ATV

Author: K.B.

  • Ekspozita skandaloze e Gashit, PDK sot në seancë propozon rezolutë

    Ekspozita skandaloze e Gashit, PDK sot në seancë propozon rezolutë

    Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka treguar se në seancën e sotme parlamentare kjo parti do të propozojë një rezolutë, e cila ka të bëj më ekspozitën skandaloze të Shkëlzen Gashit.

    Ai ka bërë me dije se qëllimi i kësaj rezolute është që Kuvendi i Kosovës të rreshtohet në mbrojtje të vlerave më të larta dhe të nderimit të viktimave, dëshmorëve dhe martirëve të luftës.

    “Kemi kërkuar hetim që të shihet pse është bërë ky manipulim se pse nuk ka pasur korrektësi, pse ka qenë organizatorë tjetër që ka kërkuar fondet dhe ka qenë organizata tjetër që ka realizuar projektin. Pse ka qenë gjithë ky skenar dhe kemi kërkuar hetim dhe ata që janë përgjegjës me u ndëshku”, ka deklaruar Tahiri në emisionin Debat Plus.

  • Shtrenjtimi i derivateve ‘rrezikon thellimin e krizës së çmimeve’ – Kurti refuzon ndërhyrjen fiskale

    Shtrenjtimi i derivateve ‘rrezikon thellimin e krizës së çmimeve’ – Kurti refuzon ndërhyrjen fiskale

    Teksa rrjedha negative e inflacionit po e rëndon ditë më fortë mirëqenien e qytetarëve, me shpenzimet për ushqim, energji, banim dhe lëndë djegëse që janë rritur frikshëm mujave të fundit, sinjalet për një shtrenjtim edhe më eksponencial, të nxitur nga ndërprerjet në furnizimin global me derivate, po shtojnë frikën se gjendja ekonomike në vend mund të përkeqësohet edhe më tej.

    Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacioni vjetor në shkurt 2026 ka arritur në 6 për qind. Kjo e shkëput dukshëm Kosovën nga ritmi i rajonit dhe i eurozonë. Ndërkohë që vendet e Ballkanit Perëndimor lëvizin kryesisht në dy deri në tre për qind inflacion vjetor, Kosova po përballet me një ritëm mbi dyfish më të lartë.

    Nga ana tjetër, kriza me çmimet e derivateve, “për shkak të integrimit të madh të tregjeve globale”, po shihet si rrezik serioz për përkeqësim edhe më të madh të gjendjes. Pushteti dhe opozita janë përplasur së fundi nëse duhet hequr përkohësisht akciza dhe të lehtësohet TVSh-ja për derivatet – të cilat kanë pësuar rritje “me rreth 40 për qind krahasuar me datën 28 shkurt 2026”.

    Kërkesa për ndërhyrje nuk ka ardhur vetëm nga opozita, por edhe nga akterë ekonomikë që paralajmërojnë efekt zinxhiror në çmime.

    AAK kërkoi zyrtarisht lirimin e të paktën 50 për qind të TVSh-së për derivatet dhe heqjen e përkohshme të akcizës. Paralelisht, Oda Ekonomike e Kosovës ka propozuar ulje të akcizës dhe përjashtim ose reduktim të përkohshëm të TVSh-së, duke argumentuar se barra fiskale po rëndon jo vetëm mbi konsumatorin, por mbi gjithë zinxhirin prodhues e tregtar.

    Megjithatë, në konferencën për media të 30 marsit, kryeministri Albin Kurti deklaroi se Qeveria nuk e sheh si zgjidhje heqjen e TVSh-së dhe akcizës për naftën. Sipas tij, “propozimet për heqje të TVSh dhe Akcizës nuk janë mirë të menduara dhe nuk bazohen në përvoja të suksesshme apo në dije ekonomike.”

    Qeveria, tha Kurti, po vazhdon me masat ekzistuese të mbikëqyrjes së tregut dhe me kufizimin e marzhës së fitimit, jo me ndërhyrje në taksa.

    Nga ana tjetër, ish-kryeministri Avdullah Hoti argumentoi sot përmes një shkrimi në Facebook se kufizimi i fitimit nuk e ndihmon konsumatorin. Sipas tij, me këtë masë, sa herë që nafta shtrenjtohet në tregun ndërkombëtar, bizneset thjesht ia kalojnë atë faturë qytetarit.

