ATV

Author: K.B.

  • Zvicër: Kërkohet ndalim më i rreptë i cigareve elektronike në platformat e trenave

    Zvicër: Kërkohet ndalim më i rreptë i cigareve elektronike në platformat e trenave

    Shoqata për parandalimin e duhanit propozon gjoba deri në 500 franga dhe rregulla më të qarta në stacionet hekurudhore

    Në stacionet hekurudhore të Zvicrës, pirja e duhanit dhe përdorimi i cigareve elektronike lejohet vetëm në zona të caktuara pranë hiriçeve, brenda një rrezeje prej dy metrash. Megjithatë, përdorimi i vape-it jashtë këtyre hapësirave po shkakton gjithnjë e më shumë ankesa nga pasagjerët, përcjell albinfo.ch.

    Shoqata Zvicerane për Parandalimin e Duhanit ka kërkuar që kompania hekurudhore SBB të ashpërsojë masat ndaj shkeljeve, duke përfshirë edhe ndalimin e përdorimit të cigareve elektronike në pjesë të tjera të platformave dhe madje edhe brenda trenave.

    Drejtori i shoqatës, Luciano Ruggia, ka propozuar që për shkeljet e ndalimit të vendoset një gjobë prej 500 frangash, duke e cilësuar këtë masë si të arsyeshme dhe të nevojshme për zbatimin e rregullave.

    Po ashtu, ai ka kërkuar që sinjalistika në stacione të jetë më e qartë, duke përfshirë shenja që tregojnë si cigaret tradicionale ashtu edhe ato elektronike, si dhe shënime në dysheme për të identifikuar zonat e lejuara për pirje duhani.

    Sipas tij, mungesa e qartësisë aktuale po çon në mosrespektim të rregullave dhe përdorim të pakontrolluar të produkteve të duhanit në hapësira publike.

  • Hoti: Rendi kushtetues është mbi çdo politikë, mbi çdo parti dhe mbi çdo individ

    Hoti: Rendi kushtetues është mbi çdo politikë, mbi çdo parti dhe mbi çdo individ

    Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe ish-kryeministri, Avdullah Hoti, ka reaguar publikisht përmes një statusi në Facebook, ka reaguar për situatën e fundit të krijuar në Kuvendin e Kosovës, pas seancës së mbrëmshme, ku të pranishëm ishin 64 deputetë e ë tentuan ta zgjedhin presidentin.

    Në deklaratën e tij, Hoti ka nënvizuar se rendi kushtetues duhet të qëndrojë mbi çdo interes politik, partiak apo individual, duke e cilësuar atë si themel të funksionimit demokratik të shtetit.

    Ai ka paralajmëruar se cenimi i këtij rendi nuk duhet të lejohet në asnjë rrethanë.

    “Rendi kushtetues është mbi çdo politikë, mbi çdo parti, mbi çdo individ. Cenimi i këtij rendi nuk lejohet në asnjë rrethanë”, ka shkruar Hoti.

  • Vazhdon beteja e Spiropalit me Edi Ramën: Më përjashto!

    Vazhdon beteja e Spiropalit me Edi Ramën: Më përjashto!

    Elisa Spiropali ka reaguar sërish publikisht përmes një postimi në rrjetet sociale, duke vijuar përplasjen verbale me Edi Rama dhe Partia Socialiste e Shqipërisë.

    Në reagimin e saj, Spiropali thekson se debatet e brendshme nuk duhet të kthehen në “spektakël ndëshkimor publik”, duke paralajmëruar se një qasje e tillë tregon frikë nga mendimi ndryshe.

    Ajo shprehet e vendosur se nuk do të tërhiqet nga kritikat e saj ndaj mënyrës së funksionimit të partisë, qeverisë dhe shtetit.

    Sipas Spiropalit, problemi nuk qëndron te zëri kritik, por te një sistem që nuk e toleron atë. Ajo thekson se nuk ka sulmuar Partinë Socialiste, por ka ngritur shqetësime për modele që, sipas saj, po e dëmtojnë atë.

    Spiropali thekson se mospajtimi nuk është tradhti, por forma më e lartë e besnikërisë në politikë. Ajo kundërshton idenë e bindjes së verbër dhe paralajmëron për rrezikun e një modeli që kërkon nënshtrim në vend të debatit.

    Në fund të reagimit, ajo rikthen edhe një herë sfidën e saj të drejtpërdrejtë: “Nëse nuk respektohet e drejta për të folur, zgjidhja është një: më përjashto.”

  • Policia konfiskon tri armë në rajonin e Mitrovicës

    Policia konfiskon tri armë në rajonin e Mitrovicës

    Njësitet policore në rajonin e Mitrovicës së Jugut, gjatë dy ditëve të fundit në kohë dhe lokacione të ndryshme, kanë konfiskuar tri armë.

