ATV

Author: K.B.

  • Dalin pensionet e moshës dhe ato kontribuuese

    Dalin pensionet e moshës dhe ato kontribuuese

    Ministria për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare ka njoftuar sot se është bërë alokimi i pensioneve për pensionistët e moshës dhe atyre kontribuues.

    Numri i përfituesve të pensioneve bazike dhe kontribuuese është 272023 pensionistë, tha Ministria.

    Po ashtu, kjo ministri tha se ka bërë alokimin e pensioneve edhe për skemat e invalidëve të luftës dhe viktimave civile, gjithsej 14279 pensionistë.

    “Të gjithë përfituesit e pensioneve, që nga pasdita e sotme mund t’i tërheqin në bankomatet më të afërme apo përmes familjarëve të autorizuar”.

  • Molliqaj: Kurti po e konsolidon pushtetin, opozita po pret ftesa prej tij për presidentin

    Molliqaj: Kurti po e konsolidon pushtetin, opozita po pret ftesa prej tij për presidentin

    Lideri i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka kritikuar ashpër opozitën, duke thënë se mungesa e veprimit po i hap rrugë kryeministrit Albin Kurti për të forcuar kontrollin mbi institucionet shtetërore.

    Përmes një video të publikuar Molliqaj tha se Opozita po pret nga kryeministri ftesa për zgjedhjen e presidentit, ftesa për pjesëmarrje në qeveri.

    “Opozita po pret nga kryeministri ftesa për zgjedhjen e presidentit, ftesa për pjesëmarrje në qeveri. Me kësi opozite, ky kryeministër do t’i fusë në kontroll të gjitha institucionet”, deklaroi ai.

  • Hasani: Marrëveshja për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes s’mund të ndryshohet, mosprocedimi i saj për miratim në Kuvend, papjekuri totale

    Hasani: Marrëveshja për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes s’mund të ndryshohet, mosprocedimi i saj për miratim në Kuvend, papjekuri totale

    Marrëveshja për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes, nismës së presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump nuk u procedua për miratim në Kuvendin e Kosovës. Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme nuk e miratoi të martën projektligjin për marrëveshjen e nënshkruar nga ish-presidentja Vjosa Osmani më 22 janar, pasi Lëvizja Vetëvendosje pati vërejtje për nenin 2 të projektligjit dhe kërkoi që ai të ndryshohet.

    Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Enver Hasani, tha në një intervistë për Gazetën Express se kjo nuk mund të bëhet “asnjëherë”, duke e quajtur sjelljen e deputetëve të LVV-së në komisionin parlamentar “papjekuri totale”.

    “Kuvendi mund të ndryshojë njëanshëm ligjet e veta, por jo edhe zotimet ndërkombëtare të Kosovës”, thotë ai.

    Nëse deputetët kanë vërejtje për përmbajtjen e marrëveshjes, Hasani thotë se sipas standardit ndërkombëtar dhe kushtetues, “duhet ndjekur e njëjta procedurë sipas së cilës është lidhur marrëveshja ose traktati”.

    “Kur nuk ekziston pëlqimi i palës tjetër, atëherë çdo përpjekje për ndryshim të traktatit ose marrëveshjes bazë është fyerje ndaj palës tjetër, joseriozitet i palës që ndërmerr atë hap dhe konsiderohet si dalje nga traktati ose marrëveshja, ligjërisht e nënshkruar nga shefi i shtetit të Kosovës, në pajtim me Kushtetutën dhe ligjin e vendit”.

    Hasani thotë se Kosova “duhet ta sqarojë me palën amerikane nëse synon daljen nga zotimi për anëtarësim në Bordin e Paqes. Anëtarësimi në Bordin e Paqes nuk mund të bëhet ndaras nga pranimi i plotë i secilës dispozitë të Kartës së Bordit të Paqes”.

    Gazeta Express: Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme nuk e ka miratuar Projektligjin për marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes, me Lëvizjen Vetëvendosje që pati vërejtje për nenin 2 të projektligjit dhe kërkoi që të ndryshohet ai nen. A mundet Kuvendi ta ndryshojë përmbajtjen e një marrëveshjeje ndërkombëtare që tashmë është nënshkruar nga Presidentja, apo në aspektin juridik ajo duhet të ratifikohet vetëm si e tillë, pa ndërhyrje në tekst?

