ATV

Author: K.B.

  • Komandanti i FSK-së e pret në vizitë zyrtare Agjutantin e Përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Ajovës

    Komandanti i FSK-së e pret në vizitë zyrtare Agjutantin e Përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Ajovës

    Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari, ka pritur në një vizitë zyrtare Agjutantin e Përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Ajovës, Stephen Osborn.

    Sipas njoftimit, vizita u zhvillua në frymën e partneritetit të qëndrueshëm dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Gardës Kombëtare të Ajovës.

    “Me këtë rast, Jashari i uroi mirëseardhje të ngrohtë Gjeneralit Osborn dhe delegacionit shoqërues, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Garda Kombëtare e Ajovës ka dhënë për zhvillimin dhe avancimin e kapaciteteve të FSK-së”, thuhet në njoftim.

    Gjatë takimit, të dy gjeneralët zhvilluan bisedime për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit dypalësh, me theks të veçantë në planifikimin dhe realizimin e aktiviteteve të përbashkëta, trajnimeve dhe shkëmbimit të përvojave profesionale.

  • Tahiri kërkon ulje të tarifave të rrymës: Pas zgjedhjeve çmimi iu rrit rreth 16%, ky manipulim

    Tahiri kërkon ulje të tarifave të rrymës: Pas zgjedhjeve çmimi iu rrit rreth 16%, ky manipulim

    Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri ka kritikuar qeverinë për rritjen prej rreth 16% të çmimit të energjisë elektrike siç tha ai pak ditë pas zgjedhjeve, duke thënë se kjo po rëndon familjet me të ardhura të ulëta dhe po dëmton bizneset.

    Ai ka theksuar se situata është pasojë e politikave të gabuara, keqmenaxhimit të sektorit të energjisë dhe varësisë nga importi i shtrenjtë.

    “Familjet me të ardhura të ulëta po ballafaqohen me fatura që nuk janë thjesht të tarta, por të papërballueshme. Bizneset e mëdha po largohen drejt vendeve të rajonit.

    “Si është e mundur që pak ditë pas zgjedhjeve çmimi i rrymës është rritur rreth 16%. Këto manipulime shpesh janë dhe qesharake dhe të qarte. Kjo situatë nuk është rastësi, as fatkeqësi natyrore, është pasojë e politikave të gabuara, dhe keqmenaxhimit të sektorit të energjisë dhe mungesësë së investimeve në kapacitetet prodhuese vendore, dhe varësisë nga importi i shtrenjtë”, tha Tahiri.

    Tahiri i ka bërë thirrje Qeverisë dhe ZRRE-së për ulje të tarifave, auditim të pavarur të matësve dhe kompensim për qytetarët për matjet e pasakta të energjisë.

    “Si kryetar i Grupit Parlamentar të PDK-së, i bëj thirrje qeverisë dhe ZRrE-së të ndërmerren masa për uljen reale të tarifave elektrike për konstumatorët shtëpiak, bizneset e vogëla të kryhet auditim i pavarur i matësve të energjisë dhe kompenzim i qytetarëve nga matjet e pasakta”, tha ai në Kuvend.

  • Kosova ngjitet në pozitën më të mirë historike në ranglistën e FIFA-s

    Kosova ngjitet në pozitën më të mirë historike në ranglistën e FIFA-s

    Përfaqësuesja e Kosovës në futboll për femra ka shënuar një ngritje të jashtëzakonshme në ranglistën e FIFA, duke regjistruar rritjen më të madhe të pikëve në nivel global për këtë periudhë.

    Falë fitoreve ndaj Gjibraltarit dhe Kroacisë, si dhe dy triumfeve radhazi ndaj Bullgarisë, Kosova ka grumbulluar plot 58.33 pikë duke e pasur rritjen më të lartë nga të gjitha përfaqësueset që prej publikimit të fundit të renditjes më 11 dhjetor 2025.

    Në ranglistën e re të publikuar të martën nga FIFA, Kosova renditet në pozitën e 81-të, duke u ngjitur për 11 vende krahasuar me renditjen paraprake. Kjo është njëkohësisht pozita më e mirë historike për “Dardanet”.

    Të gjitha këto rezultate pozitive janë arritur në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2027, duke dëshmuar formën në rritje dhe progresin e vazhdueshëm të përfaqësueses.

