ATV

Author: K.B.

  • Për vetëm 24 orë në Kosovë, 34 aksidente, mbi 2000 gjoba dhe 15 arrestime

    Për vetëm 24 orë në Kosovë, 34 aksidente, mbi 2000 gjoba dhe 15 arrestime

    Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë, janë regjistruar gjithsej 34 aksidente trafiku.

    Sipas raportit të Policisë së Kosovë, 19 prej këtyre aksidenteve kanë rezultuar me persona të lënduar, ndërsa 15 të tjera kanë shkaktuar vetëm dëme materiale.

    Gjatë së njëjtës periudhë kohore, janë shqiptuar 2,014 gjoba për shkelje të rregullave të trafikut rrugor.

    Po ashtu, Policia bëri të ditur se janë arrestuar 15 persona, prej të cilëve 13 janë dërguar në mbajtje, nën dyshimin për përfshirje në shkelje të ndryshme ligjore në komunikacion.

  • Kriza vazhdon, çmimet e naftës rriten përsëri

    Kriza vazhdon, çmimet e naftës rriten përsëri

    Çmimet e naftës u rritën të dielën pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan se do të vendosin një bllokadë në portet iraniane duke filluar nga e hëna.

    Çmimi i naftës bruto amerikane u rrit tetë për qind, në 104.24 dollarë për fuçi, ndërsa Brent, çmimi referues ndërkombëtar, u rrit shtatë për qind, në 102.29 dollarë.

    Nafta Brent ka pësuar luhatje të ndjeshme gjatë luftës në Iran, duke u rritur nga rreth 70 dollarë për fuçi para shpërthimit të luftës në fund të shkurtit në më shumë se 119 dollarë në momente të caktuara.

    Irani kontrollonte në mënyrë efektive Ngushticën e Hormuzit, një rrugë detare kyçe për transportin global të naftës.

    Komanda Qendrore e SHBA-së tha se bllokada ndaj anijeve në portet iraniane do të “zbatohet në mënyrë të paanshme kundër anijeve të të gjitha kombeve” që hyjnë ose nisen nga portet e Republikës Islamike, si dhe nga zonat bregdetare iraniane, duke përfshirë të gjitha portet iraniane në Gjirin Persik dhe Gjirin e Omanit.

    Ata deklaruan se anijet që lundrojnë nga portet jo-iraniane do të vazhdojnë të lejohen të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.

    Rreth një e pesta e tregtisë botërore të naftës kalon zakonisht çdo ditë nëpër Ngushticën e Hormuzit. Arabia Saudite, Iraku, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti dhe Irani janë ndër eksportuesit më të mëdhenj.

  • Çfarë pritet nga Specialja për ish-krerët e UÇK-së deri më 19 maj?

    Çfarë pritet nga Specialja për ish-krerët e UÇK-së deri më 19 maj?

    Kanë kaluar tashmë mbi 50 ditë që nga përfundimi i procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të merret brenda afateve të përcaktuara ligjore.

    Sipas Rregullores së Gjykatës Speciale, trupi gjykues ka në dispozicion 90 ditë për të shpallur verdiktin, me mundësinë e një shtyrjeje shtesë deri në 60 ditë vetëm në raste të jashtëzakonshme.

    Duke qenë se nga 19 shkurti, kur përfundoi gjykimi, deri më 9 prill kanë kaluar saktësisht 50 ditë, gjyqtarëve u kanë mbetur edhe 40 ditë për të marrë vendimin.

    Në mungesë të ndonjë njoftimi për kërkesë për shtyrje, afati përfundimtar mbetet 19 maji, datë që shihet si moment kyç për epilogun e një prej proceseve më të rëndësishme gjyqësore për Kosovën.

    Avokati i akredituar nga Gjykata Speciale për rastin e ish-krerëve të UÇK-së, Artan Qerkini, për FrontOnline ka folur për afatin e 19 majit dhe pritshmëritë për vendimin final, duke theksuar se nga një këndvështrim strikt juridik, provat e paraqitura nga Prokuroria nuk e përmbushin standardin e kërkuar në drejtësinë penale ndërkombëtare.

