ATV

Author: K.B.

  • Haxhiu takon ministrin belg – flasin për anëtarësimin në BE, KiE dhe NATO

    Haxhiu takon ministrin belg – flasin për anëtarësimin në BE, KiE dhe NATO

    Ushtruesja e Detyrës së Presidentes të Kosovës, Albulena Haxhiu, priti në takim Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Belgjikës, Maxime Prevot.

    Në komunikatën për media thuhet se Haxhiu e ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur që Belgjika i ka dhënë Kosovës ndër vite.

    Në takim u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës, si dhe kontributi i rëndësishëm i mërgatës në Belgjikë në forcimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve.

    “Bashkëbiseduesit diskutuan për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit bilateral, me theks të veçantë në avancimin e bashkëpunimit ekonomik dhe krijimin e mundësive të reja për investim dhe partneritet ndërmjet dy shteteve”, thuhet në komunikatë.

    Haxhiu gjithashtu ka theksuar rëndësinë e avancimit të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian si dhe përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në NATO.

  • Ish-ministrja Haradinaj reagon ndaj deklaratës së Ministrit të Jashtëm çek, Macinka

    Ish-ministrja Haradinaj reagon ndaj deklaratës së Ministrit të Jashtëm çek, Macinka

    Ish-kryediplomatja e Kosovës, Meliza Haradinaj, ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Jashtëm të Çekisë, Petr Macinka, i cili gjatë një konference të përbashkët në Pragë me homologun serb, Marko Gjuriq, tha se njohja e Kosovës nga Çekia “është bërë nën presion”.

    Haradinaj theksoi se deklarata të tilla dëmtojnë kredibilitetin e marrëdhënieve Kosovë-Çeki, duke rikujtuar se njohja ka qenë një vendim sovran, parimor dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

    Ajo nënvizoi se, në vend të shprehjes së keqardhjes për vendime shtetërore, zyrtarët çekë duhet të kontribuojnë në ruajtjen e stabilitetit dhe të sfidojnë narrativat që synojnë delegjitimimin e shtetësisë së Kosovës.

    Sipas Haradinajt, këto narrativa dëmtojnë jo vetëm Kosovën, por edhe rolin e Bashkimit Evropian si ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi.

    Reagimi i plotë i Haradinajt:

    ANGAZHIMET E BE-së KËRKOJNË ZBATIM, JO KEQARDHJE NGA PRAGA!

    Deklarata e bërë nga Ministri i Jashtëm çek Petr Macinka pak minuta më parë gjatë konferencës së përbashkët me ministrin serb Gjuriq, se “njohja e Kosovës nga Çekia asokohe është bërë nën presion dhe mund të kishim qenë më të kujdesshëm” dëmton kredibilitetin e ndërtuar që definon sot marrëdhëniet mes Republikës së Kosovës dhe Republikës Çeke.

    Republika Çeke e ka njohur Kosovën përmes një vendimi sovran dhe parimor. Ky vendim ka forcuar stabilitetin në Ballkan dhe ka kontribuar në një Evropë më të sigurt. Ka hapur rrugën për bashkëpunim të thellë mes vendeve tona dhe ka forcuar angazhimin e përbashkët ndaj NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

    Ky vendim është plotësisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe është konfirmuar nga opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

    Në vend që të shpreh keqardhje publike për vendimet sovrane të shtetit të tij, Ministri Petr Macinka do t’i shërbente shumë më mirë paqes dhe stabilitetit në Evropën kontinentale nëse do t’a sfidonte narrativën e avancuar nga Gjuriqi. Kjo narrativë synon të delegjitimojë shtetësinë e Kosovës dhe dëmton drejtpërdrejt kredibilitetin e Bashkimit Evropian si lehtësues i procesit të dialogut.

    Bashkimi Evropian ka investuar kapital politik dhe strategjik në marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë, dhe të gjitha shtetet anëtare duhet të presin që këto marrëveshje të zbatohen me rezultate konkrete.

