ATV

Author: K.B.

  • Stuhi rëre dhe mot i rënduar në Santorini dhe gjithë Greqinë

    Stuhi rëre dhe mot i rënduar në Santorini dhe gjithë Greqinë

    Disa ishuj grekë u përfshinë nga masa të mëdha pluhuri nga Afrika e Veriut. Autoritetet paralajmëojnë për shi të dendur dhe erëra të forta edhe ditët në vijim.

    Një stuhi e pazakontë rëre përfshiu ishullin turistik të Santorinit në Greqi, duke shkaktuar vështirësi të mëdha për banorët dhe turistët. Erërat e forta kanë sjellë masa të mëdha pluhuri nga Afrika e Veriut, duke ulur ndjeshëm shikueshmërinë dhe duke mbuluar zonat urbane me një shtresë të hollë rëre. Po ashtu është përkeqësuar edhe cilësia e ajrit

    Autoritetet lokale u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të përdorin maska mbrojtëse. Njoftohet edhe se disa fluturime janë vonuar për shkak të kushteve atmosferike.

    Mot i keq në pjesën më të madhe të Greqisë

    Ndërkohë situata është përkeqësuar edhe në pjesë të tjera të Greqisë. Në Kretë pluhuri saharian i kombinuar me reshje të forta shiu ka ndikuar në trafikun ajror, ndërsa shumica e trageteve janë detyruar të qëndrojnë në port. Sipas raportimeve disa fluturime me destinacion qytetin Heraklion u devijuan për shkak të kushteve të këqija të motit.

    Shërbimi kombëtar meteorologjik i Greqisë ka paralajmëruar për “mot të keq” në pjesën më të madhe të vendit edhe të enjten (02.04), me reshje të vazhdueshme dhe të forta, stuhi dhe mundësi për breshër lokal. Autoritetet kanë paralajmëruar për shi të dendur dhe erëra të forta që pritet të zgjasin deri të premten.

    Meteorologët presin që kushtet të mbeten të paqëndrueshme edhe në orët në vijim, prandaj qytetarëve dhe turistëve u rekomandohet kujdes i shtuar. /DW

  • KOMF: Fëmijët me autizëm ende pa mbrojtje të garantuar

    KOMF: Fëmijët me autizëm ende pa mbrojtje të garantuar

    Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Autizmit, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF ritheksoi sfidat e vazhdueshme me të cilat përballen fëmijët në spektrin e autizmit dhe prindërit e tyre, në realizimin e të drejtave të tyre themelore.

    Përmes në komunikate për media, KOMF theksoi se fëmijët në spektrin e autizmit dhe familjet e tyre vazhdojnë të përballen me mungesë të shërbimeve cilësore dhe të qasshme në sektorët kyç, si shëndetësia, mbrojtja sociale dhe arsimi. Sfidat janë veçanërisht të theksuara në identifikimin dhe vlerësimin e hershëm, si dhe në sigurimin e ndërhyrjeve të hershme, të cilat janë vendimtare për zhvillimin e fëmijëve me autizëm.

    “Shpenzimet financiare që familjet duhet të përballojnë për të siguruar shërbimet e domosdoshme dhe të specializuara për fëmijët në spektrin e autizmit janë shumë të larta, duke rënduar mirëqenien ekonomike dhe sociale të familjeve. Në shumicën e rasteve njëri nga prindërit, kryesisht nëna, detyrohet të lërë punën dhe të përkujdeset 24 orë për fëmijën me autizëm”.

    “Pavarësisht kapaciteteve profesionale dhe ekspertizës së organizatave jo qeveritare që punojnë me fëmijët në spektrin e autizmit, mbështetja financiare institucionale nga komunat dhe Qeveria për këto organizata vazhdon të jetë e ulët dhe nuk mbulon nevojat për ofrimin e shërbimeve të qëndrueshme për të ofruar shërbime pa pagesë për fëmijët. Rrjedhimisht, në mungesë të një sistemi të qëndrueshëm publik, organizatat joqeveritare vazhdojnë të mbajnë barrën kryesore të ofrimit të shërbimeve”, thuhet në komunikatë.

    Përfshirja kuptimplotë e fëmijëve në spektrin e autizmit në sistemin arsimor vazhdon të jetë sfiduese, thotë KOMF, derisa sipas tyre, shkaktar janë mungesa e informimit, mbështetja adekuate, burimet, stafi i specializuar dhe monitorimi profesional.

