ATV

Author: K.B.

  • PDK i bën thirrje Feride Rushitit të tërhiqet nga gara për Presidente

    PDK i bën thirrje Feride Rushitit të tërhiqet nga gara për Presidente

    Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku ka kritikuar ashpër procesin për zgjedhjen e Presidentit, duke e cilësuar atë si të dëmshëm dhe në kundërshtim me rendin kushtetues.

    Në një konferencë për media nga holli i Kuvendit, ajo shpalosi qëndrimet e PDK-së, duke i bërë thirrje partisë në pushtet të ndalë, veprimet antikushtetuese.

    “Dua të apeloj tek partia në pushtet që t’i ndërpresë këto veprime ‘karateje’ të dhunës politike, sepse ky nuk është Kuvend i karatesë, por institucion i të zgjedhurve të popullit”, tha Çitaku.

    Ajo i është drejtuar edhe kandidates për presidente, duke i kërkuar të tërhiqet nga gara.

    “Nga zemra i bëj thirrje zonjës Feride Rushiti që të tërhiqet nga kjo lojë politike antikushtetuese e Albin Kurti, që është e dëmshme për shtetin dhe atë vet”, u shpreh ajo.

    Çitaku ka shprehur keqardhje për përfshirjen e saj në këtë proces.

    “Sinqerisht më vjen keq që ka pranuar të huazojë politikisht emrin e saj për një maskaradë të rrezikshme politike”, deklaroi ajo.

    Në fund, ajo theksoi se vlerëson angazhimin e Rushitit në shoqërinë civile, por i bëri sërish thirrje të tërhiqet.

    “Si PDK e çmojmë angazhimin e saj në shoqërinë civile, por puna më e rëndësishme që mund t’i bëjë vetes dhe nderi më i madh që mund t’i bëjë vendit është të largohet nga kjo garë”, tha Çitaku.

    Ajo ka thënë se zhvillimet e fundit janë shqetësuese dhe përbëjnë rrezik për rendin kushtetues.

    “Këto veprime janë sinjale të qarta se pushteti po vendoset mbi Kushtetutën dhe ligjet dhe këtë nuk do ta lejojmë dhe së bashku me qytetarët do ta ndalojmë”, ka deklaruar Çitaku.

    Ajo ka bërë thirrje për ndaljen e menjëhershme të tensioneve në Kuvend.

    “Stop dhunës politike në Kuvend, stop veprimeve antikushtetuese”, ka theksuar ajo.

  • Momenti kur burrit i bie të fikët në spital ndërsa shikonte gruan duke lindur

    Momenti kur burrit i bie të fikët në spital ndërsa shikonte gruan duke lindur

    Një burrë i “tronditur” nga lindja e fëmijës së tij të dytë u kap në kamera duke i rënë të fikët në sallën e lindjes, ndërsa i porsalinduri i tij erdhi në jetë me prerje cezariane.

    Maicon Pedroso, u rrëzua në një spital të Brazilit, ndërsa pa gruan e tij, Mariane Felippe, të lindte vajzën e dytë më 18 prill.

    Një mjek kujdestar u detyrua ta kapte babanë, i cili po i mbante dorën Felippes në momentin që vajza e tij lindi, nga sqetullat dhe ta mbante. Ai u ul butësisht në dysheme, ku u vendos, pa ndjenja.

    Maicon, i cili u zgjua pak kohë pas incidentit të të fikëtit, tha se rifitoi vetëdijen në spital pa kujtuar lindjen e fëmijës së tij. Maicon u tha mediave lokale: “Nuk mbaj mend asgjë që nga momenti kur lindi foshnja.”

    Ai dhe gruaja e tij telefonuan spitalin në orët e para të mëngjesit javën e kaluar, ndërsa Felippes i plasën ujërat. Mjekët vendosën t’i bënin nënës një prerje cezariane, e cila shkoi pa probleme deri në momentin e fundit.

    Patricia Vogel dhe Viviane Borges, dy fotografe që morën pjesë në lindje, vunë re se sa mirë dukej se kishte shkuar procesi para “momentit të saktë kur lindi foshnja”.

  • Ushtarët ukrainas shpëtojnë me robot të moshuarën që mezi ecte në paterica derisa po ikte nga bombardimet ruse

    Ushtarët ukrainas shpëtojnë me robot të moshuarën që mezi ecte në paterica derisa po ikte nga bombardimet ruse

    Një pensioniste ukrainase është shpëtuar nga një robot pasi u pa duke ikur nga artileria ruse me patericat e saj të ecjes.

    Pamjet e dronit treguan robotin, i cili i përkiste Brigadës së 60-të të Mekanizuar, duke mbajtur 77-vjeçaren, transmeton Telegrafi.

