ATV

Author: K.B.

  • Kusari: Mediat nuk e kanë shkelur privatësinë e deputetit Bardiqi me publikimin e mesazheve

    Kusari: Mediat nuk e kanë shkelur privatësinë e deputetit Bardiqi me publikimin e mesazheve

    Juristja e mediave Flutura Kusari ka vlerësuar se publikimi i një SMS-it të deputetit të VV-së Naim Bardiqi nga mediat, nga mediat, nuk përbën shkelje të privatësisë dhe është në përputhje me standardet evropiane për lirinë e shprehjes.

    Në një analizë të detajuar ligjore, Kusari thekson se rasti duhet parë në prizmin e praktikës së Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke iu referuar konkretisht rastit Von Hannover kundër Gjermanisë (Nr.1).

    Sipas saj, publikimi i mesazhit është i justifikuar nga interesi i lartë publik, pasi përmbajtja lidhet me mënyrën e funksionimit të Lëvizja Vetëvendosje, partia më e madhe në vend, në një kontekst të ndjeshëm politik. Ajo thekson se nuk bëhet fjalë për komunikim privat personal, por për një mesazh që lidhet drejtpërdrejt me funksionin publik të deputetit.

    Kusari nënvizon gjithashtu se si figurë publike, Bardiqi i nënshtrohet një niveli më të lartë të vëzhgimit nga media dhe opinioni publik. “Deputetët duhet të jenë të vetëdijshëm se veprimet dhe komunikimet e tyre në ambiente publike mund të bëhen objekt raportimi,” shprehet ajo.

    Në analizën e saj, ajo trajton edhe çështjen e pritjes për privatësi, duke theksuar se në hapësirat ku janë të pranishëm gazetarë dhe kamera, kjo pritje është e kufizuar. Megjithatë, ajo bën dallim të qartë mes komunikimeve me interes publik dhe atyre plotësisht private, të cilat sipas saj nuk duhet të publikohen.

    Sa i përket mënyrës së raportimit, Kusari vlerëson se publikimi është bërë në mënyrë faktike dhe jo sensacionale, pa përdorim të metodave të paligjshme si kamera të fshehta. Ajo shton se autenticiteti i mesazhit nuk është vënë në dyshim.

    Në përfundim, juristja e mediave shpreh bindjen se çdo ankesë eventuale në institucionet përkatëse apo në gjykata do të ishte e pasuksesshme, pasi publikimi përmbush kriteret ligjore për raportim në interes të publikut.

  • Nagavci: S’jemi njoftuar për nënshkrimet e LDK-së as unë e as Kurti

    Nagavci: S’jemi njoftuar për nënshkrimet e LDK-së as unë e as Kurti

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se për nënshkrimet e mbledhura nga Lidhja Demorkatike e Kosovës, të cilat i paraqiti mbrëmë kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, nuk është njoftuar as kryeministri Albin Kurti, e as ajo si shefe e deputetëve të VV-së.

    Në deklarimin e saj para mediave pak minuta para fillimit të seancës, Nagavci ka bërë thirrje të ndalen akuzat mes deputetëve dhe të gjendet zgjidhje për zgjedhjen e presidentit.

    “Besoj që Kryetarja e Kuvendit kur të fillojë vazhdimin e seancës do të bëjë edhe një thirrje për opozitën, jemi dëshmitarë që edhe deputetët e opozitës janë shumica prej tyre këtu në Kuvend dhe i ftojmë që të vijnë në sallë dhe të bëhen pjesë e këtij procesi të rëndësishëm për të vazhduar tutje punën duke shmangur edhe një palë zgjedhje të reja. E kemi parë dje edhe kryetarin e LDK-së që prezantoi një listë me nënshkrime ndonëse pa një emër specifik, por e vërteta është që ato nënshkrime nuk i janë njoftuar as kryeministrit Kurti as mua si shefe e GP-së në mënyrë që të bashkëngjisim nënshkrimet e deputetëve tanë… Konsideroj që përtej fajësimit ose hedhjes së akuzave, e rëndësishme është të gjejmë zgjidhjen dhe ta zgjedhim presidentin”, ka thënë ajo.