    Deri më tani, pozita më e mirë e Kosovës kishte qenë ajo e 91-të, e arritur në mars të vitit 2024, ndërsa më e dobëta ishte vendi i 126-të. Mesatarja e renditjes së Kosovës ndër vite ka qenë pozita e 108-të.

  • PDK: Gjatë Qeverisë Kurti çmimi i rrymës u rrit tri herë

    PDK: Gjatë Qeverisë Kurti çmimi i rrymës u rrit tri herë

    Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për çmimin dhe faturimin e rrymës, deputeti i PDK-së, Ferat Shala tha se qytetarët po paguajnë një taksë që nuk ju takon dhe se gjendja në këtë sektor është shumë e rënduar.

    Sipas tij, çka është arritur nga qeveria Kurti është se Kosova është e varur nga importi.

    “Kemi ardhur në përfundim që qytetarët po e paguajnë një taksë jo meritore dhe se sektori energjetik është në situatë të jashtëzakonshme, të rënduar. Qeveria tash e gjashtë vite e ka menaxhuar këtë sektor me të njëjtën logjik ku shifrat e kanë treguar që është e dështuar”, tha Shala në Kuvend.

    “S’ka energji të mjaftueshme për rritjen e ekonomisë tonë, s’ka energji prodhuese për të tërhequr investitorët e jashtëm, krejt çka kemi arritur nga qeveria Kurti është se Kosova është e varur nga importi”, shtoi ai.

    Shala tha se përgjatë këtyre gjashtë viteve të qeverisë Kurti, çmimi i energjisë është rritur tri herë.

    “Tash e gjashtë vite kemi tri herë ngritje të çmimit energjisë, dhjetëra afera korruptive, lëndë dhe aktakuza të ngritura pikërisht nga akterët e kësaj mazhorance. Kemi pasiguri energjike në furnizim. Projekte të dështuara edhe në sektorin e energjisë alternative”, tha ai.

    Ai kërkoi që Qeveria të ndërpresë ndëryhrjet në “aferat e njehsorëve”.

  • Nis seanca për çmimin dhe faturimin e rrymës

    Nis seanca për çmimin dhe faturimin e rrymës

    Kryekuvendarja Albulena Haxhiu ka hapur punimet e seancës së jashtëzakonshme të thirrur për çmimin e rrymës.

    “Çmimi dhe faturimi i energjisë elektrike për konsumatorët”, është pika e vetme e seancës.

    42 deputetë kanë parashtruar kërkesë për mbajtjen e saj.

  • Haradinaj: Kurti po tallet me gjithë Kosovën, veçse e ka përgatitur një pako me e shkepë para zgjedhjeve

    Haradinaj: Kurti po tallet me gjithë Kosovën, veçse e ka përgatitur një pako me e shkepë para zgjedhjeve

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, duke folur para seancës së Kuvendit për çështjen e presidentit, tha se kryeministri Albin Kurti ka vendosur të shkojë në zgjedhje kur e ka bërë Qeverinë pa krijuar një koalicion edhe për zgjedhjen e Presidentit.

    Ai tha se ofertat e bëra nga ai kanë qenë në shërbim të shfrytëzimit të kohës së mbetur.

    “Nuk besoj që është ofertë së pari dhe nuk është qëllimi të oferta sa është vetëm te shfrytëzimi i kësaj kohe që ka mbetur për ta harxhuar pa kryer punën që i takon me krye. Pra, Kurti ka vendosur të shkojë në zgjedhje në kohën kur e ka bërë Qeverinë pa krijuar një koalicion edhe për presidentin ose në kohën kur e ka votuar buxhetin pa bërë marrëveshje me subjektet opozitare për ndonjë projekt, për ndonjë temë të caktuar dhe këto janë një lloj kamuflazhe e tij. Për fat të keq ai po tallet me të gjithë ne, me gjithë Kosovën, po shkon drejt zgjedhjeve, veç e ka përgatit një pako financiare që synon me e shkepë para zgjedhjeve disa ditë me një pension plus dhe disa shtesa të tjera. Ai e ka gjetur formulën mos me punu katër vjet, mos me zhvillu vendin, mos me i rrit pagat ”, ka thënë ai, siç raportoi EO.

