ATV

Author: K.B.

  • Lexuesi i buzëve tregon çfarë u tha Donald Trump çdo lojtari të Spanjës dhe Argjentinës në finalen e Kupës së Botës

    Lexuesi i buzëve tregon çfarë u tha Donald Trump çdo lojtari të Spanjës dhe Argjentinës në finalen e Kupës së Botës

    Një lexues profesionist i buzëve ka pohuar se Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u tha të njëjtën frazë çdo lojtari ndërsa u dhuronte atyre një medalje të Kupës së Botës.

    Spanja e zgjati serinë e saj të pamposhtur në 38 ndeshje, seria më e gjatë ndërkombëtare në histori, në stadiumin MetLife, pasi goli i Ferran Torres në minutën e 106-të ishte i mjaftueshëm për të siguruar fitoren kundër Argjentinës.

    Pas vërshëllimës së përfundimit të ndeshjes të së dielës, Trump mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së medaljeve së bashku me kryeministrin kanadez Mark Carney, presidenten meksikane Claudia Sheinbaum dhe presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino.

    Këtu, 80-vjeçari amerikan përshëndeti çdo lojtar në skenë duke u shtrënguar dorën. Më pas ai shkëmbeu fjalë me lojtarët e lartpërmendur përpara se t’i jepte një medalje ose ta godiste në gjoks.

    Por, çfarë i tha Trump secilit individ? Këtë e ka zbuluar lexuesja profesioniste e buzëve, Nicola Hickling.

    “Je një kampion”, përpara se të shtonte: “Lojtar i mrekullueshëm”, ishin dy fjalët që Trump përdori për secilin lojtarë sipas Hickling.

  • Mbi 500 aplikime në 24 orë për programin e mësimit të notit në Prishtinë

    Mbi 500 aplikime në 24 orë për programin e mësimit të notit në Prishtinë

    Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës ka njoftuar se programi i mësimit të notit për nxënësit e shkollave publike ka zgjuar interesim të madh, me mbi 500 aplikime të regjistruara brenda më pak se 24 orëve nga hapja e thirrjes.

    Sipas njoftimit, programi është planifikuar për 700 nxënës, ndërsa numri i lartë i aplikimeve në ditën e parë tregon interesimin e madh të prindërve dhe nevojën për iniciativa të tilla në arsimin publik.

    Nga Drejtoria e Arsimit u vlerësua se ky interes dëshmon rëndësinë e programeve që u ofrojnë fëmijëve mundësi të reja për të mësuar, zhvilluar aftësi të reja dhe për të qenë më aktivë.

    Nis projekti “Not për çdo nxënës”: Pishina e Gërmisë hap dyert falas për fëmijët e Prishtinës

    Institucioni falënderoi prindërit për besimin dhe interesimin e treguar, duke theksuar se do të vazhdojë të investojë në programe që krijojnë më shumë mundësi për nxënësit e shkollave publike dhe kontribuojnë në zhvillimin e tyre.

    Sipas Drejtorisë së Arsimit, ky program është vetëm fillimi i iniciativave të reja që synojnë përmirësimin e përvojës edukative dhe zhvillimore të nxënësve në kryeqytet.

  • Mund të jeni duke i lidhur gabimisht lidhëset e këpucëve: Ndryshimi i vogël që e bën nyjën më të sigurt

    Mund të jeni duke i lidhur gabimisht lidhëset e këpucëve: Ndryshimi i vogël që e bën nyjën më të sigurt

    Për shumicën e njerëzve, lidhja e lidhëseve të këpucëve është një aftësi që mësohet në fëmijëri dhe më pas bëhet automatikisht, pa u menduar më gjatë.

    Megjithatë, një ekspert ka zbuluar se miliona persona mund t’i kenë lidhur ato gabimisht për vite me radhë.

    Rrobaqepësi skocez Jonathan Farley, i njohur në rrjetet sociale për këshillat dhe truket praktike, ka prezantuar një ndryshim të vogël në metodën klasike të lidhjes së lidhëseve, i cili krijon një nyjë më të rregullt dhe më të qëndrueshme.

    Pse nyja tradicionale mund të zgjidhet lehtë?

