ATV

Author: K.B.

  • A ka një kërcënim iranian për Shqipërinë, ministri shqiptar i Mbrojtjes deklarohet pas alarmit të dhënë nga Ambasada e SHBA-së

    A ka një kërcënim iranian për Shqipërinë, ministri shqiptar i Mbrojtjes deklarohet pas alarmit të dhënë nga Ambasada e SHBA-së

    Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Ermal Nufi është deklaruar pas paralajmërimit të bërë dje nga Ambasada Amerikane në Shqipëri se Irani mund të sulmojë subjekte të lidhura me SHBA-në në Shqipëri.

    Nufi thekson se nuk ka vend për panik dhe qytetarët shqiptarë duhet të jenë të qetë, pasi sipas tij janë të sigurt.

    I pyetur nëse ka një kërcënim për Shqipërinë, Nufi duke folur në hyrje të Kuvendit u shpreh:

    “Besoj që SHBA-të, atë lajmërim që kanë bërë, e kanë për qytetarët e vet, dhe SHBA-të janë edhe më sensitive për ruajtjen e qytetarëve të tyre. Sa i takon qytetarëve shqiptarë siguria është e garantuar nga aleanca ushtarake më e fuqishme në botë. Ne si qeveri kemi marrë masat për të gjitha sistemet e nevojshme dhe procedurat që duhet të kryejmë për të garantuar sigurinë e qytetarëve shqiptarë. Jemi në një situatë ku ka një konflikt. Jemi një shtet që kemi mbajtur qëndrim të prerë, kundrejt atij regjimi, kanë filluar që në 2022 sulmet nga aktorë malinj të atij shteti, përsëri kemi parë ditët e fundit sulme te Parlamenti dhe Posta. Qytetarët shqiptarë duhet të jenë të qetë, të sigurt. Që duhet të kemi kujdes duhet të kemi kujdes, por nuk ka vend për panik”, tha ai për A2 CNN.

    Edhe Ambasada Amerikane në Tiranë reagoi sot lidhur me paralajmërimin e bërë dje se grupe të lidhura me Iranin mund të sulmojnë objektiva të caktuara në Shqipëri.

    Të pyetur nëse alarmi që njoftuan mbrëmë ka të bëjë me ndonjë kërcënim konkret apo informacion të besueshëm që ka të bëjë me Shqipërinë, apo bëhet fjalë për një paralajmërim paraprak në kuadër të zhvillimeve më të gjera rajonale, një zyrtar i ambasadës amerikane tha se “do të ofrojmë më shumë informacion sapo të jetë i disponueshëm.

    “Administrata Trump nuk ka përparësi më të lartë se siguria dhe mbrojtja e amerikanëve. Ne po bashkëpunojmë ngushtë me autoritetet shqiptare për të vlerësuar situatën dhe për të zbutur rreziqet e sigurisë. Ambasada e Shteteve të Bashkuara vlerëson bashkëpunimin e saj të ngushtë në çështjet e sigurisë me Qeverinë e Shqipërisë, e cila ka shfaqur një angazhim të vazhdueshëm për të siguruar sigurinë e qytetarëve amerikanë dhe të gjithë banorëve të Shqipërisë. Ne do të ofrojmë më shumë informacion sapo të jetë i disponueshëm”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.

    Paralajmërimi i Ambasadës amerikane erdhi pak javë pasi hakerë të lidhur me Iranin kryen sulme kibernetike ndaj institucioneve shtetërore në Shqipëri, dhe pasi Kuvendi shqiptar e shpalli Iranin shtet sponsor të terrorizmit.

  • Zogaj: LDK-ja do të propozojë tri masa për uljen e çmimit të naftës

    Zogaj: LDK-ja do të propozojë tri masa për uljen e çmimit të naftës

    Alban Zogaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka thënë se si parti besojnë që janë tri masa që duhet të merren me urgjencë nga Qeveria pas rritjes së çmimit të naftës.

