ATV

Author: K.B.

  • Sarah Mullally emërohet kryepeshkopja e parë grua e Anglisë

    Sarah Mullally emërohet kryepeshkopja e parë grua e Anglisë

    Sarah Mullally është vendosur zyrtarisht si kryepeshkopja e parë grua e Kishës së Anglisë, duke shënuar një moment historik për kishën anglikane.

    Ceremonia u zhvillua në Katedralen e Canterburyt para rreth 2,000 të ftuarve, përfshirë Prince William, dhe kryeministrin Keir Starmer.

    Mullally, ish-infermiere, do të udhëheqë edhe Komunionin Anglikan global me rreth 85 milionë besimtarë. Në fjalimin e saj, ajo bëri thirrje për paqe dhe theksoi rëndësinë e drejtësisë dhe përgjegjësisë brenda kishës.

    Emërimi i saj konsiderohet një hap i madh drejt barazisë gjinore, megjithëse mbeten ndarje brenda kishës për çështje si roli i grave dhe komuniteti LGBTQ+.

  • Vetëm uji nuk mjafton: Pse gurët në veshka rikthehen pavarësisht këshillave të mjekëve

    Vetëm uji nuk mjafton: Pse gurët në veshka rikthehen pavarësisht këshillave të mjekëve

    Ekspertët shpjegojnë pse parandalimi kërkon më shumë se një këshill të thjeshtë

    “Pini më shumë ujë.” Kjo është këshilla më e shpeshtë që marrim kur përballemi me gurë në veshka. Për vite me radhë është besuar se kjo është çelësi i parandalimit. Megjithatë, një studim i ri i madh tregon se gjërat nuk janë kaq të thjeshta.

    Gurët në veshka janë të vegjël, por dhimbja që shkaktojnë përshkruhet nga shumë pacientë si një nga më të fortat që kanë përjetuar. Kriza shfaqet papritur, ndërpret jetën e përditshme dhe shpesh përfundon me vizitë urgjente në spital.

    Statistikat janë shqetësuese: rreth çdo i njëmbëdhjeti person gjatë jetës përballet me gurë në veshka, ndërsa pothuajse gjysma e tyre i rikthehen. Kjo e bën parandalimin jo vetëm të rëndësishëm, por thelbësor.

    Një studim i madh sjell përgjigje të papritura

    Një studim i publikuar në revistën The Lancet, i koordinuar nga Duke Clinical Research Institute, u përpoq t’i përgjigjej një pyetjeje të thjeshtë: a e parandalon vërtet rritja e marrjes së lëngjeve rikthimin e gurëve në veshka?

    Në studim morën pjesë 1.658 persona, të cilët u ndoqën për dy vite. Një grup mori këshilla standarde, ndërsa grupi tjetër kishte mbështetje shtesë përmes pajisjeve inteligjente për monitorimin e ujit, objektiva të personalizuara, kujtesa dhe këshillim të vazhdueshëm. Në fillim, gjithçka dukej premtuese, transmeton Telegrafi.

    Ku qëndron problemi

    Pjesëmarrësit vërtet konsumonin më shumë lëngje. Megjithatë, kjo nuk ishte e mjaftueshme për të ulur numrin e episodeve të reja të gurëve në veshka. Problemi kryesor nuk ishte mungesa e njohurive, por zbatimi në jetën e përditshme.

    – Mbajtja e një niveli të lartë të marrjes së lëngjeve për një kohë të gjatë është shumë më e vështirë sesa mendojmë, shpjegon dr. Charles Scales nga Duke University.

    Me fjalë të tjera, nuk mjafton të dimë çfarë duhet të bëjmë. Sfida reale është ta zbatojmë këtë çdo ditë.

    Pse “pini më shumë ujë” nuk është zgjidhje universale

    Studimi tregoi edhe diçka tjetër të rëndësishme: nuk ekziston një rekomandim i vetëm që funksionon për të gjithë. Sasia e lëngjeve varet nga mosha, pesha trupore, mënyra e jetesës dhe gjendja e përgjithshme shëndetësore. Për këtë arsye, i njëjti këshill nuk jep të njëjtin rezultat tek të gjithë.

    Qasje e re: parandalim i personalizuar

    Ekspertët po theksojnë gjithnjë e më shumë nevojën për një qasje të personalizuar.