    Nagavci ka vlerësuar se kandidatura e Feride Rushitit do t’i bënte nder të gjithë vendit.

  • Si u kap ‘El Jardinero’ në Meksikë, rreth 500 ushtarë dhe 6 helikopterë morën pjesë në operacion

    Si u kap ‘El Jardinero’ në Meksikë, rreth 500 ushtarë dhe 6 helikopterë morën pjesë në operacion

    Forcat speciale në Meksikë arrestuan, një nga figurat kryesore të Karteli i Gjeneratës së Re të Jalisco-s, Audias Flores, i njohur edhe si “El Jardinero”.

    Ai shihej gjithashtu si një pasardhës i mundshëm i liderit të kartelit, Nemesio Oseguera.

    Sipas autoriteteve, operacioni u drejtua nga Marina Meksikane, e cila rrethoi një vendstrehim në zonën El Mirador, rreth 20 kilometra në veri të Puerto Vallarta.

    Në momentin e ndërhyrjes, Flores mbrohej nga rreth 30 automjete dhe mbi 60 persona të armatosur.

    Operacioni konsiderohet një goditje e rëndësishme ndaj strukturës së kartelit, i cili mbetet një nga organizatat më të fuqishme dhe më të rrezikshme kriminale në rajon.

    Ky aksion erdhi si rezultat i 19 muajve mbikëqyrje, dhe u krye me pjesëmarrjen e mbi 500 ushtarëve, inteligjencës amerikane si edhe 6 helikopterë të përfshirë.

    Autoritetet vijojnë hetimet për të identifikuar bashkëpunëtorët dhe rrjetin e tij të operimit.

    Arrestohet në Meksikë një nga drejtuesit kryesorë të kartelit CJNG

  • Jashari: S’kemi mbyllur kompani ndërtimore, vetëm kemi ndaluar punimet për mungesë sigurie

    Jashari: S’kemi mbyllur kompani ndërtimore, vetëm kemi ndaluar punimet për mungesë sigurie

    Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit Ekzekutiv të Inspektoratit Qendror të Punës, Kastriot Jashari, ka deklaruar se gjatë inspektimeve në sektorin e ndërtimit nuk janë mbyllur kompani, por janë ndaluar përkohësisht punimet në rastet kur nuk janë respektuar kushtet e sigurisë në punë, raporton Ekonomia Online.

    Ai theksoi se veprimet e inspektoratit kanë për qëllim rritjen e sigurisë për punëtorët dhe jo ndëshkimin e bizneseve.

    “Në fakt, ne s’kemi mbyllur asnjë kompani ndërtuese. Ne kemi ndaluar punimet në mungesë të respektimit të kushteve të sigurisë në punë. Domethënë, është nga rreth 320 inspektime dhe ri-inspektime, numri total i kantierëve ndërtimorë ku janë vendosur shenja e plumbuzës ose shiritit është rreth 106. Janë rreth 27 ose 30 që janë ri-hapur, sepse i kanë plotësuar kushtet e sigurisë në punë. Domethënë kjo është krejt çështja që ne po e bëjmë. Domethënë ne në fakt nuk mbyllim kompani, por ne korrigjojmë, bashkëpunojmë me qëllim që qytetari, jeta e tij të jetë në qendër të vëmendjes sepse ky është mandati jonë. Unë besoj që edhe sepse nuk është korrekt mbase që të themi vetëm kompani ndërtimore, po flasim edhe për subjekte të tjera, po kësaj radhe kryesisht është në profilin me rrezikshmëri të lartë sepse statistikat zyrtare e nxjerrin këtë situatë. Dhe mbi bazën e kësaj ne veprojmë.

    Përndryshe, ne kemi pasë bashkëpunim të vazhdueshëm, komunikim korrekt, kemi pasë edhe takim me shoqatat e ndërtimtarëve para disa ditëve në Ministri bashkë me Ministrin dhe po e kryejmë punën tonë”, tha ai.

    I pyetur për mangësitë e konstatuara gjatë inspektimeve në kompanitë ndërtimore, Jashari tha se detajet teknike janë kompetencë e inspektorëve në terren.