    Marrëveshjet e lehtësuara nga BE-ja duhet të mbrohen dhe të zbatohen në mënyrë konsistente. Lejimi i një pale që t’i sfidojë hapur këto marrëveshje pa asnjë pasojë e dobëson autoritetin e Bashkimit Evropian dhe ngre pyetje serioze mbi aftësinë e BE-së për të garantuar zbatimin e obligimeve të marra nën udhëheqjen e tij.

    Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Đurić, përfaqëson një qeveri që vazhdon të kundërshtojë njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe që zhvillon fushata presioni ndaj shteteve që kanë ushtruar të drejtën e tyre sovrane për ta njohur atë.

    Këto veprime janë në kundërshtim me angazhimet e marra nga Vucici, në marrëveshjet e ndërmjetësuara ndërkombëtarisht. Serbia vazhdon të mos i zbatojë këto obligime, ndërsa njëkohësisht kërkon përparim në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

    Serbia mbetet i vetmi vend në Evropë që nuk është përafruar me sanksionet ndaj Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, dhe vazhdon mbështetjen e hapur politike ndaj tij.

    Ky pozicionim e vendos Serbinë jashtë përgjigjes së unifikuar evropiane ndaj agresionit dhe destabilitetit. Në të njëjtën kohë, ajo vazhdon politikat që rrisin tensionet në rajon dhe ngadalësojnë normalizimin në Ballkanin Perëndimor.

    Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj paqes, vlerave demokratike dhe bashkëpunimit rajonal. Ajo do të vazhdojë të punojë me partnerët që mbështesin të drejtën ndërkombëtare dhe një rend të qëndrueshëm evropian.

    Partneriteti mes Republikës së Kosovës dhe Republikës Çeke ka sjellë rezultate konkrete për qytetarët. Ai duhet të vazhdojë mbi bazën e respektit të ndërsjellë, qartësisë strategjike dhe një të ardhmeje të përbashkët evropiane.

  • Deputetja e LDK-së: Të ndalohet kapja e Gjykatës Kushtetuese

    Deputetja e LDK-së: Të ndalohet kapja e Gjykatës Kushtetuese

    Shefja e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu i ka bërë thirrje partisë në pushtet që të ndalojë, siç ka thënë, kapjen e Gjykatës Kushtetuese.

    Një gjë të tillë, ajo e ka thënë me pretendimin se emrat e propozuar për anëtarë të Kushtetueses janë të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje.

    Pikërisht për këto propozime, Kuvendi i Kosovës pritet që të votojë në seancën e nesërme.

    “Kur në listë dalin kandidatë, familjarë me lidhje të afërta me propagandues politik, atëherë nuk kemi më proces të drejtë e të pastër. Kemi tentativë për kontroll e kapje institucionale, rrjedhimisht për ta kthyer Gjykatën Kushtetuese në vegël të pushtetit. Kushtetuesja është gardian i Kushtetutës. Jo mburojë për partinë në pushtet e as strehë për të afërmit e tyre. Por as edhe për shpërblim politik për ata që i shërbyen propagandës partiake! Prandaj dhe Kushtetuesja duhet të qëndroj mbi politikën dhe jo nën të.”, ka shkruar ajo në rrjetin social facebook.

    Ajo ka thënë se nesër është e rëndësishme që çdo deputet të mendojë mirë kë e përkrah.

    “Është pikërisht ky moment që të vendosim: A duam Gjykatë të pavarur, apo drejtësi të kapur që i shërben pushtetit?! Nëse kapet Kushtetuesja, lëkundet vetë shteti. Prandaj, kjo nuk është një ditë e zakonshme. Kjo është dita kur vendosim nëse shtetin tonë e shohim përtej interesave partiake.”, ka shkruar Lushaku-Sadriu.

