ATV

Author: K.B.

  • JD Vance bëhet sërish baba, fëmija i parë i lindur nga një zëvendëspresident në detyrë pas më shumë se 150 vjetësh

    JD Vance bëhet sërish baba, fëmija i parë i lindur nga një zëvendëspresident në detyrë pas më shumë se 150 vjetësh

    Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, dhe bashkëshortja e tij, Usha Vance, njoftuan të dielën lindjen e fëmijës së tyre të katërt, i pari që lind nga një zëvendëspresident amerikan në detyrë pas më shumë se 150 vjetësh.

    Djali, Alec Neel Vance, lindi të dielën dhe i bashkohet tre fëmijëve të tjerë të familjes: Ewan (9 vjeç), Vivek (6 vjeç) dhe Mirabel (4 vjeçe).

    Vance e bëri të ditur lajmin përmes një postimi në rrjetet sociale, me një deklaratë të nënshkruar nga ai dhe bashkëshortja e tij.

    “Jemi të lumtur të njoftojmë se djali ynë, Alec Neel Vance, lindi këtë mëngjes. Usha dhe foshnja janë mirë dhe gëzojnë shëndet të plotë, ndërsa fëmijët tanë janë shumë të lumtur që takuan vëllain e tyre të vogël”, thuhet në deklaratë.

    Çifti falënderoi mjekët dhe stafin e Qendrës Kombëtare Ushtarake Mjekësore Walter Reed, si edhe ekipin mjekësor të Shtëpisë së Bardhë.

    Familja në rritje e zëvendëspresidentit republikan përputhet me qëndrimin e tij të kahershëm në mbështetje të rritjes së lindshmërisë në SHBA. Ai ka thënë gjithashtu se vrasja në vitin 2025 e aktivistit konservator Charlie Kirk, mikut të tij, ndikoi në vendimin për të pasur edhe një fëmijë.

    Vance, ish-marins i SHBA-së, ka shprehur vazhdimisht shqetësimin për rënien e lindshmërisë në Amerikë që kur nisi karrierën e tij politike në vitin 2021, me kandidimin për Senatin nga shteti i Ohajos. Si zëvendëspresident, gjatë marshit kundër abortit March for Life në vitin 2025 në Uashington, ai deklaroi: “Unë dua më shumë foshnja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”

  • Turku nderohet me medalje, shpëtoi 38 persona nga tërmetet në Venezuelë

    Turku nderohet me medalje, shpëtoi 38 persona nga tërmetet në Venezuelë

    Shtetasi turk Ibrahim Eser është nderuar me Medaljen Hero të Venezuelës për kontributin e tij në shpëtimin e 38 personave të bllokuar nën rrënoja pas tërmeteve të fuqishme që goditën vendin.

    Medalja iu dorëzua nga presidentja në detyrë e Venezuelës, Delcy Rodriguez, gjatë një ceremonie të zhvilluar në stadiumin Jorge Luis Garcia Carneiro në La Guaira.

    Në këtë aktivitet u vlerësuan gjithashtu edhe anëtarë të ekipeve të sigurisë dhe emergjencave që morën pjesë në operacionet e shpëtimit pas katastrofës.

    Që në orët e para pas tërmeteve, Eser kontribuoi në operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa siguroi edhe pamje dhe informacione për situatën në terren, duke ndihmuar në pasqyrimin ndërkombëtar të përmasave të tragjedisë.

    Gjatë ceremonisë, Rodriguez vlerësoi punën e ekipeve të shpëtimit, duke theksuar përkushtimin dhe sakrificat e tyre në përpjekjet për të shpëtuar jetë.

    Ajo tha se ata treguan solidaritet dhe rezistencë në një nga momentet më të vështira për vendin

  • Po vazhdon pastrimi dhe dezinfektimi i kontejnerëve në Prishtinë

    Po vazhdon pastrimi dhe dezinfektimi i kontejnerëve në Prishtinë

    Drejtori i Shërbimeve Publike, Leutrim Retkoceri ka njoftuar se pastrimi i hapësirave publike po vazhdon në lagjet e Prishtinës, ku ekipet në terren kanë realizuar ndërhyrje në zonat përreth kontejnerëve.