    Në njoftim thuhet se një armë e gjatë është konfiskuar në zonën e Mitrovicës, ku arma ishte gjetur në automjetin e personit të dyshuar.

    Një armë tjetër e gjatë është konfiskuar në zonën e Vushtrrisë, pasi që personi i dyshuar kishte publikuar një video incizim duke shtënë me armë zjarri.

    “Policia ka identifikuar personin dhe lokacionin dhe pas reagimit të policisë, është konfiskuar arma me të cilën i dyshuari kishte shtënë gjatë një ahengu familjar”, thuhet në njoftim.

    Arma e tretë është konfiskuar në zonën e Skenderajt, pasi që ishte pranuar informata se ishin dëgjuar të shtëna në një rrugë malore.

    “Policia ka intervenuar dhe kanë hasur personin e dyshuar dhe pas kontrollit i kishin gjetur një armë e shkurtër në brez. Armët janë konfiskuar dhe janë proceduar në cilësinë e provave material”, njoftoi policia.

    Në njoftim thuhet gjithashtu se tre personat e dyshuar, pas intervistimit dhe procedurave tjera, me udhëzim të prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt.

    Ndaj të treve janë iniciuar raste penale për armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armës./

  • Rina Balaj zbulon se kur publikohet kënga e saj e re

    Rina Balaj zbulon se kur publikohet kënga e saj e re

    Këngëtarja e njohur, Rina Balaj ppo vjen me një projekt të ri muzikor.

    Kështu ka bërë të ditur vet ajo, duke treguar se lansimi do të bëhet me 30 prill.

    “Ma Baby, Ma Friend – 30. APRIL”, ka shkruar Balaj në Instagram.

  • Google me marrëveshje me Pentagonin për përdorimin e Intelegjencës Artificiale

    Google me marrëveshje me Pentagonin për përdorimin e Intelegjencës Artificiale

    Kompania Google, në pronësi të Alphabet Inc., ka nënshkruar një marrëveshje me Pentagonin për përdorimin e modeleve të saj të inteligjencës artificiale në procese të klasifikuara, sipas një raportimi të medias The Information që citon burime të njohura me çështjen.

    Marrëveshja i lejon Departamentit Amerikan të Mbrojtjes të përdorë teknologjinë e inteligjencës artificiale të Google për “çdo qëllim të ligjshëm qeveritar”, duke e vendosur kompaninë në të njëjtin nivel me ofrues të tjerë si OpenAI dhe xAI, kompania e Elon Musk, të cilat kanë gjithashtu kontrata për përdorimin e AI në mjedise të klasifikuara.

    Rrjetet e klasifikuara përdoren për aktivitete të ndjeshme, përfshirë planifikimin e operacioneve ushtarake dhe përcaktimin e objektivave për sistemet e armatimit. Sipas raportimit, Pentagoni ka nënshkruar gjatë vitit 2025 kontrata që arrijnë deri në 200 milionë dollarë me kompani të mëdha të fushës së inteligjencës artificiale, përfshirë Anthropic, OpenAI dhe Google. Qëllimi është të ruhet fleksibilitet i plotë në sektorin e mbrojtjes, pa kufizime të vendosura nga vetë kompanitë mbi përdorimin e teknologjisë në sisteme armësh.

    Marrëveshja me Google parashikon që kompania të ndihmojë, me kërkesë të qeverisë, në përshtatjen e parametrave të sigurisë dhe filtrave të modeleve të saj.

  • 89-vjeçari shkakton terror në Greqi, plagos 5 persona në zyrën e sigurimeve dhe në një gjykatë, mbetet në arrati

    89-vjeçari shkakton terror në Greqi, plagos 5 persona në zyrën e sigurimeve dhe në një gjykatë, mbetet në arrati

    Një i moshuar 89-vjeçar kreu një sulm më armë në Entin e Sigurimeve Kombëtare Shoqërore të Greqisë në Kerameikos me një pushkë gjahu, duke plagosur një punonjës dhe më pas mori një taksi duke fshehur armën, mbërriti në Gjykatën e Apelit në Loukareos, qëlloi dhe plagosi katër nëpunëse të tjera femra të Gjykatës së Shkallës së Parë.

    Dhe pas të gjitha këtyre, ai mbetet i arratisur. Më konkretisht, 89-vjeçari, i cili thuhet se është mbledhës mbeturinash dhe vuan nga probleme psikologjike, më parë hyri me forcë në një ndërtesë të EFKA-së në Kerameikos, u ngjit në katin e katërt dhe qëlloi një punonjës në këmbë.

    Më pas ai shkoi në Gjykatën e Apelit të Athinës, ku qëlloi dhe plagosi katër gra. Kjo është një distancë prej afërsisht pesë kilometrash, të cilën, sipas informacioneve fillestare, ai e përshkroi me taksi, duke e fshehur pushkën në xhaketë.