    Ai ka vlerësuar se në bazë të provave të administruara gjatë procesit gjyqësor, një vendim fajësie do të ishte i paqëndrueshëm.

    “Sa i përket pritshmërive për verdiktin final, nga një këndvështrim strikt juridik dhe mbi bazën e provave të administruara gjatë procesit gjyqësor, vlerësimi im është se Prokuroria nuk ka arritur të përmbushë barrën e provës përtej çdo dyshimi të arsyeshëm. Kjo vlen si për pretendimet lidhur me ndërmarrjen e përbashkët kriminale (Joint Criminal Enterprise), ashtu edhe për përgjegjësinë komanduese”, ka deklaruar Qerkini për FrontOnline.

    Ai ka shtuar se dëshmitë e paraqitura nga Prokuroria kanë qenë të pamjaftueshme dhe në shumë raste jokonsistente, ndërsa mbrojtja ka arritur të sfidojë pikat kyçe të aktakuzës.

    “Në veçanti, dëshmitarët e Prokurorisë, në një numër të konsiderueshëm rastesh, nuk kanë qenë në gjendje të ofrojnë prova të drejtpërdrejta dhe konsistente që do të mbështesnin akuzat. Për më tepër, dëshmitarë me kredibilitet të lartë të thirrur nga mbrojtja kanë sfiduar në mënyrë substanciale dhe të argumentuar secilën prej pikave kyçe të aktakuzës, duke dobësuar ndjeshëm narrativën e Prokurorisë”, ka theksuar ai.

    Sipas tij, në këto rrethana, standardi i kërkuar në drejtësinë penale ndërkombëtare nuk është përmbushur.

    “Në këto rrethana, në një standard të drejtësisë penale ndërkombëtare, ku kërkohet provë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, një vendim fajësie do të ishte i paqëndrueshëm juridikisht”, ka shtuar Qerkini për FrontOnline.

    Duke folur për afatin e 19 majit, ai ka sqaruar se kjo datë nuk nënkupton domosdoshmërisht shpalljen e vendimit përfundimtar dhe se ekziston mundësia e shtyrjes.

    “Sa i përket afatit të 19 majit, duhet sqaruar se ky nuk përbën domosdoshmërisht datën e shpalljes së vendimit. Rregullat procedurale të Dhomave të Specializuara parashohin mundësinë që trupi gjykues të kërkojë një shtyrje shtesë, zakonisht deri në dy muaj, për finalizimin e vendimit. Aktualisht, nuk ka transparencë publike nëse një kërkesë e tillë është bërë apo miratuar nga Kryetarja e Gjykatës, prandaj mbetet e hapur mundësia që shpallja e verdiktit të shtyhet edhe më tej”, ka përfunduar ai.

    Kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, për FrontOnline ka folur për afatin e 19 majit si datë e fundit për vendimin e Gjykatës Speciale në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke shprehur pritshmëri të forta për një aktgjykim lirues.

    Ai ka theksuar se beson fuqishëm që të akuzuarit do të shpallen të pafajshëm dhe do të kthehen pranë familjeve të tyre, ndërsa ka shtuar se edhe vendi ka nevojë për ta.

    “Unë besoj dhe fuqishëm se ata me 19 maj të lirohen të pafajshëm dhe kështu besojnë gjithë shqiptarët që ata me ardhë në gjirin familjar dhe të dashamirëve dhe ka nevojë edhe Kosova për ta. Nuk e besoj se shtyhet afati, por asaj gjykate nuk i besohet asgjë dhe ky proces është stërzgjatur. Uroj të mos zgjatet tutje dhe uroj të jetë vendim i drejt e në anën tonë dhe ne kemi luftuar për vendin tonë dhe besoj fuqishëm që ata të lirohen me 19 maj”, ka deklaruar Gucati

    Avokati Arbër Jashari, ka komentuar afatin e 19 majit si datë e fundit për shpalljen e vendimit nga Gjykata Speciale në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke vlerësuar se procesi është zvarritur tej mase dhe se vendimi nuk duhet të vonohet më tej.