    Ajo u pa duke u përpjekur të ecte në rrugën e rrëshqitshme pranë qytetit të Lyman në rajonin e Donetskut, ndërsa i shpëtonte bombardimeve nga forcat e Putinit.

    Një luftëtar tha, ndërsa shikonin transmetimin e drejtpërdrejtë të gruas së moshuar që ecte ngadalë me asgjë tjetër përveç rrobave në shpinë dhe një palë paterica ecjeje: “Duket sikur po i vjen gulçim ose diçka e tillë”.

    Brigada më pas vendosi ta dërgonte robotin me një batanije dhe një shënim që shkruante: “Gjyshe, hip lart”.

    Ndërsa ajo hipi në robot, luftëtarët mund të dëgjoheshin duke thënë: “Hajde, hajde, kaq ishte”.

    Ajo hipi mbi robot për disa orë. Ndërsa u ndihmua të hipte në pjesën e pasme të një automjeti ushtarak, një ushtar u dëgjua duke marrë një psherëtimë lehtësimi: “Kaq ishte, më në fund të gjithë mund të marrim frymë… falë Zotit”.

    Ushtria ukrainase tha se gruaja e moshuar kishte jetuar në shtëpinë e saj tani të shkatërruar në një fshat pranë qytetit të Lyman.

    Ushtria u bëri thirrje njerëzve të “evakuohen paraprakisht për të ruajtur atë që ka më shumë rëndësi – jetën”.

    Kjo vjen ndërsa një sulm me dron rus para agimit në qytetin jugor të Ukrainës, Odesa, plagosi 14 persona, përfshirë dy fëmijë, thanë autoritetet të hënën, në breshërinë e fundit të zonave civile që kanë qenë një shenjë dalluese e pushtimit në shkallë të plotë të Moskës.

  • Anëtari i ekipit të Shakirës vdes pasi u lëndua gjatë ndërtimit të skenës për koncertin në Rio

    Anëtari i ekipit të Shakirës vdes pasi u lëndua gjatë ndërtimit të skenës për koncertin në Rio

    Një punëtor i cili po ndihmonte në ndërtimin e skenës për koncertin e ardhshëm të Shakirës në Brazil, ka vdekur pasi pësoi lëndime të rënda.

    Një deklaratë e postuar në rrjete sociale nga organizatorët e koncertit tha se “një aksident të dielën pasdite i mori jetën tragjikisht një profesionisti që po punonte për montimin e strukturave për koncertin”.

    Koncerti është planifikuar të zhvillohet më 2 maj në Rio, Brazil.

    Në një deklaratë të dhënë për The Independent, Shakira tha: “Jam thellësisht e trishtuar për atë që ndodhi dje. Mësova se ndërsa përgatitesha për shfaqjen e kësaj fundjave, një punëtor vendas humbi jetën tragjikisht në një aksident”.

    “Jam vërtet e shkatërruar për familjen dhe të dashurit e tij. Zemra ime është me familjen, miqtë dhe kolegët e tij”.

  • Alarmi i IKSHKP: Energjetika përgjegjëse për 40% të emisioneve ndotëse të ajrit – ndikon në rritjen e vdekshmërisë

    Alarmi i IKSHKP: Energjetika përgjegjëse për 40% të emisioneve ndotëse të ajrit – ndikon në rritjen e vdekshmërisë

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka ngritur shqetësime serioze lidhur me nivelin e ndotjes së ajrit në vend, duke e cilësuar atë si një ndër sfidat më të mëdha mjedisore dhe shëndetësore aktualisht.

    Sipas këtij institucioni, termoelektranat e Kosovës A dhe B, që përdorin thëngjillin si burim energjie, vazhdojnë të jenë ndër ndotësit kryesorë të ajrit. Ato lëshojnë substanca të dëmshme si ozoni (O3), oksidet e azotit (NOx), dioksidi i squfurit (SO2) dhe grimca të imëta PM10 dhe PM2.5, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin e qytetarëve.

    “Bazuar në të dhënat e institucioneve relevante mjedisore, sektori i energjetikës kontribuon me rreth 40% të emisioneve ndotëse në Kosovë. Sipas tyre, ndotja e shtuar ditëve të fundit, veçanërisht nga tymtarët e Obiliqit, ka rritur përqendrimin e grimcave të dëmshme në ajër për periudha të gjata”.

    Instituti paralajmëron se mbi 90% e këtyre grimcave, pasi absorbohen nga sistemi respirator, ndikojnë në rritjen e infeksioneve, veçanërisht tek grupet më të ndjeshme si fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike.