    Metoda që mësohet zakonisht në fëmijëri shpesh përfundon me dy lakoret e lidhëseve të drejtuara përpara dhe prapa, drejt gishtërinjve dhe kyçit të këmbës.

    Kjo formon atë që njihet si “granny knot”, një nyjë e shtrembëruar dhe e çekuilibruar, e cila mund të lirohet më lehtë gjatë ecjes.

    Duke ndryshuar vetëm drejtimin në të cilin mbështillet lidhësja në fazën përfundimtare, mund të krijohet një nyjë më simetrike, e njohur si “reef knot”.

    @jonathanpfarley How do you tie your shoe laces? I've just found out I have been doing it incorrectly my entire life. #howtotieshoelaces ♬ original sound – Jonathan P Farley

    Kjo bën që lakoret e lidhëseve të shtrihen horizontalisht, nga njëra anë e këpucës në tjetrën, duke e bërë pamjen më të rregullt dhe nyjën më të sigurt.

    “I kam lidhur gabimisht gjatë gjithë jetës”

    Farley, i cili ka afro 300 mijë ndjekës në TikTok, pranoi se e kishte zbuluar këtë teknikë vetëm në moshën 53-vjeçare.

    “Nuk je kurrë shumë i moshuar për të mësuar diçka të re ose për ta pranuar se ke gabuar”, tha ai.

    “I kam lidhur gabimisht lidhëset gjatë gjithë jetës. Mësova t’i lidhja kur isha gjashtë vjeç, ndërsa tani jam 53 vjeç dhe sapo e kuptova se e kam bërë gabim.”

    Në videon e publikuar, ai tregon dy këpucë të lidhura në mënyra të ndryshme.

    Në njërën, lakoret e lidhëseve drejtohen lart dhe poshtë, ndërsa në tjetrën qëndrojnë në mënyrë më të rregullt, horizontalisht.

    “Siç mund ta shihni, njëra duket shumë më elegante, ndërsa tjetra duket gabim”, shpjegoi ai.

    Farley tregoi se një ndjekës ia kishte vënë në dukje gabimin në një video të mëparshme.

    “Unë i lidha lidhëset siç kam bërë gjithmonë: krijoja lakoren, e mbështillja lidhësen rreth saj dhe e tërhiqja. Mendoja se kështu duhej bërë.”

    Ndjekësi e këshilloi që mbështjelljen ta bënte në drejtimin e kundërt.

    Pasi e provoi teknikën, Farley reagoi i befasuar: “O Zot, është perfekte!”

    Ndryshimi që duhet bërë

    Personat të cilëve lakoret e lidhëseve u përfundojnë në drejtim vertikal duhet të ndryshojnë vetëm një hap.

    Në fazën e fundit të lidhjes, lidhësja duhet të mbështillet rreth lakores në drejtimin e kundërt nga ai që përdoret zakonisht dhe më pas të shtrëngohet.

    Nëse bëhet saktë, dy lakoret duhet të qëndrojnë horizontalisht përgjatë këpucës.

    “Gjysma prej jush do të thonë se i kanë lidhur gjithmonë në këtë mënyrë”, tha Farley.

    “Gjysma tjetër, ashtu si unë, do të thonë se ky është një zbulim që ndryshon gjithçka.”

    Përdoruesit e rrjeteve sociale e provojnë metodën

    Videoja nxiti shumë reagime nga përdoruesit, të cilët nisën ta provonin menjëherë teknikën.

    “Është gjithashtu një nyjë më e fortë dhe nuk zgjidhet si ajo që na kanë mësuar të gjithëve kur ishim fëmijë. Nuk është më e nevojshme ta lidhni dy herë”, shkroi një përdorues.

    Një tjetër bëri shaka: “Duhen vetëm një mijë përsëritje dhe do të mësohesh me të.”

    “Po e rilidh këpucën pikërisht tani”, shkroi dikush tjetër.

    Pse nyja e re është më e fortë?

    Nyja “reef” është më e sigurt sepse është simetrike.

    Dy pjesët e saj tërhiqen në mënyrë të barabartë kundër njëra-tjetrës, ndërsa fërkimi mes lidhëseve ndihmon që nyja të mbetet e shtrënguar.