    Ai ka theksuar se gjykata nuk do ta shtyjë më këtë afat, ndërsa ka shprehur pritshmëri për një aktgjykim lirues, duke argumentuar se Prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë akuzat gjatë procesit gjyqësor.

    “Mendoj se Specialja nuk ishte dashur të pritet as afati i 19 majit për arsye se ky rast është zvarritur dhe prolongu shumë po thuajse që pesë vite dhe ish dashtë me fillu me një urgjencë të madhe dhe mos me pritë as afatin e fundit këtë afatin fillestar prej 3 muajsh. Gjykata nuk do e shtyjë këtë afat edhe nëse ligji ia lejon dhe unë pres që gjykimi të jetë lirues sepse Prokuroria nuk ka arritur të i vërtetoj akuzat dhe mendoj se prokuroria nuk ka sjellur prova të mjaftueshme dhe nuk janë vërtetuar gjatë procesit gjyqësor”, ka deklaruar Jashari për FrontOnline.

    Megjithatë, ai ka theksuar se rezultati përfundimtar mbetet i paparashikueshëm, duke pasur parasysh natyrën e procesit gjyqësor dhe faktin që një pjesë e seancave kanë qenë të mbyllura.

    “Jemi në një proces gjyqësor dhe mund të them se kur jesh në një proces gjyqësor e ardhmja është e paparashikueshme dhe gjykata ka mundur të jetë bindje tjetër dhe mund që vendimi të jetë ndryshe nga ai që presim ne, sepse seancat kanë qenë të mbyllura, por nga ajo që kemi parë dhe dëgjuar, aktgjykimi lirues do të ishte më i drejti”, ka shtuar ai.

    Ish-kreu i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, për FrontOnline ka komentuar afatin e 19 majit si datë e fundit për shpalljen e vendimit nga Gjykata Speciale në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke theksuar se ekziston mundësia e shtyrjes së verdiktit, por edhe duke shprehur rezervat e tij për mënyrën e trajtimit të provave dhe ndikimin e politikës në këtë proces.

    Sipas tij, çdo shtyrje e mundshme duhet të kalojë përmes procedurave përkatëse, ndërsa vlerëson se gjykata ka pasur kohë të mjaftueshme për të marrë një vendim.

    “Po mundet që verdikti final të shtyhet, por duhet që Gjykata Speciale të ia dorëzoi kërkesën Trendafilovës dhe ajo me vendos, por unë mendoj se kjo gjykatë ka pasur kohë të mjaftueshme për me marr një vendim të tillë nga kolegji që po e gjykon këtë rast”, ka deklaruar Shala për FrontOnline.

    Ai ka shtuar se vendimi mbetet i paparashikueshëm dhe, sipas tij, mund të ndikohet edhe nga zhvillimet politike.

    “Shumë është e paprashikueshëm vendimi ngase varet edhe nga politika dhe unë mendoj se kjo gjykatë është politizuar dhe se për këtë arsye se si të ndikoj politika, ashtu edhe ata vendosin”, ka thënë ai.

    Duke folur për provat në këtë proces, Shala ka shprehur qëndrimin e tij kritik, veçanërisht për ato që, sipas tij, kanë ardhur nga Serbia.

    “Personalisht sa më përket mua, unë besoj se s’kanë prova për gjykim dhe nëse kolegji gjykues vendos me i vlerësu provat që kanë ardhur nga Serbia atëherë dhe pajtohen me ato prova, por konsideroj se nuk ishte dashur të merreshin ato prova nga Serbia. Nëse ato prova vlerësohen, duhet pritur edhe dënimin e tyre. Unë konsideroj se nuk ka prova për akuza dhe se ata duhet të lirohen qysh ditën kur shpallet verdikti final”, tha Shala.

  • 10 fakte për Peter Magyar-in, politikanin që mposhti Orbanin

    10 fakte për Peter Magyar-in, politikanin që mposhti Orbanin

    Hungaria është në prag të një tranzicioni të madh politik pasi Viktor Orban pranoi humbjen, duke i hapur rrugën Peter Magyar-it për t’u bërë kryeministri i ardhshëm i vendit.

