ATV

Author: K.B.

  • Eurodeputeti Waitz ngre në Bruksel çështjen e gazit në Kosovë

    Eurodeputeti Waitz ngre në Bruksel çështjen e gazit në Kosovë

    Eurodeputeti austriak Thomas Waitz, nga grupi i të Gjelbërve në Parlamentin Evropian, i ka drejtuar Komisionit Evropian pyetje me shkrim lidhur me planet dhe diskutimet për ndërtimin e infrastrukturës së re të gazit fosil në vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, përfshirë Kosovën.

    Në pyetjet e dorëzuara ditë më parë, Waitz thekson se Kosova ka miratuar Strategjinë e Energjisë, është në përfundim të Planit Kombëtar për Energjinë dhe Klimën (NECP), po zbaton obligimet që rrjedhin nga Ligji për Klimën dhe po përgatit kontributin e saj vullnetar për klimën.

    Megjithatë, ai vëren se së fundi janë intensifikuar diskutimet politike për zhvillimin e infrastrukturës së gazit fosil, ndonëse Kosova aktualisht nuk ka treg të gazit, rrjet shpërndarës, kapacitete magazinimi apo një bazë të identifikuar të kërkesës për gaz.

    Përmes tri pyetjeve drejtuar Komisionit Evropian, Waitz kërkon të dijë se si Komisioni i vlerëson propozimet për ndërtimin e infrastrukturës së re të gazit fosil në vendet kandidate që nuk kanë infrastrukturë ekzistuese të gazit, në përputhje me objektivat e Agjendës së Gjelbër, detyrimet ndaj Komunitetit të Energjisë dhe procesin e hartimit të NECP-së.

    Ai gjithashtu pyet nëse investimet e mundshme në energji nga vende të treta dhe partnerë ndërkombëtarë duhet të jenë në përputhje me strategjitë kombëtare të energjisë të miratuara nga vendet kandidate dhe me rrethanat reale në terren, në mënyrë që të sigurohet koherenca me tranzicionin energjetik të mbështetur nga Bashkimi Evropian.

    Në fund, eurodeputeti kërkon të dijë se si Komisioni Evropian planifikon të mbështesë debatin publik të bazuar në fakte dhe planifikimin strategjik në vendet e zgjerimit, në një kohë kur diskutimet për gazin fosil po ndikojnë gjithnjë e më shumë në debatin politik, pavarësisht objektivave afatgjata për dekarbonizim, zgjerimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, rritjen e efikasitetit energjetik dhe uljen e emetimeve të gazrave serrë./RTK

  • Premtimi i parë i Burnham si kryeministër: Do t’i japim fund fjetjes në rrugë të të pastrehëve në Angli

    Premtimi i parë i Burnham si kryeministër: Do t’i japim fund fjetjes në rrugë të të pastrehëve në Angli

    Kryeministri i ri i Mbretërisë së Bashkuar, Andy Burnham, mbajti këtë të hënë fjalimin e tij të parë pas marrjes së detyrës, duke premtuar se do t’i japë fund fenomenit të të pastrehëve që flenë në rrugë në të gjithë vendin.

    Burnham, i cili për katër vite ka drejtuar çështjet e strehimit si kryebashkiak i Mançesterit të Madh, deklaroi se qeveria e tij do të angazhohet për eliminimin sa më të shpejtë të fjetjes afatgjatë në rrugë.

    “Në ditën time të parë si kryeministër, po njoftoj angazhimin e kësaj qeverie për t’i dhënë fund sa më shpejt të jetë e mundur fjetjes afatgjatë në rrugë në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar”, tha Burnham.

    Sipas autoriteteve britanike, qeveria do të investojë 340 milionë paund shtesë në strategjinë kombëtare për të pastrehët. Fondet, të cilat do të sigurohen nga pjesë të papërdorura të buxhetit të departamentit të strehimit, do të përdoren për ndërtimin e 1 200 banesave të reja dhe për të mbështetur rreth 3 000 persona gjatë pesë viteve të ardhshme.

    Andy Burnham është i njohur për politikat e tij në këtë fushë, përfshirë programin “Një Shtrat Çdo Natë”, i cili synon sigurimin e strehimit emergjent për personat në vështirësi, si dhe skemën “Housing First”, që fokusohet në sigurimin e strehimit afatgjatë për të pastrehët.

    Megjithatë, premtimi i tij është pritur me kritika nga kundërshtarët politikë. Ata argumentojnë se gjatë katër viteve të fundit, periudhë kur Burnham ka drejtuar si kryebashkiak Mançesterin e Madh, numri i personave që flenë në rrugë është rritur.

