ATV

Author: K.B.

  • Siguria ushqimore, Rama: 900 subjekte rrezikojnë mbylljen nëse s’përmbushin standardet e BE

    Siguria ushqimore, Rama: 900 subjekte rrezikojnë mbylljen nëse s’përmbushin standardet e BE

    Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me operatorët e biznesit ushqimor, ku theksoi se siguria ushqimore është një nga sfidat më të vështira dhe më komplekse të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

    Kryeministri tha se 900 subjektet ushqimore që operojnë në vendin tonë rrezikojnë mbylljen apo përjashtimin nga tregu që ditën e parë të anëtarësimit të vendit nëse nuk përmbushin standardet e BE-së.

    “BE ka sjellë një përfaqësi ekspertësh që kanë parë pikat e prodhimit, grumbullimit dhe aktivitete që lidhen me produkte shtazore dhe nënproduktet e tyre dhe kanë lënë një sërë detyrash të cilat do të duhet të ndërveprojmë me 900 subjekte që janë në vend dhe që kanë rrezikun shumë të qartë të mbylljes ose përjashtimit nga tregu që nga dita e parë e anëtarësimit”, tha ai.

    Rama theksoi se informaliteti në sigurinë ushqimore mbetet një problem i përditshëm, ndaj është vënë theksi tek jetësimi i ligjit të ri për inspektoriatet dhe reformimi i Agjencisë Kombëtare të Ushqimit. Ai shtoi se Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare dhe AKU ka nevojë për mbështetje dhe binjakëzim me institucionet e BE-së, për të marrë eksperiencën e tyre.

  • Haziri: Diskutimet për presidentin u devijuan në biseda për qeverinë

    Haziri: Diskutimet për presidentin u devijuan në biseda për qeverinë

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se procesi i diskutimeve për presidentin është devijuar nga qëllimi fillestar, duke theksuar se në vend të kësaj teme, fokusi është zhvendosur tek çështjet e qeverisë.

    Sipas tij, qëndrimi i LDK-së për këtë proces ka qenë i qartë që nga fillimi.

    “Kryetari i LDK-së e ka bë të qartë qëndrimin e LDK-së. Ne jemi ftu’ me fol’ për President, kemi përfunduar duke folur për qeveri.

    Përderisa para disa javësh është thanë që Kuvendi konstituohet, qeveria ndërtohet, bëhet, dhe veprimet e tjera me hapa të caktum dhe të imponum nga kryetari i Vetëvendosjes kanë ndodhë, janë bë fakt, janë kry’. Dhe lëvizja e djeshme që t’i ofrohet LDK-ja për qeverisje, për ne ka qenë çështje që nuk e kemi pritë, nuk e kemi kërku’ dhe kemi definu’ politikat tona.

    Jemi të interesum, kemi qenë të interesum, mbetemi të interesum me bë vendin funksional duke i dhanë President, por jo duke kriju’ mundësi që të zgjatet qeverisja e Kosovës edhe me President. Presidenti është përfaqësuesi më i lartë, nuk është pushtet, nuk është institucion i cili ka pushtetin e ndamë e të tjerë, por përfaqëson qytetarët dhe garanton funksionimin e shtetit dhe mbron interesin e qytetarëve. Kjo është ajo si e shohim rolin e Presidentit e jo si zgjatje të qeverisë dhe të agjendave politike që zoti Kurti i ka sot“, tha Haziri.

    Sa i përket deklaratave të Kurtit rreth ofertës së LDK-së ai thotë se janë bërë lojëra politike.