    Pasi qëlloi, ai e la armën në një fotokopjues dhe u zhduk. Në vendngjarje u thirr një ambulancë dhe dy motorë EKAB, të cilët transportuan të gjithë të plagosurit në urgjencë.

    “Sapo po dilja nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe pashë shumë kolegë duke vrapuar. Një koleg doli dhe na paralajmëroi se kishte një armë dhe se po qëlloheshin të shtëna. Ajo që ndodhi ishte se një burrë i moshuar me një pallto blu hyri në zyrën 23, qëlloi tre herë në dysheme, e la pushkën në fotokopjues dhe u zhduk”, tha një avokat praktikant./TCH/

  • Meliza Haradinaj shpërthen ndaj podcastit britanik që ia dha platformën Vuçiqit

    Meliza Haradinaj shpërthen ndaj podcastit britanik që ia dha platformën Vuçiqit

    Një deklaratë e fortë nga ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj, ka shkaktuar jehonë të gjerë në hapësirën politike dhe mediatike rajonale, pas një reagimi të saj në platformën X (ish-Twitter), ku ajo kritikoi ashpër intervistën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq në podcastin e njohur britanik ‘Rest is Politics’ të drejtuar nga Alastair Campbell dhe Rory Stewart.

    Në postimin e saj, Haradinaj ngriti akuza të rënda ndaj mënyrës se si, sipas saj, u trajtua narrativa mbi luftën në Kosovë gjatë intervistës, duke pretenduar se nuk u adresuan pyetje kyçe mbi krimet e luftës dhe fatin e personave të zhdukur gjatë konfliktit të vitit 1999.

    Ajo shkroi se moderatorët “anashkaluan pyetjen thelbësore” dhe akuzoi palën serbe për, siç pretendon ajo, fshehjen e informacioneve mbi varreza masive dhe mohimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Në të njëjtin reagim, ajo e lidhi këtë narrativë me trashëgiminë politike të regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

    Deklaratat e saj kanë ndezur reagime të ndryshme në rrjetet sociale, duke rikthyer në vëmendje debatin e gjatë dhe ende të pazgjidhur mbi përgjegjësinë e krimeve të luftës në ish-Jugosllavi, si dhe mënyrën se si këto tema trajtohen në media ndërkombëtare.

    Nga ana tjetër, intervista e presidentit serb Aleksandar Vuçiq në podcastin britanik është parë nga disa si një përpjekje për të paraqitur propagandën e Serbisë në një audiencë perëndimore, ndërsa kritikët e kanë cilësuar si një platformë ku nuk u sfiduan aspak narrativat propaganduese të Vuçiqit.

  • Murati thotë se është opozita ajo që po e shkel Kushtetutën: Pse me çdo kusht po duan ta dërgojë përsëri vendin në zgjedhje?

    Murati thotë se është opozita ajo që po e shkel Kushtetutën: Pse me çdo kusht po duan ta dërgojë përsëri vendin në zgjedhje?

    Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati thotë se të vetmit që po e shkelin Kushtetutën janë deputetët e opozitës që nuk po marrin pjesë në seancën e zgjidhjes së Presidentit.

    “Kërkuan që një subjekt politik të mos i ketë të tri pozitat e larta shtetërore. Ua ofruam Kryetarin e Kuvendit, nuk e pranuan. Ua ofruam që t’i sjellin 3 propozime konsensuale, nuk e sollën asnjë emër”, ka thënë Murati.

    Sipas tij, VV propozoi Feride Rushitin, të cuilën e quan një profesioniste e shquar dhe e vlerësuar ndërkombëtarisht, e cila do t’i bënte nder vendit si Presidente, dhe opozita përsëri nuk merr pjesë.

    “Pse me çdo kusht opozita po dëshiron ta dërgojë përsëri vendin në zgjedhje?”, ka shkruar ai.

  • Kapen para të dyshuara fals në Bërnjak, ndalohet një shtetas i Serbisë

    Kapen para të dyshuara fals në Bërnjak, ndalohet një shtetas i Serbisë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se më 28 prill 2026, gjatë kontrollit kufitar në pikëkalimin kufitar Bërnjak, është zbuluar një rast i dyshuar i falsifikimit të parasë.

    Sipas policisë, gjatë kontrollit në vijën e dytë të një automjeti me targa të Serbisë, janë gjetur katër kartëmonedha nga 200 euro. Pas verifikimit fillestar dhe ekzaminimit me pajisje të avancuara, ato dyshohet se janë të falsifikuara.

    Me autorizim të prokurorit kompetent, i dyshuari – shtetas i Serbisë – së bashku me kartëmonedhat e sekuestruara, i është dorëzuar zyrtarëve të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike në kuadër të policisë në Mitrovicë të Veriut.

    Rasti është duke u trajtuar sipas procedurave ligjore në fuqi.