  • Hykmete Bajrami i kërkon me urgjencë Kurtit të aktivizojë shtetin për të ndalur zjarrin në deponinë e Sferkës

    Hykmete Bajrami i kërkon me urgjencë Kurtit të aktivizojë shtetin për të ndalur zjarrin në deponinë e Sferkës

    Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të ndërhyjë urgjentisht për situatën e krijuar nga zjarri në deponinë e Sferkës, duke paralajmëruar se bëhet fjalë për një “katastrofë ekologjike”.

    Bajrami ka thënë se sipas informacioneve të fundit, disa protestues dhe punëtorë që po përpiqen ta shuajnë zjarrin janë helmuar.

    “Lajmet e fundit nga djegia e deponisë së Sferkës janë se disa protestues dhe punëtorë, të cilët po përpiqen ta shuajnë zjarrin, janë helmuar”, ka shkruar ajo.

    Sipas saj, institucionet përgjegjëse kanë dështuar të reagojnë, ndërsa ka përmendur Kompaninë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor.

    “Duke parë se ka dështuar secila hallkë institucionale, se nuk ka asnjë reagim dhe ndihmë nga Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), asnjë masë nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit dhe asnjë veprim nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor, kërkoj urgjentisht nga ju, z. Kryeministër në detyrë, të ndërhyni dhe të merrni masa për të angazhuar të gjithë mekanizmat shtetërorë për të ndalur një katastrofë ekologjike”, ka deklaruar Bajrami.

    Ajo ka shtuar se masat e ndërmarra deri tani nga Komuna e Pejës dhe ndërmarrja “Ambienti” nuk kanë dhënë rezultat.

    “Që gjashtë ditë masat e marra nga Komuna e Pejës dhe ndërmarrja ‘Ambienti’ janë treguar të pamjaftueshme dhe nuk kanë dhënë asnjë rezultat”, është shprehur ajo.

    Deputetja e zgjedhur e LDK-së ka kërkuar koordinim të plotë ndërinstitucional, duke përfshirë Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Agjencinë e Menaxhimit Emergjent, Forcën e Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, brigadat e zjarrfikësve dhe Komunën e Pejës.

    “Z. Kryeministër, kërkoj nga ju të lini mënjanë ngarkesat partiake dhe të veproni. Në pyetje është jeta e njerëzve, jeta e kafshëve dhe jeta e bimëve. Po rrezikohet jeta në një pjesë të Kosovës”, ka shkruar Bajrami.

    Ajo i ka bërë thirrje edhe kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, që të aktivizojë të gjithë mekanizmat komunalë për ta ndalur situatën.

    Në fund, Bajrami ka bërë të ditur se ka dorëzuar kallëzim penal te Kryeprokurori i Shtetit dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, duke kërkuar hetimin e neglizhencës institucionale.

    “Nëse ky vend ka mbetur edhe me një prokuror që e zbaton ligjin, dikush duhet të japë përgjegjësi penale për këtë katastrofë”, ka përfunduar ajo.

  • Rast i rrallë në botë: Nëna sjell në jetë katërnjaket identike

    Rast i rrallë në botë: Nëna sjell në jetë katërnjaket identike

    Një grua australiane ka sjellë në jetë katër vajza identike, të konceptuara në mënyrë natyrale, në një shtatzëni që mjekët e kanë cilësuar si ndër më të rrallat dhe më të rrezikshmet e regjistruara ndonjëherë.

    Katër foshnjat lindën me operacion cezarian më 14 korrik, në javën e 28-të e katër ditë të shtatzënisë, në Royal Brisbane and Women’s Hospital.

    Sipas ekipit mjekësor, bëhet fjalë për katërnjakë monozigotikë, një fenomen tepër i rrallë ku një vezë e vetme e fekonduar ndahet në katër embrione identike, shkruan BBC.

    Nëna, 34-vjeçarja Jenitar Na’amoana, dhe bashkëshorti i saj Jortham, të cilët janë prindër edhe të katër fëmijëve të tjerë, thanë se lajmi se prisnin katërnjakë ishte një surprizë e madhe.

    Mjekja obstetre dhe specialiste e mjekësisë feto-maternale, Alexa Bendall, e cila ndoqi shtatzëninë që nga fillimi, vlerësoi se lindjet natyrale të katërnjakëve identikë ndodhin vetëm një herë në rreth 15 milionë shtatzëni.

    Ajo theksoi se rasti ishte edhe më i pazakontë, pasi të katër foshnjat ndanin të njëjtën placentë.

  • Kryetari i Istogut reagon pas aksidentit tragjik në Shushicë: Fatkeqësi që na mërzit të gjithëve

    Kryetari i Istogut reagon pas aksidentit tragjik në Shushicë: Fatkeqësi që na mërzit të gjithëve

    Kryetari i Istogut, Ilir Ferati, ka shprehur ngushëllime për familjen Qorraj pas aksidentit tragjik në Shushicë të Istogut, ku humbën jetën dy persona, përfshirë edhe një fëmijë.

