ATV

Author: K.B.

  • Vendimi i Kushtetueses, mblidhet kryesia dhe deputetët e PDK-së

    Vendimi i Kushtetueses, mblidhet kryesia dhe deputetët e PDK-së

    Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka deklaruar se PDK-ja e respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili u kuptua të mërkurën.

    “Ne e respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese si institucion kyç i rendit demokratik, ashtu siç kemi vepruar gjithmonë”, ka thënë shkurtimisht Çitaku, duke treguar se PDK-ja do t’i mbledhë sot organet e saj drejtuese për të diskutuar për zhvillimet e reja dhe hapat e ardhshëm.

    Partia Demokratike e Kosovës, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ka thirrur menjëherë për ditën e enjte në orën 14:00, mbledhje të përbashkët të Kryesisë dhe të Grupit Parlamentar.

  • Parashikimi i motit

    Parashikimi i motit

    Sot mbi vendin tonë do të mbajë mot kryesisht i vranët, i shoqëruar me intervale të shkurtra me diell.

    Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 0 dhe 2 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale pritet të arrijnë nga 13 deri në 16 gradë Celsius.

    Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga veriperëndimi, me shpejtësi prej 1 deri në 9 metra në sekondë.

  • Policia me aksion kundër motoçikletave në Gjilan

    Policia me aksion kundër motoçikletave në Gjilan

    Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Gjilan ka nisur zbatimin e një plani operativ për kontrollin e motoçikletave, trotineteve, triçikletave, skuterëve dhe mjeteve të tjera motorike që qarkullojnë në kundërshtim me ligjin.

    Ky plan ka për qëllim parandalimin e aksidenteve, përfshirë ato me pasoja fatale, lëndime trupore dhe dëme materiale, si dhe rritjen e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion.

    Plani po zbatohet në të gjitha komunat e rajonit të Gjilanit, me mbështetje të Njësisë për Reagim të Shpejtë, Njësive të Trafikut Rajonal dhe patrullave të stacioneve policore. Në këtë kontekst, Policia ka theksuar:

    “Njësitet policore janë të angazhuara në terren me kontrolle të shtuara dhe intensive, dhe ky Plan operativ do të vazhdojë të zbatohet deri në një vlerësim të ri të situatës së sigurisë në komunikacionin rrugor”, thuhet në njoftim.

    Policia u bën thirrje qytetarëve që të përdorin helmetë dhe pajisje mbrojtëse, të kontrollojnë gjendjen teknike të mjeteve, të respektojnë rregullat e trafikut dhe të shmangin manovrat e rrezikshme apo drejtimin nën ndikim të alkoolit apo substancave psikoaktive. Qarkullimi i trotineteve dhe mjeteve të ngjashme në hapësira publike si parqe, sheshe dhe zona të frekuentuara nga qytetarët është i ndaluar dhe do të sanksionohet sipas ligjit.

    Gjatë dy ditëve të fundit, policia ka përjashtuar 13 mjete nga komunikacioni dhe ka shqiptuar 16 gjoba kundërvajtëse. Policia e Kosovës në Gjilan njofton se do të zbatojë zero tolerancë ndaj të gjithë drejtuesve që shkelin ligjin në trafikun rrugor.

  • Në Spitalin e Mitrovicës hapet Kirurgjia Maksillofaciale

    Në Spitalin e Mitrovicës hapet Kirurgjia Maksillofaciale

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka njoftuar se në Spitalin e Mitrovicës është hapur Kirurgjia Maksillofaciale.

    Ai ka njoftuar se nga java e ardhshme në këtë spital do të nis edhe shërbimi i Logopedisë.

    “Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” është hapur për herë të parë Kirurgjia Maksillofaciale, ndërsa nga java tjetër nis edhe shërbimi i Logopedisë. Spitali është pajisur me aparatura moderne si kolonoskop, gastroskop, artroskop dhe ultrazë të syrit, ndërsa barnat janë sistemuar në një depo moderne. Gjatë këtij viti do të ndërtohet edhe reparti i ri i Ortopedisë. Vazhdojmë me zgjerimin e shërbimeve shëndetësore sa më afër qytetarëve”, ka shkruar Vitia.

  • Tifozët shqiptarë që u arrestuan në Serbi dalin nesër para gjykatës

    Tifozët shqiptarë që u arrestuan në Serbi dalin nesër para gjykatës

    Katër tifozë shqiptarë, u arrestuan të marten në territorin e Serbisë nën dyshimet se kishin shpalosur bluza me motive kombëtare.

    Ata akuzohen për nxitjen e urrejtjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare.

    Tifozët e arrestuar pritet që nesër të dalin para Gjykatës.

    Lajmin e dha deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla.

    “Kam ndjekur dhe jam informuar nga Ambasada jonë në Beograd mbi katër djemtë tanë të ndaluar atje dhe procesin gjyqësor nesër. Më shumë informacion nesër”, tha Balla.

