ATV

Author: K.B.

  • Kujtim Shala mohon se është larguar nga LDK: Nëse LDK mbetet me një anëtar, ai jam unë

    Kujtim Shala mohon se është larguar nga LDK: Nëse LDK mbetet me një anëtar, ai jam unë

    Nënkryetari i LDK-së, Kujtim Shala, ka mohuar së është larguar nga LDK-ja.

    Ai ka bërë me dije se asnjëherë nuk do të largohet nga kjo parti.

    “Nëse LDK mbetet me një anëtar, ai jam unë”, ka thënë Shala, raporton Dukagjini.

    Mbrëmë gazetari i Kanal 10, Arben Ahmeti ka raportuar për disa zhvillime në LDK.

    Sipas tij, nga kjo parti janë larguar Kujtim Shala dhe Gazmend Muhaxheri.

  • Çka i tha Çitaku Gecit në Kuvend për “kërkim-faljen”?

    Çka i tha Çitaku Gecit në Kuvend për “kërkim-faljen”?

    Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku ka folur lidhur me deklaratën e ish-deputetit të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Fatos Geci dhe më pas edhe kërkimfaljen e tij për gjuhën e përdorur ndaj saj.

    Ajo u shpreh se ka refuzuar të flasë me Gecin dhe tregoi se nuk e ka dëgjuar, por vetëm i ka kërkuar që të largohet.

    Çitaku gjithashtu u shpreh se abuzuesit siç i quajti ajo serikë, nuk duhet të tolerohen dhe tha se nuk duhet të mjaftohemi me kërkimfalje.

    “Thënë të drejtën, kam refuzuar ta dëgjoj. Kam qenë e ulur, e kam parë që po vjen drejt meje, por kam refuzuar ta dëgjoj. Vetëm i kam thënë “ik, largohu, nuk flas me ty, largohu”. Abuzuesit kronikë, serikë, nuk duhet të tolerohen dhe nuk duhet që ne të mjaftohemi me një kërkimfalje”, tha ajo në Klan.

    “Shan tërë ditën, pastaj të nesërmen “më fal”, jo, nuk ka. Mua nuk më duhet një kërkimfalje e tillë dhe e refuzoj një kërkimfalje të tillë. Ajo çfarë më ka thënë mua është shumë më e vogël në raport me fyerjet që ia ka bërë luftës çlirimtare”, tha ajo.

  • “David Alaba” përfshihet në mashtrimin me call centers në Tiranë – Si u keqpërdor ylli i Real Madridit

    “David Alaba” përfshihet në mashtrimin me call centers në Tiranë – Si u keqpërdor ylli i Real Madridit

    Operacioni ndërkombëtar i përmasave gjigante, i udhëhequr nga prokuroria e Salzburgut në Austri dhe SPAK në Shqipëri, ka shkatërruar një rrjet kriminal “Call Center”-ash në Tiranë.

    Grupi dyshohet se ka përfituar mbi 50 milionë euro duke mashtruar qytetarët evropianë, por ajo që ka bërë bujë në mediat ndërkombëtare është përdorimi i imazhit të yllit të futbollit, David Alaba, për të joshur viktimat.

    Personazhe të famshëm në shënjestër të “kriminelëve”

    Mashtrimi përdori identitetet e figurave të njohura si Presidenti Federal i Austrisë, Alexander Van der Bellen dhe prezantuesit e ORF Armin Wolf dhe Nadja Bernhard, të cilët i promovuan këto investime në foto të manipuluara dhe video të rreme. Për shembull, Presidenti Federal shihet duke garantuar investimin dhe duke thënë në video: “Mos humbni kohë, veproni tani”.

    Një pagesë mujore prej 250,000 eurosh u premtua për një pagesë fillestare prej vetëm 250 eurosh. Ish-Kancelari Federal Karl Nehammer, futbollisti profesionist David Alaba, ish-ylli i skive Hermann Maier, prezantuesit televizivë Armin Assinger dhe Mirjam Weichselbraun, si dhe artisti i kabaresë dhe prezantuesi i “Willkommen Osterreich”, Christoph Grissemann, u shfaqën gjithashtu në regjistrime të manipuluara (Deepfake).

