ATV

Author: K.B.

  • Ligji për të huajt – Fillon mbledhja e të dhënave për serbët që kanë nevojë për regjistrim të vendbanimit në Kosovë

    Ligji për të huajt – Fillon mbledhja e të dhënave për serbët që kanë nevojë për regjistrim të vendbanimit në Kosovë

    Nebojsha Arsiq, udhëheqës i universitetit paralel në Mitrovicën veriore, deklaroi se kanë nisur procedurën për mbledhjen e informacioneve për personat të cilëve u nevojitet regjistrimi i vendbanimit, pas marrëveshjes së Qeverisë së Kosovës me BE’në lidhur me ligjin për të huajt.

    Leje nuk kanë 2.780 studentë dhe 550 profesorë dhe staf mësimor, ndërsa Arsiq ka deklaruar se deri më sot kërkesë kanë paraqitur 414 të punësuar dhe pak më shumë se 2.400 studentë.

    Ai gjithashtu thekson se mbledhja e të dhënave është plotësisht mbi bazë vullnetare.

    “Të gjithë të punësuarit dhe të gjithë studentët janë njoftuar se mbledhja e këtyre informacioneve është ekskluzivisht në bazë vullnetare dhe këto të dhëna janë në një vëllim shumë më të vogël sesa të dhënat që jepen gjatë kalimit të vijës administrative. Pra, këto të dhëna që ne po i mbledhim me qëllim sigurimin e dokumenteve të nevojshme për qëndrimin dhe punën e të punësuarve në këtë hapësirë, si dhe të studentëve tanë, po zhvillohet normalisht dhe ne do të jemi në gjendje që të gjitha këto të dhëna të mbledhura t’i përcjellim, siç është dakorduar, te kryetarët e komunave në përputhje me marrëveshjen e arritur”, shpjegon Arsiq.

    Ai ka thënë edhe se ata janë në kontakt me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, në mënyrë që gjithçka të ‘zhvillohet pa pengesa’’.

    “Të gjitha shërbimet janë njoftuar se duhet të pranojnë edhe të dhënat që mbërrijnë më vonë, e pastaj do të shohim, në marrëveshje me përfaqësuesit tanë politikë — duhet të them se jemi në kontakt të vazhdueshëm me ta — ndërsa ata me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, gjithçka me qëllim të zhvillimit pa pengesa të këtij procesi shumë të rëndësishëm për ne. Sepse pa zgjidhjen e këtij statusi, Universiteti do të ishte në probleme të mëdha. Mund të them se priten edhe masa administrative dhe burokratike nga pala tjetër, të cilat me gjasë do të përpiqen ta vështirësojnë këtë proces të regjistrimit, përkatësisht marrjen e këtyre lejeve të qëndrimit. Por shpresoj se në bisedimet me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare do të arrijmë t’i largojmë të gjitha këto probleme”, thekson Arsiq.

  • Abdixhiku kërkon hetim dhe u bën thirrje qytetarëve: Po faturoheni me tarifë të shtrenjtë edhe natën, kontrolloni njehsorët

    Abdixhiku kërkon hetim dhe u bën thirrje qytetarëve: Po faturoheni me tarifë të shtrenjtë edhe natën, kontrolloni njehsorët

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar hetim për njesorët elektrikë, për të cilët bashkëpartiaku i tij, Visar Azemi, dje tha se po bëjnë matjen e konsumit të energjisë gabim dhe se për këtë po faturohen qytetarët.

    Abdixhiku tha se të gjeturat e prezantuara dje janë alarmante dhe u bëri thirrje qytetarëve që t’i kontrollojnë njehsorët.

    “Kur shteti dështon, padrejtësia hyn në çdo shtëpi. Ajo që u prezantua dje në konferencë nga Departamenti ynë për Energji, përmes anëtarit tonë Visar Azemi, është alarmante. Qytetarët po paguajnë më shtrenjtë jo sepse konsumojnë më shumë, por sepse sistemi i matjes po keqllogarit. Nga verifikimi i 884 njehsorëve që aktivistët tanë kanë bërë, 87% rezultojnë të llogarisin kohën gabimisht, duke faturuar energjinë me tarifë të shtrenjtë edhe gjatë orëve të natës. Kjo nuk është më rastësi. Është dështim sistemik”.