  • Shtëpia e Bardhë: Do ta godasim ashpër Iranin nëse Teherani nuk dëshiron paqe

    Shtëpia e Bardhë: Do ta godasim ashpër Iranin nëse Teherani nuk dëshiron paqe

    Duke u fokusuar tek negociatat për të vënë një fund të mundshëm të konfliktit, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt nuk ka lënë vend për dyshime.

    Ajo thekson se Donald Trump dëshiron paqe, por paralajmëron se nëse Irani refuzon të pranojë se është mundur, presidenti amerikan nuk do të ngurrojë të përdorë të gjithë fuqinë e tij.

    “Presidenti Trump nuk bën kurrë blof. Ai është i përgatitur të shpërndajë ferrin”, tha Leavitt.

    “ Irani nuk duhet të bëjë sërish gabime. Pas gabimit të tyre të fundit, ata humbën udhëheqjen e lartë, marinën, forcën ajrore dhe sistemin e mbrojtjes ajrore. Ky është një paralajmërim i qartë se çdo veprim i mëtejshëm agresiv do të ketë pasoja të rënda”, shtoi ajo.

    Leavitt gjithashtu nënvizoi se çdo dhunë shtesë do të jetë rezultat i refuzimit të regjimit iranian për të kuptuar seriozitetin e situatës “çdo veprim i tyre që tejkalon kufijtë aktualë nuk do të jetë rastësi. Ai do të jetë pasojë e mospranimit të realitetit dhe e vendosmërisë sonë për të mbrojtur interesat dhe sigurinë globale”.

    Mes paralajmërimeve të forta, Leavitt përsëriti mesazhin kryesor – Trump është i vendosur për paqe, por për ata që nuk respektojnë rregullat, pasojat mund të jenë më të rënda se kurrë më parë.

  • Irani tregon kushtet për armëpushim pasi refuzoi planin e Trumpit

    Irani tregon kushtet për armëpushim pasi refuzoi planin e Trumpit

    Irani ka reaguar ndaj planit me 15 pika të propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, duke e cilësuar atë si “të tepruar”.

    Zyrtarët iranianë theksuan se vendi i tyre do të vendosë vetë se kur dhe si do të përfundojë lufta, duke mos pranuar që SHBA të diktojë kohën e armëpushimit, shkruan skynews.

    Sipas autoriteteve iraniane, për të përfunduar konfliktin, vendi ka vendosur pesë kushte kryesore:

    Ndërprerja e agresionit dhe vrasjeve të synuara;

    Vendosja e mekanizmave konkretë që garantojnë se Irani nuk do të sulmohet më;

    Kompensimi i dëmeve të luftës dhe pagesa e reparacioneve;

    Përfundimi i luftimeve në të gjitha frontet dhe për të gjitha grupet e përfshira në rajon;

    Njohja ndërkombëtare dhe garanci për autoritetin e Iranit mbi Ngushtica e Hormuzit.

    Ndërkohë, Trump ka deklaruar se SHBA janë në negociata me Iranin për një armëpushim, duke pretenduar se po komunikojnë me “njerëzit e duhur” dhe se pala iraniane është e interesuar për një marrëveshje.

  • Nesër vazhdon gjykimi ndaj Naim Murselit dhe të tjerëve të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt

    Nesër vazhdon gjykimi ndaj Naim Murselit dhe të tjerëve të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt

    Gjatë ditës së nesërme në Gjykatën Themelore të Prishtinës pritet të vazhdojë seanca gjyqësore ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt.

    Në seancën e fundit Naim Murseli kishte kërkuar të komunikojë me djalin e tij, e po ashtu edhe me Behgjet Pacollin.

    Kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku, tha se kërkesa për komunikim me Pacollin i refuzohet ngase është kategori e personave që nuk e lejon ligji.

    “Keni parashtru kërkesë me komuniku me djalin. Kam kontaktu me autoritetet suedeze, jam në pritje të përgjigjes së tyre. Ndërsa, për kërkesën që e ke ba me komuniku me Behgjet Pacollin, me numër të telefonit të Zvicrës dhe me dhëndrin e juaj- ajo është kërkesë që nuk lejohet, sepse këtë kategori të personave nuk e lejon ligji”, ishte shprehur Dermaku.

    Ndërkaq, sa i përket kërkesës për komunikim me fëmijët, tha se po presin përgjigje nga autoritetet suedeze.

    Seanca e nesërme nis nga ora 09:30.

  • Gruda shpjegon vendimin e Gjykatës Kushtetuese: Afati 30-ditor për presidentin është i detyrueshëm

    Gruda shpjegon vendimin e Gjykatës Kushtetuese: Afati 30-ditor për presidentin është i detyrueshëm

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e presidentit.