    “Ato janë detaje të cilat i takojnë inspektorëve, por ne si kornizë ligjore domethënë e kemi nxjerrë një plan veprimi që janë produkt i legjislacionit në fuqi, ku inspektorët nxjerrin në procesverbalin e tyre vendimet, detajet teknike të plotësimit ose mos-plotësimit të kushteve. Pra ato i takojnë inspektorëve dhe jo mua si kryeinspektor. Unë nuk e përjashtoj që ka pasur raste të tilla sepse këto janë edhe publike, por po them prapë këto janë detaje që mund t’i shihni, që janë me kërkesën tuaj, janë të qasshme. Secili dokumentacion, secili vendim për ndalim punimesh që është në Inspektoratin Qendror të Punës, por disa janë në proces deri në epilogun final të çështjes“, theksoi ai.

    Sa i përket kapaciteteve të inspektoratit në terren, Jashari tha se aktualisht janë të mjaftueshme për aksionin në zhvillim, por pranoi se nevojiten më shumë inspektorë për të mbuluar të gjithë mandatin ligjor.

    “Kemi absolutisht mjaftueshëm për këtë aksion dhe ne kemi thënë që jemi në 90% të kapaciteteve tona që po e zbatojmë këtë aksion. Inspektorati Qendror i Punës marrë në tërësi mandatin e tij ligjor që mbulon ligje specifike dhe disa dispozita ligjore të ligjeve për mbikëqyrjen dhe implementimin e tyre, nuk ka mjaftueshëm.

    Por jemi në proces, të besoj në një kohë sa më të shkurtër, në një të ardhme të afërt, të shpallet konkursi edhe për një numër rreth 40 ose 50 inspektorë për ta plotësuar në tërësi mandatin ligjor. Nuk do të thotë që s’po e zbatojmë tani, por natyrisht kërkon pak kohë sepse kur koncentrohesh në një profil tjetër, do më shumë kohë që të trajtohen çështjet e tjera. Por po, tani për tani në terren kemi mjaftueshëm, absolutisht inspektorë“, shtoi Jashari.

    Nagavci: S’jemi njoftuar për nënshkrimet e LDK-së as unë e as Kurti
    Read more

  • Fillon gjyqi ndaj 21-vjeçarit, akuzohet se planifikoi sulm në koncertin e Taylor Swift

    Fillon gjyqi ndaj 21-vjeçarit, akuzohet se planifikoi sulm në koncertin e Taylor Swift

    Gjyqi i një 21-vjeçari të akuzuar për planifikimin e një sulmi në një koncert të Taylor Swift në Vjenë në vitin 2024 filloi të martën.

    Avokati i të akuzuarit tha paraprakisht se ai do të pranonte fajësinë për akuzat kryesore.

    I pandehuri, një austriak i identifikuar si Beran A, u arrestua më 7 gusht 2024, një ditë para koncertit të parë nga tre të planifikuar nga ylli amerikan i popit në Vjenë.

    Të tre datat e koncertit u anuluan më pas, raporton Reuters.

  • Kjo shenjë horoskopi hyn në periudhë të artë, kthesë e fortë financiare duke nisur nga 1 Maji

    Kjo shenjë horoskopi hyn në periudhë të artë, kthesë e fortë financiare duke nisur nga 1 Maji

    Një periudhë e re financiare pritet të nisë për një nga shenjat e horoskopit, duke sjellë ndryshime të ndjeshme në të ardhurat dhe stabilitetin ekonomik. Nëse kohët e fundit keni qenë të detyruar të kurseni çdo qindarkë apo të shtyni pagesa, yjet tregojnë se situata mund të përmirësohet ndjeshëm.

    Sipas parashikimeve astrologjike, duke filluar nga 1 Maji, një shenjë e zodiakut do të përjetojë një rritje të fortë të të ardhurave, falë ndikimeve pozitive planetare.

    Shigjetari në fokus

    Bëhet fjalë për shenjën e Shigjetarit, e cila pritet të jetë në qendër të vëmendjes astrologjike. Ndikimi i Jupiterit – planeti i fatit dhe zgjerimit – thuhet se hap mundësi që kanë qenë të bllokuara prej kohësh.

