ATV

Author: K.B.

  • Mungesa e masave të sigurisë: Ndalohen punimet në 13 vendpunishte në Prishtinë dhe Fushë Kosovë

    Mungesa e masave të sigurisë: Ndalohen punimet në 13 vendpunishte në Prishtinë dhe Fushë Kosovë

    Inspektorati Qendror i Punës, në kuadër të aktiviteteve të vazhdueshme për mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës dhe sigurisë e shëndetit në punë, ka realizuar inspektime në një numër vendpunishtesh në komunën e Prishtinës dhe të Fushë Kosovës.

    Sipas njoftimit, gjatë këtyre inspektimeve janë konstatuar shkelje të rënda të dispozitave ligjore, të cilat paraqisnin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve.

    IQP ka bërë të ditur se për shkak të mungesës së masave të nevojshme të sigurisë në punë, ka marrë vendim për ndalimin e menjëhershëm të punimeve në 13 vendpunishte, deri në eliminimin e të gjitha parregullsive të evidentuara.

    “Inspektorati Qendror i Punës u bën thirrje të gjithë punëdhënësve që të respektojnë në mënyrë rigoroze dispozitat ligjore dhe të sigurojnë kushte të sigurta pune, pasi mbrojtja e jetës dhe shëndetit të punëtorëve mbetet prioritet i panegociueshëm”, thuhet në njoftim.

  • Bajrami kërkon mbledhje urgjente të Qeverisë: Të ndahen mjete për kompensimin e dëmeve nga breshri

    Bajrami kërkon mbledhje urgjente të Qeverisë: Të ndahen mjete për kompensimin e dëmeve nga breshri

    Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar pas dëmeve të shkaktuara nga reshjet e dendura të breshrit në komunën e Istogut dhe në zona të tjera të vendit, duke kërkuar veprim urgjent nga institucionet.

    Përmes një postimi në Facebook, Bajrami i bëri thirrje qeverisë në detyrë që të mbajë një mbledhje urgjente dhe të ndajë mjete buxhetore për kompensimin e dëmeve të pësuara nga fermerët.

    Ajo theksoi se mbështetja e bujqve është përgjegjësi e shtetit dhe jo çështje që duhet t’u lihet në dorë rrethanave.

    “Kjo është detyrë e shtetit. LDK kërkon krijimin e një skeme të sigurimeve bujqësore, që fermerët të mos mbeten çdo vit në mëshirën e fatit. Sot nuk duhen arsyetime, duhen veprime konkrete. Fermerët nuk duhet të lihen vetë, sepse pa ta nuk ka as bujqësi, as siguri ushqimore”, ka shkruar Bajrami.

    Reshjet e breshrit, të shoqëruara me mot të ligë, kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në kulturat bujqësore në disa komuna të Kosovës, veçanërisht në rajonin e Istogut.

  • Gjesti human i Labit për djalin e Shpat Kasapit – do të ndajë 150 euro nga çdo dasmë dhe mbrëmje muzikore për Roelin

    Gjesti human i Labit për djalin e Shpat Kasapit – do të ndajë 150 euro nga çdo dasmë dhe mbrëmje muzikore për Roelin

    Këngëtari i njohur shqiptar, Labinot Tahiri, ka bërë një deklaratë emocionuese përmes një postimi në Instagram, ku ka shprehur dashurinë dhe respektin për mikun dhe kolegun e tij të ndjerë, Shpat Kasapi.

    Tahiri ka bërë të ditur se ka vendosur të ndajë një pjesë të të ardhurave të tij nga mbrëmjet muzikore dhe dasmat për djalin e Shpatit, Roelin, duke theksuar se ky është një premtim që e ka mbajtur në zemër prej kohësh.

    Në postimin e tij, Labi shprehet se ndihma nuk duhet të mbetet vetëm në fjalë, por të shndërrohet në vepra konkrete për familjen e artistit që vazhdon të jetojë në kujtimet e publikut.

    Postimi i plotë i Labit (pa ndërhyrje):

    “Për djalin e artistit që jeton përgjithmonë në zemrat tona, edhe pse sot nuk është më mes nesh, Shpat Kasapit.

    Shpatin e kam pasur shok e koleg, si shumë artistë të tjerë.

