ATV

Author: K.B.

  • E jashtëzakonshme: Shqiptarja Drena Kusari emërohet në një nga pozitat më të larta në Microsoft

    E jashtëzakonshme: Shqiptarja Drena Kusari emërohet në një nga pozitat më të larta në Microsoft

    Ekspertja shqiptare në industrinë globale të teknologjisë, Drena Kusari, ka njoftuar se ka marrë një rol të ri të rëndësishëm në gjigantin teknologjik Microsoft.

    Përmes një postimi në rrjetin LinkedIn, Kusari njoftoi se ka nisur zyrtarisht punën si Corporate Vice President dhe General Manager në këtë kompani.

    “Jam e lumtur të ndaj se po filloj një pozitë të re si Corporate Vice President dhe General Manager në Microsoft!”, ka shkruar Kusari në njoftimin e saj.

    Ky pozicion konsiderohet ndër nivelet më të larta drejtuese në strukturën e kompanisë, duke e vendosur Kusarin në mesin e drejtuesve të lartë të një prej kompanive më të mëdha të teknologjisë në botë.

    Emërimi i saj përbën një tjetër histori suksesi për gratë shqiptare në industrinë globale të teknologjisë.

    Me një karrierë të ndërtuar në ekosistemin e Silicon Valley dhe në kompani të mëdha ndërkombëtare, Kusari është ndër figurat shqiptare që kanë arritur në nivele të larta të lidershipit në sektorin global të inovacionit dhe teknologjisë.

    Kusari lindur dhe është rritur në Gjakovë. Pas luftës në Kosovë, ajo u shpërngul në Shtetet e Bashkuara në vitin 1999, ku përfundoi vitin e fundit të shkollës së mesme. Puna e saj e parë ishte si interprete dhe punonjëse terreni për organizatën Save the Children menjëherë pas luftës.

    Ka diplomuar me dy drejtime, Ekonomi dhe Diplomaci në Occidental College në SHBA.

    Ka marrë MBA nga Harvard Business School, një nga shkollat më prestigjioze të biznesit në botë.

    Para se të arrijë në Microsoft, ajo ka pasur një karrierë në disa kompani të mëdha globale si në Goldman Sachs si analiste financiare, McKinsey & Company si konsulente strategjie për kompani Fortune 500, pastaj në Lyft ku ishte General Manager për rajonin Southwest dhe Hawaii, duke qenë dhe gruaja e parë që drejtoi këtë rajon në kompani, e po ashtu edhe në Bumble, ku kishte rol drejtues për strategji dhe zhvillim biznesi.

  • Irani godet Katarin, përfshihet nga flakët impianti më i madh i gazit

    Irani godet Katarin, përfshihet nga flakët impianti më i madh i gazit

    Ministria e Brendshme e Katarit njoftoi se një sulmi nga Irani i ka shkaktuar një zjarr masiv në impiantit kryesor të gazit në vend në zonën industriale të Ras Laffan-it.

    “Shërbimet e mbrojtjes civile po ndërhyjnë për të shuar zjarrit në zonën industriale të Ras Laffan pas sulmit iranian, pasi janë shkaktuar dëme të mëdha”,thuhet në deklaratën e ministrisë.

    Sulmi vjen pasi Teherani kishte paralajmëruar se do të godiste infrastrukturën energjetike në të gjithë Gjirin, si përgjigje ndaj sulmit të përbashkët të Shtetet e Bashkuara dhe Izrael ndaj impianteve të tij të gazit.

    Sipas raportimeve, impiantet e Ras Laffan për gaz natyror të lëngshëm (GNL) ishin në proces evakuimi për shkak të kërcënimit iranian ndaj infrastrukturës energjetike të Gjirit.

    Katari ka ndërprerë plotësisht prodhimin e gazit natyror të lëngshëm për shkak të këtyre tensioneve, dhe çdo dëmtim i impianteve mund të zgjatë ndërprerjen e furnizimit përtej majit, duke kërcënuar që të marrë jashtë funksionit një të pestën e furnizimit global të GNL-së.

