ATV

Author: K.B.

  • Gjykata ndalon ndërtimin e sallës së vallëzimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë

    Gjykata ndalon ndërtimin e sallës së vallëzimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë

    Një gjykatës ka ndaluar ndërtimin e sallës së vallëzimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

    Të gjitha punimet mbi tokë në projektin prej 400 milionë dollarësh të presidentit amerikan duhet të ndërpriten pas vendimit të gjyqtarit të distriktit Richard Leon.

    Por puna nëntokësore mund të vazhdojë në një bunker dhe “objekte të tjera të sigurisë kombëtare” në vend, ku dikur ndodhej Krahu Lindor i Shtëpisë së Bardhë, tani i shembur.

    Kjo do të thotë që ndërtuesit janë të lirë të vazhdojnë me ndërtimin e çdo bunkeri, instalimi ushtarak dhe objekti mjekësor poshtë sallës së planifikuar të vallëzimit.

    Presidenti amerikan ka përdorur rrjetet sociale për të shprehur pakënaqësinë e tij ndaj vendimit të gjyqtarit.

    Ai tha se Leon “ka bërë çmos për të minuar Sigurinë Kombëtare dhe për t’u siguruar që kjo Dhuratë e Madhe për Amerikën të vonohet ose të mos ndërtohet”.

    Avokatët e qeverisë argumentuan se projekti përfshin karakteristika kritike sigurie për t’u mbrojtur nga një sërë kërcënimesh të mundshme, duke përfshirë dronët, raketat balistike dhe rreziqet biologjike.

    Por gjykatësi nuk u pajtua.

    Administrata Trump njoftoi se do ta çojë vendimin në Gjykatën e Apelit të SHBA-së që Qarku i Distriktit të Kolumbias ta shqyrtojë.

  • Djegia e ndërtesës pranë QSUT-së, lirohen katër të arrestuarit

    Djegia e ndërtesës pranë QSUT-së, lirohen katër të arrestuarit

    Gjykata Penale e Tiranës ka caktuar masat e sigurimit detyrim paraqitje për 4 të arrestuarit për zjarrin tek pallati afër farmacisë numër 10.

    Togat e zeza liruan nga qelia Razie Sula, Agron Cara, Enver Ademi dhe Altin Furtuna, raporton A2CNN.

  • Kurti deklaron se i ka veç 16 euro e 41 centë në bankë dhe se i është ngritur edhe çmimi i qirasë

    Kurti deklaron se i ka veç 16 euro e 41 centë në bankë dhe se i është ngritur edhe çmimi i qirasë

    Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka publikuar deklarimin vjetor të pasurisë së Kryeministrit Albin Kurti. Nga deklarimi shihet se atij i është shtrenjtuar qiraja e banesës për 100 euro, teksa i kanë rënë kursimet.

    Tek pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme nuk ka ndonjë ndryshim. Si pasuri të paluajtshme, Kurti ka përmendur banesën e bashkëshortes, në vlerë 530 mijë euro.

    Para të gatshme në emër të tij i ka deklaruar 16.41 centë, në emër të bashkëshortes 19 mijë e 500 me prejardhje nga paga dhe trashëgimi nga prindi, 2 mijë euro kursime të vajzës dhe 50 euro tjera të vajzës, që thotë se e kanë prejardhjen nga familjarët.

    Vjet ai i kishte deklaruar si kursime 1800 euro.

    Si borxhe, ka deklaruar kredinë e bashkëshortes në vlerë të mbetur 160 mijë euro, dhe ka renditur qiranë e banesës që tash e paguan 350 euro, nga 250 sa e paguante vjet.

    Tek të hyrat vjetore, Kurti ka renditur 21 mijë e 315 euro nga paga si Kryeministër dhe 51 mijë euro të bashkëshortes.

    Albin-Kurti

  • Shpallja e aktgjykimit për vrasjen e Liridona Ademajt bëhet të martën e ardhshme

    Shpallja e aktgjykimit për vrasjen e Liridona Ademajt bëhet të martën e ardhshme

    Gjykata ka caktuar shpalljen e aktgjykimit për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt për të martën e ardhshme, më 21 prill, në ora 13:30.

