ATV

Author: K.B.

  • Agjencia Kundër Korrupsionit: Vetëm 37% e zyrtarëve kanë deklaruar pasurinë

    Agjencia Kundër Korrupsionit: Vetëm 37% e zyrtarëve kanë deklaruar pasurinë

    Agjencia Kundër Korrupsionit ka njoftuar se deri më sot, mbi 37 për qind e zyrtarëve publikë kanë përfunduar deklarimin e pasurisë për vitin 2025. Ndërkohë, mbi 42 për qind e tyre nuk e kanë nisur ende këtë proces, edhe pse afati ligjor për përfundimin e deklarimit është 31 marsi.

    Më 31 mars përfundon afati për deklarimin e pasurisë së zyrtarëve publikë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit në Kosovë. Deri më tani, rreth 4 mijë zyrtarë publikë e kanë përfunduar deklarimin e pasurisë për vitin 2025.

    Në një përgjigje elektronike për Radio Kosovën, drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, ka thënë se ky proces është duke vijuar në përputhje me afatet e përcaktuara ligjore.

    “Deri më tani, 3 mijë e 915 zyrtarë publikë, apo 37.82%, e kanë përfunduar deklarimin e pasurisë, ndërsa edhe 2 mijë e 34, apo 19.65%, e kanë nisur procesin, por ende nuk e kanë përmbyllur atë. Ndërkohë, një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve, respektivisht 4 mijë e 404 apo 42.54%, ende nuk e kanë filluar procesin e deklarimit”, ka thënë Buleshkaj.

    Ai ka theksuar se mosdeklarimi brenda afatit, vonesat apo deklarimet e pasakta përbëjnë shkelje ligjore dhe mund të sanksionohen me gjoba, kallëzim penal, madje edhe me dënim me burgim deri në pesë vjet. Po ashtu, ai shtoi se pasuria e padeklaruar mund t’i nënshtrohet konfiskimit.

    Nga ana tjetër, Prokuroria e Shtetit ka bërë të ditur se gjatë vitit 2025 janë ngritur kallëzime penale ndaj 44 personave për mosdeklarim ose deklarim të rremë të pasurisë.

    Zëdhënësja e Prokurorisë së Shtetit, Liridona Kozmaqi Hajdari, në një përgjigje elektronike për Radio Kosovën, tha se për disa raste hetimet janë pushuar, ndërsa për katër persona janë ngritur aktakuza.

    Sipas Agjencisë, numri i përgjithshëm i zyrtarëve që i nënshtrohen këtij obligimi ligjor është 10 mijë e 340, përfshirë mjekë dhe profesorë. Afati për deklarimin e pasurisë për vitin 2025 përfundon më 31 mars, ndërsa autoritetet paralajmërojnë masa të rrepta ndaj atyre që nuk e përmbushin këtë detyrim ligjor.

  • Haxhiu: E kemi pranuar agjendën legjislative nga Qeveria, s’po mund ta trajtojmë shkaku masës nga Kushtetuesja

    Haxhiu: E kemi pranuar agjendën legjislative nga Qeveria, s’po mund ta trajtojmë shkaku masës nga Kushtetuesja

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu Haxhiu ka deklaruar se Kuvendi ka pranuar agjendën legjislative të qeverisë që përmban rreth 174 projektligje, por se nuk po mund ta trajtojnë për shkak të masës së përkohshme nga Gjykata Kushtetuese ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarje të Kuvendit.

    Ajo tha se roli i komisioneve parlamentare është kyç për shqyrtimin dhe trajtimin efektiv të këtyre ligjeve.

    “Ne kemi pranuar agjendën legjislative nga qeveria. Nuk kemi arritur që ta trajtojmë atë për shkak të vendimit për masën e përkohshme, pra që duhet të presim deri më 31 mars. Por e kemi agjendën legjislative që përmban diku 174 projektligje. Qeveria ambicioze, dhe ligjet janë shumë të rëndësishme. Por ajo çka është e rëndësishme është që kur ato procedohen në Kuvendin e Republikës së Kosovës, të vijë në shprehje pastaj roli i komisioneve parlamentare. Sepse, më besoni edhe për shkak të përvojës praktike, puna më e madhe bëhet në komisionet parlamentare. Diskutimet në seancë janë diçka tjetër, por ajo që nuk shihet pra, ajo që është shumë përmbajtësore, është puna në komisionet parlamentare”, tha ajo.