    Sipas njoftimit të drejtorit të Shërbimeve Publike, Leutrim Retkoceri gjatë ditës së dytë të aksionit është kryer pastrimi, larja, dezinfektimi, deratizimi dhe dezinsektimi i hapësirave në lagjen Bregu i Diellit, me ndërhyrje edhe në lagjen Ulpianë.

    Në këtë aksion, kanë marrë pjesë ekipet në terren së bashku me drejtorin e Shëndetësisë Bujar Gashi.

    Retkoceri ka bërë të ditur se aksioni do të vazhdojë në të gjitha lagjet e kryeqytetit, me synim krijimin e hapësirave publike më të pastra, më të sigurta dhe më të shëndetshme për qytetarët.

    “Qëllimi ynë është që çdo lagje të ketë kujdesin e nevojshëm dhe standarde më të mira të pastërtisë publike”, ka theksuar ai.

  • Mbreti Charles III pranon dorëheqjen e Starmerit: I uroj sukses pasardhësit tim

    Mbreti Charles III pranon dorëheqjen e Starmerit: I uroj sukses pasardhësit tim

    Mbreti Charles III ka pranuar e ka pranuar dorëheqjen e Keir Starmer si kryeministër i Britanisë së Madhe.

    Pas mbajtjes së fjalimit të tij të fundit si kryeministër, Starmer shkoi për në Pallatin e Buckinghamit për t’u takuar me mbretin, duke ofruar dorëheqjen e tij.

    Më vonë në fjalimin e tij, kryeministri I deritashëm i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, i uroi sukses pasardhësit të tij, Andy Burnham.

    “Ai ka mbështetjen time të plotë. Unë shkoj me mirësjellje, shkoj me buzëqeshje dhe jam krenar për gjithçka që kemi arritur.”, ka thënë Starmer, raporton CNN.

    Pas kësaj, Andy Burnham pritet të marrë zyrtarisht postin e kryeministrit të Britanisë së Madhe dhe më pas të mbajë edhe fjalimin e tij të pare.

  • Si e ndryshon Britania kryeministrin pa zgjedhje të përgjithshme?

    Si e ndryshon Britania kryeministrin pa zgjedhje të përgjithshme?

    Njerëzit në vende të tjera shpesh habiten se si Mbretëria e Bashkuar mund të vazhdojë të ndryshojë kryeministra pa mbajtur zgjedhje të përgjithshme.

    Në Mbretërinë e Bashkuar, kryeministri është thjesht udhëheqësi i partisë politike që ka shumicën e deputetëve në Dhomën e ulët të Parlamentit britanik.

    Ata nuk zgjidhen drejtpërdrejt si presidentët e SHBA-së apo të Francës, edhe pse zgjedhjet e përgjithshme në Mbretërinë e Bashkuar shpesh mund të duken si zgjedhje presidenciale, për shkak të përqendrimit te liderët e partive.

    Në fakt, të vetmit njerëz që votojnë për kryeministrin me emër janë zgjedhësit e zonës së tij elektorale.

    Nëse një parti vendos të ndryshojë liderin para zgjedhjeve të radhës, siç ka ndodhur gjithnjë e më shpesh vitet e fundit, ajo mund ta bëjë këtë.

    Andy Burnham mund të vendosë të shpallë zgjedhje kur të bëhet kryeministër, megjithëse nuk ka dhënë asnjë shenjë se do ta bëjë një gjë të tillë.

    Ai do të duhet të përballet me elektoratin herët a vonë. Data e fundit e planifikuar për zgjedhjet e përgjithshme është 15 gushti i vitit 2029

    Disa parti opozitare, por jo të gjitha, kërkojnë zgjedhje të menjëhershme, duke argumentuar se Burnham, i cili deri para një muaji nuk ishte as deputet, nuk ka mandat për të qenë kryeministër.