    Të dielën, OrbanI, aleati i ngushtë i Donald Trump dhe kryeministër për 16 vjet, uroi udhëheqësin e opozitës për fitoren e tij historike, raporton A2CNN.

    Hungarezët morën pjesë në numër rekord në votim, i cili u shndërrua në një referendum kundër sundimit gjithnjë e më autoritar të Orbanit.

    Ndjekësit e Magyar-it i konsideruan zgjedhjet si shansin e fundit për ta mbajtur Hungarinë, vend anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian, larg rrëshqitjes në orbitën e Rusisë së Putinit.

    Ja 10 fakte kyçe për Peter Magyar:

    Fitore historike në zgjedhjet e 2026

    Partia Tisza e Magyar-it arriti një fitore të jashtëzakonshme, duke marrë rreth 51%–55% të votave kundrejt Fidesz-it me 38%–40%, duke përfunduar sundimin 16-vjeçar të Orbán-it. Numërimi përfundimtar ende nuk është publikuar.

    Nga i brendshëm në qeveri, në sfidant

    Para ndarjes dramatike në 2024, Magyar ishte thellësisht i përfshirë në partinë Fidesz, duke shërbyer në disa role të lidhura me qeverinë dhe duke kaluar mbi dy dekada brenda administratës së Orbán-it.

    Avokat dhe diplomat me profesion

    Magyar ndërtoi karrierën e hershme si avokat dhe diplomat, përfshirë punën në misionin e Hungarisë në Bruksel dhe role në borde të ndërmarrjeve shtetërore.

    Ngjitja politike e lidhur me skandalin

    Ngjitja e tij si politikan filloi në fillim të vitit 2024 pas një rasti të diskutueshëm të një amnistie presidenciale të një abuzuesi, që detyroi dorëheqjen e bashkëshortes së tij atë kohë, Judit Varga, si ministre Drejtësie. Pak më vonë, Magyar publikoi regjistrime që pretendonin ndërhyrje qeveritare në një rast korrupsioni.

    Jeta personale dhe lidhjet politike

    Magyar ishte i martuar me Varga-n për 17 vjet para divorcit të tyre në mars 2023. Çifti ka tre djem, dhe familja e tij e gjerë përfshin ish-presidentin hungarez Ferenc Madl.

    Lëvizja anti-korrupsion

    Megjithëse ishte një figurë e re në skenën politike kombëtare, Magyar ndërtoi shpejt një lëvizje të fokusuar te lufta kundër korrupsionit, reforma në qeverisje dhe rindërtimi i lidhjeve të Hungarisë me Evropën.

    Qëndrim pro-evropian dhe konservator

    Ai e identifikon veten si një konservator liberal pro-evropian, duke u pozicionuar si një urë midis vlerave tradicionale dhe reformës institucionale.

    Detaje për edukimin

    Magyar u diplomua për Drejtësi nga Universiteti Katolik “Pázmány Péter” në 2004-ën dhe gjithashtu studioi në Berlin, në Universitetin “Humboldt” përmes programit “Erasmus’.

    Pasuria neto

    Në një deklaratë pasurie të vitit 2025, Magyar raportoi se zotëronte disa prona dhe rreth 86.4 milionë forint (253,000 dollarë) në investime, kursime dhe para.

    Interesat personale dhe mënyra e jetesës

    Përtej politikës, Magyar e përshkruan veten si besimtar, që i pëlqen të luajë futboll dhe të gatuajë me miqtë dhe fëmijët e tij.

  • U arrestua nga policia në gjendje të dehur, Britney Spears shtrohet në rehabilitim

    U arrestua nga policia në gjendje të dehur, Britney Spears shtrohet në rehabilitim

    Britney Spears është shtruar vullnetarisht në një qendër trajtimi pas një arrestimi për drejtim të automjetit nën ndikimin e alkoolit (DUI), që ndodhi në fillim të marsit në Kaliforni.

    Ajo u ndalua nga policia pasi u raportua se po drejtonte makinën në mënyrë të rrezikshme, duke lëvizur në mënyrë të paqëndrueshme nëpër korsi, me shpejtësi, frenime të çrregullta dhe madje me një dritë të pasme të fikur.

