ATV

Author: K.B.

  • Sulm në një shkollë në Turqi, raportohet për të vdekur

    Sulm në një shkollë në Turqi, raportohet për të vdekur

    Mediat turke po raportojnë për një sulm në një shkollë të mesme në Turqi.

    Autoritetet në Kahramanmaraş, sipas raporteve fillestare nga terreni, thonë se të shtëna janë dëgjuar në shkollën e mesme Ayşel Çalık në distriktin Onikişubat.

    Guvernatori i Kahramanmaraşit, Mükerrem Ünlüer, ka konfirmuar se në një shkollë në qytet ka ndodhur një sulm me armë, ku janë raportuar si të plagosur ashtu edhe viktima.

    Raportohet se rreth 20 persona janë plagosur, ndërsa 3 nxënës dhe një mësues raportohet se janë vrarë në incident. Autoritetet thonë gjithashtu se i dyshuari për sulmin besohet se ka vrarë veten pas ngjarjes.

    Po ashtu, thuhet se sipas gjetjeve paraprake, sulmuesi ka përdorur pesë armë zjarri dhe shtatë karikatorë, duke hyrë në të paktën dy klasa gjatë sulmit.

    Ministri i Drejtësisë, Akın Gürlek, deklaroi se Prokuroria e Përgjithshme e Kahramanmaraşit ka nisur menjëherë hetim për sulmin e armatosur në shkollë dhe se janë caktuar tre zëvendësprokurorë dhe katër prokurorë për rastin.

    Ndërkohë, Ministri i Arsimit Kombëtar, Yusuf Tekin, është duke u nisur drejt Kahramanmaraşit pas sulmit të armatosur në shkollën e mesme, kanë bërë të ditur autoritetet.

  • Raportime se VV e LDK janë afër një marrëveshje, Mustafa: S’ka asgjë të vërtetë, s’ka marrëveshje sekrete

    Raportime se VV e LDK janë afër një marrëveshje, Mustafa: S’ka asgjë të vërtetë, s’ka marrëveshje sekrete

    Zëdhënësi i LDK’së, Besian Mustafa, ka mohuar raportimet se LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje janë afër një marrëveshjeje për zgjedhjen e Presidentit.

    Disa media sot raportuan duke cituar burime se VV dhe LDK janë afër një marrëveshje që Albulena Haxhiu do të zinte pozitën e Presidentes, ndërsa Lutfi Haziri i LDK’së atë të Kryeparlamentarit.

    Megjithatë, këto i hodhi poshtë Mustafa në një përgjigje për Gazetën Express.

    “Nëse ishte arritur marrëveshje iu kishim njoftuar publikisht. Nuk ka marrëveshje sekrete, prandaj jo nuk ka kurrgjë të vërtetë”.

    I pyetur nëse këto raportime janë spekulime, Mustafa refuzoi t’i jepte cilësime.

    “Nuk po dua t’i cilësoj kurrqysh, por marrëveshje në këto momente që po flasim nuk ka”.

  • Bugaqku: Zgjedhjet e reja brenda 45 ditësh pas përfundimit të afatit kushtetues

    Bugaqku: Zgjedhjet e reja brenda 45 ditësh pas përfundimit të afatit kushtetues

    Përfaqësuesi i zyrës ligjore në Institutin Demokratik të Kosovës, Vullnet Bugaqku, tha se Gjykata Kushtetuese në vendimin e fundit të saj e ka bërë të qartë se nëse brenda 34 ditësh nuk zgjedhjet presidenti i ri, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

    Bugaqku tha se Kushtetuta e parasheh që pas kalimit të afatit për zgjedhjen e presidentit, zgjedhjet të mbahen brenda 45 ditësh.

    “Zgjedhjet e reja duhet të mbahen jo më vonë se 45 ditë nga dita e shpërndarjes së Kuvendit. Nëse nuk ka marrëveshje për zgjedhjen e presidentit dhe vendi shkon në zgjedhje, atëherë ato do të duhej të mbaheshin në mes të muajit qershor, më 7 ose 14 qershor, varësisht se si kalkulohen afatet dhe ditët e mbetura nga momenti kur shpërndahet Kuvendi., tha Bugaqku për rtv21.

