ATV

Author: K.B.

  • Osmani reagon: S’bëra shkelje, dekreti e hapi rrugën për sqarim, Kuvendi nesër ta caktojë datën e seancës për Presidentin

    Osmani reagon: S’bëra shkelje, dekreti e hapi rrugën për sqarim, Kuvendi nesër ta caktojë datën e seancës për Presidentin

    Presidenca e Kosovës ka reaguar në lidhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

    Në reagim thuhet se aktgykimi i konfirmon argumentet juridike të dorëzuara nga Presidenca në Gjykatën Kushtetuese rreth këtij rasti, si dhe konfirmon se Presidentja Osmani nuk ka bërë asnjë shkelje kushtetuese.

    Reagimi vazhdon duke thënë se Gjykata, në asnjë paragraf të aktgjykimit të saj, nuk ka konstatuar shkelje të Kushtetutës nga ana e Presidentes.

    Reagimi i plotë:

    Presidentja e Republikës së Kosovës e mirëpret aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastet nr. KO 72/26 dhe KO 74/26, i cili i konfirmon argumentet juridike të dorëzuara nga Presidenca në Gjykatën Kushtetuese rreth këtij rasti, si dhe konfirmon se Presidentja Osmani nuk ka bërë asnjë shkelje kushtetuese.

    Në përputhje me komentet e dërguara nga Presidenca, edhe vetë Gjykata Kushtetuese e konfirmon në paragrafët 153, 155 dhe 190 se afati 60-ditor duhet të konsumohet para afatit 30-ditor të paraparë në nenin 86.2 të Kushtetutës, dhe se ky afat 30-ditor para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual është përfundimtar dhe detyrues, si dhe nuk mund të relativizohet.

    Gjykata, në asnjë paragraf të aktgjykimit të saj, nuk ka konstatuar shkelje të Kushtetutës nga ana e Presidentes. Përkundrazi, ka konfirmuar se nuk është dekreti ai që e çon vendin në zgjedhje të reja, por është dështimi i Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit të ri ai që i shkakton këtë proces të zgjedhjeve.

    Presidenca ka shprehur të njëjtin qëndrim në komentet e dërguara në Gjykatën Kushtetuese, duke potencuar se dekreti është thjesht formalizim i një situate ekzistuese dhe se nuk është dekreti, por është vetë dështimi i Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit që e çon vendin në zgjedhje.

    Rrjedhimisht, duke qenë se rrethana e moskonstituimit të Kuvendit me kohë nuk ka qenë e paraparë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Gjykata ka interpretuar një rrethanë përjashtuese që vlen për këtë rast specifik, duke sqaruar se “në të gjitha rastet e zgjedhjes së Presidentit në të ardhmen, përkatësisht procedura për zgjedhjen e Presidentit të ri, e cila nuk mund të zgjasë më shumë se 60 ditë, duhet të fillojë përpara dhe të përfundojë jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.” (paragrafi 191 i Aktgjykimit)

    Presidentja e mirëpret afatin 34-ditor të dhënë deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga ana e gjykatës dhe u bën atyre thirrje që urgjentisht ta kryejnë këtë detyrim kushtetues.

    Dhënia e këtij afati shtesë nga ana e gjykatës kushtetuese asesi nuk ka qenë në kompetencën e Presidentes së Republikës. Por është pikërisht dekreti i Presidentes që e ka hapur rrugën për këtë sqarim të rëndësishëm nga ana e gjykatës si autoritet i vetëm dhe përfundimtar për të interpretuar Kushtetutën.

    Deklaratat politike për kinse shkelje kushtetuese tregojnë edhe keqlexim të aktgjykimit, por edhe politizim të skajshëm të një situate tashmë të qartësuar nga Gjykata Kushtetuese: që dështimi për zgjedhjen e Presidentit të vendit është i deputetëve dhe si pasojë e mungesës së vullnetit politik për të arritur konsensus rreth zgjedhjes së Presidentit.

    Në vend të deklarimeve të tilla të paqëndrueshme, ftojmë Kuvendin e Kosovës që qysh nesër ta caktojë datën e seancës së re për zgjedhjen e Presidentit të ri dhe ta kryejnë detyrimin për të cilin janë zgjedhur, duke i dhënë vendit stabilitet dhe siguri.

  • Cakolli për aktgjykimin: Gjykata nuk e mohon logjikën që e përdori Presidentja, e korigjoi si e zbatoi

    Cakolli për aktgjykimin: Gjykata nuk e mohon logjikën që e përdori Presidentja, e korigjoi si e zbatoi

    Eugen Cakolli ga KDI, ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, ka thënë se arsyeja pse aktgjykimi dekretin e Vjosa Osmanit nuk e cilësoi si antikushtetues, por vetëm si vendim pa efekt juridik, sipas tij lidhet drejtpërdrejt me logjikën e afateve.