    Kuvendi i Kosovës po mban një seancë të jashtëzakonshme për çmimin dhe faturimin e energjisë elektrike për konsumatorët.

  • IKD: Ndryshimi i përbërjes së Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës është i kundërligjshëm

    IKD: Ndryshimi i përbërjes së Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës është i kundërligjshëm

    Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) reagon ndaj vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndryshimin e përbërjes së Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës. Ky vendim është arsyetuar me nevojën për adresimin e një numri të madh të ankesave të evidentuara gjatë mandatit të komisionit paraprak, të cilat, sipas deklarimeve publike, kanë ndikuar në besueshmërinë e procesit të provimit.

    Megjithatë, IKD vlerëson se ky vendim është haptazi në kundërshtim me ligjin. Anëtarët aktualë të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës kanë mandat aktiv deri në dhjetor të këtij viti, mandat ky i përcaktuar me vendimet përkatëse, të cilat janë shfuqizuar nga Qeveria pa asnjë bazë ligjore. Ligji Nr. 08/L-033 për Provimin e Jurisprudencës, në asnjë dispozitë të tij, nuk i jep autorizim Qeverisë që të ndryshojë përbërjen e këtij Komisioni gjatë kohëzgjatjes së mandatit të anëtarëve të tij. Për rrjedhojë, ndërprerja e mandatit në këtë mënyrë, mbi bazën e arsyetimeve të përgjithshme dhe abstrakte, paraqet veprim arbitrar, duke cenuar parimin e ligjshmërisë dhe sigurisë juridike.

    Mënyra se si tentohet të ndryshohet përbërja e këtij Komisioni krijon dyshime serioze për ndërhyrje në punën e tij. Këto dyshime shtohen edhe më tej kur kihet parasysh se Ministria e Drejtësisë, në kundërshtim me ligjin, nuk ka shpallur afatet për dhënien e Provimit të Jurisprudencës që nga afati i prillit 2025. Në këto rrethana, ndryshimi i përbërjes së Komisionit nuk mund të shihet i ndarë nga mënyra se si është administruar ky proces nga Ministria e Drejtësisë.

    Për këto arsye, IKD vlerëson se ky është një vendim i kundërligjshëm dhe i bën thirrje Kuvendit të Republikës së Kosovës që të mos e votojë të njëjtin. Kuvendi nuk duhet të legjitimojë një vendim që është marrë pa bazë ligjore dhe që cenon besueshmërinë, sigurinë juridike dhe pavarësinë e funksionimit të këtij Komisioni.

    Në anën tjetër, dilema serioze ngrihen edhe në raport me përbërjen e re të propozuar të Komisionit. Kryetar i këtij Komisioni është propozuar z. Arian Gashi, i cili aktualisht ushtron funksionin e Kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Sipas nenit 18.5 të Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, “Kryesuesi, zëvendëskryesuesi dhe anëtarët prokurorë të Këshillit nuk kanë të drejtë të ushtrojnë ndonjë detyrë tjetër publike apo profesionale për të cilën shpërblehen me pagesë, përveç mësimdhënies në institucionet e arsimit të lartë, Akademisë së Drejtësisë apo rasteve të parapara me ligj”.

    Po ashtu, mbajtja e dy pozitave drejtuese ngre dilema edhe në raport me Ligjin Nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik. Neni 13.2 i këtij ligji përcakton se zyrtari i lartë nuk mund të jetë anëtar i më shumë se një organi drejtues të ndërmarrjes në pronësi publike, shoqërisë aksionare me pronë publike si dhe organeve të institucioneve të tjera publike, përveç nëse parashihet ndryshe shprehimisht me ligj. Sipas të njëjtit nen, zyrtari i lartë, në cilësinë e anëtarit të organeve të përmendura, nuk ka të drejtë shpërblimi me pagesë, përveç të drejtës në kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve të tjera të lidhura me të. Përballë këtyre dilemave për ekzistimin e konfliktit të interesit, IKD vlerëson se i mbetet Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit që ta shqyrtojë ekzistimin eventual të konfliktit të interesit në rastin konkret.

  • Vonesa në fillim të seancës së jashtëzakonshme, Haxhiu kritikon deputetët

    Vonesa në fillim të seancës së jashtëzakonshme, Haxhiu kritikon deputetët

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje që grupet parlamentare të sigurojnë pjesëmarrjen e deputetëve në sallë për fillimin e seancës së jashtëzakonshme.

