ATV

Author: K.B.

  • Abdixhiku publikon pasurinë vjetore: Rritje e pasurive të paluajtshme dhe detyrime kreditore mbi 150 mijë euro

    Abdixhiku publikon pasurinë vjetore: Rritje e pasurive të paluajtshme dhe detyrime kreditore mbi 150 mijë euro

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka dorëzuar deklarimin e tij të rregullt vjetor të pasurisë, të cilin Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka filluar ta publikojë sot.

    Sipas të dhënave të deklaruara, Abdixhiku këtë vit ka shtuar dy pasuri të paluajtshme në krahasim me vitin e kaluar. Mes tyre është një banesë me vlerë rreth 120 mijë euro, e regjistruar në emër të bashkëshortes dhe e përfituar si trashëgimi nga prindërit. Po ashtu, ai ka deklaruar edhe një tjetër banesë në pronësi të bashkëshortes, me vlerë 100 mijë euro, gjithashtu e trashëguar.

    Në listën e pasurive përfshihet edhe një shtëpi në bashkëpronësi me vlerë 200 mijë euro, si dhe një banesë tjetër e blerë me kredi bankare në vlerë 265 mijë euro, po ashtu e deklaruar si pronë e përbashkët. Gjithashtu është përfshirë një shtëpi prej 200 m², e trashëguar dhe e vlerësuar rreth 150 mijë euro.

    Sa i përket pasurisë së luajtshme, ai ka deklaruar një veturë Mercedes-Benz të vitit 2019, me vlerë rreth 25 mijë euro, në pronësi të bashkëshortes.

    Në pjesën e aksioneve, bashkëshortja e tij figuron me 25% të pronësisë në kompaninë “AMPERA GROUP”, pa u deklaruar vlera financiare e tyre.

    Në llogaritë bankare, Abdixhiku ka raportuar 386 euro kursime, si dhe 4,915.36 euro të ardhura nga paga, ndërsa bashkëshortja ka deklaruar 4,293.40 euro nga paga dhe kursimet.

    Sa u përket detyrimeve, ai ka deklaruar kredi për renovim shtëpie me mbetje prej 32,502 euro dhe kredi për blerje banese me detyrim të mbetur 126,020.40 euro.

    Në të ardhurat vjetore, Abdixhiku ka raportuar 19,904 euro nga funksioni i deputetit dhe 24 mijë euro nga angazhimi në Kolegjin Riinvest.

  • Muharremi: Kosovari me 500 euro po e përballon krizën si amerikani por me 10 herë më pak të ardhura

    Muharremi: Kosovari me 500 euro po e përballon krizën si amerikani por me 10 herë më pak të ardhura

    Eksperti i ekonomisë, Shenoll Muharremi, ka ngritur alarmin për rritjen e çmimeve dhe presionin financiar që po përballojnë qytetarët në Kosovë, duke e krahasuar situatën me atë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Sipas tij, rreth 50 për qind e amerikanëve kanë vështirësi për t’i përballuar çmimet e rritura të ushqimit, pavarësisht se të ardhurat e tyre janë shumë më të larta.

    Muharremi thekson se, ndonëse paga mesatare në SHBA është rreth 10 herë më e lartë se në Kosovë, çmimet e produkteve ushqimore nuk dallojnë shumë, pasi Kosova importon shumicën e tyre.-Advertisement-

    “Sipas një matje më të re, rreth 50% e amerikanëve kanë telashe me i përballu çmimet e rritura të ushqimit. Edhe ata që kanë paga më të larta, kogja po e ndiejnë presionin. E në SHBA ndoshta paga mesatare është 10x më e lartë se në Kosovë, po çmimet në markete nuk dallojnë shumë”, ka shkruar ai.

    Ai shton se qytetarët e Kosovës, me paga prej 500 deri në 600 euro, e ndiejnë edhe më rëndë këtë krizë, por sipas tij, nuk ka reagim të mjaftueshëm institucional.

    “Po kosovari, me 500-600 euro pagë, a po e ndien këtë presion? Me gjasë e ndien tepër shumë, po sikur nuk ka gojë me tregu, se të ardhurat këtu janë vetëm 10-20% krahasuar me amerikanin për çmime të ngjashme të ushqimit”, ka theksuar Muharremi.

    Ai ka kritikuar edhe mungesën e reagimit nga institucionet, duke thënë se burimi kryesor i inflacionit mbeten çmimet e energjisë, ndërsa nuk po ndërmerren masa konkrete.

