ATV

Author: K.B.

  • Serbia promovon kriminelët e luftës – reagon OVL e UÇK-së: Heshtja ndërkombëtare, bashkëfajësi morale

    Serbia promovon kriminelët e luftës – reagon OVL e UÇK-së: Heshtja ndërkombëtare, bashkëfajësi morale

    Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së), ka reaguar ashpër pas vendimeve të fundit të Kuvendit të Serbisë, duke i cilësuar ato si vazhdimësi të “narrativave që rehabilitojnë krimet e luftës”.

    Në reagimin e tyre, OVL e UÇK-së thekson se ndërsa në Kosovë ende vazhdojnë kërkimet për persona të pagjetur nga periudha e luftës, Serbia po vazhdon të glorifikojë figura të lidhura me krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

    “Duke lartësuar figura që lidhen drejtpërdrejt me gjenocidin shtetëror ndaj popullit shqiptar, Kuvendi i Serbisë dëshmon se ky shtet nuk është penduar për të kaluarën e tij kriminale,” thuhet në reagim.

    OVL e UÇK-së ka kërkuar gjithashtu reagim të qartë dhe të prerë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, duke paralajmëruar se heshtja ndaj këtyre veprimeve përbën bashkëfajësi morale.

    “Kërkojmë që SHBA dhe BE të reagojnë prerë ndaj këtij vendimi të paparë, sepse heshtja përballë narrativave që rehabilitojnë krimet kundër njerëzimit është bashkëfajësi morale”, thuhet në reagimin e tyre.

    Ndryshe ditë më parë në Kuvendin e Serbisë është hapur ekspozita kushtuar Njësive Speciale të Policisë dhe komandantit të tyre, Obrad Stevanoviq.

    Pamjet nga hapja e saj kanë treguar edhe ministrin e Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, ish-zëdhënës i Slobodan Milosheviqit, duke shtrënguar duart dhe duke u buzëqeshur me veteranë, një gjest që është parë si anashkalim i fakteve të dokumentuara për krimet e luftës.

    Nga organizatat për të drejtat e njeriut kjo ekspozitë po cilësohet si përpjekje për revizionizëm historik dhe shtrembërim të fakteve të luftës në Kosovë.

  • AKB: 40% e pagës së 13’të ka ikur gjatë festës dhe fundjavave jashtë Kosovës – kryesisht në Shqipëri, RMV ,Mal të Zi e Greqi

    AKB: 40% e pagës së 13’të ka ikur gjatë festës dhe fundjavave jashtë Kosovës – kryesisht në Shqipëri, RMV ,Mal të Zi e Greqi

    Aleanca Kosovare e Bizneseve ka shprehur shqetësim në lidhje me pagën e 13-të për sektorin publik, për çka ka thënë se janë shpenzuar 65 milionë euro.

    Ata kanë thënë se ky vendim ndonëse mund të ketë pasur qëllim social, rezulton të jetë i paefektshëm dhe i patargetuar si duhet.

    “Sipas vlerësimeve të AKB-së, rreth 40% e këtyre mjeteve kanë ikur gjatë festës dhe fundjavave jashtë Kosovës, kryesisht në Shqipëri, Maqedoni të Veriut,Mal të Zi dhe Greqi, duke bërë që një pjesë e konsiderueshme e parasë publike të mos ndikojë në zhvillimin e ekonomisë vendore. AKB vlerëson se këto mjete do të kishin dhënë efekt shumë më të madh nëse do të orientoheshin drejt mbështetjes së sektorit privat,rritjes së prodhimit vendor, subvencionimit të investimeve, apo përkrahjes së bizneseve që krijojnë vende të reja pune”, ka shkruar AKB në reagim.

    Ata kanë thënë se trajtimi i pabarabartë mes sektorit publik dhe atij privat krijon disbalancë në treg dhe dëmonton konkurrencën e drejtë.

    “Në një kohë sfidash ekonomike dhe rritjeje të çmimeve, institucionet duhet të fokusohen në politika që mbajnë kapitalin brenda vendit dhe gjenerojnë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”, thuhet në reagim.

  • Mblidhen rreth 100 mijë nënshkrime për krerët e UÇK-së, dorëzimi në Hagë muajin tjetër

    Mblidhen rreth 100 mijë nënshkrime për krerët e UÇK-së, dorëzimi në Hagë muajin tjetër

    Nevojiten veç të dhënat personale që nënshkrimi të pranohet.