    – Në vend që të japim të njëjtin objektiv për të gjithë, duhet të kuptojmë se çfarë funksionon për secilin individ dhe pse njerëzit e ndërpresin përpjekjen, thotë dr. Gregory Tasian, një nga autorët e studimit.

    Kjo nënkupton që parandalimi duhet të përfshijë objektiva të përshtatura, zakone të qëndrueshme dhe, kur është e nevojshme, trajtim shtesë mjekësor.

    Sëmundje kronike me ecuri të paparashikueshme

    Gurët në veshka nuk janë një problem i vetëm kalimtar. Është një gjendje që shpesh rikthehet dhe mund të ndikojë seriozisht në cilësinë e jetës, duke prekur gjumin, punën dhe aktivitetet e përditshme.

    – Njerëzit kërkojnë një zgjidhje të thjeshtë që do të parandalojë një krizë të re – thotë dr. Alana Desai, autorja kryesore e studimit.

    Por realiteti, siç duket, është më kompleks.

    Çfarë mund të mësojmë nga ky studim

    Uji mbetet i rëndësishëm dhe është një nga mënyrat bazë të parandalimit. Por ai nuk mjafton i vetëm. Parandalimi i gurëve në veshka kërkon njohje më të mirë të trupit, qëndrueshmëri në zakone dhe qasje të individualizuar.

    Sepse ndonjëherë problemi nuk është se nuk dimë çfarë duhet të bëjmë, por se sa e vështirë është ta zbatojmë këtë çdo ditë.

  • Zbulohen emrat e dy lojtarëve që mbeten jashtë listës së Fodas për ndeshjen ndaj Sllovakisë

    Zbulohen emrat e dy lojtarëve që mbeten jashtë listës së Fodas për ndeshjen ndaj Sllovakisë

    Franco Foda ka dorëzuar sot (e enjte) në UEFA listën prej 23 futbollistësh që janë të gatshëm për përballjen e Kombëtares së Kosovës ndaj Sllovakisë në kuadër të ndeshjes gjysmëfinale të ‘play-off’-it për Kupën e Botës 2026.

    Dardanët janë mysafirë të sllovakëve në ndeshjen që pritet të zhvillohet në stadiumin “Tehelne pole” të Bratislavës, me fillim nga ora 20:45.

    Ekipi i trajnerit Franco Foda ka kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme për një paraqitje dinjitoze dhe një fitore të mundshme, e cila do ta dërgonte në një finale të madhe në “Fadil Vokrri” ndaj Turqisë dhe Rumanisë.

    Në fillim të grumbullimit, Foda ftoi 25 futbollistë në listën e parë dhe tetë tjerë në listën rezervë për këtë takim shumë të rëndësishëm.

    Megjithatë, në një ndeshje, ekipi duhet t’i ketë vetëm 23 futbollistë dhe Foda është detyruar ta dorëzoj listën me dy emra më pak.

    Në listën e dorëzuar në UEFA, Foda ka larguar nga lista mbrojtësin Leard Sadriu dhe mesfushorin Vesel Demaku, ndërsa emrat tjerë mbesin po ata të njëjtit.

  • Eni Koçi dhe Cricket sjellin këngën e re “Pika”

    Eni Koçi dhe Cricket sjellin këngën e re “Pika”

    Këngëtarja Eni Koçi dhe Cricket kanë bashkuar forcat për një projekt të ri muzikor të titulluar “Pika”, i cili shoqërohet edhe me videoklip.

    Ky bashkëpunim shënon një rikthim të Enit në stilin e saj të njohur muzikor.

    Teksti i këngës është shkruar nga vetë Koçi, duke i dhënë këngës një ngjyrim personal dhe autentik.

    Për producimin muzikor janë kujdesur Genc Prelvukaj dhe Cricket, të cilët kanë krijuar një tingull bashkëkohor që pritet të pëlqehet nga publiku i gjerë.

    Videoklipi i këngës është realizuar nga produksioni Black Fish, duke sjellë pamje dinamike dhe vizualisht tërheqëse.

    Stili i videoklipit ndjek ritmin e këngës dhe përforcon mesazhin e saj, duke e bërë atë të përshtatshme për publikun e YouTube dhe platformat digjitale.

    Kënga besohet të ketë reagime pozitive nga fansat, të cilët me padurim e kanë pritur rikthimin e Enit.