    “Një masë është ulja apo heqja e akcizës në naftë, masa e dytë është ulja a po heqja e tërësishme e përkohshme e TVSH-së në derivate, kryesisht në naftë dhe masa e tretë është subvencionimi direkt”, është shprehur Zogaj në emisionin “Konfront” në KTV.

    Ai ka thënë se nëse nuk ndërmerren dy masat e para, atëherë mund të merret masa e tretë, në mënyrë që të ndihmohen ata që janë prekur më se shumti nga rritja e çmimit të naftës.

    “Për shembull, pajtohemi me një grup të kolegëve që thonë se nuk bën të preken elementet e politikës fiskale, sepse e kemi vështirë të kthehemi. Në rregull, a po mbledh të hyra përmes akcizës dhe TVSH-së e ato po vinë në kuletën e shtetit, në thesar, po, atëherë merri ato mjete dhe shpërndaj prapë tek ata që po goditen më së shumti nga kjo krizë inflacionare ekonomike, merri dhe shpërndaji në foorëm të subvencionit”, ka deklaruar Zogaj.

    Sipas tij duhet të subvencionohen bujqit, firmat prodhuese dhe konsumatorët e mëdhenjtë të naftës.

    Zogaj ka thënë se me një analizë të thjeshtë mund të gjenden se kush janë konsumatorët më të mëdhenjtë.

    “Mund të dihet përmes parave dhe fondeve që i ke mbledhur me taksa. Ajo është vetëm kthim te ta edhe ndihmesë, sepse taksat i paguajnë të mëdhenjtë”, ka theksuar Zogaj.

  • Dështon mbledhja e KGJK-së, pritej zgjedhja e kryesuesit të ri

    Dështon mbledhja e KGJK-së, pritej zgjedhja e kryesuesit të ri

    Ka dështuar të mbahet takimi i 365-të i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), në të cilin pritej të zgjidhej kryesuesi i ri i Këshillit.

    Mbledhja dështoi pasi mungoi anëtari i KGJK-së, Ahmet Imami, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas zëvendëskryesueses Arjeta Sadiku, mbledhja nuk mund të mbahet në mungesë kuorumi.

    Sadiku tha se Imami ka dërguar njoftim, përmes të cilit ka bërë të ditur se mungon për arsye shëndetësore.

    Ndryshe, kandidatë për pozitën e kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) janë Besnik Bislimaj dhe Rrustem Thaqi.

    Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) më 12 mars shpalli konkurs për kryesues të ri, i cili ishte i hapur deri më 26 mars 2026.

    Dy gjyqtarët që po kandidojnë për pozitën e të parit të Këshillit Gjyqësor janë anëtarë të këtij institucioni. Thaqi është gjyqtar në Gjykatën Supreme, kurse Bislimaj gjyqtar në Gjykatën e Apelit.

    Mandatin e kryesuesit i fundit e ka mbajtur gjykatësi nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, Albert Zogaj.

  • Eksperti i energjisë: Nëse hyjnë në fuqi tarifat e reja të rrymës rritja do të jetë 15 – 21 %

    Eksperti i energjisë: Nëse hyjnë në fuqi tarifat e reja të rrymës rritja do të jetë 15 – 21 %

    Eksperti i energjisë elektrike Adhurim Haxhimusa beson se Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) ka reflektuar duke shtyrë për një muaj shqyrtimin e tarifave të reja të energjisë elektrike. Tarifat ishte paraparë të shqyrtoheshin më 1 prill por shqyrtimi është shtyrë për 1 maj.

    Ai në emisionin 60 Minuta të KTV tha se duket se ZRRE ka reflektuar pas presionit të publikut që është bërë me rritjen e tarifave në 4 vjetët e fundit. Ai ka thënë se për çdo vjet ka pasur rritje të tarifave.

    Haxhimusa ka thënë se shtyrja po ashtu është edhe reflektim i gjendjes në të cilën gjendet ZRRE, pasi ka mungesë të kapaciteteve njerëzore për të bërë analizë të tillë të shpejtë e adekuate.

    Haxhimusa ka thënë se aprovohen tarifat e reja të kërkuara nga KEDS dhe KOSTT, atëherë do të ketë rritje të çmimeve të energjisë mes 15 dhe 21 për qind.