    Përmes kësaj platforme online tash e një muaj qytetarët mund ta nënshkruajnë peticionin kombëtar në mbështetje të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare në Hagë.

    Më shumë për numrin e nënshkrimeve që u mblodhën nga shkurti foli nënkryetari i OVL-UÇK-së, Fatmir Sopi.

    “Deri më tani në bazë të informacioneve që i kemi nga terreni janë bërë rreth 100 mijë nënshkrime, prej tyre 28 mijë janë online ndërsa pjesa tjetër janë fizikisht”, ka deklaruar Sopi.

    Sopi tregoi edhe hapat tjerë që do të ndërmerren për të kundërshtuar vendimet e Speciales për katërshen së UÇK-së në Hagë.

    “Hapat tjerë që do i marrim ne si organizatë do të varet krejt nga vendimi dhe zhvillimet që do të jenë në gjykatën speciale”, ka theksuar ai.

    Por, a mund të ketë ndikim ky peticion në vendimmarrjen e trupit gjykues?

    “ky si mjet i presionit dhe ndikimit e deklarimit të një qëndrimi të një grupi të caktuar të interesave apo të shoqërisë mundet me pas një ndikim formal simbolik politik por jo ligjor sepse ky nuk është mjet që mundet me ndërhy në zhvillimin e procesit”, ka deklaruar Asdren Bytyqi, avokat.

    Bytyqi tha se i gjithë procesi i gjykimit ka pasur shkelje të të drejtave themelore të njeriut.

    “Mendoj që i tërë procesi që nga fillimi ka qenë i përcjellur me shkelje të të drejtave themelore të të pandehurve në procedurë pastaj me shkelje tjera si të burgosur që janë cënu, intimidu e kufizu në forma të ndryshme edhe të komunikimit”, ka deklaruar ai.

    Dorëzimi i nënshkrimeve të peticionit kombëtar në Gjykatën Speciale në Hagës planifikohet të bëhet në fillim të muajit maj.

  • MPB konfirmon rastin për tentim të djegies së një sinagoge në Shkup: Po merren masa për zbardhjen e rastit

    MPB konfirmon rastin për tentim të djegies së një sinagoge në Shkup: Po merren masa për zbardhjen e rastit

    Në SPB, në orën 07:22 të mëngjesit, J.J. raportoi se në rrugën “Apostol Guslarot” në oborrin e një ndërtese fetare vuri re një bombol karburanti dhe gjurmë djegieje, njoftoi Ministria e Brendshme për AIM-n pasi Bashkësia Hebraike në Maqedoni raportoi për një përpjekje për t’i vënë flakën një ndërtese të Bashkësisë dhe sinagogës në Shkup.

    “Menjëherë pas marrjes së njoftimit, oficerët e policisë shkuan në vendngjarje dhe po merren masa për zbardhjen e rastit”, thonë nga Ministria e Brendshme.

    Bashkësia Hebraike në Maqedoni e dënoi këtë akt dhe u bëri thirrje autoriteteve kompetente për sqarim të plotë të rastit dhe zbatim konsistent të ligjeve, si dhe për një dënim të fuqishëm dhe të bashkuar nga të gjithë udhëheqësit fetarë, institucionet dhe qytetarët. Ambasadorja Vivienne Aisen gjithashtu u bëri thirrje autoriteteve që t’i nxjerrin përgjegjësit para drejtësisë.

    “Më 12 prill, për herë të parë në historinë e afërt, u bë një përpjekje për t’i vënë flakën ndërtesës dhe sinagogës së bashkësisë hebraike. Ky akt nuk është vetëm një sulm ndaj një ndërtese fetare, por një goditje thellësisht shqetësuese ndaj vlerave themelore të një shoqërie të civilizuar – bashkëjetesës, dinjitetit dhe respektit të ndërsjellë. Komuniteti hebraik, si komuniteti më i vogël por historikisht i rrënjosur thellë në këto rajone, që nga koha e Antikitetit ka ndërtuar gjithmonë mbijetesën dhe kontributin e tij mbi parimet e paqes, solidaritetit dhe bashkëjetesës. Ne kemi jetuar veçmas në traditat tona fetare, por së bashku në jetën e përditshme – krah për krah me të gjithë bashkëqytetarët tanë, duke ndarë si gëzimet ashtu edhe hidhërimet e kësaj shoqërie”, thuhet në një njoftim për shtyp të nënshkruar nga kryetari i Komunitetit Hebraik në Maqedoni, Pepo Levi.