    Abdixhiku tha se partia e tij do të kërkojë përgjegjësi institucionale për këtë.

    “Prandaj, LDK i fton qytetarët të kontrollojnë njehsorët e tyre. Ne zotohemi se këtë çështje do ta ndjekim në të gjitha nivelet institucionale, deri në vendosjen e drejtësisë për çdo qytetar. LDK kërkon hetim të menjëhershëm, përgjegjësi institucionale, kompensim për qytetarët dhe ndaljen e çdo rritjeje të tarifave deri në zbardhjen e plotë të gjendjes reale”.

  • Vitamin D: Suplementet që mund t’ju mashtrojnë

    Vitamin D: Suplementet që mund t’ju mashtrojnë

    Disa nga suplementet më të njohura të vitaminave mund t’u japin konsumatorëve një ndjenjë të rreme sigurie për marrjen e Vitaminës D, paralajmërojnë ekspertët.

    Një analizë ka zbuluar se dhjetëra produkte në treg përmbajnë shumë më pak Vitaminë D sesa rekomandohet për të rriturit – edhe pse në etiketa pretendohet se ofrojnë “100% të nevojës ditore”.

    Autoritetet shëndetësore rekomandojnë që të rriturit dhe fëmijët mbi katër vjeç të marrin rreth 10 mikrogramë Vitaminë D në ditë, veçanërisht gjatë muajve të vjeshtës dhe dimrit kur ekspozimi në diell është i kufizuar.

    Vitamina D, e njohur si “vitamina e diellit”, prodhohet nga lëkura përmes rrezeve të diellit dhe gjendet edhe në ushqime si peshku i yndyrshëm, vezët dhe drithërat e fortifikuara. Ajo është thelbësore për shëndetin e kockave, dhëmbëve dhe muskujve.

    Problemi qëndron te etiketimi: shumë produkte bazohen ende në një standard të vjetër europian prej 5 mikrogramësh, që sot është vetëm gjysma e sasisë së rekomanduar.

    Kjo do të thotë se një suplement me 5 mikrogramë mund të etiketohet ligjërisht si “100% e nevojës ditore”, edhe pse në realitet mbulon vetëm 50% të rekomandimit aktual.

    Ekspertët paralajmërojnë se kjo mospërputhje mund të ngatërrojë konsumatorët, të cilët besojnë se po marrin sasinë e duhur kur në fakt nuk është kështu.

    Analizat tregojnë se shumë nga produktet me dozën më të ulët janë në formë “gummy” (karamele), dhe shpesh kërkohet të merren disa copë për të arritur dozën e deklaruar – gjë që e bën edhe më të paqartë për përdoruesit.

    Për shembull, disa produkte përmbajnë vetëm 1.5 mikrogramë për dozë, ndërsa të tjera 2.5 ose 5 mikrogramë. Në anën tjetër, ekzistojnë edhe suplemente me doza shumë më të larta, deri në 45 mikrogramë, por ende brenda kufijve të sigurt.

    Një tjetër dallim është lloji i vitaminës: disa produkte përdorin Vitaminë D2, ndërsa të tjerat Vitaminë D3, e cila zakonisht konsiderohet më efektive për rritjen e nivelit të Vitaminës D në gjak.

    Megjithëse marrja e tepërt e Vitaminës D është e rrallë, në raste ekstreme mund të shkaktojë probleme si nivele të larta kalciumi, dëmtime të veshkave, të përziera dhe dobësi.

    Në praktikë, shumë nga suplementet e zakonshme ofrojnë vetëm gjysmën – ose edhe më pak – të dozës së rekomanduar ditore, pavarësisht pretendimeve në etiketa.