    “Prandaj edhe si kryetare e Kuvendit, do të angazhohem maksimalisht që këto trajtime të projektligjeve të bëhen në mënyrën sa më të mirë të mundshme. Edhe duke e pasur parasysh edhe aspektin gjinor, sepse nuk kemi nevojë që të bëjmë ligje të cilat nuk i përshtaten rrethanave tona. Kosova ka ligje të mira, por që shumë shpesh ato nuk zbatohen në praktikë. Prandaj edhe në këtë kuptim, duhet që në grupet punuese të Kuvendit të Kosovës të përfshihen organizatat e shoqërisë civile, institucionet e ndryshme, që mund të kenë direkt apo indirekt përgjegjësi në raport me një ligj. Por po ashtu edhe secili grup që, si me thënë, i dedikohet një rregullim ligjor i tillë. Prandaj jam shumë e hapur që të fuqizoj rolin e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe deri tani nuk shoh që kemi pasur mungesë të vullnetit në këtë drejtim”, tha ajo./EO

  • Zbulim tronditës në Kenia: Foshnja dhe fëmijë të varrosur në një varrezë masive

    Zbulim tronditës në Kenia: Foshnja dhe fëmijë të varrosur në një varrezë masive

    Rreth 32 trupa, kryesisht fëmijë dhe foshnja, janë nxjerrë nga një varrezë masive në qytetin perëndimor kenian të Kericho, ndërsa hetimet vazhdojnë. Nxjerrja u bë pas një urdhri gjykate për 14 trupa që fillimisht besohej se ishin varrosur aty.

    Patologu qeveritar, Richard Njoroge, tha se trupat u gjetën “të vendosur në qese druri” dhe se disa dukeshin se kishin origjinë nga spitale dhe morgje. Nga autopsitë do të përcaktohet koha dhe rrethanat e vdekjes.

    Të martën, detektivë dhe ekipe forenzike punuan nën siguri të rreptë për të rikuperuar trupat, disa të paprekur e disa pjesërisht. Policia rrethoi zonën ndërsa banorë të tronditur ndiqnin procesin.

    Dy persona, një punonjës shëndetësor dhe një kujdestar varreza, janë arrestuar, ndërsa të tjerët po pyeten. Grupi i të drejtave të njeriut, Vocal Africa, e përshkroi zbulimin si “tronditës dhe të tmerrshëm”, duke kërkuar identifikim dhe hetim të menjëhershëm.

    Ky rast vjen pas një ngjarjeje të ngjashme në vitin 2023 pranë Malindi, ku pastori Paul Mackenzie u arrestua pas gjetjes së 429 trupave, përfshirë fëmijë, në pyllin Shakahola.

  • Ra nga 50 në 38 ulëse në zgjedhjet e së martës, kryeministrja daneze ‘ende në lojë’ për Kryeministrinë

    Ra nga 50 në 38 ulëse në zgjedhjet e së martës, kryeministrja daneze ‘ende në lojë’ për Kryeministrinë

    Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, pritet të dorëzojë qeverinë e saj pas një humbjeje në zgjedhjet e së martës.

    Partia e saj, Social Demokratët, pati rezultatin më të dobët që nga 1903, duke fituar vetëm 38 ulëse nga 179, në rënie nga 50 ulëse katër vjet më parë.

    Shqetësimet mbi migracionin, krizën e jetesës dhe mirëqenien sociale dominuan zgjedhjet, duke e mposhtur mbështetjen që Frederiksen kishte për qëndrimin e saj të fortë ndaj përpjekjeve të ish-presidentit amerikan Donald Trump për të marrë kontrollin e Grenlandës.

    Megjithatë, Frederiksen mund të rikthehet si udhëheqëse e një kabineti të ri, pasi negociatat për formimin e qeverisë së ardhshme mbeten të vështira dhe të paqarta, raporton Reuters.

  • Pacolli emëron Bajram Kafexhollin u.d. të Sekretarit të Përgjithshëm në ministri

    Pacolli emëron Bajram Kafexhollin u.d. të Sekretarit të Përgjithshëm në ministri

    Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ftore Pacolli, ka marrë vendim për emërimin e ushtruesit të detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm.

    Ajo ka bërë me dije se në këtë pozitë e ka emëruar Bajram Kafexholli.

    Në profilin e saj në Facebook, ajo ka treguar pse e ka marrë këtë vendim.