    Prindërit, përveç sfidave të përditshme, përballen edhe me rëndim të gjendjes së tyre ekonomike, pasi shpesh detyrohen të paguajnë vetë për sigurimin e asistentëve për fëmijët e tyre.

    Kjo situatë, thotë KOMF, është edhe më e theksuar në nivelin parashkollor, ku mungesa e asistentëve në kopshte cenon drejtpërdrejt bazat e ndërhyrjes së hershme.

    “Prindërit e fëmijëve me autizëm përballen me nivele të larta stresi, për shkak të sfidave të përditshme në kujdes, edukim dhe sigurimin e shërbimeve të nevojshme për fëmijët e tyre. Ky stres lidhet edhe me barrën financiare dhe mungesën e mbështetjes institucionale”.

    Iniciativa për hartimin e një ligji, i cili ka për qëllim të trajtojë dhe të ofrojë mbështetje të barabartë për të gjithë personat me aftësi të kufizuara, bazuar në nevojat e tyre, përfshirë edhe fëmijët në spektrin e autizmit, e nisur në vitin 2016, shënoi një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të legjislacionit në Kosovë.

    Projektligji për të Drejtat, Vlerësimin, Trajtimin dhe Njohjen e Statusit, Shërbimet dhe Përfitimet për Personat me Aftësi të Kufizuara, sipas KOMF, synon të vendosë një qasje moderne bio-psiko-sociale.

    “Megjithatë, pavarësisht avokimit të vazhdueshëm të shoqërisë civile, projektligji është zvarritur prej dhjetë vitesh dhe ende nuk është miratuar. Qeveria e Republikës së Kosovës duhet ta miratojë urgjentisht këtë projektligj, në përputhje me nevojat e fëmijëve me aftësi të kufizuara”.

    KOMF thekson se çdo fëmijë në spektrin e autizmit ka të drejtë të barabartë për zhvillim, edukim dhe mirëqenie, dhe për të garantuar këtë, kërkon nga institucionet përgjegjëse që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm për:

    -Përmirësimin e mekanizmave për identifikim dhe ndërhyrje të hershme

    -Sigurimin e shërbimeve të hershme dhe ndërhyrjeve të specializuara

    -Rritjen e financimit për organizatat që ofrojnë shërbime për fëmijët me autizëm

    -Rritjen e përfshirjes në arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës përmes shtimit të numrit të asistentëve, stafit profesional dhe ngritjes se kapaciteteve profesionale të mësimdhënësve për të punuar me fëmijët me autizëm

    -Ofrimin e mbështetjes për prindërit dhe familjet

    KOMF rekomandon që përpos mbështetjes së prindërve dhe familjeve, duhet të investohet edhe në edukimin dhe vetëdijesimin e tyre dhe shoqërisë në përgjithësi, për autizmin.

    Po ashtu duhet të themelohen dhe zgjerohen aktivitetet e kulturës dhe sportit, duke kontribuar kështu në promovimin dhe integrimin e tyre aktiv në shoqëri.

    “KOMF bën thirrje për veprim konkret nga të gjitha palët, institucionet, profesionistët dhe shoqëria në tërësi, për të garantuar që fëmijët në spektrin e autizmit të kenë mundësi të barabarta për të realizuar potencialin e tyre”.

  • Sot mblidhet Kuvendi, shqyrtohen edhe projektligje për marrëveshje ndërkombëtare

    Sot mblidhet Kuvendi, shqyrtohen edhe projektligje për marrëveshje ndërkombëtare

    Kuvendi i Kosovës mblidhet sot në orën 10:00. Në këtë seancë do të jenë në rend dite një varg çështjesh, ndër të cilat edhe projektligje që kanë të bëjnë me marrëveshje ndërkombërtare.

    Në këtë kuadër, janë shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e amendamentit nr.3 të Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2018; shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e amendamentit nr. 2 të Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2017; shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë mes Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin energjia diellore fotovoltaike në KEK – porta globale; shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) për projektin e efiçencës së energjisë në ndërtesa publike.