    “Me shqetësim të veçantë”, thuhet në raport, “vërejmë se vitet e fundit ka pasur një rritje të incidencës së gjuhës së urrejtjes, intolerancës dhe një identifikimi të rrezikshëm të hebrenjve me zhvillimet komplekse gjeopolitike në Lindjen e Mesme. Tendenca të tilla jo vetëm që janë të gabuara, por edhe thellësisht të padrejta, dhe ato hapin rrugën për ringjalljen e antisemitizmit, një fenomen që njerëzimi duhet ta kishte lënë pas shumë kohë më parë”.

  • Tayna paralajmëron publikimin e albumit të ri më 8 Maj

    Tayna paralajmëron publikimin e albumit të ri më 8 Maj

    Artistja e njohur shqiptare, Tayna, ka konfirmuar se albumi i saj më i ri do të publikohet më 8 Maj, duke shënuar një moment të rëndësishëm në karrierën e saj muzikore.

    Pas një periudhe intensive pune dhe sukseseve të njëpasnjëshme në skenën muzikore, ky projekt pritet të sjellë një kapitull të ri artistik dhe një dimension të ri krijimtarie.

    Albumi i ri vjen pas publikimit të këngës së fundit, e cila ka zgjuar interes të madh tek publiku dhe fansat, duke rritur pritjet për materialin e plotë muzikor që do të prezantohet në maj. Projekti përfshin bashkëpunime të ndryshme artistike dhe një koncept të kuruar me kujdes, që synon të reflektojë evoluimin artistik të Tayna-s gjatë viteve.

    Me një karrierë që tashmë shënon një dekadë në industrinë e muzikës, Tayna vazhdon të mbetet një nga artistet më me ndikim në skenën shqiptare dhe më gjerë. Publikimi i albumit më 8 Maj pritet të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore të këtij viti.

  • Çmimet e derivateve për sot: Nafta 1.84 euro për litër, benzina 1.44 euro

    Çmimet e derivateve për sot: Nafta 1.84 euro për litër, benzina 1.44 euro

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës (MINT) ka bërë të ditur çmimet maksimale të lejuara për derivatet e naftës, të cilat do të jenë në fuqi për datën 13 prill 2026.

    Nafta sot do të shitet me çmimin 1.84 centë sipas vendimit të publikuar nga MINT.

    Në vendimin e publikuar, çmimi maksimal i lejuar për benzinë është 1.44 centë, kurse për gazin 89 centë.

  • Stresi kronik mund t’ju ndezë lëkurën: Shkencëtarët zbulojnë si shfaqet ekzema

    Stresi kronik mund t’ju ndezë lëkurën: Shkencëtarët zbulojnë si shfaqet ekzema

    Studimi i ri zbulon rrugën biologjike përmes së cilës stresi psikologjik aktivizon sistemin imunitar dhe nxit ekzemën. Ekspertët thonë se ky zbulim mund të ndryshojë mënyrën si kuptohet dhe trajtohet kjo gjendje

    Hulumtimet tregojnë se stresi kronik mund të shkaktojë ekzemë, një sëmundje jo ngjitëse inflamatore të lëkurës. Dermatiti atopik, apo ekzema, shoqërohet me kruarje të vazhdueshme, ndonjëherë edhe me luspa dhe njolla të errëta në lëkurë, ndërsa kruarja e fortë dhe gërvishtja mund t’i përkeqësojnë simptomat. Mekanizmat përmes të cilëve stresi shkakton shpërthimin e ekzemës nuk kanë qenë të qartë, por një studim i shkencëtarëve nga Fudan University, i publikuar në revistën Science, ka bërë një analizë të thelluar të lidhjeve biologjike.

    Studimi kinez identifikoi një rrjet specifik neuronesh

    Ekzistojnë disa barna për trajtimin dhe lehtësimin e ekzemës, si kremrat hidratues për rikthimin e barrierës së lëkurës, kremrat me kortikosteroide, si dhe antihistaminikët ose antibiotikët. Për ekzemën aktualisht nuk ka shërim përfundimtar. Simptomat mund të shfaqen ose të zhduken, çdo herë me intensitet të ndryshëm. Shfaqja e tyre mund ta vështirësojë jetën e përditshme dhe të shkaktojë parehati, varësisht nga shkalla e gjendjes.

