ATV

Author: K.B.

  • Kristian Prenga “trondit” botën e boksit: Joshua bëri gabim të rëndë që më zgjodhi mua si kundërshtar

    Kristian Prenga “trondit” botën e boksit: Joshua bëri gabim të rëndë që më zgjodhi mua si kundërshtar

    Boksieri Kristian Prenga ka ndezur entuziazmin e sportdashësve shqiptarë, pasi njoftoi përmes rrjeteve sociale një nga ndeshjet më të mëdha në historinë e sportit shqiptar.

    Më 25 korrik, në Riad të Arabisë Saudite, Prenga do të ngjitet në ring për t’u përballur me ish-kampionin e botës, Anthony Joshua, në një duel që pritet të tërheqë vëmendjen e të gjithë botës së boksit.

    Kjo sfidë konsiderohet një moment historik jo vetëm për karrierën e Kristian Prengës, por edhe për sportin shqiptar. Vetë boksieri shqiptar është shprehur i bindur se kjo do të jetë nata që do të ndryshojë gjithçka.

    “Anthony Joshua është një boksier i shkëlqyer, por bëri një gabim të rëndë duke më zgjedhur mua si kundërshtar. Ky është ndeshja që ndryshon gjithçka për mua dhe për të”, ka thënë fillimisht Prenga.

    Pavarësisht emrit të madh me të cilin përballet, Prenga thekson se nuk ndihet aspak i nënvlerësuar. Përkundrazi, ai e sheh këtë situatë si një avantazh.

    “E di që kanë plane të mëdha pas kësaj ndeshjeje, e di që po më anashkalojnë dhe kjo më pëlqen. Do t’ua prish planet dhe do ta tronditë botën në korrik në Arabinë Saudite”, përfundoi boksieri shqiptar.

    Kristian Prenga hyn në këtë duel me një rekord mbresëlënës prej 20 fitoresh dhe vetëm 1 humbjeje, ndërsa të gjitha fitoret e tij janë arritur me nokaut, një statistikë që e vendos atë ndër sulmuesit më të frikshëm të peshave të rënda.

    Përballja me Joshuan do të jetë prova më e madhe e karrierës së boksierit shqiptar, por edhe një mundësi e artë për të hyrë në historinë e sporteve botërore. Nëse arrin ta befasojë britanikun, Prenga jo vetëm që do ta realizojë ëndrrën e tij, por do të shkruajë një kapitull të ri për sportin shqiptar.

    Sytë e tifozëve shqiptarë dhe botës së boksit janë përqendruar tani te 25 korriku në Riad, ku Kristian Prenga synon të bëjë atë që pak kush e pret: të nokautojë Anthony Joshuan dhe të “tronditë” botën e boksit.

  • Haradinaj kërkon që Feride Rushiti e pakicat të mos bëhen pjesë e shkeljes së Kushtetutës: Do t’i mbulojë turpi

    Haradinaj kërkon që Feride Rushiti e pakicat të mos bëhen pjesë e shkeljes së Kushtetutës: Do t’i mbulojë turpi

    Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se kandidatet e propozuara për presidente dhe deputetët e partive të pakicave s’duhet të bëhen pjesë e shkeljes së Kushtetutës.

    Haradinaj ka thënë se do t’i mbulojë turpi kushdo që bëhet pjesë e një shkeljeje të tillë, pavarësisht se çfarë figure e çfarë pune ka bërë deri sot.

    “Njëkohësisht zonjat që janë kandidate për presidente dhe deputetët e partive joshumicë, dhe të gjithë ata që kanë logjikë, të ndalen të mos vazhdojnë të jenë pjesë e këtij turpi. Kushdo që bëhet pjesë e cenimit të rendit kushtetues, do t’i mbulojë turpi. S’ka lidhje kush janë e çka kanë bo deri në në këtë moment”, ka thënë Haradinaj.

