rregullta nga QShM, ku stafi profesional shëndetësor mbështet dhe mbështetet nga Qendra për Punë Sociale, dhe ka mundësi që të sigurohet për mirëqenien e prindërve si dhe të fëmijëve para se të përfundojnë rastet në tragjedi. Ndërkaq në praktikë kjo është e pamundur që të ndodhë, për shkak se këto qendra janë krejtësisht të pambështetura nga Ministria e Shëndetësisë. Sipas informatave që kemi, QShM e Prishtinës ka vetëm një veturë (për dallim nga qendrat tjera të cilat as këtë formë të transportit nuk e kanë të sigurt), e cila është siguruar nëpërmjet donacioneve të jashtme. Pra, është krejtësisht e pamundur që të kryhet një funksion bazik i sistemit të shëndetit mendor, i cili potencialisht do ta parandalonte një tragjedi”, thuhet në reagimin e tyre.

    QIPS-i ka ngritur shqetësimin se raste të tilla nuk janë të izoluara, por janë pasojë e një neglizhence të gjatë institucionale në fushën e shëndetit mendor.

    Në fund, kjo organizatë i ka bërë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë që të ndërmarrë masa urgjente për fuqizimin e shërbimeve të shëndetit mendor në komunitet dhe përmirësimin e mbështetjes për personat që përballen me këto probleme.

    Pesëvjeçari aktualisht po trajtohet në QKUK dhe është në gjendje stabile. Sot iu nënshtrua një intervenimi kirurgjik.

  • Tragjedia në Vjenë, Abdixhiku ngushëllon familjet e tre kosovarëve: U prehshin në paqe

    Tragjedia në Vjenë, Abdixhiku ngushëllon familjet e tre kosovarëve: U prehshin në paqe

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku është shprehur i mërzitur me lajmin për vdekjen tragjike të tre shtetasve kosovarë në Vjenë të Austrisë.

    Përmes një reagimi publik, ai u ka shprehur ngushëllime familjeve që humbën më të dashurit e tyre.

    “Me dhimbje të thellë mora lajmin për tragjedinë e rëndë në Austri, ku humbën jetën disa persona, ndër ta edhe tre të rinj nga Kosova, jetë të reja që u shuan para kohe, duke lënë pas dhimbje të madhe te familjet por edhe tek shoqëria jonë. Në këto momente dhimbjeje, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave, të afërmit dhe gjithë qytetarët që janë prekur nga kjo humbje e rëndë. Mendimet tona janë pranë tyre, duke ndarë dhimbjen dhe solidaritetin në këto çaste të vështira për ta. U prehshin në paqe!”, tha kreu i LDK-së.

  • Rreth 90 anije kanë kaluar Ngushticën e Hormuzit që kur ka filluar lufta në Iran

    Rreth 90 anije kanë kaluar Ngushticën e Hormuzit që kur ka filluar lufta në Iran

    Që nga fillimi i luftës me Iranin, rreth 90 anije kanë kaluar Ngushticën e Hormuzit, pavarësisht ndërprerjeve të mëdha në trafikun detar.

    Kjo ngushticë është një pikë kyçe strategjike për transportin e naftës dhe mallrave të tjera, dhe çdo pengesë në kalimin e saj ka pasoja të konsiderueshme për tregjet globale.

    Megjithatë, Irani vazhdon të eksportojë miliona fuçi naftë, shpesh duke përdorur anije të njohura si “të errëta”.

    Këto anije janë të dizajnuara për të shmangur gjurmimin dhe për të evituar sanksionet ndërkombëtare, duke lejuar vendin të mbajë një rrjedhë të caktuar të eksporteve pavarësisht izolimit ose presionit ndërkombëtar.

    Përpara shpërthimit të luftës, trafiku në këtë ngushticë ishte shumë më i lartë: çdo ditë kalonin më shumë se 100 anije.

    Krahasuar me situatën aktuale, kjo tregon një rënie të konsiderueshme të aktivitetit, e cila reflekton pasojat e konfliktit dhe pasiguritë që lidhen me lëvizjen e anijeve në një zonë të tillë strategjike.

    Kjo situatë nënvizon rëndësinë e ngushticës së Hormuzit në tregtinë globale dhe pasojat e ndjeshme që një konflikt rajonal mund të ketë në furnizimin botëror me energji.