  • Ngjarja tragjike në Malishevë, Hamza shpreh ngushëllime për familjen Berisha: Dhimbje e papërshkrueshme

    Ngjarja tragjike në Malishevë, Hamza shpreh ngushëllime për familjen Berisha: Dhimbje e papërshkrueshme

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Berisha, pas tragjedisë së rëndë në Malishevë, ku si pasojë e një zjarri në banesë kanë humbur jetën babai dhe dy fëmijët.

    “Me dhembje të thellë mora lajmin për këtë tragjedi të rëndë që ka goditur familjen Berisha. Humbja e babait dhe dy fëmijëve është një dhimbje e madhe dhe e papërshkrueshme për çdo familje dhe për mbarë shoqërinë tonë.

    Në këto momente të rënda, shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen Berisha, të afërmit dhe miqtë e tyre. Ndajmë dhimbjen me ju dhe lutemi që të gjeni forcë për ta përballuar këtë humbje të rëndë”, ka theksuar Kryetari Hamza.

  • Izraeli dhe Libani bien dakord për armëpushim 10-ditor

    Izraeli dhe Libani bien dakord për armëpushim 10-ditor

    Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se Izraeli dhe Libani kanë arritur një marrëveshje për një armëpushim 10-ditor, i cili pritet të hyjë në fuqi në orën 17:00 sipas kohës së Bregut Lindor të SHBA-ve (EST). Deklarata u publikua nga vetë kreu i Shtëpisë së Bardhë në platformën Truth Social dhe është paraqitur si rezultat i përpjekjeve diplomatike të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara.

    Sipas Trump, ky zhvillim vjen pas bisedimeve të zhvilluara në Washington, D.C., ku për herë të parë pas 34 vitesh përfaqësues të Izraelit dhe Libanit janë ulur në të njëjtën tryezë negociatash. Ai tha se këto takime kanë qenë intensive dhe të drejtuara nga zyrtarë të lartë amerikanë, me synimin për të ulur tensionet dhe për të krijuar një kanal komunikimi të drejtpërdrejtë mes palëve.

    Në procesin e ndërmjetësimit, sipas tij, janë përfshirë edhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio, Zëvendëspresidenti JD Vance, si dhe struktura të tjera të administratës amerikane që kanë bashkërenduar kontaktet diplomatike dhe të sigurisë. Trump theksoi se qëllimi i këtyre përpjekjeve është jo vetëm ndalimi i përkohshëm i konfliktit, por edhe hapja e rrugës për një marrëveshje më të gjerë paqeje.

    Ai shtoi se armëpushimi 10-ditor duhet të shërbejë si një periudhë testimi për vullnetin e palëve për të ulur armiqësitë dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm ushtarak. Sipas tij, gjatë kësaj kohe do të vazhdojnë negociatat për të arritur një marrëveshje më të qëndrueshme dhe afatgjatë, që mund të garantojë stabilitet në rajon.

    Trump gjithashtu deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë të përfshira drejtpërdrejt në proces, duke koordinuar komunikimin mes palëve dhe duke monitoruar zbatimin e armëpushimit. Ai e paraqiti këtë marrëveshje si pjesë të një serie ndërhyrjesh diplomatike ndërkombëtare dhe tha se beson se mund të jetë një hap i rëndësishëm drejt uljes së konflikteve në Lindjen e Mesme.

    Në fund të deklaratës së tij, ai shprehu optimizëm se kjo nismë mund të kthehet në një marrëveshje paqeje të qëndrueshme dhe se administrata e tij do të vazhdojë të punojë për zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare përmes diplomacisë dhe ndërmjetësimit.

  • Dy mijë e 500 euro gjobë për të akuzuarin që pranoi se kanosi moderatorin Alaudin Hamiti

    Dy mijë e 500 euro gjobë për të akuzuarin që pranoi se kanosi moderatorin Alaudin Hamiti

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Liman Berisha, i cili akuzohet se ka kanosur moderatorin Alaudin Hamiti.