  • Inspektorati në Fushë Kosovë shqipton gjoba për shkelje të kushteve të sigurisë në punishte

    Inspektorati në Fushë Kosovë shqipton gjoba për shkelje të kushteve të sigurisë në punishte

    Drejtoria e Inspektoratit në Fushë Kosovë ka njoftuar se në kuadër të aktiviteteve të rregullta në terren, ka realizuar inspektime në disa punishte në territorin e komunës.

    Sipas njoftimit, gjatë kontrollit në dy prej tyre janë evidentuar shkelje që lidhen me mungesën e mirëmbajtjes si dhe mungesë të theksuar të kushteve të sigurisë në punë.

    “Si rezultat i këtyre parregullsive, inspektorët kanë shqiptuar gjoba konform legjislacionit në fuqi dhe kanë urdhëruar ndërmarrjen e masave të menjëhershme për përmirësimin e kushteve të punës”, thuhet në njoftim.

    Nga kjo drejtori është theksuar se mbeten të përkushtuar në garantimin e sigurisë në vendin e punës dhe respektimin e standardeve ligjore.

    Po ashtu, është bërë apel ndaj të gjithë operatorëve ekonomikë që të zbatojnë rregullat përkatëse në mënyrë rigoroze, në mënyrë që të sigurohen kushte të sigurta për punëtorët.

  • Plani Zhvillimor i Prishtinës, Rama thotë se do të dalë në konsultim publik

    Plani Zhvillimor i Prishtinës, Rama thotë se do të dalë në konsultim publik

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se Plani i ardhshëm Zhvillimor Komunal pritet të dalë në konsultim publik brenda muajit të ardhshëm, duke synuar përfshirje të gjerë të qytetarëve dhe transparencë institucionale.

    Këto komente ai i bëri pas një takimi me Zëvendëskomandantin e KFOR, Gjeneral Brigade Federico Collina, ku u diskutuan çështje që lidhen me zhvillimin dhe sigurinë në kryeqytet.

    “Gjatë takimit prezantova edhe Planin e ardhshëm Zhvillimor Komunal, i cili pritet të dalë për konsultim publik brenda muajit të ardhshëm, me synimin për të siguruar pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve dhe transparencë të plotë institucionale”, ka deklaruar Rama.

    Ai ka theksuar se ky dokument strategjik do të shërbejë si udhërrëfyes për zhvillimin e qëndrueshëm të Prishtinës në vitet në vijim.

    “Ky dokument strategjik do të shërbejë si udhërrëfyes për zhvillimin e qëndrueshëm të komunës sonë në vitet në vijim”, është shprehur ai.

    Sipas Ramës, diskutimi me përfaqësuesit e KFOR-it ka konfirmuar rëndësinë e komunikimit dhe koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve për çështje që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e qytetit dhe mirëqenien e qytetarëve.

    “Prishtina mbetet e përkushtuar në forcimin e institucioneve, përmirësimin e planifikimit urban dhe krijimin e kushteve për një të ardhme më të sigurt, më të organizuar dhe më të qëndrueshme për të gjithë qytetarët e saj”, ka shtuar Rama.

  • Adelina kujton Cimën në 5-vjetorin e vdekjes: Më mungon babi, shtylla ime më e fortë

    Adelina kujton Cimën në 5-vjetorin e vdekjes: Më mungon babi, shtylla ime më e fortë

    Këngëtarja Adelina Thaçi-Meta, ka kujtuar babanë e saj të ndjerë në pesëvjetorin e vdekjes, humoristin Rasim Thaçi (Cima).

    Përmes një shkrimi të ndjerë në Facebook, këngëtarja shprehu mallin e madh që ka për të atin.

    “Sot bëhen 5 vite pa ty, babi…Koha kalon, por mungesa jote nuk mësohet kurrë. Ka ditë kur më duket sikur je ende këtu, në çdo këshillë që më ke dhënë, në çdo hap që bëj, në çdo forcë që gjej brenda vetes. Më mungon zëri yt, më mungon prania jote, më mungon mënyra si më jepje siguri edhe kur gjithçka dukej e vështirë. Por mbi të gjitha, më mungon ti si baba – si shtylla ime më e fortë”, ka shkruar Thaçi-Meta që është njëherësh deputete e LDK-së.