    “Caktimi i marzhës së fitimit e mban fitimin e biznesit brenda një kufiri të caktuar, por u mundëson bizneseve që çdo rritje e çmimit në tregjet ndërkombëtare ta bartin plotësisht te konsumatori. Me këtë masë, bizneset nuk kanë asnjë nxitje të ulin shpenzimet. Kështu që, konsumatori jo vetëm që nuk mbrohet, por e paguan plotësisht rritjen e çmimit të derivateve.” – tha Hoti.

    Ai paralajmëroi se rritja e çmimet të derivateve rrezikon të krijojë pasoja zinxhirore, duke çuar në “çmime më të larta dhe me rritje ekonomike më të ulët.”

    “Çmimet e derivateve janë rritur me rreth 40 për qind krahasuar me datën 28 shkurt 2026, kur nisën sulmet. Rrjedhimisht, janë rritur kostot e prodhimit dhe operimit të bizneseve, të cilat po barten te çmimet e produkteve të konsumit dhe produkteve të ndërmjetme. Për shkak të integrimit të madh të tregjeve globale, përvoja ka treguar se këto efekte zinxhirore janë relativisht të shpejta në mbarë botën. Pa asnjë dyshim, kjo krizë do të rezultojë me çmime më të larta dhe me rritje ekonomike më të ulët”, tha Hoti.

    Deputeti i LDK-së sugjeroi se shteti duhet të mbajë një pjesë të barrës dhe të mos e lërë qytetarin të paguajë gjithçka, duke kërkuar që “të ulet akciza në derivate, e cila mund të ulet deri në 36 cent për litër pa shkaktuar asnjë ndryshim në të hyrat buxhetore.”

    Sipas tij, meqenëse çmimet janë rritur, shteti po mbledh automatikisht më shumë para nga TVSh-ja. Këto para shtesë, thotë ai, qeveria duhet t’i përdorë për të ulur akcizën, duke i dhënë kështu qytetarëve naftë më të lirë pa e dëmtuar arkën e shtetit.

    “Duke qenë se të hyrat buxhetore nga TVSH-ja në derivate rriten si rezultat i rritjes së çmimit, Qeveria ka mjaftueshëm hapësirë për të ulur akcizën proporcionalisht me rritjen e të hyrave të saj nga TVSH-ja shtesë që mbledh nga derivatet.” – shkroi ai ndër tjera. Ai sugjeroi edhe një sërë masash tjera për të luftuar krizën. /Nacionale

  • Arrestohet një person në Obiliq, u kap me armë dhe 12 fishekë

    Arrestohet një person në Obiliq, u kap me armë dhe 12 fishekë

    Një person është arrestuar në Obiliq pasi që në veturën e tij është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë me 12 fishekë.

    Policia e Kosovës njofton përmes raportit se me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar.

    Rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

  • Para seancës mblidhet Komisioni për Legjislacion, këto janë pikat e rendit të ditës

    Para seancës mblidhet Komisioni për Legjislacion, këto janë pikat e rendit të ditës

    Sot, para seancës së rregullt plenare të Kuvendit të Kosovës, mblidhet Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit.

    Në rend të ditës janë disa pika, përfshirë Raportin Vjetor të punës së Komisionit Qeveritar për Njohjen e Statusit të ish të Burgosurve, të Dënuarve dhe të Përndjekurve Politikë.

    Po ashtu në rend ditë janë edhe shqyrtimi i aplikacioneve për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, si dhe njoftimin me dhe Komisionit të Ankesave. Në fund do të trajtohen edhe çështje të ndryshme.

  • Tre skenarë të mundshëm nëse Trump largohet nga Irani pa rihapur Ngushticën e Hormuzit

    Tre skenarë të mundshëm nëse Trump largohet nga Irani pa rihapur Ngushticën e Hormuzit

    Presidenti amerikan, Donald Trumprase në fjalimin e tij të parë drejtuar kombit që nga fillimi i luftës, pretendoi se SHBA-ja e kishte shkatërruar Iranin dhe se do ta godiste Republikën Islamike “jashtëzakonisht fort” për dy deri në tre javët e ardhshme. Ai tha se pothuajse të gjitha objektivat e ushtrisë amerikane në Iran ishin arritur.

    “Sonte, jam i kënaqur të them se këto objektiva strategjike thelbësore po i afrohen përfundimit … Në këto katër javë të fundit, forcat tona të armatosura kanë arritur fitore të shpejta, vendimtare dhe dërrmuese në fushën e betejës – fitore siç pak njerëz kanë parë ndonjëherë më parë”, tha Trump.

    Ngushtica është bërë një shqetësim qendror për aleatët e Washingtonit, pasi Teherani e mbylli në mënyrë efektive me sulme ndaj anijeve tregtare.