    Ai argumenton se do t’u përmbahet në thelb politikave të përcaktuara në programin zgjedhor të Partisë Laburiste për vitin 2024 dhe se ka marrë mbështetjen e votuesve në Makerfield, të cilët e rikthyen në Parlament përmes zgjedhjeve të pjesshme.

  • Forcat Ajrore Ukrainase: Ushtria ruse sulmoi mbrëmë me dy raketa dhe 94 dronë, 81 u rrëzuan

    Forcat Ajrore Ukrainase: Ushtria ruse sulmoi mbrëmë me dy raketa dhe 94 dronë, 81 u rrëzuan

    Ushtria ruse sulmoi Ukrainën mbrëmë me dy raketa dhe 94 dronë, ndërsa ushtria ukrainase rrëzoi 81 dronë, njoftoi sot Forca Ajrore Ukrainase në Telegram.

    “Sulme me raketa dhe nëntë dronë sulmi u regjistruan në nëntë vende,” tha i njëjti burim.

    Gjatë 24 orëve të fundit, u regjistruan 235 përleshje midis ushtrisë ruse dhe ukrainase, njoftoi nga ana e tij Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Mbrojtjes së Ukrainës.

    Ai shtoi se të dielën ndodhën 235 përleshje midis ushtrisë ruse dhe ukrainase.

    Luftimet kryesore u zhvilluan në rajonin Slavyansk, ku rusët nisën 27 sulme.

    Në Frontin Kostyantynovsky, ushtarët ukrainas zmbrapsën 24 sulme, ndërsa në Frontin Pokrovsky, forcat mbrojtëse ukrainase ndaluan 30 sulme ruse, shtoi Shtabi i Përgjithshëm në rrjetet sociale.

  • Gucati pas pranimit të fajësisë nga i akuzuari: Kushdo që fyen UÇK-në dhe veteranët do të përballet me padi

    Gucati pas pranimit të fajësisë nga i akuzuari: Kushdo që fyen UÇK-në dhe veteranët do të përballet me padi

    Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, tha se do të vazhdojë të ndjekë rrugën ligjore ndaj të gjithë personave që fyejnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës(UÇK) dhe veteranët e saj, pasi i akuzuari Eqrem Avdullahu e pranoi fajësinë për kanosjen ndaj tij, raporton Ekonomia Online.

    Gucati tha se pretendimet se ka marrë pagë për vite me radhë pa shkuar në punë janë të pavërteta dhe se drejtësia do të merret me rastin.

    “Ju e patë edhe vetë, për personin i cili më ka kërcënu edhe më fyen, po edhe më thotë që unë e marr pagën qe 9 vite pa punu fare në shkollë. Kjo gjë është e pavërtetë, është e paqëndrueshme. Unë ia kam lënë drejtësisë këtë rast edhe drejtësia do të merret me këtë personin. Ky s’është i pari, do të thotë unë kam ngrit shumë padi, edhe të tjera padi që në ditët në vijim, tash janë të ardhura ato prej Gjermanie, prej Austrie, prej vendeve të ndryshme, të cilët e kanë fyer Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës edhe mu si person vetë, apo si kryetar i veteranëve të radhës së invalidëve të luftës. Kështu që, unë i kisha bo ftesë çdo veterani apo çdo invalidi, ata të cilët e ndjejnë veten të fyer nga këta persona të cilët quhen me na shantazhu dhe me shajt luftën e UÇK, të bëjnë padi. Nuk kemi nevojë ne mes veti të fjalosemi, po të bëjmë padi. Secili veteran apo secila familje e dëshmorit edhe invalidi të bëjnë padi dhe ne kemi me iu drejtu drejtësisë, edhe drejtësia është ajo e cila do të merr vendim për këta persona”, tha ai.

    Ai bëri të ditur se ka iniciuar padi edhe në Gjermani e Zvicër ndaj personave të tjerë që, sipas tij, kanë fyer UÇK-në dhe atë personalisht.