    “Siç mund ta shihni, këto falsifikime për fat të mirë nuk janë perfekte”, tha hetuesja Alexandra Volkel, “por për fat të keq, është ende e mjaftueshme që njerëzit të besojnë një version ose një tjetër dhe kështu të mashtrohen duke depozituar para në këto platforma”.

    Alaba, viktimë e “deepfake” nga Tirana

    Kriminelët përdorën teknologjinë e inteligjencës artificiale për të krijuar video ku mbrojtësi i Real Madridit dukej sikur u bënte thirrje ndjekësve të tij të investonin në platforma si “Lion-Trade”. Duke shfrytëzuar popullaritetin dhe besueshmërinë e Alabës në Austri dhe më gjerë, “Call Center”-at në Tiranë arritën të zhvatnin shuma që shkojnë deri në miliona euro nga kursimet e qytetarëve.

    Ky operacion, i mbështetur nga Europol, ka çuar në arrestimin e dhjetëra personave në Shqipëri, ndërsa hetimet po vijojnë për të zbuluar nëse ka emra të tjerë të botës së sportit të përfshirë pa dëshirën e tyre në këtë skemë kriminale. /Tch

  • Reporterët pa Kufij: Kosova shënon përparim në lirinë e medias

    Reporterët pa Kufij: Kosova shënon përparim në lirinë e medias

    Kosova ka shënuar përparim në lirinë e medias, sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij, duke u renditur në vendin e 84-të, apo 15 vende më mirë sesa vitin paraprak.

    “Me përjashtim të Kosovës, që shënoi përparim pavarësisht se mbetet një nga shtetet me renditjen më të ulët në Evropë, liria e shtypit në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi po përkeqësohet”, thanë Reporterët pa Kufij.

    Vitin e kaluar, Kosova shënoi regresin më të madh në indeksin e lirisë së mediave të organizatës Reporterët pa Kufij duke u radhitur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete – rënia më e madhe në 15 vjet në indeksin vjetor të lirisë së shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij.

    Çfarë thuhet për lirinë e medias në Kosovë?

    “Rregullatori joefektiv i mediave, Komisioni i Pavarur për Media [KPM], ishte subjekt i një reforme legjislative, e cila u shpall jokushtetuese nga Gjykata Kushtetuese”, u tha në pjesën për Kosovën të raportit të Reporterëve pa Kufij.

    Në prill të vitit 2025, Gjykata Kushtetuese e Kosovës shfuqizoi Ligjin për KPM-në, duke argumentuar se disa nene nuk ishin në përputhje me Kushtetutën.

    Pjesët që u gjetën që nuk ishin në përputhje kishin të bënin me zgjedhjen e anëtarëve të KPM-së, shkarkimin e kryetarit dhe anëtarëve të komisionit, kompetencat e KPM-së, rregullimin e pronësisë dhe disa pika që kishin të bënin me sanksionet dhe gjobat.

    Reporterët pa Kufij vënë në pah se sistemi gjyqësor i Kosovës ka nisur të trajtojë “si prioritet” rastet që kanë të bëjnë me gazetarët.

    “Por, gjithnjë e më shumë gazetarë kanë qenë subjekt i padive SLAPP [padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike] të iniciuara nga grupe biznesi dhe politikanë”, tha raporti, ku u shtua se qasja në informacione publike është penguar nga zbatimi i dobët i ligjit.

    Sipas raportit për vitin 2026 të Reporterëve pa Kufij, edhe pse mediat arritën të mbanin përgjegjës politikanët, gazetarët “vazhdojnë të jenë subjekt i sulmeve politike”.

    Aty thuhet se ndonëse gazetarët gëzojnë besim nga shoqëria, mediat e pavarura dhe gazetarët hulumtues “shpesh janë cak i fyerjeve dhe lajmeve të rreme në rrjetet sociale”.