    Në kohë paqeje, kjo rrugë ujore mundëson transportin e rreth një të pestës së naftës dhe gazit në botë. Mbyllja e saj ka rritur çmimet e naftës në nivelin më të lartë në gati katër vite, duke dëmtuar konsumatorët dhe bizneset në mbarë botën.

    SHBA dhe Izraeli kanë intensifikuar sulmet ndaj Iranit në përpjekje për ta detyruar regjimin të hyjë në negociata. Por pas një muaji pa arritur qëllimin e deklaruar, durimi në SHBA po shteron. Megjithatë, Trump tha të mërkurën: “Jemi në prag të përfundimit të kërcënimit të errët të Iranit ndaj Amerikës dhe botës. Ne i kemi të gjitha letrat. Ata nuk kanë asgjë.”

    Trump u përpoq të qetësonte tregjet dhe votuesit duke thënë se forcat amerikane “do të largohen shumë shpejt”, duke përmendur një afat prej dy deri në tre javësh. Ai shtoi se Irani “nuk ka nevojë të bëjë një marrëveshje” që SHBA të tërhiqet.

    “Vendet e botës që marrin naftë përmes Ngushticës së Hormuzit duhet të kujdesen për atë kalim,” tha Trump. “Thjesht merreni, mbrojeni, përdoreni për veten tuaj.”

    Ai gjithashtu falënderoi “aleatët në Lindjen e Mesme – Izraelin, Arabinë Saudite, Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajtin dhe Bahreinin”, duke shtuar: “Kanë qenë të shkëlqyer dhe ne nuk do t’i lejojmë të dëmtohen apo të dështojnë në asnjë mënyrë.”

    Ai shtoi: “Tani jemi plotësisht të pavarur nga Lindja e Mesme, megjithatë jemi atje për të ndihmuar … Nuk kemi nevojë të jemi atje. Nuk kemi nevojë për naftën e tyre. Nuk kemi nevojë për asgjë që ata kanë … Jemi atje për të ndihmuar aleatët tanë.”

    Trump tha se fushata ushtarake SHBA-Izrael në Iran, e quajtur Operacioni Epic Fury, “ka sjellë fitore të shpejta, vendimtare dhe dërrmuese në fushën e betejës, fitore siç pak njerëz kanë parë ndonjëherë më parë”.

    Me SHBA-në që po shqyrton një strategji daljeje “pa marrëveshje”, vëmendja përqendrohet te pasojat nëse largohet pa zgjidhur çështjen e Ngushticës së Hormuzit, raporton The Independent.

    Lufta përfundon dhe nuk arrihet marrëveshje

    Mediat amerikane raportuan se SHBA po bëhet gjithnjë e më dyshuese nëse mund të sigurojë rihapjen e Ngushticës si pjesë e një marrëveshjeje me Iranin për t’i dhënë fund luftës.

    Zyrtarët i thanë Wall Street Journal se Trump u ka thënë bashkëpunëtorëve se është i gatshëm ta përfundojë luftën pa e rihapur Hormuzin, ndërsa burime pranë diskutimeve i thanë CNN se zyrtarët e lartë amerikanë shqetësohen se nuk do të mund ta rihapin rrugën ujore brenda afatit prej katër deri në gjashtë javësh.

    Nuk ka precedent për një mbyllje të gjatë të Ngushticës dhe Irani do ta kishte të vështirë ta justifikonte dhe ta mbante një gjë të tillë. Megjithatë, ekspertët thonë se bota mund të përballet me çmime më të larta të energjisë nëse lufta përfundon pa një zgjidhje të qartë.

    Dan Brouillette, ish-sekretar amerikan i energjisë, tha se largimi pa marrëveshje do të ishte “shumë problematik”.

    “ Nëse kjo ndodh, Irani merr pikërisht atë që dëshiron. Merr një armëpushim, ruan kontrollin mbi këtë pikë strategjike dhe duket më shumë si një pauzë sesa një marrëveshje. Thjesht do ta shtyni këtë çështje për një administratë dhe ekonomi të ardhshme.”

    Ai shtoi se çmimet e karburantit mund të mbeten mbi 4 dollarë për gallon dhe nafta mbi 100 dollarë për fuçi, ndërsa produkte të tjera jetike si ureja për bujqësi dhe heliumi për qendrat e të dhënave gjithashtu kalojnë përmes kësaj ngushtice.