    “Kam emëruar ushtrues detyre të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, z. Bajram Kafexholli. Ky emërim vjen në funksion të ndryshimeve që po bëjmë dhe të forcimit të kapaciteteve të Ministrisë me qëllim të rritjes së efikasitetit për të avancuar prioritetet tona. Ne jemi të përkushtuar për reforma të vazhdueshme në kthimin e ligjshmërisë dhe mbrojtjen e mjedisit”, ka shkruar ajo.

  • Bedri Krasniqi kërkon masë lehtësuese: Dje i kam bërë 20 vjet burgim, akuzat kurrë nuk m’u kanë nda

    Bedri Krasniqi kërkon masë lehtësuese: Dje i kam bërë 20 vjet burgim, akuzat kurrë nuk m’u kanë nda

    Në Gjykatën e Apelit të mërkurën u shqyrtua ankesa e Prokurorisë ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Bedri Krasniqi ishte liruar nga akuza për kanosjen e Shkumbin Mehmetit.

    Kundër vendimit të Themelores, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur ankesë për shkak të shkeljes së dispozitave esenciale ligjore si dhe vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike, duke kërkuar që aktgjykimi i ankimuar të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    I akuzuari Bedri Krasniqi tha se tash e 20 vjet është në burg dhe se asnjë masë lehtësuese ndaj tij nuk është marrë asnjëherë.

    “Dje i kam bo 20 vjet që jam ra në burg. Dhe për 20 vjet, kurrë një masë lehtësuese në drejtim temin nuk është marrë. Akuzat kurrë nuk m’u kanë nda që 20 vjet, kurrë hiç, kurrë pa akuza s’kam mbet”, tha Krasniqi.

    Ai tha se është i shqetësuar me ankesën e Prokurorisë për të kthyer rastin në rigjykim, duke shtuar se “Prokuroria nuk po heq dorë prej akuzave”.

    “Unë propozoj qysh kam propozu në rastin në shkallë të parë, kjo vepër s’ka ndodh kurrë i nderum gjyqtar, por sido që të vendosni ju unë e pranoj se nuk kam më motiv i nderum gjyqtar me u shty për këtë vepër se është shku kohë shumë e gjatë”, tha ai.

    Kolegji i Apelit përbëhej nga Avdullah Ahmeti- kryetar, Anita Krasniqi-Prenaj gjyqtare referuese dhe Mehmet Ndrecaj- anëtar.

    Ndryshe, Krasniqi më 13 shtator 2023 ishte liruar nga Themelorja për vrasjen rëndë ndaj dy zyrtarëve të UNMIK. Vendim i cili për pjesën e tij i ishte konfirmuar edhe nga Apeli.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 31 tetor 2019, më 18 prill 2019 në rrugën prej Burgut të Sigurisë së Lartë në Gërdoc të Podujevës, në drejtim të Prishtinës, tani i akuzuari Bedri Krasniqi me qëllim të frikësimit apo shkaktimit të ankthit, e ka kanosur me fjalë të dëmtuarin Shkumbin Mehmeti gjatë transportimit të tij për në Pallatin e Drejtësisë në Hajvali.

    Tutje, në aktakuzë thuhet se pasi janë vendosur të dy në të njëjtin mjet transporti gjatë rrugës, i akuzuari Krasniqi ka komunikuar me të dëmtuarin Mehmeti para hyrjes në automjet dhe gjatë trasnportimit, duke e kanosur këtë të fundit me fjalët “qysh e ki famijen, e di se familjen e ki në Francë dhe se djali yt i ka bërë katër vite, po ashtu edhe vëllezrit tuaj punojnë me disa kabllo internet”, duke i bërë me dije të dëmtuarit për mundësinë e arritjes së qëllimeve ndaj tyre.

    Në vazhdim sipas aktakuzës, i akuzuari ka thënë “Është më mirë të kujdesesh për familjen tënde, e mos të meresh me punë tjera”, duke aluduar në mosdëshmimin e tij ndaj të akuzuarit në çështjen penale të vrasjes së rëndë dhe thuhet se me këto fjalë i akuzuari e ka shqetësuar seriozisht të dëmtuarin se do ta privojë nga jeta ose që do t’i shkaktojë lëndim të rëndë trupor ndonjë anëtari të familjes.

    Me këtë, Krasniqi akuzohej se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, par.2 të Kodit Penal, ku kryerësi dënohet me gjobë ose me dënim deri në një vit.

