ATV

Author: K.B.

  • OVL-UÇK dënon fushatën serbe ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, kërkon shmangien e udhëtimeve nëpër Serbi

    OVL-UÇK dënon fushatën serbe ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, kërkon shmangien e udhëtimeve nëpër Serbi

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ndaj, siç e cilëson, “fushatës së vazhdueshme të institucioneve serbe dhe qarqeve të lidhura me to për kriminalizimin e luftëtarëve të UÇK-së”.

    OVL-UÇK ka kundërshtuar akuzat ndaj pjesëtarëve të Brigadave 111 dhe 121, si dhe njësive të tjera të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke i cilësuar ato si “përndjekje politike të motivuar nga urrejtja ndaj UÇK-së”.

    Sipas tyre, Serbia po ndjek një “politikë të vjetër të veshur me petk juridik”, me qëllim të barazimit të agresorit me viktimën dhe njollosjes së luftës së UÇK-së.

    “Serbia nuk ka asnjë autoritet moral t’i mbajë leksione askujt për krime lufte, ndërsa i shmanget përgjegjësisë për atë që bënë në të vërtetë forcat e saj ushtarake, policore dhe paraushtarake. Listat e hartuara në Beograd nuk mund të rishkruajnë historinë, nuk mund të fshijnë varret dhe nuk mund të përmbysin të vërtetën e një populli të detyruar të mbrojë ekzistencën e vet”, thuhet në reagim.

    OVL-UÇK ka deklaruar se listat e hartuara në Beograd “nuk mund të rishkruajnë historinë dhe nuk mund të përmbysin të vërtetën e një populli që u detyrua të mbrojë ekzistencën e vet”.

    Organizata u ka bërë thirrje ish-pjesëtarëve të UÇK-së që të shmangin kalimin nëpër territorin e Serbisë, duke thënë se thirrjet për arrestimin e tyre dëshmojnë, sipas saj, vazhdimin e së njëjtës qasje politike ndaj luftës së Kosovës.

  • Gazeta Roma Today: Ushtari italian u sëmur me kancer pas misionit në Gjakovë, merr 300 mijë euro dëmshpërblim nga gjykata

    Gazeta Roma Today: Ushtari italian u sëmur me kancer pas misionit në Gjakovë, merr 300 mijë euro dëmshpërblim nga gjykata

    Një ish-oficer i Forcave Ajrore të Italisë është shpallur zyrtarisht “Viktimë e Detyrës”, pasi gjykata italiane ka vlerësuar se kanceri nga i cili u prek lidhet me shërbimin e tij gjatë misionit paqeruajtës në Kosovë, raporton romatoday.it

    Gjykata e Velletrit, me një vendim që është bërë i formës së prerë më 15 korrik, ka konstatuar se karcinoma në stomak e Nunzio Santuccit, ish-nënkolonel 75-vjeçar i Aeronautikës Italiane, është pasojë e kushteve të veçanta mjedisore dhe operative me të cilat ai u përball gjatë misioneve në Ballkan.

    Santucci shërbeu për më shumë se 30 vjet në Forcat Ajrore Italiane, duke mbajtur poste të ndryshme operative dhe drejtuese. Gjatë misionit ndërkombëtar Joint Guardian në Kosovë, ai ishte komandant i Grupit të Mbrojtjes në aeroportin e Gjakovës, ku kishte për detyrë garantimin e sigurisë së kontingjentit italian.

    Sipas vendimit të gjykatës, zonat ku ai shërbeu ishin të kontaminuara me azbest, nanopjesëza të metaleve të rënda dhe mbetje municionesh që përmbanin uranium të varfëruar.

    Në vitin 2013, Santucci u diagnostikua me kancer në stomak, çka ndryshoi rrënjësisht jetën e tij. Ai iu nënshtrua një operacioni për heqjen e një pjese të stomakut dhe më pas edhe dy ndërhyrjeve të tjera kirurgjikale për shkak të komplikimeve të sëmundjes. Edhe sot ai vazhdon të përballet me pasojat e saj.