    “Kjo në radhë të parë është lojë fjalësh, që nuk pasqyron realitetin. Me pasë qenë ashtu, pse është dashtë me u thirrë në takim? Me vetë faktin që ne jemi zgjidhja, jemi ftu’ dhe ne jemi tregu’ pragmatikë, jemi tregu’ bashkëpunues dhe kemi kooperu’, kemi bashkëpunu’ deri në fund me i dhanë vendit President. As kemi thanë që jemi meritorë me u ftu’, as kemi kërku’ për t’u ftu’. Ne i kemi u përgjigj një ftese që të gjejmë një rrugë të përbashkët për me i dhanë vendit President të Republikës. Tani loja e numrave, e rënditjeve, kalkulimeve, është lojë politike dhe kjo qasje, kjo mendësi, Kosovën po e mban në qarkun e mbyllur të krizave politike tash e dy vjet e gjysmë së paku, dhe po paralajmëron krizë të re. Kriza e Presidentit, Kosovën e çon në dështim të Kuvendit, dështimi i Kuvendit janë zgjedhjet e reja dhe prapë do të rikthehemi në kërkesën që qytetarët me definu’ dhe qytetarët me vendosë“, u shpreh ai.

    Haziri u shpreh se LDK nuk ka pasur kërkesë.

    “LDK-ja s’ka pasë asnjë kërkesë. Dhe nuk kemi pasë qasje me bë kërkesë. Jemi ulënë tavolinë, kemi bisedu për ndërtimin e procesit. Fillimisht për konsensus, i cili nuk është arritë për shkak të zotit Kurti, dhe mandej për një marrëveshje klasike mes LDK-së edhe Lëvizjes Vetëvendosje. Dje në mesditë u pa që nuk është mbërri edhe kjo. Ne nuk kemi kërkesë. Ne kemi… jemi ofru’, jemi ofru’ në tavolinën e bashkëpunimit për t’i dhanë vendit President të Republikës me kapacitetet dhe me fuqinë politike që e kemi në Kuvend. LDK-ja mundet dhe ka peshën politike me dhanë zgjidhje pavarësisht sa numra i ka, pavarësisht çfarë dioptrie zoti Kurti sheh, çfarë numra e rëndon, sepse me LDK-në bëhen më shumë se 81 vota dhe Presidenti me 80 vota ka kuorum edhe ka mundësi me u zgjedhë. E mira do të ishte me pasë shumicën e madhe në Kuvend, por kjo nuk po ndodh për shkak të kësaj qasjeje. Por LDK-ja, kjo në këtë fotografi, në këtë pamje, e ka ofru’ veten. Ne kemi mundësi me dhanë zgjidhje, ne jemi zgjidhja, ne jemi ofru’ për zgjidhje, por e pamë që oferta për qeverisje është ofertë për pjesëmarrje në bashkëqeverisje që para disa javëve ka qenë e përjashtume prej tavolinës“, thotë ai.

    “Në aspektin politik nënkupton që Kryetari i Kuvendit i është ofru’ edhe PDK-së edhe LDK-së, qeverisja i është ofru’ edhe LDK-së edhe ndoshta të tjerëve. Dhe më shumë është menaxhimi i kohës dhe menaxhimi i procesit sesa qasje për me i dhanë zgjidhje vendit. Dhe kur ke një qasje me menaxhu’ kohën edhe procesin pa u mundu’ që me bë ofertim, sepse është në pozicion me i dhanë vendit zgjidhje… me i dhanë vendit zgjidhje e ka vendosë me i dhanë vendit zgjedhje. Dhe kjo është e kundërta e asaj që ne deri tash jemi mundu’… jemi mundu’ mos me lejue me shkaktue. Pse ka nevojë me shku’ në zgjedhje kur ka mundësi me bë zgjidhje? Dhe jemi ofru’ krejt këto javë dhe këto takime që zoti Kurti ka vendosë me i zhvillu’ me ne, vetëm për me i dhanë vendit zgjidhje. U pa deri dje në mesditë që zgjidhja është problem dhe kur partia e parë e sheh zgjedhjen si opsion, atëherë s’ka opsion tjetër”, ka shtuar Haziri.

    Se sa ishte e sinqerte oferta e LVV-së ndaj LDK-së, Haziri shpreson që të ndryshojë qasja e tyre.

