ATV

Author: K.B.

  • Nis gjykimi për rastin “Capat”, sot seanca ndaj dy të akuzuarve për vrasje të rëndë

    Nis gjykimi për rastin “Capat”, sot seanca ndaj dy të akuzuarve për vrasje të rëndë

    Sot në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë pritet të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar ndaj Endrit Llapashticës dhe Dardan Marevcit, të akuzuar për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, lidhur me përleshjen mes grupeve “Capat” dhe “Sekiraqët” në vitin 2024.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Endrit Llapashtica dyshohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, ndërsa ai dhe Dardan Marevci akuzohen edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Rasti lidhet me përleshjen mes dy grupeve në vitin 2024, ku pati pasoja të rënda dhe për të cilën Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj të dyshuarve.

    Gjykata Themelore në Prishtinë kishte njoftuar se seanca e shqyrtimit fillestar do të mbahet sot në Pallatin e Drejtësisë, ndërsa çështja penale do të shqyrtohet nga trupi gjykues përkatës.

    Lidhur me këtë rast, Gjykata kishte bërë të ditur se të pandehurit kanë qenë të paarritshëm për organet e drejtësisë dhe se ishte kërkuar zhvillimi i procedurës në mungesë të tyre.

  • Rritet pak fluksi në kufijtë e Kosovës, në disa vendkalime pritje deri në 20 minuta

    Rritet pak fluksi në kufijtë e Kosovës, në disa vendkalime pritje deri në 20 minuta

    Kanë nisur pritjet në pikat kufitare të Kosovës, në disa vendkalime kolona deri në 20 minuta.

    Qytetarët që planifikojnë të udhëtojnë sot përmes pikave kufitare të Kosovës duhet të llogarisin edhe pritje të shkurtra gjatë hyrjes dhe daljes nga vendi.

    Sipas të dhënave të përditësuara nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, në disa vendkalime kufitare janë krijuar kolona të automjeteve, ndërsa koha e pritjes ndryshon nga një pikë kufitare në tjetrën.

    Në shumicën e vendkalimeve, pritjet janë minimale dhe zgjasin nga 1 deri në 2 minuta. Megjithatë, në disa pika kufitare fluksi i automjeteve është më i madh, duke bërë që qytetarët të presin deri në 20 minuta për të kaluar kufirin.

    Me afrimin e fundjavës dhe sezonit të verës, pritet që qarkullimi në kufijtë e Kosovës të vijojë të rritet, duke sjellë herë pas here edhe kolona e pritje më të gjata në vendkalimet më të frekuentuara.

  • Çmimet e derivateve për sot – nafta 1.66€, benzina 1.47€

    Çmimet e derivateve për sot – nafta 1.66€, benzina 1.47€

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për derivatet e naftës, të cilat do të vlejnë gjatë ditës së sotme.

    Sipas këtij vendimi, çmimi maksimal për naftën (dizelin) shkon në 1.66 euro për litër, dy centë më shtrenjtë se ditë më parë, ndërsa benzina do të tregtohet deri në 1.47 euro për litër, një cent me shtrenjte se një ditë më parë.

    Ndërkaq, çmimi i gazit është përcaktuar në 0.60 euro për litër, ashtu si një ditë më parë.

  • Intervenim pas erërave të fuqishme në Busi të Prishtinës, largohen katër shtylla të dëmtuara

    Intervenim pas erërave të fuqishme në Busi të Prishtinës, largohen katër shtylla të dëmtuara

    Drejtoria e Shërbimeve Publike ka ndërhyrë në fshatin Busi, lagjja Pepaj, pas dëmeve të shkaktuara nga erërat e fuqishme.

    Gjatë intervenimit, bazuar në njoftim, janë larguar katër shtylla dhe kabllot e dëmtuara, me qëllim të eliminimit të rrezikut dhe sigurimit të zonës për banorët.

    Drejtoria e Shërbimeve Publike ka deklaruar se mbetet e angazhuar për reagim të shpejtë në rastet e fatkeqësive natyrore dhe vazhdon monitorimin e terrenit për të ndërmarrë ndërhyrjet e nevojshme aty ku paraqitet nevoja.