    “Po flasim për konsumator që konsumon 400 kilovat orë, me faturën aktuale paguan 30 euro, ndërsa me tarifa të reja – nëse ato aprovohen – do të paguajë 35 euro nëse është 15 për qind e 37.27 euro nëse është 21 për qind. E për konsumatorë që shpenzojnë 1000 kilovatë orë brenda muaji do të paguajnë shtesë mes 12 dhe 18 euro. Është barrë e madhe”, tha ai.

    Ai ka thënë se ZRRE duket se nuk është e pajtimit të ketë rritje të tillë dhe synon ta analizojë në detaje dhe ky është lajm i mirë.

    Por ai ka thënë se duhet të jetë alarm për Kuvendin e Kosovës dhe Qeverinë që ta përkrahin ZRRE-në të ngrihet në kapacitetin e duhur për të bërë analiza të mirëfillta.

    Haxhimusa ndërkohë ka thënë se është papërgjegjësi e madhe se si operon KEK-ut. Ai i është referuar menaxhmentit të KEK-ut.

    Ka thënë se vetëm gjatë vitit 2025 janë importuar 300 milionë euro energji elektrike, që është dyfishi i importit të energjisë për vitin 2024.

    “Ato para mund t’u jepeshin prodhuesve vendorë të energjisë solare dhe të erës…Shohim që Qeveria është total në gjumë e nuk aktivizohet absolutisht me gjet burime shtesë të energjisë”, tha Haxhimusa.

    Ai tha se mbi 70 për qind e kërkesave të bëra nga KEDS e KOSTT për rritje të tarifave të energjisë elektrike iu referohet importeve shtesë të bëra gjatë vitit 2025.

    “Pjesa tjetër janë kryesisht shpenzime operative. Për shpenzime të investimeve, investime nga të cilat përfiton qytetari drejtpërdrejt e sheh përfitim, pasi kemi përmirësim të gjendjes së sistemit elektro-energjetik, nuk përmendet”, tha ai.

    Ndërkohë lidhur me situatën e njehsorë të rrymës, ku janë raportuar devijime në orët e njehsorëve, Haxhimusa ka thënë se është befasi e madhe kjo. Ai tha se është detyrë e KEDS-it për të garantuar se njehsorët e tyre po bëjnë matjen e duhur. Ai ka thënë se njehsorët që janë në Kosovë, janë kualitet relativisht i ulët dhe janë të ndjeshëm ndaj luhatjeve në tension.

    Sa i përket nëse duhen qytetarët të kompensohen, Haxhimusa tha se duhet të ketë një lloj kompensimi por është e vështirë të llogaritet.

  • Trump tall Macronin në fjalimin e tij: Gruaja e keqtrajton, ai ende e kujton shuplakën që i dha ajo

    Trump tall Macronin në fjalimin e tij: Gruaja e keqtrajton, ai ende e kujton shuplakën që i dha ajo

    Një tjetër sulm ndaj Emmanuel Macron për qëndrimin e tij ndaj luftës me Iranin u nis herët të enjten nga Donald Trump në një aktivitet në Shtëpinë e Bardhë para fjalimit në të cilin ai përsëriti se “lufta do të vazhdojë për 2-3 javë të tjera”.

    Duke iu referuar qëndrimit të aleatëve të SHBA-së në NATO , presidenti amerikan fillimisht tha se “nuk kishim nevojë për ta, por unë i kërkova gjithsesi”.

    Megjithatë, ai vazhdoi duke thënë “E mora Francën, Macron – gruaja e tij e keqtrajton, ai ende e kujton shuplakën që i dha ajo”, me këtë referencë që shkaktoi të qeshura nga të pranishmit.

    Presidenti amerikan po i referohej videos së majit 2025, në të cilën Brigitte Macron dukej duke e qëlluar presidentin francez pak para se të zbrisnin nga avioni presidencial në Vietnam.