  • Betoni vështirësoi situatën, zjarrfikësit përdorën pajisje speciale – detaje të tjera nga tragjedia në Vjenë ku vdiqën tre kosovarë

    Betoni vështirësoi situatën, zjarrfikësit përdorën pajisje speciale – detaje të tjera nga tragjedia në Vjenë ku vdiqën tre kosovarë

    Pas njërit prej aksidenteve më rënda në vendin e punës në Vjenë gjatë viteve të fundit, brigada profesionale e zjarrfikësve ka publikuar detaje shtesë mbi operacionin e shpëtimit.

    Sipas saj, 120 persona të emergjencës morën pjesë në një operacion që zgjati më shumë se katër orë, i cili u zhvillua të martën në një oborr në Porzellangasse, në lagjen Alsergrund.

    Aksidenti la katër viktima dhe një person të plagosur rëndë. Mesin e viktimave janë tre shtetas të Kosovë.

    Betoni i lëngshëm bëri që viktima e tretë dhe e katërt të mos gjendeshin deri pas dy orësh e gjysmë.

    Siç ishte raportuar më parë, aksidenti ndodhi rreth orës 14:30 gjatë një projekti për shndërrimin e papafingos, ku ishin ngritur skele. Gjatë derdhjes së betonit, e gjithë struktura u shemb, duke varrosur disa punëtorë nën rrënoja dhe beton të lagësht, raporton puls24.at.

    Një punëtor 45-vjeçar u shpëtua me lëndime menjëherë pas arritjes së ndihmës së parë. Sipas brigadës profesionale të zjarrfikësve, kërkimi për viktima të tjera ishte jashtëzakonisht kompleks.

    Për shkak të situatës, niveli i alarmit u ngrit menjëherë në nivelin 2 dhe u mobilizuan pajisje dhe personel i specializuar. Shërbimi i Ndihmës në Fatkeqësi i Vjenës dërgoi ekipin e tij të vendndodhjes akustike dhe njësinë e qenve të kërkim-shpëtimit, ndërsa një dron u përdor për rreth gjysmë ore për hetime të mëtejshme.

    Më pas, hyrja në oborr duhej të hapej, duke hequr gardhet dhe dyert. Skelet dhe përforcimet e çelikut u hoqën manualisht, me ndihmën e vinçit dhe operatorit të tij, i cili qëndroi në automjet deri rreth orës 17:30.

    I gjithë operacioni u vështirësua nga mbeturinat e mbuluara me beton të lëngshëm. Dy trupat e parë u nxorën përfundimisht, ndërsa nxjerrja e punëtorëve të mbetur ishte më sfiduese për shkak të betonit që ngurtësohej ngadalë.

    Më pas, grumbulli i mbeturinave u kontrollua përsëri nga një nga qentë e kërkim-shpëtimit për t’u siguruar që nuk kishte më persona të mbetur të varrosur, sipas departamentit të zjarrfikësve.

    Lidhur me statusin e hetimit, Drejtoria e Policisë Shtetërore të Vjenës deklaroi të mërkurën se hetimet mbi rrethanat e aksidentit janë në vazhdim dhe se Inspektorati i Punës është veçanërisht i përfshirë. Pas ekzaminimit policor të trupave të punëtorëve të ndërtimit të vdekur, faktet e mbledhura dhe renditja e ngjarjeve iu dorëzuan Zyrës së Prokurorit Publik të Vjenës në një raport paraprak.

    Autopsitë me shumë gjasa janë urdhëruar tashmë. Çështja nëse sjellja e neglizhente ose kriminale mund të ketë kontribuar në aksident është tani përgjegjësi e Zyrës së Prokurorit Publik për t’u përcaktuar.

    “Nuk kishte asgjë për të kritikuar në vetë kantierin e ndërtimit”, tha Autoriteti i Ndërtimit të Vjenës (MA 37) për APA-n.

    Konvertimi i papafingos dhe ballkonet ishin instaluar dhe miratuar siç duhet, ndërsa inspektimet në vend nuk zbuluan asnjë bazë për ankesë.

    Sindikata e Ndërtimit dhe e Punonjësve të Drurit (GBH) lëshoi një deklaratë të mërkurën, duke kërkuar një hetim të plotë mbi mënyrën se si mund të kishte ndodhur aksidenti.

  • Ndoti rrugën dhe u identifikua nga kamerat, Policia në Prishtinë dënon drejtuesin e automjetit dhe firmën

    Ndoti rrugën dhe u identifikua nga kamerat, Policia në Prishtinë dënon drejtuesin e automjetit dhe firmën

    Njësiti i Trafikut të Kryeqytetit ka shqiptuar gjobë ndaj një kundërvajtësi për ndotje të rrugës, i cili është identifikuar nga kamerat.