  • Ushtria amerikane planifikon testimin e ushtarëve – Çfarë duhet të dini për terapinë me testosteron

    Ushtria amerikane planifikon testimin e ushtarëve – Çfarë duhet të dini për terapinë me testosteron

    Një analizë e vetme nuk mjafton, ndërsa përdorimi pa nevojë të qartë mund të ndikojë në fertilitet, gjak, zemër dhe prodhimin natyror të hormonit

    Terapia zëvendësuese me testosteron nuk është më vetëm një trajtim që përshkruhet në ordinancën e mjekut. Vitet e fundit ajo është bërë pjesë e një trendi të gjerë që lidhet me performancën, jetëgjatësinë dhe shëndetin e burrave.

    Tema është rikthyer në vëmendje pasi sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, njoftoi se pjesëtarët e ushtrisë mbi 30 vjeç do të testohen për mungesë të testosteronit dhe se ata që plotësojnë kriteret do të mund të marrin terapi zëvendësuese.

    Përdorimi i testosteronit është rritur ndjeshëm, i nxitur edhe nga klinikat private, telemjekësia dhe rrjetet sociale, ku shpesh paraqitet si zgjidhje për lodhjen, plakjen dhe rënien e performancës. Megjithatë, mjekët theksojnë se ky trajtim nuk është i nevojshëm dhe as i sigurt për çdo burrë.

    Kujt i rekomandohet terapia?

    Terapia zëvendësuese me testosteron, e cila mund të jepet përmes injeksioneve, xhelit, implanteve ose barnave orale, synon kryesisht burrat me hipogonadizëm të konfirmuar – gjendje në të cilën organizmi nuk prodhon mjaftueshëm testosteron.

    Zakonisht kërkohen nivele vazhdimisht të ulëta të hormonit, të shoqëruara me simptoma si:

    ulje e dëshirës seksuale;
    lodhje dhe dobësi;
    disfunksion erektil;
    humor i ulët;
    humbje e masës dhe forcës muskulore;
    ulje e dendësisë së kockave.
    Rënia natyrore e testosteronit me moshën nuk mjafton vetvetiu për ta arsyetuar trajtimin. Niveli mund të ulet edhe për shkak të obezitetit, stresit, mungesës së gjumit, apnesë së gjumit, sëmundjeve kronike, dëmtimit të testikujve ose çrregullimeve të hipofizës.

    Sipas udhëzimeve të Shoqatës Amerikane të Urologjisë, diagnoza nuk duhet të vendoset nga një analizë e vetme. Niveli i ulët duhet të konfirmohet me dy matje të ndara, të kryera në mëngjes, së bashku me vlerësimin e simptomave dhe të shkaqeve të mundshme.

    Cilat janë përfitimet?

    Te burrat me mungesë të konfirmuar të testosteronit, terapia mund ta përmirësojë dëshirën seksuale, funksionin erektil, masën muskulore, dendësinë e kockave, energjinë dhe humorin.

    Megjithatë, nuk ka prova të mjaftueshme se rritja e testosteronit te burrat me nivele normale ose vetëm pak të ulëta përmirëson ndjeshëm aftësitë mendore, performancën sportive apo jetëgjatësinë.

    Pra, testosteroni nuk duhet parë si trajtim i përgjithshëm kundër lodhjes ose plakjes.

    Cilat janë rreziqet?

    Edhe kur rekomandohet me arsye mjekësore, terapia kërkon kontrolle të vazhdueshme. Ajo mund ta rrisë numrin e qelizave të kuqe të gjakut, duke e trashur gjakun dhe duke shtuar rrezikun e komplikimeve.

    Mund të shkaktojë gjithashtu:

    ulje të prodhimit të spermës dhe probleme me fertilitetin;
    puçrra;
    ndjeshmëri ose zmadhim të gjinjve;
    mbajtje të lëngjeve;
    përkeqësim të apnesë së patrajtuar të gjumit.
    Studimi i madh Traverse, i publikuar në revistën prestigjioze The New England Journal of Medicine, nuk gjeti rritje të përgjithshme të infarktit, goditjes në tru apo vdekjes kardiovaskulare te burrat me hipogonadizëm që morën testosteron, krahasuar me ata që morën placebo. Megjithatë, në grupin e trajtuar u regjistruan më shpesh disa probleme, përfshirë fibrilacionin atrial, embolinë pulmonare dhe dëmtimin akut të veshkave.