  • Kurti pret në takim delegacionin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, u flet për “rritjen e nivelit të sigurisë në vend, me theks në veri”

    Kurti pret në takim delegacionin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, u flet për “rritjen e nivelit të sigurisë në vend, me theks në veri”

    Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim delegacionin e prirë nga kreu i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admirali Giuseppe Cavo Dragone, dhe kreu i Komitetit Ushtarak të Bashkimit Europian, Gjenerali Sean Clancy.

    Zyra e Kryeministrit tha se gjatë takimit, Kurti “shprehu falënderimin për angazhimin dhe përkushtimin e vazhdueshëm të NATO-s për paqe, stabilitet dhe parandalim në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, ndërsa tha se roli i KFOR-it mbetet thelbësor jo vetëm për sigurinë e vendit, por mbarë rajonit”.

    “Kryeministri Kurti theksoi se, për Kosovën, NATO-ja nuk është vetëm garantues i sigurisë, por orientim strategjik dhe destinacion. Në kontekst të procesit të integrimit evropian, ai tha se krahas politikës së pranimit, duhet t’i kushtohet rëndësi edhe dëshirës për anëtarësim”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

    Kurti u foli mysafirëve edhe për “rritjen e nivelit të sigurisë në vend”.

    “Pasi foli për rritjen e nivelit të sigurisë në vend, me theks në veri, në kontekst rajonal kryeministri përmendi synimet destabilizuese të Serbisë të mbështetur nga Rusia. Kryeministri Kurti, po ashtu, theksoi bashkëpunimin e ngushtë të Forcës së Sigurisë së Kosovës me NATO-n”, thuhet në njoftim.

  • Haradinaj i bën thirrje VV-së: Ndaluni, po shkoni në drejtim të rrezikshëm

    Haradinaj i bën thirrje VV-së: Ndaluni, po shkoni në drejtim të rrezikshëm

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj pas ndërprerjes së seancës për presidentin, deklaroi se situata politike në vend është e rrezikshme, duke akuzuar për shkelje kushtetuese VV-në me seancën e mbrëmshme.

    Ai theksoi se veprime të tilla po e pamundësojnë funksionimin sipas Kushtetutës dhe paralajmëroi për pasoja nëse vazhdohet në këtë drejtim.

    Haradinaj bëri thirrje për mobilizim qytetar në mbrojtje të Kushtetutës, duke përmendur se veprimet mund të përfshijnë edhe protesta.

    “Është situatë ndryshe nga të gjitha zhvillimet që kemi parë në Kosovë pas pavarësisë. Ata që ushtrojnë funksione shtetërore, dje kanë bërë shkelje kushtetutese. Është ngjarje shumë e rrezikshme, një drejtim i rrezikshëm. Ju bëj thirrje të ndalen mos të vazhdojnë në këtë drejtim. Ruajtja e pushtetit, ardhja në pushtet është e mundshme duke respektuar Kushtetutën. Nëse shkojmë kësaj rruge të rrezikshme po na pamundësojnë funksionet në bazë të Kushtetutës. Nuk po na lëjnë rrugë tjetër veçse t’i drejtohemi sovranit, që të mobilizohemi të gjithë që të mbrojmë Kushtetutën. Besoj që sovrani e bën këtë, e ka bërë në çdo etapë, kuptohet me veprime që sovrani vet i identifikon, që mund të jenë edhe protesta. Edhe njëherë i thërras ndërgjegjës së gjithëve të mos bëhen pjesë e shkeljes së Kushtetutëtës, edhe këtij turpi. Kushdo që bëhet pjesë e veprimeve që me u shkel Kushtetuta në këtë mënyrë i mbulon turpi, do t’i mbulojë turpi për jetë”, tha Haradinaj para gazetarëve.

  • ‘‘Karate’’ president, Nagavci distancohet nga Bardiqi: Qasja e tillë është gabim, s’është e duhura

    ‘‘Karate’’ president, Nagavci distancohet nga Bardiqi: Qasja e tillë është gabim, s’është e duhura

    Mesazhet e bëra publike tregonin se Naim Bardiqi kishte shkruar që presidenti të zgjidhet “në mënyrën karate”, duke shtuar se më pas duhet pritur vendimi i Gjykata Kushtetuese, i ka reaguar shefja e Grupit Parlamentar të VV’së Arbërie Nagavci,

    Nga ky mesazh u distancua Nagavci ku u shpreh se VV’ja ka qëndrime të përbashkëta duke e quajtur “gabim” qasjen e Bardiqit.