    Djalit të tij i kam ndihmuar edhe privatisht, por sot kam vendosur diçka që do ta bëj me zemër.

    Nga ky sezon e tutje, dhe për sa kohë Zoti ma jep mundësinë të punoj, nga çdo mbrëmje vjetore -muzikore dhe dasmë do t’i ndaj nga 150 euro për Roelin, për shëndetin e tij dhe për ditët e jetës së tij.

    Numri i mbremjeve te mia është i madh me shumë se 50 ne kete sezone , e si ne Kosove dhe në evrope e Amerike dhe numrin e dasmave dhe te mbremjeve e dimë ne si ekip, organizatoret e po ashtu edhe ATK-ja e Kosovës, sepse çdo gjë e deklaroj me rregull.

    Të hollat do t’i dërgohen zonjës Selvie, nënës së Roelit, e cila kujdeset për të me gjithë shpirt, bashkë me Zotin dhe njerëzit zemërmirë.

    Zonja Selvie dhe nëna e Shpatit, mos u mërzitni për anën materiale. Sa të jemi ne, nuk do të jeni vetëm.

    Këtë fjalë ia pata dhënë mikes sime, motrës sonë Big Mama, dhe shokut të Shpatit, Xenit, se një ditë do ta merrja këtë vendim. Sot po e mbaj atë premtim.

    Kolegë e kolege, e di që të gjithë e kemi dashur Shpatin.

    Ende ia këndojmë këngët, e kujtojmë me mall dhe flasim për të nëpër intervista, koncerte e mbrëmje.

    Por, përveç fjalëve, ta tregojmë dashurinë edhe me vepra.

    Ta ndihmojmë familjen e tij sa herë të kemi mundësi. Besoj se kjo është dhurata më e bukur që mund t’ia bëjmë kujtimit të Shpatit.

    E di që familjen e Shpatit për djalin Roelin do ta ndihmojnë edhe shumë artistë siq e kanë ndihmuar Ermal Fejzullahu, Big Mama, Burak Vehapi, Pandora, Labi Gashi i cili e ka perkah tere jeten Shpatin dhe shumë te tjere, se bashku me mergimtarë të cilët me kanë shenuar edhe privatisht.

    Ju falënderoj të gjithëve.Me dashuri për Roelin dhe familjen e po ashtu edhe për secilin nga ju,

    Labi, Kosovë e Shqipërisë”.

  • AUV apel urgjent fermerëve: Rritni masat e biosigurisë për të parandaluar Mortajën Afrikane të Derrave

    AUV apel urgjent fermerëve: Rritni masat e biosigurisë për të parandaluar Mortajën Afrikane të Derrave

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka bërë thirrje për vigjilencë të shtuar ndaj të gjithë fermerëve që mbarështojnë derra, pas përkeqësimit të situatës epidemiologjike në vendet e rajonit, ku janë konfirmuar shpërthime të Mortajës Afrikane të Derrave (ASF).

    Sipas AUV-së, megjithëse deri më tani nuk është regjistruar asnjë rast i kësaj sëmundjeje në Republikën e Kosovës, rreziku i përhapjes mbetet i lartë. Për këtë arsye, institucioni u kërkon fermerëve që të zbatojnë me përpikëri masat e biosigurisë, si mënyra më efektive për parandalimin e hyrjes dhe përhapjes së sëmundjes në fermat e vendit.

    “Në mbështetje të Ligjit Nr. 2004/21 për Veterinarinë. AUV kërkon nga fermerët mbajtës të Derrave të aktivizojnë masat e përgjithshme për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjes Mortajës Afrikane e Derrave (ASF)”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu, fermerëve u rekomandohet të mos përdorin mbetje ushqimore për ushqimin e derrave dhe të blejnë kafshë vetëm nga ferma të regjistruara, të pajisura me dokumentacion veterinar. AUV u bën thirrje që çdo rast i ngordhjes së papritur, temperaturës së lartë, mungesës së oreksit, dobësisë apo shenjave të tjera të pazakonshme tek derrat të raportohet menjëherë te veterineri ose në Zyrën Rajonale të Agjencisë.

    Agjencia thekson se Mortaja Afrikane e Derrave nuk transmetohet te njerëzit dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin publik. Megjithatë, bëhet fjalë për një sëmundje shumë ngjitëse për derrat, e cila mund të shkaktojë dëme të konsiderueshme ekonomike në sektorin e blegtorisë nëse nuk respektohen masat e biosigurisë.