    Njoftimi i Kuvendit:

    1. Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,

    2. Deklarimet jashtë rendit të ditës,

    3. Pyetjet parlamentare,

    4. Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-008 për Ratifikimin e Marrëveshjes për qasje në Arsimin e Lartë dhe pranim për studime në Ballkanin Perëndimor,

    5. Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-009 për Ratifikimin e Amendamentit “nr.3 të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për Programin IPA 2018“,

    6. Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-010 për Ratifikimin e “Amendamentit nr. 2 të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për Programin IPA 2017“,

    7. Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-011 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë mes Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin Energjia Diellore Fotovoltaike në KEK – Porta Globale,

    8. Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-012 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e Përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) për Projektin e efiçencës së energjisë në ndërtesa publike,

    9. Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-013 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë “ Projekti i Rrugës me Shpejtësi të Lartë Prishtinë – Mitrovicë” (Kredi shtesë) ndërmjet Fondit Saudit për Zhvillim dhe Republikës së Kosovës,

    10. Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-014 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin “Impianti për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Podujevë”,

    11. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Komisionit të Pavarura të Mediave,

    12. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për tre (3) anëtarë nga radhët e komunitetit shqiptar dhe për dy (2) anëtarë jo shumicë në Komisionin e Pavarura të Mediave,

    13. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për gjashtë (6) anëtarë nga komuniteti shqiptar, një (1) anëtar nga komuniteti serb dhe një (1) antar nga komunitetet jo shumicë në Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës,

    14. Propozimi i GP të Listës Serbe për emërimin e deputetit Branislav Nikoliq në komisione parlamentare,

    15. Shqyrtimi i Buxhetit të Komunës së Zubin Potokut për vitin 2026,

    16. Formimi i Komisionit Ad-hoc për hartimin e “Projektligjit për parandalim të vetëvrasjes”.

    Vendi: Salla e seancave

    Koha: 10:00

  • 27 vjet nga vrasja e 86 civilëve në Kralan të Gjakovës

    27 vjet nga vrasja e 86 civilëve në Kralan të Gjakovës

    Ishte 2 prilli i vitit 1999 kur në Kralan të Gjakovës forcat ushtarake dhe policore serbe ndanë disa qindra djem dhe burra nga grupi prej 1500 shqiptarëve që kishin braktisur vatrat për t’u shpëtuar krimeve serbe që kishin përfshirë tërë Kosovën. Të tjerët – gra, fëmijë dhe pleq, ishin urdhëruar që të shkojnë në Shqipëri.

    Dy ditë më vonë, më 4 prill, nga grupi i djemve dhe burrave të cilët janë mbajtur në livadh, gjatë gjithë kohës, të rrethuar me tanke, pa ujë dhe pa ushqim, një numër i madh i tyre është liruar. Janë mbajtur 86 prej tyre, ndër të cilët edhe 11 të mitur.

    Që nga ajo ditë, që nga ai moment, askush nga ta më nuk është parë i gjallë.

    Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) në vitin 2013 kishte bërë kallëzim penal ndaj disa eprorëve të Ushtrisë jugosllave për krime lufte në Kralan. Me këtë rast, u njoftua se trupat e 18 djemve dhe burrave të ndaluar, janë gjetur në një varrezë masive pranë liqenit të Peruçës, në Bajina Bashta të Serbisë.

    FDH, në bazë të deklaratave të dhjetëra dëshmitarëve, ka identifikuar gjashtë eprorë të ushtrisë dhe policisë serbe, të cilët kanë qenë në pozitat më të larta të njësive që dyshohen se kanë kryer krimet.

    Lidhur me krimet serbe në Kralan, në dhjetor 2014 një letër kryeprokurorit të Tribunalit të Hagës i ka dërguar kryetarja e Shoqatës “Familja dhe Shpresa” Arifete Bytyqi. Në emër të familjarëve të 86 viktimave të masakrës, Bytyqi kërkoi që të hetohet vrasja e 86 civilëve shqiptarë nga policia serbe më 4 prill 1999 në Kralan.

    Bytyqi në letrën e vet përkujtoi se askush nga fajtorët për masakrën nuk është dërguar para drejtësisë.

  • Ftohtë edhe sot e me reshje shiu

    Ftohtë edhe sot e me reshje shiu

    Sot në Kosovë pritet të kemi mot të ftohtë dhe me vranësira të dendura të cilat do të sjellin reshje të shpeshta shiu.