    “Burim kryesor i inflacionit janë çmimet e energjisë. E ne as nuk ndërtojmë kapacitete të reja të energjisë e as nuk e ulim TVSH-në e akcizën gjatë krizës së naftës. Derisa inflacioni ka shku 45% në mars 2026 në produkte/shërbime specifike, asnjë reagim, as edhe një diskutim të vetëm nga qeveria”, ka deklaruar ai.

    Sipas Muharremit, kjo situatë tregon për një mungesë serioze të reagimit institucional ndaj krizës ekonomike që po rëndon mbi qytetarët.

  • Ambasada franceze prezanton Kështjellën e Rambouillet, rikujtojnë konferencën për Kosovën aty

    Ambasada franceze prezanton Kështjellën e Rambouillet, rikujtojnë konferencën për Kosovën aty

    Ambasada e Francës në Kosovë në një postim në X ka prezantua Kështjellën e Rambouillet, për të cilën tha se ajo shërbeu si vendtakim i diplomacisë.

    Këtu ambasada kujtoi edhe Konferencën për Kosovën, e cila u mbajt në këtë kështjellë.

    “E ndërtuar në shekullin XIV, Kështjella e Rambouillet përfaqëson një vend të rëndësishëm të trashëgimisë dhe diplomacisë ndërkombëtare. Fillimisht rezidencë mbretërore e më pas perandorake, në vitin 1895 u bë rezidencë presidenciale, simbol i një pushteti njëkohësisht diskret dhe strategjik. Një vend i takimeve diplomatike ndërkombëtare, ku është mbajtur ndër të tjera edhe Konferenca e paqes për Kosovën në vitin 1999”, shkroi ambasada.

    Konferenca e Rambujesë për Kosovën u mbajt në shkurt–mars 1999 dhe ishte përpjekja e fundit diplomatike para ndërhyrjes ushtarake të NATO’s për të ndalë spastrimin etnik në Kosovë, e cila çoi në çlirimin e saj.

  • Gjykata e Apelit ua njeh kategorive ta dala nga lufta edhe të drejtën e realizimit të pensionit të moshës

    Gjykata e Apelit ua njeh kategorive ta dala nga lufta edhe të drejtën e realizimit të pensionit të moshës

    Avokati Nazmi Sallahu ka njoftuar se ka fituar edhe një betejë ligjore në lidhje me pensionet e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së.

    Ai ka bërë me dije se Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin të gjithë përfituesve të pensioneve nga lufta u njihet e drejta për pension bazik, në të cilin përfshihet edhe atë të moshës.

    Në profilin e tij në Facebook, ai ka publikuar aktgjykimin t të Apelit, ku tregohet se kjo gjykatë ka refuzuar ankesën e Ministrisë së Financave dhe klientit të tij i është njohur e drejta të përfitojë njëkohësisht pension nga kategoria e luftës dhe pensionin e moshës.

    “Vërtetohet… Gjykata e Apelit heq të gjitha dilemat dhe mundëson realizimin e pensioneve te të gjitha kategorive të dala nga lufta, pra vërteton aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti Administrativ”, ka shkruar Sallahu.

  • ​Nufi: S’ka ndryshim në planet e KFOR-it për Kosovën

    ​Nufi: S’ka ndryshim në planet e KFOR-it për Kosovën

    Nuk ka asnjë ndryshim të planeve të sigurisë së KFOR-it në Kosovë, ka deklaruar ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Ermal Nufi.

    Një gjë e tillë, ai tha se i është konfirmuar në takimet që ka pasur në Bruksel me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte por edhe me kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Giuseppe Vaco Dragone.

    Në këto takime, ai shtoi se ka ngritur shqetësimin për nivelin e sigurisë në Kosovë por edhe rajon.

    Këto deklarime ai i bëri pas vizitës dhe takimit me homologun e tij nga Kosova, Ejup Maqedonci.

    Pas takimit, ministri Maqedonci tha se kanë diskutuar për ndërtimin e kapaciteteve ushtarake dhe bashkëpunimit në aspektin e mbrojtjes me Shqipërinë, raporton kp.

    “Diskutuam edhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit edhe në fushat tjera duke përfshirë industrinë e mbrojtjes, një sektor jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për kohët ku po jetojmë dhe në ditët në vijim, në muajt në vijim do të punojmë më gjerësisht edhe më thellësisht në identifikimin e mundësive për bashkëpunim në këtë fushë. Unë jam falënderues ndaj ministrit për gjithë gatishmërinë, për të mbështetur Kosovën edhe në rrugën e integrimit në NATO për promovimin e Kosovës në kuadër të NATO-s dhe organizmave tjerë që e bën Shqipëria, por në veçanti ministri i Mbrojtjes, si dhe në bashkëpunimin që kemi regjional edhe me Kroacinë edhe me Shqipërinë në këtë aspekt”, ka thënë ai.