    Në reagim, IKSHPK rendit edhe pasojat e mundshme nga ndotja e ajrit, duke përfshirë rritjen e vdekshmërisë, përhapjen e sëmundjeve respiratore si bronkiti dhe përkeqësimin e astmës, dëmtimet në sistemin kardiovaskular, si dhe ndikimet potencialisht kancerogjene.

    Përballë kësaj situate, Instituti ka propozuar një sërë masash urgjente, përfshirë monitorimin në kohë reale të ndotjes dhe publikimin transparent të të dhënave, kontrollin e rregullt të filtrave të termocentraleve, si dhe inspektime të shpeshta dhe gjoba për shkelësit.

    Po ashtu, kërkohet instalimi i teknologjive moderne për reduktimin e ndotjes, përfshirë sistemet e desulfurizimit dhe reduktimit të oksideve të azotit, si dhe modernizimi i pajisjeve ekzistuese.

    Në aspektin e mbrojtjes së shëndetit publik, IKSHPK rekomandon krijimin e një sistemi të integruar informimi në raste emergjente, rritjen e hapësirave të gjelbra, vendosjen e standardeve më të rrepta për emetimet industriale dhe zbatimin rigoroz të ligjeve për mbrojtjen e mjedisit.

    Ekspertët e institutit paralajmërojnë se nëse nuk ndërmerren masa urgjente, vendi mund të përballet me pasoja të rënda shëndetësore dhe rritje të ndjeshme të vdekshmërisë, veçanërisht nga sëmundjet kardiovaskulare dhe ato respiratore.

  • Rikthehet “acari”: Të enjten vjen goditja e masave polare, temperaturat nën zero

    Rikthehet “acari”: Të enjten vjen goditja e masave polare, temperaturat nën zero

    Kjo javë ka filluar nën ndikimin e masave të ngrohta ajrore dhe si e tillë do të vazhdojë edhe të martën, mirëpo me një destabilizim të lehtë të atmosferës, ku parashihet ndonjë rrebesh i izoluar në lokalitete gjatë orëve të pasdites.

    Nga dita e mërkurë gradualisht do të shtrihen masat e ftohta ajrore, duke sjellë shtim të vranësirave dhe reshje lokale shiu gjatë orëve të pasdites, veçanërisht orëve të mbrëmjes, kur pritet edhe ulje e theksueshme e temperaturave.

    Të enjten do të mbesin plotësisht nën ndikimin e masave të ftohta ajrore me origjinë polare, si pasojë moti do të jetë kryesisht i vranët dhe herë pas here me reshje shiu. Në zonat malore reshje bore.

    Të premten parashikohet mot me diell dhe vranësira, ndërsa lokalisht mund të ketë ndonjë reshje të izoluar shiu, e në zonat malore borë. Në orët e mëngjesit, varësisht nga prezenca e kthjellimeve, temperaturat mund të zbresin në vlera negative.

    Vlen të theksohet se, të enjten dhe të premten nuk përjashtohet mundësia që fjolla bore të paraqiten edhe në zonat më të ulëta, veçanërisht edhe në zonën e Llapit.

    Të shtunën parashikohet mot me diell dhe vranësira, ndërsa lokalisht priten reshje të pakta lokale shiu. Po ashtu, në orët e mëngjesit priten vlera negative.

    Edhe dita e diel do të vijojë me diell dhe vranësira, me mundësi për ndonjë reshje të izoluar. Përderisa temperaturat do të fillojnë të shënojnë ngritje në vlerat maksimale.

    Era do të fryjë kryesisht nga drejtimi i verilindjes, e cila herë pas here pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 15-52 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej -2 deri në 9°C, ndërsa ato maksimale prej 6 deri në 26°C./meteokosovo

  • Jashari pret në takim zyrtarë të NATO-s dhe BE-së, vlerësohet lartë zhvillimi i FSK-së

    Jashari pret në takim zyrtarë të NATO-s dhe BE-së, vlerësohet lartë zhvillimi i FSK-së

    Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari ka pritur në takim kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admiral Giuseppe Cavo Dragone dhe kryetarin i Komitetit Ushtarak të Bashkimit Evropian, Gjeneral Sean Clancy.

    Jashari iu uroi mirëseardhje delegacionit të udhëhequr nga Admiral Dragone dhe Gjeneral Clancy, me ç’rast i njoftoi për zhvillimet aktuale brenda forcës, me theks të veçantë mbështetjen e FSK-së në kuadër të operacioneve ndërkombëtare.

    Gjithashtu u diskutua edhe për të arriturat e deritashme të FSK-së, ku u theksua nevoja për avancimin e bashkëpunimit në aktivitetet e përbashkëta, në mes të FSK-së dhe organizatave respektove.