    Reshjet lokalisht pritet të jenë edhe intensive, ndërsa në viset malore do të ketë reshje bore.

    Temperaturat pritet të luhaten nga 3 minimalja deri në 8 gradë Celsius ajo maksimale.

  • Kryetari i New Yorkut, Zohran Mamdani shijon ushqimin shqiptar te kuzhinieri dhe reperi i njohur Action Bronson

    Kryetari i New Yorkut, Zohran Mamdani shijon ushqimin shqiptar te kuzhinieri dhe reperi i njohur Action Bronson

    Kryetari i New York City, Zohran Mamdani, është bërë pjesë e një momenti jo të zakonshëm dhe shumë “New York style”, duke kaluar kohë me reperin dhe kuzhinierin e njohur Action Bronson, ku në fokus ishte – ushqimi shqiptar.

    Në një takim që ka marrë vëmendje të madhe në rrjetet sociale, Mamdani u pa duke provuar pjata tradicionale shqiptare të përgatitura nga vetë Bronson, i cili prej kohësh njihet për lidhjen e tij të fortë me kuzhinën dhe rrënjët e tij shqiptare.

    Ky moment nuk ishte vetëm një degustim i thjeshtë ushqimi, por edhe një ndërthurje e kulturës, politikës dhe identitetit. Përmes gatimeve, Bronson solli një pjesë të Shqipërisë në zemër të New York-ut, duke i prezantuar kryetarit shije autentike që lidhen me trashëgiminë shqiptare.

    Reperi, i njohur për emisionet e tij kulinare dhe pasionin për gastronominë, i shpjegoi Mamdanit elementet kryesore të kuzhinës shqiptare, ndërsa ky i fundit e përjetoi eksperiencën si një reflektim të diversitetit që e karakterizon qytetin që ai drejton.

    Takimi është komentuar gjerësisht si një shembull i bukur se si ushqimi mund të bashkojë kultura të ndryshme dhe të krijojë ura komunikimi edhe në nivelet më të larta të lidershipit, duke e kthyer një moment të thjeshtë në një simbol të dialogut kulturor.

  • Presidenti i Iranit i drejtohet popullit amerikan: Ne nuk ushqejmë armiqësi ndaj kombeve tjera

    Presidenti i Iranit i drejtohet popullit amerikan: Ne nuk ushqejmë armiqësi ndaj kombeve tjera

    Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian ka publikuar një letër drejtuar publikut amerikan, në të cilën ai vë në pikëpyetje nëse slogani “Amerika e Para” është vërtet ndër prioritetet e qeverisë amerikane.

    Ai thotë se lufta me Iranin nuk po i shërben interesave të SHBA-së dhe u bën thirrje amerikanëve të “shohin përtej retorikës politike” dhe të rishqyrtojnë pikëpamjen e tyre për vendin e tij, shkruan CNN.

    “Saktësisht cilat nga interesat e popullit amerikan po i shërben vërtet kjo luftë? A kishte ndonjë kërcënim objektiv nga Irani për të justifikuar një sjellje të tillë?”, pyet presidenti.

    “A është ‘Amerika e Para’ vërtet ndër prioritetet e qeverisë amerikane sot?”.

    Ai vazhdon duke thënë se perceptimi i Iranit si një kërcënim është “produkt i tekave politike dhe ekonomike të të fuqishmëve” dhe se veprimet e Teheranit deri më tani kanë qenë “vetëmbrojtje legjitime” dhe jo një fillim lufte.

    Duke thënë se marrëdhënia midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara është keqkuptuar, ai pohon se Irani “nuk ka zgjedhur kurrë, në historinë e tij moderne, rrugën e agresionit, zgjerimit, kolonializmit ose dominimit, dhe nuk ka filluar kurrë ndonjë luftë”.

    Letra u publikua vetëm disa orë para se Presidenti i SHBA-së Donald Trump pritet t’i drejtohet kombit në lidhje me Iranin.

    “Populli iranian nuk ushqen armiqësi ndaj kombeve të tjera, përfshirë popullin e Amerikës, Evropës ose vendeve fqinje”, shkroi Pezeshkian në letrën e tij.

    Ai theksoi se sulmet ndaj infrastrukturës iraniane kanë pasoja si për iranianët ashtu edhe për njerëzit përtej kufijve të vendit.

