ATV

Author: K.B.

  • ‘‘Po ti kush je’’, Rama: Sa herë dilja jashtë vendit përfundoja në polici të aeroportit

    ‘‘Po ti kush je’’, Rama: Sa herë dilja jashtë vendit përfundoja në polici të aeroportit

    Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të enjte një takim me studentët, ku fokusi i bisedës ishte te procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimi Evropian.

    Gjatë bashkëbisedimit, Rama theksoi se vendi ndodhet përballë një momenti kyç historik, duke e cilësuar integrimin si një mundësi reale dhe të prekshme. Ai tha se “dera për në BE është e hapur” dhe autoritetet shqiptare duhet të bëjnë gjithçka për të mos e humbur këtë mundësi për shkak të dështimeve të brendshme.

    Në vijim të fjalës së tij, kryeministri ndau edhe një përvojë personale nga periudha përpara se të përfshihej në politikë.

    Ai tregoi se gjatë udhëtimeve jashtë vendit, për shkak të pasaportës shqiptare dhe procedurave të gjata në kufi, shpesh përfundonte në komisariatet e aeroporteve pas përplasjeve me autoritetet e huaja.

    Sipas Ramës, këto situata përbëjnë një formë diskriminimi që duhet të marrë fund përmes integrimit evropian.

    ‘’Sa herë dilja jashtë s’isha asgjë tjetër përveçse një shqiptar tepër i gjatë për të qenë i durueshëm përpara një polici italian sa gjysma ime. Edhe gjithmonë përfundoja në komisariatin e aeroportit, gjithmonë, rregullisht. Edhe kur shkoja, njëherëdo i thosha policit ‘’ç’ke me atë gruan, ç’ke me këtë burrin, po ti kush je’’. E kisha tmerr atë radhën, dhe thosha kur do të vijë dita që kjo pasaporta dhe të qenit shqiptar të mos shoqërohet me të tilla situata.’’, ka thënë Rama mes tjerash. /tch

  • Familja e Chuck Norris paralajmëron padi kundër lajmeve të rreme

    Familja e Chuck Norris paralajmëron padi kundër lajmeve të rreme

    Familja e aktorit të ndjerë Chuck Norris paralajmëron padi kundër mesazheve dhe videove të gjeneruara nga inteligjenca artificiale që “përhapin informacion mashtrues në lidhje me rrethanat e vdekjes së tij”.

    Familja shkroi këtë në një deklaratë në llogarinë e Instagram-it të Norris.

    “Kjo përfshin histori të sajuara rreth problemeve mjekësore të së kaluarës, si dhe histori të rreme rreth marrëdhënieve familjare”, shkruan familja.

    Ata gjithashtu kërkojnë që mesazhet dhe videot të mos besohen ose ndahen, përveç nëse vijnë direkt nga familja ose një zëdhënës zyrtar.

    Chuck Norris, i cili u bë i njohur në mbarë botën për filmat aksion dhe serialin Walker, Texas Ranger, ndërroi jetë muajin e kaluar në moshën 86 vjeç. Shkaku i vdekjes së aktorit nuk është bërë ende i ditur.

  • Dhimbje në gju gjatë ngjitjes së shkallëve: Kur është alarm dhe çfarë e shkakton

    Dhimbje në gju gjatë ngjitjes së shkallëve: Kur është alarm dhe çfarë e shkakton

    Nga dobësimi i muskujve te konsumimi i kërcit – shkaqet më të shpeshta dhe si ta lehtësoni dhimbjen

    Gjuri është nyja më e madhe në trup, shumë komplekse dhe mbart një pjesë të madhe të peshës trupore. Gjatë ngjitjes së shkallëve, rritet ndjeshëm presioni mbi kapakun e gjurit (patelën). Ky proces kërkon bashkërendim të saktë të muskujve, ligamenteve dhe kërcit. Nëse njëra prej këtyre strukturave është e mbingarkuar apo e dëmtuar, shfaqet dhimbja.