    Ferati tha se kjo është një fatkeqësi që ka prekur gjithë qytetin, duke shprehur bashkëndjenjë me familjen e të ndjerëve dhe duke uruar shërim për personat e tjerë të përfshirë në aksident.

    Ai bëri thirrje për kujdes të shtuar gjatë vozitjes, veçanërisht në kushte të vështira atmosferike.

    “Thellësisht të tronditur nga humbjet e jetëve që përjetuam sot. Si pasojë e një aksidenti tragjik në Shushicë të Istogut, u kumtua lajmi i shuarjes së menjëhershme të jetës së një fëmije, e më pas edhe të një pjesëtari tjetër të kësaj familjeje. Fatkeqësi që shënjon ditën e sotme dhe na mërzit të gjithëve. Ju bashkëndjejmë dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta ndaj familjes Qorraj për humbjet që përjetuat, si dhe lutemi për shëndetin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aksident trafiku. Bëj thirrje të veçantë për kujdes në vozitje – thirrje që duhet të vlejë në çdo kohë për të gjithë, por sidomos në kushte të tilla atmosferike”, ka shkruar Ferti

  • Ndalohet për 48 orë shoferi që shkaktoi aksidentin ku dy persona humbën jetën në Istog

    Ndalohet për 48 orë shoferi që shkaktoi aksidentin ku dy persona humbën jetën në Istog

    Është ndaluar për 48 orë shoferi i dyshuar se shkaktoi aksidentin e rëndë në fshatin Shushicë të Istogut, ku humbën jetën dy persona.

    Sipas Policisë së Kosovës, aksidenti ka ndodhur më 20 korrik 2026, rreth orës 15:20, ku u përfshinë dy vetura me targa vendore.

    Një person ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa viktima e dytë ka ndërruar jetë pasi është dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë.

    Tre persona të tjerë kanë mbetur të lënduar dhe po trajtohen në spital.

    Me urdhër të prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti po hetohet nga hetuesit e aksidenteve të trafikut.

    Njoftimi i plotë:

    Ju informojmë se me datën 20 korrik 2026, rreth orës 15:20, Policia është informuar për një aksident trafiku i cili ka ndodhur në fshatin Shushicё-Istog.

    Nё vendin e ngjarjes kanё dalё njёsitet kompetente tё Njësitit Rajonal tё Komunikacionit Rrugor.

    Nё kёtё aksident ishin tё përfshira dy vetura me targa vendore, si pasojё e aksidentit,
    nё vendin e ngjarjёs ka vdekur njё person, kёtё e ka konstatuar ekipi mjekёsor, ndёrsa viktima e dytё e kёtij rasti, ka arritur pa shenja jete nё emergjencёn e spitalit rajonal nё Pejё, tre persona e lënduar nё kёtё aksident janё duke u trajtuar nё spitalin rajonal nё Pejё.

    Me urdhër të prokurorit të Shtetit, i cili po ashtu ishte në vendin e ngjarjes trupat e pajetё tё viktimave dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, për obduksion, ndërsa i dyshuari ndalohet pёr 48- orё, rasti ёshtё duke u hetuar nga hetuesit e aksidenteve.

  • KEDS njofton për prishje të rrjetit elektrik në disa rajone si pasojë e erërave të forta

    KEDS njofton për prishje të rrjetit elektrik në disa rajone si pasojë e erërave të forta

    KEDS ka njoftuar se si pasojë e erërave të forta të hënën një numë rajonesh në Kosovë janë prekur me prishje në rrjetin elektrik.

    KEDS ka bërë të ditur se ekipet gjenden në teren dhe po punojnë për të realizuar intervenimet e nevojshme.

    “Për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike, një numër rajonesh janë prekur nga prishje në rrjetin elektrik. Ekipet tona ndodhen në terren dhe po punojnë pa ndërprerje për të realizuar intervenimet e nevojshme, me qëllim rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit me energji elektrike. Ju falënderojmë për mirëkuptimin tuaj!” – thuhet në njoftimin e KEDS-it.

    Instituti Hidrometeorlogjik i Kosovës ka parashikuar pasditen e sotme reshje lokale shiu e shkarkime rrufesh në disa zona.

    Në Prishtinë erërat kanë rrëzuar edhe një lis në qendër të Prishtinës, ndërsa në Istog ka pasur breshër.

  • Aleanca zgjedh Kryesinë e re, Gjini: Po hyjmë në një fazë të re organizimi

    Aleanca zgjedh Kryesinë e re, Gjini: Po hyjmë në një fazë të re organizimi

    Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka njoftuar se Këshilli i Përgjithshëm i Aleancës, i dalë pas zgjedhjeve të brendshme, ka miratuar përbërjen e re të Kryesisë dhe ka funksionalizuar organet kryesore të partisë.