    Terapia gjithashtu e frenon prodhimin natyror të testosteronit dhe mund ta ulë ndjeshëm prodhimin e spermës. Për këtë arsye, zakonisht nuk rekomandohet për burrat që planifikojnë të kenë fëmijë.

    Çfarë nënkupton kjo për ushtrinë?

    Te ushtarët, interpretimi i rezultateve mund të jetë veçanërisht i ndërlikuar. Stërvitjet intensive, mungesa e gjumit dhe stresi i zgjatur fizik e psikologjik mund ta ulin përkohësisht testosteronin.

    Kjo do të thotë se një rezultat i ulët nuk tregon domosdoshmërisht mungesë të përhershme që kërkon trajtim. Mund të jetë reagim kalimtar i organizmit ndaj kushteve ekstreme.

    Përdorimi afatgjatë mund të krijojë edhe probleme praktike, sepse organizmi e ul prodhimin natyror të hormonit. Nëse terapia ndërpritet papritur gjatë një misioni, personi mund të mbetet përkohësisht me nivele edhe më të ulëta.

    Përfundimi i ekspertëve është i qartë: terapia me testosteron mund të jetë shumë e dobishme për burrat me mungesë të vërtetuar, por nuk duhet përdorur si rrugë e shkurtër drejt më shumë energjie, rinisë apo performancës më të lartë.

  • Zemaj i bën thirrje kryetarit të LDK-së të thërrasë Kuvendin e Jashtëzakonshëm: T’i hapim rrugë fitoreve të partisë

    Zemaj i bën thirrje kryetarit të LDK-së të thërrasë Kuvendin e Jashtëzakonshëm: T’i hapim rrugë fitoreve të partisë

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, i ka bërë thirrje kryetarit të partisë që të thërrasë Kuvendin e Jashtëzakonshëm dhe të shpallë zgjedhjet e brendshme, me qëllim, siç tha ai, hapjen e rrugës për fitoret e ardhshme të LDK-së.

    Zemaj ka deklaruar se çështja e formimit të institucioneve pas zgjedhjeve është një proces i ndarë dhe nuk mund të përdoret si arsyetim për problemet e brendshme të partisë.

    “Thirrja më e sinqertë për kryetarin e LDK-së është që të ulet, ta thërrasë Kuvendin e Jashtëzakonshëm dhe t’i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme. T’i hapim rrugë fitoreve të LDK-së”, ka thënë Zemaj.

    Sipas tij, nuk është e drejtë që përgjegjësia për mungesën e institucioneve t’i atribuohet një partie të tretë, pasi sipas tij, përgjegjësinë për konsolidimin e institucioneve e ka mandatarja për formimin e qeverisë.

    “Pjesa e konstituimit është pjesë tjetër, është e ndarë. Nuk mundesh, ose është qasje e gabuar, që partia e tretë të jetë fajtore pse ne nuk kemi institucione nga zgjedhjet e fundit. Kjo është justifikim. Mundësinë për ta bërë qeverinë dhe konstituimin e ka Albin Kurti. Nuk është në dorën e LDK-së”, ka deklaruar ai.

    Zemaj ka thënë se LDK-ja, sipas tij, ka dhënë vazhdimisht mundësi për bashkëpunim institucional, duke përmendur edhe çështjen e zgjedhjes së presidentit konsensual.

    “Sa negociata janë zhvilluar me Albin Kurtin, sa herë i kemi dhënë shansin, sa herë kemi kërkuar president konsensual që 15 deputetë ta dëshmojnë me nënshkrim publik. Këto janë retorika dhe mashtrime të VV-së dhe të tjerëve, ndoshta edhe të atyre që nuk kanë aftësi dhe guxim për formimin e institucioneve”, ka thënë Zemaj.

    Ai ka shtuar se LDK-ja duhet të rikthejë identitetin e saj politik dhe të hapet për gjeneratat e reja.

    “LDK i ka dhënë të gjitha shanset. Nuk mund të them se kush vjen, por kam një person të preferuar. Unë e shoh një person që e njeh Lidhjen Demokratike të Kosovës, e do LDK-në, i bashkon të gjitha gjeneratat dhe e hap partinë për njerëz të rinj”, ka deklaruar ai.

    Sipas Zemajt, kryetari i ardhshëm i LDK-së duhet të jetë një figurë që e sheh partinë me identitet të fuqishëm.