    “Po kjo i përngjan vitit të kaluar. Prej 9 shkurtit deri më 28 dhjetor ka qenë menaxhimi i kohës dhe i krizës duke kërku’ fajtor publik, duke adresuar fajin për moszgjidhjen e problemit, ndërsa ne po harrojmë gjithmonë burimin: Kush është shkaktari i krizës? Sepse ai që shkakton krizë, ai e ka mundësinë me zgjidhë krizën. Të tjerët janë… janë sekondarë në krejt këtë proces. Edhe tani, nëse është kjo qasje që me gjetë edhe me lanë fajtor publik, është diçka krejt tjetër. Por le të besojmë dhe le të shpresojmë që do të ndërrojë qasja, sepse ditët në vijim janë të gjata. Kur ka mundësi me bë zgjidhje të problemit politik, duhet me pasë vullnet. Vështirë është me kërku’ vullnet aty ku nuk ka, por gjithmonë duhet me besu’, me shpresu’ që ka potencial edhe ka vullnet në këtë vend që politikanët me vendosë, me sjellë vendime meritore edhe me i dhanë oksigjen politik jetës së Kosovës“, theksoi ai.

  • Familjarët përqafohen në sallë pas dënimit për vrasësit e Liridonës

    Familjarët përqafohen në sallë pas dënimit për vrasësit e Liridonës

    Drejtësia shkoi në vend – Naim Murseli e Granit Plava u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa Kushtrim Kokalla me 30 vjet.

    Dënimi ka gëzuar familjarët e të ndjerës, të cilët janë parë duke u përqafuar brenda sallës së gjyqit.

  • Spanca: Kemi dërguar 80 raste të dyshimta në Prokurori, janë ngritur tri aktakuza

    Spanca: Kemi dërguar 80 raste të dyshimta në Prokurori, janë ngritur tri aktakuza

    Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dërguar 80 raste të dyshimta në Prokurori gjatë vitit 2025.

    Prej këtyre rasteve, auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca bëri të ditur se janë ngritur tri aktakuza. Gjatë diskutimit në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ajo theksoi se këto raste janë iniciuar nga 133 auditime të publikuar nga institucioni që ajo udhëheq.

    Përveç për këto raste, ajo ka folur edhe për kontratat njëburimore, për çka ka pasur diskutime mes deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

    Auditorja e Përgjithshme e Zyrës Kombëtare të Auditimit, Vlora Spanca ka folur për numrin e raporteve të auditimit gjatë vitit të kaluar.

    “Për vitin 2025 ne kemi publikuar 133 raporte të auditimit, 104 raporte të auditimit janë auditime financare dhe të pajtueshmërisë. Auditime të performancës janë 14, auditime të pajtueshmërisë janë 12, auditime në nivel të informacionit të klasifikuar – niveli i klasifikuar ato që i kemi audituar është vetëm niveli i kufizuar dhe këto raporte nuk bëhen publike por vetëm dërgohen në Kuvendin e Kosovës si dhe te komisioni juaj përkatës. Për gjitha këto raporte të auditimit për vitin 2025 ne kemi dërguar 80 raste te Prokurori i Shtetit bazuar në një marrëveshje që e kemi me Prokurorin e Shtetit që e kemi lidhur në vitin 2023”, ka thënë ajo.

    Nga këto raste që janë dërguar në Prokurori, Spanca tha se janë ngritur vetëm tri aktakuza.

    Spanca tha se për raste të tilla të cilat i kanë dërguar në Prokurori, institucionet në Shqipëri ngrit aktakuza.

    “Sa i përket asaj nëse ne dërgojmë raste të cilat nuk janë të argumentuara mirë. Mund të qëndrojë edhe ajo. Ne e kemi adresuar këtë çështje duke punësuar zyrtarë juridikë më shumë, kemi katër zyrtarë juridikë të cilët merren në mënyrë pak më aktive në këtë aspekt dhe ne shqyrtojmë secilin rast. Por unë vetëm po përmendi nëse e krahasojmë me Shqipërinë, për rastet e njëjta Prokuroria atje, apo SPAK ngrit aktakuzë për shembull për rastet kur jepet leja e ndërtimit pa kushte ndërtimore, apo jo në përputhjet me kushtet ndërtimore. Rastet e tilla ne kemi pasur edhe e kemi publikuar raportin për Komunën e Prishtinës, pastaj ka qenë raporti për Komunën e Lipjanit, tash jemi për lejet e ndërtimit në Komunën e Ferizajt. Por nuk kemi pasur një progres në këtë aspekt”, u përgjigj Spanca.

