ATV

Author: K.B.

  • Zvicra pritet të sjellë robotë autonomë për pastrimin e rrugëve

    Zvicra pritet të sjellë robotë autonomë për pastrimin e rrugëve

    Në Zvicër, pastrimi i rrugëve mund të marrë së shpejti një pamje krejtësisht tjetër. Sipas raportimeve, vendi është në proces të prezantimit të një rrjeti të madh mikro-robotësh autonomë, të dedikuar për pastrimin e trotuareve dhe hapësirave publike, transmeton albinfo.ch.

    Këto pajisje të vogla, të pajisura me sensorë të avancuar dhe inteligjencë artificiale, pritet të lëvizin vazhdimisht në zonat urbane, duke mbledhur pluhur, gjethe dhe mbeturina të vogla. Falë teknologjisë së tyre, robotët janë në gjendje të lëvizin me siguri rreth këmbësorëve, biçiklistëve, madje edhe kafshëve shtëpiake, si qentë, pa krijuar rrezik apo pengesë.

    Ideja kryesore e këtij projekti është që të ruhet standardi i lartë i pastërtisë për të cilin Zvicra është e njohur, duke njëkohësisht reduktuar kostot dhe optimizuar punën e mirëmbajtjes urbane.

    Megjithatë, në një vend që tashmë konsiderohet ndër më të pastërtit në botë, sfida kryesore mund të mos jetë teknologjia apo efikasiteti, por gjetja e asaj që ende ka nevojë për pastrim.

    Ky zhvillim pritet të hapë diskutime edhe mbi rolin e teknologjisë në shërbimet publike dhe mënyrën se si qytetet evropiane po përshtaten me të ardhmen digjitale.

  • Pas 4 prillit, kush e drejton Kosovën? Skenarët nëse nuk zgjidhet Presidenti

    Pas 4 prillit, kush e drejton Kosovën? Skenarët nëse nuk zgjidhet Presidenti

    Me afrimin e datës së përmbylljes së mandatit të Presidentes Vjosa Osmani, në diskursin publik është intensifikuar debati rreth procedurave që duhet të ndiqen në rast se nuk arrihet zgjedhja e një presidenti të ri brenda afateve të parapara.

    Njohës të Kushtetutës kanë theksuar se sistemi juridik i vendit parashikon mekanizma të qartë për tejkalimin e një situate të tillë, duke garantuar vazhdimësinë e funksionimit të shtetit.

    Në qendër të këtyre zhvillimeve mbetet roli i Kuvendit të Kosovës, i cili, përmes kryetares së tij, merr përkohësisht kompetencat e kreut të shtetit, si dhe detyrimin për të avancuar procesin e zgjedhjes së Presidentit.

    Në të njëjtën kohë, ekspertët ngrenë edhe mundësinë e zhvillimeve të tjera politike, përfshirë shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme nëse institucionet nuk arrijnë të përmbyllin procesin brenda afatit kushtetues prej gjashtë muajsh.

    Kjo situatë po shihet si një test i rëndësishëm për funksionimin demokratik dhe për pjekurinë institucionale të vendit.

    Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese dhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Kadri Kryeziu, për FrontOnline, ka sqaruar procedurat që parashihen me Kushtetutë në rast të mungesës së një Presidenti të zgjedhur.

    Sipas tij, kjo situatë është e rregulluar qartë dhe parashikon ushtrimin e përkohshëm të funksionit të kreut të shtetit nga kryetari i Kuvendit.

    “Kjo është e rregulluar me Kushtetutë. Quhet mandat i përkohshëm i Presidentit dhe këtë mandat e merr kryetari i Kuvendit. Afati kushtetues është gjashtë muaj, që nënkupton se brenda kësaj periudhe duhet të krijohen institucionet”, ka deklaruar Kryeziu, për FrontOnline.

    Ai thekson se nëse brenda këtij afati nuk arrihet zgjedhja e Presidentit, vendi shkon në zgjedhje të reja.