    Në njoftim thuhet se ndaj drejtuesit të mjetit është shqiptuar gjobë për mos sigurim të ngarkesës, ndërsa po ashtu është shqiptuar edhe gjobë ndaj firmës, në emër të personit juridik.

    “Policia e Kosovës, përkatësisht Njësiti i Trafikut të Kryeqytetit, do të vazhdojë kontrollet dhe masat ndaj të gjithë atyre që shkelin rregullat e qarkullimit dhe rrezikojnë sigurinë në trafik apo ndotin ambientin, duke apeluar për respektim të ligjit dhe përgjegjësi gjatë pjesëmarrjes në trafik”, thuhet në njoftim.

  • Ministria e Familjes autorizon njësinë inspektuese për rastin e 5-vjeçarit në Lipjan

    Ministria e Familjes autorizon njësinë inspektuese për rastin e 5-vjeçarit në Lipjan

    Blerim Shabani nga Ministria për Familje, ka mbajtur një konferencë për media lidhur me rastin e 5vjeçarit nga Janjeva e Lipjanit, i cili dyshohet se është keqtrajtuar nga prindërit e tij.

    Para mediave, Shabani tha se ministrja ka autorizuar njësinë inspektuese dhe ka kërkuar raport të hollësishëm sa i përket trajtimit të rastit të vogëlushit dhe gjashtë fëmijëve të tjerë të kësaj familje.

    “Ne kemi ndërmarrë disa hapa, siç është mbikëqyrja profesionale, kemi kërkuar një raport kronologjik të hollësishëm lidhur me trajtimin, menaxhimin e fëmijëve nga Qendra për Punë Sociale, dhe normalisht në përputhje me këto kompetenca dhe përgjegjësi, kemi autorizuar dhe Njësinë Inspektuese e cila është në kuadër të Ministrisë që ne bëjmë pjesë”, tha ai.

    “Por ajo që është e rëndësishme që ta sqarojmë, çështja e trajtimit dhe menaxhimit të rastit është çështje e kompetencës ekskluzive e komunës”.

    Pos tjerash, Shabani tha se Ministria ka dhënë pëlqimin që fëmijët të dërgohen në strehimore.

    Kujtojmë se prindërit e dyshuar janë arrestuar dhe është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë.

  • “Zoti Kryemadhi”, avokati i Metës bën lapsus, ndërhyn Monika: Jam zonja o shoku, mos u provoko

    “Zoti Kryemadhi”, avokati i Metës bën lapsus, ndërhyn Monika: Jam zonja o shoku, mos u provoko

    Pas daljes nga gjykata, ku u vendos kalimi për gjykim i dosjes Meta-Kryemadhi, avokati Kujtim Cakrani mbajti një deklaratë për media para SPAK.

    Sipas Cakranit, sot ka përfunduar çështja ligjore dhe në themel sipas tij, fillon çështja politike.

    Cakrani tha se në dosje nuk ka prova, ndërsa gjatë fjalës së tij bëri një lapsus duke u shprehur “Zoti Meta dhe Zoti Kryemadhi”.

    Menjëherë ndërhyri Monika Kryemadhi dhe e korrigjoi, raporton TCh, transmeton Klankosova.tv

    Kryemadhi: Jam zonja, o shoku

    Cakrani: Zonja Kryemadhi

    Kryemadhi: Mos u shqetëso kaq shumë, mos u prokovo

    Cakrani: Kanë pasur role politike, ta trajtosh si shtëpiake, vetëm kjo gjykatë mund ta bëjë.

  • “Trepça” liron pronën 1.2 milionëshe në Prishtinë

    “Trepça” liron pronën 1.2 milionëshe në Prishtinë

    Ka vijuar procesi i lirimit të pronave të “Trepça Sh. A.”, në Prishtinë.

    Pas lirimit të mëhershëm të një pjese të parcelës nr. 73-0, Shoqëria Aksionare “Trepça” ka njoftuar që së fundmi është realizuar edhe lirimi i një pjese tjetër të kësaj parcele, e cila për vite me radhë ka qenë e uzurpuar.

    Sipërfaqja e liruar prej 50 ari ka një vlerë të tregut mbi 1.2 milionë euro, duke përfaqësuar një rikthim të rëndësishëm të pasurisë së ndërmarrjes.

    “Trepça Sh.A. mbetet e përkushtuar në mbrojtjen dhe rikthimin e pronave të saj, në përputhje me ligjin dhe në funksion të interesit publik” thuhet në njoftim.