    Një ditë më parë, i akuzuari kishte pranuar fajësinë për kanosjen e moderatorit Alaudin Hamiti, duke shprehur pendesë dhe kërkuar dënim më të butë, ndërsa prokuroria nuk e kishte kundërshtuar pranimin e fajësisë.

    Gjykatësi i rastit, Eroll Gashi, konstatoi se i njëjti është fajtor për veprën penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Gjykata të akuzuarit i shqiptoi dënim me gjobë prej 2,500 eurosh, të cilën i akuzuari mund ta paguajë me dy këste të barabarta.

    Të akuzuarit i është ndërprerë masa e arrestit shtëpiak, ndërsa koha e kaluar në arrest shtëpiak nga data 19.03.2026 deri më 16.04.2026 do të llogaritet në atë mënyrë që ditët e qëndrimit në masën e arrestit shtëpiak do të barazohen me 20 euro të dënimit me gjobë.

    Nëse dënimi me gjobë nuk paguhet, ai do të zëvendësohet me dënim me burgim, duke llogaritur një ditë burgim për çdo 20 euro të gjobës.

    I dëmtuari Alaudin Hamiti është udhëzuar në kontest të rregullt juridiko-civil për kërkesën pasurore-juridike.

    I akuzuari obligohet të paguajë shpenzimet e procedurës: 20€ për fondin e kompensimit të viktimave dhe 100€ për paushallin gjyqësor.

    Të pranishëm nuk ishin asnjë nga palët në procedurë.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të datës 19 mars 2026, më 26 nëntor 2024, rreth orës 14:30, në Facebook, në adresën e Klan Kosovës, i pandehuri Liman Berisha, në formë shkrimi dhe mesazhesh zanore, ka dërguar porosi kërcënuese ndaj moderatorit Alaudin Hamiti, duke shkruar: “Edi (ish-banor i programit) është nipi jem, atë fjalë që ia ke thënë, Alaudin, besom ka me pagu me jetë, dhe po e rrite atë ton, ka me hanger plumbin shpejt”.

    Sipas aktakuzës, me këtë veprim i dëmtuari ka ndjerë frikë dhe pasiguri.

    Prandaj, Berisha ngarkohet me veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimi për Drejtësi/

  • Ulutas pret ministrin grek të Mbrojtjes, KFOR jep detaje: U diskutua situata e sigurisë në Kosovë

    Ulutas pret ministrin grek të Mbrojtjes, KFOR jep detaje: U diskutua situata e sigurisë në Kosovë

    Komandanti i KFOR’it, Ozkan Ulutas, ka pritur sot në takim, ministrin e Mbrojtjes së Greqisë, Nikolaos Dendias.

    Siç njofton KFOR’i, gjatë takimit, Ulutas ka ofruar informacion mbi situatën aktuale të sigurisë në Kosovë, aktivitetet në vazhdim të KFOR-it dhe prioritetet e tij kryesore për të ardhmen.

    ‘’ Gjeneral Major Ulutaş gjithashtu shprehu vlerësimin e tij për kontributin afatgjatë të Greqisë në KFOR dhe mbështetjen e saj të vazhdueshme’’, thuhet mes tjerash në njoftim.

    Postimi:

    Komandanti i misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, Gjeneral Major Özkan Ulutaş, u takua me Ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Greqisë, Shkëlqesinë e Tij Nikolaos Dendias, në Selinë e KFOR-it, Kampi Film City, në Prishtinë.

    Gjatë takimit, Gjeneral Major Ulutaş ofroi informacion mbi situatën aktuale të sigurisë në Kosovë, aktivitetet në vazhdim të KFOR-it dhe prioritetet e tij kryesore për të ardhmen. Gjeneral Major Ulutaş gjithashtu shprehu vlerësimin e tij për kontributin afatgjatë të Greqisë në KFOR dhe mbështetjen e saj të vazhdueshme.

    KFOR vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe për lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.