    Hasani: Asnjëherë. Kjo është papjekuri totale. Deputetët duhet të pyesin departamentin ligjor në Ministrinë e Punëve të Jashtme, nëse nuk dinë, dhe ata do t’u tregojnë standardet ndërkombëtare se kur dhe si mund të ndryshohet një traktat i nënshkruar nga shefi i shtetit, shefi i qeverisë dhe ministri i jashtëm, por që nuk ka kaluar procedurën e ratifikimit në Kuvend. Kuvendi mund të ndryshojë njëanshëm ligjet e veta, por jo edhe zotimet ndërkombëtare të Kosovës.

    Në rastin konkret bëhet fjalë për Kartën e Bordit të Paqes, e cila ka statusin e traktatit ose marrëveshjes ndërkombëtare sipas nenit 18.1 të Kushtetutës së Kosovës, që ka të bëjë me aleancat, si dhe çështjet politike dhe ushtarake.

    Gazeta Express: Nëse deputetët kanë vërejtje për formulime të caktuara (si në nenin 2), cili është mekanizmi i duhur: ndryshimi i projektligjit shoqërues apo rinegocimi i vetë marrëveshjes ndërkombëtare me palët nënshkruese?

    Hasani: Sipas nenit 18.4 të Kushtetutës së Kosovës, që reflektohet edhe në Ligjin e Kosovës për Marrëveshjet Ndërkombëtare, “amendamentimi ose tërheqja nga marrëveshjet ndërkombëtare do të kenë të njëjtën procedurë vendimmarrjeje si ajo e ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare”.
    Ky është standard ndërkombëtar dhe kushtetues i të gjitha vendeve të civilizuara, pra duhet ndjekur e njëjta procedurë sipas së cilës është lidhur marrëveshja ose traktati.

    Gazeta Express: Cilat janë pasojat juridike dhe ndërkombëtare nëse një shtet tenton ta ratifikojë një marrëveshje me ndryshime të njëanshme në përmbajtje?

    Hasani: Asnjë efekt juridik nuk prodhon për palën tjetër, përveç nëse ekziston një marrëveshje mes palëve, ose nëse pala tjetër më pas i pranon ndryshimet e tilla në traktatin ose marrëveshjen bazë.

    Kur nuk ekziston pëlqimi i palës tjetër, atëherë çdo përpjekje për ndryshim të traktatit ose marrëveshjes bazë është fyerje ndaj palës tjetër, joseriozitet i palës që ndërmerr atë hap dhe konsiderohet si dalje nga traktati ose marrëveshja, ligjërisht e nënshkruar nga shefi i shtetit të Kosovës, në pajtim me Kushtetutën dhe ligjin e vendit.

    Dalja nga një traktat ose marrëveshje ndërkombëtare, sipas Konventës së Vjenës për të Drejtën e Traktateve, bëhet sipas procedurës së parashikuar në vetë traktatin (neni 54). Në mungesë të një dispozite të tillë, dalja lejohet vetëm në raste të veçanta të përcaktuara nga konventa (neni 56).

    Gazeta Express: A kërkohet sqarim me palën amerikane për daljen e Kosovës nga zotimi për anëtarësim në Bordin e Paqes, dhe a duhet respektuar në tërësi Karta e tij si kusht për anëtarësim?

    Hasani: Kosova duhet ta sqarojë me palën amerikane nëse synon daljen nga zotimi për anëtarësim në Bordin e Paqes. Anëtarësimi në Bordin e Paqes nuk mund të bëhet ndaras nga pranimi i plotë i secilës dispozitë të Kartës së Bordit të Paqes.

    Edhe këtu Kushtetuta e Kosovës është e qartë, sepse ndjek standardin e vendeve të civilizuara perëndimore. Në nenin 20.2 të Kushtetutës, që rregullon bartjen e sovranitetit, shprehimisht përcaktohet si vijon: “Nëse një marrëveshje anëtarësimi e ratifikuar nga Republika e Kosovës për pjesëmarrje në një organizatë ndërkombëtare në mënyrë eksplicite kërkon zbatim të drejtpërdrejtë të normave të kësaj organizate, ligji me të cilin ratifikohet marrëveshja e anëtarësimit miratohet me votat e dy të tretave (2/3) të të gjithë deputetëve të Kuvendit dhe ato norma kanë epërsi ndaj ligjeve të Republikës së Kosovës.”