    Përmes një postimi pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm, Gjini bëri të ditur se, përveç votimit të Kryesisë, janë themeluar dhe funksionalizuar edhe Këshilli i Kryetarëve të Degëve, Këshilli i Nderit, Kolegjiumi i Ekspertëve të Aleancës, Kolegjiumi i Anëtarëve të Kuvendeve Komunale dhe Kolegjiumi i Drejtorëve të Aleancës.

    Sipas Gjinit, ky proces përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e strukturave organizative të partisë dhe në përgatitjen për sfidat politike që e presin Aleancën.

    “Aleanca mbetet e vendosur të vazhdojë angazhimin e saj për një Kosovë më të zhvilluar, më të sigurt dhe më të fuqishme, duke u mbështetur në vlerat, përvojën dhe përkushtimin e njerëzve tanë”, ka theksuar ai.

    Gjini ka vlerësuar se përbërja e re e Kryesisë ndërthur përvojën me energjinë e re, me synimin për të udhëhequr me përgjegjësi proceset politike dhe organizative të Aleancës.

    Në fund, kryetari i Aleancës uroi të gjithë të zgjedhurit për detyrat e reja, duke u dëshiruar suksese në përgjegjësitë që do të mbajnë.

  • Musliu: Kurtit i konvenon një president “kukull”, pa fuqi politike

    Musliu: Kurtit i konvenon një president “kukull”, pa fuqi politike

    Deputetja e zgjedhur e PDK-së, Ganimete Musliu ka kritikuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti lidhur me qëndrimet e tij për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës.

    Në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Musliu tha se Kurtit i konvenon një president me rol të kufizuar politik dhe pa ndikim në vendimmarrje.

    Albin Kurtit i konvenon me pas një president kukull, thjesht që ulet në karrigen e presidentit, por pa fuqi politike dhe pa fuqi vendimmarrëse. Ai këtë e proklamon si vazhdimësi”, ka thënë Musliu.

    Ajo ka përmendur edhe raportet e Kurtit me ish-presidenten Vjosa Osmani, duke thënë se përplasjet mes tyre, sipas saj, kanë ardhur pikërisht për shkak të dallimeve rreth rolit të presidentit.

    Musliu ka theksuar se presidenti i Kosovës, duke pasur parasysh sistemin politik të vendit, duhet të jetë figurë politike, me njohuri të politikave vendore dhe ndërkombëtare, si dhe të ketë kompetencë, autoritet dhe besueshmëri.

    Presidenti duhet të jetë i përgjegjshëm, kompetent, përfaqësues, reprezentativ dhe autoritativ. Kjo nuk i konvenon zotëri Kurtit”, është shprehur deputetja e PDK-së.

    Sipas saj, Kurti dëshiron një figurë që nuk do të ketë peshë të madhe politike në postin e presidentit.

    Kurti do me pas një marionetë, siç e ka tash Albulena Haxhiun që e ka ushtruese të detyrës, dhe me i kryer punët e veta”, ka deklaruar Musliu.

  • Bashkëshortja e Shpat Kasapit falënderon Labinot Tahirin për mbështetjen: Nuk kam fjalë sinqerisht

    Bashkëshortja e Shpat Kasapit falënderon Labinot Tahirin për mbështetjen: Nuk kam fjalë sinqerisht

    Bashkëshortja e këngëtarit të ndjerë, Shpat Kasapi, ka reaguar në rrjetet sociale pas ndihmës së ofruar nga këngëtari Labinot Tahiri për të dhe djalin e saj, Roelin.

    Në mesazhin e publikuar, ajo shprehu mirënjohjen për Labin, duke theksuar respektin dhe dashurinë që ai kishte treguar ndaj Shpatit gjatë kohës sa ai ishte gjallë.

    “Labinot Tahiri, të faleminderit shumë. Mirënjohëse pa fund që e ke dashur dhe respektuar Shpatin sa ishte gjallë dhe tani na mbështet mua dhe Roelin”, ka shkruar ajo.

    Ajo dukej e prekur nga gjesti i tij, teksa më pas u shpreh: “Nuk kam fjalë sinqerisht”.

    Kasapi u nda nga jeta në moshën 40-vjeçare në nëntor të vitit të kaluar, duke lënë pas bashkëshorten dhe djalin e tij, Roelin.

    Këngëtari nga Tetova ishte një nga emrat e njohur të skenës muzikore shqiptare, me një karrierë të gjatë dhe shumë këngë të dashura për publikun.

    Nga ana tjetër, Labi premtoi se nga çdo aheng e mbrëmje do t’i ndajë nga 150 euro për Roelin.