    Haxhiu u shpreh se, me rastin e pranimit të kërkesës për këtë seancë ka anuluar të gjitha aktivitetet e saj për të respektuar procesin parlamentar dhe rëndësinë e mbajtjes së seancës.

    “Është e rëndësishme që deputetët të jenë këtu dhe të vazhdojmë me seancën,” tha ajo.

    Ajo shtoi se seanca nuk mund të nisë pa praninë e thirrësit të saj, përveç nëse përfaqësues të opozitës, përfshirë Vlora Çitaku ose Ganimete Musliu, apo ndonjë deputet tjetër i opozitës, marrin përsipër të flasin për çështjen në fjalë.

    Haxhiu theksoi rëndësinë e funksionimit të Kuvendit dhe vijimit të punës institucionale pa vonesa.

  • Kosova drejt zgjedhjeve, a e kalon AAK-ja pragun? Ja çka thotë Haradinaj

    Kosova drejt zgjedhjeve, a e kalon AAK-ja pragun? Ja çka thotë Haradinaj

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se në zgjedhjet e reja kjo parti garon e vetme, derisa shtoi se kandidat për kryeministër do të jetë Ardian Gjini, aktualisht kryetar i Gjakovës.

    Ai tha se Gjini ka çka i ofron vendit, ndërsa theksoi ofertën serioze të këtij subjekti politik.

    “Mandatar i AAK-së është kryetari i Gjakovës, por edhe kandidat për kryetar të partisë. Do të jem pjesë e listës. Ardiani ka çka i ofron Kosovës, është një ofertë serioze e Aleancës”, deklaroi Haradinaj para fillimit të seancës së sotme të Kuvendit.

    “Shkojmë vetëm në zgjedhje”.

    Kreu i Aleancës pati edhe një përgjigje për zërat që thonë se kjo parti nuk do të arrijë ta kalojë pragun nëse Kosova shkon drejt zgjedhjeve të reja.

    “Të gjitha partitë politike janë të gatshme për zgjedhje, edhe ne jemi. Kemi ofertë serioze, një mandatar që ka dëshmuar që është i aftë në qeverisje. Është shkollë e politikës në Kosovë. Falënderoj të gjithë ata që na e mbajnë dertin neve, ne ia mbajmë dertin Kosovës, nuk do të ketë shqetësim për pragun, e kalojmë me siguri”, theksoi ai.

  • Kosova, shteti i parë në Ballkan që i pranohen kërkesat në Kartën Globale për Fëmijët

    Kosova, shteti i parë në Ballkan që i pranohen kërkesat në Kartën Globale për Fëmijët

    Republika e Kosovës është bërë shteti i parë nga Ballkani dhe i shtati në botë që i janë pranuar angazhimet apo kërkesat në Kartën Globale për Reformën e Kujdesit për Fëmijët.

    Kështu ka njoftuar Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.

    Ministria, përmes një komunikate për media ka njoftuar se kërkesat e saja mbi pesë angazhime kombëtare (2026–2028) të ndërtuara mbi legjislacionin ekzistues për Mbrojtjen e Familjes dhe Fëmijëve, drejtuar Qeverisë së Mbretërisë se Bashkuar, janë pranuar në tërësi.

    Fushat prioritare do të fuqizohen:

    -Parandalimi i ndarjes fëmijë-familje;

    -Shërbime të integruara familjare dhe komunitare;

    -Zgjerimi i kujdesit familjar alternativ;

    -Dixhitalizimi i sistemit të të dhënave;

    -Forcimi i kapaciteteve profesionale.

    “Duke u mbështetur në praktikat më të mira globale për parandalimin e ndarjes familjare, po ndërtojmë një Kosovë ku çdo fëmijë rritet në një mjedis familjar të sigurt dhe të përkrahur. Në këtë drejtim, pranimi i angazhimeve dhe kërkesave nga Republika e Kosovës, që vjen edhe si rezultat i bashkëpunimit dhe përkrahjes nga UNICEF në Kosovë, shënon një momentum të rëndësishëm në forcimin e politikave dhe mekanizmave në mbrojtje të fëmijëve dhe familjeve”, thuhet në njoftim.