    “Nëse nuk ka zgjedhje të Presidentit, shkohet në zgjedhje dhe kjo duhet të ndodhë brenda gjashtë muajve – të mbahen zgjedhjet, të konstituohet Kuvendi, të formohet Qeveria dhe të zgjidhet Presidenti”, ka shtuar ai.

    Ish-kryetari i KQZ-së dhe njohësi i Kushtetutës, Mazllum Baraliu, ka sqaruar ecurinë institucionale që pritet të ndodhë pas përfundimit të mandatit të Presidentes aktuale, Vjosa Osmani.

    Sipas tij, më 4 prill përfundon mandati i Osmanit dhe nga ajo datë ajo nuk do të jetë më Presidente e vendit. Baraliu thekson se, në mungesë të zgjedhjes së një presidenti të ri, vendi hyn automatikisht në fazën e procedurës për zgjedhjen e kreut të shtetit.

    “Me datën 4 prill mbaron mandati i saj dhe Osmani më nuk është Presidente. Meqë nuk e kemi të zgjedhur Presidentin/en tjetër dhe duke u bazuar edhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, jemi në fazën e zgjedhjes së Presidentit. Në këtë situatë, ushtrimin e detyrës së Presidentit, me automatizëm e merr kryetarja e Kuvendit të Kosovës”, ka deklaruar Baraliu për FrontOnline.

    Ai shton se kryeparlamentarja, në këtë rast, bëhet ushtruese e detyrës së Presidentit për një periudhë të kufizuar kohore.

    “Ajo ka maksimalisht deri në gjashtë muaj për të ushtruar këtë detyrë, ndërkohë që duhet të zhvillohet procedura për zgjedhjen e Presidentit të ri”, theksoi ai.

    Sipas Baraliut, brenda këtij afati kushtetues, institucionet e vendit janë të obliguara që të përmbyllin procesin dhe të zgjedhin Presidentin e ri të Kosovës.

    ‘’Brenda kësaj kohe ne duhet ta zgjedhim Presidentin e vendit’’, tha ai./Front Online

  • Krasniqi: Hiqen tarifat e regjistrimit për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian

    Krasniqi: Hiqen tarifat e regjistrimit për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian

    Ministri i Ministrisë për Administrimin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka njoftuar se edhe këtë vit do të mundësohet regjistrimi falas për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, me qëllim rritjen e përfshirjes dhe qasjes së barabartë në shërbimet komunale.

    Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka bërë të ditur se u ka kërkuar komunave që muaji prill të shpallet si muaj i regjistrimit falas për këto komunitete.

    “Me qëllim të gjithëpërfshirjes, përfaqësimit dhe qasjes së barabartë në shërbime komunale, si secilin vit të kaluar, edhe këtë vit kam marrë vendim për regjistrim falas për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian”, ka deklaruar Krasniqi.

    Ai ka theksuar se komunat duhet të krijojnë lehtësira dhe të ofrojnë informacion të plotë për qytetarët, në mënyrë që procesi i regjistrimit të jetë sa më i lehtë dhe i qasshëm.

    “Kam kërkuar nga Komunat që të shpallin muajin prill si muaj falas për regjistrimin e këtyre komuniteteve, duke krijuar lehtësira dhe ofruar informacion të plotë dhe të nevojshëm për regjistrim të mëvonshëm”, ka shtuar ai.

    Sipas Krasniqit, kjo nismë synon të dëshmojë përkushtimin institucional ndaj përfshirjes dhe barazisë në shoqëri.

    “Regjistrimi falas i komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian do të dëshmojë përkushtimin tonë ndaj përfshirjes, duke siguruar që të gjithë anëtarët e shoqërisë të njihen dhe të kenë qasje në shërbimet komunale”, ka theksuar ministri.

    Ai ka shtuar se heqja e tarifave të regjistrimit do të ndihmojë në eliminimin e barrierave financiare për komunitetet e margjinalizuara.

    “Duke hequr dorë nga tarifat e regjistrimit, komunat do të eliminojnë barrierat financiare që mund të pengojnë komunitetet e margjinalizuara”, ka deklaruar Krasniqi.