    Ai tha se Gjykata në thelb e pranon që afati 30-ditor është detyrues dhe që mosrespektimi i tij ka pasoja. Por ajo sqaron se kjo pasojë nuk aktivizohet drejtpërdrejt përmes këtij afati, por përmes nenit 82, pra përmes afatit 60-ditor dhe shpërndarjes ‘ex constitutione.

    Tutje, ai tha se gjykata e mbyll përfundimisht “dilemën” mes 30 dhe 60 ditëve, duke shtuar se ato nuk janë dy afate që përdoren veçmas, por një mekanizëm i vetëm.

    Po ashtu tha se Gjykata nuk e mohon logjikën që e përdori Presidentja, e korigjoi si e zbatoi.

    Postimi i plotë në Facebook:

    Aktgjykimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese rikonfirmoi disa parime për afatet kushtetuese, sidomos në raport me zgjedhjen e Presidentit. Jo pse ato nuk ishin të kuptueshme si të tilla edhe më herët, por sepse, edhe një herë tjetër, u tentua që dispozitat kushtetuese të keqpërdoren për arsyetime politike.

    Së pari, çështja e dekretit. Besoj që arsyeja pse Gjykata nuk e cilësoi si akt antikushtetues, por vetëm si vendim pa efekt juridik, lidhet drejtpërdrejt me logjikën e afateve. Gjykata në thelb e pranon që afati 30-ditor është detyrues dhe që mosrespektimi i tij ka pasoja. Por ajo sqaron se kjo pasojë nuk aktivizohet drejtpërdrejt përmes këtij afati, por përmes nenit 82, pra përmes afatit 60-ditor dhe shpërndarjes ‘ex constitutione’. Pra, nuk kemi mohim të logjikës që përdori Presidentja Osmani, por korrigjim të mënyrës se si ajo është zbatuar.

    Së dyti, dhe kjo është pika kryesore, Gjykata e mbyll përfundimisht “dilemën” mes 30 dhe 60 ditëve. Ato nuk janë dy afate që përdoren veçmas, por një mekanizëm i vetëm. Afati 60-ditor zhvillohet në funksion të afatit 30-ditor. Kjo nënkupton që procedura duhet të fillojë shumë më herët. Nuk mund të pritet dita e fundit e afatit 30-ditor, të thuhet se është nisur procedura dhe pastaj të kërkohen edhe 60 ditë të tjera. Thënë thjeshtë, totali është 60 ditë, ku 30 ditët e fundit janë zonë e mbyllur që nuk mund të tejkalohet.

    Së treti, Gjykata vendos një standard të qartë. Koha kushtetuese nuk fillon kur Kuvendi vendos të veprojë, por kur ai është në gjendje të veprojë. Prandaj edhe në këtë rast nuk ka 60 ditë të reja, por vetëm kohë të mbetur nga një afat që ka filluar më herët, i cili ishte i kufizuar nga fakti që nuk kishte Kuvend të konstituar në një periudhë që do të mundësonte shfrytëzim të plotë të afatit kushtetues.

    Në fund, ky është një vendim që njëkohësisht e balancon situatën dhe blen kohë për institucionet që ta përmbyllin procesin. Për më tepër, përgjegjësia mbetet te institucionet dhe partitë parlamentare që t’i zhvillojnë proceset kushtetuese në kohë, e jo t’i përshtatin ato sipas rrethanave politike.

  • Kraki me postim: Gjykata e konfirmoi 100% analizën time, më falni për mungesën e modestisë, shikojeni videon

    Kraki me postim: Gjykata e konfirmoi 100% analizën time, më falni për mungesën e modestisë, shikojeni videon

    Deputeti Nezir Kraki, duke komentuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese thotë se analiza e tij u konfirmua 100% duke iu rikthyer Kuvendit “34 ditët e munguara”.

    Kraki duke komentuar anlizën e tij shprehet “më falni për mungesën e modestisë në këtë rast se nuk u durova”.

    Ai i fton miqt e tij ta shikojnë videon e tij “me vëmendje”.

    Video KËTU

  • PDK-ja respekton vendimin e Kushtetueses, kryesia dhe deputetët e saj mblidhen nesër

    PDK-ja respekton vendimin e Kushtetueses, kryesia dhe deputetët e saj mblidhen nesër

    Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka deklaruar se PDK-ja e respekton vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese.

    “Ne e respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese si institucion kyç i rendit demokratik, ashtu siç kemi vepruar gjithmonë”, ka thënë shkurtimisht Çitaku, duke treguar se PDK-ja do t’i mbledhë nesër organet e saj drejtuese për të diskutuar për zhvillimet e reja dhe hapat e ardhshëm.