    AUV njofton se është në monitorim të vazhdueshëm të situatës epidemiologjike dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve në Republikën e Kosovës.

    Agjencia apelon për bashkëpunim dhe përgjegjësi nga ana e fermerëve, duke theksuar se parandalimi i hyrjes së Mortajës Afrikane të Derrave varet nga zbatimi rigoroz i masave të biosigurisë në çdo fermë.

  • Të shtëna në ahengje familjare, Policia konfiskon katër armë në Prizren dhe Suharekë

    Të shtëna në ahengje familjare, Policia konfiskon katër armë në Prizren dhe Suharekë

    Policia e Kosovës në Prizren ka sekuestruar katër armë zjarri gjatë javës së fundit në raste të ndara në Prizren dhe Suharekë, si pjesë e operacioneve për parandalimin e incidenteve të rrezikshme dhe rritjen e sigurisë publike.

    Sipas njoftimit, janë konfiskuar tri pistoleta dhe një armë automatike AK-47, ndërsa në dy raste armët janë gjetur pas informacioneve të pranuara nga qytetarë anonimë për të shtëna me armë në gazmende familjare.

    Në tre prej katër rasteve, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit dhe ndaj tyre janë iniciuar procedura penale për veprat “Mbajtje, kontroll apo posedim i paautorizuar i armës” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

    Policia e Kosovës ka ritheksuar se të shtënat me armë në ahengje familjare nuk tolerohen dhe se do të vazhdojë veprimet për parandalimin e posedimit të paligjshëm të armëve dhe ruajtjen e rendit e sigurisë publike.

  • Nis projekti “Not për çdo nxënës”: Pishina e Gërmisë hap dyert falas për fëmijët e Prishtinës

    Nis projekti “Not për çdo nxënës”: Pishina e Gërmisë hap dyert falas për fëmijët e Prishtinës

    Në kuadër të përpjekjeve për masovizimin e aktiviteteve fizike dhe rritjen e sigurisë së fëmijëve në ujë, Komuna e Prishtinës ka nisur zyrtarisht programin e ri të mësimit të notit për nxënësit e shkollave publike të kryeqytetit.

    Projekti është jetësuar përmes një bashkëpunimi dypalësh mes Drejtorisë së Arsimit dhe Drejtorisë së Sportit, të udhëhequr nga drejtori Granit Geci, në partneritet me ndërmarrjen “Sport Marketing”.

    “Çdo nxënës i Prishtinës meriton ta ketë mundësinë ta mësojë notin. Sot, bashkë me Drejtorin e Sportit, Granit Geci dhe Sport Marketing, e nisëm programin e mësimit të notit për nxënësit e shkollave publike të Prishtinës, për grupmoshat 9-11 vjeç,” ka deklaruar Elshani.

    Udhëheqësit komunalë kanë konfirmuar përkushtimin e tyre për t’u ofruar të gjithë fëmijëve të grupmoshave 9 deri në 11 vjeç qasje të barabartë në këtë disiplinë.

    Më tej, i pari i arsimit kryeqytetas nëntashkroi rëndësinë e veçantë që bart noti përveç aspektit rekreativ e garues, duke e cilësuar atë si një element esencial të edukimit dhe sigurisë së fëmijëve.

    “Noti nuk është vetëm sport. Është një aftësi jetësore që çdo fëmijë duhet ta ketë,” është shprehur Elshani.

    Ai bëri të ditur se sesionet stërvitore do të zhvillohen pa asnjë kosto financiare për familjet në hapësirat e Pishinës së Gërmisë nga fundi i korrikut deri në pjesën e dytë të gushtit, ndërsa ftoi të gjithë prindërit që t’i regjistrojnë fëmijët e tyre përmes platformës online noti.kryeqyteti.net.

    Kjo iniciativë pritet të shërbejë si bazë e mirë për zhvillimin e mëtejmë të sporteve ujore në kryeqytet, duke ndihmuar njëkohësisht në zbulimin e talentëve të rinj që nesër mund të përfaqësojnë Prishtinën edhe në nivel garues.