    Kjo mund të përkthehet në:

    -Oferta të papritura pune apo bashkëpunimi

    -Kthim borxhesh të vjetra

    -Fitime nga investime që më në fund japin rezultat

    Personat që punojnë në mënyrë të pavarur mund të shohin rritje të klientëve, ndërsa ata në marrëdhënie pune mund të përfitojnë rritje page, bonus apo ngritje në detyrë.

    Pse kjo periudhë është e rëndësishme

    Muajt e fundit për Shigjetarin janë karakterizuar nga kufizime financiare dhe nevoja për kontroll të shpenzimeve. Tani, me ndryshimin e ndikimeve planetare, pritet një lehtësim dhe një rritje më e dukshme e të ardhurave.

    Sipas parashikimeve, kjo mund të jetë një nga periudhat më të forta financiare për këtë shenjë në javët në vijim.

    Nga mund të vijnë të ardhurat

    Rritja financiare nuk vjen rastësisht, por nga disa burime të mundshme:

    -Projekte të reja apo pagesa të prapambetura

    -Shlyerje borxhesh nga persona të tjerë

    -Të ardhura nga prona apo financa të përbashkëta

    -Burime shtesë jashtë punës kryesore

    Kur këto burime kombinohen, efekti në buxhet mund të jetë i ndjeshëm.

    Kujdes nga këto gabime

    Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë për disa rreziqe:

    -Shpenzime impulsive për shkak të vetëbesimit të tepruar

    -Investime të pamenduara mirë

    -Dhënie borxhesh personave jo të besueshëm

    -Neglizhimi i detyrimeve financiare si taksat

    Si të menaxhoni më mirë paratë

    Një strategji e thjeshtë është ndarja e të ardhurave në tre pjesë:

    -Kursime dhe rezerva

    -Shlyerje detyrimesh ekzistuese

    -Investim në veten tuaj (arsim, shëndet, aftësi profesionale)

    Planifikimi paraprak ndihmon për të shmangur shpenzimet e panevojshme.

    Po shenjat e tjera?

    Edhe pse Shigjetari është më i favorizuar, ndikime pozitive mund të ndihen edhe tek shenja të tjera:

    -Dashi dhe Luani përmes bashkëpunimeve

    -Binjakët dhe Peshorja me rritje graduale të të ardhurave

    -Peshqit, Gaforrja dhe Virgjëresha duke mbyllur çështje financiare të vjetra

    -Bricjapi, Demi, Akrepi dhe Ujori duke reflektuar mbi menaxhimin e financave

  • Mefi u përgjigjet akuzave për cenim të rendit kushtetues: Kush del në rrugë për opozitën? Populli na i ka dhënë 51.1%

    Mefi u përgjigjet akuzave për cenim të rendit kushtetues: Kush del në rrugë për opozitën? Populli na i ka dhënë 51.1%

    Deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci komentoi zërat që paralajmëruan protesta, pasi partia në pushtet mbrëmë e nisi e vetme procesin për zgjedhjen e Presidentit, që u konsiderua si cenim i rëndit kushtetues të vendit.

    Bajqinovci tha se populli “ua dha përgjigjen” partive opozitare.

    “Po kush del në rrugë pas oligarkëve politikë? Populli ua dha përgjigjen me 51.11% me Albin Kurti. E tash, kur s’kanë votë, kërkojnë zhurmë”, shkroi ai në një postim në Facebook.

    “Ani kur i sheh kush po bën thirrje, të njëjtit që e shfrytëzuan shtetin, e sot kërkojnë “revolta” për me u kthyer prapë. Por koha e tyre ka kalu, populli nuk del për ta, populli i ka çu në opozitë”, shtoi Bajqinovci.

  • Tre persona ndalohen në Ferizaj për korrupsion dhe falsifikim

    Tre persona ndalohen në Ferizaj për korrupsion dhe falsifikim

    Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka nisur hetime ndaj tre personave, të dyshuar për disa vepra penale, përfshirë keqpërdorimin e pozitës zyrtare, falsifikimin e dokumenteve dhe legalizimin e përmbajtjes së rreme.