    Gruda ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka përcaktuar qartë tri çështje kryesore.

    “Afati 30-ditor për zgjedhjen e Presidentit para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual është obligues dhe detyrues”, ka shkruar Gruda duke shtuar se ky afat ka qenë gjithmonë pikë kyçe e diskutimeve.

    Së dyti përcaktohet se në rast të shkeljes së afatit 30-ditor, Kuvendi shpërndahet automatikisht ex constitutione, pa pasur nevojë për ndonjë dekret presidencial.

    “Gjykata ka parashikuar një afat shtesë prej 34 ditësh për rastin specifik që Kuvendi u konstituua më 11 shkurt dhe nuk kishte në dispozicion 60 ditë të plota për procedurën e zgjedhjes së Presidentit”, u shpreh Gruda në Debat plus.

    Deputeti i PDK-së nënvizon se afati 30-ditor nuk është zhvleftësuar, por është marrë parasysh në kuadër të një situate të veçantë, duke reflektuar vonesën në konstituimin e Kuvendit.

  • Abdixhiku: Gjykata dha qartësi, Presidentja nuk e shkeli Kushtetutën, LDK e gatshme të kontribuojë për zgjidhje

    Abdixhiku: Gjykata dha qartësi, Presidentja nuk e shkeli Kushtetutën, LDK e gatshme të kontribuojë për zgjidhje

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke komentuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, tha se partia e tij “e respekton plotësisht këtë vendim dhe e konsideron atë udhërrëfyes për veprimet e mëtejshme politike”.

    Ai thotë se për zgjedhjen e presidentit “përgjegjësia kryesore mbetet te shumica parlamentare”.

    Në të njëjtën kohë, Abdixhiku deklaron se “LDK konsideron se veprimet e Presidentes së Republikës, përfshirë dekretin e saj, kanë qenë në funksion të ruajtjes së rendit kushtetues dhe të shmangies së një vakumi institucional, në një situatë të paqartë juridike. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese përveç se nuk konstaton ndonjë shkelje kushtetuese, ofron interpretimin përfundimtar rreth kësaj çështjeje, interpretim i cili duhet të respektohet nga të gjithë”.

    Abdixhiku thekson se “LDK mbetet e gatshme të kontribuojë në çdo përpjekje serioze për zgjidhje, që garanton stabilitet dhe funksionim normal të institucioneve”.

    Postimi i tij i plotë:

    Të nderuar qytetarë,

    Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka sjellë qartësi të nevojshme në një moment të rëndësishëm institucional për vendin. Lidhja Demokratike e Kosovës e respekton plotësisht këtë vendim dhe e konsideron atë udhërrëfyes për veprimet e mëtejshme politike.

    Ky vendim nuk krijon epërsi për askënd. Ai e rikthen procesin në Kuvendin e Republikës dhe u jep deputetëve edhe një afat për të përmbushur detyrimin për zgjedhjen e Presidentit.

    Në këtë fazë, siç kemi theksuar vazhdimisht, përgjegjësia kryesore mbetet te shumica parlamentare. Ajo ka pasur kohën dhe mundësinë për ta përmbyllur këtë proces dhe është detyrë e saj të ofrojë zgjidhje. Siç tashmë është e qartë, pa votat e shumicës, ky proces nuk mund të përmbyllet.

    Lidhja Demokratike e Kosovës beson se çështje të tilla nuk zgjidhen me imponim, por me marrëveshje politike ndërmjet forcave përfaqësuese. Presidenti i Republikës duhet të jetë figurë bashkuese, që reflekton unitet, garanton balancë institucionale dhe nuk është zgjatim i shumicës.

    Në këtë frymë, LDK mbetet e gatshme të kontribuojë në çdo përpjekje serioze për zgjidhje, që garanton stabilitet dhe funksionim normal të institucioneve. Por, njëkohësisht, nuk do të bëhet alibi e dështimeve të askujt.

    Në të njëjtën kohë, LDK konsideron se veprimet e Presidentes së Republikës, përfshirë dekretin e saj, kanë qenë në funksion të ruajtjes së rendit kushtetues dhe të shmangies së një vakumi institucional, në një situatë të paqartë juridike. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese përveç se nuk konstaton ndonjë shkelje kushtetuese, ofron interpretimin përfundimtar rreth kësaj çështjeje, interpretim i cili duhet të respektohet nga të gjithë.

    Republika ka rregullat e saj. Dhe ato kërkojnë përgjegjësi, maturi dhe vendimmarrje në përputhje me interesin e përgjithshëm.

    Në rast të mungesës së një marrëveshjeje politike për 34 ditët e ardhshme, Lidhja Demokratike e Kosovës do të hyjë e bashkuar dhe e përgatitur në çdo proces të ri zgjedhor, me besimin për të ofruar zgjidhje të reja për vendin.