    Gjatë procesit gjyqësor, dëshmitarët përshkruan kushtet në aeroportin e Gjakovës pas bombardimeve të vitit 1999, duke folur për automjete të shkatërruara ushtarake, mbetje lufte, pluhur dhe terrene të dëmtuara nga shpërthimet. Sipas dëshmive, edhe uji i përdorur nga kontingjenti për higjienë dhe gatim vinte nga burime të konsideruara të kontaminuara.

    Ekspertiza teknike e paraqitur në gjykatë e cilësoi mjedisin ku shërbenin ushtarët si “jashtëzakonisht të rëndë” krahasuar me kushtet e zakonshme të shërbimit, duke theksuar se Kosova ishte e ndotur në mënyrë të konsiderueshme nga nanopjesëza të krijuara nga shpërthimet e municioneve që përmbanin uranium të varfëruar.

    Gjykata i njohu Santuccit statusin “Viktimë e Detyrës”, me një shkallë invaliditeti të përhershëm prej 65 për qind. Ai do të përfitojë rreth 300 mijë euro në formën e dëmshpërblimit, pagesave të prapambetura dhe pensionit të përjetshëm, si edhe do të përfshihet në listën kombëtare të Viktimave të Detyrës në Itali.

    Vendimi konsiderohet i rëndësishëm edhe nga pikëpamja juridike, pasi konfirmon se për raste të tilla nuk kërkohet një provë absolute shkencore për lidhjen mes ekspozimit dhe sëmundjes. Mjafton të provohet se ushtaraku ka shërbyer në zona me rrezik të lartë dhe në kushte të veçanta mjedisore, ndërsa barra për të provuar të kundërtën i kalon administratës.

    Avokati Ezio Bonanni, përfaqësues ligjor i ish-oficerit, deklaroi se vendimi “i kthen dinjitetin një ushtaraku që ia kushtoi mbi 30 vjet të jetës shtetit dhe krijon një precedent të rëndësishëm për të gjithë ushtarakët që kanë shërbyer në Ballkan dhe ende presin drejtësi”.

  • Burnham, zyrtarisht kryeministër i ri i Britanisë së Madhe

    Burnham, zyrtarisht kryeministër i ri i Britanisë së Madhe

    Andy Burnham, është zyrtarisht kryeministri i 59-të i Mbretërisë së Bashkuar.

    Ai është ftuar nga Mbreti Charles për të formuar qeverinë, gjatë një takimi privat në Pallatin Buckingham të hënën në mesditë.

    Pallati Mbretëror ka publikuar një fotografi të tyre.

    Ceremonia, e njohur si “puthja e duarve”, shënon kalimin e pushtetit nga ish-lideri Starmer te Burnham.

    Javën e kaluar, Burnham ka zëvendësuar Starmerin si lider i Partisë Laburiste, forcës qeverisëse të qendrës së majtë, derisa do të jetë pasardhës i tij edhe në krye të qeverisë.

    Burnham është kryeministri i shtatë i Mbretërisë së Bashkuar që nga viti 2016, në një proces kalimi pushteti tashmë të përsëritur shpesh.

  • Dështon të mbahet seanca fillestare për barrikadat në veri

    Dështon të mbahet seanca fillestare për barrikadat në veri

    Ka dështuar të mbahet seanca fillestare në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj gjashtë të akuzuarve për ngritjen e barrikadave në veri të Kosovës në dhjetor të vitit 2022, për shkak të mungesës së njërit prej të akuzuarve dhe avokatit mbrojtës, raporton Ekonomia Online.

    Në këtë rast akuzohen Dushan Maksimoviq, Milosh Radosavljeviq, Nemanja Joloviq, Dushan Drobaq, Srdjan Vuçiniq dhe Nenad Orloviq.