    “Jam krenare që jam bija jote. Çdo vlerë që kam, çdo arritje, çdo ëndërr… mban një pjesë tënden brenda. Prehu në paqe, babi im i dashur. Do të jetosh gjithmonë në zemrën time. Me mall bija jote”.

  • Marta Kos refuzon propozimin e Vuçiqit dhe Ramës

    Marta Kos refuzon propozimin e Vuçiqit dhe Ramës

    Komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos ka hedhur poshtë propozimin e Aleksandar Vuçiqit dhe Edi Ramës, të cilët bënë thirrje për përshpejtimin e integrimit të vendeve kandidate në tregun e përbashkët të BE-së dhe në hapësirën Shengen, pa marrë të drejtën e vetos, shkruan gazeta serbe Nova.rs.

    Konkretisht, komisionerja e BE-së për zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se nuk është e sigurt nëse Aleksandar Vuçiqi dhe Edi Rama e dinë se sa duhet të arrijnë nëse duan të jenë pjesë e Shengenit.

    “Nuk jam e sigurt nëse Vuçiqi dhe Rama e dinë sa duhet të arrijnë nëse duan të jenë pjesë e Shengenit apo të tregut të përbashkët dhe se procesi i reformave është i vështirë si për integrimin ekonomik, ashtu edhe për anëtarësimin në BE”, ka thënë Kos në intervistën e djeshme për Politico.

  • Hasani për vendimin e Kushtetueses: Nuk u shqyrtua shkelja, por kushtetutshmëria e dekretit

    Hasani për vendimin e Kushtetueses: Nuk u shqyrtua shkelja, por kushtetutshmëria e dekretit

    Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, e vlerëson si profesional aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me rrëzimin e dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit si dhe afatin 34 ditor shtesë për zgjedhjen e presidentit.

    Profesori i së drejtës ndërkombëtare në një intervistë për KosovaPress, thekson se, ndonëse arsyetimi juridik i vendimit është korrekt, gjuha e përdorur në dispozitiv “reflekton njëfarë hezitimi” të Gjykatës për ta emërtuar drejtpërdrejt situatën si vendim kundërkushtetues të Osmanit, siç thotë për shkak të frikës dhe presionit që i është bërë këtij institucioni.

    Megjithatë, ai sqaron se aktgjykimi nuk prodhon pasoja direkte juridike për presidenten, pasi objekti i shqyrtimit ka qenë vetëm kushtetutshmëria e dekretit dhe jo përgjegjësia e saj personale.

    “Kur një akt juridik nuk prodhon asnjë efekt juridik, atëherë kemi të bëjmë me pavlefshmëri absolute të aktit. Ky është një emërtim tjetër për të thënë se dekreti ka qenë tërësisht kundërkushtetues”, thotë Hasani.

    Ai shton se ky konstatim e bën dekretin për shpërndarjen e Kuvendit juridikisht të pavlefshëm, “sikur të mos kishte ekzistuar fare”, duke e cilësuar këtë si shkallën më të lartë të kundërkushtetutshmërisë.

    Në këtë kontekst, Hasani konsideron se Vjosa Osmani ka gabuar me vendimin për shpërndarjen e Kuvendit, pasi një kompetencë e tillë, sipas tij, nuk ekziston në asnjë sistem parlamentar evropian si kompetencë autonome e kreut të shtetit.

    “Objekt i çështjes nuk ka qenë vlerësimi nëse Presidenti ka shkelur Kushtetutën, por nëse dekreti është kushtetues”, shton Hasani.

    Sipas tij, çdo procedurë eventuale ndaj presidentes duhet të iniciohet veçmas nga të paktën 40 deputetë në Gjykatën Kushtetuese, të cilët duhet të argumentojnë shkeljen e Kushtetutës, duke u mbështetur edhe në këtë aktgjykim.

    Hasani gjithashtu thekson se një procedurë e tillë është e ndarë nga çështja e shkarkimit të presidentit, i cili kërkon shumicë prej dy të tretash në Kuvend, duke e bërë këtë një proces politikisht të ndërlikuar.

    Kjo është intervista e plotë:

    Si e vlerësoni vendimin e Gjykatës Kushtetuese për t’i dhënë Kuvendit edhe 34 ditë shtesë për zgjedhjen e presidentit? A është ky interpretim në përputhje të plotë me frymën e Kushtetutës?