    Vendimi pritet të merret pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, ku palët sot kanë paraqitur fjalët përfundimtare dhe kanë dhënë qëndrimet e tyre lidhur me provat dhe përgjegjësinë penale të të akuzuarve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Prokuroria ka kërkuar dënim maksimal me burgim të përjetshëm për të akuzuarit, duke pretenduar se vrasja është organizuar dhe kryer në mënyrë të planifikuar.

    Në anën tjetër, mbrojtja e të akuzuarve ka kundërshtuar akuzat, duke theksuar mungesë të provave direkte dhe duke kërkuar vendim të bazuar vetëm në prova.

  • Ky është ushtari i FSK-së që e fitoi vendin e parë në “Garën e Ushtarit më të Mirë 2026”

    Ky është ushtari i FSK-së që e fitoi vendin e parë në “Garën e Ushtarit më të Mirë 2026”

    Në Kazermën “Adem Jashari”, përmes një ceremonie solemne, është shpallur fituesi i “Garës së Ushtarit më të Mirë 2026”.

    Vendin e parë në këtë garë e rrëmbeu Elvis Qitaku, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Vendin e dytë e zuri Ismail Ahmeti, ndërsa vendi i tretë i takoi Sead Veselit.

    Në garë morën pjesë gjithsej 44 pjesëtarë, prej tyre 22 nga vendet partnere të Kosovës dhe 22 nga Forca e Sigurisë së Kosovës.

    Ekipet pjesëmarrëse në garën për “Ushtarin më të Mirë 2026” iu nënshtruan 10 disiplinave të ndryshme.

  • Maqedonci: Një përfaqësues i SHBA-së na ka ndihmuar në përgatitjen e FSK-së për misionin në Gaza

    Maqedonci: Një përfaqësues i SHBA-së na ka ndihmuar në përgatitjen e FSK-së për misionin në Gaza

    Kosova ka shprehur gatishmërinë për të dërguar disa dhjetëra pjesëtarë të forcave të saj të sigurisë në një mision ndërkombëtar në Gaza, si pjesë e një iniciative të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas armëpushimit të arritur mes Izraelit dhe Hamasit vitin e kaluar.

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, deklaroi për AP se Kosova po hyn në një fazë të re, duke kaluar nga një përfituese e sigurisë ndërkombëtare në një kontribuese aktive.

    Ai theksoi se kontingjenti kosovar do të përbëhet nga disa dhjetëra ushtarë, përfshirë ekspertë të çminimit, të cilët do të angazhohen në mbështetje humanitare dhe detyra të tjera sipas mandatit të misionit.

    “Deri më tani kemi qenë konsumues të sigurisë, pasi NATO ka kontribuar për sigurinë tonë. Tani po bëhemi ofrues të sigurisë,” u shpreh Maqedonci, duke shtuar se përgatitjet janë në fazën përfundimtare dhe se një përfaqësues amerikan ka ndihmuar në proces, përfshirë vaksinimin e trupave dhe procedurat teknike.

    ”Një përfaqësues i SHBA-së ka ndihmuar me përgatitjen, duke përfshirë vaksinimin e trupave, lëshimin e vizave dhe rregullime të tjera teknike”

    Pjesëmarrja në këtë mision shihet në Kosovë si dëshmi e progresit të vendit që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, pavarësi e cila ende nuk njihet nga Serbia.

    Ndërkohë, tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit vazhdojnë të mbeten të pranishme, pavarësisht përpjekjeve të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve, të cilat së fundmi kanë ngecur.

    Kosova aktualisht ka rreth 4,000 pjesëtarë në Forcën e Sigurisë, e cila synon të shndërrohet në një ushtri profesionale në përputhje me standardet e NATO-s.

    Vendimi për të kontribuar në Gaza është mirëpritur nga qytetarë të ndryshëm, të cilët e shohin këtë si një mënyrë për të kthyer ndihmën që Kosova ka marrë ndër vite nga komuniteti ndërkombëtar.