    Studimi kinez identifikoi një rrjet të veçantë neuronesh që, kur ekspozohen ndaj stresit, nxisin reagim imunitar në lëkurë dhe shkaktojnë shpërthimin e ekzemës. Studimi i ri hulumtoi mekanizmat që qëndrojnë pas lidhjes mes stresit dhe përkeqësimit të gjendjes, por gjithashtu identifikoi rrjetin nervor që, i aktivizuar nga stresi, vë në lëvizje sistemin imunitar dhe çon në përkeqësim të simptomave.

    Sipas Dr. Shenbin Liu, neurobiolog në Fudan University, gjetja më e rëndësishme e studimit është se stresi psikologjik komunikon me lëkurën përmes një “autostrade” specifike, ku stresi aktivizon një nëngrup të veçantë neuronesh simpatikë që lidhen me lëkurën. Këta neurone jo vetëm bartin sinjalin, por çlirojnë edhe kemokinën CCL11, e cila tërheq eozinofilet, qeliza imunitare që nxisin përkeqësimin e dermatitit atopik të shkaktuar nga stresi.

    Si stresi psikologjik shndërrohet në lëkurë të përflakur

    Më herët mendohej se stresi e përkeqësonte ekzemën përmes boshtit hipotalamus-hipofizë-gjëndra mbiveshkore, por studimi i ri e vë në pikëpyetje këtë teori. Është shumë e rëndësishme të kuptohet se stresi nuk është vetëm një shkaktar, por lidhet drejtpërdrejt me reagimin imunitar të lëkurës.

    Sipas Dr. Liu, rëndësia e zbulimit qëndron te kuptimi i lidhjes mes mendjes dhe lëkurës, duke e zhvendosur shpjegimin e shpërthimit të dermatitit atopik nga një koncept i paqartë psikologjik në një rrugë konkrete fizike, që tregon saktësisht se si stresi psikologjik përkthehet në një ngjarje biologjike, pra në lëkurë të përflakur.

    Eozinofilet janë një lloj i qelizave të bardha të gjakut, ndërsa numri i rritur i tyre mund të tregojë alergji, inflamacion kronik ose parazitë. Lidhja e fortë mes stresit dhe rritjes së eozinofileve sugjeron se mjekët në të ardhmen mund ta matin nivelin e tyre jo vetëm për të vlerësuar ashpërsinë e gjendjes, por edhe ndikimin që ka stresi në atë moment.

  • Rënia e kriptomonedhave: mbi 20 mijë “milionerë” të Bitcoin zhduken pas uljes së çmimit

    Rënia e kriptomonedhave: mbi 20 mijë “milionerë” të Bitcoin zhduken pas uljes së çmimit

    Rënia e çmimit të Bitcoin gjatë tremujorit të parë të vitit 2026 ka shkaktuar një ulje të madhe të numrit të adresave kripto që kishin vlerë mbi 1 milion dollarë. Sipas të dhënave, dhjetëra mijëra adresa kanë rënë nën këtë prag, kryesisht për shkak të rënies së vlerës së Bitcoin dhe jo si rezultat i shitjeve masive.

    Sipas analizës së Finbold, Bitcoin ka humbur mbi 20% të vlerës gjatë kësaj periudhe, gjë që ka ndikuar drejtpërdrejt në uljen e numrit të “milionerëve” në rrjet. Më të goditur kanë qenë investitorët në segmentin 1 deri në 10 milionë dollarë, të cilët konsiderohen më të ndjeshëm ndaj luhatjeve të tregut. Ndërkohë, adresat me mbi 10 milionë dollarë kanë pësuar gjithashtu rënie, por mbeten më të qëndrueshme.

    Të dhënat sugjerojnë se, ndërsa investitorët e mesëm po humbasin vlerë dhe status, institucionet dhe fondet e mëdha financiare po vazhdojnë të blejnë Bitcoin, duke rritur diferencën mes lojtarëve të vegjël dhe atyre të mëdhenj.