    Sindroma patelofemorale (gjuri i vrapuesit)
    Kjo është një nga shkaqet më të zakonshme të dhimbjes gjatë ngjitjes së shkallëve. Karakterizohet nga dhimbje e thellë dhe e shurdhër në pjesën e përparme të gjurit, aty ku patela lidhet me kockën e kofshës (femurin).

    Kjo gjendje ndodh si pasojë e irritimit dhe mbingarkesës së nyjës patelofemorale. Kërcit nën patelë i humbet lëvizja e lirë dhe fillon të fërkohet me femurin, duke shkaktuar dhimbje.

    Osteoartriti
    Osteoartriti është një sëmundje kronike degjenerative e nyjave. Si pasojë e dëmtimit të kërcit, shfaqen dhimbje, ngurtësi dhe ulje e lëvizshmërisë.

    Me kalimin e moshës, kërcit mbrojtës i kockave konsumohet, duke e bërë ecjen dhe përdorimin e shkallëve më të vështirë dhe të dhimbshëm. Ngurtësia është më e theksuar në mëngjes dhe shpesh shoqërohet me ndjesi “kërcitjeje” në nyje.

    Personat me artrozë shpesh e kanë më të vështirë të zbresin shkallët sesa t’i ngjiten, sidomos nëse kanë muskuj të dobët të kofshës që nuk e përballojnë mirë ngarkesën.

    Tendiniti
    Tendiniti është inflamacion i tendinave, strukturave që lidhin muskujt me kockat dhe ndihmojnë në lëvizje.

    Mbingarkesa apo lëvizjet e përsëritura mund të shkaktojnë inflamacion të tendinave në gju. Tendiniti patelar prek tendinën që lidh patelën me pjesën e poshtme të këmbës dhe e bën të dhimbshme ngjitjen e shkallëve.

    Dëmtimi i meniskut
    Menisku është një strukturë kërcore në formë gjysmëhëne që vepron si amortizator në gju.

    Ai ndodhet mes kockës së kofshës dhe asaj të kërcirit dhe ndihmon në shpërndarjen e ngarkesës dhe uljen e fërkimit. Lëvizjet e papritura apo rrotullimet e forta mund të shkaktojnë dëmtim të meniskut.

    Kjo gjendje shoqërohet me dhimbje, ënjtje, ngurtësi dhe ndjesi bllokimi në gju. Trajtimi mund të jetë konservativ (pushim, akull, fizioterapi) ose kirurgjik, në varësi të dëmtimit.

    Si ta lehtësoni dhimbjen në gju
    Jo çdo rast kërkon trajtim intensiv. Shpesh, përmirësimi arrihet me kujdes në shtëpi dhe ndryshime në stilin e jetesës.

    Metoda RICE

    Pushim – shmangni aktivitetet që përkeqësojnë dhimbjen
    Akull – aplikoni kompresa të ftohta 15–20 minuta disa herë në ditë
    Kompresion – përdorni fashë elastike për të ulur ënjtjen
    Ngritje – mbani gjurin të ngritur mbi nivelin e zemrës
    Forcimi i muskujve
    Dobësia e muskujve të kofshës shpesh është shkak i dhimbjes. Ushtrimet e lehta, si ngritja e këmbës së drejtë apo noti, ndihmojnë në stabilizimin e gjurit.

    Kontrolli i peshës trupore
    Mbipesha rrit ndjeshëm ngarkesën mbi gjunjët. Edhe një ulje e moderuar e peshës mund të reduktojë ndjeshëm dhimbjen.

    Kur duhet të konsultoheni me mjekun
    Edhe pse disa shqetësime kalojnë me pushim, ka raste kur kërkohet vlerësim mjekësor:

    ënjtje ose skuqje e vazhdueshme
    pamundësi për t’u mbështetur në këmbë
    deformim i dukshëm i gjurit
    dhimbje gjatë natës
    ndjesi dobësie ose paqëndrueshmërie
    Në këto raste, është e rëndësishme të konsultoheni me ortoped për të shmangur dëmtime afatgjata.