    “Ata pa të drejtë akuzohen për ‘bashkëpunim me armikun’, retorikë e përdorur nga grupe politike dhe fetare”.

    “Në vitet e fundit, shumë gazetarë kanë qenë subjekt i kërcënimeve dhe sulmeve fizike nga rrjete kriminale, por po ashtu edhe për shkak të tensioneve mes Prishtinës dhe Beogradit. Disa gazetarë po ashtu kanë qenë cak i vëzhgimit. Disa sulme të ndodhura së voni ndaj gazetarëve kanë rezultuar me dënime”.

    Raporti përmend po ashtu bojkotin nga Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti para zgjedhjeve të shkurtit të vitit 2025, kur “disa media private ishin në cak të bojkotit të Qeverisë, që po ashtu kërcënoi pavarësinë e transmetuesit publik, RTK”.

    “Mediat në gjuhën serbe, që janë nën presion nga forcat politike serbe, janë ankuar për diskriminim në qasje në informacion publik, veçmas në gjuhën e tyre, gjë që është e drejtë kushtetuese për minoritetet”, tha organizata.

    Ndërkaq, në pjesën e financimit të mediave thuhet se mediat në Kosovë kryesisht financohen nga të ardhurat e reklamave nga sektori privat dhe po ashtu ndonjëherë mbështeten nga autoritetet lokale apo partitë politike.

    “Përveç kësaj, përmes pronarëve të tyre, redaksitë e mediave private janë të ekspozuar nga ndërhyrja nga grupe të fuqishme politike apo biznesore. Mediat në gjuhën serbe përballen me një sfidë shtesë, atë të tregut të vogël në të cilin organizatat mediale varen nga financimi nga Serbia fqinje, ndërkaq mediat e pavarura nuk do të mund të mbijetonin pa financim ndërkombëtar”.

    Pas publikimit të raportit, këshilltarja ligjore në Qendrën Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias, Flutura Kusari, vlerësoi se përparimi i shënuar “është meritë 100 për qind e sistemit gjyqësor”.

    Në këtë drejtim, ajo përmendi shfuqizimin e Ligjit të KPM-së, që sipas saj konfirmoi se “eksperimenti i Qeverisë për të draftuar dhe miratuar ligje pa përfshirjen e sektorit të mediave, pa konsultim dhe me nxitim, në procedura të përshpejtuara pak para vitit të ri, duke shpërfillur opinionin ligjor të Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian ka qenë i rrezikshëm dhe e ka dëmtuar vendin tonë jashtëzakonisht shumë në rangim botëror”.

    Kusari tha se shpreson që Lëvizja Vetëvendosje “të reflektojë” dhe kurdo që të hartohet sërish ligji të përmirësojë gabimet në ligj, që sipas saj, “e kanë shkatërruar reputacionin e vendit tonë në nivel global”.

    Ajo tha po ashtu se ky raport konfirmon se sistemi gjyqësor në Kosovë është “mbrojtësi më i madh i lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave në pesë vjetët e fundit”.

    Si është gjendja e lirisë së medias në Ballkanin Perëndimor?

    Pavarësisht përparimit të shënuar, nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova nuk qëndron më së miri sa i përket lirisë së shtypit.

    Mali i Zi renditet në vendin e 41-të (nga 37 sa ishte vitin e kaluar) në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij.

    Maqedonia e Veriut sivjet u radhit në vendin e 45-të (ka shënuar rënie pasi vitin e kaluar ishte në vendin e 42-të), Shqipëria është vetë një pozitë më lart se Kosova, pra në vendin e 83-të (vitin e kaluar ishte në vendin e 80-të), Bosnjë dhe Hercegovina në vendin e 90-të (vitin e kaluar ishte në pozitën e 86-të) dhe Serbia më së keqi, duke u radhitur e 104-ta (vitin e kaluar ishte në vendin e 96-të).