    Suplementet ushqimore janë të rregulluara ligjërisht dhe duhet të kenë etiketa të qarta me përbërësit, dozën e rekomanduar dhe paralajmërime sigurie. Megjithatë, ato nuk konsiderohen barna dhe nuk mund të pretendojnë se parandalojnë apo kurojnë sëmundje.

    Për këtë arsye, ekspertët këshillojnë që konsumatorët të lexojnë me kujdes etiketat dhe të mos mbështeten vetëm te pretendimet “100%”, por të kontrollojnë sasinë reale të Vitaminës D që po marrin.

  • Visar Azemi: KESCO duhet të tregojë sa qytetarë u manipuluan me njehsorë, sa është kostoja dhe kur do të kompensohen

    Visar Azemi: KESCO duhet të tregojë sa qytetarë u manipuluan me njehsorë, sa është kostoja dhe kur do të kompensohen

    Visar Azemi nga Lidhja Demokratike e Kosovës dje në një konferencë për media tha se njehsoret elektrike tyre e matin kohën gabim, duke thënë se ka bërë hulumtim për këtë.

    Ai tha se reagimi i KESCO për këto deklarime të tij ishte “vërtetim”.

    “Nëpërmjet disa artikujve të sponsorizuar, KESCO paska reaguar lidhur me konferencën që e mbajtëm sot për problemet me njehsorë elektrik. Por, reagimi i tyre nuk po e mohon problemin! Në fakt po e vërteton atë. Sepse vetë thanë se mund të ketë devijime. Pra, devijimet po ekzistojkan edhe sipas tyre. Por, nga 884 mostrat të cilat unë personalisht i kam vërtetuar, 87% e tyre tregojnë se ka probleme në matje. Pra, nuk po flasim për gabim. Po flasim për një dështim sistemik. Tani pyetja është shumë e thjeshtë: nëse devijimet po ekzistojkan, pse është dashur që qytetarët e Republikës së Kosovës të faturohen me çmim të shtrenjtë të energjisë në kohën kur sipas Zyrës së Rregullatorit të Energjisë është dashur të faturohen me çmim të lirë?”.

    Ai tha se KESCO tash duhet të tregojë se sa qytetarë janë dëmtuar nga këto anomali”

    Shumica e familjeve tona e presin orën 22:00, atëherë kur fillon tarifa e lirë, për me lëshu bojlerin, me lëshu nxejmjen, me i la enët dhe me i la rrobat. Pra, ky është skandali. Shumica e këtyre familjeve janë vjedhur. Prandaj pyetja është e thjeshtë: KESCO duhet me tregu qartë se sa qytetarë janë manipuluar, sa është kostoja e këtyre manipulimeve dhe se kur do të kompenzohen këta qytetarë për këto manipulime? Nuk mjaftojnë artikujt e sponsorizuar në media. Nuk mjaftojnë arsyetimet. Unë nuk do të ndalem me kaq. Do t’i ftoj organet për hetim. Do të kërkoj përgjegjësi. Do të kërkoj kompensim për qytetarët e Kosovës dhe këtë do ta bëj menjëherë. Prandaj i bëj thirrje Prokurorisë Speciale që të merret me këtë rast”.

  • Miliona dollarë në lojë, mësoni shumën marramendëse që përfiton Kosova nëse arrin Botërorin

    Miliona dollarë në lojë, mësoni shumën marramendëse që përfiton Kosova nëse arrin Botërorin

    Kombëtarja e Kosovës luan në këto dy javë shansin e saj për të shkuar në ngjarjen më të madhe të futbollit botëror, Kupën e Botës.

    Për herë të parë Kosova luan në play-off, ku përballë do të ketë fillimisht Sllovakinë, e në rast suksesi, më pas do të shkojë në finalen ndaj Turqisë ose Rumanisë.

    Nëse arrin kualifikimin historik, Kosova do të marrë një shpërblim të madh nga FIFA.

    Për çdo ekip që siguron biletën për aktivitetin në SHBA, FIFA ka caktuar një pagesë prej 1,5 milionë dollarësh, i cili i akordohet menjëherë për të përballuar shpenzimet dhe pjesën e organizimit të logjistikës para dhe gjatë aktivitetit.