    Si të ruani shëndetin e gjurit
    Rekomandohet përdorimi i këpucëve të rehatshme me mbështetje të mirë, ngrohja para aktivitetit fizik, përdorimi i parmakëve gjatë ngjitjes së shkallëve dhe shmangia e qëndrimit të gjatë në të njëjtën pozicion.

    Mjekët theksojnë se reagimi i hershëm është kyç për ruajtjen e një jete aktive. Kombinimi i kujdesit në shtëpi dhe këshillave profesionale ndihmon në uljen e dhimbjes dhe rikthimin në aktivitetet e përditshme.

  • “La Vénus Électrique” hap Festivalin e Kanës 2026 me një histori iluzionesh dhe dashurie

    “La Vénus Électrique” hap Festivalin e Kanës 2026 me një histori iluzionesh dhe dashurie

    Filmi “La Vénus Électrique” i regjisorit Pierre Salvadori do të hapë edicionin e 79-të të Festivalit të Kanës, më 12 maj 2026.

    Komedia romantike me tone burleske është vendosur në Parisin e vitit 1928 dhe sjell një rrëfim që ndërthur dashurinë, mashtrimin dhe elemente të spiritizmit. Premiera do të mbahet në Grand Théâtre Lumière, menjëherë pas ceremonisë hapëse të drejtuar nga aktorja Eye Haidara.

    Filmi ndjek historinë e Antoine Balestro, një piktor i ri që humb aftësinë për të krijuar pas vdekjes së bashkëshortes. Në kërkim të një lidhjeje me të kaluarën, ai i drejtohet një mediumeje, por përfshihet në një rrjet mashtrimesh të ndërtuara nga Suzanne, një punonjëse e një luna parku. Përmes seancave të rreme spiritike, ajo dhe një galerist krijojnë një iluzion që, paradoksalisht, i rikthen artistit frymëzimin.

    Narrativa merr një kthesë emocionale kur mashtrimi shndërrohet në ndjenjë, duke e vendosur historinë në kufirin mes së vërtetës dhe iluzionit. Kjo është një temë e njohur për Salvadorin, i cili shpesh eksploron paqartësinë dhe gënjeshtrën si pjesë të natyrës njerëzore.

    Në kastin e filmit bëjnë pjesë aktorë të njohur të kinemasë franceze si Pio Marmaï, Anaïs Demoustier, Gilles Lellouche, Vimala Pons, Gustave Kervern dhe Madeleine Baudot.

    “La Vénus Électrique” do të dalë njëkohësisht edhe në kinematë franceze, duke kombinuar prestigjin e festivalit me shpërndarjen e menjëhershme për publikun e gjerë.

    Regjisori Salvadori e ka cilësuar këtë moment si një nder të veçantë, duke theksuar se filmi është një homazh për magjinë e kinemasë. Sipas tij, hapja e Festivalit të Kanës me një histori iluzionesh është një mënyrë për të kujtuar se arti i filmit, në thelb, mbetet një formë e fuqishme e magjisë.

  • Rroga e 13-të për sektorin publik, Tahiri: Marre, vendimi buron nga zotimet paraelektorale

    Rroga e 13-të për sektorin publik, Tahiri: Marre, vendimi buron nga zotimet paraelektorale

    Shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar qeverinë për vendimin lidhur me pagën e 13-të, e cila u aplikua vetëm për sektorin publik.

    Para fillimit të seancës së Kuvendit, Tahiri deklaroi për media se ky vendim buron nga zotimet paraelektorale.

    Ai theksoi se qeveria duhet urgjentisht të ndërmarrë veprime konkrete në mbështetje të punëtorëve të sektorit privat, duke kërkuar trajtim më të drejtë.