  • Shpëtohen nëna dhe djali i mitur në Shëngjin, rrezikuan të mbyteshin në det

    Shpëtohen nëna dhe djali i mitur në Shëngjin, rrezikuan të mbyteshin në det

    Një ngjarje e rëndë është shmangur në plazhin e Shëngjinit këtë të hënë, ku një grua dhe djali i saj i mitur rrezikuan të mbyteshin teksa ishin futur në det për t’u larë. Incidenti ndodhi në zonën e Ranës së Hedhun. Sipas te dhënave paraprake, nënë e bir, në rrethana ende të paqarta kanë hasur vështirësi në ujë duke rrezikuar jetën.

    Ndërhyrja e menjëhershme e rojeve bregdetare te ndihmuar edhe nga pushues të tjerë, bënë të mundur nxjerrjen e tyre në kohë nga deti.

    Shërbimet e urgjencës mbërritën me shpejtësi në vendngjarje, duke u dhënë ndihmën e parë mjekësore, pasi dyshohet se kishin konsumuar sasi të konsiderueshme uji.

    Aktualisht, nëna dhe fëmija ndodhen në Spitalin e Lezhës, ku po marrin ndihme mjekësore dhe fatmirësisht gjendja e tyre paraqitet e stabilizuar dhe jashtë rrezikut për jetën.

  • Paunoviq me pagë drejtoreshe në një institucion të mbyllur në Kosovë

    Paunoviq me pagë drejtoreshe në një institucion të mbyllur në Kosovë

    Para se të emërohej ministre në Qeverinë e Serbisë në vitin 2025, Snezhana Paunoviq merrte pagë si deputete, por edhe si drejtoreshë e Institucionit Farmaceutik të Pejës në Kosovë.

    Ky institucion, me seli në Gorazhdec, nuk ekziston zyrtarisht që nga viti 2021.

    Radio Evropa e Lirë konstatoi se ai është mbyllur më 7 tetor 2021, me vendim të Qeverisë së Serbisë.

    Se farmacia nuk ekziston më, e konfirmon për Radion Evropa e Lirë edhe gazetari i Radio Gorazhdecit, Damjan Portiq.

    Kërkesën për ta fshirë nga regjistri i institucioneve shëndetësore në vitin 2021 e kishte dorëzuar vetë Paunoviq, tregojnë dokumentet e analizuara nga Radio Evropa e Lirë.

    Megjithatë, ajo vazhdoi të merrte pagë si ushtruese e detyrës së drejtoreshës së Institucionit Farmaceutik të Pejës deri më 15 prill 2025, kur u emërua ministre.

    Kjo dëshmohet nga deklarimet e të ardhurave dhe pasurisë që vetë Paunoviq i ka dorëzuar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit në Serbi.

    Dorëzimi i këtyre deklarimeve është detyrim ligjor për zyrtarët publikë.

    Deri në publikimin e këtij artikulli, Qeveria e Serbisë, Zyra për Kosovën në këtë qeveri, Fondi Republikan për Sigurime Shëndetësore, si dhe ministritë përgjegjëse për institucionet shtetërore shëndetësore nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me të ardhurat e Paunoviqit dhe funksionin e saj në një institucion që ka pushuar së ekzistuari.

    Përgjigje nuk dha as kabineti i ministres Paunoviq, e cila nxiti reagime të ashpra në rajon dhe në Bashkimin Evropian pasi deklaroi se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht” Kosovën.

    Më pas, ajo pretendoi se deklarata e saj ishte nxjerrë jashtë kontekstit, por shtoi se qëndron pas çdo fjale të thënë.

    E vetmja gjë që do të ndryshonte, sipas saj, do të ishte përdorimi i termit “dëbim” në vend të “spastrimit etnik”, për të shmangur, siç u shpreh, linçimin publik.

    Paunoviq u kërkoi falje presidentit dhe kryeministrit të Serbisë për reagimet që shkaktoi deklarata e saj, por jo shqiptarëve të Kosovës.

    Autoritetet e Kosovës e shpallën atë person të padëshirueshëm, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se deklarata e saj nuk pasqyron qëndrimin e autoriteteve në Beograd.

    Megjithatë, deri më tani, nuk ka pasur përgjigje ndaj kërkesave të një pjese të opozitës serbe për shkarkimin e saj.

    Sa fitoi Paunoviq si drejtoreshë?