    Partia Demokratike e Kosovës, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ka thirrur menjëherë për nesër në orën 14:00, mbledhje të përbashkët të Kryesisë dhe të Grupit Parlamentar.

  • Ilir Deda thotë se Kushtetuesja sqaroi njëherë e përgjithmonë zgjedhjen e Presidentit

    Ilir Deda thotë se Kushtetuesja sqaroi njëherë e përgjithmonë zgjedhjen e Presidentit

    Analisti Ilir Deda, duke komentuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, numëroi disa “sqarime” që, sipas tij, ka dhënë Kushtetuesja, të cilat nënkuptojnë se, “shkurt e shqip, nëse nuk mund të merreni vesh – pa imponim, shkohet në zgjedhje.”

    Deda në një postim në FB-në e tij ka shkruar:

    Gjykata Kushtetuese sqaroi njëherë e përgjithmonë çështjen e zgjedhjes të presidenttit të Kosovës:

    1. Sqaroi procedurën 60 ditëshe, duke e rrëzuar pretendimin e paritve në pushtet

    2. Sqaroi që nuk ka mandat detyrues deputetëve, siç kërkuan partitë në pushtet

    3. E përcaktoi shpërndarjen automatike të Kuvendit, nëse nuk zgjidhet presidenti – që asnjë lojë politike nuk mund ta zhbëjë

    4. Sqaroi që në bazë të kompetencave Kushtetuese presidenti nuk përfaqëson grupe apo interesa partiake

    5. E shfuqizoi dekretin e presidentes, por duke e vendosur si argumentim valid për të ardhmen kur të jetë në red dite zgjedhja e presidentit

    Shkurt e shqip, nëse nuk mund të mirreni vesh – pa imponim, shkohet në zgjedhje.

  • 29-vjeçare nga Kosova dhe djali i saj trevjeçar u goditën nga një kamion, deklarohet policia gjermane

    29-vjeçare nga Kosova dhe djali i saj trevjeçar u goditën nga një kamion, deklarohet policia gjermane

    Policia gjermane ka dalë me detaje shtesë lidhur me incidentin e rëndë në Schramberg të Gjermanisë, ku 29-vjeçarja nga Kosova dhe djali i saj trevjeçar, vdiqën pasi u goditën nga një kamion.

    Viktimat dyshohet se ishin duke ecur ne trotuar në momentin e aksidentit, derisa sipas mediave, nëna ishte duke e çuar të birin në kopsht

    Autoritetet gjermane, për Klankosova konfirmuan kombësinë e viktimave, teksa shtuan se një burrë 53-vjeçar po drejtonte një kamion në “Oberndorfer Straße” drejt Autostradës Federale 462 rreth orës 9:00 të mëngjesit.

    Sipas policisë, shoferi ka humbur kontrollin e kamionit si pasojë e një problemi shëndetësor.

    “Kamioni u përplas me tre makina të parkuara dhe më pas u përplas në murin e një shtëpie. Një grua 29-vjeçare dhe djali i saj 3-vjeçar u goditën më pas në trotuar. Pavarësisht përpjekjeve të menjëhershme për t’i shpëtuar, të dy vdiqën në vendngjarje nga plagët e rënda”, thuhet në konfirmim.

    Shoferi i kamionit pësoi lëndime të lehta dhe i njëjti është transportuar për në spital.

    Me kërkesë të prokurorisë publike të Rottweil, është ngarkuar një ekspert për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit.

    Hetimi i aksidentit në vendngjarje është ende duke vazhduar.

  • Ndahet nga jeta babai i dëshmorit Besim Ukëhaxhaj

    Ndahet nga jeta babai i dëshmorit Besim Ukëhaxhaj

    Është ndarë nga jeta Bilall Ukëhaxhaj, babai i dëshmorit Besim Ukëhaxhaj.

    Këtë e ka bërë të ditur kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili u shpreh i prekur nga ky lajm i trishtë.

    “Në memorien tonë, Baca Bilall dhe çlirimtarët, ndër breza do ta kenë gjithmonë vendin e veçantë dhe respektin për sakrificën sublime, për Kosovën shtet. Ngushëllime të sinqerta për familjen dhe miqtë!”, ka shkruar Haradinaj.

  • Maqedonia mori 17 “Stryker” nga SHBA, deri në fund të verës do të arrijnë gjithsej 42 automjete lehtë të blinduara

    Maqedonia mori 17 “Stryker” nga SHBA, deri në fund të verës do të arrijnë gjithsej 42 automjete lehtë të blinduara

    Arritën 17 mjetet e para të lehta të blinduara të quajtura “Stryker”, ndërsa deri në mes të verës pritet të arrijnë gjithsej 42, të cilat janë pjesë e furnizimit të mjeteve ushtarake nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bëhet fjalë për mjete që ofrojnë mobilitet të jashtëzakonshëm duke pasur parasysh se mund të transportojnë një njësi prej 11 ushtarësh dhe të zhvillojnë një shpejtësi maksimale deri në 100 kilometra në orë. Ministri i Mbrojtjes, VlLado Misajllovski, tha se furnizimi me “Stryker” është investimi më i madh dhe se vendi po bën gjithçka që është e nevojshme për të pasur një ushtri moderne me shumë pajisje.