    “E di që një ndër temat thelbësore është paga e 130-të për sektorin publik, e kam në plan me adresu çështjen qysh e mendoj unë. Rroga e 13-të për publikun, për 80 mijë njerëz as nuk ka qëllim me zbutë varfërinë as nuk ka qëllim me ulë pabarazinë, është vetëm një veprim që ka buruar prej zotimit paraelektoral, dhe duke ditë që mund të shkojmë në zgjedhje, mund të ketë ndonjë ndikim në votë, dhe ndikim në zgjedhjet që mund të vijnë”, deklaroi Tahiri.

    “Ajo që iu them sot të gjithë anëtarëve të kabinetit të qeverisë, është marre me ia shpërnda pagën e 13-të sektorit publik e mos me ndihmuar askënd në sektorin privat. Sot mendja e njerëzve që kanë pak integritet e marre është të ai punëtori që është në ndërtimtari, ai që është në skele dhe ajo që është në supermarket, dhe tek ju gazetarë që punoni mbi orarin tetëorësh”.

  • Paralajmërimet për rrezik nga Irani – vendosen pajisje të reja kontrolli në Aeroportin e Rinasit, prodhim amerikan

    Paralajmërimet për rrezik nga Irani – vendosen pajisje të reja kontrolli në Aeroportin e Rinasit, prodhim amerikan

    E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn ka vizituar sot Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.

    Një vizitë e tillë vjen një ditë, pasi Ambasada amerikane në Tiranë ka theksuar se grupet e lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri.

    “Ata gjithashtu mund të synojnë vende të zakonshme, të tilla si vende turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante. Ne i inkurajojmë qytetarët amerikanë të ushtrojnë vigjilencë të shtuar”, thuhej në njoftimin e Ambasadës të mërkurën në mbrëmje.

  • Bebe Rexha fiton çmimin “Female Icon Award 2026” nga EDM Awards

    Bebe Rexha fiton çmimin “Female Icon Award 2026” nga EDM Awards

    Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare Bebe Rexha është nderuar së fundmi me çmimin “Female Icon Award 2026” nga EDM Awards, një vlerësim i rëndësishëm për ndikimin dhe kontributin e saj në muzikën dance.

    E prekur nga ky sukses, artistja ka publikuar në Instagram një video ku shfaqet duke marrë trofeun, ndërsa shpreh mirënjohje për fansat dhe komunitetin e muzikës elektronike për mbështetjen e vazhdueshme.

    “Wow, faleminderit EDMAs. Kjo është e pabesueshme. ‘Female Icon Award 2026’. Dua të falënderoj shumë fansat e mi që më kanë mbështetur gjatë këtij rrugëtimi të çmendur. Faleminderit gjithashtu komunitetit të muzikës dance që më ka pranuar. Muzika dance ka qenë gjithmonë një pjesë e madhe e jetës sime. Ka qenë arratisja ime, terapia ime – dhe vazhdon të jetë edhe sot. Nuk ka asgjë si ta dëgjosh këngën tënde në një festival, në klub apo në makinë. Kur bëhet fjalë për muzikën dance, ndjesia është krejt ndryshe. Faleminderit edhe një herë. Dhe sigurohuni të dëgjoni këngën time të re ‘New Religion’, me grupin e mrekullueshëm Faithless. Është publikuar tashmë. Cheers”, u shpreh ajo.

    Vitet e fundit, Bebe Rexha ka qenë shumë e angazhuar në zhanrin euro-dance, duke sjellë projekte që janë shndërruar në hite globale. Ndër më të suksesshmet përfshihen I’m Good (Blue), One in a Million dhe New Religion, të cilat i përkasin këtij stili muzikor.

    Ky çmim konsiderohet si një tjetër arritje e rëndësishme në karrierën e saj, duke konfirmuar ndikimin që artistja shqiptare ka në skenën ndërkombëtare të muzikës elektronike.