    Në deklarimin e pasurisë dhe të ardhurave për vitin 2025, Paunoviq ka deklaruar se për 11 vjet ka qenë në krye të Institucionit Farmaceutik të Pejës.

    Sipas deklarimit, ajo ka ushtruar detyrën e drejtoreshës nga 16 prilli 2014 deri më 15 prill 2025.

    Një ditë më vonë, ajo u emërua ministre për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale në Qeverinë e Serbisë.

    Me marrjen e postit ministror, asaj i pushuan automatikisht funksionet e tjera, në përputhje me ligjin.

    Sipas një analize të Radios Evropa e Lirë, gjatë 11 vjetëve sa drejtoi, sipas dokumenteve zyrtare, Institucionin Farmaceutik të Pejës, Paunoviq ka marrë rreth 146 mijë euro paga nga buxheti i Serbisë.

    Regjistri i Serbisë nuk tregon nëse ky institucion farmaceutik kishte të punësuar dhe sa ishte numri i tyre.

    Po ashtu, nuk janë të qasshme publikisht as raportet financiare që do të tregonin mënyrën se si ka funksionuar ky institucion.

    Selia e tij zyrtare nuk ishte në Pejë, por në Gorazhdec – një fshat me shumicë serbe pranë Pejës.

    Sot, ai institucion nuk ekziston më.

    Gazetari i Radios Gorazhdeci, Damjan Portiq, thotë se farmacia ka funksionuar deri para disa vitesh, por nuk ka qenë asnjëherë e furnizuar mirë.

    “Ishin në dispozicion vetëm barnat më bazike”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë, duke shtuar se drejtuesit e Institucionit Farmaceutik, për vite me radhë, nuk bënë pothuajse asgjë për t’ua lehtësuar qytetarëve qasjen në barna.

    Sipas tij, sot në Gorazhdec funksionon vetëm një farmaci në kuadër të Shtëpisë së Shëndetit.

    Pas luftës së vitit 1999, kur humbi kontrollin faktik mbi Kosovën, Beogradi zyrtar vazhdoi të mbajë nën administrimin e tij një numër ndërmarrjesh dhe institucionesh publike, duke i zhvendosur ato në Serbi ose në komunat e Kosovës me shumicë serbe.

    Po ashtu, u krijuan institucione të reja lokale dhe organe komunale brenda sistemit serb, të cilat autoritetet në Prishtinë, me arsyetimin se ishin të paligjshme, nisën t’i mbyllnin në vitin 2024.

    Ndërkohë, institucionet shëndetësore dhe arsimore që funksionojnë sipas sistemit serb në mjediset me shumicë serbe, vazhdojnë të operojnë në Kosovë si pjesë e sistemit paralel.

    Serbia i themelon, i financon dhe i mbyll këto institucione sipas legjislacionit të saj, si dhe emëron drejtuesit e tyre.

    Kështu, Institucioni Farmaceutik i Pejës ekzistoi deri më 7 tetor 2021.

    Atë ditë, Paunoviq, në cilësinë e ushtrueses së detyrës së drejtoreshës, dorëzoi kërkesën për shuarjen e institucionit.

    Në kërkesë thuhej se Institucioni Farmaceutik është fshirë nga regjistri në bazë të një vendimi të Qeverisë së Serbisë, të miratuar disa muaj më herët, në shkurt të vitit 2021.

    Në dokument sqarohej se ishte themeluar Institucioni Farmaceutik në Mitrovicën e Veriut.

    Si rezultat, pushuan së ekzistuari institucionet farmaceutike të Pejës, Prizrenit, Gjilanit dhe Prishtinës.

    Ndonëse institucioni në Pejë është shuar zyrtarisht, Paunoviq vazhdoi ta deklaronte pagën e drejtoreshës si të ardhur të saj.

    Në deklarimet e pasurisë të dorëzuara në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit në Serbi për vitet 2023 dhe 2024, ajo deklaroi se, si ushtruese detyre e drejtoreshës së Institucionit Farmaceutik në Pejë, merr një pagë mujore prej 131 mijë dinarësh, ose rreth 1.100 euro.

    “Kjo nuk është hera e vetme që disa persona mbajnë pozita pa kryer asnjë punë, por vazhdojnë të paguhen nga buxheti i Serbisë, ndërkohë që shumë njerëz që jetojnë në Kosovë nuk kanë mundur të punësohen”, thotë Portiq.