  • MINTI gjobit KEDS-in me 30 mijë euro, gjeti gjashtë njehsorë me afat të skaduar

    MINTI gjobit KEDS-in me 30 mijë euro, gjeti gjashtë njehsorë me afat të skaduar

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) tha se gjatë ditës së sotme ka shqiptuar gjobë në vlerë prej 30,000 eurosh ndaj KEDS-it, për shkak të konstatimit të gjashtë njehsorëve elektrikë me afat të skaduar të verifikimit.

    “Ky veprim është ndërmarrë në kuadër të aktiviteteve të vazhdueshme të verifikimit të njehsorëve elektrikë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, tha Ministria.

    MINTI shtoi se Komisioni Verifikues po vazhdon punën në terren në shtatë regjionet e vendit, me qëllim të identifikimit dhe adresimit të çdo parregullsie.

    “Rezultatet e deritanishme nga analizat laboratorike të kryera në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës kanë evidentuar pasaktësi në regjistrimin e orës dhe datës në njehsorët e testuar. Në këtë drejtim, MINTI i ka dorëzuar zyrtarisht kërkesë KESCO-s për kompensimin e konsumatorëve të dëmtuar dhe do të vazhdojë të përcjellë në baza ditore raportet përkatëse si dëshmi mbështetëse për këtë proces”.

    Njëkohësisht, Komisioni Verifikues është në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë dhe organet e hetuesisë për trajtimin e mëtejmë të kësaj çështjeje.

    “MINTI mbetet e përkushtuar për transparencë të plotë dhe do të informojë qytetarët në baza të rregullta për çdo zhvillim, në funksion të mbrojtjes së konsumatorit dhe trajtimit të ankesave të tyre”.

  • Konjufca akuzon Lajçakun se e kushtëzoi hyrjen në KiE me Asociacionin: Tash na duhet me i bindë shtetet për anëtarësim

    Konjufca akuzon Lajçakun se e kushtëzoi hyrjen në KiE me Asociacionin: Tash na duhet me i bindë shtetet për anëtarësim

    Glauk Konjufca, Ministër i Jashtëm i Kosovës, ka mbajtur një konferencë së bashku me homologun e tij belg, Maxime Prevot, pas takimit që kanë pasur. Gjatë kësaj konference, ndër temat për të cilat u deklarua Konjufca, ishte edhe ajo për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

    Lidhur me këtë çështje, Konjufca tha se presin që anëtarësimi i Kosovës në KiE të “ndodh shpejt’’, përcjell Gazeta Express.

    Konjufca tha edhe se, po presin që të marrin pyetësorin nga ana e Bashkimit Evropian, çështje që po pret tri vite e gjysmë, dhe e cila s’po trajtohet nga BE’ja.

    ‘‘Në të njëjtën kohë e theksova, i theksova pritjet që i ka Republika e Kosovës sa i përket proceseve integruese, e në radhë të parë marrjes së pyetësorit nga ana e Bashkimit Evropian, domethënë e cila është një çështje që po pret e po bëhen tri vite e gjysmë, ende nuk po trajtohet nga ana e Brukselit dhe Bashkimit Evropian. Mbështetja që Belgjika ka dhënë në proceset integruese të Kosovës deri më tash ka qenë shumë e rëndësishme për vendin tonë dhe presim që kjo mbështetje të vazhdojë edhe në fazat e ardhshme të rrugës tonë, edhe drejt Këshillit të Evropës ku presim një anëtarësim të ndodhë shpejt, edhe në rrugën, në qartësimin e rrugës tonë drejt Bashkimit Evropian. Në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, Belgjika ka qenë një partnere e rëndësishme e Republikës së Kosovës përgjatë gjithë momenteve kyçe të historisë sonë moderne“, deklaroi Konjufca.

    Sa i përket mosanëtarësimit të deritanishëm të Kosovës në KiE, Konjufca e bëri përgjegjës ish emisarin e BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak.