    “Unë i kam bo padi edhe në Zvicër, dy njerëzve i kam bo edhe në Gjermani në Dortmund. Njëri është nga Skënderaj, tjetri është nga Malisheva. Kështu që i kam bo padi edhe për ata dy personat. Me anë të avokatëve në Gjermani i kam informatat të cilat i kanë kap policia gjermane, kur do ta ekstradojnë nuk e di. Kështu që e presim atë sa më shpejt me ardhë këtu edhe mos t’i harroj çka i kam bo unë. Tash ky zotëria, e patë edhe ju, mu më vjen keq, një burrë i moshuar, shkrun në Facebook, shan, fyen edhe thotë që mbyllet me pushkatim. Unë sot jam gjallë, fatmirësisht kam familje edhe unë. Kemi familje të ngushtë secili prej juve që keni familje. Familja s’e ka ndjerë veten shumë mirë edhe në fund jam kryetar i veteranëve, nuk duhet ta fyejë integritetin tim. S’du t’i lejohet kërkujt që të merret me integritetin tim”, tha ai.

    Avokati i Gucatit, Halim Shala, tha se qëllimi i tyre është që raste të tilla të marrin epilog ligjor dhe të mbrohet integriteti i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

    “Jo, ne po pretendojmë që e vërteta me dalë në shesh për faktin se i njëjti e ka pranu qysh në fazat fillestare pranimin e fajësisë që e ka thënë sot zoti Gucati. Neve kërkesa jonë është që organizata e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare nuk mund të cenohet dhe nuk mund të fyet nga asnjë individ në Republikën e Kosovës të cilët kanë shtetësi të Republikës së Kosovës. Prandaj ne kemi kërkuar dhe do të kërkojmë me vazhdimësi edhe në rastet e tjera, siç ju njoftoi kryetari, janë të hapura nga persona të ndryshëm fizikë, disa me account falco ose fake, disa të tjerë, por që neve kemi iniciuar procedurat për faktin se nuk kanë të ndalur këto linçime publike dhe kanë për qëllim degradimin e institucionit si organizata e veteranëve të UÇK-së dhe çdo pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ai.

  • Aksident i rëndë në Rrugën e Kombit, lëndohen 4 anëtarë të një familjeje nga Kosova

    Aksident i rëndë në Rrugën e Kombit, lëndohen 4 anëtarë të një familjeje nga Kosova

    Një aksident rrugor është regjistruar këtë të hënë në Rrugën e Kombit, në segmentin Rubik-Rrëshen.

    Siç shkruan TvKlan, një automjet i tonazhit të rëndë është përplasur me një mjet tjetër, ku dyshohet se kanë mbetur të lënduar katër anëtarë të së njëjtës familje nga Kosova.

    Në vendngjarje kanë ndërhyrë ekipet emergjente, ndërsa të lënduarit mësohet se janë jashtë rrezikut për jetë, transmeton Klankosova.tv

  • Pas gjashtë vitesh, burri rrëfen ku e kishte varrosur gruan e tij pasi e vrau

    Pas gjashtë vitesh, burri rrëfen ku e kishte varrosur gruan e tij pasi e vrau

    Trupi i infermieres franceze që ishte zhdukur prej gati gjashtë vitesh, është gjetur nëntë muaj pasi bashkëshorti u dënua për vrasjen e saj.

    Prokuroria e Toulouse njoftoi të dielën se eshtrat e Delphine Jubillar, të gjetura së fundmi janë identifikuar përmes analizave të ADN-së.

    Jubillar, 33 vjeçare, ishte zhdukur në dhjetor të vitit 2020 nga fshati Cagnac-les-Mines, pranë qytetit Albi në jug të Francës, gjatë periudhës së kufizimeve të pandemisë COVID-19.

    Zhdukjen e saj e raportoi vetë burri, Cédric Jubillar, i cili deklaroi se ata ndodheshin në një proces divorci me marrëveshje.

    Hetimet zbuluan se marrëdhënia mes çiftit ishte me shumë probleme dhe se bashkëshorti kishte kërcënuar disa herë me jetë gruan e tij.

    Pavarësisht mungesës së trupit, Cédric Jubillar u nxor në gjyq, raporton Bild, transmeton Klankosova.