    “Ajo që kërkon NATO nga ne është të investojmë mbi 20% në modernizim, ne e bëjmë këtë edhe më shumë, mbi 32% e buxhetit tonë shkon drejtpërdrejt për modernizim. Pasojnë edhe shumë projekte të tjera, sepse në periudhën e kaluar, së bashku me miqtë tanë nga SHBA, kemi bërë disa marrëveshje Qeveri me Qeveri. Pjesa më e madhe kanë kaluar në Kuvend, ndërsa në periudhën në vijim presim armatime shtesë, pajisje shtesë, dronë, pajisje për njësitë speciale dhe shumë projekte të tjera”, tha Vllado Misajllovski – ministër i Mbrojtjes.

    Nikoll Varns, zëvendësshefe e misionit të Ambasadës së SHBA-së në vend, tha se Maqedonia e Veriut si aleate e NATO-s po bën gjithçka për modernizimin e Ushtrisë.

    “ Maqedonia e Veriut po bën një hap të vërtetë dhe të dukshëm përpara në modernizimin e forcave të saj të armatosura dhe forcimin e vendit të saj në aleancën e NATO-s. Këta “Stryker” janë më shumë se thjesht mjete të reja në inventarin tuaj, ata janë një shenjë konkrete e partneritetit tonë dhe një shprehje e qartë e përkushtimit tonë të përbashkët për të mbrojtur vendet tona, aleancën tonë dhe vlerat për të cilat angazhohemi”, dekalroi Nikoll Varns – zëvendësshefe e Misionit të Ambasadës së SHBA-së.

    Përveç furnizimit me “Stryker”, paralelisht është në zhvillim edhe një projekt tjetër që realizohet me SHBA-të i quajtur “Klisa”, me të cilin do të restaurohen mjetet e vjetra dhe të dëmtuara që kanë qenë të ruajtura në depo. Deri tani janë siguruar pjesë rezervë dhe pajisje për të bërë funksionale edhe këto mjete.

  • A do të jetë Vjosa Osmani bartëse e listës zgjedhore të LDK-së?

    A do të jetë Vjosa Osmani bartëse e listës zgjedhore të LDK-së?

    Anëtari i kryesisë se Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi i pyetur se a do të jetë presidentja Vjosa Osmani bartëse e listës zgjedhore të kësaj partie në rast zgjedhjesh të reja, ai tha se LDK-ja është e hapur për të gjithë.

    Këtë deklaratë Azemi e dha sot gjatë një konference për media në selinë e LDK-së.

    “Pra nuk ka asnjë diskutim deri më tash për atë pjesë. Lidhja Demokratike e Kosovës është e të gjithë qytetarëve, prandaj të gjithë ata që duan të jenë në Lidhjen Demokratike të Kosovës i kanë dyert e hapura”, tha Azemi.

  • Nis sot edicioni i tretë i Festivalit “Aktori dhe Poeti” në Prishtinë

    Nis sot edicioni i tretë i Festivalit “Aktori dhe Poeti” në Prishtinë

    Sot fillon edicioni i tretë i Festivalit “Aktori dhe Poeti” në Prishtinë, një platformë kulturore që ndërthur fuqinë e fjalës poetike me interpretimin skenik, duke krijuar një përjetim unik artistik për publikun.

    Ky festival krijon një hapësirë unike bashkëpunimi mes artistëve nga vendi, rajoni dhe Evropa, duke ofruar një përjetim autentik artistik për publikun.

    Përmes interpretimit të poezive në gjuhët origjinale nga aktorë vendorë dhe ndërkombëtarë, festivali synon të thellojë dialogun kulturor dhe të promovojë vlerat e artit poetik dhe skenik.

    Në këtë edicion do të marrin pjesë emra të njohur të artit dhe letërsisë si: Besnik Mustafai, Hasan Erkek, Gioacchino Desiderio, Josif Papagjoni, Behar Gjoka, Rozi Kostani, Safete Rugova dhe krijues të tjerë nga diaspora, vendi dhe rajoni.

    Festivali organizohet nga Drita Begolli dhe do të zgjasë deri më 27 mars 2026, duke ofruar një program të pasur me aktivitete kulturore dhe artistike. Pjesëmarrja mediatike është e mirëpritur për të promovuar vlerat e artit dhe letërsisë që ky festival përfaqëson.