    Pas këtij raporti, Trump vazhdoi duke thënë: “I thashë, ‘Emmanuel, do të donim të kishim ndihmë në Gjirin Persik, edhe pse kemi një rekord të shkatërrimit të të këqijve dhe raketave balistike. Do të donim të kishim ndihmë. Nëse mundesh, a mund të dërgosh anije menjëherë?’ Ai më tha, ‘Jo jo jo, nuk mund ta bëjmë këtë, Donald. Mund ta bëjmë këtë pasi të fitohet lufta’, dhe unë i thashë, ‘Jo jo, nuk kam nevojë për të pasi të fitohet lufta, Emmanuel.’”

    “Kështu mësova për NATO-n – NATO nuk do të jetë atje nëse ndonjëherë do të kemi NATO-n e madhe, e dini çfarë dua të them me atë të madhen”, tha zoti Trump, pa dhënë hollësi.

  • Besian Mustafa: Koalicioni qeverisës LVV-GUXO, mban përgjegjësinë kryesore për zgjedhjen e presidentit

    Besian Mustafa: Koalicioni qeverisës LVV-GUXO, mban përgjegjësinë kryesore për zgjedhjen e presidentit

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa në emisionin Adresa, ka folur për procesin e dështuar të dakordimit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, duke theksuar përgjegjësitë e partive në pushtet dhe të opozitës.

    Mustafa deklaroi se përpara se çështja të shkonte tek Gjykata Kushtetuese, nuk arriti të krijohet një proces i përbashkët mes LVV-së dhe LDK-së, ku të caktoheshin kriteret, mënyra e trajtimit dhe emri i kandidatit. Ai e quajti këtë fatkeqësi, jo vetëm për arsye se ai është deputet i LDK-së, por për shkak të përgjegjësisë parlamentare që bie sipas numrave, ku partia në pushtet numëron gjithsej 66 deputet. E sipas tij, në këtë rast i duhen vetëm edhe 14 numra për te zgjedhur presidentin.

    Sipas Mustafas, koalicioni qeverisës ka 66 deputetë, dhe mbart peshën kryesore të përgjegjësisë për vendimmarrje, ndërsa partitë e tjera e ndajnë përgjegjësinë proporcionalisht sipas përfaqësimit të tyre. Ai shtoi se kjo nuk është për të minimizuar rolin e partisë së tij, por kjo është mënyra si qytetarët e Kosovës kanë vendosur përmes zgjedhjeve./Gazeta 10

  • Haradinaj: VV do që Haxhiu të jetë ushtruese detyre e presidentit, po pritet 5 prilli

    Haradinaj: VV do që Haxhiu të jetë ushtruese detyre e presidentit, po pritet 5 prilli

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj është deklaruar para fillimit të seancës për çështjen e presidentit.

    Ai, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje e ka një plan në kohë, duke shtuar se po dëshirojnë që ushtruese detyre e presidentit të jetë kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

    “Duket që në VV e kanë një plan në kohë. Ata po dojnë që kryetarja e Kuvendit të jetë ushtruese detyre e presidentit…. Çdo gjë fillon kur kemi ushtrues detyre të presidentit të ri e pastaj me fillua ndonjë bisedë ose ndonjë konsulltë…Nuk kemi asnjë zhvillim, shihet qartë që ka të bëj me kohën, po pritet 5 prilli me qenë ushtruese detyre znj.Haxhiu”, ka thënë Haradinaj. /eo

  • Viktor Buzhala largohet nga partia Guxo: S’më mjafton, as nuk më plotëson të qenurit vetëm anëtar i thjeshtë i një partie politike

    Viktor Buzhala largohet nga partia Guxo: S’më mjafton, as nuk më plotëson të qenurit vetëm anëtar i thjeshtë i një partie politike

    Viktor Buzhala, ish-kandidat për deputet në listën e Lëvizjes Vetëvendosje nga partia Guxo, ka njoftuar se ka vendosur të largohet nga kjo parti.

    Përmes një deklarimi publik, Buzhala ka bërë të ditur se arsyeja kryesore e largimit është mungesa e angazhimit dhe e mundësisë për të kontribuar në kuadër të partisë.