  • PDK me rezolutë në seancën e nesërme: Të ndëshkohen përgjegjësit për skenarin me ekspozitën

    PDK me rezolutë në seancën e nesërme: Të ndëshkohen përgjegjësit për skenarin me ekspozitën

    Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka deklaruar se në seancën e nesërme do të propozojnë një rezolutë jashtë rendit të ditës, me qëllim që Kuvendi i Kosovës të rreshtohet në mbrojtje të vlerave më të larta dhe të nderimit të viktimave, dëshmorëve dhe martirëve të luftës.

    Në Debat Plus, Tahiri theksoi se përveç kësaj, është momenti që të reflektohet dhe të bëhen ndryshime në legjislacion, konkretisht në Kodin Penal, në mënyrë që këto vlera të mbrohen më fuqishëm.

    Për ekspozitën e Shkëlzen Gashit me të dhëna të pasakta lidhur me masakrat në Kosovë gjatë viteve 1998–1999, Tahiri tha se kërkesa për mbështetje financiare kishte ardhur nga një organizatë, ndërsa realizimi i projektit ishte bërë nga një tjetër.

    “ Kemi kërkuar hetim që të shihet pse është bërë ky manipulim se pse nuk ka pasur korrektësi, pse ka qenë organizatorë tjetër që ka kërkuar fondet dhe ka qenë organizata tjetër që ka realizuar projektin. Pse ka qenë gjithë ky skenar dhe kemi kërkuar hetim dhe ata që janë përgjegjës me u ndëshku”, ka deklaruar Tahiri.

    Ekspozita në fjalë, për masakrat në Kosovë gjatë luftës 1998–1999, ishte organizuar nga organizatat joqeveritare INTEGRA dhe ADMOVERE, me përkrahje të Kuvendit të Kosovës.

  • Paralajmërimi i SHBA-së se Shqipëria mund të jetë cak i grupeve të lidhura me Iranin, reagon qeveria shqiptare

    Paralajmërimi i SHBA-së se Shqipëria mund të jetë cak i grupeve të lidhura me Iranin, reagon qeveria shqiptare

    Ambasada amerikane në Tiranë ka paralajmëruar të mërkurën se grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri. Por, autoritetet shqiptare hodhën poshtë këtë, duke e quajtur “hamendje”.

    Ambasada u bëri thirrje qytetarët amerikanë në Shqipëri “të ushtrojnë vigjilencë të shtuar”.

    Në një njoftim, Ambasada tha se grupet e lidhura me Iranin “gjithashtu mund të synojnë vende të zakonshme, të tilla si vende turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante”.

    Megjithatë, Agjencia për Media dhe Informim e Qeverisë shqiptare i tha Radios Evropa e Lirë se agjencitë ligjzbatuese të Shqipërisë “nuk e kanë asnjë informacion shqetësues lidhur me këtë hamendësim të ambasadës amerikane”.

    Ajo shtoi se Ambasada amerikane “jep rregullisht alarme të tilla, madje edhe kur dalin në protestë grupe opozitare që djegin kazanët e mbeturinave apo gjuajnë me molotov për të dalë në fotografi në gazetat e huaja”.

    “Kështu që, ne i ftojmë qytetarët amerikanë të mos humbasin asnjë nga mundësitë e mrekullueshme që ofron Shqipëria, me vendet e saj të panumërta turistike, mikpritjen e saj të pakonkurueshme dhe ushqimin e saj të paqortueshëm”, thuhet në përgjigjen e agjencisë.

    Paralajmërimi i Ambasadës amerikane erdhi pak javë pasi hakerë të lidhur me Iranin kryen sulme kibernetike ndaj institucioneve shtetërore në Shqipëri, dhe pasi Kuvendi shqiptar e shpalli Iranin shtet sponsor të terrorizmit.

    Njoftimi vjen pak javë pasi hakerë të lidhur me Iranin kryen sulme kibernetike ndaj institucioneve shtetërore në Shqipëri, dhe pasi Kuvendi shqiptar e shpalli Iranin shtet sponsor të terrorizmit.

    Marrëdhëniet midis Iranit dhe Shqipërisë janë të tensionuara dhe praktikisht të ngrira prej se Shqipëria u ofroi anëtarëve të grupit opozitar iranian, MEK, strehë të sigurt, mbi një dekadë më parë.