    Ky i fundit, tha Konjufca, ia ka vendosur ‘’një peng’’ Kosovës që nuk i takon lidhur me anëtarësimin në KiE, e që është formimi i Asociacionit.

    Ministri i Jashtëm i vendit, tha se, Asociacioni s’është kriter për anëtarësim në KiE, porse, kriter ka qenë çështja e Manastirit të Deçanit, gjë që ‘’është kry’’.

    ‘‘Këshilli i Evropës, shumë mirë e tha edhe Prevot, miku jonë i nderuar. Shikoni çfarë qëndrimi progresiv Belgjika, nuk pati kurrfarë kushtëzimi, tha ‘Kosova jo në të ardhmen, por tash duhet me u bë pjesë e KiE’. Unë mendoj që neve na ka mbet peng një gjë e vendosur nga një person i cili në mënyrë goxha të palavdishme dha dorëheqje, zoti Lajçak. Ai na e ka pas qit në shpinë një diçka që neve nuk na takon. Unë vetë kam qenë i përfshirë në negocimin e anëtarësimit të Kosovë në KiE. Ka shku përmes parlamentit, shumë prej proceseve, mbaje në mendje, brenda kornizës që është negocu për anëtarësim në KiE, Asociacioni i Komunave me serbe nuk është kriter, nuk është kriter i anëtarësimit. Mund të jetë në procese të tjera, mund të hapim tema tjera, integrimi në BE, statusi i vendit kandidat, kjo është tjetër pistë. Unë po ju flas për KiE, në Strasburg, nuk ka pas kondit që është me e themelu Asociacioni. Këtë na e ka qit në shpinë Lajçaku, në mënyrë jo meritore, për mos me thënë të pandershme, edhe këtë termë bon me përdor në rastin e tij. Vetëm një konditë elementare ka qenë atje në KiE, ka qenë Manastiri i Deçanit, dhe zgjidhja e këtij procesi, kjo është kry. Dhe ka qenë marrëveshja për anëtarësimin e Kosovës në KiE. Tash çka na u duhet është t’i bindim edhe tjerët të jenë sikur Belgjika. I cili thotë tash dhe këtu duhet me u anëtarësu Kosova’’, ka thënë Konjufca.

  • Shakira kritikohet për videon nga koncerti, injoroi kameramanin që u rrëzua para syve të saj

    Shakira kritikohet për videon nga koncerti, injoroi kameramanin që u rrëzua para syve të saj

    Këngëtarja latine, Shakira, është bërë objekt kritikash në rrjetet sociale pasi është rishfaqur një video nga koncerti i saj i vitit të kaluar në Meksikë, ku ajo duket se injoron një kameraman që u rrëzua para saj.

    Pamjet, të cilat po qarkullojnë sërish në platformën X, janë nga një koncert i mbajtur në shtator në Veracruz.

    Në video shihet momenti kur Shakira po kalonte mes publikut për t’u ngjitur në skenë, ndërsa një kameraman që po e filmonte duke ecur mbrapsht humb ekuilibrin dhe ra në tokë.

    Ndërsa personat përreth i afrohen për ta ndihmuar, këngëtarja shfaqet e habitur, e shikon për një moment dhe më pas vazhdon drejt skenës pa u ndalur.

    Ky veprim ka ndezur debate në rrjet: disa përdorues e kanë kritikuar duke thënë se duhej të ndalej për të parë nëse kameramani ishte mirë, ndërsa të tjerë mendojnë se ndalimi i saj do të prishte rrjedhën e performancës dhe situata është interpretuar padrejtësisht.

    Një nga postimet që shpërndau videon ka marrë mbi 2.5 milionë shikime dhe mijëra komente.

    Shakira ishte në Meksikë si pjesë e turneut të saj “Las Mujeres Ya No Lloran”, ndërsa muajin e kaluar ajo kishte thyer rekord me një koncert falas në Mexico City ku morën pjesë rreth 400 mijë njerëz.