    Shumica e kualifikuar prej dy të tretash kërkohet si për anëtarësim në një organizatë ndërkombëtare, ashtu edhe për ratifikim të një traktati ose marrëveshjeje ndërkombëtare sipas nenit 18.1 të Kushtetutës. Këtu kemi të bëjmë me dy situata konkrete që lidhen me Bordin e Paqes.

  • Besnik Tahiri: Kurti nuk e fton Haradinajn për çështjen e presidentit sepse e di pozicionin tonë

    Besnik Tahiri: Kurti nuk e fton Haradinajn për çështjen e presidentit sepse e di pozicionin tonë

    Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në një intervistë në FRONTAL të T7 ka folur edhe për arsyen e mundshme pse kryeministri Albin Kurit nuk po e fton Ramush Haradinajt në diskutimet për gjetjen e një zgjidhjeje për presidentin.

    Tahiri ka thënë se Kurti e di pozicionin e AAK-së dhe se partia që drejton Haradinaj nuk bëhet pjesë e spektaklit politik që synon konsumimin e opozitës.

    Sipas deputetit të AAK-së, takimet një me një, nuk kanë synim për të gjetur zgjidhje

    “Arsyet nuk i di, as nuk i kam dëgjuar. Por ajo që e shoh, një nga arsyet mundet me qenë që ai e din pozicionin tonë. Ne s’do të bëhemi në asnjë moment pjesë e një spektakli politik me e konsumu opozitën. Takimet 1me1 kurrë s’kanë pas synim me ia dhanë Kosovës një president unifikues”, ka thënë Tahiri.

  • Mosprocedimi i marrëveshjes për anëtarësim në Bord të Paqes, Selimi në “X”: U bllokua për shkak të VV’së

    Mosprocedimi i marrëveshjes për anëtarësim në Bord të Paqes, Selimi në “X”: U bllokua për shkak të VV’së

    Ish-zv.ministri i Jashtëm, Petrit Selimi, thotë se një javë pas përfundimit të mandatit të presidentes Vjosa Osmani, VV hodhi poshtë kërkesën e saj për të ratifikuar marrëveshjen e anëtarësimit në Bordin e Paqes.

    Ai deklaron se opozita ishte pro ratifikimit, po një gjë e tillë ngeci në parlament pas kundërshtimeve të VV-së.

    Postimi i tij plotë:

    Vetëm një javë pasi mbaroi mandati i ish-Presidentes Osmani, regjimi në pushtet në Kosovë e hodhi poshtë kërkesën e paraqitur prej saj për të ratifikuar marrëveshjen e anëtarësimit në Bordin e Paqes. Partitë opozitare ishin pro, por ratifikimi ngeci në parlament pas kundërshtimeve të VV-së.

  • Varroset i riu nga Rahoveci që humbi jetën në një aksident trafiku në Austri

    Varroset i riu nga Rahoveci që humbi jetën në një aksident trafiku në Austri

    Sot iu dha lamtumira e fundit, 19 vjeçarit Bylbyl Avdulla Mazreku nga fshati Retijë e Rahovecit. Ai ka humbur jetën pak ditë më parë si pasojë e një aksidenti në Eferding të Austrisë.

    Në varrimin e tij ka marrë pjesë edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.

    “Me dhimbje të thellë, sot i dhamë lamtumirën të riut 19-vjeçar, Bylbyl Avdulla Mazrekut nga Retija, i cili ditë më parë humbi jetën tragjikisht në një aksident në Eferding të Austrisë.

    Kjo është një humbje e rëndë për familjen, për bashkëvendësit dhe për të gjithë ata që e njohën.

    Duke bashkëndier dhimbjen, i shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes Mazreku, miqve dhe të afërmve! Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij! I qoftë i lehtë dheu mbi varr! “, ka shkruar Latifi.

  • “Edhe për Vjosa Osmanin ka vend”, LDK ia hap dyert ish-Presidentes

    “Edhe për Vjosa Osmanin ka vend”, LDK ia hap dyert ish-Presidentes

    Lidhja Demokratike e Kosovës ia ka hapur dyert ish-Presidentes Vjosa Osmani, për t’u kthyer në këtë parti.