    Hasani: Aktgjykimi është profesional në pjesën arsyetuese, por në dispozitiv ka një gjuhë që, në tërësi, ngjason me dispozitivin e aktgjykimit të parë të vitit të kaluar për konstituimin e Kuvendit. Kjo gjuhë është e qartë për juristët kushtetues, por reflekton njëfarë hezitimi të Gjykatës Kushtetuese për ta emërtuar drejtpërdrejt fenomenin e përshkruar. Nuk i fajësoj aspak, duke marrë parasysh faktin që kanë qenë nën presion vitin e kaluar, aq sa një pjesë e gjyqtarëve kanë qenë edhe të ekspozuar ndaj rrezikut fizik.

    A përbën kjo një praktikë të re kushtetuese apo është brenda kornizës së interpretimit të mëhershëm të Gjykatës?

    Hasani: Po. Arsyetimi është korrekt dhe tregon qartë se, në një sistem parlamentar, shefi i shtetit (presidenti apo monarku) nuk mund ta shpërndajë parlamentin në mënyrë autonome dhe jashtë autorizimit të shprehur kushtetues. Për këtë arsye, në dispozitiv, Gjykata ka theksuar se dekreti i Presidentes së Republikës për shpërndarjen e Kuvendit nuk ka prodhuar asnjë efekt juridik. Kur një akt juridik nuk prodhon asnjë efekt juridik, atëherë kemi të bëjmë me pavlefshmëri absolute të aktit. Ky është një emërtim tjetër për të thënë se dekreti ka qenë tërësisht kundërkushtetues. Këtë nuk e ka thënë Gjykata për shkak të frikës dhe presionit që ka pasur vitin e kaluar dhe në raste të tjera.

    Gjykata ka konstatuar se dekreti i presidentes për shpërndarjen e Kuvendit nuk prodhon efekt juridik. Sa i qëndrueshëm është ky arsyetim në aspektin praktik?

    Hasani: Siç e thashë, bëhet fjalë për përshkrimin e një akti juridik si tërësisht kundërkushtues, meqë nuk ka prodhuar asnjë pasojë juridike. Pra, dekreti për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës është tërësisht i pavlefshëm, sikur të mos kishte ekzistuar fare. Kjo është shkalla më e lartë e kundërkushtetutshmërisë dhe përfshin nenet e Kushtetutës të përmendura në paragrafin 4 të aktgjykimit që flet për objektin e çështjes.

    A ka pasur hapësirë kushtetuese që presidentja të veprojë ndryshe në këtë situatë? Çfarë pasojash juridike dhe kushtetuese mund t’i ketë ajo pas këtij vendimi jokushtetues?

    Hasani: Sigurisht që Presidentja e Republikës ka gabuar kur ka shpërndarë kuvendin, meqë ka shpërndarë përfaqësuesin e sovranit. Këtë të drejtë nuk e ka askund presidenti i republikës në një sistem parlamentar, dhe këtë e ka thënë qartë Gjykata në pjesën arsyetuese, kur ka dhënë zgjidhjet krahasimore kushtetuese. Njëjtë si në Kosovë, në asnjë kushtetutë të Evropës që ka sistem parlamentar, shefi i shtetit nuk ka kompetencë autonome për shpërndarjen e parlamentit.

    Asnjë pasojë nuk mund të ketë për zonjën Osmani, sepse objekti i çështjes nuk ka qenë vlerësimi nëse Presidenti i Republikës ka shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës, por nëse dekreti i Presidentit të Republikës së Kosovës për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, në vetvete, është kushtetues. Ky, në fakt, është vetë titulli i aktgjykimit të sotëm: “Vlerësim i kushtetutshmërisë së Dekretit [nr. 24/2026] të 6 marsit 2026 të Presidentes së Republikës së Kosovës”.

    Nëse dikush mendon se zonja Osmani ka shkelur Kushtetutën e Kosovës, mund të nisë procedurat para Gjykatës Kushtetuese në bazë të nenit 9.2, në lidhje me nenin 113.6 të Kushtetutës së Kosovës. Në një procedurë të tillë, aktgjykimi i sotëm shërben si fakt dhe pala iniciuese duhet të arsyetojë saktë pse dhe si zonja Osmani ka shkelur Kushtetutën e Kosovës. Pra, thënë me fjalë të tjera, pala që nis një procedurë të tillë – 40 deputetë të Kuvendit të Kosovës – duhet të argumentojnë shkeljet kushtetuese që kanë qenë objekt shqyrtimi të aktgjykimit të sotëm.