  • Kosova në Kampin Stërvitor Ndërkombëtar në Tata 2026

    Kosova në Kampin Stërvitor Ndërkombëtar në Tata 2026

    Në qytetin Tata të Hungarisë është mbajtur Kampi Stërvitor Ndërkombëtar i xhudos, i cili ka mbledhur sportistë elitarë nga e gjithë bota për stërvitje intensive dhe shkëmbim përvojash në nivel të lartë.

    Kosova është përfaqësuar nga një grup i gjerë xhudistësh, përfshirë emra si Distria Krasniqi, Laura Fazliu, Akil Gjakova dhe Flaka Loxha, si dhe emra të tjerë të rinj që synojnë ngritjen në skenën ndërkombëtare.

    Ekipi kosovar u udhëhoq nga kryemjeshtri Driton Kuka dhe trajnerja Majlinda Kelmendi, të cilët vazhdojnë të luajnë rol kyç në zhvillimin dhe sukseset e xhudos kosovare.

    Ky kamp konsiderohet një mundësi e rëndësishme për përgatitje dhe avancim, duke i dhënë sportistëve tanë hapësirë për të matur forcat me më të mirët në botë.

    “Në qytetin Tata të Hungarisë u mbajt Kampi Stërvitor Ndërkombëtar ku mblodhi xhudiste/ë elitarë nga e gjithë bota, duke ofruar mundësi për shkëmbim përvojash dhe stërvitje në nivel të lartë”.

    “Kosova u përfaqësua nga Distria Krasniqi, Laura Fazliu, Akil Gjakova, Flaka Loxha, Fatjona Kasapi, Erza Muminoviq, Dardan Cena, Laurinë Gashi, Enise Zijade dhe Krista Kovaci. Ekipi ynë u udhëhoq nga Kryemjeshtri Driton Kuka dhe trajnerja Majlinda Kelmendi, thuhet në njoftimin e faqes zyrtare të Federatës së Xhudos së Kosovës.

  • FMN: Ekonomia e Kosovës u ngadalësua gjatë 2025-së, inflacioni ka vazhduar të rritet

    FMN: Ekonomia e Kosovës u ngadalësua gjatë 2025-së, inflacioni ka vazhduar të rritet

    Bordi Ekzekutiv i International Monetary Fund (FMN) ka përmbyllur konsultimet për Kosovën, duke vlerësuar se ekonomia ka shfaqur ngadalësim gjatë vitit të fundit, ndërsa presionet nga inflacioni janë rritur.

    Sipas raportit, rritja ekonomike ka rënë në 3.6% në vitin 2025, krahasuar me 4.6% në vitin 2024, si pasojë e dobësimit të eksportit dhe kërkesës private.

    Inflacioni ka vazhduar të rritet, duke arritur në rreth 5.7% në janar 2026, kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve.

    Po ashtu, deficiti u thellua në 9.2% të Bruto Produktit Vendor, si rezultat i importeve më të larta të energjisë dhe ushqimeve.

    Megjithatë, punësimi formal ka shënuar rritje, ndërsa rritja e pagave është moderuar krahasuar me një vit më parë.

    FMN paralajmëron se perspektiva ekonomike mbetet e pasigurt dhe e ekspozuar ndaj rreziqeve, si tensionet globale, konfliktet rajonale dhe paqëndrueshmëria politike në vend.

    Për vitin 2026, parashihet një ngadalësim i mëtejshëm i rritjes ekonomike në 3.3%, ndërsa inflacioni mund të arrijë në 5.9%, ndërkaq pritet të stabilizohet gradualisht në vitet në vijim.

    Në këtë kontekst, FMN rekomandon që politikat fiskale të rishikohen për të shmangur zgjerimin e deficitit në vitin 2026 dhe për të ruajtur stabilitetin makroekonomik në afat të mesëm. Sipas tyre, është e nevojshme rritja e investimeve publike cilësore, kontrolli i shpenzimeve dhe përmirësimi i mbledhjes së të hyrave.