    Ai ka folur se cili mund të jetë bashkëpunimi me Shqipërinë sa i përket fushës së industrisë ushtarake.

    “Ne kemi bërë tashmë një kontratë për një fabrikë për prodhimin e municioneve, jemi gjithashtu në koordinim me partnerët tjerë për çështjen e bashkëprodhimit. Kur flasim për bashkëpunimin me Republikën e Shqipërisë, në fushën e industrisë së mbrojtjes po flasim për dy drejtime. Është bashkëprodhimi do të shikojmë mundësitë se në cilat fusha mund të bashkëprodhojnë dhe kjo do të bëhet në periudhën në vazhdim kur do të krijojmë edhe grupet edhe ekipet që do të punojnë në identifikimin se çka mund të bashkëprodhojmë bashkë, në mënyrë që të jemi edhe të ndërveprueshëm në aspektin operacional edhe në bashkëprokurim të sistemeve të cilat na bëjnë të ndërveprueshëm”, shtoi ai.

    Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Ermal Nufi tha se “Republika e Shqipërisë qëndron krah për krah me Kosovën”. Ai tha se bashkëpunimi me Kosovën është thelbësor për rritjen e kapaciteteve dhe garantimin e sigurisë së të dyja vendeve.

    Po ashtu, foli edhe për nivelin e sigurisë në Kosovë, për çka tha se një gjë e tillë i është garantuar në takimet që ka pasur në Bruksel.

    “Shqipëria e ka ngritur shqetësimin e sigurisë në rajon, veçanërisht sigurisë në Kosovë, kemi shprehur shqetësimet tona në raport me situatën e sigurisë, duke e theksuar që situata e sigurisë në Kosovë është drejtpërdrejt situatë e sigurisë për Republikën e Kosovës dhe çdo zhvillim dhe çdo implikim i mundshëm në Kosovë sjell një shqetësim në Republikën e Shqipërisë në aspektin e sigurisë. Në të dyja takimet, si me zotëri Rutte si me zotëri Dragone u konfirmua që nuk ka një ndryshim të paktën deri më sot të planeve të sigurisë së KFOR-it për sa i përket angazhimit të KFOR-it në Republikën e Kosovës. Besoj që të gjitha zhvillimet tjera do të adresohen në kuadër të bashkëpunimit që ne kemi në kemi në aleancë. Besoj që situata e sigurisë në Kosovë, për sa kohë ne i bëjmë të gjitha detyrat e shtëpisë, si në Kosovë por edhe si në kuadër të aleancës vazhdon të ngelet e qëndrueshme. Shqetësimet patjetër që i kemi përcjell, jemi shpresëplotë dhe të sigurt që vëmendja është e plotë për situatën e sigurisë në rajon por edhe situatën e sigurisë në rajon por edhe situatën e sigurisë në Kosovë”, ka thënë ai.

    Ministrisë i Mbrojtjes së Shqipërisë u pyet edhe për armatimin e Serbisë nga Kina, për çka tha se kjo i takon këtij vendi.

    “Republika e Serbisë i vendos vet çështjet e armatimit apo jo apo se si i konsideron çështjet e sigurisë së saj. Shqipëria si anëtare e NATO-s por edhe Kosova për sa kohë kemi misionin KFOR edhe qasja dhe vet evokimi që vet Qeveria e Kosovës ka në lidhje me sigurinë, besoj që të gjitha strategjitë e sigurisë i ka në përputhje dhe koordinim të plotë me NATO-n që është edhe gur themeli i garancisë së sigurisë jo vetëm në Kosovë por edhe rajon, për sa kohë që shumica e shteteve në rajon janë shtete anëtare të NATO-s”, u shpreh ai.

    Kosova dhe Shqipëria do të dërgojnë trupat e tyre në Gaza, në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese të paraparë me themelimin e Bordit të Paqes, të presidentit amerikan, Donald Trump.

    Ministri Nufi tha se ende nuk është përcaktuar numri i trupave që do të dërgohen në Gaza.