  • Ndryshime në trupën diplomatike-Presidenti Begaj liron nga detyra 5 ambasadorë, dy emërime të reja

    Ndryshime në trupën diplomatike-Presidenti Begaj liron nga detyra 5 ambasadorë, dy emërime të reja

    Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar këtë të premte (17 prill) lirimin nga detyra të pesë ambasadorëve shqiptarë në përfaqësitë diplomatike jashtë vendit si dhe dy emërime të reja në shërbimin diplomatik.

    Sipas vendimit, nga detyra janë liruar Riza Poda, ambasador në Kinë dhe një sërë vendesh të tjera jo rezidente; Bardhyl Canaj, ambasador në Serbi; Sami Shiba, ambasador në Egjipt dhe disa vende të tjera të rajonit; Vasilika Hysi, përfaqësuese në OKB në Gjenevë; si dhe Albana Dautllari, ambasadore në Belgjikë dhe në Luksemburg.

    Ndërkohë, Presidenti ka dekretuar emërimin e Gazmend Barbullushi si ambasador në Belgjikë, si dhe në Luksemburg (jo rezident).

    Po ashtu, Albana Dautllari është emëruar ambasadore e Shqipërisë pranë Bashkimi Evropian.

    Njoftimi i plotë:

    Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, dekretoi sot lirimin nga detyra të:

    Z. Riza Poda, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën Popullore të Kinës, rezident, si dhe Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën Popullore të Bangladeshit, në Republikën Popullore Demokratike të Koresë, në Republikën Socialiste të Vietnamit, në Mongoli dhe në Mbretërinë e Tajlandës, jo rezident;

    Z. Bardhyl Canaj, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Serbisë, rezident;

    Z. Sami Shiba, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën Arabe të Egjiptit, rezident, si dhe Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën Arabe të Sirisë, në Mbretërinë Hashemite të Jordanisë, Shtetin e Libisë, Shtetin e Palestinës, Republikën Libaneze dhe në Republikën e Sudanit, jo rezident;

    Znj. Vasilika Hysi, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara dhe Organizatave të Tjera Ndërkombëtare në Gjenevë, rezident;

    Znj. Albana Dautllari, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës, rezident, si dhe Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Dukatin e Madh të Luksemburgut, jo rezident.

    Gjithashtu, Presidenti i Republikës dekretoi emërimin e:

    Z. Gazmend Barbullushi në detyrën e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës, rezident, si dhe Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Dukatin e Madh të Luksemburgut, jo rezident;

    Znj. Albana Dautllari në detyrën e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Misionin e Republikës së Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian, rezident.

  • Vrasja e Liridonës, Naim Murseli: Behgjet Pacolli s’ka lidhje me rastin, emri i është përmendur padrejtësisht

    Vrasja e Liridonës, Naim Murseli: Behgjet Pacolli s’ka lidhje me rastin, emri i është përmendur padrejtësisht

    I akuzuari për vrasjen e gruas së tij, Naim Murseli, ka mohuar përfshirjen në këtë rast, duke deklaruar se nuk ka organizuar dhe as nuk ka marrë pjesë në vrasjen e Liridona Ademajt.

    Gjatë fjalës së tij përfundimtare në gjykatë, ai tha se në momentin e vrasjes nuk ka qenë në vendin e ngjarjes dhe se bashkë me fëmijët ishte duke u larguar.

    “Unë gjatë këtyre viteve prej ngjarjes jam akuzuar për një krim shumë të rëndë, të cilin nuk e kam kryer. Unë nuk kam organizuar kurrfarë vrasje, as nuk kam marrë pjesë në vrasje, madje as nuk e kam parë vrasjen, as unë as fëmijët, sepse në momentin e vrasjes unë dhe fëmijët e mi kemi qenë duke ikur. Këtë e tregon edhe Leonardi në deklaratën e tij. Mund t’i shihni intervistat, ku ai shumë drejt dhe saktë tregon atë se çfarë i kanë treguar fëmijët dhe ai vërtetë është që unë dhe fëmijët kemi vrapuar nga makina”, tha ai.