    Spears u arrestua rreth orës 3:00 të mëngjesit dhe u lirua brenda pak orësh.

    Sipas raportimeve, pas këtij incidenti ajo ka ndërmarrë hapa për të përmirësuar gjendjen e saj personale, duke qëndruar esëll dhe duke marrë pjesë në takime të organizatës AA (Alkoolistët Anonimë).

    Përfaqësuesit e saj e përshkruan ngjarjen si ‘të papranueshme’, por theksuan se këngëtarja është e vendosur të përballet me pasojat ligjore dhe të ndjekë rrugën e duhur për rehabilitim.

    Ata gjithashtu thanë se familjarët dhe njerëzit e afërt po punojnë për të krijuar një plan të qëndrueshëm për mirëqenien dhe stabilitetin e saj në të ardhmen.

    Ajo pritet të paraqitet në gjykatë më 4 maj.

    Në jetën personale, Spears ka dy djem, Preston dhe Jayden, nga martesa me Kevin Federline.

    Marrëdhënia e saj me ta ka qenë e tensionuar në vitet e fundit, megjithëse raportohet se ata janë pajtuar gjatë vitit të kaluar.

  • E rëndë në Vlorë, fëmija 2-vjeçar bie nga ballkoni i katit të katërt dhe ndërron jetë në spital

    E rëndë në Vlorë, fëmija 2-vjeçar bie nga ballkoni i katit të katërt dhe ndërron jetë në spital

    Një fëmijë 2-vjeçar ka rënë nga ballkoni i një pallati shumëkatësh, dyshohet nga kati i katërt, në zonën e Skelës në Vlorë dhe ka ndërruar jetë në spital.

    Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur ambulanca, të cilat e kanë transportuar të miturin drejt Spitalit Rajonal të Vlorës.

    Mësohet se fëmija ka ndërruar jetë në spital për shkak të dëmtimeve të shumta të marra nga rënia.

    Ngjarja është ende në zhvillim dhe priten informacione të tjera në vijim./tch/

  • Vjen reagimi i parë nga një zyrtar rus, pas fitores së Peter Magyar në Hungari

    Vjen reagimi i parë nga një zyrtar rus, pas fitores së Peter Magyar në Hungari

    Derisa deri më tani nuk ka ndonjë reagim zyrtar nga Kremlini, përkatësisht Rusia dhe Vladimir Putini, mbi rezultatin e zgjedhjeve të së dielës në Hungari, Kirill Dmitriev – i dërguari jozyrtar i Putinit në Uashington – ka ofruar mendimin e tij mbi çështjen X.

    “Kjo thjesht do të përshpejtojë rënien e BE-së”, ka thënë ai në përgjigje të aktivistit të ekstremit të djathtë Tommy Robinson. “Kontrolloni nëse kam të drejtë pas 4 muajsh”.

    Siç vënë në pah mediat e huaj, roli zyrtar i Dmitriev është si Drejtor Ekzekutiv i Fondit Rus të Investimeve Direkte, një fond sovran pasurie prej të paktën 10 miliardë dollarësh i krijuar nga qeveria ruse për të bashkëinvestuar në ekonominë e vendit.

    Emrin e tij gjithashtu mund ta mbani në mend nga bisedimet SHBA-Rusi mbi Ukrainën vitin e kaluar, kur ai pati bisedime me të dërguarin amerikan Steve Witkoff.

    Dhe reagim i tij vjen në të njëjtën kohë me reagimin e një tjetër udhëheqësi botëror që mbështeti Viktor Orbanin dhe i cili e ka përgëzuar Peter Magyarin për fitoren e tij.

    Kryeministri çek Andrej Babis premtoi bashkëpunim në X, duke thënë: “Përballja me një kundërshtar kaq të fortë si Viktor Orbani nuk ka qenë kurrë e lehtë, megjithatë ai fitoi besimin e shumicës së hungarezëve dhe mbart shpresa dhe pritje të mëdha”.