    Mustafa ka ngritur edhe çështjen, që sipas tij është shqetësuese, ajo e kontratave pa tenderë për operatorë ekonomik.

    “Kemi një dukuri në rritje që është shumë shqetësuese ku kontratat i jepen operatorëve ekonomik pa tenderë, pa transparencë dhe pa arsyetuar se pse duhet t’i jepet pa tenderë një kontratë dikujt, ku mund të ketë shumë operatorë ekonomik në treg që i ofrojnë ato shërbime”, ka shtuar ai.

    Sa i përket kontratave të negociuara pa publik, auditorja e përgjithshme tha se janë pjesë e secilit auditim.

    “Këto kontrata auditohen në secilën organizatë buxhetore për shkak të rrezikut që bartin do të thotë transparencës jo të mjaftueshme janë pjesë e secilit auditim. Dhe çështjet të cilat kanë rezultuar nga këto kontrata, mos të harrojmë që kontrata si e tillë është e ligjshme në rrethanat kur rastet janë emergjente. Në rrethanat të cilat nuk kanë qenë emergjente dhe nuk kanë qenë të bazuara, këto raste janë reflektuar në raporte të auditimit, por që edhe në raportin vjetor të auditimit, emërtimi është procedura e gabuar e prokurimit e cila është shfrytëzuar, nuk është dashur të shkohet me negocim, por është dashur të shkohet me procedurë të hapur”, u shpreh ajo.

    Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca në komision ka folur edhe për vendimin e janarit të vitit 2025 të Ministrisë së Punëve të Brendshme për vendosjen e këtij institucioni në një objekt publik. Megjithatë, ajo tha se nuk ka tutje asnjë informacion, për çka shtoi se sa më shpejt duhet të ketë hapa në këtë drejtim për shkak të “sigurisë, hapësirës së pamjaftueshme dhe cenimit të kredibilitetit të ZKA-së”.

  • Madonna ofron shpërblim për kostumet e vjedhura në Coachella: Këto janë pjesë e historisë sime

    Madonna ofron shpërblim për kostumet e vjedhura në Coachella: Këto janë pjesë e historisë sime

    Madonna është përballur me një incident pas performancës së saj surprizë në Coachella në Indio të Kalifornisë, ku u shfaq në skenë së bashku me Sabrina Carpenter.

    Pas interpretimit të këngëve “Vogue”, “Like A Prayer” dhe një materiali të ri, disa prej kostumeve të saj arkivore u zhdukën, përfshirë xhaketë, korse dhe fustane.

    Në një reagim në Instagram, 67-vjeçarja kërkoi kthimin e tyre dhe ofroi shpërblim, shkruan DailyMail.

    “Zbulova se veshjet vintage që kisha veshur ishin zhdukur. Xhaketë, korse, fustan dhe të gjitha veshjet e tjera. Këto nuk janë vetëm rroba, ato janë pjesë e historisë sime. Sende të tjera arkivore nga e njëjta epokë u zhdukën gjithashtu”.

    “Shpresoj dhe lutem që ndonjë shpirt i mirë t’i gjejë këto sende dhe të kontaktojë ekipin tim në [email protected]. Po ofroj një shpërblim për kthimin e tyre të sigurt. Faleminderit me gjithë zemër”.

    Autoritetet lokale kanë bërë të ditur se sendet dyshohet të jenë humbur gjatë transportit të stafit me karrocë golfi, dhe nuk ka prova për vjedhje të qëllimshme.

    Pavarësisht incidentit, Madonna e ka quajtur performancën në Coachella një moment të veçantë dhe emocional në karrierën e saj.

  • Maloku: Zero besim, zero kompromis: Kriza që po e rrënon demokracinë kosovare

    Maloku: Zero besim, zero kompromis: Kriza që po e rrënon demokracinë kosovare

    Shkruan; Prof..Dr. Fadil Maloku, sociolog

    Ambicia apo synimi që VV ta vërë në bixhoz, apo në “Shtratin e Prokrustit” publik, kapitalin e saj politik me 66 deputetë, për shkak të dështimit për të gjetur një kompromis për zgjedhjen e Presidentit të vendit, tani janë dukshëm më reale dhe më të mundshme për ta çuar vendin në zgjedhje të reja.