    Anëtari i Kryesisë së kësaj partie, Visar Azemi, tha se LDK synon kthimin e të gjithë anëtarëve dhe se ka vend edhe për Osmanin.

    “LDK’ja po synon rikthimin e të gjithë anëtarëve të saj, kështu që edhe për Vjosa Osmanin mund të ketë vend në LDK”, ka deklaruar Azemi në një konferencë për media.

    As vetë Osmani nuk e ka përjashtuar rikthimin në LDK.

    Para se t’i përfundonte mandati, Osmani kishte deklaruar se vendimin për rrugën përpara do ta marrë bazuar në interesin e vendit.

    E pyetur specifikisht nëse është opsion rikthimi në LDK, Osmani tha se “do ta shoh se cili është interesi më i madh i Republikës së Kosovës në këto momente. Kjo do të determinohet edhe nga zhvillimet e tanishme”.

    Në qershorin e vitit 2020, kryesia e LDK-së e shkarkoi Osmanin nga të gjitha postet partiake, për shkak të kundërshtimeve të shprehura lidhur me prishjen e koalicionit qeverisës me LVV-në dhe kundërshtimit të krijimit të qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti.

  • Hëna e re e 17 prillit: Shenjat që do të preken më shumë dhe më pak

    Hëna e re e 17 prillit: Shenjat që do të preken më shumë dhe më pak

    Sezoni i Dashit është në kulmin e tij dhe këtë vit energjia ka qenë më intensive se zakonisht. Me një grumbull të madh planetësh në këtë shenjë zjarri, hëna e re e 17 prillit vjen si një pikë kthese e fuqishme, një moment që të shtyn të fillosh nga e para, të marrësh nisma dhe të ndjekësh qëllimet pa frikë.

    Kjo hënë e re përfaqëson një “rifillim” të madh për të gjithë, por ndikimi i saj nuk është i njëjtë për çdo shenjë. Disa do e ndiejnë si një shpërthim energjie që i shtyn të veprojnë menjëherë, ndërsa të tjerë do përjetojnë ndryshime më të qeta, por shumë domethënëse në brendësi.

    Energjia e Dashit lidhet me guximin, pavarësinë dhe dëshirën për të hapur rrugë të reja. Kjo do të thotë se tani është momenti për të lëvizur përpara me planet që kanë mbetur pezull prej kohësh. Megjithatë, për shkak të kombinimit të planetëve si Mërkuri, Marsi, Saturni dhe Neptuni, është e rëndësishme të balancohet impulsiviteti me logjikë dhe disiplinë.

    Shenjat më të ndikuara nga hëna e re

    Dashi

    Kjo është periudha jote. Energjia është në maksimum dhe të jep mundësinë të dalësh nga çdo situatë që të ka mbajtur pezull. Është momenti për të vepruar, për të marrë drejtimin dhe për të krijuar realitetin që dëshiron. Beso më shumë te vetja dhe mos lejo që mendimi i të tjerëve të të ndalojë.

    Gaforrja

    Karriera dhe ambiciet profesionale marrin një shtysë të fortë. Nëse ke qenë në pritje apo ke hezituar, tani është koha për të vepruar. Kjo energji të ndihmon të marrësh vendime të guximshme dhe të ndërtosh rrugën tënde pa u ndikuar nga të tjerët.

    Peshorja

    Marrëdhëniet janë në fokus. Kjo Hënë e re të jep qartësi për të kuptuar çfarë funksionon dhe çfarë jo në lidhjet e tua. Mund të jetë momenti për të vendosur kufij, për të mbyllur një kapitull ose për të forcuar një lidhje që ka potencial.

    Shenjat më pak të ndikuara

    Demi

    Ndryshimet për ty janë më të brendshme. Mund të mos shohësh rezultate të menjëhershme, por brenda vetes po ndodh një transformim i rëndësishëm. Intuita është udhërrëfyesi yt më i mirë tani, ndaj merr kohë për reflektim dhe qetësi.

    Akrepi

    Energjia e kësaj Hëne të re fokusohet te rutina dhe produktiviteti. Nuk është një shpërthim dramatik, por një mundësi për të rregulluar detajet e përditshmërisë dhe për të ndërtuar baza më të forta për planet afatgjata.