    “Kam vendosur të largohem nga partia Guxo. Nuk më mjafton, as nuk më plotëson të qenurit vetëm anëtar i thjeshtë i një partie politike,” ka thënë ai.

    Ai thekson se për t’u përfshirë në politikë ka bërë sakrifica personale, me qëllimin e vetëm për të kontribuar, por sipas tij kjo mundësi nuk i është dhënë deri më tani.

  • 140 zyrtarë nuk deklarojnë pasurinë, gjobat gati për ta

    140 zyrtarë nuk deklarojnë pasurinë, gjobat gati për ta

    Me përfundimin e muajit mars, ka përfunduar edhe afati për deklarimin e pasurisë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, nga zyrtarët që punojnë në institucione publike.

    E për periudhën sa ishte i hapur afati ligjor, pasurinë e deklaruan mbi 9 mijë e 800 zyrtarë, ndërkohë që 140 zyrtarë publik, ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

    “Ne kemi filluar tashmë procedurat për të inicuar shqiptimin e gjobave, brenda ditës së sotme do dërgojmë kërkesat për të verifikuar se sa është shuma e pagës së tyre bazë që gjobat të shqiptohen sa më shpejtë, sepse gjoba automatike që lidhen me kalimin e afatin është 30% të pagës së tyre. Të gjithë këta e kanë një afat shtesë 15 ditore, që të kryejnë këtë obligim, gjatë kësaj periudhe nuk ka masa tjera ndëshkuese, nëse vonohen më shumë se 15 dite bëhen subjekt të kallzimeve penale në prokurori”, ka deklaruar Yll Buleshkaj – Drejtor i Agjencisë për parandalimin e Korrupsionit.

    Formularin për deklarimin e pasurisë tha ta ketë plotësuar edhe ministrja e Drejtësisë Donika Gërvalla.

    Gërvalla u përball me akuza në gjykatë për mosdeklarim të pasurisë, por tha se nuk kishte hatërmbetje me Agjencionin që dërgoi kallëzim penal për të në prokurori.

    “Si ministre e drejtësisë kam vizituar shume prej mekanizmave që kujdesen për luftimin e korrupsinit për reformat në fushën e drejtësisë…Është kryer, pse duhet të e qortojë drejtorin që bënë punën e tij, unë kam nevoj që qortimi i takon tjetër kujt për keqpërdorim të detyrës në raport me aktakuzën time, por nëse ky agjencion bënë punën e tij kam fjalë vetëm të mira e jo qortime”, ka deklaruar Donika Gërvalla – Ministre e Drejtësië.

    E në GLPS thonë se duhet të ketë masa më të ashpra ndëshkuese për ata zyrtarë që nuk e deklarojnë pasurinë.

    “Çështja e mosdeklarimit ose e deklarimit të rrejshëm të pasurisë është vepër penale për të gjithë ata zyrtarë që nuk e deklarojnë ose deklarojnë rrejshëm pasurinë dhe sipas kodit penal, kjo vepër penale mund të dënohet nga 3 deri 5 vite burgim, sot kemi parë në përgjithësi nga monitorimi i sistemit të drejtësisë për këto vepra penale ka pasur dënime të ulta nga ana e sistemit të drejtësisë”, ka theksuar Liridon Salihu – Hulumtues në GLPS.

    Bazuar në ligjin për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurive dhe Dhuratave, presidenti, deputetët e Kuvendit, ministrat, zv ministrat, gjyqtarët prokurorët e shumë kategori të tjera janë të detyruar të deklarojnë pasurinë, e së fundmi këtij procesi i nënshkrohen edhe mjekët, profesorët e universiteteve publike e doganierët.

  • Çfarë rrezikon Europa nëse Trump largon SHBA-të nga NATO?

    Çfarë rrezikon Europa nëse Trump largon SHBA-të nga NATO?

    Donald Trump edhe një herë tjetër ka vënë në pikëpyetje një nga shtyllat e rendit perëndimor: praninë e Shteteve të Bashkuara në NATO.