  • Trump akuzon Melonin e Italisë se nuk ka pasur ‘guxim’ për të mbështetur luftën me Iranin

    Trump akuzon Melonin e Italisë se nuk ka pasur ‘guxim’ për të mbështetur luftën me Iranin

    Presidenti amerikan Donald Trump të martën lëshoi një kritikë të ashpër ndaj kryeministres italiane Giorgia Meloni, një nga aleatët e tij kryesorë evropianë, për shkak të mosgatishmërisë së saj për t’u bashkuar me luftën me Iranin.

    “Jam i shokuar prej saj. Mendova se kishte guxim, por gabohesha”, tha ai në një intervistë me të përditshmen italiane Corriere della Sera.

    Intervista u botua një ditë pasi Meloni dënoi si “të papranueshme” kritikat e Trump ndaj Papa Leo XIV, pas thirrjeve të përsëritura të Papës për t’i dhënë fund ndërhyrjes së SHBA-së në Iran, transmeton Telegrafi.

    “Ajo është e papranueshme sepse nuk e shqetëson që Irani ka një armë bërthamore dhe do ta hidhte në erë Italinë brenda dy minutash nëse do të kishin mundësi”, tha Trump.

    Meloni, udhëheqëse konservatore e Italisë që nga tetori 2022, ka qenë një nga aleatët më të ngushtë të Trump në Evropë dhe shpesh kërkon të veprojë si ndërmjetës midis pikëpamjeve të ndryshme amerikane dhe evropiane.

    Por presidenti tha se ata nuk kishin folur këtë muaj, “jo për një kohë të gjatë”, duke thënë: “Ajo nuk na ndihmon me NATO-n”.

    “Ajo nuk dëshiron të ndihmojë në heqjen qafe të një Irani të pajisur me armë bërthamore. Shumë e trishtueshme Ajo është shumë ndryshe nga sa mendoja”, shtoi ai.

    Ai e përshkroi aleancën ushtarake të NATO-s si një “tigër letre” dhe kritikoi Evropën në përgjithësi për mosgatishmërinë për të luftuar për ngushticën e Hormuzit, ku ata marrin energjinë e tyre”.

    Trump tha se Meloni “nuk ishte i njëjti person. Italia nuk është i njëjti vend. Imigracioni po vret Italinë dhe të gjithë Evropën”.

    Aleatët dhe kundërshtarët politikë të Melonit ishin të shpejtë në ofrimin e mbështetjes së tyre.

    “Ne jemi dhe mbetemi mbështetës të vendosur të unitetit perëndimor dhe aleatë të palëkundur të Shteteve të Bashkuara, por ky unitet është ndërtuar mbi besnikëri, respekt dhe ndershmëri të ndërsjellë”, tha Ministri i Jashtëm, Antonio Tajani në X.

    Ai tha se deri më tani, Trump e konsideronte Melonin një person të guximshëm dhe “nuk gabohej, por ajo është një grua që nuk ngurron kurrë të thotë atë që mendon”.

    “Dhe për Papa Leo XIV ajo tha pikërisht atë që mendojmë të gjithë ne italianët. Kryeministri dhe qeveria mbrojnë dhe do të mbrojnë gjithmonë vetëm dhe vetëm interesat e Italisë”, shtoi ai.

    Elly Schlein, udhëheqëse e Partisë Demokratike të qendrës së majtë, dënoi “mungesën serioze të respektit” të Trump.

    “Kushtetuta jonë është e qartë – Italia e hedh poshtë luftën”, shtoi ajo në parlament.

  • Ushtria e Iranit kërcënon transportin detar në Detin e Kuq

    Ushtria e Iranit kërcënon transportin detar në Detin e Kuq

    Ushtria e Iranit ka kërcënuar të mbyllë operacionet e transportit detar në Detin e Kuq, si dhe në Gjirin Persik dhe Detin e Omanit nëse SHBA-të vazhdojnë bllokadën e porteve iraniane.

    Gjeneralmajor Ali Abdollahi, komandanti i Shtabit Qendror Khatam al-Anbiya, komandës së bashkuar të forcave të armatosura të Iranit, e përshkroi bllokadën si “të paligjshme” dhe tha se nëse vazhdonte, do të konsiderohej shkelje e marrëveshjes së armëpushimit.