    “Shqipëria por edhe Kosova kanë marrë përsipër që do të jenë pjesë në Gaza. Jemi në faza shumë të hershme, jemi akoma duke e shqyrtuar dhe duke e vëzhguar territorin ku mund të vendosën trupat tona. Besoj që në të ardhmen do të jemi në gjendje të ju japim edhe një përgjigje të saktë se sa trupa do të shkojnë, si do të shkojnë. Shqipëria ka një eksperiencë tash shumëvjeçare në angazhimin e misioneve ndërkombëtare, duke filluar nga Afganistani, Iraku, Bosnja e shumë vende të tjera”, tha ai.

    Me ceremoni ushtarake e ka pritur ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci homologun e tij shqiptar, Ermal Nufi.

    Pas pritjes ata kanë zhvilluar një takim në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes. /kp/

  • Kompanitë ajrore paralajmërojnë për mungesë karburanti, fluturimet në Europë rrezikohen nga fundi i majit

    Kompanitë ajrore paralajmërojnë për mungesë karburanti, fluturimet në Europë rrezikohen nga fundi i majit

    Kompanitë ajrore kanë paralajmëruar se fluturimet në Europë mund të përballen me anulime nga fundi i majit për shkak të mungesës së karburantit për avionë, duke u bërë thirrje qeverive të përgatisin plane emergjente për racionim.

    Sipas Willie Walsh nga International Air Transport Association, mungesa e karburantit tashmë po ndihet në disa pjesë të Azisë dhe mund të përhapet edhe në Evropë në javët në vijim. Ai theksoi se autoritetet duhet të kenë plane të qarta dhe të koordinuara në rast se racionimi bëhet i domosdoshëm.

    Ndërkohë, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka paralajmëruar se Europa ka rezerva për vetëm rreth gjashtë javë, një situatë që e bën krizën potenciale edhe më serioze raporton CNN.

    Një nga arsyet kryesore të kësaj krize është mbyllja e ngushticës së Hormuzit, një rrugë kyçe për transportin global të karburantit, përmes së cilës kalon një pjesë e madhe e furnizimit me karburant për avionë drejt Evropës.

    Rritja e çmimeve, që janë pothuajse dyfishuar gjatë konfliktit me Iranin, po i detyron disa kompani ajrore të reduktojnë fluturimet, ndërsa situata mbetet e pasigurt nëse furnizimi nuk stabilizohet së shpejti.

  • I burgosuri tenton të kërcejë nga vetura, kapet nga Policia e Kosovës

    I burgosuri tenton të kërcejë nga vetura, kapet nga Policia e Kosovës

    Një i burgosur ka tentuar të largohet nga vetura e Policisë së Kosovës mirëpo i njejti është kapur menjëherë nga organet e rendit.

    Në pamjet e sigurura nga Indeksonline, ngjarja ka ndodhur afër objekt të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

    Indeksonline po ashtu mëson se i dyshuari në këtë rast është një 50 vjeçar.

    Pamje nga momenti:

  • “Mëditje 10 mijë e 300 euro”, çfarë pasurie deklaroi ish-Presidentja Vjosa Osmani

    “Mëditje 10 mijë e 300 euro”, çfarë pasurie deklaroi ish-Presidentja Vjosa Osmani

    Ish-Presidentja Vjosa Osmani, në deklarimin vjetor të pasurisë, ka deklaruar mëditje në vlerë 10 mijë e 305 euro, nga udhëtimet zyrtarë jashtë vendit, krahas pagës në vlerë 33 mijë e 248 euro që e merrte si Presidente.

    Tek pasuritë e paluajtshme, nuk ka ndonjë ndryshim. Në pronësi të saj ka deklaruar një arë në vlerë 35 mijë euro, ndërsa në pronësi të përbashkët një shtëpi në vlerë 208 mijë euro.

    Pronat tjera, një banesë në vlerë 60 mijë euro, shtëpi në Australi në vlerë 510 mijë euro, shtëpi tjetër në Australi në vlerë 170 mijë euro dhe një garazh kolektiv në vlerë 5 mijë euro, Osmani i ka deklaruar në emër të bashkëshortit.

    Si para të gatshme, Osmani ka deklaruar 3 mijë e 115 euro nga pagat dhe mëditjet, ndërsa në emër të bashkëshortit rreth 750 euro.

    Si detyrime financiare, kanë renditur 9 mijë euro si këste të pa paguara për punët shtesë të shtëpisë nga kompani të ndryshme, dhe 20 mijë e 500 euro tjera si huamarrje për pagesën e banimit në Melbourne.

    Tek të hyrat vjetore të bashkëshortit, Osmani ka renditur 11 mijë e 350 euro nga paga dhe 11 mijë dollarë nga qiraja në Australi.