    Në të kundërt, nyja “granny” është e përdredhur dhe e paekuilibruar. Kjo e bën më të lehtë që lidhëset të lirohen ndërsa këmbët lëvizin gjatë ecjes ose vrapimit.

    Pasi teknika të mësohet, nyja më e fortë kërkon saktësisht të njëjtën kohë sa ajo tradicionale.

    Ky ndryshim i vogël mund t’i shpëtojë njerëzit nga ndalesat e vazhdueshme për t’i rilidhur lidhëset dhe njëkohësisht të zvogëlojë rrezikun e pengimit apo rrëzimit.

  • Vdekja tragjike e tre kosovarëve, sot ditë zie në Vushtrri

    Vdekja tragjike e tre kosovarëve, sot ditë zie në Vushtrri

    Vdekja tragjike e tre kosovarëve, sot ditë zie në Vushtrri

    Pas vdekjes në aksidentin tragjik të tre qytetarëve të saj, Komuna e Vushtrrisë e ka shpallur të martën ditë zie.

    Vendimi është marrë nga kryetari i kësaj komune, Ferit Idrizi.

    “Me vendim të Kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, dita e sotme është shpallur Ditë Zie në territorin e Komunës së Vushtrrisë, në shenjë nderimi dhe pikëllimi për humbjen tragjike të jetës së bashkëqytetarëve tanë, Ejup Tërnava, Cennet Tërnava dhe Fatmire Shabani.”, thuhet në njoftimin e komunës së Vushtrrisë.

    Sipas vendimit, obligohen të gjitha institucionet publike dhe subjektet afariste në Komunën e Vushtrrisë që, gjatë ditës së sotme, flamujt t’i vendosin në gjysmështizë.

    “Po ashtu, gjatë ditës së sotme pezullohen të gjitha aktivitetet politike, kulturore dhe sportive në Komunën e Vushtrrisë. Në këto momente të rënda, u shprehim ngushëllimet tona më të thella familjeve Tërnava dhe Shabani dhe bashkëndjejmë dhimbjen për këtë humbje të rëndë.”, thuhet tutje në njoftim.

  • Kush është Ines Garcia, e dashura e Lamine Yamalit?

    Kush është Ines Garcia, e dashura e Lamine Yamalit?

    Ines Garcia është influencuesja spanjolle e modës dhe bukurisë, e cila ka marrë vëmendje të madhe publike si e dashura e yllit të futbollit, Lamine Yamal.

    Ajo ka qenë pranë futbollistit gjatë rrugëtimit të tij me kombëtaren e Spanjës dhe e ka mbështetur edhe gjatë Kupës së Botës, ku Spanja u shpall kampione.

    Garcia ka treguar për herë të parë për njohjen e saj me Yamalin përmes një videoje në TikTok, e cila më pas është fshirë.

    Ajo hodhi poshtë një histori që ishte bërë virale në rrjete sociale, sipas së cilës ata ishin takuar në një dyqan pasi kartela e saj nuk kishte funksionuar gjatë pagesës dhe Yamal kishte paguar për të.

    “Do të doja t’ju tregoja një histori shumë të çmendur, sikur e takova në aeroport apo rastësisht në rrugë, por jo. Jemi njohur në rrjete sociale”, kishte thënë Garcia duke treguar versionin e saj të vërtetë.

    Edhe pse lidhja e tyre u bë publike vetëm kohët e fundit, Garcia ka bërë të ditur se ajo dhe Yamal njihen prej rreth tre vitesh.

    Dyshimet për një lidhje mes tyre nisën pas disa paraqitjeve së bashku, përfshirë një udhëtim në Greqi.

    Gjatë Kupës së Botës, Garcia udhëtoi drejt Shteteve të Bashkuara për ta mbështetur Yamalin, pavarësisht se ka pranuar se ka frikë nga fluturimet.

    Ajo publikoi fotografi nga stadiumet dhe ndau mesazhe përkrahjeje për futbollistin, duke e quajtur në një postim “dashuria ime”.

    Ines ka një numër të madh ndjekësish në rrjetet sociale, me rreth 1.4 milion ndjekës në Instagram dhe 1.7 milion në TikTok.