    “Gjatë takimit u vlerësua lartë zhvillimi dhe kontributi i FSK-së në kuadër të këtyre aktiviteteve, si dhe u adresuan nevojat për bashkëpunim në sferat me interes të përbashkët. Poashtu, u vlerësua kontributi i KFOR dhe NALT në mbështetje të forcës. Në fund të takimit, palët u zotuan për vazhdimin dhe rritjen e bashkëpunimit korrekt dhe profesional në realizimin e përbashkët të aktiviteteve të ndryshme”, thuhet në njoftim.

  • Izraeli lëshon urdhër urgjent evakuimi për dhjetëra fshatrash libanezë

    Izraeli lëshon urdhër urgjent evakuimi për dhjetëra fshatrash libanezë

    Ushtria izraelite ka lëshuar një paralajmërim urgjent për banorët në dhjetëra fshatrash që të evakuohen në veri, duke thënë se kjo është për sigurinë e tyre pasi Hezbollahu “shkel” marrëveshjen e armëpushimit.

    “Në dritën e shkeljes së marrëveshjes së armëpushimit nga Hezbollahu, IDF është e detyruar të veprojë me forcë kundër saj”, tha sot në X zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) për gjuhën arabe.

    “Kushdo që është pranë operativëve, objekteve ose pajisjeve ushtarake të Hezbollahut po e vë jetën e tij në rrezik”, tha ai.

    Pavarësisht një armëpushimi të shpallur midis Izraelit dhe Libanit, forcat izraelite dhe Hezbollahu vazhdojnë të sulmojnë njëri-tjetrin, me secilën palë që akuzon tjetrën për shkeljen e armëpushimit.

    E diela ishte dita më vdekjeprurëse për vdekjet e civilëve në Liban që nga fillimi i armëpushimit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë libaneze, e cila raportoi 14 civilë të vrarë në të gjithë vendin.

  • Futja e gishtit në hundë mund të dëmtojë trurin

    Futja e gishtit në hundë mund të dëmtojë trurin

    Personat që fusin gishtat në hundë mund të rrezikojnë shëndetin.

    Edhe pse mund të duket si një zakon i padëmshëm (ndonëse i neveritshëm), në fakt mund t’ju sjell disa pasoja shqetësuese. Një hulumtim i ri ka zbuluar se kjo mund të çojë në zhvillimin e problemeve të kujtesës.

    Kohët e fundit u krye një rishikim në dhjetëra studime të botuara mbi mekanizmat pas sëmundjeve neurologjike që u mblodhën nga studiuesit në Universitetin Western Sydney dhe u botuan në revistën Biomolecules. U zbulua se ata që fusin gishtat në hundë kanë më shumë gjasa të zhvillojnë sëmundjen e Alzheimerit.

    Në raport, ekipi vuri në dukje: “Neuroinflamacioni në sëmundjen e Alzheimerit mund të shkaktohet pjesërisht nga patogjenët viralë, bakterialë dhe fungalë që hyjnë në tru përmes hundës dhe sistemit të nuhatjes”.

    Rhinotillexomania është termi mjekësor që përdoret për të përshkruar kapjen kronike të hundës dhe fut mikrobet në zgavrën e ndjeshme të hundës, e cila mund të çojë në inflamacion në tru. Kur kjo ndodh si rezultat i akumulimit të mikrobeve, mund të çojë në një grumbullim të dëmshëm të proteinave beta amiloide.

    Ekspertët thonë se kjo është e zakonshme në trurin e njerëzve të diagnostikuar me Alzheimer. Gjendja neurodegjenerative është forma më e zakonshme e demencës, shkruan Dailystar.

  • Cakolli për seancën e së hënës: Shkelje e pastër kushtetuese

    Cakolli për seancën e së hënës: Shkelje e pastër kushtetuese

    Eugen Cakolli nga KDI ka deklaruar se seanca e mbrëmshme për presidentit, sot nuk duhet të vijohet me rundin e dytë.

    Ndër të tjera, ai e quajti shkelje të pastër kushtetuese seancën e jashtëzakonshme të së hënës për presidentin.

    “Secili prej tre aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit ka përcaktuar në mënyrë të qartë se kuorumi në këtë rast nënkupton edhe praninë edhe pjesëmarrjen në votim të të paktën 80 deputetëve. Madje edhe kjo çështja e interpretimit të togëfjalëshit ‘minus ata deputetë’, që kanë marr leje nga kryetarja, është duke u keqinterpretuar qëllimshëm, sepse mospjesëmarrja eventuale e deputetëve nuk ka asnjë ndikim në uljen e kuorumit apo mundësisë për vazhdimin e seancës”, tha Cakolli.

    “Ajo çfarë ngjau dje ishte padyshim shkelje e pastër kushtetuese, dhe për më keq nuk u administrua në procedurë kyçe, ajo e pjesëmarrjes”, tha ai në Klan Kosova.