    Irani përfiton nga status quo-ja

    Patrick De Haan, analist i naftës në GasBuddy, tha se largimi pa marrëveshje “do të nënkuptonte në thelb dorëzimin e ngushticës Iranit dhe garantimin e çmimeve më të larta të energjisë, pasi Irani do të ishte i lirë të sulmonte anije dhe të vendoste tarifa kalimi”.

    Ngushtica e Hormuzit ndodhet në ujërat territoriale të Iranit, por konsiderohet një rrugë ndërkombëtare dhe zakonisht është e hapur për të gjitha anijet. Irani ka vendosur një bllokadë selektive, duke bërë marrëveshje me disa vende miqësore për kalim të sigurt që nga fillimi i luftës – një praktikë që mund të formalizohet.

    Raportet tregojnë se disa anije kanë kaluar përmes rrugëve të miratuara paraprakisht nën një sistem tarifash të kontrolluar nga Garda Revolucionare. Një ligjvënës iranian ka pretenduar se Irani ka kërkuar deri në 2 milionë dollarë për kalim të sigurt.

    Ekspertët thonë se një veprim i tillë mund të jetë i paligjshëm sipas ligjit detar dhe të shkaktojë kritika të gjera. Në çdo rast, furnizimi i reduktuar me naftë dhe gaz mund të çojë në rritje të çmimeve, duke ndikuar veçanërisht në Evropë.

    Vendet e tjera e rihapin Ngushticën pa ndihmën e SHBA-së

    Qeveritë në Evropë dhe Azi po kërkojnë mënyra për të shmangur skenarët e mësipërm.

    Kryeministri britanik Keir Starmer tha se Mbretëria e Bashkuar ka bashkuar 35 vende për një nismë të përbashkët për “sigurinë detare në Gjirin Persik” dhe se do të zhvillohet një takim për rihapjen e Ngushticës.

    Ai tha se koalicioni do të shqyrtojë “të gjitha masat e mundshme diplomatike dhe politike për të rikthyer lirinë e lundrimit, për të garantuar sigurinë e anijeve dhe për të rifilluar transportin e mallrave jetike”.

    Ekspertët thonë se alternativa tjetër do të ishte që këto vende të rrezikonin përballje ushtarake me Iranin për të siguruar kalimin.

    Megjithatë, nuk ka shenja se ndonjë nga vendet e përfshira do të kërkojë konfrontim ushtarak nëse SHBA tërheq flotën e saj, dhe sondazhet tregojnë se opinioni publik britanik kundërshton përfshirjen në sulme.

    Ministria britanike e Mbrojtjes ka dërguar tashmë planifikues ushtarakë për të shqyrtuar opsionet për sigurimin e kalimit në Ngushticë, por progresi konkret mbetet i paqartë.

  • Kontrabandë me migrantë në Ferizaj, shtatë shtetas të huaj gjenden në kamionin e të dyshuarit

    Kontrabandë me migrantë në Ferizaj, shtatë shtetas të huaj gjenden në kamionin e të dyshuarit

    Policia e Kosovës ka shoqëruar në stacion një të dyshuar, pasi gjatë kontrollit të kamionit të tij janë gjetur shtatë shtetas të huaj në rimorkion e automjetit.

    Rasti ka ndodhur në Ferizaj dhe është cilësuar si “kontrabandë me migrantë”. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

    Ndërkohë, shtatë personat e gjetur janë dërguar dhe akomoduar në një qendër pritjeje për migrantë, bën të ditur policia.

    “ Lidhur me veprën e lartcekur është shoqëruar në stacion policor i dyshuari mashkull kosovar pasi që gjatë kontrollit të kamionit të tij në rimorkio janë gjetur shtatë meshkuj shtetas të huaj. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa viktimat janë akomoduar në qendrën e pritjes për migrantë.

  • Për herë të parë në Shqipëri, kompensim për dëmet në shëndet nga ajri i ndotur

    Për herë të parë në Shqipëri, kompensim për dëmet në shëndet nga ajri i ndotur

    Projektligji i ri i Kuvendit të Shqipërisë për cilësinë e ajrit u njeh qytetarëve të drejtën për kompensim në rast dëmesh shëndetësore nga ndotja.

    Nisma synon të rrisë transparencën dhe monitorimin, duke përfshirë raportim në kohë reale dhe përfshirje më të madhe të publikut. Ndryshimet vijnë në kuadër të përafrimit me standardet e Bashkimit Evropian dhe pritet të përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e jetesës, shkruan A2CNN

    Qytetarët që do të pësojnë probleme shëndetësore nga ndotja e ajrit do të mund të kërkojnë kompensim nga shteti. Kjo e drejtë është përfshirë për herë të parë në projektligjin e ri tëhedhur në konsultim publik “Për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në mjedis”.