  • Presidentja kërkon sqarim shtesë nga Kushtetuesja për emërimin e tre anëtarëve të VV’së

    Presidentja kërkon sqarim shtesë nga Kushtetuesja për emërimin e tre anëtarëve të VV’së

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është deklaruar sot lidhur me emërimin e anëtarëve nga partitë politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

    Osmani, ka thënë se arsyeja se përse ka kërkuar sqarim nga Gjykata Kushtetuese për këtë çështje është se partitë kanë kërkuar emërimin e më shumë anëtarëve në KQZ.

    Sipas saj, Vetëvendosja ka kërkuar tre anëtarë e janë emëruar vetëm dy, dhe PDK-ja ka kërkuar dy e është emëruar vetëm një.

    “Për shkak se janë kërku tre nga Vetëvendosja, janë emëru vetëm dy. Janë kërku dy nga PDK-ja, është emëruar një, për shkak se ka më shumë propozime sesa që i lejon kushtetuta. Dhe meqenëse kjo çështje deri tani nuk është sqaruar nga Gjykata Kushtetuese, kam kërkuar që ta sqarojë atë. Mirëpo ky rast është mbi një është ngritur mbi një bazë tjetër ligjore, jo mbi të njëjtën që është ngritur në rastet e mëparshme, qoftë nga ish-presidenti Thaçi, qoftë nga ana ime. Se kjo çështje ka qenë e paqartë përgjatë viteve për secilin president në fakt. Dhe shpresoj që më në fund gjykatat ta sqarojnë. Momentin që sqarohet, vijohet me emërimet”, tha ajo.

    Sipas saj, Kushtetuesja ende nuk ka marrë ndonjë vendim për këtë dhe se janë në pritje të përgjigjes.

    “Jo, nuk e ka sqaruar fare. Pra, nuk ka marrë vendim. Në fakt, atëherë gjykata, meqenëse ne e kemi ngritur lëndën mbi bazën e nenit 84 pika 9, pra kemi dërguar kërkesë për sqarim, ka thënë që nuk mund të bëjë sqarime shkaku i një standardi të ri që e ka ndërtuar gjykata. Ndërkaq, tani e kemi ngritur rastin mbi një bazë tjetër kushtetuese, pra nenin 113 të Kushtetutës, dhe shpresoj shumë që gjykata do ta japë përgjigjen. Pra, nuk është që vetëm një anëtar i PDK-së nuk është emëruar; edhe një i VV-së nuk është emëruar, në qoftë se i shohim propozimet e tyre. Dhe meqenëse aty është veç një vend, nuk i zë dy, duhet me pyet gjykatën se si të veprohet”, tha ajo.

  • Bebe Rexha arrin vendin e parë në ‘Big Top 40’ të Mbretërisë së Bashkuar me këngën e saj të re hit, “New Religion”

    Bebe Rexha arrin vendin e parë në ‘Big Top 40’ të Mbretërisë së Bashkuar me këngën e saj të re hit, “New Religion”

    Bebe Rexha ka arritur një tjetër sukses në karrierën e saj muzikore, duke u ngjitur në vendin e parë në The UK’s Biggest Chart Show me këngën e saj më të re “New Religion”.

    Artistja shqiptaro-amerikane mori trofeun nga Big Top 40 për këtë arritje, ndërsa emocionet nuk munguan. Ajo dha edhe një intervistë nga distanca, ku reagimi i saj i gëzuar u shpërnda nga organizatorët.

    “Është një javë e MADHE për muzikën e re dhe Bebe Rexha ka marrë vendin e parë me ‘New Religion’”, thuhet në njoftim, duke theksuar se java ka qenë shumë e fortë për publikime të reja. Ata shtuan se patën mundësinë ta telefononin këngëtaren për t’i dhënë lajmin, ndërsa reagimi i saj u cilësua si shumë emocionues.

    Në garën për Top 10 pati konkurrencë të madhe edhe nga artistë të tjerë, përfshirë supergrupin BTS, si dhe këngëtaret RAYE dhe SIENNA SPIRO. Po ashtu, lista përfshiu disa hyrje të reja, nga kënga “Loving Life Again” e Ella Langley deri te “You’re A Superstar” nga Take That.

    Ndërkohë, New Religion është pjesë e albumit të ri të artistes, Dirty Blonde, i cili pritet të publikohet i plotë më 12 qershor. Ky sukses konsiderohet një shtysë e madhe për projektin e ri muzikor të saj, i cili tashmë po zgjon interes të madh tek fansat.