    Gjyqtari i çështjes, Rrahman Beqiri, tha se në seancë mungoi i akuzuari Dushan Maksimoviq, i cili nuk ishte sjellë nga njësia e transportit, pasi gjykata ishte njoftuar paraprakisht për mungesën e avokatit të tij.

    “Mungon i pandehuri Dushan Maksimoviq. Duke qenë se gjykata ka qenë e njoftuar që në mëngjes se avokati Mahmut Halimi nuk do të jetë prezent, për arsyet që do t’i themi, atëherë gjykata ka njoftuar njësinë e transportit që të mos sillet, me qëllim të ekonomizimit të procedurës. Mungon avokati Mahmut Halimi, përmes parashtresës e ka njoftuar gjykatën se nuk do të jetë i pranishëm me arsyetimin se në të njëjtën kohë e ka të caktuar një seancë në Mitrovicë, rast ky me masë të paraburgimit dhe i caktuar shumë kohë më parë”, tha ai.

    Beqiri tha se mungon edhe i akuzuari Nemanja Joloviq, për të cilin ftesa është kthyer e padorëzuar, ndërsa Policia e Kosovës ka njoftuar se sipas fqinjëve ai është shpërngulur në Serbi.

    “Mungon edhe i pandehuri Nemanja Joloviq. Të njëjtit gjykata i ka dërguar ftesë të rregullt, zarfi i mbyllur është kthyer në gjykatë me konstatimin se ky person është shpërngulur. Duke qenë se e ka ndërruar adresën, gjykata për të njëjtin ka lëshuar urdhëresë për ta sjellë me detyrim, ku Policia e Kosovës me datë 16.07.2026 e ka njoftuar gjykatën se kanë shkuar ta ekzekutojnë urdhëresën, mirëpo banesa është e mbyllur, ndërsa nga kontakti me fqinjët policia është njoftuar se ky person është shpërngulur për Serbi”, tha ai.

    Sipas gjyqtarit, për shkak se avokati i mëparshëm i Joloviqit kishte revokuar autorizimin, gjykata ka caktuar një mbrojtëse të re sipas rekomandimit të Odës së Avokatëve.

    “Duke qenë se avokati që ka mbrojtur këtë të pandehur më herët e ka revokuar autorizimin, atëherë gjykata ka kërkuar nga Oda e Avokatëve të rekomandojë një avokat që do ta mbrojë këtë të pandehur. Sipas rekomandimit të Odës është caktuar avokatja Donjeta Leka, e cila sot është e pranishme në seancë”, tha ai.

    Prokurori i rastit, Admir Shala, propozoi që procedura ndaj Nemanja Joloviqit të veçohet, në mënyrë që procesi të vazhdojë ndaj të akuzuarve të tjerë.

    “Duke pasur parasysh se i njëjti nuk i është përgjigjur as ftesës së Prokurorisë, ndoshta për ekonomizimin e procedurës duhet të veçohet procedura ndaj tij, në mënyrë që të vijojë procesi me të tjerët”, tha ai.

    Megjithatë, gjyqtari Beqiri tha se për shkak të mungesës së avokatit Mahmut Halimi nuk janë plotësuar kushtet ligjore për mbajtjen e seancës.

    “Në mungesë të avokatit Halimi, gjykata konstaton se nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të vazhdohet tutje. Andaj nxjerr aktvendim, shtyhet seanca”, tha ai.

    Ndër të akuzuarit në këtë rast është edhe Dushan Maksimoviq, i dënuar për sulmin terrorist në Banjskë.

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë të akuzuarve, të cilët dyshohen për ngritjen e barrikadave në komunat veriore të Kosovës nga 10 deri më 29 dhjetor 2022.

    Sipas aktakuzës, ata, “duke vepruar në bashkëkryerje dhe përmes përdorimit të forcës dhe dhunës, kanë penguar institucionet e Republikës së Kosovës në vendosjen e rendit kushtetues, ushtrimin e autoritetit shtetëror dhe kryerjen e detyrave zyrtare në këto komuna”.