    Abdollahi tha se Irani “nuk do të lejonte që asnjë eksport ose import të vazhdonte në Gjirin Persik, Detin e Omanit dhe Detin e Kuq në kushte të tilla”, raportoi Tasnim, agjencia shtetërore.

    Irani nuk kufizohet me Detin e Kuq, por ka ndikim në zonë përmes aleatëve rajonalë, përkatësisht Houthëve në Jemen, të cilët më parë kanë synuar anije atje.

    Komanda Qendrore e SHBA-së tha të mërkurën se bllokada e Shteteve të Bashkuara ndaj porteve iraniane është “zbatuar plotësisht” dhe i ka dhënë fund pjesës më të madhe të aktivitetit ekonomik të Teheranit vetëm në një ditë e gjysmë. Por një pjesë e trafikut tregtar po kalon ende nëpër Ngushticën e Hormuzit, pasi bllokada nuk vlen për vetë ngushticën.

  • “Këndoni për 250 vjetorin e SHBA-së”, Ambasada amerikane në Prishtinë kërkon muzikantë të talentuar për festimet e 4 korrikut

    “Këndoni për 250 vjetorin e SHBA-së”, Ambasada amerikane në Prishtinë kërkon muzikantë të talentuar për festimet e 4 korrikut

    Ambasada Amerikane në Prishtinë, ka shpallur një thirrje për muzikantë të talentuar që të marrin në ceremoninë festime me rastin e 250-vjetorit të pavarësisë së SHBA-së.

    Ambasada ka njoftuar edhe për kriteret. Sipas njoftimit, të interesuarit mund të zgjedhin njërën nga tri këngët amerikane: “The Star-Spangled Banner”, “America the Beautiful” ose “My Country, “Tis of Thee”, dhe të regjistrojnë një video duke i interpretuar ato.

    Pjesëmarrësit duhet ta publikojnë videon në rrjetet sociale Facebook ose Instagram, duke etiketuar llogarinë @kosovo.usembassy dhe duke përdorur hashtagun #KosovoSingsFreedom250.

  • Rënie e lindjeve në Kosovë, 13.3% më pak në shkurt sesa në janar 2026

    Rënie e lindjeve në Kosovë, 13.3% më pak në shkurt sesa në janar 2026

    Agjencia e Statistikave të Kosovës ka prezantuar statistikat lidhur me numrin e lindjeve në Kosovë.

    Referuar të dhënave nga ASK në muajin shkurt 2026 janë regjistruar 2 002 lindje (brenda dhe jashtë Kosovës).

    Prej këtyre lindjeve të regjistruara 1 030 lindje janë meshkuj dhe 972 lindje janë femra.

    Sipas ASK-së, në muajin shkurt 2026 ka rënie të numrit të lindjeve rreth (13,3%) krahasuar me muajin janar 2026.

  • Gaxherri: Marrëveshja me LVV-në nuk duhet ta përfshijë Abdixhikun si kandidat për president

    Gaxherri: Marrëveshja me LVV-në nuk duhet ta përfshijë Abdixhikun si kandidat për president

    Anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri ka thënë se Lumir Abdixhiku nuk do të duhej të ishte kandidat për president në rast të një marrëveshje eventuale me Lëvizjen Vetëvendosje.

    Ajo ka thënë se Abdixhiku ka nevojë të punojë më shumë me subjektin politik.

    Gaxherri ka thënë se LDK mund të ofrojë kandidat të tjerë për president.

    “Mendimi është se z.Abdixhiku ka nevojë me u marrë më shumë punë në Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe në këtë rast nuk ish dashtë të jetë kandidat për president. LVV mund të bëjë marrëveshje me LDK-në duke pasur kandidat të tjerë. Unë mendoj se z.Abdixhiku duhet të merret seriozisht me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe në qoftë se do të kishte marrë veprim për tu kandiduar për president do duhej të jepte dorëheqje nga posti i kryetarit”, ka thënë Gaxherri.

    Ndërsa, deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë në Tëvë1 se nëse arrihet një marrëveshje me Vetëvendosjen për presidentin, kandidati i parë që e përkrahin është kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku.

    Por, ajo nuk beson që do të ketë marrëveshje për çështjen e presidentit.