    “Edhe pse Shqipëria [që ka shënuar rënie prej tre pozitash], Bosnjë e Hercegovina [minus katër pozita] dhe Serbia [që ka rënë për tetë vende] aspirojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian, që të tri shtetet janë armiqësore ndaj gazetarisë dhe të cenueshme ndaj propagandës”, thuhet në raportin e Reporterëve pa Kufij.

    Sipas raportit, rajoni i Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore vazhdon të jetë në vendin e parafundit në radhitje në indeksin e këtij viti, ndërkaq zona e BE-së dhe Ballkanit është në vendin e parë pavarësisht rënies së kushteve në gazetari.

    Sipas Reporterëve pa Kufij, ky rajon gjithnjë e më shumë i ngjan një eksperimenti të gjerë, ku vlerat përmbysen dhe legjislacioni përdoret për t’iu shërbyer atyre që janë në pushtet, në dëm të së drejtës për informim.

    Në indeksin e organizatës, në vendin e parë sa i përket lirisë së shtypit është Norvegjia, ndërsa në vendin e 180-të është Eritrea./REL

  • Parashikimi i motit për sot, pritet edhe borë në disa zona

    Parashikimi i motit për sot, pritet edhe borë në disa zona

    Sot parashikohet të depërtojnë masa të ftohta polare, të cilat do të kushtëzojnë mot të vranët dhe herë pas here reshje shiu, ndërsa në zonat malore priten reshje bore. Fjolla bore ose shqotë mund të paraqiten edhe në disa zona të ulëta të Rrafshit të Kosovës.

    Era do të fryjë nga veriu, e cila herë pas here pritet të jetë e fuqishme, me shpejtësi prej 15-45 km/h.

    Temperaturat do të pësojnë ulje drastike, me minimale që do të lëvizin prej 2 deri në 8°C, ndërsa ato maksimale prej 4 deri në 8°C./Meteo Kosova

  • KQZ në pritje të datës së zgjedhjeve, Elezi tregon vendimin e parë që pritet të merret

    KQZ në pritje të datës së zgjedhjeve, Elezi tregon vendimin e parë që pritet të merret

    Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka deklaruar se KQZ-ja është në pritje të vendimit për caktimin zyrtar të datës së zgjedhjeve.

    Në Dukagjini, Elezi tha se organizimi i zgjedhjeve do të bëhet në afate të shkurtra kohore.

    Ai shtoi se një nga vendimet e para që do të ndërmarrë KQZ, pas caktimit të datës, do të jetë rishikimi i afateve të aktiviteteve zgjedhore dhe përshtatja e tyre sipas rrethanave.
    Sipas tij, kjo do të varet nga koha në dispozicion për organizimin e procesit, nga momenti i shpalljes së zgjedhjeve deri në ditën e votimit.

    “Aktualisht jemi ne pritje të vendimit për caktimin zyrtar të datës për mbajtjen e zgjedhjeve. Organizimi i tyre do të behet ne afatet e shkurtra kohore, dhe një nga vendimet e para që do të ndërmarrë KQZ pasi të caktohet zyrtarisht data e zgjedhjeve atëherë do të jetë ndryshimi i afateve kohore të aktiviteteve zgjedhor edhe përshtatja e tyre sipas nevojës dhe rrethanave. Kjo do të varet nga ajo se sa kemi në dispozicion për të organizuar procesin zgjedhor nga dita e shpalljes së datës së zgjedhjeve deri ne ditën e zgjedhjeve”, ka deklaruar Elezi.

  • Caktimi i datës së zgjedhjeve, partitë konfirmojnë pjesëmarrjen në takimin e thirrur nga Haxhiu

    Caktimi i datës së zgjedhjeve, partitë konfirmojnë pjesëmarrjen në takimin e thirrur nga Haxhiu

    Partitë politike kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e thirrur nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, për caktimin e datës së zgjedhjeve të reja parlamentare, i cili pritet të mbahet nesër në orën 15:00.

    Përfaqësues të partive deri dje në opozitë kanë bërë të ditur se do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së Presidencës.

    Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se partia e saj ka marrë ftesë dhe do të marrë pjesë në takim.