    Mund të thuhet po ashtu se ky dështim i radhës në bisedat me dy subjektet opozitare nuk është thjesht një krizë numerike në Kuvend, por edhe një krizë e thellë e kulturës dhe mentalitetit tonë politik, që dëshmon mungesën e përgjegjësisë për të gjetur zgjidhje adekuate për situatat e krijuara artificialisht në demokracinë ende të brishtë kosovare. Ky fakt, sidoqoftë, dëshmon edhe mungesën e sensit, apo mungesën e nuhatjes së procesit të tranzicionit për t’u “shkurorëzuar” përfundimisht nga logjika e konfliktit dhe smirës midis liderëve aktualë. Në këtë drejtim, dështimi na “delegon” edhe një mesazh tejet të qartë: se demokracia procedurale ahtisariane që po ndërton Kosova gati tri dekada është bërë një “këmishë” e ngushtë kundruall nivelit të emancipimit tonë politik.

    Në gjykimin sociologjik, këtu kemi të bëjmë me dy qasje apo dy qëndrime diametralisht të kundërta: njëra ka të bëjë me insistimet e pareshtura për të avokuar e zbatuar “standardet” e demokracisë formale procedurale (ku kryesisht identifikohen partitë opozitare), ndërsa tjetra që po tenton ta imponojë VV përmes “standardeve të një Republike të tretë”, apo një demokracie të re normative. Nga ky këndvështrim shihet qartë se kemi të bëjmë me “beteja” të ashpra për ta ndryshuar rrënjësisht narrativën mbi shtetin dhe demokracinë e Kosovës. Dhe në gjithë këtë “odisejadë”, unë shoh edhe një tendencë tjetër: atë të “betejave” të munguara ideologjike, që për demokracinë tonë tranzitore duket edhe e shëndetshme, në kuptimin e rirreshtimit apo resetimit ideologjik të partive kryesore. Them kështu, për shkak se gjatë gjithë periudhës së pasluftës ne vetëm formalisht kemi pasur parti me orientime ideologjike, pa profilizime të qarta. Tani, kriza ekonomike dhe ajo gjeopolitike kanë shumë gjasa që partitë ekzistuese t’i fusin në obligime transformuese dhe në narrativa të reja konkurruese, nëse dëshirojnë të mbesin në tregun politik kosovar. Në rast se ndodh e kundërta, jam shumë i bindur që rrethanat që po “trokasin” në zhvillimet e reja do të “prodhojnë” subjekte dhe liderë të rinj.

    Një fakt tjetër, që shumë pak analistë e ndërlidhin me këmbënguljen e Kurtit, ka të bëjë edhe me sfidat e reja gjeopolitike me të cilat Kosova, për shkak të marrëveshjeve që i ka bërë, duhet të përballet. Duke mos harruar këtu edhe kompromisin që vetë Kryeministri Kurti e ka bërë me aktin e pranimit të marrëveshjes me Serbinë për një “vetëmenaxhim” të serbëve të veriut, që, dorën në zemër, është një kompromis i dëmshëm për Kosovën. Sepse “vetëmenaxhimi”, de facto, është një “Republika Srpska” në Kosovë.

    Pra, kur mblidhen të gjitha këto fakte, kuptojmë se dështimi për të arritur konsensus për një figurë unifikuese si Presidenti, midis tjerash, na tregon se besimi ndërpartiak është pothuajse zero, se mungon kultura e kompromisit dhe se institucionet e shtetit perceptohen jo si hapësira të përbashkëta politike që kanë si qëllim final interesin publik, por si mjete dominimi e shantazhi për “mirëmbajtjen” e pushtetit. Kurse dialogu ndërpartiak shihet sheshazi si kalkulim elektoral, e jo si vlerë e “etikës së diskursit” që prodhon legjitimitet.