  • Gruda: Presim që dekreti i Osmanit të shpallet kushtetues, zgjedhjet brenda 45 ditëve

    Gruda: Presim që dekreti i Osmanit të shpallet kushtetues, zgjedhjet brenda 45 ditëve

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka deklaruar se pret që Gjykata Kushtetuese e Kosovës të shpallë dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të kushtetueshëm dhe të përcaktojë që zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditëve.

    Gruda në Debat Plus ka shtuar se Kuvendi i Kosovës e ka konsumuar të drejtën për të zgjedhur presidentin dhe se çdo interpretim tjetër, si ai i afatit 60-ditor, nuk është i vlefshëm.

    “Ne presim që dekreti i presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të shpallet kushtetues, dhe Gjykata Kushtetuese të përcaktojë që duhet të shpallen zgjedhjet e reja dhe se duhet të mbahen brenda 45 ditëve. Kjo sepse kështu është e përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës”, ka theksuar ai.

    Ai ka theksuar se Kuvendi duhet të kishte zgjedhur presidentin 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit në detyrë.

    “Kuvendi i Kosovës e ka konsumuar drejtën e vet për me zgjedh një president. Dhe asnjë interpretim obstruktiv që i bëhet Kushtetutës sikur qenkan edhe 60 ditë tjera nuk mendoj që është i vlefshëm. Kuvendi i Kosovës është dashur me zgjedh presidentin 30 ditë para se t’i përfundojë presidentit ekzistues mandati”, ka deklaruar Gruda në Debat Plus.

    Gruda ka theksuar se afati 30-ditor në Kushtetutë është për një qëllim tjetër, ndërsa afati 60-ditor shërben për një qëllim tjetër.

  • Baleti Kombëtar i Kosovës gati për premierën e parë të vitit 2026

    Baleti Kombëtar i Kosovës gati për premierën e parë të vitit 2026

    Baleti Kombëtar i Kosovës është në proces të provave intensive për pjesën e parë të projektit të ri, duke u përgatitur për premierën e parë të vitit 2026. Procesi i provave ka arritur tashmë javën e tretë dhe pritet të përfundojë brenda një jave.

    Pjesa e parë e këtij projekti titullohet “We Will Never Give Up on Love”, me koreografi nga Erion Kruja. Shfaqja do të prezantohet për publikun më 29 prill 2026, duke sjellë një përvojë artistike të pasur dhe emocionuese.

    Ky projekt tregon përkushtimin e Baletit Kombëtar të Kosovës për të sjellë produkte të reja dhe inovative në skenën kulturore, duke theksuar rëndësinë e artit koreografik në vend.

  • Kurti thërret kabinetin qeveritar në mbledhje nesër

    Kurti thërret kabinetin qeveritar në mbledhje nesër

    Zyra për Media e Kryeministrisë ka njoftuar se nesër do të mbahet mbledhja e radhës e Qeverisë së Kosovës.

    Sipas njoftimit, mbledhja do të nis të enjten në orën 11:00.

    Në njoftimin për media nuk janë bërë të ditura pikat e rendit të ditës së kësaj mbledhje.

  • Izraeli thotë se më shumë se 200 objektiva janë goditur sot në Iran

    Izraeli thotë se më shumë se 200 objektiva janë goditur sot në Iran

    Forcat Mbrojtëse Izraelite thonë se avionët e tyre luftarakë kanë goditur më shumë se 200 objektiva në Iranin perëndimor dhe qendror gjatë ditës së fundit.

    Objektivat përfshijnë vende të përdorura për të ruajtur dhe lëshuar raketa balistike, sisteme mbrojtjeje ajrore, lëshues raketash balistike dhe vende prodhimi armësh, thotë IDF, ka raportuar BBC.