    Në njoftim, thuhet se me vendim të Prokurorit të Shtetit nga Departamenti i Krimeve të Rënda, është marrë aktvendim për fillimin e hetimeve, ndërsa me urdhër të Gjykata Themelore në Ferizaj është realizuar kontroll në shtëpitë dhe lokalet përcjellëse të të dyshuarve. Pas kësaj, tre personat janë ndaluar për 48 orë.

    Sipas organit të akuzës, të dyshuarit po hetohen për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje në ndihmë”, “Falsifikimi i dokumenteve” në bashkëkryerje dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Në lidhje me mbrojtjen ligjore, dy nga të pandehurit nuk kanë angazhuar avokatë, andaj me urdhër verbal të prokurorit është kërkuar nga njësitet përkatëse që të njoftohet Oda e Avokatëve të Kosovës për caktimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare.

    Megjithatë, sipas Prokurorisë, zyra koordinuese e Odës në Prishtinë fillimisht ka kërkuar të dhëna shtesë, përfshirë emrat e të pandehurve dhe veprat penale, para se të dërgojë mbrojtësit. Lidhur me këtë, Prokurori i Shtetit ka paralajmëruar për pasojat e mundshme në rast të moszbatimit të kërkesave, duke theksuar se vonesa të tilla mund të pengojnë zhvillimin e procedurës hetimore.

  • Lladrovci: Hapni krah o trima o dilni zot situatës!

    Lladrovci: Hapni krah o trima o dilni zot situatës!

    Lidhur me zhvillimet politike në vend, ka reaguar kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci.

    Lladrovci ka theksuar se “komfori si fazë finale e arritjeve të çaushëve të rinj në kohën kur rrezikohet shteti, është mjerim”.

    “Partitë politike me taban atdhetar domosdo i vërejnë dredhitë politike, prandaj punojnë që ta zvogëlojnë ndikimin e keqbërësve politikë dhe degradimin institucional”, shkruan mes tjerash ai.

    Reagimi i tij i plotë:

    Partitë politike me taban atdhetar domosdo i vërejnë dredhitë politike, prandaj punojnë që ta zvogëlojnë ndikimin e keqbërësve politikë dhe degradimin institucional.

    Partitë e kanë obligim të veprojnë në mbrojtje të kushtetutshmërisë dhe kundër dredhive që e dëmtojnë shtetin, ndryshe, nuk e arsyetojnë ekzistencën. Komfori si fazë finale e arritjeve të çaushëve të rinj në kohën kur rrezikohet shteti, është mjerim.

    Hapni krah o trima o dilni zot situatës!

  • Zgjedhjet e ardhshme, KQZ paralajmëron rinumërim të 10% të vendvotimeve pasi t’i pranojë materialet

    Zgjedhjet e ardhshme, KQZ paralajmëron rinumërim të 10% të vendvotimeve pasi t’i pranojë materialet

    Në zgjedhjet e ardhshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, mund të vendosë për rinumërim të votave deri në 10% të vendvotimeve të përzgjedhura në mënyrë të rastësishme.

    Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Express, zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi.

    Ky i fundit ka theksuar se, KQZ ka ndërmarr masa të tilla si mënyrë për të adresuar problemet e evidentuara në Qendrat Komunale të Numërimit gjatë numërimit të votave të kandidatëve për deputetë.

    “Për të adresuar problemet e evidentuara në Qendrat Komunale të Numërimit gjatë numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndërmarrë masa konkrete përmes përmirësimit të kornizës rregullative. Në akte nënligjore është paraparë një mekanizëm shtesë kontrolli i procesit të numërimit të fletëvotimeve. Konkretisht, është paraparë që pas pranimit të materialeve zgjedhore nga vendvotimet e rregullta në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, KQZ vlerëson situatën dhe sipas nevojës mund të vendosë rinumërimin e votave deri në 10% të vendvotimeve të përzgjedhura në mënyrë të rastësishme”, tha Elezi për Express.