    Sa i përket sektorit financiar, FMN vlerëson se ai mbetet i qëndrueshëm, por kërkon forcim të mëtejshëm të mbikëqyrjes dhe rregullimit, si dhe përmirësim të mekanizmave për menaxhimin e krizave dhe rreziqeve sistemike.

    Në përfundim, FMN thekson se reformat strukturore janë thelbësore për rritjen e konkurrueshmërisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

    Zbatimi i planit të rritjes së Bashkimit Evropian dhe reformat në tregun e punës, energji dhe administratë publike konsiderohen kyçe për të përmirësuar perspektivën ekonomike të Kosovës.

  • Vdes Dom Kelmend Spaqi, prifti që gjatë luftës lajmëronte iftarin përmes kambanës së kishës

    Vdes Dom Kelmend Spaqi, prifti që gjatë luftës lajmëronte iftarin përmes kambanës së kishës

    Ka vdekur prifti me prejardhje nga Spaçi i Mirditës në Shqipëri, Dom Kelmend Spaqi, famullitar në Kishën e “Shna Ndout” në Gllogjan.

    Lajmin e kanë bërë të ditur familjarë e miq të tij në rrjetin social Facebook.

    “E Enjtja e Shenjtë. Dita e Meshtarisë. Kjo ditë që duhej të ishte ditë gëzimi e bekimi, u kthye në dhimbje për të gjithë ne që të njohëm dhe të deshëm. Pusho në Paqe Dom Kelmend Spaqi”, shkroi prifti Gabriel Grabanica.

    Kush ishte Dom Kelmend Spaqi?

    Prifti katolik, Dom Kelmend Spaqi, gjatë luftës së fundit në Kosovë, kishte strehuar me qindra shqiptarë myslimanë në kishën e Shna Ndout.

    “4 prilli, i kanë marrë 12 burra, edhe i kanë marrë me i pushkatu. Kam shku pas tyne, dhe iu kam pri, edhe ‘ose edhe mu, ose asnjë’, dhe i kam kthy në kishë. Edhe sot nuk mundem me besu se si kam mundur në atë kohë me i marrë serbit automatin prej dore e me i thanë, ti s’ki zemër me e vra kta”, është rrëfimi i vetë priftit Kelmend Spaqi për kohën e luftës, kur kishte strehuar qindra shqiptarë në kishën e tij.

    “Ndaj tha ti besimtarët tu, le të rrinë në kishë, myslimanët jepani ne, e dimë ne çka bëjmë me ta. U thashë, ‘jo kurrë e përjetë, nuk i ndaj’. Nuk ka këtu as katolikë as myslimanë, ka njerëz të pafajshëm. Bëni çka të doni, kjo është nga unë”.

    “Pushkatomni më së pari mu, e krejt stafin këtu, atëherë mundeni me i prek këta”, rrëfente Dom Kelmend Spaqi.

    Siç kishte raportuar asokohe edhe media e madhe britanike, “Sky News”, ai nuk kishte lejuar që forcat paramilitare serbe të hynin në kishën e tij.

    “Në dalje të Pejës sot, ndodhi një ngjarje e jashtëzakonshme guximi. Prifti katolik lokal në fshatin Gllogjan u dha strehë qindra shqiptarëve myslimanë, teksa paramilitarët serbë po afroheshin. Duke i ruajtur ata brenda kishës së tij, Ati Kelmend Spaqi refuzoi t’i lejonte serbët të hynin te ta, duke thënë se të gjithë kanë një Zot. Përfundimisht, ai u desh t’i paguante paramilitarët për t’ua shpëtuar jetën atyre. ‘Jam njeri i Zotit’, na tha ai neve. ‘Kam mësuar ta dua armikun tim’”, raportonte atë kohë, “Sky News”.

    Pos kësaj, Prifti Dom Kelmend Spaqi, në kohën e luftës, meqë nuk kishte xhami afër fshatit Gllogjan, ai bashkë me udhëheqësit tjerë të kishës, vendosën ta lajmërojnë iftarin dhe syfyrin me anë të kambanave të kishës.