  • Epic Games pushon nga puna 1,000 punonjës për shkak të rënies së Fortnite

    Epic Games pushon nga puna 1,000 punonjës për shkak të rënies së Fortnite

    Epic Games ka konfirmuar planet për të pushuar nga puna më shumë se 1,000 punonjës dhe për të shkurtuar 500 milionë dollarë në kosto për shkak të një rënieje në angazhimin me ekskluzivitetin e lojërave online falas të kompanisë, “Fortnite”.

    Shkurtimet përfaqësojnë rreth 20% të numrit të punonjësve të Epic, transmeton Telegrafi.

    “Numri i mbetur i punonjësve të Epic është pak mbi 4,000 pas shkurtimeve të sotme prej pak mbi 1,000”, tha një përfaqësues i kompanisë së lojërave të martën.

    Drejtori ekzekutiv i Epic Games, Tim Sweeney, e zbuloi lajmin në një memo për punonjësit që ishte e drejtpërdrejtë në lidhje me sfidat e kompanisë.

    “Sot po pushojmë nga puna mbi 1,000 punonjës të Epic. Më vjen keq që jemi përsëri këtu”, shkroi Sweeney.

    “Rënia e angazhimit në ‘Fortnite’ që filloi në vitin 2025 do të thotë që po shpenzojmë dukshëm më shumë sesa po fitojmë, dhe duhet të bëjmë shkurtime të mëdha për ta mbajtur kompaninë të financuar. Ky pushim nga puna, së bashku me mbi 500 milionë dollarë kursime të identifikuara të kostove në kontraktim, marketing dhe mbylljen e disa roleve të hapura, na vendos në një pozicion më të qëndrueshëm”, shtoi ai.

    Sweeney vazhdoi, “Disa nga sfidat me të cilat po përballemi janë sfida në të gjithë industrinë: rritje më e ngadaltë, shpenzime më të dobëta dhe ekonomi më të vështira të kostos; konsolat aktuale që shiten më pak se ato të gjeneratës së kaluar; dhe lojërat që konkurrojnë për kohë kundër formave të tjera gjithnjë e më tërheqëse të argëtimit”.

    Në shkurt të vitit 2024, Disney investoi 1.5 miliardë dollarë në Epic Games për të marrë një pjesë të pakicës në firmën e lojërave që ka ndihmuar në zgjerimin e konceptit të ekosistemeve të lojërave me suksesin e “Fortnite”, dhe shumë versioneve të tij.

    Epic Games pati një pushim të madh nga puna në shtator të vitit 2023, duke eliminuar rreth 830 vende pune, të cilat përfaqësonin rreth 16% të fuqisë punëtore të saj në atë kohë.

  • Irani vendos kushte të reja për anijet që mund të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit

    Irani vendos kushte të reja për anijet që mund të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit

    Irani ka informuar Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Organizatën Ndërkombëtare Detare se “anijet armike” mund të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit nëse koordinohen më parë me autoritetet iraniane. Ky mesazh vjen në një kohë kur lufta amerikano-izraelite kundër Iranit ka ndaluar pothuajse kalimin e rreth një të pestës së naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë përmes ngushticës, gjë që ka shkaktuar ndërprerje të konsiderueshme në furnizimin global, shkruan Reuters.

    Letra nga Ministria e Punëve të Jashtme iraniane iu dërgua të dielën Këshillit të Sigurimit, i cili ka 15 anëtarë, dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres. Të martën, ajo iu dërgua adresave të 176 anëtarëve të Organizatës Ndërkombëtare Detare (IMO), agjencisë së OKB-së me seli në Londër përgjegjëse për sigurinë e lundrimit ndërkombëtar dhe parandalimin e ndotjes detare.

    “Anijet armike, përfshirë ato që u përkasin ose janë të lidhura me shtete të tjera, mund të ushtrojnë të drejtën e kalimit të sigurt nëpër Ngushticën e Hormuzit në koordinim me autoritetet kompetente iraniane. Kushti është që ato të mos marrin pjesë në agresion kundër Iranit ose ta mbështesin atë, dhe që të zbatojnë plotësisht rregulloret e publikuara të sigurisë”, thuhet në letër.

    Memorandumi thotë se Irani “ka ndërmarrë masa të nevojshme dhe proporcionale për të parandaluar agresorët dhe mbështetësit e tyre nga shfrytëzimi i Ngushticës së Hormuzit për të kryer operacione armiqësore kundër Iranit”.

    Ai shtoi se anijet, pajisjet dhe të gjitha pronat që i përkasin Shteteve të Bashkuara ose Izraelit, “si dhe pjesëmarrësve të tjerë në agresion, nuk kualifikohen për kalim të pafajshëm ose jo-armiqësor”.