  • Rritja e kostos së telefonatave në Speciale, reagon OVL-UÇK: Çnjerëzore dhe e papranueshme

    Rritja e kostos së telefonatave në Speciale, reagon OVL-UÇK: Çnjerëzore dhe e papranueshme

    OVL UÇK ka reaguar me shqetësim të thellë për vendimin që rrit dyfish kostot e komunikimit telefonik për ish-bashkëluftëtarët që ndodhen në Hagë.

    Organizata thekson se t’u shtrenjtosh zërin njerëzve që jetojnë larg familjeve të tyre nuk është luks, por një nevojë thelbësore për të ruajtur lidhjen me fëmijët, prindërit dhe bashkëshortët.

    Sipas OVL UÇK-së, kjo masë nuk është vetëm një barrë financiare, por edhe një goditje morale dhe çnjerëzore ndaj ish-bashkëluftëtarëve dhe familjeve të tyre.

    Organizata shpreh indinjatën e saj për mohimin e së drejtës elementare të të qëndruarit pranë familjeve deri në një vendim përfundimtar dhe premton të vazhdojë të ngrejë zërin për mbrojtjen e tyre.

  • Sot shqyrtohen në Komision aplikacionet për anëtarë të KGJK-së

    Sot shqyrtohen në Komision aplikacionet për anëtarë të KGJK-së

    Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit do të mblidhet sot, për të diskutuar disa pika me rëndësi.

    Pasi të miratohet rendi i ditës, në këtë Komision do të shqyrtohen aplikacionet për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

    Më pas, anëtarët e Komisionit do të njoftohen me raportin vjetor të punës së Komisionit Qeveritar për Njohjen e Statusit të ish të Burgosurve, të Dënuarve, të Përndjekurve Politikë dhe Komisionit të Ankesave.

    Mbledhja është njoftuar të fillojë në orën 09:00.

  • Koronavirusi – Varianti i ri “Cicada” që po shkakton shqetësime

    Koronavirusi – Varianti i ri “Cicada” që po shkakton shqetësime

    Një variant i ri i virusit SARS-CoV-2, që shkakton COVID-19, i njohur si “Cicada” (BA.3.2), është vënë nën monitorim nga autoritetet shëndetësore në Shtetet e Bashkuara, për shkak të numrit të madh të mutacioneve që mund të ndikojnë në imunitet.

    Varianti u identifikua për herë të parë në Afrikën e Jugut në nëntor të vitit 2024 dhe që atëherë është zbuluar në të paktën 23 vende. Në SHBA, rastet e para u regjistruan në qershor 2025 te një udhëtar nga Holanda, ndërsa më pas është gjetur edhe në mostra pacientësh dhe në ujërat e zeza, çka sugjeron një përhapje të ulët në komunitet. Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), varianti “Cicada” dallohet për numrin e lartë të mutacioneve në proteinën “spike” – rreth 70 deri në 75 – pjesa e virusit që i mundëson hyrjen në qelizat njerëzore. Kjo ka ngritur shqetësime se mund të ketë aftësi më të lartë për t’i shpëtuar imunitetit të krijuar nga vaksinat ose nga infektimet e mëparshme.

    Studimet laboratorike e mbështesin këtë vlerësim, duke treguar se BA.3.2 mund të shmangë pjesërisht neutralizimin nga antitrupat. Shkencëtarët theksojnë nevojën për monitorim të vazhdueshëm gjenomik dhe për vlerësimin e efektivitetit të vaksinave dhe trajtimeve antivirale. Megjithatë, ekspertët mbeten të kujdesshëm: deri tani, ky variant përbën një përqindje shumë të vogël të rasteve në SHBA – më pak se 0.2% e mostrave të analizuara nga dhjetori 2025 deri në shkurt 2026. Po ashtu, nuk ka prova që ai lidhet me rritje të rasteve apo me forma më të rënda të sëmundjes.

    Ndërkohë, COVID-19 vijon të ketë ndikim të konsiderueshëm në sistemin shëndetësor. Vlerësohet se gjatë periudhës 2024–2025 ka shkaktuar deri në 550 mijë shtrime në spital dhe rreth 64 mijë vdekje në SHBA. Të dhënat paraprake për sezonin aktual flasin për dhjetëra mijëra shtrime dhe viktima. Ekspertët kujtojnë se, megjithëse situata është përmirësuar krahasuar me vitet e para të pandemisë, vigjilenca mbetet thelbësore, sidomos përballë varianteve të reja me karakteristika ende të panjohura.