    Sipas saj, Kurti nuk është i interesuar për zgjidhje të problemit dhe se po luan lojëra për të bërë fajtor opozitën për zgjedhje.

    Gaxherri ka thënë se ata e kuptojnë që Kurti po dëshiron ta dëmtojë Lidhjen Demokratike të Kosovës.

    “Synimi i tij është për ta dëmtuar LDK-në edhe për ta paketua këtë lojë në dëmin e LDK-së, pra në fushatë, faji të hidhet mbi LDK-në .Ne këtë po e kuptojmë, por natyrisht që Lidhja Demokratike e Kosovës duhet të jetë përgjegjëse gjithmonë në momente të tilla të bëjmë zgjidhje”, tha ajo në teve1.

    Kurti të mërkurën tha se është në kontakt me opozitën për çështjen e presidentit, duke thënë se kur të ketë rezultate do të njoftojë.

    Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese 28 prilli është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje.

  • Pronari i Zara-s, Amancio Ortega, bëhet investitori më i madh në pasuri të paluajtshme në botë

    Pronari i Zara-s, Amancio Ortega, bëhet investitori më i madh në pasuri të paluajtshme në botë

    Amancio Ortega, pronari i Zara dhe themeluesi i Inditex, është bërë investitori më i madh në pasuri të paluajtshme në botë, sipas vlerësimeve të fundit të industrisë.

    Ai ka ndërtuar një portofol me mbi 200 prona në vende të ndryshme, i vlerësuar rreth 25 miliardë dollarë, duke përfshirë zyra, ndërtesa korporatash dhe hapësira tregtare në qytete të mëdha globale, shkrun Euronews.

    Pasuria e tij e përgjithshme vlerësohet rreth 148 miliardë dollarë, gjë që e rendit ndër njerëzit më të pasur në botë.

    Sipas raportit, Ortega ka zgjeruar investimet e tij përtej industrisë së tekstilit duke riinvestuar dividentët e Zara-s në pasuri të paluajtshme dhe sektorë të tjerë si energjia dhe infrastruktura.

  • Deputetja e VV-së: Manxhuka dhe Azemi u dënuan vetëm pse reaguan për ngjarjet në veri

    Deputetja e VV-së: Manxhuka dhe Azemi u dënuan vetëm pse reaguan për ngjarjet në veri

    Deputetja e Lëvizja Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka reaguar një ditë pasi Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi dy zyrtarë të lartë të kësaj partie për veprën penale “nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.

    Në një status në Facebook, ajo e cilësoi vendimin si “cenim brutal të lirisë së shprehjes”, duke e lidhur atë me zhvillimet e mëhershme në veri të vendit pas dorëheqjeve të kryetarëve të komunave dhe shpalljes së zgjedhjeve të reja.

    Sipas Kryeziu-Hysenit, situata në veri ishte tensionuar që nga momenti kur përfaqësues të Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishin shkuar për të vlerësuar kushtet në komisionet komunale zgjedhore. Ajo rikujtoi se gjatë kësaj vizite objekti i KKZ-së ishte sulmuar me armë dhe mjete shpërthyese, duke rrezikuar jetën e zyrtarëve të pranishëm.

    Deputetja përmendi edhe arrestimin e Dejan Pantiq për këtë rast dhe vendimin e mëvonshëm për masë të arrestit shtëpiak.

    “Për këto reagime, sot po dënohen aktivistët me arsyetimin se kanë nxitur përçarje dhe mosdurim. Kjo përbën cenim të rëndë të lirisë së shprehjes”, ka deklaruar ajo.

    Një ditë më parë, Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli fajtorë deputetin Egzon Azemi dhe zëdhënësin e Qeverisë Arlind Manxhuka, duke i dënuar secilin me nga një vit e gjashtë muaj burgim për veprën penale “nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.

    Në të njëjtin rast, fajtorë janë shpallur edhe Qerim Elshani dhe Edi Zenelaj për veprën penale të kanosjes, të cilët janë dënuar me nga gjashtë muaj burgim.

    Sipas kryetarit të trupit gjykues, Kushtrim Shyti, dënimet do të ekzekutohen brenda 30 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit. Vendimi nuk është i formës së prerë dhe palët kanë të drejtë ankese brenda afatit ligjor.