    Ajo publikon përmbajtje që lidhet me modën, grimin, kujdesin për lëkurën, udhëtimet dhe stilin e jetesës.

    Në një intervistë për revistën “Woman Madame Figaro”, Garcia ka treguar se pjesa më e bukur e punës si influencuese janë mundësitë, bashkëpunimet me marka dhe pjesëmarrjet në evente të ndryshme.

    Ndërsa sfida më e madhe, sipas saj, është ekspozimi publik dhe kritikat nga njerëzit që komentojnë jetën e saj pa e njohur atë.

  • Në Pejë nis shpërndarja e 65 traktorëve për fermerët, dorëzohen 19 në fazën e parë

    Në Pejë nis shpërndarja e 65 traktorëve për fermerët, dorëzohen 19 në fazën e parë

    Komuna e Pejës ka njoftuar për shpërndarjen e traktorëve për fermerët përfitues në kuadër të programit për mekanizimin bujqësor, i cili bashkëfinancohet nga komuna dhe vetë fermerët.

    Sipas njoftimit, faza e parë e projektit u realizua këtë të martë, ku 19 fermerë morën traktorët e tyre në kuadër të Thirrjes Publike “Furnizim me mekanizëm bujqësor – Traktor”.

    Në ceremoninë e dorëzimit morën pjesë kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, dhe drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Hidroekonomi, Tahir Shala, të cilët uruan përfituesit dhe theksuan rëndësinë e investimeve në sektorin e bujqësisë.

    Muhaxheri deklaroi se mekanizimi bujqësor mbetet një nga prioritetet e komunës, duke shtuar se investimet e tilla synojnë rritjen e prodhimit vendor, modernizimin e fermave dhe përmirësimin e kushteve të punës për fermerët.

    Ndërsa, drejtori Shala tha se interesimi i fermerëve për këtë program ka qenë i madh, ndërsa vlerësoi se pajisja me mekanizëm modern do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e produktivitetit dhe zhvillimin e ekonomive familjare në zonat rurale.

    Sipas Komunës së Pejës, në total do të shpërndahen 65 traktorë për fermerët përfitues, ndërsa projekti pritet të përfundojë deri më 20 gusht.

  • Ndahet nga jeta Beqir Beqiri, organizatori dhe punëtori shumëvjeçar i Teatrit Kombëtar të Kosovës

    Ndahet nga jeta Beqir Beqiri, organizatori dhe punëtori shumëvjeçar i Teatrit Kombëtar të Kosovës

    Teatri Kombëtar i Kosovës ka njoftuar ndarjen nga jeta të Beqir Beqirit, organizatorit dhe punëtorit shumëvjeçar të këtij institucioni kulturor.

    Me punën e tij të palodhshme dhe profesionalizmin e vazhdueshëm, ai dha një kontribut të çmuar në funksionimin dhe organizimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, duke lënë pas kujtime të paharrueshme për të gjithë ata që patën rastin të punonin me të.

    Përmes një njoftimi zyrtar, TKK shprehu dhimbjen për humbjen e një prej bashkëpunëtorëve të tij, për punën dhe përkushtimin që Beqiri dha ndër vite.

    Më poshtë reagimi i plotë i Teatrit Kombëtar të Kosovës:

    “Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Beqir Beqirit, organizatorit dhe punëtorit të kahmotshëm e të çmuar të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

    Përkushtimi, profesionalizmi dhe puna e tij shumëvjeçare do të mbeten pjesë e kujtesës së institucionit tonë.

    Beqir Beqiri do të kujtohet si një njeri i mirë, koleg i respektuar, organizator i përkushtuar dhe punëtor i palodhur, i cili me kontributin e tij të vyer la gjurmë të pashlyeshme në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

    Në këto çaste të vështira, Teatri Kombëtar i Kosovës shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Beqiri, të afërmit, miqtë dhe mbarë komunitetin artistik.

    Ceremonia e varrimit do të mbahet sot, pas faljes së namazit të drekës, në Varrezat e Dragodanit.

    I përjetshëm qoftë kujtimi për të”.

  • Gjendet e vdekur një grua në Prishtinë, trupi dërgohet për obduksion

    Gjendet e vdekur një grua në Prishtinë, trupi dërgohet për obduksion

    Një grua kosovare është gjetur pa shenja jete në Prishtinë.