    Afati për vendosje për atë nëse Presidentja Osmani ka shkelur Kushtetutën është shtatëditor dhe nuk ka lidhje nëse ajo e përfundon mandatin. Sipas Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe praktikës standarde në gjyqësinë kushtetuese evropiane, gjykatat kanë të drejtë të vazhdojnë procedurën edhe atëherë kur bie objekti i shqyrtimit, për çfarëdo arsye qoftë. Shkarkimi i Presidentit të Republikës, sipas nenit 91.3 të Kushtetutës, është një çështje krejt tjetër. Me fjalë të tjera, procedura për vlerësimin nëse Presidentja Osmani ka shkelur Kushtetutën e Kosovës është e ndarë nga përfundimi i funksionit të saj, sepse shkarkimi, edhe në rast të një presidenti aktiv, mund të mos ndodhë në Kuvendin e Kosovës, meqë kërkohet shumica prej dy të tretash të deputetëve. Nëse kjo procedurë do të niset, mbetet në vlerësimin e aktorëve politikë.

  • Operacioni policor “Delivery” vë në pranga katër persona për drogë, një tjetër për krime kibernetike

    Operacioni policor “Delivery” vë në pranga katër persona për drogë, një tjetër për krime kibernetike

    Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion, që ka përfunduar me pesë të arrestuar. Katër janë arrestuar për drogë, ndërsa i pesti për krime kibernetike.

    Ata janë lokalizuar në dalje të autostradës në Veternik, duke lëvizur me një veturë të tipit Golf 8 me targa vendore.

    “Me të vërejtur prezencën e policisë, të njëjtit kanë tentuar të ikin me shpejtësi të lartë, duke rrezikuar seriozisht sigurinë në komunikacion. Gjatë ndjekjes, të dyshuarit kanë lëvizur në drejtim të Fushë-Kosovës, më pas drejt Podujevës, për t’u kthyer sërish në magjistralen Prishtinë–Mitrovicë. Ndjekja ka përfunduar në hyrje të qytetit të Vushtrrisë, ku njësitë policore kanë arritur t’i ndalojnë dhe arrestojnë të dyshuarit”, thuhet në njoftim.

    Gjatë kontrollit të veturës janë gjetur dhe sekuestruar: Dy paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë totale prej 2,221 gramësh dhe një cigare e mbushur me marihuanë me peshë 1.5 gramë.

    “Po ashtu, gjatë rrugës së ikjes, në fshatin Raskovë, është gjetur një paketim tjetër me marihuanë me peshë 1,117.5 gram, i cili dyshohet se është hedhur nga të dyshuarit gjatë ndjekjes”, thuhet në njoftim.

    Në koordinim me Prokurorin Kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Prishtinë, janë realizuar bastisje në katër lokacione të ndryshme në Prishtinë, ku janë gjetur dhe sekuestruar: Sasi të vogla të marihuanës (gjithsej 34.2 gram); dy peshore digjitale; para të gatshme në vlerë prej 4045 euro, 40 funta dhe 40 franga; dy vetura dhe katër telefona celularë.

    “Gjithashtu, është kontrolluar edhe një veturë tjetër e përdorur nga të dyshuarit, ku janë gjetur 25 qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë me peshë totale prej 11.9 gramësh. Operacioni policor i antidrogës ka rezultuar me gjithsej katër (4) persona të arrestuar. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e Forenzikës Rajonale në Prishtinë, të cilat kanë kryer dokumentimin dhe konfiskimin e të gjitha provave materiale”, thuhet në njoftim.

    Në njërën nga lokacionet e bastisura është zbuluar një hapësirë e modifikuar si “Call Center”, ku janë sekuestruar pesë laptopë.

    “Lidhur me këtë, në vendngjarje kanë intervenuar edhe njësitë e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, të cilat do të vazhdojnë hetimet në drejtim të veprave penale përkatëse sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ku në proces është ndaluar edhe një person tjetër duke quar në pesë (5) numrin e personave të arrestuar gjatë këtij operacioni. Të dyshuarit janë shoqëruar në Polici dhe pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit Kujdestar janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë. Rasti është duke u hetuar nga antidroga në Prishtinë, në bashkëpunim me Prokurorinë kompetente”, thuhet në njoftim.