  • Eurovision zgjerohet në Azi, finalja e parë mbahet në Bangkok më 14 nëntor

    Eurovision zgjerohet në Azi, finalja e parë mbahet në Bangkok më 14 nëntor

    Konkursi i njohur muzikor Eurovision Song Contest po hap një kapitull të ri, duke nisur edicionin e parë në Azi. Transmetues nga 10 vende të rajonit, përfshirë Koreja e Jugut, Tajlanda dhe Filipinet, kanë konfirmuar pjesëmarrjen, ndërsa organizatorët paralajmërojnë se lista mund të zgjerohet.

    Sipas planit, secili shtet do të organizojë përzgjedhjen kombëtare përpara finales së madhe që do të zhvillohet në Bangkok dhe do të transmetohet drejtpërdrejt më 14 nëntor.

    I mbajtur për herë të parë në vitin 1956, Eurovisioni është konkursi ndërkombëtar muzikor me jetëgjatësinë më të madhe në botë. Me vitin 2026 që shënon 70-vjetorin e tij, drejtori i konkursit në European Broadcasting Union, Martin Green, e cilësoi zgjerimin drejt Azisë si një hap të rëndësishëm.

    “Është veçanërisht domethënëse të hapim këtë kapitull të ri me Azinë, një rajon i pasur me kulturë, kreativitet dhe talent”, është shprehur ai.

    Kjo nuk është përpjekja e parë për zgjerim jashtë Evropës. Në vitin 2022 u organizua American Song Contest në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ai nuk pati sukses të qëndrueshëm dhe nuk u rikthye me një sezon të dytë.

    Organizatorët shpresojnë që edicioni aziatik të ketë më shumë sukses, duke marrë parasysh popullaritetin e madh të muzikës në rajon, ndikimin global të K-pop dhe kulturën e fortë të argëtimit si karaoke.

    Deri tani, vendet pjesëmarrëse janë: Bangladeshi, Butani, Kamboxhia, Laosi, Malajzia, Nepali, Filipinet, Koreja e Jugut, Tajlanda dhe Vietnami.

    Ashtu si në formatin evropian, pritet që performancat të bazohen në këngë origjinale dhe interpretim live, ndërsa votimi do të përfshijë si juritë profesionale ashtu edhe publikun. Megjithatë, rregullat përfundimtare për edicionin aziatik ende nuk janë bërë plotësisht publike.

    Ky zgjerim sinjalizon një hap të ri për Eurovisionin, duke synuar të shndërrohet në një platformë globale që bashkon kultura dhe tregje muzikore nga e gjithë bota.

  • UEFA kërkon nga FIFA rritje të çmimin të Kupës së Botës për shkak të shqetësimeve për kostot e larta

    UEFA kërkon nga FIFA rritje të çmimin të Kupës së Botës për shkak të shqetësimeve për kostot e larta

    UEFA po i kërkon FIFA-s një rritje të çmimeve dhe më shumë ndihmë me kostot që lidhen me pjesëmarrjen e ekipeve kombëtare në Kupën e Botës këtë verë, e cila pritet të gjenerojë më shumë se 11 miliardë dollarë të ardhura, raportoi The Athletic.

    UEFA-s, e cila rregullon futbollin në Evropë, i është kërkuar nga disa federata evropiane të lobojë te FIFA në emër të tyre. FIFA është zotuar të riinvestojë të ardhurat në futbollin global, por organizatat nuk janë të sigurta se sa do të jetë pjesa e tyre.

    Disa ekipe janë të shqetësuara se kostoja e të luajturit në Kupën e Botës në Amerikën e Veriut mund të tejkalojë atë që fitojnë ose se nuk do të sjellë shumë para.

    Pagesa do të diskutohet në maj

    Kupa e Botës është një përpjekje e përbashkët nga Shtetet e Bashkuara, Meksika dhe Kanadaja, dhe fillon më 11 qershor me dy ndeshje në Mexico City, pastaj vazhdon të nesërmen me një ndeshje në Toronto dhe një tjetër në Los Angeles.