    “Është gabim një qasje e tillë. Ne si grup parlamentar kemi qëndrime publike dhe i marrim si grup parlamentar. Qasja e tillë nuk është e duhura.”, u shpreh Nagavci.

    Bardiqi u justifikua se komunikimi i tij privat është interpretuar gabimisht dhe është nxjerrë jashtë kontekstit.

    Në paraqitjen e tij në RTV Dukagjini, Bardiqi deklaroi se publikimi i mesazheve përbën cenim të privatësisë./gazetametro

  • OVL-UÇK reagon ndaj zhvillimeve në Kuvend, kërkon respektim të rendit kushtetues

    OVL-UÇK reagon ndaj zhvillimeve në Kuvend, kërkon respektim të rendit kushtetues

    Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtria Çlirimtare e Kosovës (OVL-UÇK) ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit politike në Kuvendi i Republikës së Kosovës, duke shprehur shqetësim dhe duke bërë thirrje për respektim të rendit kushtetues.

    Në reagimin e saj publik, OVL-UÇK thekson se funksionimi demokratik i institucioneve dhe respektimi i Kushtetutës janë themel i shtetit të Kosova. Sipas organizatës, çdo proces apo veprim që ngjall dyshime për tejkalim të kompetencave apo cenim të Kushtetutës duhet të trajtohet me përgjegjësi të lartë institucionale dhe në përputhje me ligjin.

    OVL-UÇK vë theksin te roli i shumicës parlamentare, duke kërkuar prej saj maturi dhe përgjegjësi në vendimmarrje. Organizata apelon që proceset në Kuvend të jenë të rregullta dhe gjithëpërfshirëse, duke shmangur veprimet e njëanshme që mund të dëmtojnë bashkëpunimin institucional.

    Në reagim paralajmërohet se çdo veprim që cenon frymën e bashkëpunimit politik rrezikon stabilitetin demokratik dhe besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore.

  • Haxhiu i “obligon” deputetët e opozitës të marrin pjesë në seancë, u jep afat deri në orën 14:00

    Haxhiu i “obligon” deputetët e opozitës të marrin pjesë në seancë, u jep afat deri në orën 14:00

    Deputetët e pushtetit janë mbledhur sot sërish në Kuvend për rundin e dytë të votimit për President, pavarësisht se nuk ishin 80 deputetë në sallë dhe pavarësisht se kjo procedurë që nisi mbrëmë, u konsiderua si cenim i rendit kushtetues të vendit nga njohës të Kushtetutës dhe organizata joqeveritare.

    Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu i ftoi deputetët e opozitës që të marrin pjesë në seancë, pasi sipas saj, ata janë të obliguar të votojnë, duke e mundësuar zgjedhjen e Presidentit.

    “Për t’i dhënë atyre mundësinë që të jenë të pranishëm në këtë seancë […] po e vazhdojmë këtë seancë në orën 2. Pra, shihemi në orën 2”, tha ajo.

    Haxhiu e interpreton ndryshe një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, kur e kishte pyetur më herët për këtë çështje.

    Në fund të marsit, kur Gjykata Kushtetuese vendosi që deputetët të kenë edhe një afat prej 34 ditësh për zgjedhjen e Presidentit, meqenëse Kuvendi nuk i kishte pasur në dispozicion 60 ditët prej kur duhej të fillonte procedura e deri në ditën kur duhej të përfundonte (30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual), tha se deputetët s’mund të detyrohen dhe se është “tërësisht në vullnetin” e tyre se çfarë ata konsiderojnë se është “në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës”.