    Sipas raportit të Policisë, rasti ka ndodhur më 20 korrik 2026, rreth orës 23:15, ku njësitë policore dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë konstatuar vdekjen e viktimës.

    Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.

    HETIM I VDEKJES Prishtinë / 20.07.2026-23:15. Lidhur me rastin njësitë policore dhe ekipi mjekësor kanë dalë vendin e ngjarjes ku edhe është konstatuar vdekja e viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Rasti duke u hetuar.
    Rasti është duke u hetuar.

  • Arrestohet vushtrriasi, u hodhi sprej dhe i sulmoi fizikisht dy policë

    Arrestohet vushtrriasi, u hodhi sprej dhe i sulmoi fizikisht dy policë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se pasditen e së hënës e ka arrestuar një person në Vushtrri, i cili dyshohet se ka sulmuar fizikisht dy zyrtarë policorë dhe ka hedhur sprej ndaj tyre.

    Në raportin 24-orësh thuhet se policët dhe i dyshuari kanë pranuar tretman mjekësor pas rastit.

    Për këto veprime, vushtrriasi është dërguar në mbajtje dhe dyshohet për dy vepra penale “Posedim i paautorizuar i armëve” dhe “sulm ndaj personit zyrtar”.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti ka hedhur sprej dhe i ka sulmuar fizikisht dy zyrtarë policorë. Dy zyrtarët dhe i dyshuari kanë pranuar tretman mjekësor. Si prova materiale lidhur me rastin janë gjetur dhe konfiskuar: dy sprej dhe një thikë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. Rasti në procedurë hetimore.”, thuhet në raportin policor.

  • Gucati kërkon nga Qeveria të reagojë për listat e luftëtarëve të publikuara nga Serbia

    Gucati kërkon nga Qeveria të reagojë për listat e luftëtarëve të publikuara nga Serbia

    Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, u ka bërë thirrje ish-bashkëluftëtarëve që ta shmangin kalimin nëpër Serbi, pas publikimit të emrave të pjesëtarëve të Brigadës 111 “Adem Jashari” dhe Brigadës 121 “Kumanova” nga lëvizja serbe “Zemra e Heronjve”.

    Kjo lëvizje që përfaqëson pjesëtarët e forcave policore dhe ushtarake pjesëmarrëse në luftërat në ish-Jugosllavi, ka kërkuar nga Qeveria e Serbisë dhe Prokuroria Serbe për Krime Lufte që t’i verifikojnë emrat e publikuar dhe të përcaktojnë nëse, sipas pretendimeve të saj, ndonjëri prej tyre është i përfshirë në krime.

    Po ashtu, ajo ka kërkuar nga Interpoli lëshimin e urdhërarresteve ndërkombëtare ndaj pjesëtarëve të UÇK-së, ndërsa listat ua ka dërguar edhe policive të disa vendeve të Bashkimit Evropian për veprime të mëtejshme.

    Gucati, përmes KosovaPress i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të mos bie nën kurthin e Serbisë që të ndalojnë shtetasit e Kosovës.

    “Ne e dimë që Serbia nuk mendon mirë kurrë për shqiptarët e Kosovës, sidomos për pjesëtarët e UÇK-së. Ne kemi bërë thirrje edhe më herët, do bëjmë edhe këtu, veteranëve që mos të kalojnë nëpër Serbi. Të kenë kujdes, sidomos këto dy brigada, shkak që tash kanë dalur edhe publikisht nga çetnikët serb të cilët kërkojnë të bëjnë verifikimin e tyre dhe të ndalojnë shokët tonë. Është e vërtetë që kanë kërkuar nga Interpoli dhe shtetet përreth që të ndalen të gjithë pjesëtarët e UÇK-së. Unë i bëj thirrje vendeve të Evropës që të mos bien nën kurthin e Serbisë, të cilët dëshirojnë gjithmonë të destabilizojnë vendin tonë. Ne e dimë që Serbia edhe kur të flejë në gjumë e k ëndërr Kosovën për ta marrë, por ajo punë ka vdekur”, tha Gucati.