    Më pas, çdo pjesëmarrës ka të garantuar një tjetër shumë prej 9 milionë dollarësh si bonus, për ta shpenzuar si ta shohë të arsyeshme.

    Një shifër jashtëzakonisht e madhe vetëm për praninë në turne, ndërsa ka bonuse të tjera për kalimin e tureve deri në finalen e madhe të turneut, me fituesen që do të marrë një çek prej 50 milionë dollarësh.

  • Alibaba njofton: Është krijuar një çip i ri AI për agjentë

    Alibaba njofton: Është krijuar një çip i ri AI për agjentë

    Kompania kineze, Alibaba ka prezantuar një çip të ri për inteligjencë artificiale (AI), i projektuar posaçërisht për përdorim me sisteme të ashtuquajtura “agjentë AI”.

    Bëhet fjalë për një procesor të gjeneratës së re, i cili synon të përmirësojë ndjeshëm performancën në detyra komplekse të inteligjencës artificiale dhe automatizimit.

    Ky zhvillim është pjesë e përpjekjeve të kompanisë për të qëndruar konkurruese në garën globale për teknologjitë më të avancuara AI.

    Sipas raportimeve, çipi i ri është pjesë e strategjisë më të gjerë të Alibabas për të zhvilluar sisteme të avancuara që mund të kryejnë detyra në mënyrë autonome (agjentë AI), duke reduktuar nevojën për ndërhyrje njerëzore.

    Ky hap vjen në një kohë kur kompanitë teknologjike në mbarë botën po investojnë fuqishëm në zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe në krijimin e harduerit të specializuar për ta mbështetur atë.

  • NASA planifikon të ndërtojë bazë në Hënë në vend të stacionit në orbitë

    NASA planifikon të ndërtojë bazë në Hënë në vend të stacionit në orbitë

    NASA ka hequr dorë nga plani i mëparshëm për të vendosur një stacion në orbitën e Hënës dhe do t’i ri-drejtojë ato komponentë drejt ndërtimit të një baze prej 20 miliardë dollarësh në sipërfaqen e Hënës gjatë shtatë viteve të ardhshme.

    Administratorit i NASA-s, Jared Isaacman, i cili mori drejtimin e agjencisë amerikane hapësinore në muajin dhjetor, njoftoi ndryshimin në fillim të një aktiviteti në selinë e NASA-s në Washington, ku prezantoi një sërë rishikimesh të programit Artemis, programi kryesor i eksplorimit hënor.

    “Nuk duhet të befasohet askush që po pezullojmë ‘Gateway’-in në formën e tij aktuale dhe po përqendrohemi në infrastrukturë që mbështet operime të qëndrueshme në sipërfaqen e Hënës”, tha Isaacman para pjesëmarrësve.

    Plani ‘Lunar Gateway’, i cili po zhvillohej nga kontraktorët ‘Northrop Grumman’ dhe ‘Vantor’, ishte planifikuar fillimisht të funksiononte si një stacion në orbitë rreth Hënës.

    Megjithatë, përshtatja e tij për përdorim në sipërfaqen hënore do të ishte teknikisht sfiduese.

    “Pavarësisht disa sfidave reale me pajisjet dhe afatet, ne mund të ripërdorim pajisje dhe angazhimet e partnerëve ndërkombëtarë për të mbështetur objektivat në sipërfaqe dhe objektiva të tjera të programit”, tha Isaacman.

    ‘Gateway’ ishte planifikuar si një qendër kërkimore shkencore dhe një pikë tranziti ku astronautët do të transferoheshin në mjete uljeje për të zbritur në Hënë.

    Ndryshimet e politikave të prezantuara nga Isaacman në javët e fundit po ndryshojnë ndjeshëm programin Artemis dhe po ndikojnë në kontrata me vlerë miliarda dollarë.

  • “Forca Kosova, forca Shqipëria”, Rita Ora mbështet dy ekipet kombëtare për kualifikim në Kupën e Botës

    “Forca Kosova, forca Shqipëria”, Rita Ora mbështet dy ekipet kombëtare për kualifikim në Kupën e Botës

    Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Rita Ora, ka treguar mbështetjen e saj për kombëtaren e Kosovës dhe të Shqipërisë në futboll përmes një postimi në Instagram.