    Nuk është hera e parë, por sot konteksti është i ndryshëm, me luftën në Ukrainë, konfliktin me Iranin dhe mosbesimin në rritje ndaj aleatëve europianë. Pyetja, pra, nuk është më teorike: a mundet vërtet një president amerikan ta nxjerrë Uashingtonin nga Aleanca Atlantike?

    Nuk është një operacion i lehtë. Në SHBA, pas presioneve të ushtruara pikërisht gjatë mandatit të parë të Trump-it, Kongresi miratoi në vitin 2024 një ligj, “National Defense Authorization Act”, që kufizon fuqinë e presidentit.

    Për të dalë nga Aleanca do të duhej miratimi i dy të tretave të Senatit ose një ligj i miratuar nga Kongresi. Në teori, pra, asnjë president nuk mund të vendosë vetëm. Në praktikë, megjithatë, gjërat janë më të ndërlikuara. Kushtetuta amerikane nuk e sqaron qartë se kush ka fuqinë për t’u tërhequr nga një traktat ndërkombëtar.

    Gjatë historisë, disa presidentë kanë braktisur marrëveshje pa votim parlamentar, duke hapur çdo herë një zonë gri që nuk është zgjidhur kurrë plotësisht. Pikërisht në këtë terren të paqartë mund të zhvillohet një përplasje institucionale: Komandanti i Përgjithshëm kundër Kongresit, me Gjykatën e Lartë të thirrur, ndoshta, për të zgjidhur çështjen.

    Në planin formal, dalja nga NATO është shumë më e thjeshtë. Neni 13 i Traktatit parashikon që çdo vend mund të largohet me një njoftim zyrtar: pas dymbëdhjetë muajsh, tërheqja bëhet efektive. Pa negociata, pa veto nga anëtarët e tjerë.

    Një mekanizëm linear, i menduar në vitet e Luftës së Ftohtë për të garantuar sovranitetin kombëtar. Dhe pikërisht këtu qëndron paradoksi: dalja nga NATO është relativisht e lehtë në planin ndërkombëtar, por potencialisht e vështirë dhe konfliktuale në planin e brendshëm amerikan.

    Ka megjithatë një pikë edhe më të rëndësishme, shpesh të nënvlerësuar. Shtetet e Bashkuara mund ta dobësojnë Aleancën edhe pa dalë formalisht prej saj. NATO mbështetet mbi një parim kyç, nenin 5, që parashikon mbrojtjen kolektive në rast sulmi. Por nuk ekziston automatizëm: çdo vend vendos si të ndërhyjë.

    Me fjalë të tjera, gjithçka varet nga vullneti politik dhe nga besueshmëria. Një president skeptik, ose hapur armiqësor, mund të qëndrojë në NATO por ta shterojë atë nga brenda: të reduktojë angazhimin ushtarak, të ngadalësojë vendimet, të vërë në dyshim mbrojtjen amerikane. Për aleatët europianë, kjo do të ishte një skenar pothuajse po aq destabilizues sa një dalje formale.

    Pasojat do të ishin të thella. Europa do të gjendej më e ekspozuar, sidomos në frontin lindor, ndërsa Rusia do të përfitonte menjëherë një avantazh strategjik. Në të njëjtën kohë, do të rihapej debati, ende i papërfunduar, mbi një mbrojtje të përbashkët europiane, me kohë dhe kosto aspak të shkurtra. Edhe Kina e vëzhgon me kujdes: çdo çarje në sistemin e aleancave perëndimore është një mundësi gjeopolitike.

    Prandaj, përtej aspekteve juridike, pyetja e vërtetë është politike. A mund t’i nxjerrë vërtet Trump Shtetet e Bashkuara nga NATO? Ndoshta po, por jo pa pengesa dhe konflikte. Mund, megjithatë, ta ndryshojë rrënjësisht funksionimin e Aleancës edhe duke qëndruar brenda saj. Dhe ky është një skenar që, sipas shumë vëzhguesve, ka nisur tashmë./ Corriere della Sera