  • AGK ngushëllon për vdekjen e gazetares në moshë të re, Elife Sherifi

    AGK ngushëllon për vdekjen e gazetares në moshë të re, Elife Sherifi

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës njoftoi se me pikëllim të thellë ka pranuar lajmin për ndarjen nga jeta të gazetares Elife Sherifi, në një moshë shumë të re.

    “Elifja kishte përfunduar studimet në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës dhe ka punuar në media të ndryshme, ndërsa vitet e fundit kishte shërbyer si zëdhënëse e KF Drita në Gjilan”, thekson AGK.

    “AGK i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, kolegëve, miqve dhe të gjithë atyre që e njohën”, thuhet në postim.

  • Majorja kosovare, Vjollca Hoti nderohet nga FBI

    Majorja kosovare, Vjollca Hoti nderohet nga FBI

    Shoqata Amerikano-Shqiptare e Zbatimit të Ligjit ka bërë të ditur se majorja kosovare, Vjollca Hoti është nderuar nga Akademia Kombëtare e FBI-së.

    Në njoftim thuhet se Kosova është një nga vendet më me fat në botë që ka gra kaq frymëzuese që e përfaqësojnë atë në nivel global.

    “Kosova është një nga vendet më me fat në botë që ka gra kaq të patrembura dhe frymëzuese që e përfaqësojnë atë në nivel global. Major Hoti është simbol i forcës, guximit dhe krenarisë, duke hapur rrugën për udhëheqëset e ardhshme”.

    “Arritja e saj pasqyron traditën krenare të Policisë së Kosovës në dërgimin e drejtuesve të saj në akademitë më elitare të zbatimit të ligjit në botë, duke dëshmuar se gratë e Kosovës udhëheqin, sjellin inovacion dhe shkëlqejnë në skenën globale”, thuhet në njoftim.

  • KFOR-i për stërvitjet e ushtarëve serbë në kufi me Kosovën: Nuk përbën kërcënim, ishte e planifikuar

    KFOR-i për stërvitjet e ushtarëve serbë në kufi me Kosovën: Nuk përbën kërcënim, ishte e planifikuar

    Gjatë ditës së mërkurë, qytetarë nga disa fshatra të Gjilanit shprehën shqetësim se ushtarë serbë po kryenin stërvitje në afërsi të kufirit me Kosovën.

    KFOR bëri të ditur se aktiviteti i Forcave të Armatosura Serbe ishte një stërvitje e planifikuar, që përfshinte parashutistë të vendosur nga një helikopter në fshatin Muhovc.

    Sipas tyre ky aktivitet u zhvillua brenda territorit serb dhe nuk përbën kërcënim për sigurinë ose stabilitetin në rajon.

    “ Misioni KFOR i udhëhequr nga NATO vazhdon të monitorojë nga afër situatën përgjatë Vijës Kufitare Administrative dhe në të gjithë Kosovën, duke mbajtur komunikim të vazhdueshëm dhe koordinim efektiv me autoritetet lokale të sigurisë dhe Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura Serbe”, theksohet në përgjigjen e KFOR-it për Telegrafi.

    Më herët, kryetari i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni, ka thënë se stërvitjet ushtarake të zhvilluara pranë kufirit me Republikën e Kosovës, në afërsi të Gjilanit, janë shqetësuese dhe provokuese për qytetarët.

    Në një reagim në Facebook ai ka thënë se prania e forcave ushtarake, mjeteve ajrore dhe aktiviteteve të tilla në zona të banuara krijon ndjenjë pasigurie dhe tensioni të panevojshëm, duke ndikuar drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve.

    “Si Kryetar i Komunës së Gjilanit, shpreh shqetësimin tim të thellë për këto zhvillime dhe kërkoj nga institucionet përkatëse vendore dhe ndërkombëtare që të monitorojnë situatën me kujdes dhe të ndërmarrin veprime konkrete për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon”, ka shkruar Hyseni në Facebook.