    Vetë Paunoviq ka deklaruar më herët për mediat në Beograd se nuk ka qenë në Kosovë që nga viti 2022, pasi pretendon se autoritetet në Prishtinë nuk e lejojnë të hyjë në territorin e Kosovës.

    Deri në publikimin e këtij artikulli, ajo nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se si ka mundur të drejtojë një institucion farmaceutik në Kosovë, nëse nuk ka mundur ta kalojë kufirin.

    Në fund të vitit 2023, Qeveria e Serbisë miratoi një vendim për riorganizimin e institucioneve farmaceutike në Kosovë.

    Sipas këtij vendimi, do të rithemeloheshin barnatore në Pejë dhe në disa qytete të tjera të Kosovës.

    “Nga dita e regjistrimit në regjistrin përkatës, institucioni farmaceutik fillon punën”, thuhet në vendim.

    Megjithatë, deri më sot, këto institucione nuk janë regjistruar.

    Gjashtë deklarime të pasurisë dhe të ardhurave

    Deri më tani, Snezhana Paunoviq ka dorëzuar gjashtë deklarime të pasurisë dhe të ardhurave në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit në Serbi.

    Në deklarimin e parë, të dorëzuar në janar të vitit 2014, ajo raportoi se mbante dy funksione: deputete në Kuvendin e Serbisë dhe kryetare e Bordit Mbikëqyrës të Aeroportit “Nikolla Teslla” në Beograd.

    Paunoviq u bë deputete për herë të parë në tetor të vitit 2013, ndërsa në Bordin Mbikëqyrës të aeroportit ishte emëruar në korrik të po atij viti.

    Ajo i mori këto poste në një periudhë kur Partia Përparimtare Serbe (SNS), e udhëhequr nga presidenti aktual, Aleksandar Vuçiq, po forconte pushtetin së bashku me partneren e saj të koalicionit, Partinë Socialiste të Serbisë (SPS), ku Paunoviq është zyrtare e lartë.

    Sipas deklarimit të saj, në atë kohë merrte dy paga, me një vlerë totale prej mbi 1.200 eurosh në muaj.

    Si deputete paguhej rreth 710 euro, ndërsa për postin e kryetares së Bordit Mbikëqyrës të aeroportit merrte edhe rreth 560 euro.

    Mandati i saj si deputete përfundoi në vitin 2014, kur Kuvendi u shpërnda për shkak të zgjedhjeve.

    Po atë vit, ajo mori drejtimin e Institucionit Farmaceutik në Pejë – post në të cilin do të qëndronte për 11 vjet.

    Qeveria e Serbisë miratoi vendimin për emërimin e saj si ushtruese detyre e drejtoreshës më 7 mars 2014.

    Dokumenti është nënshkruar nga Ivica Daçiq, kryeministër i atëhershëm dhe lider i Partisë Socialiste të Serbisë.

    Pas një ndërprerjeje gati dyvjeçare, Paunoviq u rikthye në Kuvendin e Serbisë në vitin 2016. Ajo u rizgjodh deputete edhe pas zgjedhjeve të viteve 2020 dhe 2022.

    Gjatë kësaj periudhe, krahas pagës si drejtoreshë, ajo merrte kompensim edhe si deputete.

    Ky kompensim u takon deputetëve që, njëkohësisht, ushtrojnë edhe një funksion tjetër publik për të cilin marrin pagë.

    Nga gushti i vitit 2022 deri në prill të vitit 2025, Paunoviq ishte edhe nënkryetare e Kuvendit të Serbisë, para se të emërohej ministre.

    Çfarë tjetër ka Paunoviq?

    Në deklarimin e parë të pasurisë, të dorëzuar në janar të vitit 2014, Paunoviq raportoi se ishte pronare e një shtëpie prej 90 metrash katrorë.

    Në deklarim nuk specifikohej se ku ndodhej ajo shtëpi dhe as vlera e saj.

    Aty thuhej vetëm se ishte blerë me hua financiare, pa u bërë e ditur shuma.

    Katër vjet më vonë, në deklarimin e radhës, kjo shtëpi nuk figuronte më në listën e pasurisë.