    Ai gjithashtu reagoi për përmendjen e emrave të tjerë gjatë procesit gjyqësor, duke përmendur Behgjet Pacollin dhe duke theksuar se ato janë bërë padrejtësisht.

    “Pastaj në këtë proces gjyqësor pa të drejtë shumë herë është përmendur edhe Behgjet Pacolli, i cili fare nuk ka lidhje me këtë rast dhe padrejtësisht i është përmendur emri dhe kisha të nevojshme që ta sqaroj se ndjej keqardhje sa herë është përmendur emri i tij sepse është e padrejtë. Ju do të merrni vendim së shpejti për këtë rast, ne kemi propozuar një CD ku shihet komunikimi me fëmijët dhe e vetmja arsye pse nuk kam komunikuar me fëmijët është se gjendem në paraburgim, jo pse fëmijët nuk dëshirojnë të flasin. Është e ulët që të citohen rrejshëm fëmijët e mi”, tha ai.

    Në fund, ai deklaroi se nuk ka pasur rol në organizimin apo realizimin e vrasjes, duke kërkuar një vendim të drejtë nga gjykata.

    “Natën e vrasjes ia dorëzova fëmijët familjes Ademaj, po të kisha për të fshehur nuk do t’i dorëzoja… Ju betohem që Naim Murseli nuk ka qenë afër në veturë në momentin e vrasjes, ju betohem Naim Murseli nuk ka paguar për vrasjen, kjo është e vërtetë. Unë pa të drejtë jam akuzuar, targetuar nga mediat, nga kjo sallë, por e vërteta është krejtësisht ndryshe. Ju do të vendosni fatin tim, fatin e fëmijëve të mi dhe nga ju pres vetëm një dënim të drejtë, pres nga ju që vërtetë të ketë drejtësi për Liridonën, sepse kjo Liridona meriton drejtësi të plotë”, tha ai./EO/

  • Tahiri kërkon nga Qeveria që të kompensojë ushtarët e FSK-së për orët shtesë

    Tahiri kërkon nga Qeveria që të kompensojë ushtarët e FSK-së për orët shtesë

    Shefi i Grupit Parlament të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të kompensohen ushtarët e FSK-së për orët shtesë.

    Gjatë deklarimeve jashtë rendit të ditës, në seancën e sotme të Kuvendit, ai ka thënë se është e papranueshme që kjo çështje bëhet objekt të gjykatave.

    Sipas tij, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, duhet ta marr seriozisht këtë çështje.

    “Si ka mundësi qe ministria te mos i kompensojë ushtarët tanë për orët shtesë dhe një çështje e tillë të bëhet subjekt i trajtimit në Gjykata. Kjo është në pozicionet më të vështira që një person që është në uniformë të detyrohet ta lypë të drejtën e vetë në gjykatë e të mos mbrohet nga institucioni. Merreni këtë punë seriozisht i bëj thirrje qeverisë dhe ministrit të Mbrojtjes të bëjë kompensimin e duhur”, ka theksuar Tahiri.

  • Rasti në Malishevë, Krasniqi: Dy fëmijët e tjerë janë në kujdesje të gjyshërve

    Rasti në Malishevë, Krasniqi: Dy fëmijët e tjerë janë në kujdesje të gjyshërve

    Pasditen e së enjtes kanë vdekur dy fëmijë e babai i tyre nga shpërthimi i një bombole gazi në Malishevë.

    Lidhur me këtë rast nënkryetari i komunës së Malishevës, Vesel Krasniqi për rtv21 ka bërë të ditur se dy fëmijët e mbijetuar nga zjarri janë në kujdesje të gjyshërve, duke shtuar se ata kanë qenë jashtë shtëpisë.

    “E kanë axhën afër dhe gjyshin, janë nën mbikëqyrje të tyre. Jemi marrë me dy fëmijët të cilët kanë mbijetuar, djali katër vjeçar ka qenë në çerdhe dhe vajza 13 vjeçare ka qenë jashtë në lodra. Ne si komunë, sot jemi kujdesur me pako ushqimore, kemi ofruar ndihmën tonë”, tha ai.