    Dështimi duhet parë edhe si pasojë e mungesës së instalimit të një parimi dhe norme demokratike, ku liderët duhet të sillen konform rregullave dhe “lojës” politike që i kanë pranuar paraprakisht. Parime këto që, kur nuk respektohen nga subjektet politike, i shtyjnë qytetarët ta humbin besimin te vota si instrument ndryshimi dhe ta rrisin indiferencën e tyre politike karshi ngjarjeve të ripërsëritura, siç ndodhi me ngërçin e vitit të kaluar, por edhe me këtë të fundit rreth (mos)zgjedhjes së Presidentit/es.

  • Familjarët e Liridona Ademajt të pranishëm në Gjykatë, pas pak vendimi për krimin makabër

    Familjarët e Liridona Ademajt të pranishëm në Gjykatë, pas pak vendimi për krimin makabër

    Familjarët e Liridona Ademajt janë të pranishëm në Gjykatë ku pas pak pritet të jepet fjala përfundimtare për të akuzuarit në vrasjen e saj.

    Ish-burri i saj, Naim Murseli bashkë me Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën akuzohen se kanë organizuar dhe kryer vrasjen e Liridona Ademajt për motive deri më tani të panjohura.

  • Ymeri: Vëllai i Kurtit është në zyrën ku bëhet faturimi i energjisë elektrike

    Ymeri: Vëllai i Kurtit është në zyrën ku bëhet faturimi i energjisë elektrike

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri ka folur në seancën e jashtëzakonshme lidhur me çmimin e energjisë elektrike.

    Ymeri tha se pikërisht në zyrën ku bëhet faturimi i energjisë elektrike punon vëllai i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

    “E para për energjinë, çka dimë ne është që është rritur kostoja në masa të paparashikueshme më herët. Kjo ka ndodhur edhe pse prodhimi është rritur, por kohëve të fundit është rritur dhe çmimi në qiell. Në këtë skemë, të cilën unë e kam potencuar edhe më herët, kërkesa për vlerë është gjithmonë më e madhe, edhe tashmë veç e kemi tejkaluar një miliard euro. Tash, unë po du me i sqaru anën tjetër të kësaj çfarë po thuhet, që çmimi i importit është rritur nga pandemia, por kohëve të fundit është rritur sasia në masë të paparashikueshme për shkak të rënieve të blloqeve dhe mos planifikimit të prodhimit nga KEK-u. Gjithashtu, është mirë me ju tregu që energjia elektrike këtë vit është shtrenjtuar, por nuk do të thotë që nuk rritet.

    Edhe këtë vit, edhe vitin e kaluar, nuk kemi pasur asnjë lloj shkaku ne që me e pagu aq shtrenjtë energjinë elektrike. Ka qenë keqmenaxhimi i sektorit, i komplet sektorit energjetik, duke filluar nga prodhimi e deri te inkriminimi i ZRRE-së. Zyra e Rregullatorit për Energji, çka është thënë nga zyrtarët, në anën zyrtare, si përfaqësues të kuvendit, nuk më përgjigjen në pyetjen më të thjeshtë për maminë energjetike. Jo që janë të kapur, por ky pushtet e ka kolaboruar komplet sektorin e energjisë elektrike. Për me potencu këtë, për me tregu më shumë për këtë, ku mund të jetë një sektor i pavarur, ku në zyrat ku rritet edhe ku bëhet faturimi i energjisë elektrike, është edhe bilanci, është edhe vetë vëllai i kryeministrit, në të njëjtën zyre. Ky specialist për çështje ekonomike, le të mos merremi me këto fjalë të tjera, ku vetë kryeministri e ka vëllaun”, tha Ymeri.

    Ajo e konsideroi “maxhe” të madhe të parasë publike dhe hajnisë e cila menaxhohet nga familjarët e pushtetit.