    “Po kemi marrë ftesë dhe marrim pjesë. Takimi mbahet nesër në orën 15:00”, ka deklaruar Çitaku.

    Pjesëmarrjen e ka konfirmuar edhe ish shefja e deputetetëve të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu.

    “Po, do të marrim pjesë në takim”, tha ajo.

    Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka konfirmuar pjesëmarrjen, ndërsa në takim do të përfaqësohet nga Ardian Gjini.

    “Po, kemi marrë ftesë nga Albulena Haxhiu për takim lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve, ne ora 15:00. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të marrë pjesë në takim dhe do të përfaqësohet nga nënkryetari Ardian Gjini.”, ka thënë për Reporteri.net zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili.

    Takimi vjen pasi Presidenca ka bërë të ditur se Haxhiu është koordinuar me kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, lidhur me përgatitjet institucionale për organizimin e zgjedhjeve.

    Sipas Presidencës, në takimin me Radoniqin është diskutuar për afatet ligjore, përgatitjet administrative, koordinimin ndërinstitucional dhe nevojën që procesi zgjedhor të zhvillohet pa vonesa dhe me standarde të larta profesionale.

    Kosova po shkon në zgjedhje të reja parlamentare pasi Kuvendi dështoi ta zgjedhë presidentin brenda afatit kushtetues prej 34 ditësh, i cili përfundoi mbrëmë në orën 24:00.

    Bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi shpërndahet automatikisht në rast se presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati.

    Haxhiu ka deklaruar se zgjedhjet do të shpallen brenda afatit kushtetues, ndërsa pas konsultimeve me partitë politike pritet të caktohet data e votimit.

    Sipas afateve ligjore, zgjedhjet duhet të mbahen brenda 45 ditësh, me 7 qershorin që paraqet datën e fundit të mundshme për mbajtjen e tyre.

  • Pas britanikëve, edhe ambasada e SHBA-së mohon se përkrahu Feride Rushitin si kandidate për presidente

    Pas britanikëve, edhe ambasada e SHBA-së mohon se përkrahu Feride Rushitin si kandidate për presidente

    Pas ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, edhe ajo e SHBA-së ka mohuar se ka përkrahuar kandidaturën e Feride Rushitit për presidente të vendit.

    Pas dështoi zgjedhja e saj në mungesë të kuorumit dhe pas shkuarjes së vendit në zgjedhje të reja, Rushiti së bashku me Kurtin mbajtën një konferencë për media pas orës 24:00, në të cilën u tha se ajo kishte përkrahjen e ambasadave për kandidimin e saj.

    Por, një gjë të tillë e kanë mohuar këto përfaqësi diplomatike.

    Një zëdhënës i ambasadës amerikane për Insajderin deklaroi se SHBA-ja nuk ka kurrfarë roli në propozimin e kandidatëve dhe se është përgjegjësi e të besuarve të popullit që të zgjidhet çështja e të parit të shtetit.

    “Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë rol në propozimin e kandidatëve për procesin zgjedhor presidencial në Kosovë. Është përgjegjësi e Kuvendit dhe udhëheqësve politikë të zgjedhin presidentin“, u tha në përgjigjen e ambasadës amerikane.

    Kurse, gjatë ditës, edhe ambasada e Mbretërisë së Bashkuar ka përgënjeshtruar pretendimin e shpaluar mbrëmë nga kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe kandidatja e këtij subjekti për presidente të vendit, Feride Rushiti, se ishte ambasada britanike që e mbështeti kandidaturën e saj.

  • Kur mund të shpallet vendimi final për Hashim Thaçin dhe të tjerët- flasin nga Haga

    Kur mund të shpallet vendimi final për Hashim Thaçin dhe të tjerët- flasin nga Haga

    Më 18 maj 2026 bëhen 90 ditë që nga përfundimi i procesit të fjalëve përmbyllëse të palëve para Dhomave të Specializuara në Hagë për rastin e ish-presidentit Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

    Sipas Rregullores, trupi gjykues do të duhej të nxirrte një vendim brenda këtij 90 ditëshi, megjithatë një datë specifike për vendimin final ende s’është caktuar.