    “Një person që e ka rugovizmin, që e do LDK-në si parti të parë e jo si patericë apo pjesë sa për sy e faqe, por me identitetin e vet. Ky person nuk pajtohet me kapjen e shtetit, me kapjen e prokurorisë, me korrupsionin, me zërat kundër ushtrisë dhe FSK-së”, ka thënë ai.

    Zemaj ka theksuar se LDK-ja ka emra të shumtë që mund të garojnë në një proces të organizuar zgjedhor.

    “Lidhja Demokratike ka emra. Të gjithë këta mund të jenë në garë në mënyrë të organizuar”, ka përfunduar Zemaj.

  • Aksidenti i rëndë në Istog: Një fëmijë dërgohet në QKUK në gjendje të rëndë

    Aksidenti i rëndë në Istog: Një fëmijë dërgohet në QKUK në gjendje të rëndë

    Një fëmijë është transferuar në Qendrën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi ka pësuar lëndime të rënda si pasojë e një aksidenti të rëndë në Shushicë të Istogut, ku mbetën të vdekur dy persona.

    Drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla, tha se pacienti ka pësuar politraumë të rëndë dhe menjëherë pas pranimit i janë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme diagnostike.

    “Fëmija është pranuar në gjendje të rëndë, me politraumë si pasojë e aksidentit në komunikacion. Janë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme dhe aktualisht pacienti ndodhet nën observim në Qendrën Emergjente. Pas përfundimit të vlerësimit dhe stabilizimit të gjendjes, trajtimi do të vazhdojë në Klinikën e Mjekimit Intensiv”, ka deklaruar Syla për redaksinë.

    Kujtojmë se i lënduari është nipi i Ramiz Qorraj, 69-veçarit që vdiq si pasojë e aksidentit. Viktimë në këtë aksident mbeti edhe mbesa e 69-vjeçarit, 12 vjeçe.

  • Breshëri shkatërron bujqësinë në Istog, Gegaj: Nga vlerësimet e para, rreth 90% e sipërfaqeve të mbjella janë dëmtuar

    Breshëri shkatërron bujqësinë në Istog, Gegaj: Nga vlerësimet e para, rreth 90% e sipërfaqeve të mbjella janë dëmtuar

    Komuna e Istogut është përballur sot me një ditë të rëndë, pasi pas aksidentit tragjik me pasoja fatale, u godit edhe nga një breshër i fuqishëm që shkaktoi dëme të mëdha në sektorin e bujqësisë.

    Në një prononcim për IndeksOnline, drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Artan Gegaj, tha se sipas vlerësimeve të para, dëmet janë jashtëzakonisht të mëdha.

    “Sot ka qenë një ditë shumë e rëndë për Komunën e Istogut. Fillimisht u përballëm me një aksident tragjik, ndërsa më pas komuna u godit nga një breshër i fuqishëm që shkaktoi dëme të mëdha në bujqësi, duke shkatërruar kulturat bujqësore në pjesën më të madhe të territorit”, deklaroi Gegaj për IndeksOnline.

    Ai bëri të ditur se, ndonëse ende nuk ka një bilanc përfundimtar, vlerësimet fillestare tregojnë se rreth 90 për qind e sipërfaqeve të mbjella në territorin e komunës janë dëmtuar.

    “Për momentin nuk mund të flasim me shifra të sakta, por nga vlerësimet e para rezulton se rreth 90% e sipërfaqeve të mbjella në territorin e komunës janë dëmtuar”, ka thënë Gegaj.

    Sipas Gegës, nga mëngjesi i së martës Komuna e Istogut do të formojë komisionet për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve në terren, me qëllim që të krijohet një pasqyrë e saktë e situatës dhe e fermerëve të prekur.

    Ai theksoi se Komuna e Istogut, në bashkëpunim me kryetarin Ilir Ferati, do të angazhohet maksimalisht për t’u dalë në ndihmë fermerëve gjatë gjithë procesit të vlerësimit dhe tejkalimit të pasojave.

    Gegaj, i bëri thirrje Ministrisë së Bujqësisë që të reagojë me urgjencë dhe të sigurojë mbështetje emergjente për fermerët e Komunës së Istogut.

    “Dëmet janë jashtëzakonisht të mëdha dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme”, është shprehur Gegaj.