    As në deklarimet e mëvonshme të dorëzuara në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, Paunoviq nuk raportoi se kishte ndonjë pronë të paluajtshme në emrin e saj.

    Se ku jeton aktualisht, nuk dihet.

    Në një deklaratë për mediat, ajo ka thënë se posedon dokumente personale serbe me adresë në Pejë.

    Autoritetet e Kosovës i konsiderojnë këto dokumente të paligjshme.

    Konflikti i interesit

    Në vitin 2018, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit në Serbi konstatoi se Paunoviq kishte shkelur legjislacionin kundër korrupsionit.

    Në vendimin e saj thuhej se, si ushtruese e detyrës së drejtoreshës së Institucionit Farmaceutik në Pejë, ajo kishte nisur njëkohësisht të ushtronte edhe funksionin e deputetes në Kuvendin e Serbisë, pa marrë më parë pëlqimin e Agjencisë për të vlerësuar nëse ekzistonte konflikt interesi.

    Për këtë shkelje, Agjencia i shqiptoi masën e publikimit të vendimit për shkelje të ligjit.

    Sipas një analize të Qendrës për Gazetari Hulumtuese të Serbisë (CINS), të publikuar në vitin 2020, Paunoviq ishte deputetja e Partisë Socialiste që kishte shkelur më së shumti Ligjin për Agjencinë kundër Korrupsionit.

    Ajo kishte vonuar në dy raste dorëzimin e deklarimeve të pasurisë dhe të ardhurave.

    Shpenzimet e udhëtimit nga Peja

    Qendra për Gazetari Hulumtuese e Serbisë (CINS) kishte raportuar më herët se Snezhana Paunoviq kishte përfituar rreth 22 mijë euro nga Kuvendi i Serbisë si kompensim për shpenzimet e udhëtimit në relacionin Beograd-Pejë.

    Këto shpenzime ishin rimbursuar gjatë mandatit të saj si deputete, nga viti 2016 deri më 2020.

    Megjithatë, sipas hulumtimit të CINS-it, gjatë asaj periudhe, Paunoviq jetonte me familjen e saj në Beograd, e jo në Kosovë.

    Në një deklaratë për mediat më 16 korrik, ministrja tha se lidhur me shpenzimet e saj të udhëtimit, “po gënjehet në mënyrë kolektive”, por nuk dha sqarime për shumën e përfituar dhe as për mënyrën se si ishin krijuar këto shpenzime.

    Në Partinë Socialiste që nga vitet ‘90

    Snezhana Paunoviq ka lindur në Pejë.

    Në biografinë e publikuar në faqen e Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), ajo thotë se është ekonomiste, por nuk specifikon se në cilin fakultet ka diplomuar.

    Sipas biografisë, ajo është anëtare e SPS-së që nga viti 1992.

    Ishte periudha e luftërave në territorin e atëhershëm të Republikës Federale të Jugosllavisë, kur si partinë, ashtu edhe shtetin, e udhëhiqte Sllobodan Millosheviq.

    Më vonë, ai u akuzua nga Tribunali i Hagës, ndër të tjera, për krime kundër civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999.

    Deklaratën për “spastrimin etnik” të shqiptarëve, Paunoviq e bëri për televizionin serb, Kurir, duke iu përgjigjur pyetjes se çfarë do të kishte bërë ndryshe në vitin 1998, po të ishte në vend të Millosheviqit.

    “Ndoshta termi nuk ishte i duhuri. Ndoshta do të duhej të thosha dëbim, vetëm që të mos më kryqëzojnë nga të gjitha anët”, deklaroi Paunoviq disa ditë më vonë.

    Çfarë mund ta ndalë gjuhën e ashpër të Serbisë karshi Kosovës?

    Duke folur për jetën në Kosovë, Paunoviq tha se gjatë luftës ka qenë “viktimë e spastrimit etnik” nga shqiptarët.

    Me këtë vlerësim “u pajtua” edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili, megjithatë, tha se kjo nuk e zbeh nevojën për “një paraqitje të përgjegjshme publike”.

    “Vetë Snezhana është viktimë e spastrimit etnik, por kjo porosi duhet të jetë krejtësisht e qartë. Politika jonë është paqja, stabiliteti dhe nuk ka vend për spastrim etnik”, tha Vuçiq.

    Çfarë ndodhi gjatë luftës në Kosovë?