    Ai e mohoi vazhdimisht fajësinë, duke deklaruar edhe pak para shpalljes së vendimit, duke thënë se “Nuk i kam bërë asgjë.”

    Në tetor të vitit të kaluar, ai u dënua me 30 vjet burg për vrasjen e saj.

    Por në fillim të korrikut ndodhi një kthesë e papritur në çështje.

    Cédric Jubillar pranoi se ishte përgjegjës për vdekjen e Delphine dhe u tregoi hetuesve vendin ku e kishte varrosur trupin, në një arë pranë një pylli, rreth 10 kilometra larg shtëpisë së familjes tyre.

    E ndjera ka lënë pas dy fëmijët e tyre.

  • BE-ja i vendos AliExpress një gjobë prej 550 milionë eurosh për mallra të paligjshme dhe të falsifikuara

    BE-ja i vendos AliExpress një gjobë prej 550 milionë eurosh për mallra të paligjshme dhe të falsifikuara

    Fushata e Bashkimit Evropian kundër platformave kineze të tregtisë online po përshpejtohet, me kontrolle më të rrepta për përputhshmërinë me rregullat dhe rritje të tarifave për importet në bllok nga faqe të modës së shpejtë si Temu dhe Shein.

    Komisioni Evropian të hënën e gjobiti AliExpress me 550 milionë euro për dështimin në vlerësimin dhe reduktimin në mënyrë të mjaftueshme të rreziqeve që lidhen me shitjen e produkteve të paligjshme, të pasigurta dhe të falsifikuara në platformën e saj të tregtisë elektronike.

    Vendimi vjen vetëm disa ditë pasi BE-ja vendosi një tarifë doganore prej 3 eurosh për pakot me vlerë nën 150 euro, të cilat më parë hynin në bllok pa pagesë doganore – një masë që pritet të ndikojë ndjeshëm në modelet e biznesit të gjigantëve kinezë të shitjeve online, AliExpress, Shein dhe Temu.

    Gjoba është zhvillimi më i fundit në procedurat zyrtare të nisura në vitin 2024 për një shkelje të mundshme të Aktit të Shërbimeve Digjitale të BE-së. Komisioni zbuloi se AliExpress nuk kishte krijuar një sistem efektiv për zbulimin dhe heqjen e produkteve të paligjshme, ndërsa kishte nënvlerësuar edhe hendekun mes numrit të moderatorëve njerëzorë në dispozicion dhe madhësisë së ngarkesës së tyre të punës.

    Kontrollet e platformës për përputhshmërinë e produkteve u gjetën gjithashtu të cenueshme ndaj abuzimeve, pasi tregtarët me qëllim të keq dyshohet se i klasifikonin gabimisht produktet për të përfituar nga kërkesa më të lehta.

    Sipas hetimit të Komisionit, sasi të mëdha produktesh të paligjshme, përfshirë lodra të pasigurta dhe produkte kozmetike të rrezikshme, vazhduan të qarkullonin në AliExpress pavarësisht përpjekjeve për moderim. Në disa raste, ato qëndruan në internet për javë të tëra pasi ishin raportuar.

    Komisioni gjithashtu zbuloi se AliExpress nuk kishte zbatuar siç duhet politikën e ndëshkimeve, duke lejuar që dyqanet që shisnin produkte të paligjshme të vazhdonin të ishin aktive në platformë edhe pasi kishin marrë masa ndëshkuese.

    Sistemi i autorizimit të markave të kompanisë, i krijuar për të parandaluar shitjen e produkteve të falsifikuara, u konsiderua joefektiv dhe jo mjaftueshëm i fortë për të ndaluar abuzimet. Shitësit ishin në gjendje të anashkalonin masat mbrojtëse dhe të listonin produkte të rreme.

    AliExpress ka afat deri më 20 tetor 2026 për të paraqitur një plan veprimi që tregon se si do t’i trajtojë shqetësimet e Komisionit. Më pas, ekzekutivi i BE-së do të vendosë brenda dy muajve pas marrjes së planit nëse nevojiten masa të tjera, shkruan Euronews.