    Prokuroria thotë se të akuzuarit kanë bllokuar rrugët kryesore me mjete të rënda, përfshirë kamionë të mbushur me zhavorr, ekskavatorë, autoambulanca, autobusë dhe automjete të tjera.

    Ata akuzohen për veprat penale “Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës” dhe “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”.

    Ngjarjet lidhen me tensionet e dhjetorit 2022 në veri të Kosovës, kur më 6 dhjetor u sulmuan me mjete shpërthyese zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut, ndërsa më 9 dhjetor u arrestua ish-pjesëtari i Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, në pikën kufitare në Jarinjë. Pas arrestimit të tij, serbët lokalë ngritën barrikada në veri, të cilat u hoqën më 29 dhjetor, pasi masa e sigurisë ndaj Pantiqit u ndryshua nga paraburgim në arrest shtëpiak.

    Për sulmin ndaj zyrave të KQZ-së, në vitin 2025 janë dënuar me gjithsej 12 vjet burgim tre persona, përfshirë edhe ish-policin e Kosovës, Dejan Pantiq.

  • 30 pjesëtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës trajnohen për kërkim-shpëtim në ujë dhe zhytje

    30 pjesëtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës trajnohen për kërkim-shpëtim në ujë dhe zhytje

    Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Shoqatën e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim (SHKKSH), ka realizuar dy trajnime të specializuara “Kërkim-shpëtim në ujë” dhe “Zhytje”, të zhvilluara në datat 05–10 korrik 2026 dhe 12–18 korrik 2026, në Borsh, Shqipëri.

    Në këto trajnime kanë marrë pjesë gjithsej 30 operatorë nga njësitë speciale të Departamentit të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, të cilët kanë avancuar njohuritë teorike dhe aftësitë praktike në fushën e zhytjes, kërkimit dhe shpëtimit në ambiente ujore.

    Realizimi i këtyre trajnimeve ka kontribuuar në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe operative të pjesëtarëve të njësive speciale të Policisë së Kosovës, duke rritur gatishmërinë e tyre për reagim të shpejtë dhe efektiv në situata emergjente natyrore dhe civile.

    Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në vazhdimin e zhvillimit të kapaciteteve në fushën e kërkim-shpëtimit, përmes trajnimeve të specializuara dhe avancimit të vazhdueshëm profesional, në funksion të rritjes së sigurisë dhe ofrimit të shërbimeve sa më efikase për qytetarët.

  • Haradinaj ngushëllon familjet e tre viktimave: Rrugët janë më të ngarkuara, kujdes i shtuar në komunikacion

    Haradinaj ngushëllon familjet e tre viktimave: Rrugët janë më të ngarkuara, kujdes i shtuar në komunikacion

    Ramush Haradinaj nga AAK, ka shprehur ngushëllimet e tij për familjet e tre qytetarëve të Kosovës që humbën jetën në aksidentin tragjik në Maqedoninë e Veriut, teksa po ktheheshin nga Shkupi për në Kosovë.

    Haradinaj tha se me shqetësim dhe dhimbje të thellë po përcjell lajmet për tragjeditë në komunikacion që, sipas tij, po marrin jetë njerëzish.

    Ai u shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjeve Tërnava dhe Shabani, të cilat humbën të afërmit e tyre në aksidentin rrugor të ndodhur në Maqedoninë e Veriut.

    Në reagimin e tij, Haradinaj u bëri thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të respektojnë rregullat e trafikut, duke theksuar se në këtë periudhë rrugët janë dukshëm më të ngarkuara për shkak të ardhjes së bashkatdhetarëve.

    “Me shqetësim dhe dhimbje të thellë po i përcjell lajmet për tragjeditë në komunikacion, të cilat, fatkeqësisht, rezultuan me humbje jetësh. Në këtë periudhë, kur me ardhjen e bashkatdhetarëve rrugët tona janë dukshëm më të ngarkuara, apeloj te çdo pjesëmarrës në komunikacion për kujdes të shtuar dhe respektim të rregullave të trafikut”, ka shkruar Haradinaj.