    Finalet e turneut me 48 ekipe janë planifikuar për 19 korrik në stadiumin MetLife në East Rutherford, New Jersey.

    Çështja e pagesës pritet të diskutohet në Kongresin e FIFA-s në Vankuver në fund të majit, sipas raportit, i cili gjithashtu thotë se secila skuadër do të marrë 1.5 milion dollarë për kostot e përgatitjes, si dhe rimbursim për ushqimin, udhëtimin dhe akomodimin për një delegacion prej rreth 50 personash.

    Çmimi i FIFA-s për Kupën e Botës këtë verë është rritur me 50% në 655 milionë dollarë, nga 440 milionë dollarë sa ishte në “Katar 2022”. Megjithatë, kjo shumë do të shpërndahet në 16 ekipe të tjera, pasi turneu është rritur në madhësi nga 32 në 48 ekipe për herë të parë gjatë këtij turneu në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Një përqindje e konsiderueshme e kësaj shume, megjithatë, zakonisht u shpërndahet lojtarëve si pagesa bonusi, megjithëse ndryshon nga një komb në tjetrin.

    Në vitin 2022, fituesit e Argjentinës morën 42 milionë dollarë dhe nën-kampionët Franca 30 milionë dollarë, ndërsa çerekfinalistët e mposhtur morën nga 17 milionë dollarë secili dhe ata që u eliminuan në fazën e grupeve morën nga 9 milionë dollarë.

    Këtë herë, fituesit do të marrin 50 milionë dollarë dhe vendet e dyta 33 milionë dollarë, ndërsa çerekfinalistët e mposhtur do të marrin 19 milionë dollarë dhe ata që eliminohen në fazën e grupeve do të marrin 9 milionë dollarë, të cilat, kur i shtohen 1.5 milionë dollarëve në kostot e përgatitjes, do të thotë se çdo komb merr një minimum prej 10.5 milionë dollarësh.

  • Komuna e Mitrovicës ndan nga 50 euro për fëmijët me autizëm

    Komuna e Mitrovicës ndan nga 50 euro për fëmijët me autizëm

    Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka njoftuar se me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Ndërgjegjësim ndaj Autizmit, komuna ka vendosur të ndajë nga 50 euro për fëmijët me autizëm.

    Përmes një postimi në Facebook, Peci ka theksuar se ky vendim synon të shprehë përkujdesjen institucionale dhe vullnetin për të mbështetur këtë kategori.

    “Ky vendim më shumë është demonstrim i vullnetit të mirë dhe përkujdesit institucional, si dhe zotim për mbështetje edhe në forma të tjera”, ka deklaruar Peci.

    Ai ka bërë të ditur se angazhimet e komunës do të jenë gjithëpërfshirëse, me synim avancimin e pozitës dhe përmirësimin e shërbimeve për fëmijët me autizëm.

    “Angazhimet tona do të jenë gjithëpërfshirëse për të avancuar pozitën dhe ngritur kualitetin e shërbimeve ndaj kësaj kategorie”, ka theksuar ai.

    Kryetari i Mitrovicës ka shtuar se një shoqëri e zhvilluar duhet të kujdeset për të gjitha kategoritë e qytetarëve.

    “Një shoqëri e avancuar përkujdeset për secilën kategori”, ka deklaruar Peci.

  • Arrestohet një shtetase e Shqipërisë në Vitomiricë, e rrahu burrin e bëri për spital

    Arrestohet një shtetase e Shqipërisë në Vitomiricë, e rrahu burrin e bëri për spital

    Një shtetase e Shqipërisë është arrestuar në Vitomiricë të Pejës, pasi që kishte shkaktuar dhunë fizike dhe psiqike ndaj burrit. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa e dyshuara pas intervistimit, me vendim të prokurorit është liruar me procedurë të rregullt.

    “Vitomiricë 01.04.2026-12:00. Është arrestuar e dyshuara femër shtetase e Shqipërisë pasi që e njëjta dyshohet se ka shkaktuar dhunë psiqike dhe fizike ndaj viktimës mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa e dyshuara pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e policisë së Kosovës.