    Kështu ka konfirmuar për Express zëdhënësja e Gjykatës Speciale, Angela Griep.

    “Data e saktë për shpalljen e vendimit në rastin Thaçi dhe të tjerët nuk dihet ende, por publiku do të njoftohet kur gjyqtarët të caktojnë një datë”, ka thënë Griep.

    Ajo s’ka përjashtuar mundësinë që gjyqtarët mund të kërkojnë kohë shtesë përtej 90 ditëshit, nëse diçka e tillë do të jetë e nevojshme.

    “Afati kohor për arritjen e një vendimi është specifik për secilin rast. Rregullat specifikojnë që Trupi Gjykues mund t’i zgjasë shqyrtimet përtej 90 ditëve kur rrethanat kërkojnë më shumë kohë”, ka potencuar Griep për Express.

    Afati 90 ditor për nxjerrjen e vendimit është i përcaktuar sipas Rregullës 159 të Dhomave të Specializuara dhe koha shtesë përveç rasteve ekstreme s’mund ta kalojë 60 ditëshin.

    ”Aktgjykimi i shkallës së parë shpallet brenda nëntëdhjetë (90) ditëve nga mbyllja e çështjes, në përputhje me Rregullën 136, dhe mund të përfshijë një vendim sipas Nenit 22(7) të Ligjit. Kur rrethanat e çështjes kërkojnë kohë shtesë, ajo nuk duhet të kalojë gjashtëdhjetë (60) ditë, përveç rasteve kur një zgjatje e mëtejshme është absolutisht e domosdoshme. Vendimi për zgjatjen duhet të jetë publik dhe t’u njoftohet palëve dhe përfaqësuesit të viktimave. Për zgjatjen duhet të jepen arsyet”, thuhet në Rregulloren e Gjykatës Speciale.

    Sipas kësasj Rregulloreje, Aktgjykimi i shkallës së parë, ose një përmbledhje e tij, shpallet publikisht në emër të popullit të Kosovës dhe në praninë e të akuzuarit, përveç nëse rrethana të jashtëzakonshme arsyetojnë mungesën e tij ose të saj.

    Aktgjykimi i shkallës së parë duhet të jetë me shkrim dhe të përmbajë arsyetim për gjetjet e Panelit, derisa në rast të lirimit nga akuza, aktgjykimi mund të shpallet gojarisht, i ndjekur nga arsyetimi me shkrim sa më shpejt që të jetë e mundur.

    Katërshja e UÇK’së vazhdojnë të jenë në paraburgim në Hagë që nga viti 2020 që kur Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj tyre.Në fjalët përmbyllëse, ekipet mbrojtëse kanë kërkuar lirim nga të gjitha aktakuzat për Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin.

    Derisa, Kryeprorkurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Gjykatën Speciale në Hagë, Kimberly West, ka kërkuar nga 45 vjet dënim me burg për secilin, apo 180 vjet gjithsej për katër të akuzuarit e rastit Thaçi dhe të tjerët.

  • Presidenca publikon agjendën e Haxhiut për të enjten, në orën 15:00 i takon partitë për datën e zgjedhjeve

    Presidenca publikon agjendën e Haxhiut për të enjten, në orën 15:00 i takon partitë për datën e zgjedhjeve

    Zyra për Media e Presidencës ka publikuar agjendën e u.d të presidentes, Albulena Haxhiu, për të enjten.

    Në orën 15:00 siç thuhet në komunikatë. Haxhiu do t’i takojë partitë politike për të diskutuar rreth datës së zgjedhjeve.

    “Në orën 15:00, Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu pret në takim konsultativ partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme. Mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit”, thuhet në njoftim.

    Sot Haxhiu është takuar me kreun e KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, me të cilin ka diskutuar për të njëjtën temë.

    Radoniqi ka thënë se KQZ preferon datën më të largët të mundshme e që është 7 qershori.