  • Tri vjedhje dhe 21 arrestime gjatë një jave në rajonin e Ferizajt

    Tri vjedhje dhe 21 arrestime gjatë një jave në rajonin e Ferizajt

    Policia Rajonale e Ferizajt ka publikuar raportin javor mbi incidentet e regjistruara në këtë rajon, duke bërë të ditur se gjatë periudhës 13 dhe 19 korrik të këtij viti janë ndërmarrë një sërë veprimesh për parandalimin dhe trajtimin e rasteve kriminale.

    Sipas raportit të Policisë, gjatë kësaj periudhe janë evidentuar 13 raste të vjedhjeve, prej të cilave: 11 raste kanë ndodhur në Ferizaj, 1 rast në Kaçanik dhe 1 rast në Shtime.

    Ndërsa, sa i përket veprave penale të dhunës në familje, në rajonin e Ferizajt është raportuar 1 rast, i cili ka ndodhur në Ferizaj.

    Policia ka bërë të ditur gjithashtu se gjatë kësaj jave ka realizuar urdhëresa të gjykatave kompetente, ku janë arrestuar 21 persona të kërkuar për vepra të ndryshme penale dhe kundërvajtëse.

    Nga Policia Rajonale e Ferizajt është bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë bashkëpunimin me institucionet e sigurisë, duke raportuar çdo rast të dyshimtë dhe duke kontribuar në parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit.

  • Gjini takon drejtuesit e ZRRE-së, kërkon avancimin e gazsjellësit dhe termocentralit

    Gjini takon drejtuesit e ZRRE-së, kërkon avancimin e gazsjellësit dhe termocentralit

    Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, së bashku me bashkëpunëtorë, zhvilloi sot një takim pune me Kryesuesin e Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) dhe bashkëpunëtorët e tij.

    Gjatë takimit u diskutua për gjendjen aktuale në sektorin e energjisë dhe për domosdoshmërinë e shtyrjes përpara të projekteve strategjike që garantojnë stabilitet afatgjatë për vendin.

    Në fokus të bisedës ishte rëndësia e jetësimit të projektit të gazsjellësit dhe termocentralit, si alternativa jetike për diversifikimin e burimeve të energjisë dhe rritjen e sigurisë energjetike në Kosovë.

    Gjini theksoi se sektori i energjisë kërkon vizion të qartë dhe vendime që mbrojnë interesin e qytetarëve dhe ekonomisë së vendit.

    Në përfundim të takimit, ai falënderoi zyrtarët e ZRRE-së për mikpritjen dhe diskutimin profesional.

  • Jetesa në Gjermani po bëhet më e shtrenjtë: Qiratë e banesave rriten me 4%

    Jetesa në Gjermani po bëhet më e shtrenjtë: Qiratë e banesave rriten me 4%

    Kostoja e qirasë së banesave në Gjermani është rritur me 4% në krahasim me një vit më parë, gjatë tremujorit të dytë, sipas të dhënave nga Instituti Ekonomik Gjerman (IW).

    IW tha se çmimet e qirave vazhduan një rritje të ndjeshme në mbarë vendin, ndërsa publikoi statistika për çmimet e qirave dhe stanjacionin e çmimeve të blerjes së banesave.

    “Qiratë u rritën veçanërisht shumë në Këln (+7.9%), e ndjekur nga Hamburgu (+5.5%) dhe Lajpcigu (+5.4%)”, tha IW në raportin e ri.

    Instituti theksoi se oferta e apartamenteve me qira mbetet nën nivelin e vitit 2022 në shumicën e qyteteve të mëdha.

    Sipas IW, tregu i qirave po përballet me mungesë të banesave të disponueshme, me rënie të mëdha të numrit të ofertave në disa qytete.

    “Në Hamburg, numri i shpalljeve për qira ka rënë më shumë se përgjysmë, me 57%. Frankfurti ka shënuar një rënie prej 43%, ndërsa Lajpcigu një ulje prej 40%”, tha IW.