    Shqipëria gjithashtu e mbështet luftën e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, kundër Iranit, e cila nisi më 28 shkurt. Irani është përgjigjur duke kryer sulme ndaj Izraelit dhe bazave amerikane në rajonin e Lindjes së Mesme.

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kishte thënë se Shqipëria i mbështet sulmet amerikano-izraelit, sepse ajo është përballur drejtpërdrejt me “fytyrën barbare të regjimit të Teheranit, përmes agresioneve të tij kibernetike”.

    Gjatë muajit të kaluar, Kuvendi dhe Posta e Shqipërisë u goditën nga sulme kibernetike.

    Për të dyja sulmet përgjegjësinë e mori grupi Homeland Justice.

    Homeland Justice, sipas një analize nga gjiganti amerikan i teknologjisë Microsoft, është i lidhur me Qeverinë iraniane.

    Në postimet e veta në Telegram, grupi i hakerëve kishte thënë se sulmet ndaj institucioneve të Shqipërisë po bëheshin për të dënuar vendimin e tyre për strehimin e grupit opozitar MEK, që njihet edhe si Organizata Popullore Muxhahedine e Iranit.

    “Kur ju i mbështesni terroristët, duhet të dini se do ta paguani çmimin për këtë, në të gjitha aspektet”, thuhet në një nga postimet e këtij grupi, më 10 mars.

    Në postime të tjera, grupi akuzon politikanët shqiptarë se po i dëgjojnë “urdhrat e amerikanëve”, si dhe paralajmërojnë se ky sulm është “vetëm maja e ajsbergut”.

    Ekspertë të sigurisë ishin të ndarë rreth asaj nëse prezenca e MEK-ut në Shqipëri rrit rrezikun, apo nuk ka ndikim në sulmet e mundshme nga Irani, pas fillimit të luftës me SHBA-në.

    Pas fillimit të luftës në Iran, ekspertë ndërkombëtarë të sigurisë kanë paralajmëruar se përshkallëzimi i tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit rrit rrezikun e sulmeve të mundshme terroriste apo operacioneve të fshehta jashtë zonave tradicionale të konfliktit.

    Sipas një analize të publikuar nga revista amerikane The Atlantic, Irani ka përdorur historikisht rrjete dhe metoda të ndryshme për t’u hakmarrë ndaj kundërshtarëve, veçanërisht kur përballet me presion të madh politik apo ushtarak, duke përfshirë sulme që burojnë jashtë territorit të Iranit.

    Ndërkohë, raportime të gazetës New York Times theksojnë se agjencitë amerikane të inteligjencës po monitorojnë mundësinë që Teherani t’i aktivizojë grupet aleate në rajone të ndryshme për të goditur interesat amerikane ose aleatët e tyre./Rel/

  • Limaj i del në krah Muriqit pas akuzave; Çdo shtëpi e ka ‘berllogun’ e vet

    Limaj i del në krah Muriqit pas akuzave; Çdo shtëpi e ka ‘berllogun’ e vet

    Lideri i partisë politike Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i ka dalë në mbështetje kapitenit të Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, pas akuzave të rënda që u hodhën ndaj tij nga një tifoz.

    Përmes një reagimi publik, Limaj ka dënuar ashpër gjuhën fyese dhe akuzat ndaj sulmuesit kosovar, duke i cilësuar ato si të papranueshme dhe të pabaza.

    “Vedat, mos u mërzit. Çdo shtëpi e ka ‘berllogun’ e vet. Të tillët e kanë thuajse në natyrë me fyer e me etiketuar ata që me zemër i kanë shërbyer dhe i shërbejnë atdheut,” ka shkruar ai.

    Ai ka theksuar se persona të tillë nuk përfaqësojnë vlerat e shoqërisë kosovare dhe se shpifjet e tyre burojnë nga mungesa e ndjenjës së përgjegjësisë dhe respektit për vendin.

    Në fund, Limaj ka shprehur mirënjohje për Muriqin dhe gjithë ekipin kombëtar, duke vlerësuar kontributin e tyre në promovimin e dashurisë për fanellën dhe shtetin.

    “Vazhdo me kokën lart, jemi krenarë me ju,” përfundoi ai.