  • Legjenda e shahut Judit Polgar refuzon ofertën për t’u bërë presidente e Hungarisë

    Legjenda e shahut Judit Polgar refuzon ofertën për t’u bërë presidente e Hungarisë

    Legjenda e shahut Judit Polgar të hënën hodhi poshtë ofertën e kryeministrit hungarez Peter Magyar për t’u bërë presidentja e ardhshme e vendit.

    “Nuk mendoj se kam forcën për të marrë përsipër përgjegjësinë historike të bashkimit të një kombi të ndarë, dhe për këtë arsye nuk jam në gjendje ta pranoj ftesën”, postoi Polgar në rrjetet sociale, transmeton Telegrafi.

    “Do të bëj gjithçka që është në fuqinë time për të mbështetur një President të ri, të pavarur dhe të respektuar të Republikës në arritjen e këtyre qëllimeve”, shtoi ajo.

    Polgar dha përgjigjen e saj pasi grupi parlamentar i Tiszës e mbështeti publikisht në parlament. Megjithatë, kritikët vunë re se, në kundërshtim me premtimet e mëparshme, emërimi i saj nuk u parapri nga një konsultim i gjerë publik.

    Magyar iu përgjigj vendimit të Polgar në një koment.

    “E dashur Judit, faleminderit për gjithçka që ke bërë për Hungarinë. Besoj se mund të them, në emër të miliona hungarezëve, se edhe nëse në një kapacitet tjetër, ne do të vazhdojmë të mbështetemi tek ty në të ardhmen”, shkroi ai.

    Pasi rrëzoi presidentin jopopullor Tamas Sulyok me anë të një amendamenti kushtetues javën e kaluar, Hungaria mbështeti Polgarin vonë të dielën si “një president për të cilin të gjithë hungarezët mund të jenë krenarë”.

    Si rezultat i amendamentit kushtetues, mandati i Presidentit aktual Tamás Sulyok përfundoi të hënën.

    Udhëheqësit e partisë qeverisëse Tisza kanë thënë vazhdimisht se duan që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga publiku dhe jo nga parlamenti.

    Si rezultat, presidenti i zgjedhur tani mund të shërbejë vetëm përkohësisht, derisa të miratohet një kushtetutë e re.

  • Rezart Veleshnja reagon pas nismës së Labit për djalin e Shpat Kasapit: Familja nuk ka kërkuar asnjëherë ndihmë publike

    Rezart Veleshnja reagon pas nismës së Labit për djalin e Shpat Kasapit: Familja nuk ka kërkuar asnjëherë ndihmë publike

    Vendimi i këngëtarit Labinot Tahiri për të ndarë 150 euro nga çdo dasmë dhe mbrëmje muzikore ku performon për Roelin, djalin e të ndjerit Shpat Kasapi, ka nxitur reagime të shumta në opinion.

    Pas njoftimit të Labit, ka reaguar aktori Rezart Veleshnja, i cili ishte mik i afërt i Shpatit.

    Përmes një postimi në InstaStory, ai ka bërë të ditur se mban kontakte të vazhdueshme me familjen e artistit të ndjerë.

    Sipas Veleshnjës, nëna e Shpatit, Gjylymsere Kasapi, dhe vëllai i tij, Albin Kasapi, nuk kanë kërkuar asnjëherë ndihmë publike, duke theksuar se dinjiteti i familjes nuk i lejon të ndërmarrin hapa të tillë.

    Ai shton se çdo ndihmë për Roelin është e mirëpritur, por nuk e konsideron të nevojshme që kontributet personale të shoqërohen me thirrje publike në emër të familjes.

    Megjithatë, aktori nënvizoi se djali i artistit meriton mbështetje dhe u bëri apel miqve, kolegëve dhe figurave publike që të kontribuojnë për të ardhmen e tij.

    Veleshnja theksoi se Roeli duhet të ketë përkrahjen e të gjithëve, duke kujtuar se po rritet si djali i një artisti të dashur për publikun, i cili, sipas tij, nuk kërkoi kurrë ndihmë gjatë jetës.

    Gjesti human i Labit për djalin e Shpat Kasapit – do të ndajë 150 euro nga çdo dasmë dhe mbrëmje muzikore për Roelin

    Reagimi i tij vjen pasi iniciativa e Tahirit u prit me komente të shumta në rrjetet sociale, duke ndarë opinionin mes atyre që e vlerësojnë gjestin human dhe atyre që besojnë se ndihma për familjen duhet të ofrohet në mënyrë diskrete.