    Megjithatë, ekspertët theksojnë se numri i adresave nuk pasqyron domosdoshmërisht pasurinë reale, pasi një person mund të kontrollojë më shumë se një adresë. Sidoqoftë, trendi tregon se tregu i kriptomonedhave po bëhet gjithnjë e më i ndjeshëm për investitorët e mesëm, ndërsa aktorët e mëdhenj mbeten më rezistentë ndaj rënieve afatshkurtra.

  • Kusari: Viktor Orban një armik i madh i mediave, ja çfarë u bëri për 16 vjet

    Kusari: Viktor Orban një armik i madh i mediave, ja çfarë u bëri për 16 vjet

    Pas humbjes së Viktor Orbán, juristja e medias Flutura Kusari ka rikujtuar gjendjen e rënduar të lirisë së medias gjatë 16 viteve të tij në pushtet.

    Sipas saj, shumica e mediave në Hungaria përfunduan nën pronësi të njerëzve të lidhur me qeverinë, duke çuar në humbjen e pluralizmit mediatik që ekzistonte para vitit 2010.

    Ajo thekson se edhe televizioni publik u vu nën kontroll politik, ndërsa ligjet për media dhe institucionet rregullatore u përshtatën në kundërshtim me standardet evropiane.

    Postimi i plotë:

    Mos-liria e medias në Hungari

    Në 16 vitet e tij në pushtet, ja çfarë ka ba Orbani:

    📍Shumica e mediave tashmë janë në pronësi të njerëzve të ndërlidhur me qeverinë. Rrjedhimisht, Hungaria e ka humbur pluralizmin e mediave që e gëzonte para vitit 2010.

    📍 Televizionin publik e ka vendosur nën kontroll politik.

    📍Ka ushtruar presion efektiv përmes ndryshimeve ligjore dhe institucionale. Ka miratu ligje për media në kundërshtim me standardet evropiane dhe e kontrollon rregullatorin shtetëror të mediave.

    📍Qeveria e tij ka përdorë paratë publike për të reklamu në mediat e kontrollume nga ajo vetë.

    📍I ka intimidu gazetarët duke përdorur forma të ndryshme presioni. Përmes gjuhës denigruese nga vetë ai, zëdhënësit, deputetët dhe të tjerë në pushtet, duke i portretizuar gazetarët si armiq. I kanë përgju kundërligjshëm dhe i kanë ataku me padi SLAPP.

    Gazetarët në Hungari kanë vuajtë shumë, por një pjesë e tyre nuk janë dorëzu. Falë tyre, ne dimë se si ka qeverisë Orbani.

    Gazetarët hungarezë kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në informimin e publikut dhe kanë pagu çmim të naltë për rezistencën e tyre.

  • Ramadani beson se nëse partitë politike nuk riorganizohen, këtë do ta bëjnë qytetarët

    Ramadani beson se nëse partitë politike nuk riorganizohen, këtë do ta bëjnë qytetarët

    Ish-inspektori i AKI-së dhe eksperti i sigurisë, Burim Ramadani, ka paralajmëruar një riorganizim të mundshëm të qytetarëve në rast se partitë politike në Kosovë nuk reflektojnë dhe nuk reformohen.

    Sipas tij, situata politike në vend po shndërrohet në një “dramë të vazhdueshme”, ku aktorët kryesorë politikë po kontribuojnë në mbajtjen e një klime të tensionuar dhe të paqëndrueshme.

    “Duket se e tëra është kthyer në njëlloj drame, sepse duket se politikanët kryesorë po duan që Kosova të mbetet në situata dramatike vazhdimisht. Por, një gjë e besoj: nëse partitë politike nuk riorganizohen, qytetarët do të riorganizohen!”, ka shkruar ai.

    Ramadani thekson se ekziston një numër i madh qytetarësh, aktivistësh dhe të rinjsh të gatshëm për t’u angazhuar në krijimin e një platforme të re politike, e cila mund të marrë formë në periudhën e ardhshme.

    “Pra, ka shumë qytetarë, aktivistë, kontribues dhe të rinj që janë të gatshëm të angazhohen për të ndërtuar diçka të re, për të formësuar një platformë të re që do të vjen në shprehje nëse partitë politike aktuale nuk riorganizojnë veten. Një lëvizje e re popullore politike do të formësohet në periudhën e ardhshme dhe do të lë në histori një pjesë të madhe të partive politike aktuale”.