    “Së dyti dhe në lidhje mandatin dhe ushtrimin e funksionit të deputetit, Gjykata rikujton që Kushtetuta në nenin 70 [Mandati i Deputetëve] përcakton që deputetët si përfaqësues të zgjedhur të popullit, nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues, si dhe ka përcaktuar në mënyrë specifike bazat për përfundimin apo humbjen e statusit të deputetit. Po ashtu, bazuar në nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës, deputetët marrin përgjegjësinë që mandatin përfaqësues ta ushtrojnë në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në përputhje me kërkesat formale të përcaktuara në Kushtetutë, ligje dhe rregulloren e Kuvendit (shih, rastin KO124/25, cituar më lart, paragrafi 130 dhe 190). Sipas Gjykatës, se çka konsiderojnë deputetët se është në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës në aspekt politik dhe në aspekt të politikave publike, është tërësisht në vullnetin dhe vendimin e deputetëve të Kuvendit. Përderisa respektohet Kushtetuta, çdo zgjedhje e të zgjedhurve dhe njëkohësisht përfaqësuesve të popullit, duhet respektuar dhe Kushtetuta përcakton qartë, që deputetët nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues (shih, rastin KO72/20, cituar më lart, paragrafi 357 dhe rastin KO124/25, cituar më lart, paragrafi 181)”, thuhet në pikën 175 të aktgjykimit.

  • Musliu-Shoshi: Kur pushteti s’njeh kufi, vdes demokracia!

    Musliu-Shoshi: Kur pushteti s’njeh kufi, vdes demokracia!

    Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi ka kritikuar pushtetin për qasjen e tyre në zgjedhjen e presidentit.

    “Kur nuk i kanë numrat, duan t’i ndryshojnë rregullat.

    Sot, gjendja e LVV flet qartë: panik politik, arrogancë pushteti dhe etje për kontroll absolut.

    Kur pushteti s’njeh kufi, vdes demokracia” shkruan Musliu-Shoshi në reagim.

  • Vjen reagimi nga familjari i Feride Rushitit, të propozuarës për presidente nga Vetëvendosje

    Vjen reagimi nga familjari i Feride Rushitit, të propozuarës për presidente nga Vetëvendosje

    Në mesin e tensioneve dhe mungesës së kuorumit prej 80 deputetësh, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar dy emra për postin e Presidentit. Njëra nga kandidaturat është Feride Rushiti, një figurë emblematike e shoqërisë civile, e cila në votimin e mbrëmshëm mori mbështetjen e 63 deputetëve nga 64 sa ishin të pranishëm në sallë.

    Ndonëse procesi po përcillet me debate të ashpra politike, vetë Rushiti ka zgjedhur të qëndrojë e matur.

    Megjithatë, mbështetja nuk ka munguar nga familjarët.

    I afërmi i saj, Ylber Rushiti, ka shpërndarë një fotografi krah kandidates me mbishkrimin: “Krenar me ty motër”.

  • Skenari i VV-së për presidentin – Kelmendi dyshon për ndërhyrje nga jashtë

    Skenari i VV-së për presidentin – Kelmendi dyshon për ndërhyrje nga jashtë

    Publicisti dhe gazetari Adriatik Kelmendi tha sot se tentimi për zgjedhjen e presidentit me pjesëmarrjen e më pak se 80 deputetëve, synon ta paraqesë Kosovën si “shtet të dështuar”.

    Kelmendi, në një shkrim në rrjetin social Facebook të martën, tha se dyshon që ky skenar ka origjinën nga jashtë vendit.

    “Ky është investimi më i madh i paspavarësisë për ta paraqitur Kosovën si shtet të dështuar”, tha ai. “I kujt është ky skenar? Nuk po duket të frymojë shqip!”.

    Sipas Kelmendit, shkelja me vetëdije e Kushtetutës “është e barabartë me tradhëti kombëtare”.

    “Nëse paska mundësi me 64 deputetë të votohet për President, atëherë pse nuk u votua edhe për President në seancën kur Albulena Haxhiu u zgjodh Kryetare e Kuvendit, ose kur Albin Kurti u votua kryeministër?!”, shkroi Kelmendi.

    Seanca për zgjedhjen e presidentit, me kandidaturat e Feride Rushitit dhe Hatixhe Hoxhës, e nisur të hënën në mbrëmje, pritet të vazhdojë sot.