    “Ai nuk duhet të zhgënjejë. Unë e respektoj rezultatin e zgjedhjeve dhe pres me padurim bashkëpunimin tonë, sepse marrëdhënia midis Hungarisë dhe Republikës Çeke është e ngushtë dhe unë gjithmonë do të punoj në mënyrë konstruktive me këdo që zgjedhin votuesit”.

    Përpara fitores së Magyar, Babis vlerësoi Orbanin dhe tha se ai “gjithmonë ka luftuar për një Evropë më të fortë”.

    Pas fitores së tij mahnitëse të dielën, Peter Magyar tha në një tubim se “Hungaria dëshiron të jetë përsëri një vend evropian”.

    Por, ndërsa ai tani është gati të udhëheqë një supershumicë pasi rrëzoi Viktor Orban, Magyar dikur ishte aleat i kryeministrit në largim.

    Ai është zotuar të godasë korrupsionin, të zhbllokojë miliarda euro nga fondet e ngrira të BE-së dhe të tatojë më të pasurit.

  • Vetaksidenti në Dobrushë, policia jep detaje: Humbi jetën shoferi 32 vjeçar

    Vetaksidenti në Dobrushë, policia jep detaje: Humbi jetën shoferi 32 vjeçar

    Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Dobrushë të Istogut.

    Si pasojë e këtij vetaksidenti ka humbur jetën një person.

    Lajmi është konfirmuar edhe nga zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

    “Rreth orës 06:00 të mëngjesit policia ka pranuar informatën për një vetaksident në fshatin Dobrushë të Istogut, ku si pasojë shoferi rreth 32 vjeçar ka humbur jetën”, tha Gashi.

    Gashi bëri të ditur se shoferi ishte përplasur me një shtyllë të betonit dhe se i njëjti ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

    “Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë policia, ekipet emergjente e zjarrfikësit. Mjeku ka konstatuar vdekjen”, tha ai.

    Në lidhje me rastin, policia dhe njësitë relevante kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të këtij aksidenti.

  • 27 vite nga rënia e dëshmorëve e martirëve në Doganaj të Kaçanikut

    27 vite nga rënia e dëshmorëve e martirëve në Doganaj të Kaçanikut

    Me rastin e 27-vjetorit të rënies së dëshmorëve dhe martirëve në fshatin Doganaj, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dega në Kaçanik, dhe Këshilli Organizues, nën përkrahjen e Komunës së Kaçanikut, organizojnë manifestim përkujtimor.

    Pas manifestimit përkujtimor, do të bëhet vendosja e luleve në vendin e rënies, pranë lapidarit të ngritur, si dhe do të bëhen homazhe në Kompleksin Memorial te Varrezat e Dëshmorëve.

    Më 13 prill 1999, forcat serbe kishin rrethuar lagjen e Vatës dhe fshatin Sllatinë.

    Pas një breshërie të pamëshirshme granatash, ato hynë me egërsi, plaçkitën dhe dogjën shtëpitë, duke vrarë mizorisht 13 shqiptarë të paarmatosur dhe të pafajshëm.

  • Kurti uron Magyer për fitoren e zgjedhjeve në Hungari

    Kurti uron Magyer për fitoren e zgjedhjeve në Hungari

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përgëzuar liderin e partisë Tisza të Hungarisë, Peter Magyar, për triumfin e tij në zgjedhjet parlamentare.

    Në një reagim të publikuar në platformën “X”, Kurti theksoi se Kosova e mirëpret përkrahjen e qytetarëve hungarezë ndaj vlerave evropiane dhe shprehu vullnetin për bashkëpunim në të ardhmen.

    “Urime Peter Magyar për fitoren në Hungari. Kosova e mirëpret mbështetjen e popullit hungarez për vlerat e Bashkimit Evropian dhe presim me padurim të bashkëpunojmë”, ka deklaruar Kurti.

    Ndërkohë, zgjedhjet e 12 prillit sollën ndryshim në skenën politike hungareze, ku kryeministri në detyrë, Viktor Orban, pësoi humbje, duke i hapur rrugën opozitës të udhëhequr nga Peter Magyar, i cili tani pritet të formojë kabinetin e ri qeveritar në Budapest.