  • Rasti i njehsorëve, LDK: Gjobat ndaj KEDS-it selektive – qytetarët duhet të kompensohen

    Rasti i njehsorëve, LDK: Gjobat ndaj KEDS-it selektive – qytetarët duhet të kompensohen

    Lidhja Demokratike e Kosovës e ka cilësuar skandaloze deklaratën e Ministrisë së Industrisë pas shqiptimit të gjobave ndaj KEDS për njehsorët me afat të skaduar.

    Anëtari i LDK-së, Visar Azemi, ka deklaruar se ministria po mburret me gjobat, por sipas tij ato janë selektive dhe nuk adresojnë problemin thelbësor.

    “Ministria po mburret me gjobat, por po tregohet selektive. Gjobat e vëna përveç selektive janë edhe të manipuluara dhe nuk trajtojnë thelbin kryesor të problemit”, ka thënë Azemi.

    Ai ka theksuar se fokusi duhet të jetë kompensimi i qytetarëve që, sipas tij, janë faturuar padrejtësisht.

    “Pra, po le ta gjobisin KEDS-in, madje jo me 1,500 euro por me 5,000 euro me gjobën maksimale, por qëllimi kryesor duhet të jetë të kompensohen qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët i kanë faturuar padrejtësisht duke i manipuluar njehsorët elektrikë të tyre dhe duke i fshehur faktet dhe dëshmitë”, tha ai në një konferencë për media.

    Azemi ka bërë të ditur se, sipas pretendimeve të tyre, situata në terren vazhdon të jetë problematike.

    “Edhe sot në këto momente kur po flasim janë duke ndodhur dy gjëra: E para, në terren KEDS dhe Ministria po i bëjnë ndërrimet e njehsorëve. Dhe e dyta, anëtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët kanë qenë pjesë e ekipit tim, janë në prokurori duke dhënë dëshmi për faktet e gjetura tona, të cilat i kemi bërë të njohura”, theksoi Azemi.

    LDK ka denoncuar më herët se njehsorët e energjisë elektrike po faturojnë gabimisht, duke aplikuar tarifa më të larta edhe gjatë orëve kur çmimi duhet të jetë më i ulët. Sipas kësaj partie, nga 884 njehsorë të verifikuar, rreth 87 për qind kanë rezultuar me parregullsi në matje.

    Raportimet për këto çështje kanë nxitur edhe reagimin institucional, ku Ministria e Industrisë ka formuar një komision të posaçëm për verifikimin e njehsorëve të dyshimtë, ndërsa numri i ankesave nga qytetarët ka kaluar mbi 500.

    Në anën tjetër, KEDS ka mohuar këto pretendime, duke ftuar qytetarët që të paraqesin ankesat e tyre për verifikim.

  • Katër persona të kërkuar ndërkombëtarisht ekstradohen në Kosovë nga Hungaria, Shqipëria dhe Mali i Zi

    Katër persona të kërkuar ndërkombëtarisht ekstradohen në Kosovë nga Hungaria, Shqipëria dhe Mali i Zi

    Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë datave 14 dhe 15 prill 2026 janë realizuar me sukses ekstradimet e katër personave të kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar, në bashkëpunim me autoritetet e disa shteteve dhe përmes mekanizmave të INTERPOL.

    Sipas njoftimit, më 14 prill është ekstraduar nga Hungaria në Kosovë një shtetas kosovar me inicialet Q.I., i cili kërkohej nga institucionet e drejtësisë.

    Pas kthimit në vend, ai është dorëzuar tek njësitet përkatëse në rajonin e Gjakovës për procedura të mëtejshme ligjore.

    Ndërkaq, më 15 prill janë realizuar edhe tri ekstradime të tjera. Nga Shqipëria janë ekstraduar dy shtetas shqiptarë me inicialet R.B. dhe G.H., të cilët kërkoheshin nga drejtësia në Kosovë. Të njëjtit, pas mbërritjes, janë dorëzuar në Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Njerëz për vazhdimin e procedurave.

    Po ashtu, gjatë së njëjtës ditë është ekstraduar nga Mali i Zi një shtetas kosovar me inicialet I.A., i cili është dorëzuar tek njësitet policore në rajonin e Mitrovicës.

    Policia bën të ditur se të dyshuarit ishin arrestuar paraprakisht nga autoritetet e shteteve përkatëse, ndërsa ekstradimet janë realizuar në bazë të ligjeve në fuqi dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional mes Kosovës dhe vendeve partnere.