    “Kjo maxhe e madhe, e parës së madhe, e hajnisë, është mirë menaxhuar edhe me familjarë të tjerë, të cilët janë më qendrorë, nga vëllezërit, nga familjarët e deputetëve të caktuar të Lëvizjes Vetëvendosje. Po ashtu, KEK-u është e vërtetë që nuk importon energji elektrike, mirëpo e eksporton. Në vitin 2024, janë eksportuar 150 miliardë euro energji elektrike, sa ne na është që kemi importuar, dhe në fund të përfundojmë që kemi importuar energji elektrike shumë dhe na duhet me e pagu.

    Prokuroria, gjithashtu Prokuroria Speciale, ka pasur ekspertë të antikorrupsionit si kryetar bordi dhe anëtar bordi në korporatën energjetike të Kosovës. Pra, duke nisur nga vetë Prokuroria Speciale, është mirë të merret, të ndahet kjo punë, ku të niset një hetim. Përndryshe, një sektor i energjisë elektrike që ka familjarë të pushtetit, që ka pasur në kohë të caktuar, në vitin 2022-2023 anëtarë të Prokurorisë Speciale, pavarësisht se është ekspert i antikorrupsionit, atëherë është mirë të bëhet një hetim i pavarur plotësisht, që është i ç’kapur edhe nga pushteti, që është i ç’kapur edhe nga ndikimi i mundshëm i prokurorisë që unë po them që është, sepse ka qenë anëtar edhe kryetar bordi në Korporatën Energjetike të Kosovës.

    Pra, në rast se kemi të bëjmë me një hetim, duhet të jetë plotësisht i pavarur sepse ZRRE-ja ka qenë pjesë e kësaj, e këtij skenari ku të gjithë kemi vazhduar me i paguar. Gjithashtu ka prova faktike, të pakontestueshme, që janë bërë, ka pasur dallim të pagesave që janë bërë për importin e energjisë elektrike apo shitjen e energjisë elektrike jashtë kontratave me entitete të caktuara të biznesit. Ky favorizim ka ndodhur në vitet 2021-2022, edhe këtë është mirë Prokuroria Speciale me e hetu, duke u ndarë plotësisht nga ky hetim, e që do të zbardhte krejt çka ka ndodhur në sektorin e energjisë elektrike”, tha Ymeri në seancën e Kuvendit.

  • Rrëzohet vinçi në Dragodan, lëndohet një person

    Rrëzohet vinçi në Dragodan, lëndohet një person

    Një vinç është rrëzuar në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.

    Një punëtor është lënduar i cili po merr trajtim në Emergjencen QKUK-së.

    Doktoresha në Emergjencë, Dafina Basholli tha për teve1.info se pacinetit po i bëhen ekzaminimet radiologjike.

    Jemi duke realizuar ekzaminimet radiologjike, për momentin situata e tij është stabile. Pas ekzaminimeve do të shohim”, tha ajo.

    Policia ka dal në vendin e ngjarjes dhe ka vendosur shiritat e sigurisë.

  • Pse s’po heq dorë nga presidenti? Kurti në ‘hall’: Çka të bëj që m’i kanë dhanë 51.1%

    Pse s’po heq dorë nga presidenti? Kurti në ‘hall’: Çka të bëj që m’i kanë dhanë 51.1%

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në një paraqitje para gazetarëve, pas qëndrimeve të PDK-së dhe LDK-së, ndaj ofertave të tij për çështjen e presidentit, është deklaruar i ‘çuditur’ për refuzimet.

    Ai është sfiduar me pyetjen se pse është kaq e rëndësishme pozita e presidentit për Vetëvendosjen, ndaj të cilës nuk po lëshojnë pe, edhe pse kërkuan një marrëveshje për pozitën e kryetarit të shtetit.

    “Ama veç pak, çka të bëj me rezultatin zgjedhor, që m’i kanë dhanë 51.1%. Ata s’i kanë votat as me ia mbledhë nënshkrimet një kandidati.” – tha Kurti.

    Ndërsa kur u pyet se gara e tij më 28 dhjetor ka qenë për kryeministër e jo për president, kështu u përgjigj ai.

    “Veç një moment. Me ia dhanë atij, kur s’ia ka dhanë populli. Demokracia nënkupton vullnetin e popullit. Unë jom super gjeneroz. Duhet t’i pyesni që me këta numra bëjnë refuzime.”