    Ajo ka ndarë me ndjekësit një fotografi ku shfaqen të dyja, duke i shoqëruar me mesazhin inkurajues: “Paçit fat. Shpresoj të bëni histori dhe të arrini kualifikimin në Kupën e Botës”.

    Në imazhin e publikuar shihen futbollistët e të dy ekipeve, të shoqëruar me sloganet: “Forca Kosova” dhe “Forca Shqipëria”.

    Kosova dhe Shqipëria kanë një mundësi të rëndësishme për të hyrë në histori, pasi sonte (e enjte) synojnë të sigurojnë një vend në Botëror.

    Kosova luan kundër Sllovakisë, ndërkohë që Shqipëria ndaj Polonisë.

    Mbështetja e artistes për ekipet kombëtare nuk është diçka e re, pasi ajo shpesh ka shprehur krenarinë për origjinën e saj.

    Me këtë mesazh, ylli i famshëm i bashkohet valës së mbështetjes për futbollistët, duke u bërë thirrje atyre të japin maksimumin në ndeshjet vendimtare dhe të bëjnë krenarë tifozët shqiptarë kudo në botë.

  • Borë në Kroaci – pritet të bjerë edhe në disa vende të Ballkanit

    Borë në Kroaci – pritet të bjerë edhe në disa vende të Ballkanit

    Bora ka mbuluar disa pjesë të Kroacisë, dhe pritet që skenari i ngjashëm të shfaqet edhe në disa vende të Ballkanit – me deri në 40 cm borë.

    Ka nisur një ndryshim i motit dhe tashmë bora po bie në disa zona të Kroacisë, ku që nga mbrëmja e kaluar reshjet janë duke formuar një shtresë të bardhë të borës në terren.

    Në veçanti, në Gorski Kotar dhe në pjesë të veri-perëndimit të Kroacisë reshjet e borës janë mjaft të dukshme, dhe për zonën rreth Gospiçit janë lëshuar paralajmërime për mundësinë që bora të arrijë deri në rreth 50 cm thellësi, shkruan index.hr.

    Për zonat përreth Zagrebit është dhënë paralajmërim portokalli për erë të fortë veriore dhe veriore-lindore, me shpejtësi që në disa vende mund të arrijë 55–90 km/h.

    Parashikohet që reshjet e shiut në disa zona, ndërkohë, gradualisht të kalojnë në borë – me mundësi që në zona malore të akumulohen 20 deri 40 cm borë, në varësi të lartësisë së terrenit.

    Ndryshe, moti i keq pritet të mbretërojë gjatë ditës së nesërme edhe në Kosovë.

  • Gjykimi i Naim Murselit, shfaqen fotografi nga vendi ku u vra Liridona Ademaj

    Gjykimi i Naim Murselit, shfaqen fotografi nga vendi ku u vra Liridona Ademaj

    Në Gjykatën Themelore të Prishtinës janë sjellë të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt, Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla.

    Kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku ka ballafaquar me prova të akuzuarin Naim Murseli duke faktuar se viktima Liridona Ademaj në natën kritike kishte pasur stoli të arit (dy bylyzykë dhe një unazë).

    Naim Murseli paraprakisht tha se Liridona nuk ka pasur me vete gjëra me vlerë.

    Pas kësaj Murseli tha se në momentin e grabitjes grabitësi kishte kërkuar vetëm para dhe telefona.

    “Këtë pyetje më ka bërë edhe prokurorja kur kam qenë në prokurori dhe po ju përgjigjem edhe juve: Në momentin e grabitjes të vetmen gjë që e ka kërkuar ka qenë telefonat dhe paratë, nuk ka kërkuar gjë tjetër”, tha Murseli.

    Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor të vitit 2023 në ora 20:25 në rrugën “Dalip Alshiqi” në fshatin Bërnicë të Prishtinës.