    Gjatë luftës në Kosovë u vranë mbi 13 mijë civilë, shumica prej tyre shqiptarë, ndërsa mbi 1.500 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.

    Udhëheqësit e Jugosllavisë së atëhershme, përfshirë drejtuesit e forcave të sigurisë, u cilësuan nga Tribunali i Hagës si pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale, që kishte për synim dëbimin me forcë të qindra mijëra civilëve shqiptarë nga Kosova, në periudhën mars-qershor 1999.

    Ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë së Jugosllavisë, Nebojsha Pavkoviq, u dënua me 22 vjet burg për dëbim, zhvendosje të detyrueshme, vrasje dhe përndjekje të civilëve shqiptarë.

    Së bashku me të u dënuan edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, Dragolub Ojdaniq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës, Vlladimir Llazareviq, gjenerali i policisë, Sreten Llukiq, dhe ish-zëvendëskryeministri i Republikës Federale të Jugosllavisë, Nikolla Shainoviq.

    I akuzuari kryesor, Sllobodan Millosheviq, vdiq në paraburgimin e Tribunalit të Hagës para se të përfundonte gjykimi, ndërsa ish-presidenti i Serbisë, Millan Millutinoviq, u shpall i pafajshëm.

    Paunoviq në biografinë e saj deklaron gjithashtu se, nga viti 2006 deri në vitin 2013, ka qenë koordinatore në komunat e Gjakovës dhe Deçanit në Kosovë.

    Në këto poste ishte emëruar nga Qeveria e Serbisë.

    Gjatë karrierës së saj ka mbajtur edhe funksione të tjera në Partinë Socialiste të Serbisë, ndërsa që nga viti 2024 është edhe nënkryetare e partisë. /REL

  • Kurti uron kryeministrin e ri britanik, pret forcim të bashkëpunimit mes dy vendeve

    Kurti uron kryeministrin e ri britanik, pret forcim të bashkëpunimit mes dy vendeve

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti e ka uruar Andy Burnham për marrjen e detyrës së kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar.

    Kurti tha se pret “me padurim” që të vazhdojë bashkëpunimi “i ngushtë” ndërmjet dy qeverive.

    “Shumë urime Kryeministrit të ri të Mbretërisë së Bashkuar, Andy Burnham. Pres me padurim të vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet qeverive tona në një gamë të gjerë vlerash dhe prioritetesh të përbashkëta, përfshirë promovimin e tregtisë dhe investimeve, mbrojtjen e demokracisë nga ndikimi dashakeq i Rusisë dhe proxy-ve të saj në Evropën Juglindore, si dhe rritjen e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Forcave të Armatosura Britanike”, shkroi ai në X.

    Postimin e Kurtit në X e ndau edhe në Facebook Qeveria në detyrë e Kosovës.

    Andy Burnham është bërë kryeministri i gjashtë i Mbretërisë së Bashkuar në dhjetë vjetët e fundit, pas dorëheqjes së Keir Starmer.

  • “Gjendja është alarmante”, Lladrovci fajëson Ujësjellësin dhe Qeverinë për krizën e ujit në Drenas

    “Gjendja është alarmante”, Lladrovci fajëson Ujësjellësin dhe Qeverinë për krizën e ujit në Drenas

    Qytetarët e Drenasit janë duke u përballur me mungesë të madhe të ujit të pijshëm.
    Kjo po iu shkakton atyre telashe të mëdha duke ua bërë jetën të papërballueshme.

    Lidhur me gjendjen, në emisionin “Fol me Arin” në Klan Kosova ka folur kryetari Ramiz Lladrovci.

    Ai tha se gjendja është alarmante, ndërsa ka akuzuar Ujësjellësin, si dhe Qeverinë.

    “Ujësjellësi nuk krijon kushte për të pasur ujë qytetarët e Drenasit. Edhe me këta kemi pasur mbledhje, kemi pasur dëgjime. Kemi provuar me pasë veprime, por sipas Ujësjellësit, pompat të cilat e sjellin ujin nga Liqeni i Ujmani në Bivolak janë të prishura prej disa muajsh dhe Qeveria nuk ka qenë e gatshme dhe as ujësjellësi që t’i riparojë më shpejtë, për t’i furnizuar me ujë qytetarët”, u shpreh Lladrovci.