  • Detaje nga aksidenti tragjik në Zvicër ku humbi jetën një grua

    Detaje nga aksidenti tragjik në Zvicër ku humbi jetën një grua

    Një aksident fatal ka ndodhur të mërkurën paradite në zonën e skijimit në Engelberg të Zvicrës, ku një teleferik është rrëzuar duke shkaktuar vdekjen e një personi.

    Sipas autoriteteve, viktima ishte e vetme në kabinë dhe bëhet fjalë për një grua 61-vjeçare, banore e zonës.

    Si ndodhi aksidenti

    Ngjarja ka ndodhur pak para orës 11:00 në kantonin Nidwalden. Një kabinë me tetë vende e linjës “Titlis Xpress” është shkëputur nga kablloja menjëherë pas stacionit ndërmjetës Trübsee, në drejtim të stacionit malor Stand.

    Pas shkëputjes, kabina ka rënë në tokë dhe është rrokullisur disa herë në shpatin e mbuluar me dëborë.

    Menjëherë pas aksidentit, shërbimi i teleferikut u ndërpre dhe pasagjerët në kabinat e tjera u evakuuan. Operacioni i evakuimit zgjati deri në orët e pasdites.

    Hetimet në vazhdim

    Autoritetet kanë nisur hetime për të zbuluar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit. Në vendngjarje ndodhen policia e Nidwaldenit, prokuroria, si dhe Bordi Zviceran për Hetimin e Sigurisë së Transportit.

    Drejtuesit e teleferikëve në Engelberg e cilësuan ngjarjen si “të pazakontë” dhe deklaruan se aksidenti ndodhi “papritur”.

    “Siguria është prioritet absolut në një teleferik. Ky aksident tragjik është edhe më i rëndë,” deklaroi drejtori Norbert Patt, duke shprehur ngushëllime për familjen dhe të afërmit e viktimës.

    Dyshime për ndikimin e erës së fortë

    Aksidenti ndodhi në një ditë me erëra të forta. Sipas kompanisë, sistemi jep alarm kur shpejtësia e erës arrin 40 km/h, ndërsa shërbimi duhet të ndërpritet në 60 km/h.

    Megjithatë, ende nuk dihet shpejtësia e erës në momentin e aksidentit dhe nëse alarmi ishte aktivizuar.

    Sipas mediave lokale, në momentin e ngjarjes era ishte e fortë dhe një video e publikuar nga një dëshmitar tregon kabinën duke u rrokullisur në shpat.

    Incidente të rralla në Zvicër

    Aksidente të tilla janë shumë të rralla në Zvicër, kryesisht falë rregullave të rrepta të sigurisë të vendosura pas një tragjedie të rëndë më shumë se 50 vite më parë.

    Aksidenti më i rëndë i teleferikëve në vend ndodhi më 12 korrik 1972 në Valais, kur një kabinë u rrëzua pas këputjes së kabllos, duke shkaktuar vdekjen e 13 personave.

    Pas atij rasti, standardet e sigurisë u forcuan ndjeshëm dhe kontrollet u bënë më të shpeshta.

    Statistikat e sigurisë

    Aktualisht, në Zvicër janë në funksion rreth 2400 instalime të teleferikëve. Sipas raportit vjetor 2024, numri i aksidenteve ka rënë ndjeshëm krahasuar me vitet e mëparshme.

    Gjatë vitit 2024 janë regjistruar 65 incidente dhe aksidente me 20 persona të lënduar.

    Më shumë se një e treta e aksidenteve lidhen me sjellje të papërshtatshme të pasagjerëve, ndërsa të tjerat shkaktohen nga faktorë mjedisorë, defekte teknike apo gabime njerëzore.

    Sipas sigurimeve, mesatarisht një person humb jetën çdo vit në aksidente pune në sektorin e teleferikëve, ndërsa katër të tjerë mbeten me pasoja të përhershme./Albinfo.ch