    Vjosa Osmani-Sadriu

  • Albulena Haxhiu bleu sivjet banesë në vlerë 128 mijë euro, kjo është pasuria që deklaroi

    Albulena Haxhiu bleu sivjet banesë në vlerë 128 mijë euro, kjo është pasuria që deklaroi

    Ushtruesja e detyrës së Presidentes, njëherit Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka blerë sivjet banesë në vlerë 128 mijë e 740 euro bashkë me bashkeshortin e saj, sipas deklarimit të pasurisë të publikuar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

    Haxhiu ka deklaruar se këtë banesë, me sipërfaqe prej 128.74 metër katror, e kanë blerë me kredi. Tek detyrimet financiare figuron një kredi në vlerë 160 mijë euro në emër të saj, ku vlera e mbetur është 159 mijë e 89 euro.

    Në emër të bashkëshortit, i cili është anëtar i VV’së në KQZ, ka deklaruar një banesë në vlerë 60 mijë euro dhe një tokë 15 mijë euro.

    Tek pasuritë e luajtshme, Haxhiu ka deklaruar një veturë në vlerë 9 mijë e 700 euro, në pronësi të përbashkët.

    Si para të gatshme, Haxhiu i ka deklaruar 1 mijë e 531 euro.

    Tek detyrimet financiare, ka renditur edhe 1 mijë e 100 euro, në emër të bashkëshortit.

    Si të hyra vjetore, Haxhiu ka renditur pagën nga Kuvendi në vlerë 22 mijë e 658 euro, mëditje në vlerë 234 euro, 1 mijë e 140 euro tjera nga shtesat dhe kompenzimet tjera.

    Ndërkohë në emër të bashkëshortit figuron paga në vlerë prej 16 mijë e 739 euro nga KQZ, dhe mëditje në vlerë 1 mijë e 747 euro nga udhëtimet jashtë vendit.

    Albulena Haxhiu

  • Kurti kujton viktimat e Masakrës së Poklekut: U vranë 53 civilë shqiptarë të paarmatosur

    Kurti kujton viktimat e Masakrës së Poklekut: U vranë 53 civilë shqiptarë të paarmatosur

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar viktimat e Masakrës së Poklekut.

    Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se në këtë masakër mbetën të vrarë 53 civilë shqiptarë të moshave të ndryshme, përfshirë edhe gra shtatzëna.

    “Në Poklek të Drenicës, në shtëpinë e familjes Muqolli, më 17 prill 1999, u vranë 53 civilë shqiptarë të paarmatosur, nga 75 vjeç deri te foshnje 6 muajshe, përfshirë edhe gra shtatzëna. U vranë dhe më pas trupat e tyre u dogjën nga forcat e armatosura të Serbisë, në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit”, ka shkruar ai.

    Postimi i plotë:

    Në Poklek të Drenicës, në shtëpinë e familjes Muqolli, më 17 prill 1999, u vranë 53 civilë shqiptarë të paarmatosur, nga 75 vjeç deri te foshnje 6 muajshe, përfshirë edhe gra shtatzëna. U vranë dhe më pas trupat e tyre u dogjën nga forcat e armatosura të Serbisë, në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit.

    Sot, kujtimi për ta ruhet në shtëpinë-muze të familjes Muqolli në Poklek, e mbështetur institucionalisht nga Republika e Kosovës. Aty ruhen dëshmi dhe histori familjare që e bëjnë të prekshme përmasën njerëzore të humbjes dhe obligimin tonë për të mos harruar.

    Në Korroticë të Poshtme ruhen kujtimet për poetin e fëmijëve Ymer Elshani, i vrarë atë ditë bashkë me më të dashurit e tij.

    Në Çikatovë të Vjetër të Drenicës, civilë të tjerë shqiptarë u vranë dhe trupat e disa prej tyre u zhvendosën në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës në Serbi.

    Përkujtimi i tyre është obligim institucional dhe shoqëror. Dokumentimi i krimeve dhe ruajtja e dëshmive janë thelbësore për të vërtetën historike dhe për drejtësinë. Krimet e luftës nuk parashkruhen, dhe drejtësia për viktimat mbetet kërkesë e pandërprerë.

    Me respekt të thellë për të vrarët dhe me solidaritet me familjarët e tyre, riafirmojmë përkushtimin tonë për të vërtetën, kujtesën dhe drejtësinë.

    I përjetshëm qoftë kujtimi për të vrarët në Poklek e Çikatovë të Vjetër të Drenicës!

    Lavdi të gjithë martirëve dhe dëshmorëve të lirisë!