  • GLPS-ja e quan shkelje ligjore rishpalljen e konkursit për sekretarin e Kuvendit

    GLPS-ja e quan shkelje ligjore rishpalljen e konkursit për sekretarin e Kuvendit

    Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka shprehur shqetësim lidhur me vendimin e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës për rishpalljen e konkursit për pozitën e sekretarit të Përgjithshëm, të marrë më 30 mars.

    GLPS-ja vlerëson se vendimi përbën shkelje ligjore, pasi Kryesia ka anashkaluar procesin e rregullt të rekrutimit, duke mos përzgjedhur asnjërin nga kandidatët e ligjshëm dhe duke rishpallur konkursin pa u përfunduar procedura ligjore.

    Sipas GLPS, anulimi i konkursit mbi bazën e vetme të mungesës së votave, pa verifikuar shkelje të tjera ligjore, krijon një precedent të rrezikshëm që minon meritokracinë, profesionalizmin, depolitizimin dhe mosdiskriminimin – parime themelore të shërbimit civil.

    Grupi gjithashtu thekson se ky veprim cenon të drejtat dhe pritshmëritë e kandidatëve fitues dhe mund të dekurajojë aplikime të ardhshme për këtë pozitë.

    GLPS-ja i ka bërë thirrje Kryesisë së Kuvendit të rishqyrtojë vendimin dhe të përmbyllë procesin përmes emërimit të njërit nga kandidatët fitues, në përputhje me ligjin.

    Çdo veprim tjetër, sipas GLPS, përveç që është i paligjshëm, cenon edhe rendin juridik dhe parimet e pranimit në shërbimin civil.

  • Kurti paralajmëron takime për Presidentin ndërsa shkon në grupin parlamentar të LVV-së në Kuvend para seancës

    Kurti paralajmëron takime për Presidentin ndërsa shkon në grupin parlamentar të LVV-së në Kuvend para seancës

    Kryemnistri Albin Kurti paralajmëroi takime me opozitën lidhur me çëshjten e Presidentit.

    I pyetur nga RTV21 për këtë, Kurti u përgjigj shkurtimisht me “sigurisht”, ndërsa po shkonte në zyrën e grupit parlamentar të LVV-së në Kuvend.

    Për në orën 10:00 është paralajmëruar nisja e një seance plenare të Kuvendit.

    Ka kaluar mbi një javë që kur Gjykata Kushtetuese vendosi që Presidenti të zgjidhet në një afat prej 34 ditësh, ndërsa ende nuk është bërë asnjë lëvizje.

    Kurti paralajmëroi edhe para pak ditësh se do të takohet me kryetarët e partive opozitare, por përpara kësaj, tha “më nevojiten konsultimet e brendshme”, të cilat, siç tha ai, nuk kishte pasur ende kohë që t’i bënte.

  • Vendim i ri: Xhamat e zinj në vetura tashmë lejohen në Kosovë

    Vendim i ri: Xhamat e zinj në vetura tashmë lejohen në Kosovë

    Nga data 1 prill 2026, të gjitha automjetet që posedojnë xhama të errësuar do të duhet t’i legalizojnë ato përmes procedurës së A-TEST-it, në mënyrë që të jenë të rregullta në dokumentacion.

    Sipas njoftimit, ky proces do të kryhet në Qendrën e Automjeteve të Kosovës (QAK), ku bëhet verifikimi i përputhshmërisë së xhamave me standardet e lejuara.

    Institucionet bëjnë të ditur se pa kryerjen e A-TEST-it, foliet në xhama do të konsiderohen të parregullta, gjë që mund të sjellë edhe penalizime për drejtuesit e automjeteve.

    Pronarët e veturave që kanë vendosur folije në xhama këshillohen që të paraqiten në QAK për të kryer testimin dhe për të shmangur gjobat e mundshme.