    Përjashtim ishte Berlini, ku numri i ofertave për qira është rritur me 43% krahasuar me vitin 2022, shkruan DW.

  • Gazetari serb: Paunoviq nuk zbuloi asgjë të re, spastrimi etnik i shqiptarëve u krye në Kosovë në vitin 1999

    Gazetari serb: Paunoviq nuk zbuloi asgjë të re, spastrimi etnik i shqiptarëve u krye në Kosovë në vitin 1999

    Gazetari dhe shkrimtari serb Tomislav Markoviq ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ministres serbe për Administratën Shtetërore dhe Vetëqeverisjen Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila tha se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.

    Në një tekst autorial të publikuar për Antena M, Markoviq vlerëson se deklarata e ministres nuk është thjesht një skandal verbal, por pasqyron një ideologji që, sipas tij, tashmë është zbatuar gjatë luftës në Kosovë.

    “Keqardhja e ministres për mundësinë e humbur për të kryer spastrim etnik të shqiptarëve nga Kosova është krejtësisht e gabuar, sepse kjo tashmë ndodhi. Slobodan Millosheviqi dhe forcat e tij ushtarake, policore e paramilitare e kryen spastrimin etnik të shqiptarëve në vitin 1999”, shkruan Markoviq.

    Ai rikujton se gjatë luftës, forcat serbe dëbuan rreth 900 mijë shqiptarë drejt Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Malit të Zi, por shton se ky spastrim ishte i përkohshëm, pasi shqiptarët u kthyen në shtëpitë e tyre pas përfundimit të luftës dhe tërheqjes së forcave serbe nga Kosova.

    Duke komentuar përpjekjen e Paunoviqit për ta zbutur deklaratën e saj, kur tha se ndoshta duhej të kishte përdorur termin “deportim” në vend të “spastrimit etnik”, Markoviq shkruan:

    “Duhet të jesh vërtet idiot që të mendosh se është më mirë të përdorësh termin ‘deportim’ sesa ‘spastrim etnik’. Edhe deportimi është krim kundër njerëzimit.”

    Në tekstin e tij, autori rikujton disa nga krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë, duke përmendur masakrat në Luginën e Rekës pranë Gjakovës, Landovicë dhe Lubeniq, si dhe zhvendosjen e trupave të viktimave në varrezat masive të Batajnicës, pranë Beogradit.

    Ai kritikon ashpër shoqërinë dhe institucionet serbe për mohimin e krimeve të luftës.

    “Dominon mohimi i plotë i së keqes që e kemi kryer si bashkësi politike, ikja nga përgjegjësia dhe fshehja e së vërtetës”, shkruan ai.

    Markoviq thotë se problemi nuk qëndron vetëm te deklarata e ministres, por edhe te fakti që ajo është funksionare e Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), të cilën ai e cilëson përgjegjëse për luftërat dhe krimet e viteve ’90.

    Sipas tij, nuk mjafton vetëm shkarkimi i Paunoviqit, por nevojiten masa shumë më të thella.

    “Nuk mjafton që ministrja të shkarkohet. Është e domosdoshme lustracioni, ndjekja penale e përgjegjësve për krimet dhe një politikë rrënjësisht ndryshe ndaj së kaluarës”, thekson ai.

    Në fund të shkrimit, Markoviq argumenton se Serbia duhet të përballet me të kaluarën dhe të ndalojë ideologjinë që, sipas tij, çoi në luftëra, spastrime etnike, krime lufte dhe gjenocid.

    “Ashtu siç nazizmi është i ndaluar në Gjermani, edhe nacionalizmi i madhserb duhet të ndalohet në Serbi. Përndryshe, herët a vonë do të kemi sërish politikanë që do të propagandojnë spastrimin etnik, e nëse u krijohen kushtet, do t’i kthejnë fjalët e tyre në vepra”, përfundon gazetari serb Tomislav Markoviq.